Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.
Forumi LetrarForumi LetrarRevista Letrare Zeri YT!Gjergji Canco, miku i Fishtës, Koliqit, Lasgushit e Asdrenit


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Gjergji Canco, miku i Fishtës, Koliqit, Lasgushit e Asdrenit  (E lexuar 160 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 19-04-2008, 16:27:07 »
Citojeni

Djali i "Mësuesit të popullit", Zhani Canco, tregon për jetën e të atit mes emrave të shquar të kohës që lanë gjurmë në histori

Ka mbyllur sytë më 1971, por kjo nuk do të thotë se është harruar. Kjo sëmundje e keqe, harresa, nuk ka mundur që të shtrijë hijen e saj te Gjergji Canco, profesori i kohëve të Fishtës, Koliqit, Asdrenit e Lasgushit, mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor i këtyre njerëzve, që së bashku gdhendën më thellë identitetin kombëtar.Ai mbetet sërish në krye të arsimit. Tanimë në emrin e përjetësuar të një shkolle të mesme profesionale, asaj Teknike Elektrike, “Gjergj Canco”, në kryeqytet.Profesor për rreth 40 vite. I edukuar më së pari në bankat e liceut të Korçës, një auditori që ka prodhuar emra të mëdhenj shqiptarësh, Gjergji Canco studioi më tej në Francë, në Universitetin e Montpeliesë. Për plot pesë vjet me radhë ai njohu të fshehtat e matematikës, lëndës së tij të preferuar, nga profesorë me emër të atyre viteve. Përmes të birit, arkitektit dhe inxhinierit, Zhani Canco, një burrë i hijshëm plot thinja prej moshës së thyer tashmë, mësojmë shumë nga “sekretet” e jetës së profesor Gjergjit. E sidomos vend të veçantë zë rinia e tij. Shumë prej kujtimeve vijnë nga periudha e intelektualëve të famshëm shqiptarë, atyre të brezit të viteve ‘30.Kultura dhe erudicioni i të rinjve të kësaj kohe krijuan tendencat moderne të mendimit, por edhe të mësimdhënies. Ndonëse kohë të vështira e të trazuara, ato krijuan edhe një brez të artë, atë të djemve intelektualë, shumica e të cilëve të edukuar në aulat e universiteteve më në zë të kohës, si në Lindje dhe në Përëndim. Dikush i përkiste linjës franceze, të tjerë asaj italiane apo rumune, thotë i biri i profesor Cancos, Zhani.Mes kujtimeve që mbarten nga barku i kohës, një vend të veçantë zënë edhe fotografitë. Ato janë rrënimtare të shkëlqyera të miqësive të dikurshme, të punëve të përbashkëta, deri edhe të stilit e mënyrës së jetësës, të një kohe të cilën një pjesë prej nesh ose e njohim pak, ose e kemi mësuar të cunguar, sipas interesave. Shkodra, qyteti i dashurisë dhe i miqësive të mëdha Ndonëse Korça ka meritën si vendlindja e profesor Cancos e më saktë Boboshtica, qyteti ku ai nisi të thurë mozaikun e tij intelektual, madje dhe atë familjar, është Shkodra. Aty njohu dashurinë e jetës së tij, Çezarinën e bukur, bijë nga një derë e fisme e elitës shkodrane. Një ndër piktoret e para shqiptare që studioi artet e bukura në Dubrovnik të Kroacisë. Por përveç kësaj, Shkodra është edhe qyteti që i garantoi dhe e rreshtoi Gjergji Cancon mes më të mirëve. Atyre që vulosën identitetin tonë kombëtar dhe që bënë që fjala Atdhe të kishte kuptim për Shqipërinë e vuajtur ndër shekuj. Pas studimeve franceze, profesor Gjergji punon si mësues në gjimnazin e Shkodrës. Në stafin e arsimtarëve në atë kohë spikasnin emra njerëzish të shquar e mes tyre dallonte edhe Ernest Koliqi. I aftë e i talentuar, i edukuar në një nga universitetet më të mira përëndimore, profesor Gjergji Canco shumë
shpejt e pa veten edhe në shkollën e të madhit Gjergj Fishta. “Illyricum” ishte institucioni arsimor që drejtohej prej Fishtës dhe ku profesor Canca u ftua që të jepte lëndën e matematikës, qoftë edhe me kohë të pjesshme, për shkak të angazhimit të tij të madh në gjimnazin e Shkodrës.Rrjeti intelektual i kësaj periudhe ishte formatuar. Ata nuk ishin thjesht dhe vetëm mësues që transmetonin dije në brezat e më të rinjve. Ata ishin projektuesit dhe shpirti i elitës aristokrate shqiptare, që nuk bënte asnjë dallim nga ajo moderne evropiane e këtyre kohërave. Një arkiv i shkëlqyer fotografish ruhet nga i biri i profesor Gjergjit, Zhani. Teksa tregon me kujdes njëra pas tjetrës fotot bardhezi, me gishtin tregues rrëfen herë pas here të atin mes figurave më të shquara shqiptare. Një fotografi e profesor Gjergji Cancos, “Mësues i Popullit”, që mban datën 21 shkurt 1938, kuadraton në të njëjtën hapësirë emra të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni,L.Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi apo Koço Tashko.



