|
Berni
|
 |
« më: 29-04-2008, 08:58:05 » |
|
"Microsoft Albania" nxit zhvillimin e ekonomisë shqiptare
Gjigandi i teknologjisë së informacionit Microsoft do të hapë zyrën e tij në Shqipëri. Kjo u bë e ditur gjatë takimit të djeshëm që Kryeministri Berisha zhvilloi me përfaqësuesit e kësaj kompanie. Hapja e degës së Microsoft-it në Shqipëri bëhet në kuadër të implementimit të marrëveshjes së nënshkruar mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Microsoft, Bill Gates një vit më parë. Përfaqësia e kompanisë Microsoft kryesohej nga Goran Radman, Drejtor i Microsoft-it për Europën Qëndrore dhe Lindore shprehu bindjen se "Microsoft Albania" do t`i japë një shtysë ekonomisë shqiptare, inovacionit, përgatitjes së brezave mbi sistemet digjitale, si dhe komunikimit rajonal në fusha të ndryshme. Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se hapja e degës së Microsoft-it në Shqipëri është një lajm shumë i mirë dhe një hap shumë i rëndësishëm në përmbushjen e sipërmarrjes së qeverisë shqiptare për ta çuar vendin në "moshën digjitale" dhe për të afruar tregun shqiptar me teknologjinë më të avancuar digjitale. Gjithashtu, ai veçoi se ky proces do të ndikojë gjerësisht në edukimin e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve në këtë fushë, si dhe për të ndihmuar, përmes teknologjisë së avancuar, zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Në vijim të takimit, kreu i ekzekutivit shqiptar vuri në dukje se prezenca e Microsoft-it në Shqipëri do të jetë lokomotiva që do të shtyjë përpara procesin e digjitalizimit të shumë procedurave në Shqipëri, veçanërisht në administratën shqiptare. Nga ana e tij, Drejtor i Microsoft-it për Europën Qëndrore dhe Lindore, Goran Radman shprehu vlerësimin e tij shumë pozitiv për hapjen e zyrës së Microsoft-it në Shqipëri, si respektim i Marrëveshjes së nënshkruar midis Kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Microsoftit, Bill Gates në Edinburg në 30 janar 2007. Gjithashtu, ai i shprehu falenderimet Kryeministrit Berisha për angazhimin dhe vendosmërinë e tij në këtë projekt që, me bindje, do të jetë një histori suksesi. Gjithashtu, ai vlerësoi se tashmë projektet e Mocrosoft-it në Shqipëri kanë filluar, duke nisur nga hyrja e Shqipërisë në programin e fundit të Microsoftit dhe Office 2007, si dhe me hapjen e adresës ëëë.microsoftalbania.com. Ndër të tjera, Radman tha se po punohet me intensitet në paralelizimin e strukturave gjuhësore të këtij niveli teknik kompjuterik.Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Veronika Prikrylova, Menaxhere e Përgjithshme e Microsoftit për Tregjet në Zhvillim për Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë së mirënjohur.
RD
|