Donik
Anetar
Karma: 0
offline
Postime: 152
|
 |
« Përgjigju #1 më: 17-06-2006, 06:46:01 » |
|
SHQIPËRIA NUK DUHET TË NXITOJË NË NJOHJEN E PAVARËSISË SË MALIT TË ZI 17.06.2006 - 00:17
Prof.Dr.Mehdi HYSENI
Përgatiti:Sabri SELMANI Kiel-Gjermani
* EDHE SA SHEKUJ DUHET TË KALOJNË E TË RINGJALLET NGA HIRI KOLONIAL SERBOSLLAV SHQIPËRIA ETNIKE, E JO "SHQIPËRIA E MADHE" E TRILLUAR NGA SERBOMËDHENJTË E SERBISË SË MADHE PUSHTUESE GJENOCIDALE?
* (Ndoshta), tërë bota ka interes që ta njohë Malin e Zi, por jo edhe Shqipëria, sepse një pjesë e territorit etnik të saj ende ndodhet nën gërmadhat shekullore të zgjedhës koloniale të Malit të Zi (1878-2006).
* Njohja e pavarësisë së Malit të Zi nga ana e Shqipërisë nuk do të duhej të vinte në shprehje ngase një akt i tillë i papeshuar juridikisht dhe politikisht, do të ishte në kolizion flagrant me interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror shqiptar. Do të ishte vetëzhvlerësim dhe vetëmohim i së drejtës historike, juridike, gjeopolitike, kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë Etnike si titullar i natyrshëm dhe i ligjshëm mbi shqiptarët dhe mbi territorin e saj indigjen në Gadishullin Ballkanik.
Kushtimisht, mund të pranohet vlerësimi politik se shkëptuja e Malit të Zi nga Serbia shënon "vdekjen e Jugosllavisë së Versajës (1918-1990)". Gjithashtu, mund të pajtohemi me faktin se ndarja e Malit të Zi nga Serbia, është një argument i pakundërshtueshëm se askush nuk do dhe, nuk ka kurrfarë interesi që të koekzistojë në një bashkësi me Serbinë gjenocidale. Për një anomali të këtillë me recidiva antisemitiste, serbomëdhenjtë, duhet ta peysin vetëvetën pse askush nuk do të jetojë nën një "çati" me ta, e jo t'i fajësojnë pa asnjë argument fqinjtë e tyre (në veçanti shqiptarët, kroatët, hungarzët, myslimanët boshnjakë) në sy të Evropës dhe të botës, për shkak se nuk pajtohen me politikën pushtuese hegjemoniste dhe kolonialiste gjenocidale të Serbisë së Madhe.Me një fjalë, "foshnja" e Versajës (Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene=Jugosllavia) tanimë është shthurur përfundimisht, por kjo asesi nuk nënkupton edhe shuarjen e unitetit dhe fundin e sundimit kolonial serbo-malazez mbi territorin dhe mbi popullatën indigjene të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1878-2006). Këtë rrezik permanent, duhet ta mbajnë parasysh si strategët e fuqive të mëdha botërore, ashtu edhe shtetet e dëmtuara josllave në Ballkan ( në veçanti Shqipëria dhe Kroacia).
Përderisa Mali i Zi dhe Serbia të mos shkundullohen përfundimisht nga hipoteka e sundimit të tyre kolonialist dhe hegjemonist gjeoncidal shekullor ( shekujt: XIX, XX , XXI) mbi tokat shqiptare, kroate, hungareze, bullgare etj., asnjëri prej këtyre popujve fqinj të Serbisë dhe të Malit të Zi nuk kanë as më të voglën arsye racionale pse t'i gëzohen ose në rastin më të skajshëm pse t'i brohorisin dhe t'i duartrokasin në formën korale fitores së pavarësisë së Malit të Zi e as të Serbisë, sepse pavarësisht nga "shkurorëzimi" i tyre pas bashkëjetesës pothuaj se 100-vjeçare në një shtet të përbashkët, kjo nuk nënkupton se këto dy shtete sllave, do të heqin dorë vullnetarisht dhe në mënyrë paqësore nga territoret e kolonizuara dhe të aneksuara (me ndihmën e fuqive të mëdha evropiane) nga shtetet fqinje (Shqipëria, Kroacia, Hungaria, Bullgaria etj.).
