|
Berni
|
 |
« më: 18-08-2007, 15:43:27 » |
|
Robotët luftarakë janë përdorur në operacionet ushtarake në Irak, ndërkohë që Forcat e Armatosura amerikane kanë në plan të zëvendësojnë me robotë një të tretën e mjeteve të blinduara brenda vitit 2015. Këto makina vrasëse, një ditë mund të pajisen edhe me ndërgjegje artificiale - të arrijnë edhe deri në atë pikë sa të kundërshtojnë urdhra që i vlerësojnë si të pamoralshëm.
Rekrutët më të rinj të Ushtrisë Amerikane janë rreth 1 metër të gjatë, janë veshur me kamuflazh shkretëtire dhe të pajisur me mitralozë M249. Ata lëvizin falë zinxhirëve dhe falë kamerave që përbëjnë sytë e tyre - mund të shohin fare mirë edhe në errësirë.
Këta luftëtarë të patrembshëm janë tre ushtarë robotë, të cilët, pa rënë në sy të publikut të gjerë, janë vënë në përdorim në Irak që nga gjysma e qershorit, me detyrë gjuetinë e armiqve. Si të udhëhequr nga një dorë e padukshme, u afrohen shënjestrave për të qëlluar më pas me mitralozë. Është e ardhmja e luftës - dhe tashmë ka mbërritur.
"Është roboti i parë i armatosur në historinë e armëve të luftës", thotë Çarls Din, inxhinier në kompaninë "Waltham", prodhuesi i këtyre mjeteve të reja luftarake. Din dhe 70 të punësuarit e departamentit të tij presin me padurim të mësojnë si do të sillen tri krijesat e tyre në front. Pasi tre robotët, të pagëzuar me emrin "Shpatat" po përdoren në një mision sekret dhe prodhuesit nuk kanë asnjë ide nëse kanë vrarë ndonjë armik gjatë luftimeve.
Duket se do duhet pak kohë përpara se këtyre tre robotëve luftarakë t‘u mbërrijnë përforcimet. Forcat e Armatosura amerikane po testojnë "Gladiatorin", një pajisje moderne e krijuar nga inxhinierët e "Carnegie Mellon University Robotics Institute" në Pistburg të Pensilvanisë. Gladiatori peshon më shumë se një ton dhe lëviz mbi goma të dhëmbëzuara që i japin mundësinë të lëvizë mbi sipërfaqe me pjerrësi 60%. Forcat e armatosura i kanë instaluar prototipit një mitraloz të komanduar të tipit M240.
"Kemi qëlluar shumë për të testuar mitralozin", tregon koloneli Terri Grifin, i cili bën pjesë në Programin për robotët në bashkëpunim të Ushtrisë Amerikane dhe Marinës. Në rast se testimet e mëtejshme do të rezultojnë të frytshëm, një version me katër rrota i gladiatorit do të dërgohet në Irak vitin e ardhshëm, gjithnjë në rast se trupat amerikane do të jenë ende në këtë vend. Sipas kolonelit Grifin, roboti luftarak është në gjendje të shpartallojë grupe të padëshiruara. Vepron në tre faza. Fillimisht Gladiatori paralajmëron përmes një altoparlanti të fuqishëm, më pas qëllon me plumba gome në drejtim të shënjestrës, për të vënë në fund në përdorim mitralozin.
Mënyra e re e të luftuarit
Më shumë se 50 vjet pasi autori Isak Asimov ngulmonte se robotëve nuk u duhen krijuar kurrë mundësitë për të dëmtuar njerëzit, zhvillimi i vrasësve të automatizuar ka ecur me ritme të pandalshme. Shpatat dhe Gladiatori janë pararoja e një lloji të ri lufte, në të cilën vrasja do t‘u lihet në dorë makinave. Sipas një buletini të brendshëm të Forcave të Armatosura Amerikane, makinat e armatosura "po i krijojnë vetes hapësirë në fushëbetejat e sotme dhe do të përdoren në masë të pabesueshme në fushëbetejat e së ardhmes". Në buxhetin e Pentagonit është parashikuar një shihër prej 200 miliardë dollarësh për modernizimin e programit "Sistemet e Luftimit të së Ardhmes". Programi parashikon që brenda vitit 2015, robotët të zëvendësojnë një të tretën e mjeteve të blinduara.
Luftimi i automatizuar po gjen hapësirë edhe në Izrael, ku forcat e armatosura po i përdorin robotët për të kontrolluar kufirin prej 60 kilometrash me Rripin e Gazës. Sistemi i stacionuar "Shiko-qëllo" i zhvilluar nga Rafael, një prodhues izraelit armësh, përfshin kamera dhe mitralozë. Duhet theksuar se ka rreze veprimi prej 1 mijë e 5 qind metrash. Nga këndvështrimi ushtarak, janë një mori arsyesh që ushtarët metalikë po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë. Njëra prej tyre; nuk kanë frikë dhe nuk lodhen. Robotët vrasin pa kurrfarë hezitimi dhe përkundrejt rastit të ushtarëve, bëhet fjalë për humbje financiare. Një "Shpatë" kushton 150 mijë dollarë. Përveç kësaj, politikanët e gjeneralët nuk janë më të detyruar të shqetësohen për të dhënë llogari për numra të tepruar viktimash. Kush do ta gjuante një ushtar prej metali?
