Prostitucioni në 1934-n; Tirana, në panik nga sifilizihttp://www.gazeta-standard.com/tekst.php?idt=3900DORELA PACI
E kush mund ta mendojë se sot në vendet më të populluara e më të
frekuentuara ka pasur shtëpi publike?! Ndër lagjet më të përfolura
sipas dokumenteve të prefekturës, bashkisë e komisariatit të
policisë në vitin 1934, kanë qenë "Zogu i Zi", "Bërraka", sot lagjja
në fund të bulevardit "Zogu i Parë", "Shallvaret" e shumë të tjera.
Duke qenë se këto ishin vende të populluara, në bashkinë dhe në
prefekturën e Tiranës paraqiteshin shumë kërkesa për largimin e tyre
nga ato vende dhe mbledhjen e të gjitha grave publike në një shtëpi
të madhe. Ishte koha kur zyrtarët e lartë të kryeqytetit ishin në
panik nga një "epidemi" sifilizi e sëmundjesh të tjera veneriane.
Duke qenë se nuk kishte shtëpi të stacionuara dhe mjaft prej atyre
që quheshin femra publike punonin të përhapura në zonat e banimit,
rrezikohej dhe përhapja e sëmundjeve tek njerëzit e tjerë. Kryetari
i Bashkisë së Tiranës në vitin 1934 Abidin Nepravishta i dërgon një
shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme ku e njofton se, në
rrethin e Tiranës më shumë se 50 për qind e "grave publike" nuk
shkonin te mjeku. "Kemi nderin të ju përsërisim se tue qenë se numri
i grave publike që ushtrojnë profesionin e tyne këtu, kalon qindin
dhe ato të njoftuana prej Zyrës së Shëndetësisë, bashkisë janë ma se
50 (pesëdhjetë) vetëm nja 10-15 paraqiten për vizitim e natyrisht të
tjerat si të sëmura e të mjekueme që janë, po përhapin sëmundje të
rrezikshme, veçanërisht midis djalërisë. Për me detyrue së pakut ato
të njoftunat prej organeve të Bashkisë për me ju shtrue vizitave të
rregullshme mjafton t'aplikohen ndëshkimet gjobuese të përparme në
Ligjin e rie të Bashkive, në kompetencen e Këshillave Bashkiakë.
Megjithëkëtë, një mungesë të nji rregulloreje të posaçme për
prostitutat. Lutemi në këtë rast na ndihmoni aplikimin e gjobave që
parashihen në Ligjin e Bashkive kundrejt personave që shkelin
urdhnat e Bashkive të dhanuna për nevojat e shëndetësisë publike".
Ky ishte shqetësimi që kryetari i bashkisë i paraqiste Ministrit të
Brendshëm, duke i kërkuar atij që të vendoste menjëherë rregulloren
dhe ligjet për femrat që e ushtronin prostitucionin rrugëve dhe të
atyre që nuk pranoni të vizitoheshin te mjeku. Rreziku ishte i madh.
Mjekët kishin identifikuar një numër në rritje të djemve me sëmundje
seksualisht të transmetueshme dhe kjo kishte vënë në alarm zyrtarët
lokalë.
Për të gjitha këto shkelje kryebashkiaku iu lutej që t'i lejonin të
aplikohej masa e gjobave të cilat përfshiheshin në ligjin e
bashkisë, kundër personave që shkelnin urdhrin e bashkisë, e cila
kishte dhënë për nevojat e shëndetësisë publike.
Një tjetër ankesë për shtëpitë publike në mes të Tiranës do vinte
dhe nga Komisariati i Policisë drejt Prefekturës të Tiranës. Ku në
shkresën e saj ajo bënte dhe njëherë me dije se në qytet gjendeshin
dy bordello, të cilat ishin me dhoma të pakta dhe jo të përshtatshme
për bordello. Sipas kësaj, ata kishin dhënë shkak që "gratë publike
të hapeshin sa nga njëra ana sa nga ana tjetër, duke banuar midis
lagjeve të cilat ishin të mbushura me familje me emër, të cilat nuk
kishin se si mos të ankoheshin për prezencën e prostitutave në
lagjet e tyre. Ankimet e tyre po bëheshin herë pas herë për
lagjet "Bërrakë" dhe "Shallvare".
