sorelina
Anetar
Karma: 6
offline
Postime: 1480
|
 |
« më: 14-01-2007, 21:33:47 » |
|
Autorët e huaj
Deri para gjysmës së dytë të shekullit XIX-të, artistët në Shqipëri duke vazhduar vetëm pikturimin e skenave nga jeta hyjnore, sipas kanoneve të artit posbizantin, nuk arritën të krijojnë thuajse asnjë imazh të plotë për pasqyrimin e botës reale, jetës së përditëshme, as dhe një peisazh nga natyra e vendit.
Këtë mungesë të ndjeshme, për historinë dhe kulturën shqiptare, e kanë plotësuar artistët e huaj. Deri tani njihen me dhjetra e dhjetra tablo, vizatime, grafika, litografi, skulptura dhe krijime të tjera që kanë pasqyruar jetën shqiptare të atyre viteve. Vepra të veçanta janë realizuar disa shekuj më parë. Ndërsa gjatë shekullit XV-të, pikërësht kur populli i vogël shqiptar u gjet në qendër të ciklonit, kur bashkë me popujt e tjerë të ballkanit luftonte në portat e Europës për të ndalur dyndjet osmane, vëmendja e artistëve të huaj u bë më e ndjeshme. Qëndresa, lufta, por edhe dhe emigrimi i shqiptarëve gjatë pushtimit osman përbëjnë numurin më të madh të veprave me temë shqiptare në ato vite.
Nga më të herëshmet janë disa portrete për Skënderbeun, si dhe tabloja “Rrethimi i Shkodrës” e Paolo Veronezes (1528-1588). Portretet e Skëndërbeut janë pikturuar nga disa artistë të njohur europianë. Mendohet që një nga gravurat ka dalë nga dora e Albreht Dyrer ( 1471-1528) , një pikturë nga Rembrandi (1606-1669), dy nga nxënës të tij si dhe disa nga autorë të tjerë të njohur në ato vite. Thuhet gjithashtu se pikturimin e parë e ka bërë Gentile Belini (1429-1507) gjatë kohës që Skënderbeu ishte në Itali në ndihmë të Ferdinandit të Napolit dhe, sipas asaj tabloje, janë realizuar pjesa më e madhe e portreteve të mëvonshëm. Portretet dhe tablotë për Skëndërbeun ndodhen në disa kështjella dhe muze të njohur të Europës si në kështjellat Beauregard (Francë), Bytça (Çeki), Valdburg (Gjermani), Muzeun Uffici Firence, Muzeun e Historisë së Artit Vienë etj., ndërsa tabloja Rrethimi i Shkodrës ndodhet në Pallatin e Dozhëve në Venedik.
Në tablotë e mëvonëshme objekti i artistëve të huaj u bënë shqiptarët që kishin emigruar nëpër Europë. Piktorët u tërhoqën nga kostumet e larmishme, nga pamja dhe, siç ka shkruar një udhëtar i huaj, nga krenaria e tyre. Para shqiptareve u joshën edhe disa nga artistët më të shquar të pikturës europiane si Camille Corot (1796-1875) me portretin “Vajzë shqiptare”, Eugene Delacroix (1798-1863) me akuarelin “Çift shqiptarësh” dhe disa tablo në ngjyra vaji për suliotët, Aleksej Ivanov (1806-1858) me pikturën “Shqiptarja në derë”, Aleksandër Decamps (1803-1860) me tablonë “Shqiptarë që vallëzojnë”, Jerosllav Çermak (1830-1878) me dy versione të “Robinave”, Charles Gleyre (1806-1874) me akuarelin “Fshatare shqiptare”, Dominique Magaud (1817-1899) me tablonë “Grua shqiptare”, Frank Buchser (1829-1890) me portretin “Vajzë shqiptare”, si dhe njëri prej romantikëve më të shquar francezë, mjeshtri Leon Gerome (1824-1904), që ka realizuar rreth 30 piktura me motive shqiptare. Tablotë e Zheromit janë më të shumtat, më piktorike dhe më të bukura midis gjithë koleksionit të veprave me temë shqiptare, që kanë realizuar deri tani piktorët e huaj.
