Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Etikë e zhveshur shëndetësore  (E lexuar 649 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« më: 28-07-2007, 17:48:17 »
Citojeni

Etikë e zhveshur shëndetësore
Edlira Gjoni

Shërbimi në shëndetësi nënkupton natyrshëm mirësjellje, ngrohtësi, devotshmëri dhe përkujdesje njerëzore prej stafit. Pacientët shpesh kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike në vizitat mjekësore. Por, tjetër gjendje të pret me këmbët e para në një ambient tipik shëndetësie.
10 gra me bluza të bardha ngrinin zërin njëra më shumë se tjetra që të dëgjonin veten. Rreth 20 të tjera mezi qëndronin në këmbë në krahun tjetër të recepsionit. Prisnin përgjigje, shpjegim, orientim nga stafi mjekësor për shqetësimet që i kishin sjellë deri aty.
Me bark të rënduar nga shtatzënia, me dorën mbi të për të duruar dhimbjet e të ndenjurit gjatë në këmbë, me kokën lodhur keq nga udhëtimi pa fund dhe me britmat pa kriter të stafit mjekësor, dhjetëra gra i gjen kështu përditë tek "Qendra e Shëndetit të Gruas" në Tiranë.
Institucioni është shtetëror. Kjo përkthehet në vizita në masë për ata që paranë e kanë luks; rrjedhimisht, pacientet e atyshme vijnë kryesisht nga rrethet...nga më të largëtit. Ose nga rrethinat e Tiranës (me origjinë të njëjtë).
"Kalo këtej, moj shoqe! Kush të tha të fytesh aty? Doktoresha po ha drekë tani. Më vonë do të vijë"!
Ky zë autoritar, që del nga ca buzë të rrudhosura, i drejtohet kërcënueshëm një gruaje të zbehur në fytyrë, që tenton të ulet në një karrige në krahun e recepsionit. Stolat në ambientin e pritjes janë vetëm katër. Gratë janë turmë më e madhe se kaq.
Por, më shumë sesa pacientë, duket sikur ka staf mjekësh dhe infermierësh në këtë qendër, ku është e tendosur mungesa e mirësjelljes dhe diferencimi arbitrar.
Mbi 20 mjeke apo infermiere lëvizin lart e poshtëë nëpër ngushtësinë mbytëse të qendrës. Të gjitha "paraqiten" me korrektësi në holl çdo dy minuta. Shtrëngojnë duart fort në xhepa dhe ngrenë zërin pa limit kur ju insistohet në ndonjë pyetje të përsëritur: "Kur është radhe ime"?
Radha nuk duket se ekzistonte kund. Një zonjë e dorëzuar lodhjes dhe vetëkënaqësisë së të qenit "në krahun tjetër të banakut", mërmërit nëpër dhëmbë kur i kërkohet të shpjegojë me detaje bërjen e një testi që nuk është fare aq i domosdoshëm sa shitet. Për më tepër, të qenët shtetërore duhet ta detyronte automatikisht institucionin t'iu japë përparësi rekomandimeve nga rrethet. Kjo do t'i bënte xhepzbrazurit e ardhur të paguajnë më pak për testet humoristike që bëhen aty.
Por, pushteti që ju jep bluza e bardhë vetëkuptohet si pushtet absolut nga endacaket e pasjellshme të qendrës. Me një autoritet që flak nga dritarja misionin e tyre, ato duket sikur iu kërkojnë llogari pacienteve për gjendjen dhe qenien e tyre. Sipas tyre, bluza e bardhë e mbulon prejardhjen!
"Ku mund të marr më shumë informacion për këtë analizën që do më bëni"?
"Ja ku e ke!. Të shkruar në fletë. Sikur do ta marrësh vesh i se ç'shkruhet aty. Bëje se të thotë doktoresha e lëri shpjegimet"!
As norma më e ulët e bashkëbisedimit nuk pranohet. Në një orvatje për të treguar se në një qendër shëndetësore ngrohtësia është ndjenja primare që duhet të shfaqë stafi, dëgjohet reagimi ulëritës i një infermiereje thinjoshe që nuk mund të pranojë kurrësesi leksione xhentilese në atë moshë.
"Mos më trego edukatën mua ti, po hajde futu brenda tani e mbaro punën për çfarë ke ardhur". Dhe rrëmben për krahu një vajzë të re, me shapka, që mezi i tërhiqte zvarrë, me sytë nga i shoqi për t'i marrë lekët që duheshin për doktoreshën.
Në minidhomën mbytëse të ekografisë janë edhe dy gra të tjera, edhe burrat e tyre, edhe nga një mjeke e veçantë për secilën, e madje kërkohej vend edhe për një paciente të tretë me gjithë grupin e saj.
Ku ishte vendi për respektin e privacisë, të së drejtës për ta mbajtur për vete jetën shëndetësore? Kë të pyesësh? Ç’rëndësi ka kjo për mjeket dhe infermieret e irrituara me pyetjet e pacienteve?
"Shtrihu aty"!
"Prit, është dikush tjetër akoma duke bërë ekografinë..."
Më e tmerrshme se sa kushtet mjekësore në të cilat bëhet vizita, është trajtimi njerëzor që marrin gratë. Secila prej tyre duket sikur ndjehet fajtore përse po bëhet nënë apo përse vuan nga sëmundjet gjinekologjike.
Në mes të vizitës, mjekja heq shpejt dorashkat t'i përgjigjet një telefonate. Nuk ka përse të jetë urgjente. Është celulari i saj. Koleget e presin tek kafja përballë. Pacientja pret në rolin e saj të përgjysmuar deri sa biseda mbaron. Për t'u ndjekur nga një tjetër tringëllimë.
