|
Berni
|
 |
« më: 24-09-2007, 13:41:55 » |
|
Kantautori numëron 15 milionë disqe të shitura nëpër botë
Ylli i rrokut flet për peripecitë e karrierës së tij dhe dhimbjen e madhe për humbjen e Pavarotit
Personalisht, teknologjinë e urrej. Më kanë dhuruar dy iPod, por nuk i mbajta", thotë Xukero. "Babi, po pse nuk m‘i dhe mua?", ankohet Blu, djali i tij nëntëvjeçar. "Shpirt, një ia dhashë Aliçes dhe tjetrin Irenës". "Ufff", shfryhet vogëlushi, ndërsa luan me Kikon, qenin rrugaç që tashmë është përshtatur me luksin dhe që nuk denjon të lëvizë nga jastëku i butë i kolltukut. Me bashkëshorten Françeska Mozer dhe djalin Blu (Aliçe dhe Irene, vajzat që ka me gruan e parë, tashmë janë në moshë madhore), Xukero ka preferuar të jetojë në periferi, i rrethuar nga malet, në një zonë afër kufirit, midis Emilias, Ligurias dhe Toskanës. Vendlindjen e ka rreth një orë larg me makinë. Në rezidencën e tij, pranë lumit Verde, ku madje ndodhet edhe një mulli i restauruar në mënyrë perfekte, ndihet një atmosferë familjare dhe njëkohësisht ndërkombëtare. Kjo për shkak të asaj studioje regjistrimi që ndodhet në atë shtëpi të bluzit plot me kujtime, që ka pritur Bono dhe Sting, Erik Klapton dhe Brajan Mei të Kuins. Por gjithsesi jemi në Itali, pranë Pontremolit, komunë e drejtuar nga duka i Parmës dhe Toskanës. Kalojmë qendrën dhe pastaj në të djathtë shtrihet varreza, tek e cila të shpie një rrugë plot me gëmusha rozmarine. Në Nju-Orlinsin e tij të vogël, Xukero u përgatit për tre koncertet e tij të tri ditëve më parë në Verona. Madje po përgatitet edhe për provën e madhe të datës 28 shtator në Nju-Jork. Për këngëtarin ky është një vend çlodhjeje, frymëzimi dhe përgatitjeje. Tavolina është shtruar mirë, spageti ragu, proshuta të ndryshme, djathëra të zgarës, perime dhe fruta të mbledhura nga oborri i shtëpisë. Kujtohet për aksidentin që ndodhi një muaj më parë te "Strofulla e Dhelprës", një lokal VIP-ash, ku filloi të grindej me publikun. "I provokova disi, vetëm e vetëm për të gjallëruar sadopak mbrëmjen. Jepini, dëfrehuni edhe pse jeni të pasur, le të bëjmë pak rrëmujë". Shkurt, gjithçka nga fjalori im i zakonshëm. Në përgjithësi nuk jam i druajtur. Pastaj pati një reagim nga tavolina e Santanke: "Komunist, komunist, komunist". Pas kësaj m‘u errën sytë. Më ngushëlloi fakti që njerëzit e rrugës, ata të festave fshatare këtej rrotull dhe pleqtë më mbështetën me thjeshtësi. Xukero është kundër konformizmit dhe arrogancës së politikanëve. "Ishte këngëtari im i preferuar, por tani nuk i këshilloj askujt të blejë albumet e tij", tha Santanke. "Por çfarë kujtonte ai, se isha një guaskë nga porosia e tij njëmijë euroshe? Rroku në teori është një rrumë muzikore "kundra", por tashmë e balancuar nga disa norma fjalori. Një herë e një kohë ka qenë Guçini dhe De Andre që e "fshikullonin" shoqërinë me këngët e tyre. Pastaj ka qenë Xhino Paoli, i cili publikut të Busolës i bërtiti: "Borgjezët e m...". Unë jam për së mbari, nuk heq dorë nga thjeshtësia ime, nga fjalori im. Unë i paedukuar? Ma kanë thënë disa herë këtë. Një herë ndodhi kur doja të publikoja një këngë të titulluar: "Pipo çfarë k... bën" dhe ata të shtëpisë diskografike bënë gjithçka për ta ndaluar daljen në treg. Ngulnin këmbë që teksti të ndryshohej me "Pipo çfarë po bën". Në atë kohë nuk isha shumë i pushtetshëm për të influencuar, por arrita që mos ta ndërroja tekstin. "Rruga ime drejt suksesit ka qenë vërtet e gjatë. Fillova në moshën 16- vjeçare, pikërisht në vitin 1971. Luaja