Doni
Gjinia:
|
 |
« më: 22-01-2005, 01:46:51 » |
|
Në hollin e Muzeut Kombëtar hapet pavijoni me 50 stema të fisnikëve mesjetarë shqiptarë të shek.XII-XVII. Janë kryesisht riprodhime të stemave të mbijetuara në Itali
Fisnikët shqiptarë, çfarë "vulë" kanë pasur
Alma Mile
Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar do të hapet një pavijon i veçantë. Eshtë ai i Heraldikës, ku do të ekspozohen 50 stema të familjeve fisnike shqiptare, të periudhës së Mesjetës. Në këtë pavijon, i cili do të ngrihet me rastin e 600-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, do të ekspozohen "pasaportat diplomatike" të shek.XII-XVII. Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo, aty do të ekspozohen riprodhimet e stemave, shumica e të cilave gjenden në Itali, ruajtur brez pas brezi nga fisnikët e mërguar gjatë pushtimit otoman. Ndërkohë në MHK, ruhen tre stema origjinale. Njëra prej tyre i përket shek.XII, është konsideruar si stema e parë shqiptare dhe paraqet një shqiponjë me një kokë. Kjo stemë e cila i ka takuar Dhimitrit të Arbërit, u rimor nga familja e Dukagjinëve. Një tjetër stemë origjinale është ajo e Topiajve, që i takon shek.XIV, ku paraqitet një luan i ulur në një fron, i rrethuar nga zambakë anzhuinë dhe breza kryqesh katolikë e bizantinë. Sipas Moikom Zeqos, kjo stemë është zbuluar në portalin e manastirit të Shën Vladimirit, ku për herë të parë gjenden dëshmi të mënyrës së vendosjes së stemave. Stema e Skurrajve është një tjetër stemë origjinale, e gjetur në manastirin e Shën Antonit në Lezhë, ku tregohet një luaneshë e gdhendur në një skudë. "Kjo stemë më pas është imituar edhe nga Bashkia e Tiranës, sepse në fshatin Brar, në afërsi të kryeqytetit, është zbuluar një sarkofag i njërit prej pinjollëve të Skurrajve", - thotë Zeqo, duke shtuar që në MHK, ruhen edhe dy stema të tjera origjinale, por ende të paidentifikuara. Në njërën prej tyre paraqitet një shqiponjë e rrethuar nga dy gjarpërinj. Në pavijon do të paraqiten edhe riprodhime të stemave të Dukagjinasve, Muzakajve, Zahariajve, Spanëve, Engjëjve, Skurrajve, Shpatajve, Balshajve, etj. Një rëndësi të veçantë ka stema e Skënderbeut, që paraqet një shqiponjë me dy kokë me yllin e Davidit mbi krye. Sipas Zeqos, krahas stemave të zotëruesve politikë, ekzistojnë edhe stemat fetare të klerikëve e dioqezave, të kalorësve stratiotë, të njohur për veprimtaritë e tyre luftarake, si Mërkur Bua, të qyteteve, si Durrësi, Berati, Shkodra, por edhe njerëzve të kulturës, si e Pjetër Bogdanit e shek.XVII, apo Gjergj Lapazasë, matematikan nga Durrësi. "Historia e stemave shqiptare lidhet kryesisht me shek XII-XV, ashtu si edhe në vende të tjera të Evropës. Këto stema aprovoheshin nga një këshill i caktuar dhe shërbenin si pasaportë e pushtetit politik dhe territorial për ata që e zotëronin. Stemat shqiptare janë aprovuar kryesisht nga Republika e Venedikut dhe Shteti i Napolit dhe njiheshin në gjithë Evropën, madje ato janë të shoqëruara edhe me dokumentacionin përkatës të njohjes dhe aprovimit të tyre", - vazhdon Zeqo, duke shtuar se me pushtimin osman ato u zhdukën nga Shqipëria, por mbijetuan në Itali, prej familjeve fisnike që u vendosën aty. Në shek.XVII, ato do ta humbisnin rëndësinë edhe në vende të tjera të Evropës. Sipas studiuesit Zeqo të tilla stema gjenden më shumë në Itali, por ende nuk janë zbuluar tërësisht ato që mund të ekzistojnë në Napoli, Firence, Venecia, Romë, apo Italinë e Jugut. Një hulumtim tjetër, do ta rriste më tej numrin e stemave shqiptare.
21/01/2005
|