Për këtë arsye prefektura duhej të merrte masa me qëllimin që nga
njëra anë të shmangnin ankesat nga qytetarët dhe nga ana tjetër të
kishin mundësi t'i mbronin nga sëmundjet ngjitëse, që mund të
përhapeshin prej tyre. Por prapë se prapë kjo deri diku ishte e
pamundur pasi gratë publike e ndërronin shpesh banimin e tyre. Në
këtë mënyrë, atyre nuk u mbetej shumë kohë dhe raste për gjurmimin e
grave që ishin të asaj rrugë.
Bordellot tashmë ishin bërë një problem shqetësues për familjet që
jetonin për rreth, pasi frika sa vinte e ju shtohej nga dita ne ditë
dhe për ketë bashkia duhej të merrte masa urgjente për rregullimin e
situatës. Çështja e sëmundjeve ngjitëse po bëhej e rëndësishme,
prandaj duhej t'i kushtohej një rëndësi e posaçme nga pikëpamja e
shëndetit të njerëzve.
Për këtë arsye "komiseria e policisë" (komisariati) e shikonte të
udhës që prefektura të urdhëronte bashkinë për të hyrë ajo në
marrëveshje me njerëzit, të cilët mund të bënin rregullimin e
bordellove. Në këtë mënyrë të ndërtohej një ndërtesë e madhe e cila
të mblidhte të gjitha femrat që ushtronin profesionin e prostitutës
aty. Kjo ndërtesë do bëhej për arsye se këto femra kishin më shumë
nevojë për kushte të tjera në bazë të rregullores. Për shkak të
profesionit që ushtronin duhet te ishin më të mbrojtura dhe mos të
jetonin me në ato kushte të mëparshme.
Për veç këtyre, ai person që do të merrte përsipër rregullimin e
grave ne bordello, duhej t'i vini dhe atij ca kushte në mënyrë që të
kuptonte dhe të zbatonte pikë për pikë sipas rregullores mbi
rregullimin e grave, në mënyrë që këtyre grave t'ju siguroheshin të
gjitha të drejtat për të cilat fliste rregullorja, duke përfshirë të
ngrënin, të pirin, mirë pastrimin e sidomos për sa u përkiste të
drejtave që drejtorët e bordellove merrnin të ardhurat e vizitave të
grave, e cila deri në atë ditë ishte shpërdoruar nga rojtarët e
bordellove. Deri kur u bë kjo kërkesë pranë prefekturës përgjegjësit
e bordellove kishin ndarë përfitimet përgjysmë, duke përfituar nga
të ardhurat e femrave dhe i kishin lënë ata në një gjendje të
mjerueshme. Kjo ishte dhe arsyeja që i bënte gratë të dilnin nga
bordellot dhe ta ushtronin profesionin rrugëve, duke përhapur dhe
shumë sëmundje ngjitëse e mbi të gjitha sëmundjen e sifilizit, e
cila ishte shumë shqetësuese për banoret e tjerë të ndershme dhe për
këtë arsye duhej të merreshin masa të rrepta që rregullorja të
zbatohej ashtu siç ishte shkruar në licencë.
Prostitucioni në Shqipëri, si funksiononte dhe sa i përhapur ishteDikur qytetet më të mëdha të Shqipërisë si Tirana, Shkodra, Durrësi,
Gjirokastra, Korça, apo edhe vendet e vogla si, Kavaja dhe Puka,
kishin shtëpitë publike të tyre. Këto për një pjesë të mirë të
njerëzve nuk ishin problem, por kishte dhe një pjesë tjetër që nuk
mund ta duronte dot faktin që pranë shtëpisë së tyre të banonin ato
që zyrtarisht njiheshin si "femra publike". "standard" fillon
botimin e një numri dosierësh mbi historinë e atyre që
quheshin "femra publike" dhe problemet që kishin ato.