Nën kontrollin njerëzor
E megjithatë, këta ushtarë mekanikë mbeten tërësisht nën kontrollin e njerëzve. Do të duhet kohë që vrasësit njerëzorë, të përshkruar në filma hollivudianë si "Robokopi" dhe "Terminatori", të lëshohen mbi njerëzimin. "Por nuk ekzistojnë barriera shkencore që t‘u presin rrugën robotëve luftarakë të pavarur", thotë Ronald Rotkin, i Institutit të Teknologjisë në Atlanta. "Përbërësit e tyre po prodhohen e po instalohen gjatë këtij çasti kur po flasim".
Në zyrën e tij, eksperti Arkin po studion mënyra që skenarët e këtyre filmave të zymtë të mos arrijnë të kthehen në realitet. Po zhvillon një sondazh përmes internetit për të zbuluar se ç‘mendojnë oficerët e ushtrisë, politikanët, ekspertët e robotëve dhe qytetarët e thjeshtë lidhur me makinat vrasëse me autonomi të plotë. Për shembull, cilat janë rregullat etike që duhet të respektojnë këto makina në çastin që dërgohen në luftë? Për t‘i gjetur përgjigje këtij problemi Arkin po zhvillon programe kompjuterike, të cilat mund të përdoren për të programuar këta robotë - një lloj ndërgjegjeje për ushtarët e metaltë.
Një nga këto makina, "Qeni i Madh", krijon idenë se ç‘teknologji e avancuar është përdorur për krijimin e robotëve të këtij lloji. Mjeti pa kokë e gjen vetë rrugën teksa lëviz përpara. Kompjuteri dhe sensorët i mundësojnë të qëndrojë drejt e të mos rrëzohet edhe në rast se merr ndonjë goditje anash. Roboti, i zhvilluar nga "Boston Dynamics" do ta nisë karrierën ushtarake si mjet transportues.
Në një ekspozitë të hapur përpara dy javësh në Fushën Uebster, bazë ushtarake në Merilend, një mjet prej 33 centimetrash shihej të fluturonte në ajër dhe të ulej mbi katër këmbë të holla. Trupat ushtarake në Irak tashmë po testojnë 20 nga këto pajisje të quajtura "mikromjete ajrore". Mund të kontrollohet nga ushtarët përmes një pulti të ngjashëm me ato të lojërave elektronike, por njëherësh mund edhe të pilotohen automatikisht duke përdorur sistemin Gps për t‘u orientuar në hapësirë dhe për të lokalizuar shënjestrat.
Edhe më mbresëlënës në ekspozitën në Fushën Uebster ishte helikopteri 11 metra i gjatë i quajtur "Zbuluesi goditës". Nuk ka nevojë për pilot. Një pajisje laser i mundëson të ulet e të ngrihet vetë edhe nëpër sipërfaqet e reduktuara që ofrojnë anijet e vogla luftarake. Ky model nuk është pajisur ende me armë. Por kjo gjë do të ndryshojë së shpejti, thotë inxhinieri Dag Fronius. "Janë përpiluar tashmë planet për të instaluar armë në të".
"Northrop Grumman", kompania që ka prodhuar helikopterin në fjalë, po planifikon edhe prodhimin një avioni të padukshëm pa pilot të quajtur X-47, i cili do të jetë gati në vitin 2011. "Duke e lënë pa pilot, i japim mundësinë mjetit të qëndrojë në ajër për dhjetë orë më shumë", thotë Taj Parmenter, i "Northrop Grumman". "Për të programuar një mision në terrenin armik duhet veç një tastierë e një maus".
Në përgjithësi, pajisjet e robotizuara ajrore janë në avangardë mes robotëve ushtarakë. Objekte fluturuese pa pilotë janë përdorur në zonat e luftimeve prej disa kohësh, kryesisht për motive zbulimi, por nuk kanë munguar rastet kur janë pajisur me armë vdekjeprurëse. Dy raketat që vranë terroristin Muhamed Atef në nëntorin e vitit 2001 ishin të këtij lloji.
Vendime fatale
Pavarësisht faktit se robotët vërtiten në ajër, apo shërbejnë në tokë si këmbësorë, deri tani kanë qenë operatorët ata që vendosin nëse munden apo jo të qëllojnë. Frika se makinat papritmas mund të marrin kot e të qëllojnë mbi ushtarët e vet është ende e madhe. Përpara se "shpatat" të qëllojnë plumbat e gomës mbi terroristët në Irak, kanë nevojë për lejen e dy operatorëve njerëzorë. Një supervizor shtyp një buton në pultin e komandimit në distancë, vepron dhe e bën mitralozin operativ. Në të njëjtën kohë, një tjetër ushtar duhet të aktivizojë dy çelësa të kuq në njësinë e tij të kontrollit, për të lejuar robotin të qëllojë.
