Kriza e rezultateve dhe vendi i fundit në tabelën e klasifikimit, sollën “fshesën” te Partizani. Viktima janë bërë tre brazilianët e afruar me shumë bujë gjatë verës: Bruno, Roma dhe Kastelani.
Aventura e amerikano-jugorëve në Kategorinë Superiore zgjati diçka më shumë se dy muaj, pasi tashmë ata janë konsideruar të panevojshëm nga trajneri Shpëtim Duro.
Prezantimi i tyre më 28 gusht mbeti “bombastik” vetëm në letër, pasi lojtarët zhgënjyen plotësisht me paraqitjet në fushën e lojës.
Largimi me damkën e “të padëshiruarve” erdhi pas humbjes 2-0 në shtëpi me Shkumbinin, ku skuadra u paraqit apatike, mbi të gjitha në repartin sulmues. Kjo ishte edhe pika që derdhi gotën: në analizën që ka bërë me drejtuesit e klubit të kuq, ish-ndihmësi i Oto Bariç në Kombëtare, vendosi të ndryshonte strategji.
“Këta futbollistë nuk bëjnë pjesë në planet e mia”, shpjegoi trajneri Duro, rreth largimit të brazilianëve. “Kjo është arsyeja përse ia kam bërë të qartë presidentit (Albert Xhani), duke i argumentuar se ata mund të jenë lojtarë shumë të mirë, por nuk janë ajo që unë kërkoj në skuadër”.
Brazilianët
Historia e Partizanit me lojtarët nga vendi i “sambas” është e gjatë... dhe asnjëherë e lumtur. Dashuria lindi dhjetë vjet më parë, kur në vitin 1998 afroheshin 4 lojtarët e parë brazilianë.
Në total, me fanellën e kuqe janë përfaqësuar rreth 15 futbollistë nga ky vend, mes të cilëve Abilio, Xheraldinjo, Kardek, Brashini, Xhunior, e Kokinjo. Si “prurje” të tjera të mëdha në strehën e kuqe, mbahen mend ato të edicioneve 1999-2000 dhe 2003-2004.
Por, edhe në këtë sezon, situata nuk ndryshoi: Paolo Marsel Periera Merabet (Roma), Bruno Barbosa da Enkarnsao (Bruno) dhe Kastelani nuk kishin asgjë më shumë se lojtarët shqiptarë.
Me përjashtim të portofolit të tejmbushur. Ata u afruan si lojtarët që do ta mbanin skuadrën mes ekipeve kryesuese, pas largimit në masë të titullarëve (ku nga skuadra nënkampione mbeten vetëm Bakaj, Shehi, Hallaçi, Babamusta, Pinari e Gjyla). Të paktën njëri prej tyre, më saktësisht 29-vjeçari Roma kishte një “CV” të admirueshme.
Mes skuadrave ku kishte luajtur ishin edhe Flamengo në Brazil, Lokeren në Belgjikë dhe Belenenses në Portugali. Megjithatë, kur mungojnë edhe dy ndeshje nga mbyllja e fazës së parë të kampionatit, ndeshja e vetme për të cilën brazilianët u vlerësuan ishte derbi i humbur 2-1 me Tiranën në javën e tretë.
Sulmi
Në fundjavën që lamë pas, Partizani regjistroi humbjen e dytë radhazi, ndërkohë që nuk e shijon fitoren prej tetë javësh (java e parë e kampionatit, 1-0 në fushën e Lushnjës).
Largimi i brazilianëve sjell ndryshime të dukshme në repartin ofensiv, ku për të dërguar topin në rrjetë duhet të mendojnë organizatori Elis Bakaj edhe sulmuesi Marjus Ngjela.
Ky i fundit ishte autor i 12 golave në sezonin e kaluar, por Hasan Lika e dërgonte gjithmonë për ta parë ndeshjen nga tribuna. Ndryshimet u paralajmëruan që prej së shtunës, kur Ngjela u aktivizua nga stoli, si zëvendësues i brazilianit Roma.
http://www.top-channel.tv/new/artikull.php?id=134155