Më pas, kur u bë e mundur që vetë artistët të shkelnin në tokën shqiptare, në pëlhurat e tyre u fiksua dhe peisazhi i larmishëm me dritën dhe ngjyrat e pasura të Mesdheut. Krahas pikturimeve, ata shkruanin në ato vite se “...vështirë mund të gjendej një vend, vetëm nëntë ditë larg Parisit, që të jetë kaq pikoresk sa Shqipëria . Për artistët është një vend mbi gjithë të tjerët. Peisazhi i valëzuar i Veriut malor është më i ndryshueshëm se njerëzit, sepse natyra, nën ajrin e rrallë të malësisë, është e ndryshueshme si kameleoni: tani plot ngjyra me dritat e ylberta të agimit, pastaj nën një rrezatim të bardhë e blu, nën diellin e fortë të mesditës dhe shpejt e mbështjellë me mantelin vjollcë të natës. Dhe koha që shkon e vjen mund t’i tregojë malet e liqenet nën njëmijë pamje të ndryshme…”
Peisazhet nga natyra shqiptare janë të shumta, ato përbëjnë një koleksion të bukur dhe me to mund të krijohet një album i veçantë. Anglezi Edward Lear, gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri, midis viteve 1848-49, realizoi mbi 100 tablo, akuarele dhe litografi me ngjyra. Ai krijoi për herë të parë përmasat e plota të peisazhit shqiptar, ku ndjehet menjëherë madhështia dhe laryshmëria e relievit si dhe drita e plotë dhe ngjyrat e qarta të mesdheut. Tablotë “Mali i Tomorrit” dhe “Malet Akrokeraune, bregdeti i Shqipërisë” janë dy nga peisazhet më të bukura të gjithë krijimtarisë së Lear-it që përbëhet nga rreth 6000 tablo, akuarele litografi dhe vizatime. Veprimtaria e këtij piktori është më e pasura dhe më e larmishme midis gjithë veprave të autorëve të huaj, kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Me pamje nga peisazhet, kostumet dhe ndërtimet karakteristike shqiptare u realizuan gjithashtu edhe disa albume nga autorë të huaj. “Kostume të zgjedhura nga Shqipëria dhe Greqia”, “Pamje të zgjedhura në Greqi, Shqipëri”, “Skena në Shqipërinë e Jugut”, “Ishujt Jonianë, Greqia dhe Kostandinopoli”, të botuar në Londër në vitet 1822, 1823, 1855, nga autorët Xh. Kartrait (Joseph Cartwright 1789-1829), H. Uiliams (Williams, H.E. 1773-1829), H. Kuk (Henry Cook) dhe P. Beresford (Poer Beresford ), janë disa nga botmet më të njohura që janë përdorur më vonë edhe nga artistë të tjerë europianë si modele për trajtimin e temës shqiptare.
Në Shqipëri erdhën edhe artistë të porositur nga galeristë europianë për të realizuar tablo me motive shqiptare si Pajo Jovanoviç (1859-1931), që krijoi një cikël pikturash, Teodor Valerio (1819-1898) autor i dhjetra tablove dhe grafikave që sot ruhen në koleksionet franceze. Drejt Shqipërisë u nisën dhe autorë të tjerë të njohur si Caton Woodville (1850-1827) dhe Charles Cockerelle (1788-1863), për të ilustruar revista të njohura të kohës apo me misione arkeologjike, por gjatë pikturimeve në tokën shqiptare, ata u joshën aq shumë nga natyra njerëzit sa realizuan edhe tablo të bukura për muzetë dhe koleksionistët europianë dhe amerikanë.
Të krijuara gjatë periudhës së Romanizmit, rreth dy shekuj më parë, disa prej atyre tablove, pas ekspozimeve të para, kanë lëvizur nga një muze në tjetrin dhe nga një shtet në tjetrin, gjithnjë duke paraqituar botën shqiptare, kudo që janë ekspozuar apo kudo ku u vendosën përfundimisht. Herë pas here tablo të Lear-it dhe Geromit dalin në ankande me çmime të larta dhe vazhdojnë të kërkohen nga Muzetë dhe koleksionistët.
Disa nga veprat më të njohura me temë shqiptare ndodhen në Muzeun e Luvrit në Paris dhe muze të tjerë të Francës, në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër e koleksione të ndryshme në Angli, në Muzeun e Bruklinit dhe koleksionistë të shumtë të Amerikës, në Galerinë Tretjakov të Moskës, në Muzeun e Artit Modern të Romës dhe muze të tjerë të Italisë, në Muzeun e Soloturnit në Zvicër, në Muzeun Benaki të Athinës si dhe në disa nga muzetë, galeritë dhe koleksionet private të disa vendeve të tjera të botës.
Ndonjërën prej atyre pikturave do të dëshironim ta kishim në muzetë tona, si një pasuri artistike që përjetëson jetën shqiptare të shekujve të kaluar, dhe pikërisht të asaj periudhe kur nga artistët tanë, nuk u ruajmë asnjë tablo të tillë realiste. Megjithatë, edhe ashtu të shpërndara në galeri e muze të njohura të botës, gjithë ato vepra flasin për Shqipërinë, janë dëshmi artistike, një akt dashurie dhe respekti ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo nëpër botë.
Ferid Hudhri.
|