Robert de Niro: E urrej Hollivudin, "mbretin" e terrorit
"Më kritikojnë për filmat komikë, jam aktor jo një mit" 
Kohët e fundit, Robert de Niro ka reflektuar gjatë mbi çmenduritë e Hollivudit, ose të paktën kështu shprehet. Ashtu si për çdo aktor tjetër, shumë thashetheme flasin për jetën e një prej aktorëve më të rëndësishëm të botës. Filmi i tij i fundit, që titullohet "What just happened?" është një tentativë për të zbuluar të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet, falsitetet dhe absurditetet që rrethojnë jetën e çmendur të yjeve të Hollivudit.
"Është një film serioz", thotë De Niro. "Më ka bërë edhe për të qeshur. Gjërat nuk duhen marrë shumë seriozisht, sepse përndryshe rrezikojnë të shkojnë keq".
Ndër vite, aktorit 64-vjeçar i është dashur të kontrollojë humorin e tij, për të shfrytëzuar më tej buzëqeshjen ironike. Para pak kohësh ai festoi 11-vjetorin e martesës me gruan e dytë, Grace Hightower. Në 2001-shin çifti dukej gati për ndarjen e vitit. Ajo theksonte se abuzimi me qetësuesit e bënte De Niron një baba të papërshtatshëm për Elliot, djalin e lindur në 1998-n. Më pas gjërat filluan të përmirësoheshin. "Le të themi se ishte një periudhë krize, të cilën e kalon çdo njeri. Pa e kuptuar, ndava ‘si me thikë‘ punën dhe jetën private. Shumë persona të tjerë janë në gjendje të flasin për problemet që kanë, ndërsa unë e kam të pamundur. Nëse do të shqetësohesha për çdo histori të trilluar që thuhet për mua, edhe mund të mos ngrihem në mëngjes. Mos ndoshta kam pamjen e një burri të shqetësuar?"
Si është e mundur që dukeni një tip i vështirë dhe tekanjoz? "I vështirë? Nuk mendoj se jam një aktor tekanjoz. Është e vështirë të xhirosh një film edhe kur gjërat shkojnë mirë, kështu që nëse është e mundur askujt nuk duhet t‘ia vështirësojmë punën. Nuk ia vlen të bëjmë sjellje apo veprime të pahijshme kur jemi në një shesh xhirimesh, vetëm për të treguar personalitetin. Pse duhet t‘ia vështirësojmë jetën një regjisori, kur kemi probleme me babanë, për shembull?" Fakti që aktori përmend një lidhje të mundimshme me babanë është një arsye më shumë për ta njohur më mirë. Babai i De Niros, Robert De Niro Senior, i cili vdiq në 1993-shin në moshën 71-vjeçare, ishte një aktor mjaft i njohur në Nju Jork. Ai e braktisi De Niron kur ishte vetëm dy vjeç, duke ia lënë në ngarkim bashkëshortes, Virginia Admiral, që vdiq në 2000-shin kur ishte 85 vjeçe. "Nuk kam kurrë probleme me aktorët në skenën e xhirimeve. Edhe kur nuk jam dakord me regjisorin, vazhdoj të punoj. Pra nuk jam njeri tekanjoz. Nuk pendohem për asnjë film që kam xhiruar, sepse kishte gjithmonë një arsye për ta bërë atë zgjedhje, në atë moment specifik. Më pas, nëse një film nuk është në lartësinë e duhur të parashikimeve të mia, është e kotë të humbas kohën duke u shqetësuar, si dhe pse ndodhi. Është shumë më mirë të kaloj te projekti pasardhës".
