Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.
Komuniteti ShqiptarKomuniteti ShqiptarProbleme dhe ZgjidhjeEmisioni “Njerëz të humbur” ne “Vizion Plus”


Faqe: 1 2 3 [4] 5   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Emisioni “Njerëz të humbur” ne “Vizion Plus”  (E lexuar 9110 herë)
0 anëtarë dhe 3 Vizitore po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #45 më: 26-02-2008, 17:26:27 »
Citojeni

Pas një shekulli, “Njerëz të humbur” bie në gjurmët e familjes Murra në Turqi

Pas një shekulli, duket se familjes Murra nga Vlora po i buzëqesh fati... Një moment që e kanë pritur me breza te tërë, atë të ribashkimit të gjakut të ndarë. Nata e së shtunës ka sjellë të rejat e fundit për pjesën tjetër të fisit të mbetur në Turqi, duke ringjallur shpresa të venitura prej kohësh. Qw nga nwntori i vitit që lamë pas, nga ana e gazetarëve të emisionit “Njerëz të humbur” është bërë një punë e mirëfilltë investigative duke kaluar shumë peripeci e burokraci shtetërore. Për herë të parë, gazetarët kanë arritur të depërtojnë në regjistrat turke të viteve 1900 dhe të zbulojnë identitetin e ri të familjes Murra. Në fakt, asnjëherë nuk ka qenë e sigurt se çfarë mbiemri kanë mbajtur ata mbas ikjes nga Konica në drejtim të Stambollit. Më në fund është mësuar se në vitin 1934 me anë të një ligji të posaçëm për ndryshimin e mbiemrave të të gjithë emigrantëve në Turqi, mbiemri i tyre ka ndryshuar nga Murra në Dum. Nevruz Murrës duket se tashmë po i plotësohet një amanet i vjetër i të atit, i cili vdiq me brengën që nuk e takoi kurrë familjen e tij... Megjithwse ka marrë vesh se xhaxhai i tij, Shahini, nuk jeton më, ai është gëzuar me faktin se nipërit janë gjallë dhe shumë shpejt mund t’i takojë ballë për ballë.
Historia
Nevruz Murra është në kërkim të rrënjëve të tij, të një pjesë të familjes, e cila mendohet të ketë ikur në Turqi. Rrethanat se si ka ndodhur ngjarja janë si më poshtëë:
Gjyshi i Nevruzit quhej Ahmet, ndërsa gjyshja Xhano. Mësohet se ata kanë patur tre fëmijë: Hysenin (babain e Nevruzit), Shahinin dhe Muharremin (i cili vdiq i ri).
Babai i Nevruzit, Hyseni, ka lindur në vitin 1881 dhe ka vdekur në vitin 1958. Nga të dhënat që disponon Nevruzi, babai i tij Hyseni ka lindur në Konicë të Janinës, në Greqi. Nuk dihet nëse mbiemri i tyre ka qenë Murro, Muro apo Mura. Hyseni në Greqi ka qenë i martuar dhe për shkak të frikës së një hakmarrjeje detyrohet të lwrë Konicën dhe të arratiset në drejtim të Shqipërisë. Në Greqi ai la mbrapa familjen, prindërit Ahmet e Xhano, vëllezërit Shahin e Muharrem, si dhe gruan shtatzënë. Në kohën kur zhvillohej Lufta e Parë Botërore, ai vendoset fillimisht në veri të vendit e më pas zhvendoset në qytetin e Vlorës, ku jetoi deri në fund të jetës. Në moshën 49 – vjeçare ai martohet me Nurihanë dhe kishte krijuar një biznes të tijin në Skelë të Vlorës. Në vitin 1930 ndodh një ngjarje, e cila do të ndryshonte rrjedhën e historisë së tij. Në atë kohë, në Vlorë kishte mbërritur një person nga Turqia i cili quhej Yzedin. Ai kishte ardhur si turist bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij. Me këtë rast, ai kishte hapur edhe një biznes të vogël në Vlorë, një punishte artizanale për riparimin e orëve në një ambient që e kishte marrë me qira. Në fakt, Hyseni e kishte njohur që në fillim Yzedinin. Ai kishte qenë një i afërm i tij në Konicë. Hyseni gjen një mënyrë shumë origjinale për t’iu prezantuar kushëririt të largët, i cili nuk e mbante mend Hysenin. Një ditë shkon në dyqanin e tij me pretekstin për t’i rregulluar një orë të vjetër. Yzedini e kishte njohur menjëherë orën dhe e kishte pyetur se nga e kishte marrë. Hyseni i ishte përgjigjur se atë orë e kishte ruajtur që nga Konica. Brenda pak minutash, dy kushërinjtë janë njohur dhe përqafuar. Mes përmallimit, Hyseni e kishte pyetur Yzedinin se ku kishte përfunduar familja e tij. Ai i ishte përgjigjur se të gjithë ishin zhvendosur në Stamboll, përveç të atit qw kishte vdekur rrugës dhe ish-bashkëshortes, e cila ishte ndarë nga jeta në momentin që lindte fëmijën. Por kushëriri i mundësoi Hysenit rilidhjen e kontakteve me të vëllain në Stamboll. Deri në vitin 1939, Hyseni në Vlorë dhe Shahini në Turqi mbanin kontakte të rregullta me anë të letrave. Për hirë të familjes që kishte krijuar, Hyseni nuk kishte pranuar që të shkonte dhe të bashkohej me vëllain në Stamboll. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939 do të çonte në shkëputjen njëherë e përgjithmonë të lidhjeve mes dy vëllezërve. Ato pak letra me adresa dhe një foto, ku Shahini kishte dalë me të shoqen dhe dy fëmijët, fatkeqësisht u dogjën gjatë luftës. Ardhja në fuqi e sistemit komunist e bëri akoma më të pamundur kërkimin e pjesës tjetër të familjes në Turqi. Përpara se të vdiste, Hysen Murro la amanet që të gjenin vëllain dhe nipërit pasi ishin gjaku i tyre...
Megjithwse ka kaluar më shumë se një shekull, amaneti i babait të tyre i ka mbajtur gjallë fëmijët dhe duket se shumë shpejt do të vihet në vend falë kërkimeve në “Njerëz të humbur”.