"Më fal, doktoreshë, a mund ta fikësh celularin deri sa të mbarosh me mua"?
Ca sy të zgurdulluar i tregojnë pacientes se zgjidhja më e mirë është të mos flasë më tepër, nëse do që vizita të mbarojë. Infermieria ndërhyn ashpër duke konturuar fort rolin e saj si truprojë dhe financiere e bindur, më tepër se sa shërbyese sanitare që kërkohej të ishte aty brenda.
I njëjti çarçaf riciklohet nëpër paciente, e bashkë me të, ndoshta edhe mikrobet që mbart secila. Në fund një 10 mijë lekësh i vjetër në dorë, që tashmë kalon në mënyrë zyrtare vetëm tek recepsioni (sipas udhëzimit të doktoreshës).
S'është e thënë që kjo të shoqërohet gjithmonë me faturë. Kjo nuk rezulton as e domosdoshme për sa kohë që pagesa kryhet dhe paratë ikin nga duart e pacienteve të lodhura. As një buzëqeshje nuk marrin ato që më shumë se sa gjithçka, kanë nevojë pikërisht për fytyrat mikpritëse të stafit mjekësor.
"Do vish prapë pas 10 ditësh për një analizë".
Vetëm pak interesim të tregon se ajo analizë mund të kryhet edhe në qendrën e largët mjekësore të qytetit verior. Por, jo! Pacientja duhet të vijë në Tiranë, se kështu mendon doktoresha.
Fjala e saj bëhet ligj për shqiptarët që aspak nuk e kanë idenë e bazës së shëndetit. Receta e lëshuar ka dy lloje të njëjtë antibiotikësh që ndoshta nuk është e nevojshme të përdoren. Kështu shpjegon edhe farmacistja që nuk e njeh doktoreshën (përse të blihen gjithmonë ilaçet aty ku rekomandojnë ata?)
Në një tjetër farmaci thuhet se antibiotikët i përkasin të njëjtit grup dhe bëjnë të njëjtin efektet. Është si të marrësh nja paracetamol dhe një aspirinë bashkë.
Fatura shkon e shtrenjtë. Por, pacientët shqiptarë, të dashuruar pas të qenit sëmurë, duket se e matin pikërisht këtu seriozitetit e gjendjes së tyre, tek fatura e ilaçeve.
Konsumimi i tyre risjell në skenë pas 10 ditësh të njëjtat fytyra të ngrysura grash të rënda që rrinë ashpër pas banakut të recepsionit. Përgjigjet janë sërish të egra, stolat e paktë janë zënë prej kohësh dhe prapë ka njerëz, shumë njerëz, që presin më këmbë.
Pavarësisht se është herët në mëngjes, sërish mjeket vonohen diku. Vijnë njëlloj si infermieret me duart e rrasura shumë thellë në xhepat e përparëseve të tyre. Pyesin me bezdi për praninë. Përgjigjen me përtesë vetëm ku gjendet vendi i pagesës...dhe irritohen në maksimum kur dëgjojnë një paciente të dërrmuar nga pritja: "Pse rrini të gjitha në recepsion? Apo nuk keni tjetër punë? Na lodhët në këmbë".
Nuk ra në veshë të shurdhër! Ra në veshë të irrituar, arrogant, kërcënues.
"Mbaj vendin aty, nëse do të vizitohesh. Po s'deshe, ik nga ke ardhur dhe mos na trego punën neve"!
Neveri, është pak! Abuzim, është shumë! Por janë të dyja të vërteta.
Tonet e larta të zërave çjerrës mbyten paksa kur kërkon një formular për ankesë zyrtare tek drejtoresha e qendrës ose raportim tek të tjerë jashtë saj. Kursi i bisedës ndryshon, irritimi zbutet, por sytë e tyre kërcasin nga inati nën vështrim hetues.
Kjo vazhdon vetëm deri sa ankuesit rastësorë lenë derën. Menjëherë pas tyre rifillon kori i gjatë i të bërtiturave, kaosit në hyrje-dalje, drejtimi i gishtit në sy kur kërkon pak mirësjellje dhe tregimi i derës kur refuzon të trajtohesh si qytetar i klasit të dytë.
A zhvishen nga komplekset kur heqin përparësen e bardhë? Nuk ka asnjë rëndësi, përderisa me të në trup, infermieret arrogante tregojnë vetëm mungesë të theksuar dëshire për ngrohtësi dhe komunikim.




tiranaobsever



E identifikuar

I have learnt silence from the talkative, toleration from the intolerant, and kindness from the unkind...

aida@zeriyt.com
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #1 më: 28-07-2007, 17:51:36 »
Citojeni

Ju ftoj ta lexoni artikullin e mësipërm dhe ti shprehni mendimet tuaja në lidhje me këtë teme.

Unë do ti rikthehem kësaj teme një ditë tjetër:)
Ju përshëndes
E identifikuar

I have learnt silence from the talkative, toleration from the intolerant, and kindness from the unkind...

aida@zeriyt.com
notorious

Shiko profilin
« Përgjigjja #2 më: 29-07-2007, 21:43:41 »
Citojeni

shum shkrim i gjat ky...

po për ne që skemi durim t'lexojm shkrime kolosale... a bënë me dit më pak fjal, se për çfar flitet këtu.

E identifikuar
Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Forumi:  
Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin | Qindra Mijera Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Faqe Interesante | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Euro 2008 Photo | MuzikaWeb |