Forumi SportivFutbolli ShqiptarSuperliga e ShqiperiseTirana “24 karatëshe”, titulli vishet bardheblu
Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Tirana “24 karatëshe”, titulli vishet bardheblu  (E lexuar 223 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
ProudToBeAlbanian
engjelli shqipetare
Anetar


Karma: 0
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 805



Shiko profilin
« më: 26-05-2009, 22:36:42 »

Tirana është fituesja e titullit kampion për kampionatin e 70 kombëtar të futbollit. Bardheblutë i kanë shtuar palmaresit të tyre trofenë e 24-t të këtij lloji, pasi kanë mundur në ndeshjen e fundit Vllazninë, që u shndërrua edhe në finale, nisur nga renditja e të dyja skuadrave të kreut. Në një stadium të mbushur me tifozë, të të dyja skuadrave, me një koreografi për t’u patur zili, Tirana e ka nisur me këmbën e mbarë këtë ndeshje. Madje, as mund ta kishte cuar ndër mend një nisje të tillë. Me gol, që në minutën e parë. Ka qenë kapiteni Devi Muka, që pas një topi të artë të marrë nga Muzaka, përmes një parable, ka prekur rrjetën e portierit shkodran Grima. Goditje e rëndë për kuqeblutë, të cilët e shikojnë veten që në minutën e parë në disavantazh. Që këtu titulli kampion e merr rrugën drejt klubit bardheblu. Tirana është më e vendosur për ta bërë të vetin këtë titull, luan me shpirt të lartë gare, fiton dyluftimet në mesfushë, duke qenë në mënyrë persistente pranë golit. Nga ana e saj, Vllaznia duket e drobitur, ndoshta edhe nga pësimi kaq shpejt i golit. Sinani është i shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës, mundohet të zgjidhë gjithcka vetë, por bie në darën e mbrojtjes bardheblu. Po kështu, edhe Sukaj, i prirur në mënyrë krejt të tepruar në individualizëm, nuk është në gjendje ta shqetësojë portën e Nallbanit. Minutat kalojnë me raste të pastra për shënim nga bardheblutë, por në tri-katër raste është portieri Grima, që eviton gola të sigurtë. Duhej të vinte minuta e 30-të e ndeshjes, që Vllaznia të gjunjëzohej për herë të dytë. Një pasim i artë i Agollit për Memellin gjen të papërgatitur mbrojtjen kuqeblu. Goleadori më i mirë i këtij kampionati shënon golin e dytë, duke e ngritur në delir tifozërinë bardheblu. Që këtu duket se titulli është i Tiranës, pasi Vllaznia nuk ka fuqi të reagojë. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e pastër 2-0 të Tiranës. 45 minutat e dyta kanë të njëjtën melodi. Fjalën e ka Tirana, e cila, edhe pse duket më e tërhequr, kundërsulmon rrezikshëm, duke krijuar raste të tjera për shënim. Nga ana e tyre, shkodranët janë të paqartë, konfuzë dhe nuk janë në gjendje të depërtojnë mbrojtjen bardheblu. Madje thyhen që në mesfushë sulmet e kuqebluve, ku Devolli dhe Sefa janë të pakalueshëm. Minutat kalojnë dhe vjen goli i nderit për shkodranët, shënuar nga Sukaj, i pandehur në pozicion jashtë loje nga bardheblutë. Vllaznia sikur merr zemër, por nuk ka kohë shumë për të bërë dicka. Gjyqtari sllovak, mjaft i kontestuar nga Vllaznia, pas 3 minutave shtesë, vërshëllen për mbarimin e ndeshjes. Fiton Tirana 2-1. Stadiumi shpërthen në festë. Tifozët bardheblu janë në qiellin e shtatë. Fishekzjarre dhe këngë tironse shoqërojnë ngritjen e trofeut nga kapioteni Muka. Është titulli i 24-t kampion, i merituar nga bardheblutë, që nën drejtimin e Refik Halilit, janë mbretër të kampionatit që u mbyll.

 

Skeda e ndeshjes

Tirana  - Vllaznia 2-1

Tirana: Nallbani, Agolli, Devolli, Muzaka, A.Lila, Sefa ( S.Lilaj 91′), Memelli (D.Xhafaj 42′), Abraham, Muka (Patushi 61′), Dabulla, Pezo. Trajner: A.Tafaj

Vllaznia: Grima, Smajli (Dhëmbi 46′), Shtubina, Sukaj, Sinani, Nallbani, Belisha (Osja 65′), E.Beqiri, Bashiç, Lici, Boadu. Trajner. D.Haxhiosmanoviç.

Gjyqtarë: Vladimir Hirnak, Radomir Sluk, Vlatislav Laskovski (Sllovaki)

Shënues: Muka 3′, Memelli 30′\ Sukaj 88′.

Kartonë të verdhë: Agolli, Devolli, A.Lila, Muka / Grima, Sinani, Belisha, Lici, Dhëmbi

 

“Radiografia”

3′- Muzaka gjuan bukur dhe fort me të majtën e tij drejt portës, topi shkon te Grima, që largon rrezikun. Memelli i vëmendshëm në zonë, gjuan dhe 1-0 për Tiranën.