Gazeta Albania
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #46 më: 04-03-2008, 17:05:01 »
Citojeni

“Njerëz të humbur” gjen në Francë 25 –vjeçaren nga Mitrovica

“Po shkoj të kuroj dhëmbët te dentisti”, - këto ishin fjalët e fundit që një 25-vjeçare nga Mitrovica e Kosovës i tha familjes së saj para se të humbte përgjithmonë lidhjet me ta. Shqiptarja mitrovicare doli nga shtëpia më 6 prill të vitit 1998. Në pamjen e saj flinte një qetësi plot besim e aspak dyshuese për të afërmit e saj. Ajo papritur kishte vendosur të largohej nga vendlindja sa hap e mbyll sytë, me dëshirën për të ndjekur një ëndërr të vjetër, larg, shumë larg njerëzve të dashur.
Asnjëra prej tri motrave të saj nuk e kishte menduar se 6 prilli i 1998-s do të ishte dita e një humbjeje të tmerrshme për familjen. Violeta Peçi u largua nga Mitrovica kur ishte vetëm 25 vjeçe, pa lënë asnjë gjurmë për të afërmit, të cilët nuk rreshtën së kërkuari për të kudo dhe në çfarëdo mënyre. Pas 21 ditësh nga largimi i saj misterioz e i papritur, Violeta telefonon në familje nga Shtutgarti i Gjermanisë. Të gjithë qetësohen dhe pushojnë çdo kërkim që kishin nisur në mënyrë intensive për gjetjen e saj. Ajo u tha motrave se ishte shëndoshë e mirë dhe të mos bëheshin merak për të. Por ankthi i familjes Peçi nuk ishte e thënë të përfundonte me kaq. Gjithçka do të niste sërish nga fillimi. Violeta komunikoi rregullisht me familjen e saj deri më 4 janar të vitit 2001. Pas kësaj ditë gjithçka do të rrethohej nga një vel i frikshëm hijeje për prindërit dhe të afërmit e tjerë të Violetës. Humbja e dytë i shqetësoi edhe më tepër familjarët e saj, të cilët panë si mundësi të vetme shpëtimi vetëm emisionin “Njerëz të humbur”. Një javë më parë, gjatë orëve të vona të transmetimit të këtij emisioni, telefonuan disa persona që dëshmuan se e kishin parë Violetën në Francë. Kursi i kërkimeve të gazetarëve ndryshoi menjëherë nga Gjermania në shtetin tjetër europian, atë të Francës. “Njerëz të humbur” filloi të investigojë mbi çdo informacion të marrë për Violetën në shtetin francez. Disa persona kishin deklaruar se ajo punonte në një spital. Pas disa kërkimeve të njëpasnjëshme, ”Njerëz të humbur” arritën të gjenin vendndodhjen e saktë të Violetës. Ajo ishte larguar nga Gjermania në vitin 2001 dhe kishte emigruar në drejtim të Francës. Aktualisht është e martuar me një shtetas francez me të cilin ka një djalë, ndërsa punon si pastruese në një spital pedriatik. Për këtë lajm familja Peçi nuk ishte në dijeni, teksa njëra prej motrave të Violetës ishte duke udhëtuar kilometra të tëra për të qenë e pranishme në studion e “Njerëz të humbur”, në “Vizion plus”, me shpresën për të marrë një lajm të mirë. Pas një bisede me Aida Shtinon, Burbuqes, motrës së Violetës, iu tha se “Njerëz të humbur” kishte gjetur dhe kishte komunikuar tashmë me motrën e saj. Burbuqja foli drejtpërsëdrejti me motrën e saj Violetën dhe të dyja shpërthyen në lot teksa dëgjonin zërin e njëra-tjetrës përmes telefonit. Ata i premtuan njëra-tjetrës se nuk do t’i shkëpusnin më kontaktet. Ky ishte fundi i lumtur për familjen Peçi nga Mitrovica, duke i lënë kështu radhën të tjera familjeve që janë në pritje të flasin me të afërmit e tyre të humbur prej vitesh.

E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #47 më: 04-03-2008, 17:06:16 »
Citojeni

Largohet me eksodin e vitit ’91 dhe humb pa lënë asnjë shenjë

Ai iku në një kohë të vështirë, pa e ditur se ku po shkonte dhe se çfarë e priste. Mes largimit masiv të shumë shqiptarëve në vitet ‘90 ishte edhe djali nga Vora, Ramazan Subashi. Megjithëse e ardhmja e tij ishte e errët, ai vendosi të marrë rrugën për një jetë më të mirë. Por asnjëherë nuk u mor vesh nëse ai arriti të shijonte sadopak atë ëndërr që e kishte menduar për vite e vite…Pas 17 vitesh, ai rezulton i humbur dhe në skajet e dhimbjes së thellë familja Subashi tregon detajet e ikjes dhe të zhdukjes së djalit të tyre
Historia
Në datën 6 mars të vitit 1991, Ramazani i kishte kërkuar babait pasaportën dhe librezën ushtarake. Fadili, i ati i Ramazanit, e kishte kuptuar qëllimin e djalit për t’u larguar jashtë shtetit dhe, duke qenë se akoma ekzistonte frika e arrestimit nga sistemi i atëhershëm, refuzoi t’ia jepte. Por Ramazani i ishte shprehur se këto dokumente ia kërkonin në punë dhe kështu kishte arritur t’ia merrte. Kishte marrë rrugën për në punë dhe pasi kishte ndarë gazetat e mëngjesit ishte drejtuar për në Durrës. Po në atë mëngjes të 6 marsit, ai kishte hipur në tragetin e parë që shkonte drejt Italisë bashkë me shumë klandestinë të tjerë. Pas një udhëtimi të frikshëm ku jeta nuk ishte aspak e sigurt, fatmirësisht ai mbërrin në Itali dhe vendoset në Firence. Aty Ramazani bashkohet me katër persona të tjerë nga vendlindja e tij. Për disa muaj ai do të qëndronte në një qendër spitalore, e cila ishte kthyer përkohësisht në azil emigrantësh. Dashurinë dhe kujdesin për familjen vazhdoi ta tregonte me anë të telefonatave përreth 3 muaj në vazhdim dhe me anë të një letre, e cila ruhet me shumë fanatizëm nga familja e tij. Në muajin qershor të vitit 1991, ai largohet drejt shtetit të Zvicrës nga ku nuk kontaktoi më kurrë me familjen. Katër personat që e shoqëruan drejt Zvicrës ishin Genc Kokalari (shok klase), Gac Ndreka (kunati i Gencit), Stiljano Abazi dhe Gëzim Medili, këta të fundit nga Vora. Familja ka tentuar shpesh herë të kontaktojë me këta persona, por Genc Kokalari dhe Gac Ndreka jetojnë në Kanada dhe nuk kanë pohuar asgjë për Ramazanin. Shokut tjetër, Gëzim Medilit, pasi u kthye nga Gjermania iu përkeqësua shëndeti dhe as ai nuk tha gjë. Ndërsa shoqëruesi tjetër, Stiljano Meta, jeton në Itali dhe nuk ka pranuar asnjëherë të flasë rreth fatit të Ramazan Subashit. Një person nga Marikaj ka dalë vite më vonë dhe ka pohuar se pasi kishin shkuar në Zvicër, Ramazani kishte dashur të rikthehej sërish në Itali. Shokët e tij i kishte kapur policia, ndërsa me Ramazanin nuk dihet se çfarë ndodhi. Endjet nëpër zyrat shtetërore i lodhën familjarët e Subashit, të cilët porsa panë emisionin “Njerëz të humbur” menduan të provonin edhe këtë shans të fundit për të kërkuar djalin e tyre.
Trajtimi në studio
Qarjet dhe lutjet e nënës plakë me shami të bardhë prekën shumë shqiptarë anembanë botës, të cilët nuk u kursyen të jepnin informacionet e tyre për Ramazanin, por edhe të tregonin gatishmërinë e tyre për të ndihmuar për çdo gjë që t’u jepej mundësia. Gjatë trajtimit në emisionin e Aida Shtinos në “Vizion plus” u hodhën dy pista kryesore për vendndodhjen e Ramazan Subashit. Më të shumtat informacione vinin nga Austria ku njerëz të ndryshëm pohonin ekzistencën e 41-vjeçarit në këtë vend dhe, sipas tyre, ai ishte pajisur me pasaportë dhe ishte i martuar. Por një tjetër pistë e mundshme ishte edhe ajo e Zvicrës nga ku djali thuhet se ka humbur kontaktet. Por të gjitha këto mbeten për t’u verifikuar pasi largimi i tij është prej një kohe të gjatë dhe kërkimet duhet të kenë baza të forta.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #48 më: 04-03-2008, 17:08:28 »
Citojeni

