M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 24-10-2008, 13:08:48 » |
|
Intervistë me piktorin e njohur postmodernist, Mentor Shehu
Kur piktori flet për veprën e tij, do të thotë se ajo është memece
- I takoni një brezi që ka përjetuar ciklin e plotë të realizmit socialist. Sot piktura juaj është antipod i asaj metode në koncept. Si ndodhi ky kapërcim?
Të përjetuarit e asaj "epoke të lavdishme", në thojza sigurisht sepse nuk ka qënë kurrë e tillë, nuk mund të ezaurohet në këtë intervistë pasi është një histori e gjatë dhe komplekse. Ka dy mënyra të "përjetuari" të asaj periudhe. E para, është se "ka qenë një periudhë e artë për pikturën shqiptare". Kësaj përvoje i takon një grup piktorësh dhe skulptorësh pa përmendur emra sepse njihen, të cilët jo vetëm kanë qënë të indoktrinuar deri në palcë nga principet e realizmit socialist por që me aktivitetin e tyre persekutonin në mënyrë ortodokse, ata krijues të "pa bindur" që në punimet e tyre, nuk shkëlqente sa duhet realiteti socialist aq më keq për ata që tentonin shmangje nga realizimi i shkollës sovjetike. Përfaqësues të kësaj ideologjie, sot predikojnë se vetëm realizmi i tyre është e ardhmja e pikturës. Sot këtyre krijuesish nuk u imponohet njeri si të punojnë, siç bënin dikur me të tjerët. Ky takëm vazhdon të mburet me titujt "Piktor i Popullit" apo "Artist i Merituar"...
- Cili është qëndrimi juaj për këto vepra të mirëfillta të realizmit socialist?
Kjo metodë dhe veprat e mirëfillta të realizmit socialist janë një realitet. Janë pjesë e historisë së zhvillimit të arteve tona në përgjithësi. Si të tilla nuk mund të mohohen. Këto vepra duhet të jenë pjesë muzeale por kurrsesi të glorifikohen siç ndodh rëndom në shtyp dhe televizione me autorët e tyre. Këto vepra duhet të jenë objekt studimi për të nxjerrë para publikut vlerat e tyre reale ideologjike dhe mjetet e realizimit siç bën studiuesi Gëzim Qendro, i cili them se ka meritë të lavdërueshme në mënyrën se si deshifron kodet e tyre.
- Përmëndët më lart dy mënyra të përjetuari por folët për një. Kush është e dyta?
Po. Ka patur edhe një kategori piktorësh që heshtazi nuk pranonin rëndom indoktrinimin. Që nga viti 1945 deri në vitin 1990 nuk mund të thuhet se bëhesh vetëm pikturë e thekur realiste socialiste. Pikturonin thjesht peisazhe, portrete apo natura të qeta. Pa i fetizhizuar. Për hir të vërtetës shpesh kjo lloj pikture, nuk merrte pasaportën e ekspozimit. Kështu për të mbijetuar si krijues bëheshin kompromise. Sepse nuk përfitoje ndonjë favor nga Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve siç ishin ngjyrat, kanavaca apo leja krijuese. Shumë vepra të tyre i kanë rezistuar kohës. Sot ato përbëjnë vlera të mirëfillta si vepra realiste pse jo dhe impresioniste dhe janë në fondin e pikturës shqiptare.
-Ju vetë në cilin grup bëni pjesë?
Natyrish në të dytin. Veçse është një përjetim me peripeci. Them se krijimtaria ime ka qenë hipokrite, kur ishte fjala për pjesëmarrje nëpër ekspozita. E lirë me pikturën e bërë vetëm për vete e destinuar për brenda mureve të studios. Gjithsesi, ky realizëm përbën për mua një përvojë të cilën e vlerësoj dhe nuk mund ta mohoj.
- Në vitet 80' ju keni bërë një cikël me "Bazat e luftës", shtëpitë ku ishte strehuar diktatori...
