Christian Bale: Kalorësi i errët 
Batmani i fundit është i ashpër dhe shumë i fortë, njësoj si aktori që ndodhet pas këtij personazhi. Ai është një nga më të suksesshmit e kohëve të fundit dhe nuk ka nevojë për prezantim. Quhet Christian Bale
Maska që i duhet të mbajë është ndër më të njohurat në botën e kinemasë, është armatura e famshme e Batmanit. Por kur e heq atë i duhet të vërë një tjetër. Këtë herë të padukshme. Është ajo që e ndihmon nga goditjet e botës reale, kur "të këqijtë" nuk e shfaqin lehtësisht identitetin e tyre. "Një aktor nuk duhet të jetë më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm se figura, apo personazhi që luan", thotë Bale. E gjithë karriera e tij mund të përmblidhet pak a shumë me këto fjalë. Ajo nisi në moshën 13-vjeçare, kur aktori i ri u gjend në stafin e Spilbergut për filmin "Perandoria e diellit". Në vitin 2005 luajti në filmin "Makinisti" dhe humbi shumë në peshë, që të ishte sa më pranë personazhit. Tashmë është 34 vjeç dhe i ka të gjitha vetitë e mira e të këqija të një uellsiani. "Unë jam thjesht një aktor, jo një politikan dhe nuk më pëlqen asnjëherë të jem publik, apo të flas e të dëgjoj që të tjerët të flasin për jetën time dhe atë të njerëzve që dua. Jeta ime nuk është një copëz historie që duhet të përdoret për publicitet, apo qoftë edhe për të promovuar ndonjë film. "Kalorësi i errët" e ka çuar në personazhin e Batmanit. Ai luan së bashku me të ndjerin Heath Ledger. Edhe pse roli i këtij të fundit është mahnitës, Bale nuk është aspak xheloz. "Jam përpjekur të jap më të mirën dhe jam i bindur që e kam dhënë, por sigurisht që aktorë të mirë ka pafund. Në thelb nuk më pëlqen të krahasohem". Bale me rolin e Batmanit mori përsipër një ndërmarrje të vështirë, duke qenë se pavarësisht se në libra Batman është shumë karizmatik në filma gjithmonë ka pasur një karakter hera-herës të mërzitshëm. "Nuk është se Batman është i mërzitshëm, por ndryshe nga sa mund të mendohet se është thjesht një rol i lehtë, është në të vërtetë një rol filozofik. Ka të bëjë me fuqitë që na jepen të gjithëve dhe me sakrificat, apo çmimin që duhet të paguajmë për t‘i pasur, apo për t‘i ushtruar". Për Bale, Batman nuk është një personazh karikaturash që mjafton t‘i veshësh maskën dhe gjithçka funksionon. Për sa i përket Heath, që nuk arriti ta përfundojë filmin, për shkak të një vdekjeje nga një mbidozë droge, Bale thotë se ai ishte thjeshtë më i miri i stafit dhe si për çudi pati një performancë të jashtëzakonshme në film, sikur ta dinte se ishte fundi. "Heather ishte Joker në film dhe gjithçka nis me një betejë mes tij dhe Batmanit. Ky i fundit e mund Jokerin. Është një fillim që sigurisht nuk do të vazhdojë kështu, por që në njëfarë mënyre parathotë fundin". Në jetën e tij Bale ka tetë vjet i martuar me modelen Sibi Blazic dhe pavarësisht kësaj, ai nuk ka ndryshuar shumë nga djaloshi i viteve më parë. Ka një vajzë trevjeçare dhe ndihet shumë i ri. "Ime bijë i adhuron personazhet negativë. Kur e pa filmin ajo ishte gjatë gjithë kohës me Jokerin dhe nuk i pëlqeu që unë luaja Batmanin. Po pres ditën që ajo më në fund ta kuptojë që i ati i saj është thjesht një aktor dhe që mund të luajë role të ndryshme. Sot jam Batman, por nesër mund të jem djalli vetë". Historitë kinematografike të Batmanit, edhe pse janë reklamuar shumë, nuk kanë shitur aq sa parashikohej. Ato tërheqin njerëz të të gjitha moshave. Deri tani janë realizuar tre filma dhe i fundit pritet që të jetë me të vërtetë më i suksesshmi prej tyre.
Gazeta Shqip