|
Berni
|
 |
« më: 02-06-2008, 09:33:45 » |
|
Patatja, magjia e ushqimit që vjen nga thellësitë
Ka më shumë se 7500 varietete dhe është ushqimi i katërt më i përdorur në botë, pas misrit, grurit dhe orizit. Edhe pse është konsideruar si ushqim për të varfrit, ka ndryshuar historinë e njerëzimit në të mirë e në të keq. Mungesa e saj në vitin 1800 shkaktoi emigrimin më të madh drejt SHBA-së. Mendohet se ndoshta do të jetë ushqimi i astronautëve që eksplorojnë hapësirën. Ndërkohë, OKB-ja i ka mbështetur të gjitha shpresat tek ajo për të luftuar urinë dhe varfërinë në botë. Suksesi i patates, ku FAO 2008 e quajti edhe si "Viti Ndërkombëtar i Patates", i detyrohet një morie faktorësh të veçantë: është e lehtë për t‘u kultivuar, rritet në çdo lartësi, mund të konservohet deri në 6 muaj, është e ngrënshme rreth 85 për qind dhe mund të kultivohet në një cep të vogël toke. Jo rastësisht, ekonomisti gjerman, Friedrich Engels, tha se zbulimi i patates solli revolucion në historinë e njeriut po aq sa zbulimi i hekurit.Tre muaj për t‘u rritur Origjina e patates daton rreth 8000 mijë vjet më parë, në brigjet e lumit Titikaka, mes Perusë dhe Bolivisë. Por në Evropë ajo erdhi në vitin 1500, përmes anijeve të kolonizatorëve spanjollë. Që atëherë, suksesi i saj mori famë botërore. Sot, çdo vit në botë prodhohen rreth 323 milionë tonelatë patate (të dhënat nga FAO 2005) në një sipërfaqe 195 mijë km², dy herë më shumë se Austria. Por çfarë është patatja nga pikëpamja botanike? Është një bimë që i përket familjes Salonacee, njëlloj si domatja, duhani, patëllxhani dhe speci. Çel lule të bardha dhe kërcej që nuk mund të hahen. Mund të rritet kudo, nga klima subtropikale tek ajo kontinentale, në klima të ftohta apo mesdhetare. Patatja rritet nën tokë, e favorizuar nga errësira, lagështira dhe temperaturat e ulëta. Të mbështetur edhe nga agjentët atmosferikë, për rreth tre muaj stolonët (lloj rrënjësh) rriten deri sa formohen zhardhokët, shumë të pasur me amidon (një substancë e rëndësishme që grumbullohet dhe mbron bimën nga sëmundjet). Nëse thahen, nga patatja dalin sythe të reja (dhjetëra për një zhardhok). Pikërisht kështu, nga zhardhoku në zhardhok, riprodhohet edhe bima e patates. Të zbuluara nga kolonizatorët evropianë në vitin 1500, ajo nuk pati menjëherë suksesin e kulturave të tjera të importuara nga Bota e Re, si misri dhe domatja. Ajo u përhap menjëherë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, por nuk u kultivua për shumë shekuj në Kinë, SHBA dhe e gjithë zona islamike.Nga hambarët te flokët Në të vërtetë, patatja arriti të fitonte lavdinë e saj në shekullin e 18, për shkak të mungesës së bukës, duke u bërë ushqimi kryesor që gjendej në Evropë. Në Francë, mbretëresha Maria Antoneta përhapi mes fisnikëve modën për të vendosur në flokë lulet e patates. Rëndësia e saj u vlerësua sidomos në Irlandë, ku patatet ishin bërë që prej vitit 1700 ushqimi kryesor i të varfërve. Kjo ishte arsyeja se përse viti 1845 ishte kaq i "zi".Peronospora, një lloj kërpudhe, preku bimët e patateve, duke dëmtuar gjethet dhe duke i bërë zhardhokët të pangrënshëm. Sasi të mëdha toke ku kultivoheshin patatet u shkatërruan dhe u dogjën, ndërsa njerëzit filluan të vdisnin nga uria. Viktimat ishin më shumë se një milion. Në ato vite nisi dhe emigrimi në masë i irlandezëve drejt SHBA-së dhe Kanadasë. Lind pyetja, përse peronospora u përhap atëherë? Sepse në