Aida Shtino bie në gjurmët e Dorjan Nurçes në shtetin anglez

Këtë të shtunë, “Njerëz të humbur” në “Vizion plus” solli në vëmendjen e teleshikuesve historinë e humbjes së një emigranti të quajtur Dorjan Nurçe. Prindërit e tij teksa kanë qenë në studio i kanë rrëfyer Aida Shtinos historinë e humbjes së djalit. Dorjani niset në drejtim të Italisë në muajin nëntor të vitit 1998. Përpara se të largohej, ai i ka thënë prindërve se udhëtimi do të realizohej me skaf. Ankthi te Skënder dhe Elmaz Nurçe filloi të rritej pasi rruga që mori djali nuk ishte totalisht e sigurt. Pasi mbërrin atje, ai lajmëron familjen e tij për t`u thënë atyre se ndodhej shëndoshë e mirë. Gjatë kësaj kohe, ai ka jetuar në zonën e Narjanos, Romë, tek i vëllai i tij, Adriatiku. Ata punonin të dy bashkë në shtrimin e pllakave dhe kishin kontakte të rregullta me familjen në Shqipëri. Dori kërkonte të largohej në Holandë për një jetë më të mirë. Mirëpo dijeni për këtë gjë kishte vetëm vëllai i tij i madh, ndërsa prindërit nuk dinin gjë. Fillimisht, djali shkon në Angli te një person i quajtur Elidon Merko, i cili banonte aty prej vitesh. Për herë të fundit ai i ka telefonuar familjes ku i thotë se gjendej në sheshin qendror të kryeqytetit hollandez, Amsterdam. Ai kishte zënë shoqëri me dy shokë, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi. Babai e porosit që të mos merrte rrugë të keqe, ndërsa djali i premton se do të fillonte punë në një restorant italian. Më pas, çdo kontakt ndërmjet tyre u ndërpre. Pas denoncimit të rastit në “Njerëz të humbur” filluan kërkimet e para fillimisht në Itali dhe më pas në Hollandë. Dy kushërinjtë e Dorit, Idaiu dhe Ilirjani, pohuan se nuk kishin dijeni për identitetin italian të përdorur nga Dori për të kaluar në Hollandë. Këtë pasaportë ia kishte siguruar një shtetas kosovar kundrejt një shumë prej 400 mijë liretash. Investigimeve të gazetarëve iu bashkëngjitën dhe informacionet e ardhura natën e së shtunës në “Njerëz të humbur”. Fakti i parë kishte të bënte me një djalë të quajtur Genti, i cili kishte në pronësi një berberhane. Në bazë të verifikimeve paraprake rezultoi se djali kishte qenë atje vetëm pak para ditësh dhe vendbanimi i tij prej shumë vitesh ishte shteti anglez. Por ky nuk do të ishte i vetmi lajm për Dorin. Të tjerë telefonues, emigrantë shqiptarë nga Londra, pohuan të njëjtën gjë për djalin vlonjat. Pas 8 vitesh, familja Nurçe merr vesh nga “Njerëz të humbur” një shenjë jeshile, e cila pritet të konkretizohet javën në vazhdim për të pasur ndoshta në studio zërin e Dorjan Nurçes.

Gazeta Albania
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #49 më: 11-03-2008, 17:05:05 »
Citojeni

Pas gjashtë vitesh, Aida Shtino gjen Dorian Nurçen në Angli

Dorian Nurçe nga Vlora bëhet i gjallë për familjen pas gjashtë vitesh humbjeje të kontaktit. Teksa stafi i “Njerëz të humbur” në “Vizion plus” e kërkonte atë në shtetin hollandez, kërkimet e këtij të fundit gjejnë gjurmë të Dorit në Britaninë e Madhe. Mbrëmjen e së shtunës, prindërit e tij treguan për “Njerëz të humbur” emocionet e telefonatës 5-orëshe të datës 4 mars 2008, të realizuar me djalin e tyre. Por si nisi historia e tij dhe si i humbi kontaktet me familjen? Doriani niset në drejtim të Italisë në muajin nëntor të vitit 1998. Përpara se të largohej, ai u kishte thënë prindërve se udhëtimi do të realizohej me skaf. Ankthi te Skënder dhe Elmaz Nurçe filloi të rritej pasi rruga që mori djali nuk ishte totalisht e sigurt. Pasi mbërrin atje, ai lajmëron familjen e tij për t`u thënë se ndodhej shëndoshë e mirë. Gjatë kësaj kohe, ai ka jetuar në zonën e Narjanos, Romë, tek i vëllai i tij, Adriatiku. Ata punonin të dy bashkë në shtrimin e pllakave dhe kishin kontakte të rregullta me familjen në Shqipëri. Dori kërkonte të largohej në Holandë për një jetë më të mirë. Mirëpo dijeni për këtë gjë kishte vetëm vëllai i tij i madh, ndërsa prindërit nuk dinin gjë. Fillimisht, djali shkon në Angli te një person i quajtur Elidon Merko, i cili banonte aty prej vitesh. Për herë të fundit ai i ka telefonuar familjes duke i thotë se gjendej në sheshin qendror të kryeqytetit hollandez, Amsterdam. Ai kishte zënë shoqëri me dy shokë, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi. Babai e porosit që të mos merrte rrugë të keqe, ndërsa djali i premton se do të fillonte punë në një restorant italian. Më pas, çdo kontakt ndërmjet tyre u ndërpre. Pas denoncimit të rastit në “Njerëz të humbur” filluan kërkimet e para fillimisht në Itali dhe më pas në Hollandë. Informacionet nga shteti hollandez ishin mjaft të vakëta gjë që fokusoi të tërë kursin e kërkimeve të gazetarëve në Angli. Aty vinin shumë fakte rreth jetës së tij, madje reale, që kishin të bënin me javët e fundit të muajit shkurt. Në bisedat e drejtpërdrejta me emigrantë shqiptarë në Britani, Aida Shtino arriti që javën e kaluar të ndryshonte rrjedhën e kërkimeve nga Hollanda në Manchester. Dhe kjo bindje do të shndërrohej shumë shpejt në fakt konkret pasi të hënën në mbrëmje gazetarët arritën të flisnin me Dorianin në Angli. Gëzimi dhe qetësia, të cilat kishin rreth 6 vjet që mungonin në familjen Nurçe në Vlorë, u rikthyen pikërisht të martën e datës 4 mars kur Dori për pesë orë me radhë ka folur dhe është munduar të çmallet me familjen e tij. Dori punonte si badigard në një klub nate në Manchester dhe kishte rreth katër vjet që jetonte aty. Duke lënë mënjanë arsyet, në lidhjen telefonike të ditës së shtunë prindërit e Dorit arritën përpos përshtypjeve të telefonatës së të birit, t`u jepnin të gjithë teleshikuesve mesazhin që të gjithë prindërit të kontaktonin sa më shpejt me fëmijët e tyre.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #50 më: 11-03-2008, 17:06:03 »
Citojeni

