|
Berni
|
 |
« më: 16-03-2007, 10:40:52 » |
|
Xhinset e Elvis Prestlit, xhaketat e "Bitëllsave", këpucët e larta, pantallonat prej lëkure të Xhim Morrisonit, bluzat e Sid Vicious dhe getat rrjetë të mbretëreshës së popit, Madonës: sa të shumta në numër janë veshjet që janë bërë të famshme, të cilat janë ngjitur pa vështirësi në botën e modës, sepse janë veshur në skenë nga yjet më të mëdhenj të muzikës rok? Është vërtet e vështirë t‘i bësh llogaritë, sepse që nga vitet ‘50 e deri në ditët tona, breza të tërë kanë vendosur ta zgjedhin veshjen në bazë të muzikës që dëgjojnë. Me kalimin e kohës dhe ndryshimin e brezave, raporti mes modës e muzikës rok është bërë gjithmonë e më i ngushtë, por njëkohësisht ka ndryshuar plotësisht. Nëse është e vërtetë që deri në fillim të viteve ‘80 imazhet e rokut lindnin në rrugë dhe në kulturën e të rinjve, në ditët tona stilistët më të famshëm të modës bëjnë garë për të veshur diva dhe yje të skenës muzikore, madje po këto yje, gjithmonë e më shpesh po pushtohen nga mania për të krijuar linjat e tyre të veshjeve. Një lidhje që u bë e famshme tre vjet më parë në një shfaqje të zhvilluar në Nju-Jork, që u titullua "Fashion Rocks" dhe edicioni i vitit 2007 pritet të zhvillohet këto ditë. Në "Rockfeler Center", muzika rok dhe moda do të "takohen" për të vënë në skenë "luftën" mes tingujve dhe imazheve, lukut e elektricitetit, modës e muzikës. Në një karusel shumëngjyrësh, të famshmit dhe të rinjtë e frymëzuar do të jenë përballë në vendin e përbashkët të rock‘n roll-it, me shfaqjet e tij më moderne. Është një lloj shfaqjeje, por njëkohësisht edhe krenari, ku vëmendja i është dedikuar në mënyrë argëtuese "përplasjes" mes xhinseve dhe pantallonave prej lëkure, për të vendosur se cila do të jetë veshja më e përsosur e rokut: xhinset e veshura me krenari nga Bob Dilan, Springstin dhe Kurt Kobain apo pantallonat prej lëkure, që i jepnin një pamje mahnitëse Xhim Morrisonit, Prestlit apo Billi Idolit. Për këtë ngjarje të madhe në "Radio City Music Holl", i madhi Elton Xhon ka organizuar një koncert të madh mes rokut e modës, një mbrëmje që e sheh si protagonist të padiskutueshëm në krah të yjeve më të mëdha të muzikës sot, Kristina Aguilerës, Bijonce, "Black Eyed Peas", Rihana, "Pussycat Dolls", personazhe të famshme të kinemasë dhe muzikës si Xhambi Foks, yll i skenës afro-amerikane, ose si Xhai Z. dhe Keni Uest: një yll si Bon Xhovi dhe yje të gjeneratës së fundit si "Scissor Sisters", deri te divat e muzikës "country", si çifti i formuar nga Tim Mc Graë dhe Feith Hill, që e kanë lënë mënjanë lukun e vjetër prej kauboj, për të bërë një pakt tjetër me modën, për të zgjedhur veshje më pak konservatore. Sigurisht, janë të largëta kohët në të cilat veshjet e yjeve të rokut ishin simbol i rebelimit. Sot, divat e suksesshme përdorin veshje të firmave më të njohura, synohen nga stilistët më të mëdhenj dhe kërkojnë të bëjnë skandale me veshjet e tyre. Imazhi rok, më pak fjalë, nuk e ka më atë impakt "revolucionar" që ka pasur në kohët e Elvis Preslit, ose "Bitëllsave", deri te shpërthimi i punk-ëve dhe duke kaluar më pas te "bijtë e luleve" në vitet ‘70. Sot, roku "vishet" mirë, duke u kushtuar rëndësi të madhe edhe gjërave më të vogla. Gjenerata e re ka bërë që Erik Klepton të veshë "Armani", ndërsa Madonna të jetë dëshmitarja më e mirë e "Versaçes". Edhe grupet muzikore më pak të njohura kanë shpesh në stafin e tyre një "disenjator mode", që i ndihmon të zgjedhin veshjen para një mbrëmjeje të rëndësishme.
G.Shqip
|