|
Berni
|
 |
« më: 12-07-2010, 01:53:47 » |
|
Destinacioni turistik më pak i kushtueshëm
Për pushimet në Durrës, për ata që kanë planifikuar t’i kalojnë ato në bregdetin më të populluar dhe në plazhin e Golemit, çdo vizitori do t’i nevojiten 35 deri 40 mijë lekë të reja për qëndrimin dhe ushqimin. Durrësi mbetet destinacioni më pak i kushtueshëm, krahasuar me destinacione të tjera si Vlora, Himara apo Saranda, për shkak të konkurrencës së madhe të hoteleve dhe restoranteve që ndodhen atje. Për të kaluar pushimet verore në qytetin e Durrësit dhe në plazhin e Golemit, sezoni veror 2010 ofron surpriza të këndshme financiare, pasi çdo vizitori do t’i nevojiten rreth 35 deri 40 mijë lekë të reja për qëndrimin dhe ushqimin. Durrësi dhe Golemi përmbushin të gjitha kushtet që një turist do të donte të kishte kushte komode, si hotele dhe apartamente moderne, ushqim i shumëllojshëm dhe ditë të organizuara me veprimtari të ndryshme kulturore dhe sportive. Kështu, në qoftë se një pushuesi a turisti do t’i duhet të bëjë një vizitë në hotele dhe restorante anës plazhit, në Durrës dhe Golem, do të mësojë se aty mund të pushosh edhe me të ardhura të pakta. Durrësi dhe Golemi kanë apartamente dhe restorante për të gjitha shtresat, nga më të pasurit e deri tek ata që pagat e tyre nuk e kalojnë shifrën e 25 deri 30 mijë lekëve në muaj. Një pushues vendas apo i huaj (Kosova e Maqedonia) për 15 ditë pushime, mund të paguajë rreth 35 deri 40 mijë lekë të reja, të ndara në akomodimin në hotel, si dhe në ushqimin që do të konsumojë. Ekzistenca e një numri të madh hotelesh, apartamentesh, restorantesh dhe baresh, ka bërë që çmimet të jenë të konkurrueshme. Secili nga sipërmarrësit e plazhit përpiqet të bëjë për vete sa më shumë pushues, duke u ofruar atyre çmime të ulëta dhe cilësi të lartë shërbimi. Por edhe frika se pas çmimit të ulët mund të qëndrojë po një cilësi e ulët shërbimi dhe kushtesh nuk ekziston, pasi ju mjafton të zgjidhni mirë në ofertat e shumta.
Golemi plot me pushues
Plazhi i zonës bregdetare të Golemit përfshin rreth 8.5 km vijë bregdetare dhe është tashmë i mbipopulluar nga hotelet, blloqet e pallateve të sapondërtuara, restorantet dhe baret. Ai mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët ditorë të kryeqytetit, si dhe pak prej atyre që mund të vijnë nga qytet e afërta si Elbasani, Durrës, Kavaja, Kruja, Rrogozhina etj. Shumë prej hoteleve atje ofrojnë një shërbim cilësor, për shkak se prej disa vjetësh, stafet që drejtojnë këto biznese kanë krijuar përvojë. “Sipërmarrësit privatë kanë organizuar më mirë plazhet këtë sezon, për të cilat paguajnë një qera përdorimi kundrejt komunës së Golemit”, - shprehet për “standard” kryetari i komunës, Agron Agalliu. Turistët pushojnë në plazhet që ndodhen para hoteleve apo restoranteve ku vendosin për të qëndruar, qoftë edhe një ditë të vetme. Ajo që mbetet karakteristike për këtë zonë, është fakti se sipërmarrësit janë më pak tolerantë sa u përket çmimeve, për shkak se tashmë e kanë siguruar një klientelë të përhershme. Agalliu tha: “Në Golem çmimet e hoteleve dhe të apartamenteve nisin nga 20 euro për çdo natë, por, përgjithësisht, turistët që prenotojnë mund të paguajnë edhe 30 apo 40 euro, në varësi të hapësirës dhe komoditeteve, kurse servirja e peshkut mbetet sërish një pikë strategjike e sipërmarrësve të restoranteve, të cilët duke njohur kërkesat e pushuesve, nuk ngurrojnë të vendosin në menytë e tyre edhe 4 mijë lekë të reja për një kilogram peshk të tipit levrek”. Pronarët e aktiviteteve i mbajnë të hapura hotelet apo restorantet e tyre edhe gjatë dimrit, ku sërish mbeten një destinacion i preferuar nga pushuesit e fundjavave.