8′- Sërish Muzaka jep një top për Memellin, ky i fundit i vetëm përballë portës shkodrane gjuan, por është Grima që kësaj radhe i thotë “jo” një goli të sigurt për Tiranën.

11′-
Agolli, nga e majta e sulmit bardheblu, gjuan bukur, por vetëm shtyllë.

12′- Devolli i kishte të gjitha mundësitë që me kokë të shënonte golin e dytë, ka tentuar gjirokastriti i bardhebluve, por ka larguar Grima i vëmendshëm.

27′- Sinani tenton nga një distancë e largët, por jashtë kuadratit të portës së Nallbanit.

30′- Një gabim i mbrojtjes së Vllaznisë, me në krye Bashiçin e pavëmendshëm, aty përfiton Memelli i pambuluar, gjuan dhe shënon golin e dytë. 2-0 për Tiranën.

54′- D.Xhafaj afër zonës së rreptësisë “shënjestron” me të majtën e tij të hidhur, por vetëm rrjetë e jashtme.

56′-
Janë sërish bardheblutë, kësaj radhe me Agollin, që kroson bukur për Xhafajn, por ky i fundit, edhe pse i vetëm me portën, nuk shënon.

70′- Boadu me mjaft intuitë godet bukur drejt portës së mbrojtur nga Nallbani dhe reagon i vëmendshëm “Tata”, duke treguar se jo më kot qëndron akoma në portën e bardhebluve.

72′-
Provon Shtubina nga një distancë e largët, por Nallbani kësaj radhe ka pritur në 2 kohë.

76′- Sërish shkodranët me anë të Sukajt, që ka gjuajtur bukur dhe mjeshtërisht nga një goditje dënimi, por mbi traun e portës së kryeqytetasve.

88′- Sukaj është lënë i lirë të në zonën e Tiranës. Është quajtur në një pozicion të parregullt nga lojtarët bardheblu dhe i vetëm përballë portës gjuan dhe ngushton diferencën në 2-1.

Komenti

Bardheblutë më në fund, pas dy sezonesh janë rikthyer sërish te fitimi i titullit kampion, trofeu kryesor që kjo skuadër kishte në start të këtij sezoni futbollistik. Në fund të ndeshjes stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, që ishte “pushtuar” nga fansat e Tiranës dhe mbarë kryeqytetit, kanë shpërthyer në festë. Jo vetëm kaq, por edhe pak më shumë, deri në lot gëzimi, që nga kryedonatori ose “arkitekti” i kësaj skuadre, Refik Halili, e deri te të gjithë lojtarët që kanë mbajtur veshur fanellën bardheblu këtë sezon. Me të vërtetë legjitime, pasi Tirana tashmë ka fituar titullin e 24-t kampion, trofe që pritej nga skuadra që në javët e fundit u drejtua nga drejtori teknik, Alban Tafaj. E nisën sezonin me një trajner kroat, si Bllazhe Slishkoviç, pas tij erdhi një ikonë e klubit bardhblu si Agustin Kola, dhe në fund e bitis një njeri i familjes bardheblu, Tafaj, që rezultoi “ilaçi” i duhur që t’ia dilnin me sukses. Një skuadër e ndërtuar për trofe, me shumë kualitete në përbërje nga më të mirët e kampionatit shqiptar që në fund nuk ka zhgënjyer. Dje, 24 herë kampionët e Shqipërisë, kanë treguar se pavarësisht se kanë ecur “rrotë më rrotë” me Vllazninë janë shumë herë më lart se shkodranët. Madje ua kanë marrë dorën ndjekësve të tyre, pasi afro një muaj më parë i kanë mundur në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me rezultatin 1-0, me atë gol “magjik” të Sefës. Kuqeblutë janë detyruar, edhe pse me të keq, që të pranojnë humbjen që “djeg” shumë, pasi dje u luajt një sezon i tërë, për të dy ekipet. Tirana tregoi se jo më kot kryesonte, jo ngaqë i ka mundur ata, por edhe nga mënyra e të luajturit, diferencën në fushë, por edhe spektakli që kanë dhuruar edhe për të pranishmit e shumtë. Kishte shumë vite që nuk e kishim parë “Qemal Stafën” ashtu plot e përplot, me një atmosferë inkandeshente. Dikush që e shihte për herë të parë një ndeshje të tillë i dukej sikur luante kombëtarja jonë, por nuk ishte kështu në të vërtetë. Luanin dy nga “bigët” e futbollit shqiptar, Tirana dhe Vllaznia, në “finalen” për titullin kampion të kampionatit të kategorisë superiore. E duke iu rikthyer rrjedhës së lojës, Tirana që në vërshëllimën e parë tregoi se ishte futur në fushën e lojës për ta fituar ndeshjen. Bardheblutë e nisën lojën me një sulmues, ku në majë qëndronte Memelli, që mbështetej nga kapiteni dhe lideri, Devi Muka. Ndërkohë, shkodranët në këtë ndeshje synonin vetëm një rezultat, fitoren, pasi si një pikë ashtu dhe tri pikët do t’i çonin drejt titullit kampion. Ndaj “Deda”, pavarësisht mërive gjatë javës së kaluar, ka aktivizuar që në fillim të sfidës Sukajn përkrah Sinanit. Në dy minutat e para janë parë të rrijnë aktivë, Muzaka, Agolli nga krahët, por edhe Muka e Memelli në sulm. Por minuta e tretë do të ishte vërtet fatale për kuqeblutë, që janë zënë gafil dhe nuk e prisnin të ndëshkoheshin kaq shpejt. Një gabim i Grimës që pas gjuajtjes së Muzakës e vetëm sa e ka hequr nga vetja, duke e lënë topin të shkojë drejt Mukës. Dhe ky i fundit nuk fal, duke treguar se mbetet një lider në radhët e bardhebluve. Me kokë shënon dhe këtu nis festa, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe aty në tribunën përkarshi dhe atë qendrore. Por nuk “ngopen” me kaq të besuarit e Alban Tafajt, kërkojnë të shënojnë sërish. Rastet janë disa madje flagrante me Memellin, Agollin, Devollin, por “toleranca” e tyre bëri që të mbetej në fuqi goli i Mukës. Vetëm në të 27-tën u kujtuan shkodranët me anë të sulmuesit të tyre të mirënjohur Sinani, por thjesht në një moment vetëm për statistikë. Kundërpërgjigjja e bardhebluve nuk vonon. Të ndihmuar edhe nga një gafë e mbrojtjes kuqeblu, përfiton aty Memelli që nuk fal dhe dyfishon rezultatin. Këtu duket se u mbyll gjithçka. Madje duket edhe njëfarë lëshimi në lojë në radhët e bardhbluve. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e “djemve” të Tafajt. Në pjesën e dytë Vllaznia fut në fushë Dhëmbin, por as korçari nuk ka bërë ndonjë ndryshim për mirë në lojën e kuqebluve. Minutat kalojnë si paekuptuar dhe në fushë ka vend edhe për tension, por kryesori sllovak asnjëherë nuk përtonte të nxirrte të verdhën. Dhe nuk kanë qenë pak, por nëntë kartonë të tillë për lojtarët e të dyja skuadrave. Vetëm dy minuta para se të përfundonte koha e rregullt do të kujtohej Sukaj, i lënë tërësisht zbuluar në zonë dhe i kujtuar në pozicion jashtë loje, “Xhevahiri” i kuqebluve ka ngushtuar diferencën. Vetëm kaq, pasi koha e rregullt dhe minutat shtesë janë luajtur sa për statistikë, pasi çdo gjë përfundoi me fitoren e merituar të Tiranës. Kampionët e rinj, sapo dëgjojnë vërshëllimën përfundimtare të sllovakut Hirnak, përqafohen me njëri-tjetrin dhe fillojnë të festojnë. Të gjithë bashkë, ashtu me staf e presidentë shkojnë aty, te tribuna përkarshi dhe festojnë edhe me lojtarin e 12-të, tifozerinë bardheblu që i ka mbështetur shumë gjatë këtij edicioni. Më pas, Kupa dhe fishekzjarret apo edhe këngët tradicionale të kryeqytetit i dhanë një tjetër pamje impiantit të “Qemal Stafës. Tirana sapo ka nisur të festojë, sepse që dje është kampionia në fuqi e Shqipërisë.