Por mund të merret lehtë me mend se e drejta për të marrë vendime mbi jetën e vdekjen ka prirje t‘i transferohet gjithnjë e më shumë trurit të makinës - sapo inxhinierët të arrijnë të kalojnë problemin e dallimit të armiqve e të miqve. E para pajisje e aftë ta bëjë këtë dallim mund të instalohet pa mbaruar ky vit në një hapësirë prej 248 kilometrash në zonën e çmilitarizuar mes Koreve të Jugut e të Veriut. "Samsung Techwin", një firmë koreano-veriore prodhimesh elektronike, ka kryesuar konsorciumin që ka zhvilluar pajisjen në fjalë, një robot i zi i armatosur me armë zjarri. I pajisur me kamera video dhe me ultratinguj, roboti është i aftë të dallojë pemët nga njerëzit, dhe, sipas, ekspertit Arkin, mund të hapë zjarr në mënyrë të pavarur kundër kujtdo që shkel kufirin. Edhe Pentagoni po kërkon t‘u japë robotëve më shumë liri, duke mbështetur tezën se e vetmja mënyrë për të shtuar fuqinë luftarake të trupave amerikane është krijimi i mundësisë që një ushtar të ketë nën kontroll sa më shumë sisteme të pavarur në të njëjtën kohë. Kjo bëhet e mundur vetëm në rast se makinave u lejohet t‘i marrin në mënyrë autonome një pjesë të mirë të vendimeve. Sipas një dokumenti të Ushtrisë Amerikane, "luftimi vdekjeprurës dhe jovdekjeprurës" mund të mbahet nën kontroll përmes autonomisë.
E ardhmja është e ndritur
Sulmi i robotëve vrasës mund të tingëllojë si një parashikim makabër i së ardhmes. Por vizionari i robotikës, eksperti Arkin, mendon se ky skenar do ketë gjithashtu edhe disa aspekte pozitive. Veprimet çnjerëzore dhe shkeljet e së drejtave të njeriut kanë qenë pjesë e pandashme e luftërave të së shkuarës. Një prej rasteve më të freskëta është ai i skandalit të torturave në burgun Abu Graib të Irakut. Arkin beson se robotët luftarakë nuk e kanë shtysën që kanë njerëzit për të kryer mizori të tilla, falë ndërgjegjes së tyre artificiale. "Robotët mund të sillen shumë më njerëzisht se njerëzit", thotë eksperti. Ka në plan të prezantojë një prototip të softuerit të moralshëm në një konferencë që do të mbahet në shtator. Në varësi të situatës dhe natyrës së misionit, roboti do të zgjedhë mes një game të gjerë opsionesh, veprimin që është më etiku dhe i moralshmi - qoftë edhe në rastet kur do t‘i duhet të kundërshtojë urdhrat. Arkin shpreson gjithashtu se prania e sistemeve të robotëve mund t‘i bëjë krizat e konfliktet më humane. Robotët regjistrojnë të gjitha imazhet e kamerave të tyre, gjë që në fund mund të shqyrtohet nga publiku. Një provë e tillë do t‘i detyronte ushtarët të mos kryenin veprime të paligjshme.
Pritje me krahët hapur
Ndërkaq, robotët po priten krahëhapur nga bashkëushtarët e tyre me mish e kocka. Ushtria Amerikane do të vendosë në tetor në rast se do dërgojë "Shpata" të tjera në Irak. Në rast se gjërat do të shkojnë siç shpresojnë ushtarët, do të dërgohen edhe 20 "Shpata" të tjera, thotë Maikëll Xeka, përgjegjës për arsenalin ushtarak në Nju Xhersi.
Ushtarët janë shumë të kënaqur nga prania e qindra robotëve të komanduar në distancë, që janë përdorur për vite si pastrues minash në Irak dhe Afganistan, të cilëve u vishet merita për shpëtimin e qindra jetë njerëzish. Këta ushtarë të vegjël janë aq të vlefshëm për trupat e armatosura, sa janë promovuar në detyrë, madje edhe janë dekoruar. Në rast se një minë shpërthen nën këto makina, ushtarët preferojnë të riparojnë robotin e dëmtuar, se sa ta zëvendësojnë me një të ri.
Në bazën ushtarake në Juma të Arizonës, një kolonel i urdhëroi ushtarët të ndërprisnin një manovër, gjatë së cilës një robot dërgohej vazhdimisht në fushën e minuar, pasi diçka e tillë ishte çnjerëzore.
Arkin vëren një rrezik të nënvleftësuar në prirjen që kanë ushtarët për të konsideruar robotët si njerëz. Në rastet ekstreme, oficerët mund të lidhen më shumë pas robotëve apo njerëzve që kanë nën komandë. Kështu mund të ndodhë që oficeri të japë urdhrin: "Tom, shko ti për të parë nëse bregu është i pastër - roboti do qëndrojë këtu".
G.Shqip
|