Kanë kaluar mbi 63 vite nga ndalimi i ushtrimit të prostitucionit në
Shqipëri, njerëzit ndoshta e kanë harruar, por ka edhe nga ata
mosbesuesit të cilët nuk e besojnë se Tirana në '34, ka pasur dy
shtëpi publike, madje edhe lagje ku vepronin "femrat publike"
si "Bërraka" e "Shallvaret". E çuditshmja ndodh kur hyn dhe gërmon
brenda arkivit të shtetit, pavarësisht se një pjesë të mirë të
dosjeve të "zeza" është e pamundur që t'ju hedhësh të paktën një sy.
Në to ka emra femrash pafund, emra vendesh, pronarësh lokalesh dhe
mjekësh të cilët janë kujdesur për "femrat publike".
Përshtypje në ato dokumente të bëjnë shumë gjëra, po e veçanta
ndoshta edhe e çuditshmja qëndron në faktin se këto femra kanë pasur
vëmendje nga pushteti lokal i Mbretërisë Shqiptare. Çdo femër e
pabindur karshi urdhrave mjekësore gjobitej me të holla, masa me
burg deri dhe në heqjen e të drejtës për të ushtruar këtë profesion.
Femrat të cilat kapeshin duke e ushtruar profesionin më të vjetër në
botë rrugëve, merreshin më forcë dhe dërgoheshin në shtëpitë
publike.
Për këto prostituta nuk vihej vetëm rregullorja se ku do e ushtronin
profesionin, por dhe vendi i tyre i banimit. Asnjë pronar bordelloje
nuk mund t'i shfrytëzonte këto femra, çdo fitim ndahej në mënyrë të
barabartë mes pronarit dhe femrës. Që në vitin 1922 kur ky profesion
filloi të ligjërohej, por edhe deri në fund të viteve 30 ishte vënë
në fuqi vizita e detyrueshme të mjeku, pasi në vizitat e tyre të
para pjesa më e madhe e femrave dilnin me sifiliz, diçka që ishte
shumë e rrezikshme dhe vendi kërcënohej të përfshihej nga kjo
sëmundje. Për këtë arsye vizita të mjeku u vu me detyrim dhe asnjë
femër nuk mund ta shkelte këtë rregullore, në të kundërt masat që
merreshin nuk ishin vetëm pagimi i gjobës në të holla por dhe më
shumë se aq, deri duke i përzënë nga "vendi i punës" dhe nga
prefektura ku ato ushtronin profesionin.
Shpesh shtrohet pyetja nëse këto femra kanë qenë të huaja apo
shqiptare, megjithëse ka dhe nga ata që duan të besojnë se në ato
shtëpi publike ka pasur vetëm femra me kombësi të huaj, por kjo nuk
mund të jetë aspak e vërtetë. Prostitucionin në Shqipëri nuk e kanë
ushtruar vetëm italianët, gjermanët, malazezët, por dhe një numër i
madh femrash shqiptare. Gjithashtu edhe pronarët e bordellove kanë
qenë karshi të huajve edhe shqiptarët. Për shumë kohë vihet re se
pronarët e shtëpive publike kanë qenë meshkujt, por ky rregull
filloi të ndryshoje. Për të hapur bordello në gjykate filluan të
bëheshin kërkesa edhe nga femrat të cilat donin të hapnin shtëpitë
publike. Femrat që bënin kërkese kryesisht ishin ato femra, të cilat
këtë profesion e kishin ushtruar dhe vete. Ndoshta duke e parë si
një mënyrë të mirë fitimprurëse, filluan të mendonin se pse jo mos
të ishin dhe ato pronare. Për hirë të së vërtetës duhet thënë se ato
e njihnin më mirë hilet e këtij zanati.