|
M A X
|
 |
« më: 01-03-2011, 00:50:12 » |
|
Endri Xhafo
Një mik më lëvdonte përpara disa ditëve përparësitë e sistemit proporcional rajonal, i cili mund të prodhojë dy mandate rresht, madje, nëse qeveriset mirë, edhe një mandat të tretë; kjo ishte provuar në Spanjë. "Veç në plastë ndonjë bombë në stacionin e trenit të Madridit", e mbyllte ai argumentimin e tij, duke qeshur.
A është videoja e zëvendëskryeministrit Meta "bomba në stacionin" e Kryeministrit Berisha? Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ka ende kohë. Por për zgjedhjet e këtij viti kjo është padyshim gjëja e fundit që mund t'i ndodhte mazhorancës.
Megjithatë, në një analizë post-factum mund të konkludohet se për këtë video, ndryshe nga ajo e Ylli Pangos, përgjigjja ishte e mirëmenduar. Kryeministri pohoi se e dinte ekzistencën e saj. Për rrjedhojë, edhe vetë zoti Meta ka pasur dijeni se ky regjistrim mund të dilte një ditë në shesh. Dritan Prifti nuk ka hezituar t'i përmendë ish-shefit të tij, edhe publikisht, se dispononte provat e presionit që kishte pësuar. Nuk dihet se përse Dritan Prifti kaloi direkt nga shantazhi në vepra? U kërcënua nga LSI-ja për kushedi ç'arsye, apo u josh nga PS-ja tani në prag të fushatës elektorale?
Sidoqoftë, kjo nuk i heq gjë faktit se me përjashtim të publikut të gjerë, për vetë protagonistët publikimi i videos nuk ishte ndonjë surprizë e madhe. Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, në zyrën e Ilir Metës dhe largimi vetëm pas përfundimit të emisionit “Fiks Fare”, ishte shenjë e pastër e një mbështetje jo vetëm individuale. Kapërcimi në këmbë i bulevardit për të shkuar nga njëra zyrë në tjetrën, ndonëse në një kohë me shi dhe nën vëzhgimin e kamerave, duhet t'i qetësonte që atë natë pasionet e tërë atyre që prisnin të ndodhte diçka. Pas largimit të kolegut Basha, doli edhe ministri Meta, i buzëqeshur dhe duke ia bërë me dorë kamerës. Kishte marrë garancitë se Kryeministri nuk do ta shiste.
Fati i Ilir Metës është se drejton LSI-në. Po të kishte qenë ministër i PD-së, ai edhe mund të ishte shkarkuar për një minutë e gjysmë. Duke qenë se politika është çështje perceptimi, Kryeministri ka dëshmuar se aty për aty i intereson perceptimi i opinionit publik për atë vetë dhe për qeverinë e tij. Rasti i ministrit Pango, i shkarkuar me bujë e zhurmë, dhe i riintegruar në heshtje, është ilustrim i kësaj. Por politika është edhe një çështje votash, të cilat Kryeministri nuk i ka, i vetëm.
Nëse Kryeministri e shkarkon Ilir Metën, që njerëzit të kenë një perceptim pozitiv për luftën ndaj korrupsionit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Por me çfarë kosto politike për demokratët? Sado që të përpiqen ta shkarkojnë fajin te LSI-ja dhe t'i veshin asaj tërë korrupsionin e prezumuar qeveritar, shkarkimi i Ilir Metës do të ishte ekuivalent me pranimin e një klime klienteliste endemike që krijoi kushtet e përshtatshme për lulëzimin e një korrupsioni qeveritar, m’u nën hundën e shefit të qeverisë. Kjo është e papranueshme. Kostoja politike do të ishte dalja në opozitë e demokratëve.
Por, Kryeministri Berisha nuk mund të dalë në opozitë për faj të Ilir Metës. Kryeministri mund të pranojë edhe një humbje në zgjedhjet lokale, por kurrsesi të humbasë pushtetin qendror. Me një bilanc pozitiv investimesh publike që prej vitit 2005 dhe arritjesh konkrete në integrimin euroatlantik, Kryeministri thur plane zhvillimi dhe duket se beson edhe vetë në misionin që ka për ta drejtuar këtë vend.
Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ka ende mjaft kohë dhe në një vend ku mungon kujtesa kolektive dhe opinioni publik është thjesht një koncept, koha mbetet ilaçi më i mirë për të shëruar plagët. Pastaj asgjë nuk e detyron PD-në që në 2013-n të hyjë në një koalicion zgjedhor me LSI-në. Demokratët mund të kenë koalicionin e tyre dhe LSI-ja, me ambicien për të testuar veten, mund të ketë të sajin. PD-ja veç mund të përfitojë nga kjo. Nëse LSI-ja nuk kalon pragun, apo numrat e saj në Parlament do të ishin të panevojshëm për mazhorancën qeverisëse, PD-ja do ta krijonte qeverinë e vetme. Një qeveri e dalë vetëm nga një forcë politike është më e lehtë për t'u menaxhuar politikisht. Po ashtu, edhe një jetë parlamentare bipolare është më e thjeshtë. A nuk ishte eliminimi i partive të vogla një nga synimet e sistemit të ri elektoral?
Por edhe mbajtja e Ilir Metës në qeveri nuk do të jetë pa kosto afatshkurtër. Nga pikëpamja procedurale kaseta në vetvete nuk është një provë për ta inkriminuar Ilir Metën. Në aspektin penal, varet se çfarë vijimi do t'u japë prokuroria deponimeve të Dritan Priftit. Por video është eksplicite, sado që Kryeministri dhe zëvendësi i tij përpiqen ta shesin si false, të manipuluar apo të montuar. Video i ka të tërë përbërësit që, në një demokraci të konsoliduar, do ta kishin hedhur në erë qeverinë dhe më gjerë. Ndaj në aspektin e përgjegjësisë morale dhe politike Kryeministri ka implikuar ndërkaq, përveç qeverisë, edhe kandidatin e pashpallur të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Deri përpara publikimit të videos, mbështetja e LSI-së në Tiranë mund të ishte vendimtare për kandidatin Basha. Pas publikimit, jo se kjo mbështetje nuk i duhet më, por nga shfaqja në krah të Ilir Metës, Lulzim Basha ka më shumë për të humbur sesa për të fituar. Binomi Basha-Meta, tani i jep opozitës më shumë argumente për të vazhduar akuzat se në Shqipëri është instaluar një politikë pandëshkueshmërie. Në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, kjo rrezikon të shndërrohet në "bombën" e Kryeministrit Berisha.
Në mars të vitit 2004, bomba në stacionin e trenit të Madridit tri ditë përpara zgjedhjeve, i kushtoi Kryeministrit Aznar zgjedhjet. Partia e tij popullore synonte një mandat të tretë. Sistemi elektoral, njësoj si i yni, e favorizonte, kurse sondazhet, e jepnin lehtësisht fituese. Por bomba që plasi e ndryshoi tendencën dhe në pushtet erdhën socialistët e Zapateros.
Sistemi proporcional rajonal që i kishte dhënë provat në Spanjë, në Shqipëri tregoi se një mazhorancë e brishtë prodhon aleanca kundër natyre. Në këto kushte, marrëdhënia e Kryeministrit demokrat Berisha me socialistin Meta i ngjan atij premtimit që çifti i bën njëri-tjetrit gjatë kurorëzimit të lidhjes, se do ta pranojnë dhe do të durojnë njëri-tjetrin, në të mirë dhe në të keq. /G.Shqip
|