Miqtë e dikurshëm janë mbledhur përpara kafes së madhe në qendër të Shkodrës, pak përpara koncertit që vijonte turin e ndërmarrë nga dy artistet shqiptare. Për këtë qëllim, në qytet kishin mbërritur edhe dy figurat e shquara të letrave shqipe, Asdreni dhe Lasgush Poradeci.
Një tjetër foto e profesor Gjergji Cancos tregon miqësitë mes kolegëve si Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci.



Mes tyre rreshtohen kujtimet e jetës studentore në Paris, por edhe ato të liceut të Korçës, ku ai shenjon edhe maturën e parë. Kanë qenë të shumtë edhe emrat e nxënësve të
profesor Gjergji Cancos. Nga Shkodra në Tiranë bëhet i pamundur misioni për të sjellë në kujtesë shumë prej emrave të tyre, por është e pamundur gjithashtu të mos përmendësh një pjesë të tyre. Arkitekt Zhani kujton emrat e Qemal Stafës, Vojo Kushit, Vasil Shantos, Emin Durakut, pa harruar as Mehmet Shehun, Adil Çarçanin, Farudin Hoxhën, Aleksandër Meksin e shumë të tjerë. Pa përmendur këtu ata qindra e mijëra teknikë që u përgatitën
në shkollën e mesme politeknike në kryeqytet, kupas eksperiencës si mësues krahas amerikanit Harry Fultz, pas viteve 1945 e deri në 1967 Canco ka qenë drejtor i saj.Politeknikumi dhe brezat
e specialistëve shqiptarë Kulmin e karrierës së tij profesionale profesor Canco e arrin në Tiranë, qyteti që e veshi me meritën
e veçantë të përgatitjes së brezave të tërë të teknikëve në 22 vite në drejtim të Politeknikumit.Ky institucion arsimor është një tjetër dashuri e madhe e profesor Gjergji Cancos, mësuesit të popullit, por edhe e heroit të punës socialiste, tituj këto që sistemi i dikurshëm i jepte si shpërblim për punën dhe përkushtimin e individëve të veçantë.Pas përfundimit të studimeve në Francë ai u integrua mjaft thjesht në radhët e profesorëve të shkollës teknike amerikane, që në atë kohë drejtohej nga Harry Fultz. Sipas të birit, Zhanit, kjo ishte një eksperiencë që e ndihmoi edhe më pas profesor Gjergjin në drejtimin e Politeknikumit, kësaj shkolle profesionale që ndërtohej mbi bazën e modelit të prakticitetit amerikan, që zbatohej në mënyrë origjinale në hapësirën shqiptare.Arsimi profesional e ka zanafillën më 21 korrik 1921, kur në Shqipëri erdhën amerikanët Xhon Krowell, Ambrouz Bredlli Kelli dhe Luiz Men Heron.Deri më 23 shtator 1922, kur në krye të shkollës teknike amerikane erdhi Harry Fultz, që e drejtoi këtë shkollë për 11 vjet me radhë. Në 1928 kjo shkollë aplikoi programin e ri me tre shkallëzime, 8-
vjeçar, 6 dhe 5-vjeçar. Në vitet 1932-1933 mes 22 profesorëve të diplomuar në universitete prestigjioze të Evropës përëndimore si Italia, Franca, Austria dhe një pjesë në SHBA, bënte pjesë edhe
Gjergji Canco. Ai jepte lëndën e gjeometrisë deskriptive,
