|
M A X
|
 |
« më: 25-06-2009, 10:40:25 » |
|
Veprat e shkrimtarit të madh shqiptar janë përkthyer në 40 gjuhë të botës, anëembanë globit
Ismail Kadare, "Princi i Asturias për Letërsinë"
Flora NIKOLLA
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare u nderua dje paradite (ora 10:30) me Çmimin e madh spanjoll, Princi i Asturias për Letërsinë (Prince of Asturias Award for Letters), një nga çmimet më prestigjoze në botë në këtë fushë. Gazeta e njohur spanjolle, "El Mundo" njoftonte se kandidati shqiptar për çmimin "Nobel" e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabucchi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Gjithsej 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që Fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon "atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë". Duke iu referuar "El Mundo-s", gazeta e cilëson dhe një herë Kadaren si një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në vitin 1963, roman, sipas së cilës, "Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës". "Kadare është një studiues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi Ballkanik", shkruan "El Mundo", duke cituar se veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës. Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave. Shkrimtari i madh Ismail Kadare, që jeton mes Shqipërisë dhe Francës, ka mbërritur një ditë më parë në Tiranë. Për shkak të impenjimeve të tij, i kontaktuar nga ATSH, Kadare pritet të japë një intervistë në orët në vazhdim për agjencinë zyrtare të lajmeve në Shqipëri.
Ismail Kadare, shkrimtari epokë
Flora NIKOLLA
Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit që prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern
Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, kanditat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara legjendë në letërsinë shqipe si ,"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perëndive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash. Kadare është nderuar me titullin e lartë "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie, apo edhe i Akademisë së Berlinit.
Ai e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas, kreu studimet e larta në Fakultetin e Histori- Filologjisë, në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", e më pas drejtoi revistën "Les letres albanaises".
Është fakt që, Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit që prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern. Ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq, vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj, autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin "Kronikë në gur" (1970), Kadare kritikoi psikologjinë provinciale, ndërkohë që probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela "Emblema e dikurshme" (1977), "Ura me tri harqe" (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani "Dimri i madh" (1977). Veprat më të mira të Ismail Kadaresë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.
Por, edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
"Frymëzime djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), "Endërr industriale" (1960), "Shekulli im" (1961), "Poemë e blinduar" (1962), "Përse mendohen këto male" (1964), "Shqiponjat fluturojnë lart" (1966), "Motive me diell" (1968), "Koha" (1976), "Shqipëria dhe tri Romat", përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë.
Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e tij është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar. Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera. Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi, poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në mjedise të ndryshme. Gjithashtu, poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg. Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj. Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".
Vepra të Kadaresë
Frymëzime djaloshare - 1954
Shekulli im - (1961)
Gjenerali i ushtrisë së vdekur - roman- 1963
Përse mendohen këto male - 1964
Dasma - 1968
Motive me diell - (1968)
Kështjella - roman - 1970
Kronikë në gur - roman - 1971
Koha (1976)
Dimri i madh - roman - 1977
Ura me tri harqe - 1978
Prilli i thyer - 1980
Gjakftohtësia - përmbledhje novelash - 1980
Koha e shkrimeve - 1986
Koncert në fund të dimrit - 1988
Vepra Letrare - 1981-1989
Dosja H - 1990
Piramida - 1992
Shqipëri - 1995
Pallati i ëndrrave - 1996
Dialog me Alain Bosquet - 1996
Spiritus - roman- 1996
Kushëriri i engjëjve - ese- 1997
Poezi - 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë - ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën - triptik - 1998
Ikja e shtërgut - tregim - 1999
Qorrfermani - roman - 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror - tregime - 1999
Ra ky mort e u pamë - ditar për Kosovën, artikuj, letra - 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) - biseda - 2000
Breznitë e Hankonatëve - 2000
Bisedë përmes hekurash - 2000
Elegji për Kosovën - 2000
Lulet e ftohta të marsit - roman - 2000
Unaza në kthetra - 2001
Eskili, ky humbës i madh - 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama - roman - 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut - roman - 2002
Pasardhësi - roman - 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve - 2006
Hamleti, princi i vështirë - Sprovë - 2006
Kryeministri Berisha uron shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin e madh spanjoll
"Princi i Asturias për Letërsinë", nderim i madh për krijimtarinë gjeniale të Kadaresë
Kryeministri Berisha e vlerësoi akordimin e çmimit të madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsinë" për kolosin e letrave shqipe, Ismail Kadarenë, si një "nderim të madh për krijimtarinë gjeniale të Ismail Kadaresë, por dhe për mbarë kombin tonë, letrat dhe kulturën e tij". Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se kryeministri Berisha uroi sot shkrimtarin e madh Ismail Kadare me rastin e nderimit të tij me çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsinë". Kryeministri Berisha, në urimin e tij të përzemërt, në emër të qeverisë shqiptare dhe emrin e tij personal, vlerësoi akordimin e këtij çmimi të madh botëror si një ngjarje shumë të rëndësishme.