“Njerëz të humbur” gjen djalin e Luftim Toçit, emigrantit që humbi jetën në Angli

Nganjëherë jeta s’të jep atë që ti kërkon ose të lë të ëndërrosh deri pak para agimit. Ajo çfarë mbetet në mëngjes është thjesht një hije, gjysmë gëzim e gjysmë trishtim…23–vjeçari nga Dibra, Luftim Toçi, do të emigronte jashtë Shqipërisë në një moshë fare të re. Nga Greqia në Itali e më pas në Angli, ai ishte gjithmonë kërkues për të arritur më të mirën për veten dhe familjen e tij. Por nuk ishte e thënë që gjërat të shkonin ashtu siç dëshironte ai. Një tragjedi do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve dhe do ta bënte familjen Toçi të drejtohej te “Njerëz të humbur”
Historia
Luftimi largohet në drejtim të Italisë në vitin 1998 dhe mbas dy vitesh zhvendoset në Angli. Atje punonte në një fabrikë për pjesë makinash “Honda”, në South Marston. Gati katër vite pasi kishte mbërritur në Angli, ai ishte njohur dhe dashuruar me një vajzë britanike të quajtur Natasha Hutchings me të cilën bashkëjetonte. Njohja e tyre ishte mundësuar në një rreth shoqëror në qytezën Swindon, në të cilën Luftimi jetoi dy vitet e fundit të jetës. Luftimi dhe Natasha po rrisnin një fëmijë së bashku, të kësaj të fundit, por ai e donte njëlloj sikur të ishte i tij. Dy javë përpara se të ndodhte fatkeqësia, çifti merr vesh se do të sillnin në jetë një fëmijë dhe ata do të martoheshin sapo të lindte fëmija. “Mendoj se i gjithë Swindoni e mori vesh se ai do të bëhej baba, pasi ishte shumë i lumtur. Fluturonte nga gëzimi që do të sillnim një fëmijë në jetë”, - u shpreh kohë më vonë Natasha Hutchings për bashkëshortin e saj.
Ditën e shtunë, më 29 maj të vitit 2004, rreth orës 7 të darkës, Luftimi bën një aksident automobilistik dhe humb jetën në një moshë fare të re, vetëm 23 vjeç. Disa ditë më përpara, ai kishte blerë një makinë të re dhe atë natë ishte duke u kthyer në shtëpi së bashku me dy shokë të tij, teksa nga shpejtësia e madhe kishte humbur kontrollin e timonit duke dalë jashtë rrugë dhe duke përfunduar disa dhjetëra metra larg në një fushë. Vdekja e Luftimit kishte qenë e papritur ndërsa dy shokët e tij fatmirësisht kishin shpëtuar. Në orët e vona të natës, Natasha kishte marrë vesh nga policia lajmin e hidhur. “Nuk dija asgjë deri rreth orës 10.45 të natës dhe më pas nuk mund ta besoja…Nuk e besova që ai kishte vdekur derisa pashë trupin e tij. Akoma më duket e pavërtetë..”, - shprehej në një të përditshme britanike Hutchings.
Trupi iu kthye familjes dhe këta të fundit humbën kontaktet edhe me Natashën. Një vit pasi Luftimi ishte varrosur, familja merr në dorë disa gazeta britanike ku ish-e dashura e Luftim Toçit pohonte se kishte një fëmijë me këtë të fundit. Ajo kishte lindur një djalë, shtatë muaj pas vdekjes së Luftimit, të cilin e kishte quajtur Risi. “Ndihem totalisht e vrarë shpirtërisht pasi ai nuk pati mundësi të shihte djalin e tij. Risi i ngjan komplet të atit. Ai do ta kishte adhuruar të birin pasi ishte shumë krenar që do të bëhej baba. Dy javë përpara se Luftimi të ndahej nga jeta, ne shkuam dhe pamë fëmijën në eko dhe ai ishte i ngazëllyer. Po planifikonim të martoheshim sapo të lindte fëmija, por kjo nuk u realizua kurrë…”, - thoshte mes lotëve Natasha në një intervistë.
Të tronditur akoma nga humbja e djalit, të afërmit u munduan me të gjitha mënyrat të gjenin një adresë apo numër telefoni në mënyrë që të viheshin në kontakt me Natashën dhe të shikonin nipin e tyre. Por kërkimet rezultuan të kota. Pas katër vitesh, ata u drejtuan në “Njerëz të humbur” për të plotësuar atë boshllëk që u ishte krijuar nga largimi i Luftimit nga jeta. Bardhi, vëllai i Luftimit, pohoi në emisionin e Aida Shtinos: “Kërkoj të gjej nipin tim, të cilin do ta kem në vend të vëllait...”.
Gjetja në “Njerëz të humbur”
Pas një jave intensive kërkimesh, gazetarët e emisionit arritën të gjejnë një adresë dhe një numër telefoni të Natasha Hutchings. Ka qenë e vështirë që Natasha të priste nga fillimi i javës deri në ditën e emisionit, të shtunën, që të fliste me prindërit e Luftimit dhe njëkohësisht gjyshërit e djalit të saj. E mpirë nga emocionet, ajo ka pohuar në studion e “Vizion plus” se dëshironte që lidhja e Risit me familjen e Luftimit të ishte e vazhdueshme. Edhe ajo duket se hoqi një barrë shumë të rëndë nga e kaluara e saj: të plotësojë një amanet të pathënë të Luftimit dhe të bashkojë gjakun e ndarë...

Gazeta Albania
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #51 më: 15-04-2008, 15:20:47 »
Citojeni