me saks atëherë, ndonjëherë improvizohesha si baterist ose kitarist. Pastaj, një ditë, këngëtari i orkestrës nuk u paraqit, sepse kishte bërë fjalë me të fejuarën dhe mua më detyruan ta zëvendësoja. Ishim në Alhambra, jo shumë larg prej këtej. Kështu filloi pelegrinazhi im nga një grup muzikor te tjetri. Me "Sugar & Candies" (1977) regjistruam 45 disqe, prej të cilave nuk u shit asnjë (tashmë i gjen te eBay me çmim fillestar 50 euro). Verës luanim çdo natë te "Busola". Atëherë të parapëlqyerit ishin Fred Bongusto dhe Pepino di Kapri, ndërsa ne plotësonim orarin deri në pesë të mëngjesit. Më pas fillova të shkruaja tekste për të tjerë si: Bongusto, Mikele Pekora, Fiordaliso, Stefano Sani etj. Por, gjithsesi, unë qëndroja në hije. Më donin vetëm si autor. Unë jam një i pasionuar pas muzikës. Futem në studio nga ora dhjetë e paradites dhe përfundoj nga darka. Nuk jam nga ata që e shkruaj një këngë ashtu si një rrufe". Asnjë artist italian nuk ka bashkëpunuar kurrë me aq shumë yje të muzikës rrok dhe xhaz, sa ka arritur Xukero. Ai ka bashkëpunuar me më të famshmit dhe gati me të gjithë ka arritur të bëjë një duet. Në fillim u duk si një lakmi e madhe provinciale. Dikush shkroi: "Nuk e kuptoj pse Miles Davis luajti me të, ndoshta i ka dhuruar një Ferrari...". Por atëherë unë nuk kam pasur asnjë kacidhe! Miles ra nga qielli. Isha në Maldive me time shoqe, sapo ishim ndarë atëherë dhe po mundoheshim të ribashkoheshim. Mimo D`Alesandro, që ishte promovuesi i Davis në Itali, ishte në makinë me trombistin dhe ndërkohë po dëgjonin një diskun tim. Kur filloi kënga "Duna të zhvendosura", Miles i pyeti: "Kush është ky? Dua të luaj më të". Mimo më telefonoi në orën katër të mëngjesit. Aq doja unë. Ndërpreva pushimet për t‘u nisur dhe aty martesa ime u shkatërrua përfundimisht". Pasioni i Adelmos lindi në famulli. Priftërinjtë në atë kohë akoma nuk e dinin që rryma bluz ishte muzika e djallit. "Shkoja dhe ndiqja seminaret në kishën afër shtëpisë time, për t‘u shlyer me priftin, i cili më lejonte të përdorja një organo shumë të bukur, madje me dy tastiera. Atëherë mësova të luaja këngët e Prokol Harum. Të fusha në të cilën grumbulloheshim për të luajtur me top, unë dhe tre shok të mi të tjerë organizonim minispektakle, nëse mund t‘i quaj kështu. Isha nëntë vjeç atëherë dhe isha i zoti të imitoja. Specialiteti im ishte Rugero Orlando. Pastaj filluan vitet e vështira. Një nga anëtarët e grupit tonë, pikërisht ai që i binte organos, humbi jetën në një aksident rrugor, 500 metra larg shtëpisë së tij, pikërisht natën e Vitit të Ri. Nuk na paguanin mirë dhe sikur kjo të mos ishte pak, të gjitha ëndrrat tona u zbehën kur lokali u përpi nga flakët. Ne humbëm një piano fringo të re, madje edhe dritat. Kemi qarë si të çmendur atë natë. Kishim akoma kredi për të shlyer. Gjatë varrimit të Luçianos, më erdhi në mendje një kooperativë ku vinim për të dëgjuar Verdin dhe Puçinin. Gratë, që të dielave në mëngjes fillonin të këndonin pjesë operash, ndërsa gjyshja ime, Diamante, përballë gramafonit, dhe gjyshi im, Kanela, që dimrit shkonte në teatër, ishin të gjitha gjëra të asaj kohe, jeta e atyre viteve. Unë nuk kuptoja gjë, por e ndjeja që muzika bluz më pëlqente vërtet shumë. Në fakt filloi të përhapej shumë si rrymëë muzikore. Në Modena dëgjohej shumë, Parma, në zonën e Emilias etj. Në darkë, pas ceremonisë mortore të të ndierit Luçiano Pavaroti, Xukero, Bono, "The Edge" dhe zonjat e tyre, shkuan për të drekuar në "Klub Europa", me Nikoleta