Berni
Forca Elbasani
Stafi
Karma: 4
offline
Gjinia: 
Postime: 24143
|
 |
« më: 11-04-2009, 22:30:53 » |
|
Cilat janë ndjenjat e brendshme që përjeton një adoleshent kur gjendet përballë moralit prindëror apo të të rriturve? Ta marrë këtë si moral, këshillë apo urdhër për të ndalur “të keqen”. Askush në të vërtetë nuk e njeh botën misterioze dhe psikologjinë e adoleshentëve, aq më pak të pritet reagimi i “moralizuesve”.
Psikologët dhe punonjësit socialë në shkollat e mesme rrahin të drejtojnë imazhin e adoleshentëve për veten në një nga dukuritë më problematike, siç është moralizimi.
Kur i pyet ata për mënyrën se si i këshillojnë gjimnazistët, si për zgjidhjen e problemeve e deri tek konfliktet me prindërit, psikologët shprehen: “Tregohemi tejet të kujdesshëm”.
“Mos” dhe “nuk”, jo më në fjalor. Në seancat këshilluese me adoleshentët, psikologët dhe punonjësit socialë të gjimnazeve të kryeqytetit kanë eliminuar këto dy pjesëza mohuese.
Kur i pyet ata për mënyrën se si i këshillojnë gjimnazistët, si për zgjidhjen e problemeve e deri tek konfliktet me prindërit, psikologët shprehen: “Tregohemi tejet të kujdesshëm. U servirim alternativën më të mirë të mundshme, por pa ua mohuar alternativën që vetë adoleshentët kishin parashtruar më parë. Në të kundërt ndodh efekti bumerang”. Por duan s’duan sjellja e adoleshentëve kontrollohet. Me ndalime dhe ndëshkime, sjellja e tyre drejtohet për në rrugën “e duhur”. Kjo duket sikur sulmon integritetin. Ai lufton për pavarësinë individuale dhe për këtë arsye ndalon rreptësisht “futjen e hundëve në punët e tij”. Sjellja e adoleshentit merr një tjetër trajtë dhe formë. Bëhet rebel, kryengritës. Tashmë ai ndihet i sigurt jo vetëm në marrëdhënien e vet ndaj shoqërisë, por edhe për sa i përket vetvetes, në bindjen e tij është rritur. Nga ana e prindërve rebelimi i adoleshentit shikohet si shenjë e pandershmërisë kundrejt tyre. Por në të vërtetë të rinjtë eksperimentojnë, dëshirojnë të shohin ku janë kufijtë, deri ku mund të shkohet. Kjo nuk do të thotë se prindërit duhet të lëshojnë pe në gjithçka. Prandaj sociologët këshillojnë që prindërit t'i kenë disa parime të forta, në të cilat edhe vetë besojnë se i mbajnë, jo për arsye që t’ia "ngarkojë" adoleshentit, por të mund t'i mësojë, që t'i kuptojë çfarë vlere kanë këto parime në jetën e njeriut të rritur. T’i bësh moral adoleshentit sot nuk është e lehtë. Shpeshherë prindërit tentojnë t’u ndalojnë fëmijëve gjëra dhe eksperienca duke u thënë “mos” dhe “nuk”. Për ta kjo kthehet në “mollën e ndaluar”. Psikologët dhe punonjësit socialë thonë se pikërisht këtu gabojnë prindërit. Ata duhet të hapin komunikimin me adoleshentët dhe të kërkojmë të bashkëpunojmë më shumë duke rrëzuar barrierat mes brezave. Ndërsa shumica e prindërve detyrën e edukimit e shohin në atë që fëmijës së vet t'i sigurojnë "të gjitha të mirat", shkollën më të mirë, shoqërinë më të mirë e të tjera të ngjashme me to. Më atë rast sikur harrojnë që kjo s'është mjaft për një jetë të lumtur, e nevojshme është edhe të hysh në botën e adoleshentit dhe të përpiqesh ta kuptosh.
Sociologët
Me një nga sociologet e kryeqytetit, Orilda Kalami, tentojmë t’i japim një tjetër shpjegim “mollës së ndaluar”. Pse ajo është gjithmonë tërheqëse dhe mister në të njëjtën kohë? Kur vjen fjala për adoleshentët pse vështirësohet bërja e moralit? Pse rëndohen adoleshentët nga orientimi i prindërve për të zgjedhur më të mirën për ta? Si dhe kur u duhet thënë se kjo është rruga e mirë dhe kjo është e keqe, këtë duhet të veshësh e këtë jo, kjo duhet të jetë shoqja dhe shoku yt dhe ky jo? Cilat janë arsyet që sa herë prindërit bëjnë moral ata kthehen në armiqtë kryesorë? A është morali demode për adoleshentët apo ata janë kundër tij?