udhëtimet e para të gjata transoqeanike, gjatë kalimit nga zona tropikale në hambarët e anijeve për shkak të të nxehtit dhe lagështisë, patatet pësuan një lloj pasterizimi, dhe ndërkohë që temperatura rritej parazitët ngordhnin.Në mesin e shekullit 18, me zbulimin e anijeve me avull, shumë herë më të shpejta, ky proces nuk ndodhi më dhe peronospora kaloi e padëmtuar në Evropë. Vetëm në vitin 1882, u zbulua se shkaku i vërtetë i tharjes së patateve ishte një lloj kërpudhe. Ndërkohë qeveria irlandeze doli nga kriza, duke importuar produkte ushqimore nga vende të tjera. Ndërkohë patatja ishte përhapur në të gjithë Evropën. Sipas historianëve, zhvillimi demografik i viteve 1700-1800 i detyrohet patates, ushqimi i dashur i të varfërve që nuk arrinin të blinin bukë. Por zhardhokët patën sukses të madh edhe në Gjermani, por për disa arsye të veçanta.Në këtë vend, ato përdoreshin për të prodhuar distilët, ndërsa lëkurat e saj përdoreshin si ushqim për kafshët e sidomos derrat.Pjata kombëtare tradicionale Patatja është një nga ushqimet që hyn në çdo cep të kuzhinës, mund të skuqet, zihet apo piqet.Përdorimi i gjithanshëm i saj ka frymëzuar shefat më të mirë të kuzhinave në botë në një shumëllojshmëri recetash, tashmë të famshme në të gjitha vendet, mes të cilave "Rosti sviceriane" (patate të grira, të përziera me gjalpë dhe vaj ulliri) apo "Shpherd‘s Pie" i famshëm anglez (një lloj byreku me patate, mish qengji të grirë hollë dhe bizele).Në Danimarkë, Suedi dhe Finlandë, patatet e reja të ziera dhe me kripë e kopër përdoren gjithmonë për të shoqëruar pjatat me sardelet e Baltikut.Patatet e mbushura me mish dhe djathë kaçkavall janë pjata tradicionale e kuzhinës lituaneze, ndërsa pureja me mish, domate të grira, ullinj, vezë dhe rrush të thatë e asaj peruane Vitamina dietike Nga pikëpamja ushqyese, patatja është një ushqim i veçantë, siç shpjegojnë specialistët e ushqimit dhe dietologët në botë."Përmban rreth 85 kilocalori në 100 gramë dhe nëse nuk i shtohet asgjë, hyn tek ushqimet dietike. Ka gjithashtu një sasi modeste yndyrash (më pak se 1 për qind) dhe proteinash (rreth 2 për qind) që përmbajnë lizinë, një aminoacid i rëndësishëm që mungon te drithërat. Patatja është e pasur me karbohidrate (rreth 18 për qind), pjesa më e madhe e të cilave përbëhet nga amidoni (16 për qind) dhe sasi të vogla sheqernash të thjeshta.Ajo përmban edhe një sasi të konsiderueshme vitaminash si ajo B, Niacinë dhe Vitaminë C, përveç acidit folik dhe atij pantotenik. Patatja përbën një nga burimet më të rëndësishme të kaliumit (rreth 570 mg/ 100 gramë), fosforit dhe kalciumit, që pjesërisht kalojnë në ujin e gatimit nëse zhardhokët nuk zihen me lëkurë. Ajo tretet shumë lehtë, ndaj për këtë arsye janë ushqim që këshillohet të përdoret edhe për fëmijët dhe të moshuarit. Suksesi i saj te fëmijët është dëshmuar nga një kukull, "Zonja Patate", që u prodhua në Amerikë, në fund të viteve ‘40. Një model plastik i patates, mbi të cilin mund të pikturoheshin sytë, hunda, veshët deri sa të shndërrohej në një fytyrë të "vërtetë".Patatina dhe "fast-food" Megjithatë, "të mirat" e patates nuk përfundojnë këtu.Ajo mund të konser- vohet lehtë (në vende të thata dhe errësirë mund të qëndrojë deri në gjashtë muaj) dhe mund të për doret sipas dëshirës. Jo rastësisht, më pak se 50 për qind të patateve të destinuara për ushqim konsumohen të freskëta. Sasia më e madhe bëhet pjesë e proceseve