“Njerëz të humbur” bashkon familjen Murra pas 100 vitesh

Takimi i përmallshëm në Stamboll dhe amaneti i përmbushur i Shahin Murrës


Zanafilla e kësaj historie nisi gati përpara një shekulli, në Konicë të Janinës. Rrethanat e krijuara bënë që Hysen Murra të lërë familjen dhe të zhvendoset drejt Shqipërisë. Për shumë vite, ai rezultonte i humbur për prindërit dhe vëllain e tij Shahin Murro. Fati deshi që rreth viteve ’30, Hyseni të takonte rastësisht një kushëririn e tij në Vlorë dhe ky i fundit do t’i mundësonte korrespondencën me vëllain e tij. Për herë të parë, ai do të mësonte se Shahini dhe të afërmit e tij nuk jetonin më në Konicë por në Stamboll. Shahin Murra ishte martuar me një zonjë turke të quajtur Selime dhe kishte patur tre fëmijë ku mes të cilëve dihej vetëm emri i njërit që quhej Ahmet. Viti 1939 dhe pushtimi i Shqipërisë nga ushtria fashiste do të çonte në shkëputjen e përjetshme të kontakteve mes dy vëllezërve, Shahinit në Turqi dhe Hysenit në Vlorë. Me kalimin e viteve, kurioziteti i bijve të Hysenit u kthye në një amanet nga ana e tij për të kërkuar pjesën tjetër të familjes në Stamboll. Nevruz Murra dhe djali i tij, Nadiri, ishin disa nga pjesëtarët e fisit të mbetur në Shqipëri që hodhën hapin të parët për të gjetur gjakun e tyre. Viti 2008 do të sillte përmbushjen e këtij amaneti...
Udhëtimi drejt Stambollit
Në mëngjesin e 11 marsit 2008, stafi i emisionit “Njerëz të humbur” ndërmori një udhëtim në drejtim të Turqisë. Atje pritej të zhvillohej një takim surprizë që vetëm gazetarët e dinin. Pas dy orë udhëtimi, filloi të dukej Stambolli. Ankthi i Nevruz Murrës që shoqëronte stafin u rrit akoma më shumë. Ndoshta ai mendonte se kush do ta priste apo kë do të gjente nga familja e ndarë para 100 vitesh në Stambollin e 15 milionë banorëve. Ajo çfarë dinte deri në ato momente ishte thjesht sqarimi që “Po shkojmë t’i kërkojmë...”. Bashkëpunëtori i emisionit “Njerëz të humbur” në Turqi, Kadri Limani, kishte bërë një organizim shumë të mirë. “Sonte do të jeni miqtë e mi”, - ishte shprehur ai teksa kishte përgatitur një darkë speciale shqiptare në shtëpinë e tij. Për mëse tre muaj, në bashkëpunim me gazetarët ai kishte arritur të zbulonte një mister një shekullor...
Takimi para Xhamisë Blu
Një çaj tradicional turk, në afërsi të dy xhamive të famshme të Stambollit, Aya Sofia dhe Sulltan Ahmet, e njohur ndryshe si Xhamia Blu, qe pikënisja e ditës së dytë të udhëtimit drejt Turqisë. Disa shaka miqësore e më vonë një intervistë e zhvilluar mes Aida Shtinos dhe Nevruz Murrës. Ky i fundit shprehte habinë e tij për udhëtimin dhe deri diku dyshimin se mbase diçka po përgatitej të ndodhte. Si një formë parapërgatitjeje shpirtërore kanë qenë fotografitë e xhaxhait të tij Shahin Murrës dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilat Nevruzi po i shikonte për herë të parë në jetën e tij. Ai mësoi se xhaxhai i tij kishte vdekur në moshën 99-vjeçare dhe në momentet e fundit kishte thirrur emrin e vëllait të mbetur në Shqipëri. Pas disa minutash ishte surpriza e madhe, takimi i përmallshëm pas 100 vitesh mes dy familjeve që tashmë janë ribashkuar për të qënë një. Me sy të përlotur e fytyrë të qeshur, Nevruz Murra ka arritur të thotë: “Tani ndihem si Përëndia. Amaneti i babait shkoi në vend”.
Trashëgimtaret e fundit
Rreth viteve 1936, familja Murra kishte ndryshuar mbiemrin në Dum. Kjo kishte qenë një ndër pengesat kryesore për bashkimin e këtij fisi. Shahin Murra mësohet se kishte lënë si pasardhës në Turqi tre fëmijë: Ahmetin dhe dy vajzat, Fatma e Rabie. Në vitin 1998 Ahmet Murra ishte ndarë nga jeta. Të vetmet trashëgimtare ende gjallë kishin mbetur dy motrat e tij mbi 80-vjeçare, të cilat jetonin në Zongulldak. Mbi 400 km larg Stambollit, në pjesën aziatike të Turqisë, ato kishin krijuar familjet e tyre dhe jetonin me nipër e mbesa ditët e fundit të pleqërisë. Çdo orë që kalonte dukej se shkurtonte një periudhë kohore prej 10 vitesh. Emocionet ia linin vendin njëri-tjetrit në mënyrë të vazhduar. Habia dhe mallëngjimi më i madh ka qenë teksa Nevruzi ka arritur të shprehë dashurinë dhe përmallimin për kushërirat në gjuhën shqipe. Megjithëse të lindura në Turqi, dy zonjat e moshuara kishin mundur të ruanin zakonet shqiptare dhe t’i thonë kushëririt të tyre “Mirëseerdhe” në gjuhën amtare. Ato momente të papërsëritshme ishin njëlloj sikur të zbuloje parajsën, brendësinë e shpirtit e ta bëje të prekshme apo të dukshme... Shahin Murra tashmë kishte lënë prapa një familje të madhe, e cila i bashkëngjitet palës tjetër në Vlorë për të patur një identitet të përbashkët: bij të shqipes. Nuk mjaftonin fotot dhe dokumentet e pluhurosura nga koha e gjatë, por të gjithë kishin një merak të përbashkët: të shikonin varrin e Shahinit dhe të përuleshin për një moment në shenjë respekti para vendit ku prehej trupi i tij.
Të lodhur, por tejet të kënaqur, stafi i “Njerëz të humbur” ishte përgatitur tashmë për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Por përpara kësaj ishin edhe disa ndalesa të rëndësishme, të cilat i dhanë shpresë vizitës disaditore në Turqi. Vizita e gazetarëve të “Vizion Plus” nuk kishte kaluar pa u vënë re edhe nga persona të rëndësishëm në atë krahinë. Një pritje madhështore nga ana e kryetarit të bashkisë së qytetit Eregli, z. Murat Sesli, do t’i hapte rrugën një bashkëpunimi dhe miqësie mes “Njerëz të humbur” dhe komunitetit të asaj zone. Një nga momentet mbresëlënëse ishte edhe takimi me një shqiptar të hershëm në Stamboll, i mirënjohur si avokat Imer Voshtina. I lindur në Turqi dhe njohës i mbi 8 gjuhëve të huaja, ai pohonte se gjuhën e parë kishte atë të mëmës, atë që kishte arritur ta mësonte gojarisht e më vonë edhe me të shkruar. Mesazhi për të gjithë emigrantët shqiptarë jashtë atdheut nga ana e atij ishte mëse i qartë: “Të mos harroni mëmëdhenë, gjuhën dhe traditat”.
Data 16 mars 2008 do të mbyllte edhe axhendën e udhëtimit drejt Turqisë. Takime të shumta, me njerëz e dashamirës. Ajo që mbeti në mendje dhe i vuri vulën gjithë atyre emocioneve ishin disa kujtime të familjes Murra për Shahinin.
“Pothuajse përditë, Shahin Murra dilte në breg të detit e vështrimi i tij humbiste tej, në Shqipëri...Atje ku jetonte vëllai i tij, Hyseni. Me sy të përlotur e zemër të vrarë, ai kishte të vetmen dëshirë të cilën nuk rreshti së thëni derisa dha shpirt: “O Zot, më bëj zog e më jep krahë të fluturoj e të shkoj përtej, në Shqipërinë time...të përqafoj edhe një here...qoftë edhe një herë të vetme, vëllain tim...”.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #52 më: 15-04-2008, 15:22:11 »
Citojeni