Ia vlen të nënvizojmë se prognozat krahasuese politike pozitive kinëse pavarësimi i Malit të Zi, do të jetë në interes të pavarësimit të Kosovës (në kuptimin e ngushtë), përkatësisht të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan (në kuptimin e gjerë), janë plotësisht të gabueshme dhe të papranueshme nga shumë aspekte (historike, gjeopolitike, juridike, demokratike etj.), kur është fjala për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të shqiptarëve në Ballkan.
Dihet se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kurrfarë kapaciteti juridik ndërkombëtar që të ndikojnë në anulimin e pavarësisë së Malit të Zi, po qe se ky do të njihet si subjekt juridik ndërkombëtar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, në kuptimin e së drejtës së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare, duhet ta kontestojnë pavarësinë e Malit të Zi, duke mos e njohur as qeverinë e as shtetin e Malit të Zi, sepse një akt i këtillë ndërkombëtar bie ndesh me të drejtën historike të shqiptarëve mbi territoret e tyre indigjene brenda kufijve natyrorë të Shqipërisë Etnike. Kuptohet, (politikisht) një kundërshtim i këtillë nuk do të jetë "i mirëseardhur", as i çmuar pozitivisht nga faktorët evro-ndërkombëtarë, të cilët do ta mbështetnin statusin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Malit të Zi. Mirëpo, politika dhe diplomacia e sotme shqiptare (Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Podogoricë) nuk kanë alternativë tjetër politike, pavarësisht nga fakti se duan të kenë marrëdhënie të mira dhe paqësore me fqnijtë e tyre malazezë. Fundja, njohja e një qeverie ose e një shteti të ri nga një shtet tjetër (sipas normave dhe rregullave të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare) nuk është akt i detyrueshëm juridiko-ndërkombëtar. Pra, si njohja, ashtu edhe mosnjohja janë akte të shprehjes së vullnetit të lirë, që i përkasin të së drejtës së diskrecionit të çdo shteti. Prandaj, në rast se Mali i Zi nuk do të njihej nga qeveria shqiptare, del krejtësisht e qartë se Shqipëria nuk mund të "merret në pyetje" sipas së drejtës ndërkombëtare ngase mospërfillja e aktit të njohjes së pavarësisë së Malit të Zi nuk përbën asnjë element të përgjegjësisë, as të cenimit të së drejtës ndërkombëtare.
Pra, de jure, qeveria shqiptare nuk ka pse të frikësohet apo të ngurrojë në mosnjohjen e pavarësisë së Malit të Zi. Gjithashtu, qeveria e Shqipërisë së sotme ( e pavarur vetëm 50% të teritorit dhe të popullsisë së saj)) e ka për detyrë morale, politike, ligjore dhe kombëtare, që të përfillë me konsekuencë të drejtën historike të territorit dhe të shtetasve të saj, që edhe sot de facto dhe de jure figurojnë si pronë koloniale e Malit të Zi (Kraja, Ulqini, Tivari, Hoti, Gruda, Plava, Tuzi etj.). Kjo është arsyeja parësore pse Republika e Shqipërisë, si dhe "filialat" e saj politike rajonale shqiptare (Prishtina, Shkupi, Podgorica etj.) nuk parapëlqehet, që të mbështesin Malin e Zi si shtet sovran dhe të pavarur, pavarësisht nga ushtrimi i diktatit dhe i trysnisë nga faktorët dhe nga institucionet relevante të bashkësisë ndërkombëtare.
