Doni
Gjinia:
|
 |
« Përgjigju #18 më: 17-01-2005, 04:33:12 » |
|
Studioja daneze, HLT shpallet fituese e projektit për kullën 85 m, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës
"Sytë e Tiranës", danezët fitojnë projektin e kullës 85 m
Bruna Prifti
"Sytë e Tiranës", është projekti fitues, që shënon hapin e parë për ndërtimin e qendrës së Tiranës, në përputhje me masterplanin e miratuar. Pas një dite të gjatë prezantimi e katër orë debati juria shpalli fituese projektin e studios daneze, "Henning Larsens Tegnestue". Projekt që skicon një kullë elegante në formë tulipani, që sheh malin, qiellin dhe sheshin. Në garë me katër studio arkitekturore, njëra shqiptare, studioja nga Danimarka arriti të fitonte, duke marrë 7 vota të jurisë, e duke lënë pas projektin e studios holandeze. Më pak vota mori projekti spanjoll, që ravijëzonte një ndërtesë plot ngjyra e ekzotike, ndërsa projekti i studios shqiptare doli jashtë konkurrimit që në raundin e parë të votimit të jurisë. "Jam në radhë të parë shumë i kënaqur dhe shumë i nderuar që ne mundëm të realizojmë këtë konkurs ndërkombëtar të jashtëzakonshëm për nga niveli, jam shumë i nderuar që munda të marr pjesë në një diskutim po kaq të jashtëzakonshëm për nga vetë niveli i jurisë",- tha Rama, mbrëmjen e djeshme menjëherë pas shpalljes së fituesit, duke theksuar se projekti fitues hyn tani në rrugën për t'u bërë një projekt përfundimtar. "Tulipan", në mes të Tiranës Gjallëria e jetës në Tiranë, larmia, malet e ashpra përreth e deti kanë qenë elementët kryesorë që kanë frymëzuar arkitektët e studios daneze për projektin e tyre. "Të gjitha këto të bëjnë optimist për një objekt të ri në Tiranë. Këtë projekt ne e kemi quajtur "Sytë e Tiranës", sepse ndërtesa duhet të shikojë malin, qiellin dhe sheshin",- u shpreh gjatë prezantimit, përfaqësuesi i studios daneze, HLT, themeluar që në vitin 1959. Projekti përbëhet nga një kullë e një ndërtesë frontale përballë sheshit "Skënderbej". Kulla dhe tërë kompozicioni i projektit synon të krijojë hapësira që e ndërlidhin projektin me qytetin. Tërë ideja e projektit është ruajtja e hapësirave urbane e nivelit të qytetit, por të gjitha këto të jenë edhe pjesë e kullës. "Forma e kullës frymëzohet nga lulet, tulipanët", -tha përfaqësuesi danez. Formë kjo që synon të krijojë një masë më të madhe ndërtimi në pjesën e sipërme të kullës, me qëllim që t'u ofrojë më shumë njerëzve mundësinë për të parë sheshin, malin dhe gjithë qytetin. Forma e kullës në projektin danez është e vogël në bazë dhe vjen dora-dorazi duke u zgjeruar deri në majë. "Të tre objektet e projektit tonë lidhen me sheshin e madh dhe të treja ato lidhen mes tyre nën tokë dhe me disa ura që mund të ngrihen",- sqaroi përfaqësuesi i studios. Sipas tij, projekti parashikon krijimin e një kompleksi "oaz", një pjese të tërhequr në qendër, ku të mund të rehatohesh, me ajër të pastër, me kushte të mira çlodhjeje, me praninë e dendur të gjelbërimit dhe të ujit. Votimi Janë dashur orë të gjata debati, derisa juria ndërkombëtare të arrinte tek fituesi. Sipas anëtarëve të saj, është pasur parasysh, përputhja dhe harmonia që do të krijonte projekti në fjalë me praninë e qendrës së Tiranës si dhe forca shprehëse e arkitekturore e vetë studiove. "Pasi juria të bëjë raportin final me sugjerimet përkatëse dhe të sjellë në Tiranë të parin zhvillim të këtij shekulli",- tha Rama, duke shtuar se tani jemi një hap më pranë Evropës pa më të voglin dyshim. "Votimi u zhvillua me dy raunde, por unë ashtu si në konkursin e parë votën ua lashë profesionistëve",- theksoi ai. Në projektin fitues, është vlerësuar fakti që kulla e lartë, nuk konceptohej thjesht si një kafaz pëllumbash, ku do të strehoheshin ata që do të blinin, apo do të merrnin me qira apartamentet. Ajo, sipas Ramës, konceptohej si një hapësirë ku ka plot mjedise në funksion të publikut, restorante, pishina, parqe brenda në kullë, apo në tarracë dhe në tarracat e godinave përreth. "Eshtë një koncept krejt tjetër, është Europa që fryn në Tiranë",- tha Rama.
Vendparkimet Vendparkimet duhet të jenë 5 kat nëntokë, nga niveli â⬓2 deri në â⬓5, duke zënë të gjithë sipërfaqen brenda kufirit të pronës dhe nën shtratin e rrugës midis dy objekteve. Kati â⬓1 do të jetë nivel tregtar që do të shtrihet në të gjithë sipërfaqen. Hyrja në parkim duhet të zgjidhet duke u mbështetur në zgjidhjen e propozuar nga studimi urbanistik i qendrës. Sipërfaqja e kateve mbi tokë (43 mijë metra katrorë kulla e kompleksi urban dhe 7 mijë m2 objekti 9-12.8 m i lartë) duhet të ndahet midis ambienteve tregtare zyrave dhe zonës rezidenciale në rastin e kompleksit dhe në ambiente e aktivitete tregtare në rastin e ndërtesës tjetër.