Pas 17 vitesh shenja jetë të Ramazanit në një burg të Zvicrës

Pas 17 vitesh, Ramazan Subashi shfaq shenja jetë në një nga burgjet e kantonit Kitino të Zvicrës. Por si nisi historia e këtij djali? Në datën 6 mars të vitit 1991, Ramazani i kishte kërkuar babait pasaportën dhe librezën ushtarake. Fadili, i ati i Ramazanit, e kishte kuptuar qëllimin e djalit për t’u larguar jashtë shtetit dhe, duke qenë se akoma ekzistonte frika e arrestimit nga sistemi i atëhershëm, refuzoi t’ia jepte. Po në atë mëngjes të 6 marsit, ai kishte hipur në tragetin e parë që shkonte drejt Italisë bashkë me shumë klandestinë të tjerë dhe vendoset në Firence. Aty Ramazani bashkohet me katër persona të tjerë nga vendlindja e tij. Për disa muaj ai do të qëndronte në një qendër spitalore. Në muajin qershor të vitit 1991, ai largohet drejt shtetit të Zvicrës nga ku nuk kontaktoi më kurrë me familjen. Një person nga Marikaj ka dalë vite më vonë dhe ka pohuar se pasi kishin shkuar në Zvicër, Ramazani kishte dashur të rikthehej sërish në Itali. Shokët e tij i kishte kapur policia, ndërsa me Ramazanin nuk dihet se çfarë ndodhi. Gjatë trajtimit në emisionin e Aida Shtinos në “Vizion plus” u hodhën dy pista kryesore për vendndodhjen e Ramazan Subashit. Më të shumtat informacione vinin nga Austria ku njerëz të ndryshëm pohonin ekzistencën e 41-vjeçarit në këtë vend dhe, sipas tyre, ai ishte pajisur me pasaportë dhe ishte i martuar. Por një tjetër pistë e mundshme ishte edhe ajo e Zvicrës nga ku djali thuhet se ka humbur kontaktet. Por të gjitha këto mbeten për t’u verifikuar pasi largimi i tij është prej një kohe të gjatë dhe kërkimet duhet të kenë baza të forta. Një telefonues nga Dallasi tregon se ka njohur një person me emrin Ramazan në këtë kontinent. Nga viti 1998 deri ne vitin 2000 ka qëndruar në Dallas dhe në vitin 2000 është shpërngulur në Nju Jork. Ai zotëronte shumë mirë gjuhën italiane dhe fliste pak turqisht dhe gjatësia ishte e njëjte me Ramazan Subashin. Verifikimet vazhduan intensivisht, por nuk dhanë asnjë rezultat pozitiv për vendndodhjen e 40-vjeçarit. Një zotëri kontakton në redaksinë e emisionit “Njerëz të humbur” dhe tregon se Ramazan Fadil Subashi ndodhet ne shtetin zviceran, por është i izoluar, pasi kryen dënimin në një burg për vrasje. Stafi i gazetarëve ka pasur kontakte të vazhdueshme deri në atë fazë sa ky staf arriti të sigurojë mesazhin e Ramazan Subashit. Ai vijon si më poshtëë: “Mirëdita SHQIPERIA E MADHE. Po, unë jam Ramazan Subashi. E mora vesh që më kërkon e faleminderit shumë nga ju, po nuk mund të bisedoj momentalisht, po kam dëshirë të di sesi e kam mamin, babin? A i kam gjallë? Po të keni mundësi t’u bëni shumë të fala, thojani që zemra po më vajton mbas atyre dhe ju kërkoj shumë falje që i humba. Të afërmit si i kam? Të fala të gjithëve. Ju përqafoj shumë, oj SHQIPËRIA IME”?
Kontakti vijon më tej me Ambasadën Shqiptare në Zvicër, e cila nga ana e saj kthen një përgjigje zyrtare, ku thuhej se Ramazani është i burgosur në një burg të kantonit të Kitinos, Zvicër. Këtë javë “Njerëz të humbur” do të arrijë të sigurojë të dhëna të mëtejshme, të cilat do të vërtetojnë kryekëput ekzistencën e Ramazan Subashit në këtë shtet.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #53 më: 15-04-2008, 15:22:57 »
Citojeni

“Njerëz të humbur” në gjurmë të Armando Koxhajt në Francë

Familja e dinte të vdekur, por “Njerëz të humbur” gjen gjurmë të tij në Francë. Historia e Armando Koxhajt ka bërë një bujë të jashtëzakonshme natën e së shtunës, pasi për shumë vite familja ka dyshuar se ai nuk mund të ketë qenë më në jetë. Dy fëmijët e tij, Enesi dhe Sindi, të pranishëm ndërmjet dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së Armandos, kanë prekur mijëra teleshikues për të dhënë informacionet e tyre për këtë rast. Por si largohet dhe pse familja i kishte shuar shpresat për ekzistencën e tij në jetë!? Armando është larguar nga shtëpia në datën 25 dhjetor të vitit 1999 në drejtim të Vlorës. Në datën 30 dhjetor të po këtij viti Armando merr në telefon familjen dhe i thotë nënës: ”N.q.s. sot deti do të jetë me dallgë unë do të kthehem në shtëpi, n.q.s. jo do të iki në Itali”. Nëna i lutet që të kthehet në shtëpi dhe i kërkon që t`i thotë arsyet e marrjes së këtij vendimi. Që prej kësaj date familja nuk merr vesh më asgjë për djalin e tyre. Një telefonues ka pohuar se Armando ka kaluar detin me skaf. Më pas ka qëndruar në qytetin e Modenës në Itali dhe më vonë është larguar në drejtim të Francës. Ky djalë e ka njohur shumë mirë, pasi është nga Berati dhe ka qenë një ndër shokët e tij. Nata e së shtunës ka qenë shumë shpresëdhënëse ndaj historisë së Armandos. Të gjitha ishin të fokusuar në Paris, në një zonë afër Konsullatës Shqiptare në këtë qytet. Koordinatat e sakta të dhëna ka bërë që stafi i gazetarëve të Aida Shtinos të orientojnë shumë vullnetarë dhe korrespondentë të “Njerëz të humbur” për të verifikuar këtë pistë. Me gjithë orët e vona të marrjes së këtyre informacioneve, kureshtja dhe gatishmëria e emigrantëve shqiptarë nuk ka munguar duke bërë që këtë javë të vërtetojë njëherë e mirë vendndodhjen aktuale të 33-vjeçarit beratas, Armando Koxhaj.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #54 më: 15-04-2008, 15:23:51 »
Citojeni