Mantovanin, për të kujtuar vitet e Pavarotit dhe shoqërisë së tij. "Dhe ja një ditë që më kujtohet kur kam ndjerë një refuzim nga ana e mjeshtrit. Një ditë, ndërsa prisja për të folur me drejtorin e përgjithshëm, dëgjova nga dera gjysmë e hapur që mjeshtri i thoshte: "Dërgojeni në shtëpi, në fund të fundit ky nuk ka për të shkuar gjëkundi". Kam qarë gjithë natën prej asaj që dëgjova. Isha i martuar, madje kisha edhe një fëmijë. Më tha: "Duhet të gjesh një punë serioze, 150 mijë lireta në natë nuk mjaftojnë më". E luajti letrën e fundit në një udhëtim për në San Françisko. Një mik i tij, që shiste pantallona xhins, i dhuroi një biletë që e kishte fituar në një lotari që e kishte organizuar kompania "Levis". "Atje u vura në kërkim të Korado Ruçistit dhe falë tij dhe Narada Majkëll Ualden. U regjistrova falas në studion e tij. U ktheva në shtëpi i gëzuar bashkë me regjistrimin tim, që brenda kishte edhe "Donne". E shpërndava në të gjitha shtëpitë diskografike duke përdorur emrin e atij që më kishte ndihmuar. I pari që më kërkoi ishte njëri që më kishte hequr një herë qafe, por nuk e kishte kuptuar që isha unë". Adelmo "Xukero" Fornaçari, sot e kësaj ditë ka shitur 15 milionë albume në të gjithë botën. Ka një histori të bukur për të treguar, nga ditët më të këqija e deri te koncertet në "Carnegie Hall". "Kurrë nuk kam ëndërruar të bëhem një rrokstar. Nuk mbaja poster të Elvis Preslit dhe Bitëllsave në dhomën time. Doja të bëja disqe dhe të ndërmerrja turne, të isha një muzikant i ndershëm, madje të punoja me kohë të plotë. I madhi Luçiano ishte bërë një pjesë e familjes. Kur Nikoleta i propozonte listën e këngëtarëve që do të merrnin pjesë në projekt, ai më thërriste dhe fillonte të këshillohej. Fillonim të përmendnim të gjithë emrat. "Si thua, a e marrim këtë Bobi Babi Bubi… Bavi, si quhet? David Boui? Po, pikërisht ai. I thashë: "Duhet të bësh "You Are So Beautiful" me Xho Koker". "Po…, boh… A thua? Po kush është? Hë, më dërgo ndonjë regjistrim për ta dëgjuar". E imiton jashtëzakonisht mirë mjeshtrin, duke shqyer sytë dhe duke bërë xhestet e tij, madje arrin t‘i ngjajë edhe fizikisht. "Sa shumë kurajë më ka dhënë Luçiano. Ishte gjithmonë dinamik. Nuk rrinte kurrë pa bërë ndonjë projekt. Të gjithë ishin të gatshëm të paguanin me flori për të bërë një duet me të. Një herë Brajan Adams më thotë: "Im at më konsideroi një këngëtar serioz vetëm kur më pa në skenë me Pavarotin". Më kujtohet një darkë në apartamentin e tij në "Central Park". Ka qenë i jashtëzakonshëm… Nxjerr në shesh dy çanta që i kishte marrë me vete nga Italia. Kishte sjellë salcë, spageti, sallamra të ndryshëm dhe djathëra. "Mos e prek sallamin, do të nisim të hamë të gjithë së bashku", urdhëronte. Ishte sikur të ishim një familje e vjetër. Unë e shikoja i habitur, një gjigand i operës që ndante makaronat. Sa dashamirës. Pas darkës e shihja në kolltukun e tij tek eglendisej me puron nëpër dhëmbë dhe një gotë "Varneli" në dorë. Me Bonon kujtuam atëherë kur ishim në helikopterin ushtarak që do të na shpinte në inaugurimin e shkollës muzikore "Moxart". Kur ndodheshim në një lartësi të konsiderueshme, madje kishte edhe re përreth, Luçiano zhyt duart në çantën e vet duke kërkuar me vëmendje. Menduam se po kërkonte ndonjë ilaç qetësues. Përkundrazi, nxjerr nga çanta një copë të mirë parmixhano: "Ky vjen nga Rexho!", bërtet i gëzuar dhe fillon ta ndajë me gjithë të tjerët. Tashmë që Luçiano ndërroi jetë, nuk do të bëj duete për një kohë të gjatë.
G.Shqip
|