|
Berni
|
 |
« më: 02-07-2008, 17:17:58 » |
|
Testimi: Kryeqytetasit "çlodhje" vetëm me këngët e jugut
Jemi mësuar tashmë, që çdo ditë në ekranet, apo radiot shqiptare të dëgjojmë emra të rinj që u shtohen këngëtarëve tanë. Rryma ritme dhe tekste nga më të ndryshmet. Imazhe, klipe, skenografi dhe koreografi, që variojnë në stile e ngjyra, nga klasikja te modernia e popullorja. Jemi në sezon veror dhe ditët e nxehta të kësaj stine kalohen dhe më mirë me tingujt e muzikës, e cila vjen me rryma nga më të ndryshmet. Por ajo që mbizotëron në këtë sezon është muzika shqiptare, e cila po dëgjohet gjithmonë dhe më shumë, duke bërë dhe klasifikime të këngëtarëve.Metropolitanët janë fansa të “çmendur” të këngës së jugut, e cila po mbizotëron në tregun muzikor shqiptar. Tashmë emra të njohur si Silva Gunëbardhi, Ylli Baka, grupi “Djemtë e Vjosës” etj, renditen si më të preferuarit në tregun muzikor shqiptar. Por nuk ngelet pas dhe muzika tallava e përfaqësuar nga këngëtari Muharrem Ahmeti. Më pas vijnë “Këngët e Shekullit”, që kanë preferenca nga të gjitha moshat. Enkelejda Shoshi ka 6 vjet që ka hapur në Tiranë dyqane, ku shet CD me këngë të këngëtarëve të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Sipas saj muzika e huaj pëlqehet, por më shumë mbizotëron muzika shqiptare, që përfaqësohet më këngëtarë që këndojnë këngë të jugut. Ndër këngëtarët më të preferuar sipas saj renditen Silva Gunëbardhi me këngën “O sa u deshëm”, Ylli Baka me “ Ku ka rrjedhur do pikojë”, grupi “Djemtë e Vjosës” si dhe këngëtarë të tjerë që këndojnë këngën e jugut. “Në këtë sezon më shumë ka filluar që të pëlqehet muzika tallava, e kënduar nga këngëtarë të ndryshëm të kësaj rrymëë muzikore, por ai që pëlqehet më shumë është këngëtari Muharrem Ahmeti. Por pëlqehen shumë dhe këngët e jugut kënduar nga këngëtarë të ndryshëm si Silva Gunëbardhi “O sa u deshëm”, një këngë që po kërkohet shumë këto kohë, grupi “Djemtë e Vjosës”, Ylli Baka me këngën “Ku ka rrjedhur do pikojë”, Marjola, Soni Malaj etj. Më tepër preferohen përmbledhje me këngë jugu dhe pas këtyre vijnë “Këngët e Shekullit, këngëtari Pirro Çako, Françesk Radi etj”, tregon Enkelejda Shoshi pronare e dyqanit “Music World”. Jemi në sezon veror dhe në këtë periudhë vijnë dhe shumë emigrantë, të cilët i shtohen numrit të blerësve të këngëve shqiptare. “Emigrantët preferojnë më shumë muzikë shqiptare të kënduar nga këngëtarë, që kanë qenë të njohur ndër vite si Parasheqvi Simaku, Vaçe Zela, Françesk Radi etj, dhe pas këtyre blejë dhe CD me këngë të këngëtarëve që kanë më pak kohë në tregun muzikor, por dhe “Këngët e Shekullit” preferohen shumë, por tani që vijnë emigrantët duan vetëm muzikën cilësore, dhe nuk duan as tallava, as rryma të tjera të përpunuara. Emigrantët kur vijnë kanë nostalgji vetëm për këngëtarë, që kanë vite që njihen në muzikën shqiptare”, tregon Enkelejda Shoshi. Më një eksperiencë pune 6 vjeçare në tregun muzikor shqiptar, duke folur për këngëtarët shqiptarë, Shoshi do të theksonte se disa emra që më parë ishin shumë të suksesshëm, kohët e fundit nuk po preferohen shumë. “Emra të rinj që kanë dalë në muzikën shqiptare kanë bërë, që emra të njohur si Valbona Mema, Sinan Hoxha etj, të jenë më pak të preferuar, por jo se këta këngëtarë nuk pëlqehen, por numri i shitjeve për CD e tyre është më i vogël”, thekson Enkelejda Shoshi. Nga dyqane të ndryshme që shesin CD në kryeqytet pohohet se shijet e muzikës janë njëlloj si në dimër dhe në verë, por tani në këtë periudhë sipas tyre rritet numri i shitjeve, pasi vijnë dhe emigrantët. Shitësit e CD, në aktivitetin e tyre kanë bërë dhe një ndarje të blerësve, duke i klasifikuar sipas preferencave. “Mosha e thyer preferon Ylli Bakën, Ponin, Silva Gunëbardhin etj, që këndojnë muzikë jugu, ndërsa mosha e re preferon muzikën tallava, muzikën e re të Shqipërisë së Mesme, po ashtu dhe CD me “Këngët e Shekullit” preferohet nga të rinjtë dhe të vjetrit. Në krahasim me dy vite më parë blerja e CD ka shumë rënie, dhe mendoj se kjo varet shumë dhe nga ekonomia, sepse të blesh një CD sot kushton 600 lekë të reja në dyqan. Këngëtarët vijnë dhe pyesin për shitjet, por unë u them të vërtetën dhe kur nuk shiten CD. Atyre nuk u vjen mirë, por ky është realiteti. Ata këngëtarë, që ishin para disa vitesh të parët, tani kanë rënë shumë dhe nuk preferohen shumë nga blerësit. Këngëtarët e rinj, që kanë dalë kohët e fundit janë më të suksesshëm”, pohon Shoshi. Ndërkaq në tregun muzikor shqiptar kanë dalë dhe shumë CD muzikore me këngë për fëmijë, dhe sipas shitësve ato po preferohen gjithmonë dhe më shumë nga blerësit.
Gazeta Sot
|