të ndryshme industriale.Ajo, ashtu si zhardhoku, mund të ripërdoret për sezonin tjetër. Në Francë, më shumë se 3 për qind e prodhimit përdoret për të mbjellë patate të tjera, ndërsa vendet e ulëta eksportojnë rreth 700 mijë tonelatë patate në vit për "riprodhimin" e tyre. Fati më i zakonshëm i saj është ai i ngrirjes, për të përfunduar më pas me thasë të mëdhenj plastikë nëpër supermarkete apo "fast food"-e. Gjatë këtij procesi, patatet qërohen, priten në feta, zihen, thahen, skuqen, futen në ngirje dhe pastaj paketohen. Kështu që konsumatorit nuk i mbetet gjë tjetër veçse t‘i përfundojën procesin, duke i shndërruar kështu në patate të skuqura me shumë shije. E, në fakt, uria botërore për këtë recetë është shumë e madhe. Sipas llogaritjeve, çdo vit në botë konsumohen rreth 11 milionë tonë patate të skuqura. Siç e thamë, për shkak të cilësive që kanë, ato mund të përdoren kudo, madje edhe në produktet e pastiçerisë (për t‘i bërë të buta), në salca dhe në ushqimet që mund të përdoren si ndihma ushqimore urgjente. Me procesin e distilimit, patatja mund të shndërrohet edhe në pije. Në Rusi, për shembull, nga ajo nxirret një lloj alkooli që i shtohet, vodkës ndërsa në Skandinavi bën të njëjtën gjë për Akvavitin, pijen alkoolike kombëtare.Sot në Kinë kultivohet rreth 22 për qind e të gjithë prodhimit botëror, megjithatë Evropa mbetet konsumatori më i madh në botë, me 96 kilogramë patate për person çdo vit. "Patatofilët" më të mëdhenj në botë janë polakët, që konsumojnë rreth 150 kilogramë për person në vit, ndërsa Italia dhe Greqia konsumon rreth 40 kilogramë për kokë. Në Evropë kohët e fundit, për shkak të uljes së prodhimit, çmimi i tyre është rritur ndjeshëm.Prej kohësh, duket se është me leverdi më të madhe ekonomike që të importohen nga një vend në tjetrin. Për shembull shumë prej atyre që gjenden sot në tregjet tona vinë nga Egjipti, Maroku dhe Libia. Megjithatë, patatet nuk përdoren vetëm si ushqim. Sipas FAO-s, në vitin 2005, vetëm 2/3 e të gjithë prodhimit botëror ishte destinuar për qëllime ushqimore. Në industri, amidoni përdoret shumë, sidomos në atë të tekstileve, letrave dhe tapicerisë, me qëllimin e vetëm për t‘i bërë më të qëndrueshme. Për më tepër, e përpunuar kimikisht dhe e oksiduar, ajo mund të përdoret edhe në bojërat që përdoren për të stampuar pambukun dhe lirin. Në industrinë e naftës, ajo përdoret për të nxjerrë mbetjet e fundit të naftës nga basenet në mbarim (amidoni grumbullon pjesët e vogla në grupe më të mëdha, një mënyrë më e thjeshtë për të nxjerrë mbetjet e fundit. Po ashtu, patatet prodhojnë disa acide organike si acidi citrik (për pijet freskuese) dhe atë transbutendioik, që përdoret si konservues i sallameve në vend të nitrateve. Dhe në fund nga patatja nxirret edhe etanol, që shërben si karburant dhe për prodhimin e produkteve bioplastike (si qeset prej plastike bio) Rezistente ndaj baktereve Cila do të jetë e ardhmja e patates? Gjithçka do të varet nga bioteknologjitë që janë duke studiuar lloje gjenetikisht të modifikuara për të rritur rendimentin, për t‘i bërë zhardhokët më rezistentë ndaj sulmeve të baktereve (duke zvogëluar kështu edhe përdorimin e pesticideve), ose për të prodhuar patate që mund të përdoren vetëm për t‘u skuqur. Në Peru, kompania "Chimica Svizzera" ka gjetur një mënyrë të re për të trefishuar prodhimin, duke prodhuar patate gjigande deri në gjashtë kilogramë.
Gazeta Shqip
|