Aktivitetet tregtare Zënë të gjithë objektin 9-12.8 m dhe 30% të sipërfaqes së kompleksit të kullës. Në katin përdhe duhet të ketë hyrje nga rruga dhe në zonën tregtare duhet të konsiderohet mundësia e disa hyrjeve të ndryshme. Një kinema me shumë salla, bulling, fastfude dhe restorante luksi janë disa nga elementët e kësaj qendre tregtare. Dyqanet janë gjithashtu të ndara në luks dhe për masën.
Zyrat Zyrat duhet të zënë 20% të sipërfaqes mbi tokë të kompleksit të kullës. Duhet të jenë të vendosura në nivelet mbi aktivitetin tregtar. Nivelet e tyre duhet të karakterizohen nga fleksibiliteti i ndarjes së hapësirës dhe duhet të kenë hyrje të veçantë.
Apartamentet Duhet të zënë 40% të sipërfaqes së përgjithshme mbi tokë të kompleksit të kullës. Ato do të variojnë duke përdorur skema të ndryshme, duke filluar nga 1+1 në 1+3. Hyrja e tyre duhet të jetë e veçuar.
Restoranti Niveli i sipërm i kullës të trajtohet si një restorant-strukturë rrotulluese në të cilin mund të shkohet nëpërmjet një ashensori panoramik. Lartësia e tij është 5 metra nga dyshemeja në dysheme.
Zona e shërbimeve Duhet të jetë në nivel nëntokë dhe në një nivel të mesëm të kullës.
Juria Edi Rama Artan Shkreli Freek Persyn- arkitekt Belgjikë Carlo Malnati- arkitekt Itali Raueida Ayache- arkitekt Kroaci Maks Velo- arkitekt Shqipëri Arben Biçoku- arkitekt Shqipëri
Studioja shqiptare Një kullë me beton arme, tre katet e para të së cilës shërbenin si qendër tregtare. Më tej vijonin 7 kate, të cilat kryesisht do të përdoreshin si qendra biznesi, të ndërtuara me vetrata të tejdukshme, që lejonin vështrimin e pamjes. Pas tyre, një restorant me pamje panoramike. Mes katit të dhjetë dhe kateve të tjera rezidenciale në vijim, do të jetë një kat "bosh" që të jep përshtypjen e një ndërtese që rri pezull. Në katin e fundit ishte parashikuar ose një minihotel i gjelbëruar, ose një tjetër restorant me një panoramë të gjerë. Ky projekt respektonte lartësinë, hapësirën, por nuk përputhej me volumin e kullës së miratuar në Masterplanin e Tiranës. Gjithashtu nga anëtarët e jurisë u vërejt se kjo ndërtesë nuk ndikonte në "zvogëlimin" e pamjes së sheshit "Skënderbej".
Studioja holandeze Interesant, por i kushtueshëm projekti i studios holandeze. Në të parashikohej, jo një, por një grup ndërtesash, mes të cilave ngrihej kulla, e cila ishte më elegante në vëllim. Në krahë të kullës, zbrisnin butë disa ndërtesa të tjera, drejt sheshit "Skënderbej" e që ishin të mbuluara nga gjelbërimi. Sipas projektit, 5 kate të këtij kompleksi do të përdoreshin për qëllime publike, si dhe shërbime të tipit, supermarkatë. Parkingje, ishin parashikuar në katet e nëndheshme. Kulla, i ngjante një vepre arti, me dritare të çrregullta dhe ngjyra të larmishme e tipit ekzotik.
Studioja spanjolle Pa preferenca për arkitekturën e fortë, studioja spanjolle kishte zgjedhur projektimin e një kulle të thjeshtë dhe serioze, që do të shërbejë si një ndërtesë komplekse me qendra biznesi, dyqane, apartamente e pishinë. Përpara kullës do të jetë një ndërtesë e vogël, në formën e një diamanti, që do të shërbejë si qendër tregtare, veshur me alumin. Në të do të harmonizohej bukur edhe një pistë patinazhi. Kulla nuk është vertikale ka një tendencë përkulje dhe vjen duke u ngushtuar sipër. Dritaret do të jenë të ndryshme, të vogla e duke u zgjeruar sipër. Në katet e para do të ketë qendra biznesi dhe argëtimi, ndërsa në bodrum do të jetë hapësirë tregtare, ndërsa në katin përdhes do të jetë një sallon i madh.
Studioja daneze Një kullë të bardhë, ku sundon gjelbërimi. Kullë në formën e një tulipani, që shfaqet i ngushtë poshtë e vjen duke u zgjeruar në pjesën e sipërme. Projekti i studios daneze synon të shohë qiellin e Tiranës, e ata që mund të jenë në të të shohin nga të gjitha këndet. Shumë ajër, frymëmarrje dhe gjelbërim. Në pjesën e sipërme të ndërtesës parashikohet një pishinë, shumë gjelbërim dhe kinema. Ndërsa lidhja me ndërtesën që do të ngrihet tek ish -busti i Enver Hoxhës do të bëhet me anë të një ure, ose lidhjeje të nëndheshme. Ndërtesa do të jetë me beton të bardhë, fasada prej xhami e do të ketë larmi ballkonesh. Sipas projektuesve, kulla vjen në harmoni me masterplanin dhe respekton kriteret e përcaktuara.
16/01/2005
|