Pas 8 vitesh zbulohen sinjale shprese për Nevruz Brahilikën

Merr rrugën drejt Greqisë në vitin 1999 dhe humb kontaktet me familjen në vitin 2000. Historia e përsëritur e emigrantëve shqiptarë në Greqi prezantohet të shtunën e fundit në programin “Njerëz të humbur” në Vizion Plus me historinë e Nevruz Brahilikës. Të shtunën në mbrëmje familja e tij si dhe dy fëmijët e vegjël prezent në studio kanë pritur plot ankth informacionet më të fundit në lidhje me 42-vjeçarin nga Laçi i Burrelit. Nevruzi largohet fillimisht drejt Greqisë në 17 dhjetor të vitit 1999 në fshatin Zagliver dhe punon si bari te një pronar i quajtur Kosta Karatekidhis. Të ky punëdhënës janë punuar edhe dy shqiptarë të tjerë, Hamit dhe Qamil Mamica.
Nevruzi vjen në Shqipëri për shkak të një konflikti me dy shokët e lartpërmendur, por pas disa javësh është rikthyer sërish në fshatin Zagliver. Pronari grek Kosta Karatekidhis nuk e ka pranuar më në fermën e tij, por e ka dërguar në fshatin Kallamata, ku ka deri në muajin mars të vitit 2000 tek Ilia Panopulos. Nga dëshmitë e fundit që familjarët kanë arritur të marrin mësohet se natën e fundit që Nevruzi është zhdukur, ai ka qenë te Hamit dhe Qamil Mamica. Menjëherë pas denoncimit të historisë gazetarët e “Njerëz të humbur” kanë mundur të komunikojnë me Ilian, i cili ka pohuar se Nevruzi ka punuar tek ai përreth 7 muaj dhe se ishte me dokumente të rregullta në Greqi. Atje ai njihej me emrin Thanasi. Ilia dëshmon se Nevruzi është larguar nga ai më 10 gusht të vitit 2001, pasi ka marrë paratë e punës së bërë prej 800 mijë dhramish dhe se vetë ai e ka shoqëruar me makinën e tij në fshatin Peristerona. Më vonë Nevruzi ka pasur ndërmend të shkonte në një fshat tjetër në Profiti. Ilia nënvizon faktin se Thanasi ka marrë një kartë 1-vjeçare 1997-1998 nga zyra e emigrantëve dhe se në vitin 2000 ka shkuar në bashkinë e Zagliverit ku ka bërë një kërkesë për dokumenta.Ai ka marrë një vërtetim, por nuk ka shkuar më për t`i vazhduar dokumentet në këtë bashki.Të shtunën në mbrëmje nuk munguan telefonta të shumta nga Greqia nga zona e Kalkidhikisë ku një emigrant shumë i ngjashëm më Nevruzin dyshohej se punonte në krasitjen e ullinjve në fshatin Petralona. Ky emigrant ishte nga Laçi i Burrelit dhe se kishte vite që jetonte në këtë zonë. Dyshimi për një punonjës në një karburant në hyrje të Selanikut se quhet Thanas, është nga Shqipëria dhe se mund të jetë Nevruz Brahilika, nuk kanë mbetur në heshtje. Dy fëmijët e tij, Denisa 13 vjeç dhe Aida 7 vjeç, kanë 8 vjet që presin një lajm nga babai i tyre, ndërsa prindërit e Nevruzit si dhe pjesa tjetër e familjes së tij duan të marrin një përgjigje qoftë edhe nëpërmjet një telefonate se Nevruzi është gjallë dhe jeton paçka rrethanave, diku larg Shqipërisë.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur. com, shkruani ne adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni ne Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

Gazeta Albania
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #55 më: 13-05-2008, 15:01:59 »
Citojeni

Merr fund ankthi, Aida Shtino gjen Arben Çelën në Kanada

18 vjet ankth, shpresë dhe lot marrin fund për nënën e babain e Arben Çelës nga Ballshi. Aida Shtino në programin e saj “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus gjen Arben Çelën në Toronto të Kanadasë. 35 vjeçari kishte humbur kontaktet me familjen e tij në 31 dhjetor të vitit 2003, por kishte që prej vitit 1991 që familja e tij nuk e kishte parë me sy atë. Mbrëmjen e së shtunës Aida Shtino realizon kontaktin me vëllain e tij ku ky i fundit rrëfen emocionet e telefonatës pas 5 vitesh mungese të Arbenit. Por si nisi rrugëtimin fati i Arbën Çelës dhe si mbërriti kjo histori në redaksinë e “Njerëz të Humbur”. Arbeni largohet nga shtëpia në datën 10 Prill të vitit 1991 në drejtim të Greqisë. Nga ky shtet ai niset me një anije suedeze drejt Anglisë udhëtim i cili zgjati për disa ditë. Pasi mbërrin shëndoshë e mirë në Londër ai nuk kontakton më me familjen e tij përreth 1 vit, por më vonë ai i dërgon asaj një letër. Në Londër Arbeni njihej me mbiemrin Ahmeti. I pakënaqur me jetën që bënte në shtetin anglez, ai vendos të largohet në drejtim të Torontos, në Kanada. Gjatë kësaj kohe ai njihet me një zonjë kanadeze e cila nga ana e saj i premton atij se nëse martohej me të ajo do t`i siguronte atij mundësinë për t`u pajisur me dokumente të rregullta. Por ky nuk do të ishte veçse një premtim dhe asgjë më shumë pasi zonja largohet dhe Arbeni nuk i merr dokumentet. Kontaktet me familjen e tij në Fier vazhdonin, por në dhjetor të vitit 2003 ato ndërpriten. Familjarët e tij duke mos pasur asnjë shpresë trokasin në “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus për të gjetur një përgjigje për këtë zhdukje të papritur të djalit. Stafi i gazetarëve dispononte edhe adresën ku kishte jetuar Arbeni, por në sajë të verifikimeve ai nuk rezultonte të jetonte më aty. Kërkimet filluan të bëheshin edhe më të vështira, pasi në telefonatën e fundit Arbeni i kishte thënë vëllait të tij se nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe se kishte dhimbje të shpeshta kokë. Duke qenë se ky keqësim i shëndetit lidhej detyrimisht me spitalet, “Njerëz të Humbur” filloi të kontrollonte të gjitha spitalet nëse në regjistrat e tyre kishte ekzistuar ndonjë person me të tillë identitet. Ndihmesë të jashtëzakonshme kanë dhënë dhe mediat shqiptare në Kanada të cilat kanë pasqyruar te dhënat dhe foton e djalit si dhe Kryqi i Kuq Kanadez. Rrethi i kërkimeve filloi të ngushtohej së tepërmi duke iu afruar gjithmonë e më shumë gjetjes së Arbenit. E nuk kishte sesi kjo histori të lihej përgjysmë pasi në sajë të kërkimeve intensive u arrit që djali 35-vjeçar të komunikonte me nënën dhe babain e tij. Në ditët e fundit të pleqërisë ata kanë marrin lajmin më të gëzuar për djalin e tyre, një gëzim i njëjtë me atë ditë kur Arbeni ka ardhur në jetë dhe që do të vazhdojë të mbretërojë pas 5 vitesh heshtjeje të tij.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #56 më: 13-05-2008, 15:02:56 »
Citojeni