Flasin protagonistët bardheblu

Vërshëllima e fundit e sllovakut Hrinak i ka dhënë fund ankthit dhe stresit në kampin bardheblu. Tapeti i “Qemal Stafës” është pushtuar nga futbollistët, stafi dhe tifozët bardheblu, që me të drejtë kanë festuar titullin e 24-t të Tiranës në gjithë historinë e futbollit shqiptar. Në këto çaste lumturia ka vend edhe për lotë, që s’mund të jenë veçse gëzimi. Janë lotë të kryedonatorit të Tiranës, Refik Halili, i cili ka bërë dhe duruar shumë që kjo Tiranë të shpallej kampione. Lotët nuk i ka përmbajtur edhe kapiteni Devi Muka, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes, madje i akuzuar për ecurinë negative në disa momente të Tiranës. Gjithçka është hedhur pas krahëve, madje falënderimet shkojnë edhe për ata që janë larguar dhe që nuk u mohohet kontributi që kanë dhënë për këtë titull. Në kulmin e festimeve është zhvilluar edhe ceremonia e dhënies së kupës së titullit nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kapiteni Muka e ka marrë i pari kupën në dorë dhe e ka ngritur lart vetëm pasi i është bashkuar Refik Halili. Ceremonia zyrtare e shpalljes së Tiranës kampione u ka lënë vend festimeve të mëtejshme, që kanë zgjatur gjatë gjithë natës.

Gjergji Muzaka: Kjo Tiranë s’njeh kundërshtarë


Është një titull që po na shijon shumë, sepse e kemi fituar duke mundur rivalen në ndeshjen e fundit të kampionatit. Kjo e bën edhe më të bukur këtë titull. Sakrifica dhe punë që kemi bërë gjithë vitin na u shpërblye me këtë trofe, që është më i rëndësishmi i sezonit. Pavarësisht se nuk kemi arritur ta fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë, fitimi i titullit i mbylli të gjitha thashethemet për Tiranën, që na kanë shoqëruar për muaj të tërë. Për momentin treguam që jemi më të mirët dhe, nëse do të ruhet grupi, s’do të ketë kundërshtarë për Tiranën edhe sezonin që vjen.”