Durrësi i mbipopulluar
Plazhi i Durrësit edhe këtë sezon mbetet më pak i kushtueshëm, ku përmendim plazhin e Currilave apo të gjitha hapësirat nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, që ofrojnë çmime më tërheqëse për pushuesit me më pak të ardhura. Aty mund të konsumosh një peshk edhe me 400 lekë të reja, por njëkohësisht mund të akomodohesh në hotelet e zonës edhe me 2000 lekë të reja. Frekuentuar kryesisht nga familje që shpenzimet i bëjnë të kujdesshme, biznesmenët e zonës tregojnë se treg tashmë të sigurt kanë vizitat e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë dhe shumë pak atë të pushuesve të huaj apo të qyteteve të vendit. Gjithsesi, ajo që shfaqet dukshëm në 5 km bregdet, është një riorganizim i kushteve të pastërtisë së plazheve, bërë e mundur nga Bashkia e Durrësit. Pas nuk mbetet as edhe rritja cilësore e shërbimit të këtyre bizneseve. Arben Canka, menaxher i njërit prej restoranteve në Durrës, tha për “standard”: “Ajo që prej disa kohësh e ka dëmtuar më shumë plazhin, ka qenë propaganda e qëllimshme duke i etiketuar atij papastërtitë dhe mungesën e kushteve të duhura që një turist kërkon. Unë në restorantin e mbaj gjatë gjithë vitit të hapur dhe kemi klientë nga të gjitha qytetet e vendit. Rekordin e mban Tirana, por nuk mungojnë edhe anglezët, gjermanët dhe amerikanët”. “Por ajo që është shqetësuese, është ulja e vlerës së kësaj zone dhe ngritja e vlerave të zonave të Jugut, që sigurisht edhe ato kanë vlerat e tyre, e cila duket sikur bëhet me dashakeqësi nga njerëz të caktuar. Durrësi mbart vlera të caktuara, ndryshe nga qytete të tjera bregdetare, si rëra, mungesa e thellësisë së madhe në det, që shpeshherë mbetet e rrezikshme për pushuesit familjarë, restorante dhe hotele cilësore dhe me çmime ekonomike”, - tha Canka.
Ku janë vendet e luksit
Durrësi mbetet një destinacion tërheqës për turistët dhe pushuesit familjarë, gjë që Bashkia e Durrësit po e përforcon me spotet publicitare që do të nxjerrë për qytetin në disa televizione shqiptare, në Kosovë e Maqedoni. I përshtatshëm kryesisht për njerëz me nivel më të lartë ekonomik, si dhe për pushuesit e huaj, Durrësi është totalisht i kompletuar. Hotelet janë përshtatur për familjarë dhe kryesisht për ata me nivel më të lartë ekonomik, për shkak të më shumë komoditeteve dhe çmimeve më të larta. Sipas zonjës Suzana Kosta, specialiste në degën e Turizmit në Bashkinë e Durrësit, “hotelet në bregdetin durrsak mbeten bashkëkohorë, në gjithë vijën bregdetare, duke nisur nga sektori Teuta, Apolonia, Hekurudha, Iliria, Plepa, Shkëmbi i Kavajës e Golem dhe pavarësisht se çmimet për një natë akomodim fillojnë nga 50 deri 100 euro për person, pronarët e tyre punojnë me paketa turistike, të cilat në vetvete përmbajnë edhe leverdinë për klientët”. Sipas zonjës Kosta “në hotelet dhe vilat e pushimit nuk mungojnë as organizimet e veçanta, si koncerte me muzikë live apo festa të ndryshme. Kështu ka ndodhur edhe në sezonin e vitit 2009, ku mbi 60 për qind e klientelës ka qenë e huaj, si nga Zvicra, Gjermania, Austria, SHBA”. Plazhet e Durrësit dhe Golemit janë tepër të pastra, plazhet private mirëmbahen nga privatët, ndërkohë që ato publike pastrohen nga punonjësit e ndërmarrjeve komunale. Uji i pijshëm dhe rregullimi i kanalizimeve të ujërave të zeza ka qenë në vëmendje të dikastereve këtë vit. Pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Durrës dhe Golem janë munduar që të organizohen më shumë sa u përket festave, këngëtarëve apo surprizave për turistët. Pas nuk mbetet edhe rritja e cilësisë së shërbimit, që vite më parë është diskutuar, pasi stafet duket se po kompletohen nga dita në ditë. Hotelet dhe vilat turistike kanë tashmë menaxherë të kualifikuar dhe në pjesën dërrmuese të hoteleve, restoranteve dhe bareve, dinë me saktësi të drejtojnë, duke u krijuar kushte dhe ambiente të këndshme pushuesve dhe vizitorëve.
Artur Ajazi
|