Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: "Reja", sfida e re e "Google"  (E lexuar 153 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 24-02-2008, 14:47:08 »
Citojeni

Kristofer Bischiglias i mjafton të bëjë një pyetje të shpejtë për të përzgjedhur personin e duhur mes morisë së të sapodiplomuarve, që shpresojnë të punësohen në ndërmarrjen më dinamike të internetit në botë "Google". Pyetja e "artë" që u drejtohet të rinjve është: Çfarë do të ishe në gjendje të bëje nëse do të ofrohej një sasi të dhënash 1000 herë më e madhe se ajo që ekziston? Vetë Bischiglia është një 27-vjeçar me flokët e lëpira e me pamje studiozi verdhacuk. Përmes pyetjes së tij ai kërkon të kuptojë mënyrën e gjykimit të kandidatëve, e cila është shumë e rëndësishme, pasi duhet të jetë sipas parametrave të "Google". Kur u bëhet pyetja, të rinjtë shohin vërdallë çuditshëm, duke sjellë ndër mend bankat e universitetit kur u duhej të djersinin dhe të triumfonin mbi formulat e vështira e me shumë detaje. Në këtë pikë të marrjes në pyetje, djaloshi i "Google" u shpjegon edhe domethënien e pyetjes së çuditshme. "Për t‘u gjendur mirë në një ndërmarrje si ajo e "Google", të punësuarit duhet që të mësojnë të ëndërrojnë dhe të punojnë në një shkallë shumë më të lartë se në vendet e tjera të punës". Aparaturat e "Google" janë në gjendje që t‘u përgjigjen kërkesave të konsumatorëve brenda pak sekondash. Për t‘u dhënë përgjigje pyetjeve të njerëzve ekzistojnë "male" të tëra me informacion, të cilat reduktohen në përgjigjet e duhura në një kohë rekord dhe, deri më tani, me shpejtësinë më të madhe në botë. Pjesa më e madhe e makinerisë, ose "hardware", nuk ndodhet në kampusin e "Google", "Googleplex", por është shpërndarë në vende të ndryshme të planetit në qendra gjigante të përpunimit të të dhënave dhe informacionit. Ata që punojnë për kompaninë e quajnë këtë rrjet gjigant kompjuterësh "cloud", reja. Një nga detyrat kryesore për ata që punojnë si programues në këtë vend është pikërisht fuqizimi i kësaj reje, zhvillimi i saj deri në atë masë sa ajo të mund të arrijë të bëjë gjëra që janë të pamundura për kompanitë e tjera të ngjashme. Të punësuarve të rinj, zakonisht u duhen disa muaj për t‘u ambientuar me përmasat e vendit të punës. Më pas, një ditë të bukur dikush propozon ndonjë projekt interesant, që kërkon vënien në punë të qindra mijëra makinerive dhe pikërisht kur gjërat vijnë në këtë pikë shefat e kompanisë e kuptojnë se individi që ka bërë propozimin më në fund ka nisur të mendojë si një anëtar i denjë i "Google". Pak kohë më parë, Bischiglia vendosi që të sapoardhurve u duhej një kurs në lidhje me teknologjinë e avancuar që përdoret në "Google". Kështu, një ditë të bukur qershori të vitit 2006, i bëri këtë propozim administratorit të "Google", Eric Schmid: "Po sikur të përdorte kohën e vet të lirë, që për të punësuarit e "Google" është vetëm 20% e 24-orëshit për t‘u mësuar treguar studentëve të tij të Universitetit të Uashingtonit se si mund të programohet një "re". Mund ta quajmë një kurs "Google" për fillestarët". Schmidit i pëlqeu ideja dhe në muajt që pasuan studentët e universitetit e nisën kursin e tyre dhe pas disa kohësh dolën me një projekt shumë ambicioz me IBM-në, një projekt i cili u bë i ditur tetorin e kaluar. Projekti propozonte lidhjen e gjithë universiteteve të botës në një" re" të vetme kompjuterike si ajo e "Google". Një projekt i tillë mund të zgjeronte ndikimin e një kolosi si "Google" shumë më përtej rrjetit, mjeteve të komunikimit dhe reklamave. "Google" mund të përdorej në fushën e kërkimeve shkencore, e ndoshta edhe në atë të tregjeve të reja. Njëherazi, "Google" mund të shndërrohej në njëfarë mënyre kompjuteri më i rëndësishëm i botës. Ideja e Bischiglias u ishte dukur fillimisht drejtuesve e menaxherëve të "Google" si një ide personale për të dhënë mësim, por më pas të gjithëve u ishte dukur thjesht gjeniale dhe shumë inovatore për të ardhmen e kompanisë. Ishte vërtet madhështore që "Google" të mund t‘u ofronte kërkuesve dhe shkencëtarëve në mbarë botën kapacitetin dhe morinë e informacionit të saj për ta përdorur në fushën e kërkimit shkencor.

