“Koloradoja” shqiptare e SkraparitUdhëtim në 80 metra thellësi të dy kanioneve të Osumit. Historitë, legjendat e shpellat
Disa turistë austriakë, njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë kohët e fundit kanionet e Osumit, i kanë përcaktuar ata më të bukurit dhe më të veçantët në Evropë. Disa të tjerë të huaj kanë guxuar t’i quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe e papërsëritshme e natyrës”. Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanionet e Osumit janë me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës.
Si shfaqet mrekulliaSkrapari, për çudi dhe fat, ka dy kanione që janë fare pranë qytetit, lehtësisht për t’u vizituar e për të përftuar prej tyre kënaqësi e mbresa të pashlyeshme, kanioni i Gradecit dhe ai i luginës së Osumit. Lumenjtë lozonjarë që rrjedhin poshtë tyre, si dega që vjen nga Ostrovica dhe Osumi, që vjen nga Kolonja, duket sikur mburren me krijesën e tyre plot forma të skalitura me finesë të strukturave gëlqerore antiklinale. Kur udhëton në brendësi të këtyre kanioneve 70-80 metra të thellë, mahnitesh nga bukuria e tyre. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, ca si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej.
Por këto afeksione nuk janë e vetmja mrekulli e këtyre kanioneve, në disa sektorë të tyre shfaqen ujëvara të mëdha që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kështu na kanë thënë shumë vizitorë, që janë rikthyer disa herë për të vizituar këto monumente të mrekullueshme të natyrës.
Kanionet e Osumit kanë larmi formash dhe fenomenesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë, pika të bukura verore (plazhe në formë xhepi) të mbuluar nga hijet e rrapeve shumëvjeçarë, të cilët frekuentohen çdo vit nga banorët e Çorovodës dhe fshatrave përreth. Ndër këto vende pikante, është ai i burimit të Varishtit, fare pranë qytetit, një pikë e mrekullueshme dhe me perspektivë turistike, që gjallërohet gjatë gjithë verës nga plazhistët vendas.
Histori dhe legjendaPor kanionet kanë edhe vende me histori, mite e legjenda të lashta, si Mulliri i Babait, nën fshatin Zabërzan, Vrima e Nuses, pranë Pigazit, uji i ftohtë dhe hija e freskët e rrapeve te Stolat, ku bashkohet Osumi me përroin e Malindit, Vahu i Grepckës etj. Por ai që tërheq më shumë, është vendi i shenjtë i Gjurmës së Kalit të Abas Aliut, nën fshatin Dhores, i lidhur me legjendën e lashtë të ardhjes së shenjtorit nga Qerbelaja në malin e Tomorrit. Këtu është ngritur edhe një objekt i vogël kulti ku falen, luten e therin kurbanë besimtarët bektashinj.
Vende-vende, shpatet e thikta ngushtohen shumë. Banorët vendas qysh herët i kanë shfrytëzuar këto ngushtica, duke ndërtuar ura për të lidhur dy pjesët e krahinës. Urat fillojnë që në Çorovodë me një pasarelë të bukur, nga e cila mund të soditësh Varishtin piktoresk; ura e Sharovës, ndërtuar që në Mesjetë, ndoshta më herët, që në Iliri, tani e restauruar edhe për mjete të rënda; ura e Blesënckës, nga ku kontrollon me sy pjesën më të madhe të kanioneve, por edhe ujëvarat e Pigazit, Dhoresit dhe të Prishtës; ura këmbësore e Zabërzanit, te Mulliri i Babait, ndërtuar në një ngushticë prej 3 metrash, por me pamje mahnitëse të vijës së mullirit hapur në shkëmb, si një pasarelë mode, rrugës këmbësore me zik-zaket gjarpëruese që të ngjit në Zabërzan dhe një kishe bizantine heremite në krye të shkëmbit. Më tej, atje dhe ku fillojnë kanionet, ura tjetër e Lapanit, edhe kjo e bukur, por më shumë funksionale që lidh zonat e Çepanit, Malindit, Dangëllisë, Dëshnicës dhe Përmetit.