Blendi Nallbani: Titulli më i vështirë

Ka qenë titulli më i vështirë që kam fituar në karrierën time. Ka qenë një sezon me shumë fjalë, që na kanë vënë në siklet. Pas finales së Kupës, që e humbëm ndaj Flamurtarit, kemi kaluar shumë stres. Nuk dua të bëj avokatin e futbollistëve të tjerë, por dua të them se futbollistët e Tiranës kurrë nuk janë mësuar me shitje-blerje ndeshjes, kështu që ishte e merituar fitimi i titullit nga ana jonë. Tirana është Tiranë dhe di vetëm të fitojë ndershmërisht, siç bëri edhe sot. I falënderoj nga zemra të gjithë tifozët e Tiranës, pasi kanë qenë mbështetje e madhe për ne. Këtë titull ua dedikoj prindërve të mi, sepse e them sinqerisht që kanë vuajtur më shumë se unë gjatë gjithë kampionatit.”

Lila: Erdha për titullin, e fitova!

“Nuk jam aspak i çuditur, përveçse i gëzuar me këtë titull kampion. Gjithmonë jamë shprehur në media që Tirana ka skuadrën më të fortë të kampionatit dhe se do të shpallej kampion. I falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për këtë skuadër, duke e nisur në radhë të parë nga presidenti Halili, që ka qenë korrekt për gjithçka me ne futbollistët. Pata emocione në fillim të ndeshjes, por me kalimin e minutave e kuptova që kjo Tiranë nuk mund të ndalej nga Vllaznia. Gjej rastin t’i uroj të gjithë ata trajnerë që kanë punuar me Tiranën, duke e nisur me Slishkoviçin, Indrit Fortuzin, Agustin Kolën, Astrit Nallbanin e deri tek Alban Tafaj, të cilët kanë dhënë kontribut për këtë titull. Te Tirana erdha për t’u shpallur kampion dhe ia dola mbanë. Falënderoj edhe një herë presidentin Halili që ma dha këtë mundësi.”

Devolli: Më ka mbetur peng Kupa


“Tirana e ka merituar titullin që në formimin e saj, sepse ka afruar futbollistët më të mirë të kampionatit. Pavarësisht oshilacioneve që kemi pasur, titulli është plotësisht i merituar. Merita kryesore i takon në radhë të parë presidentit Halili, projektuesi i këtij ekipi kampion. Tiranën e presin sfida të tjera në kupat e Europës, ku besoj se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, duke kaluar disa ture. Nga ky sezon më ka mbetur peng vetëm Kupa e Shqipërisë, sepse meritonim ta fitonim edhe këtë trofe, megjithatë le t’i gëzohemi fitimit të titullit.”

Xhafaj: Jam shumë i lumtur për këtë titull

“Jam shumë i lumtur për këtë titull kampion, është një ndjesi e papërshkrueshme. Mendoj se gjithë mundi dhe djersa jonë gjatë të gjithë kampionatit është shpërblyer sot me këtë fitim të trofeut. Tirana do të vazhdojë gjithmonë në këto hapa. Treguam se e merituam këtë titull dhe jo më kot jemi në këtë pozitë. Falenderoj tifozerinë bardheblu për mbështetjen e sotme.”

Sefa: Kampionati, për tifozerinë bardheblu

“Është dita e më e lumtur e jetës sime dhe jam shumë krenar për këtë trofe. Treguam se e meritojmë këtë titull. Falenderoj trajnerin që më dha besimin për të treguar vlerat e mia, pasi kam pasur pak probleme në aktivizimin tim gjatë kampionatit. Këtë titull ua dedikoj tifozevë të Tiranës, që janë të mrekullueshëm.”

Patushi: U riktheva me trofe te Tirana

“Kjo është Tirana, jemi mësuar me trofe. Personalisht jam kënaqur që u riktheva me titull këtu. Ky është Patushi, i cili ka fituar disa tituj me këtë fanell. Tifozeria bardheblu ishte e mrekullueshme sot në stadium dhe na përkrahu në çdo moment. Kemi treguar se jemi superiorë ndaj çdo kundërshtari dhe këtë e treguam edhe në përballjen direkte.”

Dabulla: Treguam se e meritojmë kampionatin

“E merituam këtë kampionat, sepse këtë gjë e treguam edhe sot (dje). Kemi pasur shumë momente të vështira gjatë kësaj kohe, por në fund gjithçka shkoi në vendin e vetë dhe ne fituam titullin kampion. Unë gjithmonë kam qenë njësoj dhe nuk ndryshoj dot, si në kohën që jam aktivizuar në skuadra të tjera edhe këtu tek Tirana kam dhënë maksimumin tim. Ata që më njohin e dinë mirë këtë. Kam dhënë dhe kam ende për të  dhënë për këtë skuadër. Vllaznia është një skuadër e mirë, por ne e merituam këtë trofe. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe i falenderoj.”