Po çfarë është në fakt "reja" e "Google"? Është një rrjet i formuar nga qindra e mijëra, sipas disave madje edhe nga një milion serverë të vegjël me një fuqi jo shumë më të madhe se ajo e kompjuterëve që kemi në shtëpitë tona. Kjo re është në gjendje që të magazinojë një sasi të jashtëzakonshme të dhënash, përfshi edhe shumë kopje në të gjithë rrjetin. Pikërisht kjo e bën motorin e kërkimit të "Google" shumë të shpejtë dhe efikas për përdorim dhe të aftë për t‘iu përgjigjur miliarda kërkesave në ditë brenda një fraksion sekonde, pasi është bërë kërkesa. Ndryshe nga shumë superkompjuterë të tjerë tradicionalë, sistemi i "Google" nuk plaket kurrë. Kur një nga komponentët përbërës të rrjetit dëmtohet në mënyrë të pariparueshme (dhe kjo ndodh zakonisht pas tri vitesh), ai stakohet nga rrjeti dhe zëvendësohet me një makinë të re, që është edhe më e shpejtë. Kjo do të thotë që "reja" rigjenerohet në mënyrë të vazhdueshme, thuajse si një server i gjallë. Kalimi në fazën e "reve" tregon një ndryshim rrënjësor në mënyrën e të trajtuarit të informacionit. Është ekuivalenti informatik i evolucionit që pësoi elektriciteti në shekullin e kaluar, kur fabrikat dhe punishtet nisën të shuanin gjeneratorët dhe të bëheshin pjesë e një rrjeti elektrik që furnizohej nga furnizues të caktuar. Menaxherët gjenialë të "Google" e kishin parashikuar mbërritjen e një komenti të tillë dhe ishin bërë gati prej kohësh. "Reja kompjuterike", e cila ka në qendër makinat e "Google", bën pjesë në vizionin madhështor që kanë për shoqërinë themeluesit e saj, Sergey Brin dhe Larry Page. Në fakt kjo është një ëndërr e dhjetë viteve të shkuara që po bëhet realitet, pra më pak fjalë: "Organizimi i informacionit të botës dhe aksesibiliteti që të gjithë mund të kenë në të". Kjo është edhe rruga drejt së ardhmes.

Për sipërmarrësit e ndërmarrjeve të vogla, "retë" janë një mundësi shumë e madhe, sepse u vënë në dispozicion të dhëna dhe informacione të cilat nuk i kishin më parë. Deri më sot, vetëm një grup shumë i ngushtë kompanish gjigante të internetit në pronësi të rrjetave të mëdha ka pasur mundësinë e mbledhjes së një sasie të madhe të informacionit dhe ndërtimit më pas mbi këtë informacion të një biznesi. Gjithë fjalët tona, pamjet, klikimet dhe kërkimet janë materiali bazë i kësaj industrie. Por deri më tani ka qenë një rrugë njëkalimshe. Njerëzimi prodhon të dhëna dhe një numër i vogël shoqërish si "Google", "Yahoo" e "Amazon" i transformon ato në informacione, shërbime dhe më në fund në fitime. Por situata po ndryshon. Gjatë vitit të fundit "Amazon" i ka hapur me pagesë rrjetet e saj kompjuterike. Disa kufizohen vetëm sa t‘i "parkojnë" të dhënat e tyre në "Amazon". Të tjerët ia përdorin kompjuterët për të kërkuar të dhëna, ose për të ofruar shërbime në internet. Në muajin nëntor, "Yahoo" u dha në përdorim kërkuesve të Universitetit Mellon një "re" të vogël kompjuteristike, që ta përdornin për kërkimet e tyre. Microsoft i ka shpeshtuar raportet e tij me komunitete të ndryshme shkencëtarësh e kërkuesish shkencorë. Me rritjen dhe shtimin e "reve", një komunitet i tërë shoqërish të reja të rrjetit do të ketë akses te këto makineri. Për të zhvilluar gjithë potencialin e tyre "retë" duhet të jenë të lehta në të programuar dhe për t‘u lëvruar, madje të thjeshta sikurse dhe vetë rrjeti. Sipas analistëve, në këtë mënyrë do të zgjerohej edhe tregu i mjeteve kërkimore dhe i programeve kompjuterike, një ambient ky shumë natyror për "Google" dhe konkurrentët e saj. Por "Google" nuk është shprehur deri më tani se ç‘pjesë të kapacitetit të saj do t‘u ofrojë klientëve të jashtëm, as se me çfarë kushtesh, apo çfarë çmimi. Por, sipas zakonit gjithmonë "Google" i ka nisur gjërat e mëdha duke i ofruar gratis. Më pas janë klientët ata që duhet të mbështesin me kontributin e tyre financiar një pjesë të shpenzimeve. Por sa mund të rriten "retë", deri në çfarë përmasash mund të shkojnë ato? Nuk ka asnjë lloj kufiri.

Me zhvillimin e kësaj strategjie njerëzit mendojnë gjithnjë e më shumë se do të jetë "Google" dominuesi i epokës së ardhshme të historisë së informatikës. "Google" do të jetë një pjesë kryesore e "resë". Po cili është plani industrial? Për momentin "Google" do të mbetet ende e fiksuar në aktivitetin e saj parësor që sjell fitime shumë të mbara me reklamat. Projekti i "resë" është vetëm një "thërrmijë" në termat e investimeve. Është një ide ende e largët, e papërcaktuar dhe e pa formë, por plot me mundësi të jashtëzakonshme.