Pavarësisht nga pazarllëqet e koniunkturave politiko-diplomatike rajonale dhe evro-ndërkombëtare se shkëptuja e Malit të Zi nga Serbia, "nesër"(ndoshta) do të shërbejë si paradigmë pozitive edhe për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, të statusit të shqiptarëve në Serbi (Preshevë, Bujanoc e Medevegjë) dhe të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, Shqipëria dhe qendrat e tjera politike shqiptare në Ballkan, nuk duhet ta votojnë, as ta njohin pavarësinë e Malit të Zi, sepse kjo do të ishte fatale dhe tragjike për identitetin e tyre etnik dhe territorial ngase me pëlqimin e tyre eventual (mos e dhashtë Zoti), do ta nihmonin rikonfirmimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Malit të Zi në kurriz të territorit dhe të popullit shqiptar të Shqipërisë Etnike. Për të mos ndodhur një tragjedi e këtillë gjithëkombëtare shqiptare, as presidenti, as qeveria e as parlamenti i Shqipërisë nuk duhet të jenë pjesëmarrës të aktit të njohjes ndërkombëtare (qoftë në formë individuale, qoftë në formë kolektive) të Malit të Zi. Ndyrshe, po qe se veprojnë në të kundërtën, atëherë Malit të Zi, do t'i njihet e drejta legale mbi territorin kontestues shqiptar në përputhje me vendimet historiko-juridike jolegale antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1913). Në këtë mënyrë, (si në planin historik, ashtu edhe në juridiko-ndërkombëtar) do t'i vihej pikë e përgjithmonshme fatit të identitetit kombëtar dhe territorial shqiptar në Mal të Zi.
Së kendejmi, akti eventual i Shqipërisë në favor të pavarësisë së Malit të Zi, do të reflektohej negativisht edhe në interesin e shqiptarëve në Kosovë, sepse Serbia sikurse Mali i Zi do të insistojë me këmbëngulje në realizimin e ruajtjes së të drejtës së sovranitetit të saj kolonial mbi Kosovën, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, të cilat i ka aneksuar që nga viti 1912-1913.
Pavarësia e Malit të Zi, mund të jetë njohur nga qeveria e sotme e Shqipërisë, vetëm me kusht, kur Mali i Zi t'ua njohë autonominë e plotë politike dhe territoriale shqiptarëve në Mal të Zi sipas standardeve ligjore të integrimit dhe të rajonizimit të BE-së, si dhe pavarësinë e Kosovës. Një potez të këtillë mbi bazën e interesit të reciprocitetit, Shqipëria, duhet ta ketë luajturr edhe në ridefinimin e marrëdhënieve diplomatike me Serbinë (edhe pse kjo sipas Kartës kushtetuese të Unionit të SMZ-së, e konsideron veten si shtet sukcesor të ish-RSFJ-së, përkatësisht të Unionit të SMZ-së), përderisa ajo të mos e ketë njohur Kosovën si shtet të pavarur, si dhe njohjen e autonomisë politike të shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë në përputhje me standardet e vlefshme të decentralizimit dhe të rajonizimit të Evropës Juglindore.
S'ka dilemë se kontestimi dhe mosnjohja e subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar e këtyre dy shteteve kolonialiste sllave, vërtet, do të justifikonte në praktikë deklaratën zyrtare të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Mosiu, se "Shqipëria nuk është aktor, por faktor në rajon". Ndryshe, po qe se vjen në shprehje njohja e Malit të Zi, sikurse dikur njohja pa mbulesë e Republikës së FYROM-it-Maqedonisë ( pa zgjidhjen e asnjë problemi të shqiptarëve, përpos inetresit afatshkurtër të diplomacisë tregtare dhe ekonomike shqiptare me qeverinë sllavomaqedone, ku si pasojë e diplomacisë së këtillë miope, shqiptarët në Maqedoni, edhe sot kanë statusin e minoritetit, edhe pse pëqindja e tyre etnike është më e lartë sesa ajo maqedone, edhe pse historikisht nuk janë kurrfarë minoriteti migrues, por komb autokton në truallin e Shqipërisë Etnike) nga politika e jashtme dhe diplomacia invalide e Shqipërisë së Sali Berishës, dhe më pastaj e Rexhep Mejdanit dhe e Fatos Nanos, me rastin e njohjes së Serbisë (pa zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës), atëherë Shqipëria nuk do të jetë kurrfarë faktori me peshë poltiike influencuese në Ballkan, por vetëm një aktor statik dhe servil irelevant në cilësinë e aleatit vullnetar serbo-malazez, që do të ndikonte pozitivisht në rikonfirmimin e vendimeve të padrejta historike të "Koncertit" të Fuqive të Mëdha të Evropës (1878;1913;1919) në njohjen pavarësimit të shteteve serbo-malazeze dhe greke sllave në llogari të territorit dhe të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.