Agolli: Kampionati është primar

“Ishte një nga kampionatet më të mira dhe gjej rastin edhe një herë të falenderoj të gjitha çunat e skuadrës si edhe njerëzit e klubit tonë, stafin teknik dhe tifozët. Jam i lumtur që qëndrova këtu për të festuar këtë titull, ma kërkonte zemra të qëndroj tek Tirana. E mira ishte të fitonim dhe Kupën dhe kampionatin, por dihet që titulli kampion është primar. Falenderoj tifozët dhe shpresoj që vitin tjetër të jemi sërish bashkë.”

Osmani: Hera e parë që shpallem kampion

“Jam shumë i lumtur, pasi është hera e parë që shpallem kampion. Se kisha provuar më parë këtë sensacion. Vitin e shkuar iu afrova me skuadrën e Partizanit, por sot (dje) më në fund e vara edhe unë një medalje ne qafë. Normalisht që jam pak i mërzitur për aktivizimin e paktë gjatë kohëve të fundit, por besoj se nuk është momenti për diçka të tillë, tani dua vetëm të festoj dhe s’kam asgjë tjetër ndër mend.”

Fortuzi: Pas dy vitesh, kjo dita jonë


Sot nuk është momenti për të ndarë meritat, por për t’u gëzuar së bashku me të gjithë tifozët e Tiranës. Pas dy viteve, më në fund erdhi edhe dita jonë. Ishte një garë e fortë mes dy skuadrave, por Tirana u tregua më e pjekur dhe më e fortë fizikisht në këtë ndeshje të fundit.”

Mauro Bençivenga: Një Tiranë e madhe

Është një natë shumë e bukur për Tiranën, që me plot meritë ka fituar titullin kampion. Futbollistët janë treguar të mëdhenj, duke demonstruar pjekuri dhe ekuilibër në këtë sfidë të fundit të kampionatit. Të them të drejtën, nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi Tirana ka kaluar shumë stres gjatë kësaj periudhe. Nuk duhet të mendojmë për atë që s’kemi mundur ta fitojmë (Kupën e Shqipërisë). Tirana ka shfaqur karakter të fortë dhe e ka merituar këtë titull kampion.”

Presidenti Topi: Goli i parë më ngriti si me katapultë

Në tribunën VIP të “Qemal Stafës” Tiranës i ka munguar tifozi numër 1, Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Mungesa e tij ka pasur një arsye: respekti ndaj tifozerive respektive. Protagonistët bardheblu, me në krye z. Refik Halili, i kanë rezervuar një suprizë të këndshme, duke e dërguar trofeun në shtëpinë e z.Topi. Gjithçka ka ndodhur pas festës në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”.  Stacioni i radhës për bardheblutë ka qenë shtëpia e Presidentit të Republikës, aty ku kanë qenë të gjithë si staf së bashku edhe me trofeun në duar. Presidenti Bamir Topi njihet si një tifoz i thekur i bardhebluve, pasi në çdo ndeshje nuk mungon së ndjekuri skuadrën e Tiranës. “Tiranën sot e krahasoj me “Zonjën e Vjetër” të Italisë, pra Juventusin. Këtë sfidë e kam ndjekur nga shtëpia ime, së bashku edhe me dy miq të mi. Jam gëzuar pa masë kur u shënua goli i parë, që më ngriti si me katapultë nga karrigia ku isha ulur dhe ky emocion mos gaboj ndodhi që në minutën e parë. Gjithçka ishte suprizë për mua dhe për këtë ju garantoj. Nuk bëj hipokrizi, por e deklaroj që jam tifoz i Tiranës, pasi kam ndjekur këtë skuadër që në fëmijëri. Meritat kryesore në këto momente i shkojnë z. Halili, pasi të jemi realistë pa një mbështetje financiare futbolli s’mund të shkoi përpara,” - u shpreh Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.                     

Kapiteni Mukaj: Tirana është shtëpia ime!

Tirana ka fituar ditën e djeshme titullin e 24-t në historinë e saj dhe bardheblutë tashmë ndodhen në “qiellin e shtatë”. Merita sigurisht i takon të gjithë grupit, por një pjesë të saj shkon edhe për kapitenit Devis Mukaj, i cili ditën e djeshme ka ngritur në qiell kampionatin e 70-të kombëtar. Ditën e djeshme nr. 10 i bardhebluve ka shënuar një gol shumë të bukur që në fillimin e takimit, duke u dhënë avantazhin momental bardhebluve. Në përfundim të ndeshjes “labi” i Tiranës ka komentuar ecurinë pozitive të Tiranës, por ka falenderuar në krahun tjetër dhe 2 trajner, të cilët në distancë e kanë polemizuar pas largimit të tyre. Sipas Mukës, si Blaze Slishkoviç dhe Agustin Kola kanë meritën e tyre në shpalljen kampion të bardhebluve për ndihmesën që kanë dhënë në të kaluarën. “Jemi kampionë dhe sot duhet të gëzojmë. Kemi fituar një kampionat nga më të vështirët, pasi edhe në planin personal kam pasur shumë dëmtime gjatë gjithë vitit. Mendoj që e kemi merituar këtë titull për atë çka kemi treguar deri në fund të tij. Ia kisha premtuar këtë titull tifozerisë bardheblu dhe e mbajta premtimin. Megjithatë, dua të falenderoj edhe njerëzit që nuk janë këtu, si Agustin Kola dhe Blaze Slishkoviç, sepse edhe ata kanë dhënë një ndihmesë mjaft të madhe në ecurinë tonë. Tifozeria bardheblu duhet të kuptojë që Tirana është shtëpia ime,”- ka deklaruar në diktofonin e “Sportit shqiptar” kapiteni i Tiranës, Devis Mukaj.