Ymer Pone, djali nga Berati, i gjetur në “Njerëz të humbur” pas tre vitesh

E shtuna mbrëma në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, solli emocione që në orët e para të fillimit të saj. Histori të lëna përgjysmë në javët e kaluara u kurorëzuan me fundin e lumtur të bashkimit mes të afërmish. E tillë ishte historia e djalit nga fshati Bardhaj i Beratit, Ymer Pone. Pas tri javë kërkimesh brenda një kohe rekord u arrit të gjendej vendndodhja e tij në shtetin gjerman. Ndonëse mes shumë vuajtjesh të jetës nëna dhe motrat e Ymerit arritën të shihnin më në fund dritën në tunelin e errët që u kishte marrë prej vitesh të dashurin e tyre. Gëzimi i tyre nuk mund të përmbahej për asnjë çast. Njëra nga motrat e Ymerit, Edlira, erdhi me një pamje tërësisht të ndryshuar në studion e “Njerëz të humbur”, ndryshe nga javët e kaluara kur dhembja dhe brenga e vëllait i kishte pushtuar qenien. Këtë here kostumi i bardhë që mbante veshur fliste për gjendjen e saj shpirtërore tashmë të qetësuar. Sikurse drita e këtij kostumi, ashtu shkëlqenin edhe sytë e Edlirës, e cila nuk rreshti së falënderuari Aida Shtinon dhe stafin e saj që arriti të rivendosë kontaktet mes familjes dhe Ymerit. Mjaft emocionues ishte edhe momenti kur vetë Ymer Pone hyri në linjë të drejtpërdrejtë telefonike dhe foli me prezantuesen Shtino për disa minuta. Ai rrëfeu disa momente të jetës së tij në Gjermani pa u hyrë shumë detajeve. Ai tha se ishte emisioni “Njerëz të humbur”, që i kujtoi atij vitet e fëmijërisë dhe vitet e jetës së shkuar pranë familjes së tij, në shtëpinë e varfër të vendosur prej shumë dekadash në fshatin Bardhaj të Beratit. Ishte pikërisht publikimi i historisë së tij në ekranin e Vizion Plusit që e bëri Ymerin të telefononte familjen dhe redaksinë e “Njerëz të humbur”. Mes të tjerave ai tha se kishte pasur mall për familjen dhe i kishte kujtuar shpeshherë, ndonëse jetesa e vështirë në shtetin e Gjermanisë ia kishte bërë të pamundur kontaktin me familjen, pasi ai jeton atje si emigrant ilegal. Ymeri i premtoi në lidhjen direke së motrës, Edlirës, se do të kthehej së shpejti në Shqipëri dhe se nuk do t’i humbiste më asnjëherë, për asnjë motiv kontaktet me pjesëtarët e familjes. Në fund të bisedës telefonike në studion e “Njerëz të humbur”, Ymer Pone falënderoi për të disatën herë stafin e këtij emisioni dhe vetë Shtinon për punën e madhe që po bëhet për t’i kthyer emigrantët e humbur pranë familjes, ose për të rivendosur lidhjet mes tyre. Me këto fjalë u mbyll përgjithmonë historia “Ymer Pone” me shpresën se nuk do të ketë më ndarje për këtë familje. E ndërsa “Njerëz të humbur” do të vazhdojë të hedhë hapa të tjerë për të gjetur gjurmët e të tjerë njerëzve të cilët priten me mall dhe dhembje nga familjet e tyre në Shqipëri. Ata duan vetëm të dëgjojnë zërin e tyre, kjo është gjëja minimale që kërkojnë nga të dashurit e tyre të humbur që tu rikthehet sadopak qetësia e shpirtit.

Aida Shtino zbulon deri në 2001-shin ekzistencën e Nevruz Brahilikës në Greqi

Intervista ekskluzive me pronarët grekë për fatin e Nevruz Brahilikës nxorën në pah fakte të reja rreth qëndrimit dhe punës që ai ka bërë në Greqi. Ka qenë vetë stafi i gazetarëve të “Njerëz të humbur” në Vizion Plus dhe drejtuesja e emisionit Aida Shtino që ka investiguar te shtëpia ku ka qëndruar Nevruzi si dhe ka mundur të takojë pronarët tek të cilët Nevruzi, i njohur në Greqi me emrin Thanasi, ka kaluar ditët e fundit para se të humbte kontaktet. Për herë të parë familjarët, por edhe teleshikuesit kanë parë dhomën ku ka jetuar Nevruzi së bashku me shokët e tij. Sendet e tij në atë dhomë i kanë sjellë ndërmend familjarëve kohën kur ai fliste rregullisht me ta në telefon. Nevruzi është larguar drejt Greqisë në 17 dhjetor 1999 në fshatin Zagliver dhe punon si bari te Kosta Karatekidhis. Tek ky punëdhënës ishin punësuar edhe dy shqiptarë të tjerë, Hamit dhe Qamil Mamica. Nga dëshmitë e fundit që familjarët kanë arritur të marrin, mësohet se natën e fundit që Nevruzi është zhdukur, ai ka qenë te Hamit dhe Qamil Mamica. Nga biseda që Aida Shtino ka realizuar me Kostën ai ka dëshmuar se dy vëllezërit Mamica dhe Nevruzi kanë pasur grindje të shpeshta me njëri-tjetrin, grindje të cilat kanë precipituar deri në dhunë fizike mes tyre. Por kjo gjë sipas tij ka ndodhur në vitin 1999 pasi më vonë Nevruzi ka ardhur në Shqipëri, ka marrë paratë e punës së bërë tek pronari dhe pas dy muajsh është rikthyer sërish në Greqi tek ai. Por çfarë ndodh! Kosta nuk e pranon më në punë, por e drejton atë te një pronar tjetër i quajtur Ilia Panopulos në fshatin Kallamatu. Atje Nevruzi punon si bari delesh për gati 8 muaj dhe në datën 10 gusht të vitit 2001 nën shoqërinë e pronarit Panopulos ai ka shkuar për të punuar në mbjelljen e domateve në fshatin Skulari. Që prej këtij viti ai nuk ka dhënë asnjë shenjë jetë! Pronarët në intervistën e dhënë janë çuditur dhe surprizuar së tepërmi nga kjo zhdukje e djalit burrelas. Ajo që “Njerëz të humbur” ka zbuluar nga kjo bisedë ka qenë fakti se një vit më vonë, në vitin 2001 konfirmohet zyrtarisht nga Ilia se Nevruzi ka qenë gjallë dhe shëndoshë e mirë! Nga pronarët ai mbahej mend si një djalë punëtor, mjaft i respektuar nga të tjerët dhe korrekt në marrëdhënie me ta. Por ky investigim nuk ka mbetur vetëm te pronarët, por ka vazhduar më tej me kërkimet në terren me njerëz që mund ta kishin parë, takuar ose biseduar me Nevruzin në fshatin Skulari. Çuditshëm asnjëri prej tyre nuk e kishte parë asnjëherë atë. Bashkëbisedimi për rastin Brahilika vijoi të shtunën me tej me kërkimet që edhe korrespondenti i “Njerëz të humbur”, Jani Papa, kishte realizuar në Greqi për të zbuluar detaje të tjera për fatin e Nevruzit, i cili zyrtarisht i ka humbur kontaktet më 10 gusht 2001, një vit më vonë nga humbja e kontakteve me familjen e tij.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur. com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
E identifikuar

Vogelushja Korcare
Camarroke
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #57 më: 14-05-2008, 16:44:36 »
Citojeni

Booooooo sa njerëz te humbur paska ne Shqipërinë tonë te vockel.
E identifikuar

Nuk mund të jesh i drejtë nëse nuk je i njerezishem. (Vonenargu)
Elated
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #58 më: 24-05-2008, 19:21:12 »
Citojeni

Program fantastik, për faktin qe bën punën e shtetit. Shteti te bëj banjo dielli se i ka ikur ngjyra nga fjalët e teperta dhe aspak pune.

Një veretje kisha për këtë program, edhe pse me pëlqen shumë Aida Shtine, bëhet acaruese kur e perserit veten dhe kështu zjatet programi. Shumë shumë pak e ndjekin gjeri në fund, dhe bravo ato qe e ndjekin & kontribojne, por duhet ta filojne me herët ose te punojnë me shpejt.  buzeqeshje
E identifikuar

Muri i ulet kalohet.
Trendafili
Me&You forever,,,
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #59 më: 29-05-2008, 19:55:17 »
Citojeni

Me pëlqen shum shum si emision...
Kenaqem duke qare sa here e ndjek dhe sidomos ku bashkojne robin me robin është fantastike.... buzeqeshje
Bravo asaj drejtuese zgerdhihet
</
E identifikuar