Kadare: Një çmim elitar që nderon kulturën shqiptare
Një çmim elitar që nderon kulturën shqiptare, e ka cilësuar shkrimtari Ismail Kadare, në një intervistë për ATSH-në, Çmimin e madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsinë" (Prince of Asturias Award for Letters), që fitoi të mërkurën paradite mes 31 autorëve të nominuar nga 25 vende të botës, ndër të cilët dhe shkrimtari çek Milan Kundera.
Kadare është i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë", një nga më prestigjozët në botë, i krijuar në vitin 1981. Në radhën e kandidatëve që synonin vlerësimin me këtë çmim ishin shkrimtarë nga Argjentina, Belgjika, Kanadaja, Kuba, Republika Çeke, Franca, Holanda, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, etj. Juria vlerësoi si më të mirën veprën e Kadaresë, mes shkrimtarëve si Milan Kundera, italianit Antonio Cabucchi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. "Është një çmim elitar që çdo shkrimtar e ka shumë për nder kur e merr. Deri tani e kanë marrë shkrimtarë shumë të mëdhenj. Dua të theksoj se edhe në këtë edicion shkrimtarët pjesëmarrës ishin shumë të çmuar prej meje dhe me disa prej tyre jemi miq. Ndaj ky çmim është edhe më i çmuar për mua", u shpreh Kadare, vepra e të cilit është përkthyer në rreth 40 gjuhë të tjera. E ka konsideruar veten përgjithësisht me fat përsa i përket përkthyesve që janë marrë me veprat e tij dhe tani që ka fituar çmimin më të madh të letërsisë në Spanjë e konsideron veten plotësisht me fat. "E konsideroj me fat, sepse në spanjisht kam një përkthyes shumë të mirë, Ramon Sanchez Lizarralde. Është një nga përkthyesit më të mirë, dhe vitin e kaluar u nderua me një çmim kombëtar për veprat e mia. Është për t'u lavdëruar", vlerëson Kadare përkthyesin e veprave të tij në spanjisht.
Fitues i çmimit "Man Booker International Prize" në vitin 2005, çmimi më prestigjoz në botën anglishtfolëse, Kadare thotë pa mëdyshje se, krahasuar me vendet e Ballkanit, letërsia shqipe është absolutisht më e njohura në Evropë. "Letërsia shqiptare, krahasuar me vendet e Ballkanit, është një nga letërsitë më të njohura në Evropë. Absolutisht po", cilëson Kadare, ndërsa sjell në vëmendje faktin se letërsia shqipe është tashmë e vlerësuar me dy çmimet më të njohura në botë, pas Nobelit, "Man Booker International Prize" dhe "Prince of Asturias Award for Letters". Kadare thotë me modesti se, veprat e tij nuk janë të vetmet që e kanë bërë letërsinë shqipe të njohur në botë. "Janë të paktën 15 shkrimtarë shqiptarë, vepra e të cilëve është përkthyer në vendet e Evropës", vlerëson ai.
Kadare, 73 vjeç, është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe. Kandidat disa herë i çmimit Nobel në letërsi, ai është autor i disa romaneve të konsideruara legjendë në letërsinë shqipe si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perëndive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash. Kadare është nderuar me titullin e lartë "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie, apo edhe i Akademisë së Berlinit. Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit që prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai jeton mes kryeqytetit francez dhe Tiranës. Është kthyer një ditë më parë në Shqipëri dhe kur e pyet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në fund të kësaj jave nuk ngurron të përgjigjet "do të dëshiroja zgjedhje me kulturë nga shqiptarët, asnjë gjë tjetër".
"Është një gjë që e kemi në dorë për t'i treguar Evropës një imazh tjetër", thotë ai për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, që janë dhe një kusht për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
RD
|