Alban Tafaj: E premtova titullin me fitore

Alban Tafaj, deri “dje” në rrolin e drejtorit teknik te bardheblutë, mbrëmë ka meritën e tij në fitoren e titullit, pasi ka administruar në mënyrën e duhur grupin bardheblu pas dorëheqjes së teknikut Agustin Kola. “Në radhë të parë, ky titull i takon presidentit Halili, i cili i ka qëndruar afër skuadrës me të gjitha mundësitë që ka pasur që në fillim të sezonit. Kjo skuadër ka qenë e projektuar për titull, kështu që kam besuar që në fillim të sezonit për këtë sukses, pavarësisht luhatjeve gjatë rrugës. Kontribut të madh për këtë titull kanë të dy trajnerët e mëparshëm të Tiranës, Slishkoviç dhe Kola. Ishte momenti që Tirana duhej të shpallej kampione dhe kështu ndodhi. Unë jam pjesë e kësaj familjeje dhe kam dhënë kontributin tim në fillim si drejtor teknik, duke qenë pjesë e të gjitha marrëveshjeve me futbollistët dhe tani në fund si trajner. Për të ardhmen nuk mund të flas, sepse do të ketë një riorganizim të skuadrës. Unë trajner? S’e besoj, por në Shqipëri ndodh gjithçka. Një gjë është e sigurt: Tirana është familja ime dhe si e tillë do të jap kontributin tim, pavarësisht detyrës që do të kem në të ardhmen. E premtova titullin me fitore dhe jo me barazim dhe kështu e arritëm edhe sot (dje).”

Armand Duka: Fitoi futbolli!

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka pasur kënaqësinë t’u japë bardheblive trofeun e titullit, që mbyll një tjetër sezon të vështirë futbollistik. Duka ka kërkuar mbështetjen e të gjithë faktorëve për ta përmirësuar garën e kampionatit sezonin e ardhshëm. “Ishte fundi i një gare që ka pasur problemet e veta, por në fund fitoi futbolli. Jemi dëshmitarë të mbushjes së stadiumit jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ku gara ka qenë e hapur. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë garë: futbollistë, presidentë dhe lojtarë, por sigurisht edhe tifozët, dhe i ftoj të japin kontributin e tyre në futboll edhe në të ardhmen. Fakti që tifozët po i mbështesin skuadrat e tyre na ngroh shumë. Më vjen keq për tifozët e Vllaznisë, të cilët ikën të mërzitur nga kjo ndeshje, por futbolli i tillë është, vetën njëri do të fitojë. Skuadra e Vllaznisë ka dhënë një kontribut të madh në këtë sezon, pasi është renditur e dyta dhe ka shkuar deri në gjysmëfinale të Kupës, duke e bërë shumë të bukur sezonin,” - ka përfunduar kreu u FSHF-së.

Halili: Sot i harrojmë të gjitha polemikat


Kryedonatori i Tiranës, Refik Halili, ka qenë shumë i entuziazmuar me kurorëzimin e Tiranës kampione e Shqipërisë. Mundi dhe sakrifica e tij është shpërblyer me titullin e 24-rt, pas një stresi të jashtëzakonshëm gjatë gjthë sezonit. “Falënderoj në radhë të parë tifozët e Tiranës, që sonte kanë qenë të mrekullueshëm. Por jo vetëm sonte. Ata e kanë përkrahur gjatë gjithë sezonit skuadrën e Tiranës. U kurorëzuam me këtë titull, duke derdhur shumë djersë, dhe ta themi sinqerisht nuk ka qenë aspak e lehtë. Ky titull është arritur me shumë mund që nga java e parë e deri në fund, ku ka pasur edhe polemika. Megjithatë, sot duhet t’i hedhim të gjitha pas krahëve dhe të mendojmë vetëm për të festuar. Falënderoj të gjithë lojtarët e Tiranës te të cilët kam besuar dhe do të besoj gjithmonë. Gjithashtu falënderoj edhe mediat për pasqyrimin korrekt të kampionatit,” - është shprehur Halili

Memelli: “Këpucën e Artë” ia dedikoj Tiranës


“Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Tirana do të shpallej patjetër kampione, sepse ka kryesuar me meritë që në fillim të sezonit. Tirana ka arritur gjithçka vetën me punë dhe meritë, pa u përfshirë me gjëra të tjera. “Armiku” mundet vetëm me punë dhe ne këtë e arritëm. Tirana dhe Vllaznia ishin dy kundërshtarë të fortë, por në fund u pa vlera e secilës skuadër. Edhe “Këpuca e Artë” është një trofe që besoj e kam merituar. Edhe këtë sukses personal ia dedikoj familjes së madhe të Tiranës.”

“Panteoni” i 24 herë kampionëve të Tiranës

1930: R.Gurashi, Shehri, Gjinali, Kashari, Kajano, Ndroqi, B.Jolldashi, M.Gurashi, Miha, Sabati, Stërmasi, Karapici, Dashi, Kosova, Kusi, Begolli, Maçi, Hajnali.