topografi dhe matematikë.Pas eksperiencave në gjimnazin e Tiranës dhe më pas në atë të Shkodrës, profesor Canco në 1945 transferohet në Tiranë për të drejtuar shkollën e vetme teknike shqiptare që në fillim mbante emrin “Karl Gega”. Më pas u quajt “Sadik Stavaleci” dhe në 1947 u pagëzua si Politeknikumi “7 Nëntori”. U çelën degët e reja, mekanika, mekanika bujqësore,
elektrike, minerale, nafta, gjeologjia, ndërtimi rruga-ura dhe hidroteknika. Në këto degë përgatiteshin teknikët që u shpërndanë në të gjithë vendin për të ndërtuar veprat e elektro-energjetikës,
infrastrukturës, e të gjithë sektorëve të tjerë të industrive,
që u zhvilluan më pas.“Ajo që e bëri Politeknikumin një “shkollë të fortë” për të përgatitur teknikë të mesëm, të zotë e të aftë, është ruajtja dhe përsosja e traditës së shkollës së Fultzit, praktikat mësimore dhe ato të prodhimit”.Janë këto fjalët e Koço Katundit, njërit prej ish-mësuesve të kësaj shkolle, që flet plot nderim dhe respekt për meritat e drejtorit Canco, në librin e botuar prej tij “50 vjet teknikum”. Ndërsa akademiku Farudin Hoxha shprehet plot nostalgji për profesorin e dikurshëm. Ai ka qenë një ndër nxënësit e profesor Cancos. Në ceremoninë e vendosjes së emrit “Gjergji Canco” të shkollës teknike elektrike në Tiranë, akademiku Hoxha e ka cilësuar atë si “një udhërrëfyes i viteve të rinisë së hershme”. A.Rr

“Mësuesi i Popullit”, Gjergji Canco, ndër vite

lind në Boboshticë të Korçës më 1906. Mbylli sytë në Tiranë në vitin 1971, pas një jetë krejtësisht të përkushtuar ndaj arsimit dhe përgatitjes së brezave në të paktën katër dekada. Pas studimeve në liceun e Korçës, ndjek Universitetin e Montpeliesë në Francë për matematikë.Pas kthimit në Shqipëri punon fillimisht në shkollën teknike amerikane e drejtuar nga Harry Fultz. Në 1933-1936 punoi si mësues në gjimnazin e Tiranës. Nga vitet 1936 e deri në 1945 ushtroi profesionin si mësues i matematikës në gjimnazin e Shkodrës, si dhe në shkollën e Fishtës “Illyricum”. Në harkun kohor 1945-1967 punoi si drejtor i Politeknikumit. Dhe në vitet e fundit të jetës, në 1967-1971, punoi si mësues matematike dhe i gjuhës frënge në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, “Asim Vokshi”. Pas plot dy ditëve, më 21 prill, familjarët e tij do të festojnë 102-vjetorin e lindjes së mësuesit të popullit, Gjergji Canco. Me një vendim të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, shkolla teknike elektrike në kryeqytet ka marrë emrin e mësuesit të popullit, “Gjergji Canco”.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin | Qindra Mijera Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Faqe Interesante | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Euro 2008 Photo | MuzikaWeb |