Në këto vitet e fundit, De Niro i është futur punës dhe ka prodhuar disa filma komikë shumë të suksesshëm. Vitin e kaluar ka qenë regjisor dhe protagonist në filmin "The Good Shepherd" (Hija e pushtetit). Filmat më të suksesshëm të viteve të fundit janë: "Analyze This" (1999), "Analyze That" (2002), "Meet the Parents" (2000) dhe "Meet the Fockers" (2004). Gjithashtu, De Niro ka marrë pjesë edhe në filmin "Stardust", në të cilin ka luajtur rolin e një pirati homoseksual. Disa persona e akuzojnë se është shitur. Pak kohë më parë, një e-mail komprometues është shpërndarë në adresë të personave me reputacion në Hollivud. E-mail-i thoshte se filmat komikë të viteve të fundit e kanë "burgosur" në rolin e një "psikopati të vjetër". Pra, De Niro e ka braktisur kinemanë cilësore që të ketë mundësi të krijojë "një mbretëri të vogël" të tijën në Nju Jork. Ai e mohon kategorikisht një të tillë. "Gjithmonë kam bërë filma komikë. Elemente komike ka pasur edhe në filmat: ‘Mean Streets‘, ‘Taxi Driver‘ dhe ‘King for one night‘. Jam një tip i qeshur, nuk e konsideroj veten mit të aktrimit, por vetëm një aktor që bën maksimumin e tij me materialin që i propozohet". Me fjalë të tjera, De Niro nuk kërkon falje për dashurinë e madhe që ka për Nju Jorkun. "Kam jetuar në Los Anxhelos dhe kam punuar shumë në Hollivud, nuk kam asgjë kundër atij qyteti. Nuk pata fatin e keq të isha aktor dhe të endesha rrugëve për të kërkuar punë. Kudo kam shkuar me ftesë dhe eksperiencat e mia në Los Anxhelos kanë qenë fantastike. E keqja është se nuk më pëlqen të jetoj gjatë, apo përgjithmonë në këtë vend. E adhuroj Nju Jorkun, mund të eci lirshëm në rrugë, të rehatohem në një bar e të pi ç‘të dua me njerëzit e thjeshtë. Nëse nuk je në gjendje t‘i shohësh njerëzit si aktorë, atëherë ke marrë fund".
Po "perandoria" e tij në Nju Jork? Aktori krijoi lagjen e vjetër "TriBeCa", së bashku me festivalin e saj kinematografik vjetor. Më pas hapi hotele luksoze, një prej tyre është edhe "Greenwich", ku të gjitha dhomat janë të pajisura me sauna. Në fund, ka investuar në tregun e restoranteve kineze. Tashmë me administrimin dhe drejtimin e hoteleve merret djali i tij. "Është mirë të kesh interesa të tjera dhe për mua parësore ka qenë kinemaja". Performanca e tij në filmin "What just happened?" është e shkëlqyer. Filmi bazohet në librin e producentit Art Linson, që ka si nëntitull "Histori të hidhura nga fronti i Hollivudit". Një nga këto histori flet për grindjen në 1997-n mes "20th Century Fox" dhe Alec Baldwin, që ishte në majë të suksesit. Motivi i inatit të shtëpisë prodhuese ishte fakti që Baldwin kishte vendosur të prezantohej në provat e filmit "Shout of hate", me mjekër të gjatë dhe disa kile mbipeshë. Në versionin kinematografik të "What just happened?", aktori Bruce Willis interpreton një personazh që quhet po kështu, Bruce Willis. Bruce kundërshton në çdo mënyrë për të prerë mjekrën dhe të rrëzojë disa kile para xhirimeve të filmit të ri. Ben (De Niro), një producent i madh, mundohet të mbajë në ekuilibër jetën e tij, që është shkatërruar nga një kalendar pune paksa frenetik, nga dy ish-bashkëshorte dhe raportet me yjet. "Ky film i afrohet shumë realitetit. Faktori terror është gjithmonë i pranishëm dhe kryqëzohet me çdo aspekt të ekzistencës së një ylli hollivudian. Një aktor i famshëm mund të humbasë qindra miliona dollarë për shkak të një gote, që mund të të heqë edhe shansin për të pasur vendin tënd në restorantin tënd të preferuar". Me buzëqeshjen e tij ironike, ai përfundon: "Fatmirësisht askush nuk më ka përzënë nga ndonjë bar, gjithsesi, për të qenë më i sigurt kam blerë restorantet e mi".
Gazeta Shqip