1931: R.Gurashi, Samimi, Shehri, Kajano, B.Jolldashi, Çoku, Dashi, Karapici, Sabati, Gjinali, Agolli, M.Gurashi, Kosova, Kusi, H.Begeja, Stërmasi, Hajnali, Miha.

1932: Shehri, B.Jolldashi, R.Jolldashi, Kajano, Agolli, Karapici, Kusi, Maluçi, Hajnali, H.Begeja, Stërmasi, Dashi, Jegeni, H.Korça, Sabati.

1934: R.Gurashi, F.Janku, Çoku, Jakova, Keçi, Maluçi, Stërmasi, Lushta, Karapici, Petrela, Korça, Stamati, Korça, M.Gurashi. Trajner: S.Singer

1936: R.Gurashi, Zebishti, Hobdari, F.Janku, Hima, Çoku, Jakova, Kusi, Stainati, Karapici, Alla, Lushta, Mirdita, Hajnali, S.Gjinali, M.Gurashi, Petrela. Trajner: S.Stërmasi.

1937: R.Gurashi, Zebishti, F.Janku, S.Llambi, S.Kuka, Plluska, Karapici, Jakova, Mirdita, Balla, Lushta, Hajnali, Petrela, M.Gurashi, Kashariqi, Lisi, M.Alla. Trajner: S.Stërmasi

1965: Elini, B.Tafaj, Frashëri, Halili, O.Mema, A.Mema, Bathorja, N.Bylyku, Xhaçka, Gjoka, Bukoviku, Kazanxhi, S.Hyka, Ishka, G.Kasmi, Bytyçi, Saraçi, Konomi, Vërria. Trajner: M.Alla

1966: B.Tafaj, Frashëri, Dhales, G.Kasmi, A.Mema, O.Mema, Xhaçka, Bukoviku, Kazanxhi, S.Hyka, Ishka, Bytyçi, Hatibi, Gjoka, Elini. Trajner: M.Alla

1968: Habibi, B.Tafaj, Frashëri, Dhales, O.Mema, A.Mema, Bytyçi, Xhaçka, Bukoviku, Kazanxhi, Hyka, Ishka, Konomi, Çela, Nurishmi, Elini, G.Kasmi. Trajner: M.Alla

1970: B.Tafaj, Konomi, Frashëri, Dhales, G.Kasmi, Nurishmi, A.Mema, O.Mema, Bytyçi, Xhaçka, Hyka, Çela, Bukoviku, Kazanxhi, Ishka. Trajner: M.Alla

1982: Sharra, Gj.Dinella, Muça, Armadhi, I.Metani, Vila, Sengla, Vladi, Bimo, Omuri, Demneri, Naçi, Baçi, Kola, Liti, S.Mema, Josa. Trajner: E.Shehu

1985: Mersini, Baçi, Hodja, A.Lekbello, Bimo, Liti, Josa, Omuri, Ramadani, Muça, Minga, Kola, Stoja, S.Mema, Rroga, A.Bylyku. Trajner: E.Shehu.

1988: Mersini, Kepi, Hodja, A.Lekbello, Alimehmeti, Josa, Bardhi, Omuri, Stoja, Riza, Kola, Ramadani, Minga, B.Sharra, Sako, Ruci, Fortuzi, Daja, A.Papadhopulli.Traj ner: Sh.Rreli

1989: Sharra, Mersini, Sako, Hodja, A.Lekbello, Liti, Stoja, Bardhi, Josa, Riza, Omuri, Minga, Kola, Ramadani, Alimehmeti, Sh.Lekbello, Daja, Ruci. Trajner: Sh.Rreli

1995: B.Nallbani, Kasmi, Merkoçi, Malko, E.Hyka, Minga, Tole, Zela, Prenga, Sula, A.Mema, Kola, Dede, Baholli, Fortuzi, Miloti, Kukli. Trajner: Sh.Muça

1996: B.Nallbani, Kasmi, Ruhi, Malko, Gallo, Minga, Alimehmeti, A.Mema, Kukli, Miloti, Riza, Bulku, Merkoçi, Dede, Sula, E.Hyka. Trajner: S.Mema
 
1997: B.Nallbani, Hushi, Gallo, Alimehmeti, Drita, Sina, Bulku, Ohri, A.Tafaj, Çoçlli, Merkoçi, Kola, Fortuzi, Karaj, Stavre, Kasmi. Trajner: E.Shehu

1999: B.Nallbani, Sina, Dabulla, Malko, Alimehmeti, A.Mema, A.Tafaj, Muka, Zeqo, Merkoçi, K.Duro, Prenga, S.Bulku, Gallo, Çoçlli, Dede. Trajner: S.Mema

2000: B.Nallbani, Sina, Dabulla, Dede, A.Tafaj, Alimehmeti, S.Bulku, A.Mema, Memishi, Rizvanolli, Keneshei, Vito, Sutor, Driza, Lazar, Ymeri, E.Bulku, Wukovicz. Trajner: Sh.Muça