Atje poshtë, si në përrallaSoditja e bukurive të rralla bëhet në sofatet buzë shkëmbinjve, edhe ata të veçantë e të bukur, që shtrihen në të gjithë gjatësinë prej 13 km të kanioneve. Por pamja më tërheqëse përftohet atje poshtë, 70-80 m thellë, ku ka ngjire, ku ka shkëmbinj të veçuar nga faktorët atmosferikë, që u ngjajnë katedraleve gotike, ku ka një florë të veçantë me bimë e shkurre të stërzgjatura, që ngjiten lart për të kërkuar diell apo hardhi të egra që harlisin teposhtë shpenguar lastarët, ku ka fole pëllumbash, koshere bletësh në zgavrime, që në mot të mbarë pikojnë mjaltë. Forma të çuditshme, disi të frikshme, poshtë në shtratin e lumit, ka krijuar rrjedhja e ujit në gjashtë ngushticat, të cilat nga njëri shpat në tjetrin nuk i kalojnë 2-3 metra gjerësi. Në këto ngushtica, por edhe në ato pak hapësira që janë poshtë, oshtima e lumit krijon tinguj të çuditshëm sirenash antike. Por jo të gjithë e kanë fatin e përjetimit dhe perceptimit të këtyre mrekullive, pasi udhëtimi poshtë është shumë i vështirë. Këtë kënaqësi e kanë provuar vetëm njerëz të guximshëm, aventurierë, apasionantë, si dhe këto 4-5 vjetët e fundit, turistë të huaj, italianë, francezë dhe të rinj shqiptarë, që e kanë kthyer në rit të përvitshëm vozitjen me kanoe dhe kajak, të vetmet mjete eksplorimi të të gjithë gjatësisë së lumit, madje që nga Dervishija e Miçanit.
Kanionet e Gradecit, një tjetër çudi më vetePo kaq madhështorë, por disi më enigmatikë e të kreshpëruar paraqiten kanionet e Gradecit, që përshkohen nga lumi që vjen nga Ostrovica e Qafa e Beçit. Këta kanione janë 3 km të gjatë dhe fillojnë te ura e Osojës me një portal të ngushtë 3-4 m, tërë dredha, që dëshmon se lumi, ndoshta në periudha miliona vjeçare, e ka patur shumë të mundimshme për ta çarë, por edhe për të skalitur e latuar një kompleks skulpturor fantastik.
Muret vertikalë të këtyre kanioneve kanë lartësi më të madhe se ata të Osumit, që shkojnë deri në 100-200 m të lartë. Mbi këto lartësi, në buzë të shkëmbit janë ngritur shtëpitë e fshatrave Osojë, Gradec, Vëseshtë dhe Pirogosh, që i japin jetë tablosë, e cila të del përpara si një pikturë akuareli. Në krahasim me kanionet e Osumit, kanionet e Gradecit, për shkak të lartësisë së madhe të shpateve të thikta dhe shtratit të lumit mbushur me shkëmbinj të mëdhenj, pragje vertikalë dhe katarakte, janë të vështirë për t’u përshkuar, por jo të pamundur. Vendet, ku, siç thonë, as dreqi nuk ka guxuar të afrohet, janë idealë për ngjitje alpinistike me vështirësi maksimale.
Kanionet marrin kthesë për nga perëndimi me një grykë të ngushtë 2-3 m, pikërisht atje ku dhe ndodhet një tjetër mrekulli e natyrës, për të cilën do të flasim më poshtë, shpella e Pirogoshit. Ata përfundojnë te ura mesjetare e Kasabashit, ku nuk mund të mos bësh një foto me kompozim harkun e urës legjendare dhe sfond të çarën më të madhe të kanioneve midis Gradecit dhe Vëseshtës.