Shikuar interesin e përgjithshëm të politikës shqiptare dhe rajonale, rezultati pozitiv (55, 5%) i referendumit për pavarësimin e Malit të Zi, mund të quhet "fitore historike", por vetëm për popullin malazez (jo për shqiptarët-mh), ashtu siç është shprehur edhe vetë kryeministri aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq (inciator dhe mbështetës kryesor i organizimit të referendumit për shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia), sepse në mënyrë të ligjshme institucionale Malit të Zi i rikthehet e drejta e shtetësisë dhe e sovranitetit të dikurshëm dyzetvjeçar (1878-1918), por e kontestueshme dhe e papranueshme në aspektin e së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës historike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, sepse më se gjysma e territorit të sotëm e Malit të Zi është tjetërsuar me dhunë dhe me gjenocid nga trungu territorial, kombëtar dhe shtetëror i Shqipërisë Etnike, gjë që kjo është në kundrshtim flagrant edhe me normat e së drejtës së sotme pozitive ndërkombëtare.
Pra, në aspektin historik, politiko-juridik dhe diplomatik ndërkombëtar, pavarësimi i Malit të Zi, nuk do të thotë kurrfarë lehtësie as për artikulimin e kërkesave të ligjshme dhe të drejta të shqiptarëve në Mal të Zi, as për zgjidhjen e problemit kolonial shqiptar në Ballkan. Përkundrazi, njohja e aktit të pavarësisë së Malit të Zi do të jetë në interes të rikonfirmimit të trefishtë ndërkombëtar (1878; 1913 dhe 2006) të shtetësisë dhe të politikës koloniale pushtuese malazeze mbi territorin etnik shqiptar. Për më tepër, nëse Shqipëria dhe shqiptarët e njohin pavarësinë e Malit të Zi në çfarëdo forme qoftë (formale juridike), atëherë një akt i tillë amoral, antihistorik dhe antiligjor, do të justifikonte vendimet iracionale antishqiptare të Kongresitë të Berlinit (1878) dhe të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1913) në saje të së cilave edhe u copëtua dhe u kolonizua gjysma (50%) e Shqipërisë Etnike.
Gjithashtu, nëse vjen në shprehje njohja e Malit të Zi nga qeveria e Shqipërisë, një akt i tillë do të vinte në pikëpyetje edhe historinë e lavdishme të luftërave dhe të kryengritjeve të derisotme shqiptare për lirinë, pavarësinë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike (1878-2006). Po qe se do të ndodhte një gjë e tillë absurde dhe e turpshme, atëherë kjo do të ishte satisfaksion dhe rehabilitim jo vetëm i politikës pushtuese kolonialiste dhe gjenocidale, por edhe i shkencës së historiografisë falsifikatore të Serbisë së Madhe, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Greqisë në favor të tjetërsimit dhe të shpërfytyrimit të identitetit të gjenezës dhe të ekzistencës së shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Shikuar në afat të gjatë, ky do të jetë rrezik permanent edhe për pavarësinë e gjysmës së Shqipërisë së sotme (1912).
Thjesht, nëse Shqipëria do ta njohë pavarësinë e Malit të Zi si për shqiptarët autoktonë në atë republikë sllave, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë Etnike në Ballkan çdo gjë do të fillonte nga e para. Këtë rrezik eventual me pasoja të pakorrigjuara, që tani e tutje, duhet ta mbajnë parasysh si qeveria shqiptare e Tiranës, ashtu edhe qendrat e tjera politike shqiptare në Prishtinë, në Shkup, në Podgoricë, në Preshevë etj., duke iu shmangur me çdo kusht njohjes së pavarësisë së Malit të Zi ngaqë ajo nuk përligj asnjë segment relevant të interesit të përgjithshëm shqiptar, që do të ndikonte pozitivisht në normalizimin dhe në stabilitetin e marrëdhënieve të reja ndërfqinjësore serbo-malazeze â⬓ shqiptare në rajon dhe, në kuptim më të gjerë.
Fundja, akti i mosnjohjes së pavarësisë së Malit të Zi nga qeveria shqiptare assesi nuk nënkupton revizionimin e marrrrëdhënieve ekzsituese fqinjësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi.
|