2003: Egbo, Hidi, Dabulla, Dede, Sina, Hajdari, Lici, Patushi, A.Tafaj, Jupi, E.Bulku, Muka, F.Xhafa, Halili, Fortuzi, S.Bulku, Prenga, Merkoçi, R.Vata, Venhof, A.Agolli, Veraj, Vladi, Beqolli. Trajner: F.Frashëri

2004: Egbo, Hidi, Sina, Dabulla, Dede, Hajdari, Lici, A.Tafaj, Pinari, Patushi, E.Bulku, Muka, Fortuzi, F.Xhafa, S.Bulku, Prenga, Agolli, Halili, Merkoçi, A.Muça, Manastirliu. Trajner: M.Josa

2005: Hidi, Nallbani, G.Çipi, Dabulla, A.Tafaj, A.Beqiri, Behari, Hajdari, A.Duro, E.Bulku, Patushi, Sina, A.Agolli, P.Sene, E.Bakalli, Muka, Rraklli, Fortuzi, Merkoçi, F.Xhafa, S.Bulku, E.Fakaj, Pema, G.Tafaj, A.Muça, E.Fagu. Trajner:S.Starova

2007: Hidi, Nallbani, Allmuça, Dede, Pisha, A.Abraham, K.Duro, E.Bulku, Muka, Salihi, Sinani, D.Penja, Patushi, A.Fish, Pema, E.Bakalli, Sefa, Merkoçi, Hajdari, Çapja, O.Abazaj, E.Turdiu, F.Arapi, A.Duro, G.Sharra, V.Hysa, M.Metani, Muhametaj, H.Tafaj. Trajnerë: Sh.Muça.

2009: B.Nallbani, P.Korunovski, A.Abraham, L.Kçira, R.Dabulla, T.Osmani, A.Lila, J.Sefa, M.Memelli, D.Muka, A.Agolli, E.Sorra, M.Metani, B.Devolli, D.Xhafaj, S.Lilaj, E.Deliallisi, E.Pashaj, B.Hajdari, T.Pezo, G.Tusha, H.Ferra, K.Kuka, E.Tafaj, Gj.Muzaka. Trajner: A.Tafaj
 
Zbresin Elbasani dhe Lushnja, Partizani e Bylisi në “play-out”

Java e 33-të ka zyrtarizuar vec të tjerash edhe dy skuadrat që zbresin direct një kategori më poshtë edicionin tjetër. Bëhet fjalë për Elbasanin dhe Lushnjën, të cilat, pavarësisht se fituan në javën e fundit, respektivisht ndaj Teutës dhe Partizanit, nuk mundën dot të mbijetonin. Lushnjarët rikthehen shumë shpejt andej nga kishin ardhur një vit më parë, në kategorinë e parë, ndërkohë që verdheblutë prekin fundin, vetëm dy edicione pasi ishin shpallur kampionë të vendit. Po kështu, java e 33-të ka përcaktuar edhe dy skuadrat e tjera, që do ta provojnë më tej fatin për të mbijetuar, në ndeshjet direkte, shtesë, të “play-out”-it, me dy skuadrat e renditura në vendin e tretë dhe të katërt të kategorisë së parë. Konkretisht, Partizani do të ndeshet me Kastriotin, ndërsa Bylsi me Gramozin. Këto dy ballafaqime do të përcaktojnë edhe dy skuadrat e tjera, që do të mbijetojnë në superligë edicionin e ardhshëm.

Verdiktet europiane të edicionit futbollistik që u mbyll

Tashmë janë zbardhur të gjitha verdiktet e kampionatit të 70-të kombëtar, bashkë me pjesën tjetër të edicionit që u mbyll. Eshtë mësuar skuadra kampione, që është Tirana, nënkampionia, që është Vllaznia, Dinamo, që është e treta, por edhe dy nga skuadrat që zbresin një kategori më poshtë (Elbasani dhe Lushnja). Ndërkohë, sikurse dihet, Kupën e Shqipërisë e ka fituar Flamurtari i Vlorës. Në këto kushte, janë zbardhur edhe verdiktet europiane të këtij edicioni futbollistik. Tirana, fituesja e titullit, do të luajë në Ligën e Kampioneve, duke e nisur në turet paraeliminatore të këtij aktiviteti. Në trofeun tjetër europian, të emëruar ndryshe këtë herë, Liga e Europës, Shqipëria do të paraqitet me tri skuadra: fituesen e Kupës së Shqipërisë, Flamurtarin, Vllazninë e vendit të dytë dhe Dinamon e vendi të tretë.

 
E identifikuar

 *Image Removed*
Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Romë: Ndahet nga jeta Naim Kryeziu

Anketa
  • Votoni per skuadren tuaj te preferuar
  • Dot Gjermania
  • 15 (21%)
  • -
  • Dot Brazili
  • 23 (32%)
  • -
  • Dot Italia
  • 16 (22%)
  • -
  • Dot Franca
  • 5 (7%)
  • -
  • Dot Anglia
  • 5 (7%)
  • -
  • Dot Argjentina
  • 3 (4%)
  • -
  • Dot Spanja
  • 3 (4%)
  • -
  • Dot Tjeter
  • 0 (0%)
  • -
  • Numri total i votave: 69
  • Shiko temen

* Sponsor