|
Berni
|
 |
« më: 25-05-2007, 09:53:31 » |
|
Ismail Qemali kur vajti në Londër për t’u takuar me Kryeministrin e Anglisë, e shoqëronte Isa Buletini.
Isa Buletini në brez kishte vënë dy kobure.
Mirëpo, kështu të armatosur nuk e linin të hynte në kryeministri dhe bënë fjalë me të. Ismail Qemali i bëri me shenjë të dorëzonte armët.
Këtë punë e mori vesh edhe kryeministri dhe, në bisedim e sipër, si me të qeshur i tha Isa Buletinit:
- Sido që të jetë e çarmatosëm edhe shqiptarin.
- Shqiptarët s’ka burrë t’i çarmatosë - u përgjigj Isa Buletini dhe nxori koburen tjetër që kishte fshehur.
.........
Flamuri është i shqiptarëve
Kur Isa Boletini po kalonte nëpër Myzeqe, në krye të trimave të tij kosovarë, për të ardhur në Vlorë më 28 nëntor 1912, një lajmëtar i doli përpara dhe i tha:
- Baca Isa, Ismail Qemali po ju pret. Ai e ngriti flamurin e Shqipërisë në Vlorë.
Dhe Isai, mendueshëm, iu përgjigj:
- Jo vetëm të Shqipërisë, more bir, por flamurin e të gjithë shqiptarëve kudo e nën këdo që të ndodhen. Ai është flamuri i të gjithë atyre që flasin shqip e kanë në dej gjak shqiptari. Dhe këtë do ta ruajnë e do ta mbajnë gjithmonë kudo që të ndodhen.
..............
“Të pret me muzikë e të vret me thikë”
I dërguari i Stambollit i shkoi në shtëpi Isa Boletinit dhe e pyeti se, përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin, kur ai erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1911.
- Nuk mund të vija, se ju më kërkuat të dorëzoja armët!
- Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit?
- Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete. Sulltanët të kanë pritur gjithmonë me muzikë e të kanë vrarë pas shpine me thikë.
.............
Nuk u bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve.
Një ditë të bukur korriku të vitit 1908, kur dy djemtë e Isa Boletinit po ktheheshin në Shqipëri nga Stambolli, xhonturqit ia mbajtën peng, sepse Isai nuk kishte pranuar të shkruhej anëtar i xhemijetit. Ata e kërcënuan Isanë duke i dërguar lajmin: ose të zbriste në Mitrovicë e të shkruhej anëtar i xhemijetit, ose nuk do t’i shihte kurrë djemtë e tij.
Dhe Isa Boletini u dha këtë përgjigje:
- A, kaq për zemërpakët më mbani sa t’u bie në gjunjë për kryet e dy djemve të mi? Jo, unë nuk bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve të mi…
...............
Sidoqoftë detyra e tij është e një shërbëtori
Një ditë Isa Boletini u nis tek bashqatipi i Sulltanit për të protestuar kundër ndjekjeve politike që i bëheshin popullit kosovar. Portieri, Halil-aga, të cilit edhe ministrat ia kishin frikën dhe i bënin komplimente, kur Isai deshi të hynte brenda i tha në mënyrë kategorike:
- Është e ndaluar!
Kur Isai u nis drejt derës Halil-aga e kapi për krahu. Atëherë Isai e kapi nga mesi dhe e rrokullisi tatëpjetë shkallëve. Natyrisht u dëgjua shamata dhe dolën të gjithë nga zyrat, me bashqatipin në krye dhe panë Halil-agën në fund të shkallëve.
Isai, si pa të keq, hyri në zyrën e bashqatipit.
- E këshilloni shërbëtorin që t’i dallojë njerëzit, - i tha.
- Nuk është shërbëtor, por njeri me gradë të lartë që kryen detyrën e portierit.
- Sidoqoftë detyra e tij është e një shërbëtori - ia preu Isai.
.......
Nuk i dorëzoj mysafirët e shtëpisë sime
Nga fundi i vitit 1903, dy rekrutë të krahinës së Mitrovicës patën ikur nga Shani i Bagdatit në Stamboll. Me të zbritur në një lagje të Stambollit, ata pyetën dhe gjetën shtëpinë e Isait, e cila gjendej nën vëzhgimin e policisë së Sulltanit. Kështu policia e mori vesh ku ishin strehuar dy rekrutët që kishin braktisur shërbimin ushtarak. Ajo kërkoi dorëzimin e tyre.
- Më kanë ra në shtëpi dhe janë të lodhur. Janë të njohurit e mi dhe, kur të çlodhen, do të merremi vesh - u tha ai policëve.
Pas një jave shkoi vetë komandanti i policisë Hasan Pasha. Ai i kërkoi Isait dy rekrutët për t’u gjykuar nga Ministria e Luftës.
- Ju duhet t’i kishit zënë kur rekrutët u nisën nga Shani në Stamboll, tani është turp për ju që i kërkoni dhe turp për mua që t’i dorëzoj. Për ngjarjen u njoftua Sulltan Hamiti. Ai me një letër urdhëroi të dorëzoheshin të dy rekrutët. Isai iu përgjigj:
- Djelmoshat janë bij të bjeshkës së Kosovës, që nuk e durojnë dot vapën arabike dhe, më parë të më vijë vdekja mua se sa të dorëzoj mysafirët e shtëpisë sime.
|