E moralshmja
Adoleshenca karakterizohet si mosha e ndryshimeve fizike dhe kognitive. Adoleshentët fillojnë të mendojnë në mënyrë abstrakte, logjika e tyre zhvillohet, arsyetojnë e fillojnë t’i shohin gjërat ndryshe. Kjo analizë e detajuar për çdo gjë i bën ata të jenë kritikë e reflektues. Zhvillimi mendor i shtyn drejt zbulimeve të së panjohurës. Ajo që deri dje ishte e qartë dhe e thjeshtë, sot bëhet misterioze, komplekse. Shumë “pse” që duan përgjigje, shumë kërkesa nga vetja, shumë nevojë për zbulime e pavarësi.
Sociologia Orilda Kalami thotë se kërkesa për pavarësi është “molla e sherrit” mes adoleshentëve dhe të rriturve. “Ata kërkojnë hapësira të reja për të provuar eksperienca të reja. Ata kërkojnë të tronditin çdo gjë nga themelet për t’i vënë vetë bazat në jetën e tyre. Ndonjëherë gabojnë, ndonjëherë druhen e tremben, disa herë qajnë e lëndohen. Ata janë mes paradokseve: ndihen të rritur, por shpeshherë nuk trajtohen si të tillë, ndihen të mençur, por shihen si të papjekur. Jetojnë në një shoqëri me paradokse e probleme. Prindërit, mësuesit kërkojnë prej tyre. Ata ushtrojnë presion, duke fshehur pas frikërat e tyre nga problemet e shumta sociale të kohës”, - shprehet Kalami.
Sipas saj, prindërit, të rritur e të formuar në një tjetër lloj shoqërie e mentaliteti, sot përballen me fëmijët e tyre adoleshentë me të tjera kërkesa për jetën, me të tjera mendime e probleme. Kështu ata mundohen t’i ruajnë këta adoleshentë nga “shoqëritë e veset e këqija”. Kjo mbrojtje shpesh fillon me ndalesat e refuzimet, “jo-të” për çdo kërkesë, me krahasimet e tipit “kur isha unë sa ti...” Adoleshenti nuk dëgjohet, ai duhet të bindet, të pranojë, të mësojë duke dëgjuar. Mënyra se si shumë prindër u drejtohen fëmijëve të tyre karakterizohet nga shqetësimi për shkollën, notat e mira, universitetin. Në këtë moment ndodh diçka krejt ndryshe, shqetësimi kthehet në një monolog. Të rriturit flasin, adoleshentët dëgjojnë ose edhe bëjnë sikur dëgjojnë. Rezulton se në ato familje ku ekziston dialogu, adoleshentët ndihen të dëgjuar, të vlerësuar. Mbase ato vogëlsira që për të rriturit quhen “budallallëqe të moshës” për një adoleshent janë pjesët më interesante të jetës, e sigurisht aty nuk bën pjesë shkolla. Kur vendosen ura komunikimi, ata shprehen më lirshëm, prindërit kështu mund të kontrollojnë në distancë shqetësimet e tyre. Nëse komunikimi me adoleshentët mbaron me pikëçuditje, me fjali urdhërore, atëherë adoleshenti rebelohet. Ai nuk ndihet i kuptuar.
“Adoleshenti nuk ka nevojë për leksione, as për tabu. Kështu tek ai fiken shpresat për t’u ndier i mbështetur. Ata izolohen, tërhiqen më shumë nga “e ndaluara”; ajo është gjithmonë më tërheqëse. Ai ka nevojë për një sup ku të mbështetet e t’i ofrojë siguri (jo vetëm financiare). Edhe nëse gabon, duhet të mësojë se dikush e mbështet. E rëndësishme është të lihet të veprojë e të nxjerrë mësime nga këto gabime. Pra, të bërit moral është shumë larg nga realiteti shpeshherë”, - thotë sociologia Orilda Kalami.
Morali i vërtetë është jeta e vërtetë, me momentet e saj të vogla të përditshme. Dhënia e lirisë shpesh nga adoleshentët kontradiktore mund të shihet si indiferencë ndaj tij. Kështu, “e mesmja e artë” do të ishte gjithmonë dialogu. Adoleshenti nuk mbrohet nga “rruga e keqe” duke i treguar ç’duhet e ç’nuk duhet të bëjë. Mbrojtja më e mirë është që atij t’i lihen hapësira për të folur, për t’u shprehur duke formuar kështu dalëngadalë një individ të përgjegjshëm, tek i cili do të shtohet vetëdija e vetëbesimi.
BLERTA MRISHAJ GAZETA STANDART
|