Kur drama e të kërkuarit me çdo kusht të një martese kthehet në motivin për të kërkuar një tjetër romancë. Ben Stiller vazhdon të jetë komiku elegant te "The Heartbreak Kid", që është duke u shfaqur në kinema

Ed (Ben Stiller) është kthyer në një dyzetvjeçar, beqaria e të cilit shqetëson të atin Doc (Jerry Stiller) dhe mikun e tij të ngushtë. Këto ngacmime i vijnë teksa i duhet të pranojë ftesën për të marrë pjesë në dasmën e ish të dashurës, me të cilën kishte qëndruar pesë vjet i lidhur. Ben në film Ed, nuk është më djali i ndrojtur i "Meet the Parents". Tani e di se çfarë i duhet, vetëm se nuk arrin ta gjejë femrën ideale.
Me këto mendime e me sytë hapur për "të gjuajtur", ndesh Lilan, në përpjekje për t‘i shpëtuar çantën. Ajo ishte jo vetëm bionde dhe e këndshme, por edhe diti si pas 6 javësh të bënte që Ed të kërkonte të martohej me të. Deri këtu është një ngjarje e zakonshme dhe pak ka për të qeshur. Komedia, si dhe "drama" fillon gjatë rrugës për Meksikë, në destinacionin e muajit të mjaltit.
Këtu nis të shpaloset dhe ana antipatike e Lilan (në fakt kishte nisur me ceremoninë e dasmës, ku regjisori kishte vendosur të frikësonte Ed, duke i treguar një vjehërr të shëndoshë e të shëmtuar. A do të ishte Lilan njësoj vite më vonë?).
Këndon me sa ka në kokë dhe pa asnjë lidhje me muzikën, duke filluar të acarojë Ed, për të mos folur për ujin që i rridhte nga hunda sa herë që duhej të pinte. Si të mos mjaftonin pakënaqësitë e ditës, Edit i duhej të plotësonte kërkesa të çuditshme seksuale të së shoqes. Një portret që e justifikon Ben Stiller të kërkojë një tjetër dashuri, pikërisht në vendin ku po bënin muajin e mjaltit. Kjo e dyta, sigurisht ishte më e qeshur, inteligjente dhe joshëse. Sepse Edi nuk është nga ata që vuan për dashurinë dhe që as nuk di të presë për më mirë. Por kjo del vetëm në fund të gati dy orëve film. Falë kësaj një ngjarjeje jo dhe aq të këndshme mund ta shijosh, po ke vullneti ta shohësh me humor.
2 herë "zemërthyer" Më shumë sesa një variant i ditëve të fundit "The heartbreak Kid" është një riinterpretim i komedisë së vitit 1972, bazuar në një histori Bruce Jay Friedman me regji të Elaine May.
Filmi origjinal luante më tepër me përkatësinë etnike klasore derisa protagonisti hebre (Charles Grodin) braktis nusen e tij po hebraike (Jeannie Berlin) për një princeshë bionde (Cybill Shepherd).
Në variantin e fundit me regji të Farrellys version, nuk përmendet as besimi dhe as prejardhja nga ndonjë shtresë e caktuar sociale. Personazhet janë njerëz fare të zakonshëm, historitë e të cilëve mund t‘i dëgjosh shpesh gjatë ditës.
Komiku elegant Ben Stiller, njujorkezi fitues i shumë çmimeve "Emmy", ndodhet në të vërtetë në të dyzetat e tij. Është aktor komedie dhe regjisor. Një talent që e ka trashëguar nga prindërit Jerry Stiller (luan rolin e të atit dhe në filmin "The Heartbreak Kid") dhe Anne Meara, të dy aktorë komedie.
Ka lindur 42 vjet më parë në Manhattan të Nju Jorkut, nga të dy aktorë komedie.
Pas shumë rolesh Stiller ka ndërtuar karrierën e një komiku elegant duke luajtur rolin e një njeriu që gjithmonë fiton mbi poshtëërimin që i bëjnë të tjerët - një karakter i dalë mirë në filmat "Meet the Parents" dhe "Meet the Fockers".
Të "The Heartbreak Kid" është 40-vjeçari beqar dhe moskokëçarës që teksa pret me indiferencë martesën e ish të dashurës, takon femrën me të cilën martohet e që do ta lërë për një tjetër kur bën muajin e mjaltit.
Në 2008-ën do të prezantohet si regjisor me filmin "Tropic Thunder", ende në prodhim.
The Heartbreak Kid
Gjinia: Komedi, romancë
Regjia: Bobby Farrelly, Peter Farrelly
Interpretojnë: Ben Stiller
Kohëzgjatja: 115 minuta
Dalë për herë të parë: Shtator 2007
Tiranë: Janar 2007
Vazhdojnë të shfaqen në kinema
Elizabeth: "The Golden Age"Në Epokën e Artë të Elizabetës, lufta dhe dashuria lidhen mes piratit Sir Walter Raleigh (Clive Owen), njëkohësisht njeriu që do të mundte me dinakërinë e tij Armatën Spanjolle, fare pranë brigjeve angleze. Luhatjet mes zemërimit, hakmarrjes ndaj dashurisë së piratit e shoqërueses shndërrohen në thirrje falënderimi për mundësinë e të qenët një femër e lirë e pa një burrë si zot mbi kokë.
Filmi i regjisorit me origjinë Kapur mund të merret dhe si vazhdim i "Elizabeth", prodhim i vitit 1998, kandidat për shtatë çmime "Oscar".
The Kingdom Ngjarjet ndodhin mes Uashingtonit dhe Riadit në Arabinë Saudite. Qindra amerikanë mbeten të vrarë pas një sulmi të papritur nga ekstremistë të maskuar si ushtarakë. Ata ishin të gjithë punonjës civilë të një kompanie nafte amerikane. Jamie Fox, shoqëruar nga kolegia Jennifer Garner e tre specialistë të tjerë arrijnë të zbresin të shkojnë në Riad. Për pesë ditë u duhet të ndeshen me xhelozinë e rregullat strikte të policisë saudite e Gardës së Republikës, dhe autorin e krimeve, një terrorist të betuar kundër biznesit përëndimor në Saudi
G.Shqip