Të ndryshosh natyrën e llogaritjes informatike dhe të kërkimit shkencor nuk ishte ideja parësore e Bischiglias. Ndryshe nga shumë kolegë të tij që janë bërë doktorantë, ndërkohë, ky i fundit "u peshkua" nga "Google" sapo doli nga bankat e shkollës, nga bankat e Universitetit të Uashingtonit U-Dub. Vetë djaloshi ambicien maksimale e kishte te mësimdhënia në universitetin ku kishte mësuar. Vetëm kështu do të kishte mundur që të gjente monotoninë në të cilën e kishin futur dhjetë orët në ditë që ia kushtonte ndërtimit të algoritmeve në dhomën e tij të vogël të kampusit universitar, të cilën e ndante me tre miq të tij. Tani, përveç mësimdhënies i dedikohet me kohë të plotë edhe "Google". Punën e nisi në moshën 22-vjeçare si programues, por ai doli shumë më tepër. Ideja e tij do të ndryshojë gjithë korporatën. Fillimisht ai donte t‘u bënte studentëve një guidë të thjeshtë, pa u treguar sekretet që pulsojnë në zemrën e gjithë shkencëtarëve të "Google" dhe janë zemra e saj. Në zyrat qendrore ndodhet një kompjuter i madh, i cili merret në mënyrë automatike me kërkimet, publicitetin dhe e-mail-et. E gjithë puna më e madhe bëhet nga kompjuteri kryesor, ndërsa mijëra specialistët e kompjuterëve nëpër botë, sikurse edhe Bischiglia, e ndihmojnë makinerinë që të funksionojë siç duhet. Me ndërtimin e kësaj makine gjigante, "Google" është e destinuar që të marrë përsipër një rol të ri në industrinë kompjuteristike. Deri pak kohë më parë shkencëtarët që donin të kishin burime më të avancuara për kërkimet e tyre u drejtoheshin për ndihmë laboratorëve kombëtarë, ndërsa tani "Google" po bën punën që dhjetë vjet të shkuara e bënin vetëm institucionet kombëtare. Po si do të mundej profesori që tu krijonte akses studentëve të tij në një perandori kaq të madhe, me një vlerë 10 miliardë dollarë? Sigurisht që askush nga kompania nuk do ta pëlqente faktin që studentët e shkollave të fusnin hundët në sekretet e saj. Atëherë Bischiglia e gjeti zgjidhjen duke blerë rreth 40 kompjuterë, të cilat u vendosën në universitet dhe do të lidheshin në rrjet me "Google". Vetë djaloshi dukej sikur po ndiqte një rrugë për përfundimin e së cilës ishte tmerrësisht i qartë. Po me se do ta fillonte? Pasi e mendoi mirë vendosi ta niste punën me "Mapreduce", i cili është programi bazë i teknologjisë "Google". Ky software u jep shpejtësi veprimeve dhe aftësi industriale. Është një model shumë i thjeshtë dhe elegant. Ky program, më i miri i motorëve të kërkimit, deri më tani ishte shpikur nga një tjetër i diplomuar në universitetin e tij dhe t‘ua shpjegoje studentëve do të thoshte që t‘i ofroje një mënyrë të re të menduari për informatikën. Kishte vetëm një problem. Programi ishte instaluar në brendi në sistemin "Google" dhe nuk mund të përdorej jashtë tij, qoftë edhe për ndonjë kurs të tillë. Megjithatë, "Google" kishte krijuar një version të ngjashëm demonstrativ të quajtur Hadoop. Ideja ishte që standardet e programit të bëheshin strukturë e idesë së "resë", por kjo duhej të ndodhte pa u marrë vesh sekretet e brendisë së programit. Sapo u mor vesh se do të hapej një kurs, ku do të mësoheshin "sekretet" e "Google", studentët e universitetit u regjistruan me dhjetëra. Sipas Bischiglias, në orët e punës studentët nisën që të punonin për makinat e "Google" dhe të ideonin projekte ambicioze për "retë". Kurioziteti më i madh ishte mënyra e funksionimit të "reve", pasi përpunimi dhe magazinimi i të dhënave është një nga gjërat më të vështira të një motori kërkimi. Kurset e tij u bënë të famshme, jo vetëm në universitet, por edhe në universitete të tjera të botës, madje pati kërkesa për to deri në Kinë. Rezultati i kësaj ndërmarrjeje ishte në fakt shumë më fitimprurës për "Google", që filloi ta merrte shumë në konsideratë "eksperimentin" tashmë të suksesshëm. Kurrë më parë nuk ishin mbledhur kaq shumë ide madhështore e gjeniale njëherazi nga studentë e shkencëtarë dhe mbi të gjitha ato ishin falas.

G.Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin | Qindra Mijera Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Faqe Interesante | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Euro 2008 Photo | MuzikaWeb |