Ishulli i Sazanit qëndron në heshtje mes Jonit dhe Adriatikut në krye të gjirit të Vlorës. Vazhdon të presë që dikush të kujtohet për të dhe thesaret që mbart "barku" i tij gjigand. Historia i kryqëzohet dhe i përplaset fort brigjeve, duke shënjuar gjurmët e veta joshëse, jo vetëm për studiuesit dhe arkeologët, por edhe për oreksin e turistëve. Luftërat greko-romake, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë... sa shumë luftëra kanë shkruar emrat dhe bëmat e tyre në këtë rrethtoke përshkuar nga deti. Reliket përshfaqin kohët e hershme dhe të vona, që nga heshtat antike e deri tek armët moderne. Dikur shtrat pushimi për nëndetëset, sot porti ushtarak i ishullit lëngon nën peshën e degradimit. Bujtësit e vetëm janë ushtarakët e Guardia Di Finanzia pasi banorët, dikur pjesë e marinës, pas shkatërrimit të bazës braktisën gjithçka.
ProjektiDuhej të mbërrinte viti 2001 që një grup pune me emra të njohur arkitektësh dhe specialistësh të fushës së turizmit të hartonin një nga projektet më ambicioze turistike, që mund ta shndërrojë Sazanin, në një nga pikat më të lakmuara turistike të Mesdheut.
"Nëse vërtet besojmë në një zhvillim konkret të turizmit në Shqipëri dhe nëse vërtet e vlerësojmë atë si një industri prioritare të zhvillimit ekonomik të vendit, atëherë strategjia e zhvillimit të turizmit duhet të fillojë me ishullin e Sazanit". Janë këto fjalët e Agim Sinoimerit, ish-drejtor i përgjithshëm i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit, aktualisht drejtues i "Prom Albania" (OJF). Ai kujton se ky projekt iu dorëzua Kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, por që fatkeqësisht u mbulua vetëm me heshtje, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Duket se nuk mungojnë as xhelozitë fqinje. Greqia, një vend me prioritet turizmin, e tronditur pak vite më parë nga vendosja në qarkullim e euros, si dhe nga turizmi turk, ndoshta nuk mund të përballojë një tjetër konkurrencë të denjë shqiptare, në këtë fushë.
Por, edhe pse qeveria aktuale pohon me të madhe se synon që turizmin ta shndërrojë në industrinë primare zhvilluese të bregdetit shqiptar, sërish hesht, pa i kthyer sytë nga "ishulli i thesarit", që mund të tjetërsojë bregun nga Veriu në Jug.
IdejaHartuesit e projektit parashikuan që Sazani të shndërrohej në një resort turistik ekskluziv për të gjithë Mesdheun, për të mikëpritur kureshtarë dhe pushues. Me një kapacitet akomodues prej 3 deri në 4 mijë shtretër, aty nuk do të mungonte as një port modern jahtesh i ngritur mbi gërmadhat e portit ekzistues ushtarak të ishullit. Tejet e përshtatshme kjo edhe për ankorimin e jahteve apo anijeve kroçera të të gjitha përmasave, falë thellësisë ekzistuese, ku dikur qëndronin nëndetëset. Për ta kthyer ishullin edhe në një ambient argëtues për të pasurit u mendua ndërtimi i një kazinoje, e cila do të qëndronte jashtë ambienteve të populluara lokale, duke shmangur kështu krijimin e problematikave sociale, të një vendi në zhvillim e sipër. Një ndër atraksionet kryesore të ishullit do të ishte edhe ngritja e një muzeu Aero-Naval mbi bazën e infrastrukturës së Luftës së Ftohtë dhe asaj detare-ushtarake, që nga koha e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik. Arsenali ushtarak i trashëguar nga kjo periudhë, si dhe shfrytëzimi i materialeve dokumentarë dhe audiovizualë, përfshirë armët konvencionale dhe disa nga nëndetëset e famshme të asaj kohe, si historia e 105 do të përbënin edhe themelin e promocionit dhe marketingut të ishullit. Nëpër sallat dhe vitrinat e këtij muzeu u mendua që të ekspozohej edhe një koleksion i uniformës së Ushtrisë Shqiptare, duke filluar që nga epoka e mesjetës. Për ta bërë të shfrytëzueshëm gjatë gjithë vitit këtë resort turistik u ngrit ideja e ndërtimit të një qendre për kongrese, konferenca, kurse trajnimi, madje dhe për spektakle muzikore. Ndërsa, ish-qyteza e ushtarakëve, tashmë krejt e braktisur, të shndërrohej në një qendër administrative, për të ofruar argëtim, gjallëri dhe jetë nate në ishull, përmes një rrjeti të tërë baresh, restorantesh, klube nate, salla kinemash dhe aktivitete të tjera tregtare.