Shpella e PirogoshitShpella e Pirogoshit, jo më larg se 3 km nga qyteti i Çorovodës, është një nga monumentet më interesantë të natyrës në rrethin e Skraparit, që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas dhe të huaj. Ndodhet në krahun e djathtë të kanioneve të Gradecit, në një tarracë natyrore si tip ballkoni, pikërisht atje ku është edhe lartësia më e madhe e shpateve të kanioneve. Që këtej shpaloset një pamje madhështore e ujëvarës së përroit të Radëshit, lugina e lumit me një bimësi të dendur, Bestrevica dhe Vila e Gradecit me arat sa një sofër në mes të shkëmbinjve, ndërsa në perëndim, kalaja e Skraparit me formën e saj karakteristike konike si të një vullkani të fikur.
Eksplorimi dhe rilevimi më i plotë i shpellës së Pirogoshit, 1252 metra të gjatë, është bërë në vitin 1985 nga një grupet e speleologëve italianë të “Pulia Grotte” dhe “Dauno” dhe mësuesi i pasionuar i gjeografisë, Suat Braçellari. Më pas, në vitin 1989, një grup speleologësh të Romës eksploruan degëzimin e majtë të saj. Eksplorime kanë bërë edhe speleologë francezë dhe holandezë.
Shpella është 30 m e gjerë dhe 5 m lartë, por veprimet kapricioze të natyrës kanë krijuar forma nga më të çuditshme brenda këtij labirinti nëntokësor, ku ka salla të mëdha dhe galeri të ngushta, ku ka puse e sifone me ujë. Tavanet dhe muret anësorë të shpellës kanë një bukuri mahnitëse të stalaktiteve e stalakmiteve, të kolonave, të perlave të shkëlqyeshme të shpellave të krijuara nga kripërat. Këto forma të çuditshme bien më shumë në sy në sallat e mëdha, si në atë të Konkrecioneve, të Korridorit etj. Shpella mbyllet me një sifon dhe pus 35 metra të thellë. Fatkeqësisht në vitet ’90 njerëz të papërgjegjshëm kanë prishur një pjesë të hyrjes së shpellës. Dhe në qoftë se do të lihet kështu, rrezikon të dëmtohet më tej. Si çdo monument kulture, ky objekt jo vetëm kërkon mbrojtje, por edhe një promocion më të madh për vlerat që mbart, si turistike ashtu dhe shkencore.
Interes dhe vlerësimPërveç vendasve, janë të pakët njerëzit që janë ndeshur me surprizat e këndshme që të ofrojnë pamjet madhështore të kësaj perle të natyrës. Kjo për shkak të publicitetit të pakët dhe të infrastrukturës. Megjithatë përditë e më shumë po shtohet interesi për ta kthyer këtë vend në zonë turistike të një turizmi të bardhë. Në ndihmë të këtyre përpjekjeve është botimi këto kohët e fundit i punimit “Monumente të Natyrës të Skraparit”, një libër me vlera njohëse, shkencore dhe turistike, por pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.
Gjithë gjatësia e kanioneve nga Çorovoda në Hambull, prej 13 km, përshkohet nga rruga automobilistike, e cila, edhe pse e pa asfaltuar, nuk është e keqe, dhe mund të bëhet me makina të vogla për një gjysmë ore, më këmbë 3 orë, me kanoe ose kajak 2 orë. Gjatë rrugës nuk ke ku të hash e të pish, por ky nuk është ndonjë problem i madh, ai zgjidhet kur të kthehesh në Çorovodë, që s’është shumë larg, ku gjen hotele e lokale të pastër, të freskët, me një gatim tradicional të mishit të pjekur në hell, të shoqëruara me bulmetra erëmirë dhe, domosdo, rakia e famshme dhe e pasharë.
Kush shkon në Skrapar tani, nuk e pyesin më “a pive raki”, se dihet…, por “a i pe kanionet”. Tjetër gjë, veç rakisë, që vendasit tani po ia njohin dhe zbulojnë më shumë vlerat.
Zylyftar HOXHA Tiranaobserver