|
ketrusha
|
 |
« më: 02-02-2008, 12:55:37 » |
|
Xhorxh Gordon Bajron Nga ''Shtegtimi i Çajld Haroldit''(*)
Lamtumirë, Atdheu im
O lamtumirë! Atdheu im Po zhduket dalngadalë: Gjëmon stuhia me tërbim, Çaçri gërhet mbi valë; Pas diellit që po flakëron, Po nisemi të lirë; Dhe ty, si atij që përëndon, Atdhe, Natën e Mirë!
Kur nesër rishtaz ai diell Do lindë me shkëlqim, Do përshëndesim det e qiell Po jo atdhenë tim, Në vatrën time nuk ka zjarr, Nëpër avllit' e forta Të kullës sime rritet bar, Im qen po leh te porta.
"Ti pazh i vogël, pa m'u qas! Pse qan e po vajton? Mos të tremb deti me tallaz, A shqota të tmerron? Pa fshiji lotët; anija jonë E shpejtë është dhe e fortë: Nuk ka skifter që fluturon Më shpejt e më gazplotë".
"Le të kanosen erë e det, Nuk trembem nga asnjë shqotë; Po, zoti Çajld, mos u çudit Që po më rrjedhin lotë; Prej babës e prej nënës ik, U ndava prej shtëpisë; Tani s'më mbetet asnjë mik, Veç teje e përëndisë.
T'im at' e pashë që duron, Kur më bekoi me mall; Po nënën kush m'a ngushullon Gjer sa të kthehem gjallë!"- "Pusho, pusho ti djal' i mirë! Të kanë hije lott; Po të isha vetë zemërdlirë, Nuk do t'i mbaja dot.
"M'u qas, m'u qas, ti trim besnik; Përse më qenke zverdhur? Mos trembesh nga një frëng armik, Apo nga det' i ndezur?" - "Sër Çajld, nuk jam aq frikacak. As zverdhur jam prej frikë; Po kur kujtova gruan larg M'u zbeh faqja besnike.
Rron ime shoqe me tim bijë Në kullë te këneta: Nd'e pyeçin ç'u bë babai, Ç't'u thotë nënë-shkreta?" - "Pusho, trimi im, të mora vesh, Ta njoha brengën tënde; Por unë zemërlehti qesh Që shkoj nga këta vënde".
Kush u beson psherëtimave Të femrës që mbush sytë? Ia than lotët qepallave Ndonjë dashnor i dytë. S'qaj për gëzimet që humbas, Rrezikun që më vjen; Po vetëm qaj se nuk lë pas Asnjë që lotn' e vlen.
Në botë mbeta fill i mjerë, Në detin pa kufi; Përse të qaj pra për të tjerë- Për mua s'qau njeri. Do t'angullijë ndoshta sot Im qen gjer sa të gjejë Ushqim nga ndonjë tjetër zot; N' u kthefsha do më shqejë.
Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo Në detin plot buçim; Dhe shpjermë në çdo vend që do, Veç jo në vendin tim! Të falem det i kaltr' i zi! Dhe kur të shkel i lirë Në dhé, të falem, shkretëti! Atdhe, Natën e Mirë!
|