Pasuria dhe larmia e parkut nënujor të Sazanit dhe Gjirit të Vlorës do të sillte edhe ndërtimin e një akuariumi në zonën e Radhimës, që do të rivalizonte me dinjitet edhe "partnerët" e vet të brigjeve spanjolle. "Të gjitha këto atraksione dhe kjo infrastrukturë bashkëkohore turistike do ta shndërronin Sazanin në një destinacion të ri, në tregun mesdhetar dhe në një produkt tepër të preferuar nga tur operatorët e mëdhenj turistikë perëndimorë", pohon Sinoimeri. Risia e këtij studimi qëndron në faktin se, ndryshe nga copëtimi që po shkatërron ekosistemin natyror, në brigjet e Rivierës, ka menduar për një bashkëjetesë fisnike me ambientin. Qarkullimi i automjeteve private në ishull do të ndalohej, duke ruajtur karakterin lokal arkitektonik në ndërtim, harmonizimin e objekteve me natyrën dhe relievin, si dhe kujdesin për shtimin e kurorës së gjelbër. Ngritja e një shkolle të Hoteleri-Turizmit, si pjesë e këtij projekti, do të përmbushte kërkesat për një personel të kualifikuar, tërësisht shqiptar, në këtë qendër. "Ngritja e këtij kompleksi turistik, si dhe funksionimi i resortit do ta fusin Shqipërinë në hartën turistike të Mesdheut, që përbën edhe djepin e turizmit", shton Sinoimeri. Dhe kjo do të ishte vetëm faza e parë e realizimit të projektit, që do të përfshinte fillimisht ishullin e Sazanit, për të krijuar një rrjet të tërë turistik me zonat e bregut. Më tej, në fazën e dytë dhe afatgjatë, ambicia turistike do të përfshinte edhe pjesët e brendshme të Shqipërisë, ende të panjohura dhe të paeksploruara nga pjesa më e lakmuar e turistëve të huaj. Për financimin e këtij projekti në vitin 2001 shfaqi interes edhe një ndër gjashtë kompanitë më të njohura ndërkombëtare për nga volumi i ndërtimit dhe investimeve. Kompania qipriote "Joannu & Paraskevaides (overseas) Ltd" përgatiti një plan investimesh prej 800 milionë eurosh vetëm për projektin e Sazanit.
Avantazhet Hartuesit e projektit specifikojnë faktin se shndërrimi i Sazanit në një ishull turistik është plotësisht i mundshëm. Kjo, edhe për shkak të faktit se ai është tërësisht pronë shtetërore dhe nuk ka pretendime pronësie. Përveç kësaj, parku i tij nënujor është një atraksion i mrekullueshëm për sportet nënujore dhe arkeologjinë. E kaluara e tij si Bazë e Flotës Shqiptare me mbetjet e infrastrukturës së Luftës së Ftohtë është një pasuri në pritje, që duhet shfrytëzuar. Sazani ndodhet shumë pranë aeroportit të ri të Pish Poros, gjë që mundëson ardhjen e vizitorëve të huaj përmes avionëve charter. Por, mjeti kryesor i transportit për të vizituar ishullin, pohojnë arkitektët, do të jetë ai detar. Aty mendohet që të ankorohen kroçerat e shumta, që në itinerarin e tyre nëpër Detin Mesdhe ndalen në porte si Venecia, Dubrovniku, Korfuzi, Pireu, Stambolli apo Kusadasi. Fluksi i turistëve në projekt parashikohej që të lëvizte në dy drejtime kryesore: në aksin verior Durrës-Lezhë-Velipojë dhe në atë jugor përgjatë Rivierës deri në Sarandë.
Histori
Aty ku "strehohet" Lufta e Ftohtë Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt Jonian të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.
Paraqitja
Itinerari gjeografik ishullor Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius. Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
G.Shqip