Kanë qenë vite kur unë duhet të bëja diçka për të mbijetuar si krijues. Kam bërë edhe peisazhe industriale, tre portrete heronjsh të luftës apo portrete punëtorësh e kooperativistësh. Për ciklin në fjalë, nga viti 1979 deri 1981, kam bërë rreth 80 vizatime, akuarele, grafika, piktura duke i shkelur një për një. Në vitin 1981 hapa një ekspozitë në pallatin e kulturës "Ali Kelmendi". Histori e gjatë kjo por po kujtoj një detaj...
Edhe pse ekspozita ishte bërë gati, ftesat ishin shtypur nga Lidhja por nuk ishin shpërndarë. Paraditen e hapjes, vjen Komisioni për të dhënë vendimin nëse duhej hapur apo jo ekspozita (!?)
Përfaqësuesi i Lidhjes: "Këto baza janë parë nga një këndvështrim i rëndomtë. Duhet të mbizotëronte drita dhe shkëlqimi, kur kemi të bëjmë me një temë kaq të rëndësishme".
Kryetari i Komisionit: "Këto për mua, janë peisazhe të zakonshme kur ato duhet të na jepeshin si kështjella sepse aty ka punuar dhe drejtuar luftën Udhëheqësi ynë".
Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës: "Këto punime nuk kanë të bëjnë aspak me realizmin socialist por me realizmin kritik (!?) Ekspozita u hap, arsyeja është një gjë më vete. Mendoni vetë se cila ka qënë përjetimi me këto qëndrime.
- Ju nuk jeni diplomuar në Institutin e Arteve Figurative, a është ky një peng për ju?
Absolutisht nuk kam asnjë peng. Edhe pse tentova dy herë nuk fitova. Nuk dua të flas për shkaqet pr them me kënaqësi se kam qenë me fat. Në të kundërtën sot ndoshta do të isha klishe e realizmit të shkollës ruso-sovjetike. Në Liceun Artistik kam patur fatin e mirë të kem pedagog mjeshtra si A. Buza, N. Zajmi, S. Kaceli, J. Paço apo A. Papën. Kaq më kanë mjaftuar. Për të pasur një arsim dhe një kulturë më të gjerë u diplomova në Fakultetin e Gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës.
- Kur jeni ekspozuar për herë të parë?
- Ka qënë viti 1955 apo 56. Në këto vite vazhdoja dy kurse të vizatimit, atë në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi" me piktorin Sadik Kaceli dhe në shtëpinë e kulturës së Tiranës, me piktorin Aristotel Papa. Në një nga këto vite, Lidhja e Artistëve organizoi një ekspozitë jubilare kombëtare. Piktori A. Papa dhe disa të tjerë nuk u pranuan. Me inisiativën e A. Papës në një sallë të shtëpisë së kulturës në katin e parë, hapet një ekspozitë. Ajo u quajt ekspozita e të refuzuarve, me punime të piktorëve A. Papa, F. Pëllumbi, H. Reçi dhe tre apo katër të tjerë që nuk më kujtohen emrat sot. Gjithsej ishin 25 punime, kryesisht peisazhe dhe natyra të qeta. Kishte edhe ndonjë portret në vaj dhe akuarel. Midis tyre edhe unë, me një portet të tim vëllai, një natyrë e qetë në akuarel dhe me portretin e Monalizës, kopjim me laps. Dy të parat ende i kam edhe sot. Prania ime nuk ishte si i refuzuar. Shkak për pjesëmarrjen time në këtë ekspozitë ishte preferenca e pedagogut, A. Papa. Kujtoj që kjo ekspozitë krijoi shqetësim për Lidhjen. Gjithsesi, për fatin e pjesëmarrësve në të nuk la pasoja. Më vjen çudi se kjo ngjarje është "harruar" kur ka qënë një eveniment që meriton vëmëndje.
- Ekspozitat tuaja kolektive dhe personale...
Në fillim të vitit 1964 kam hapur ekspozitën e parë personale grafike në sallën e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në nëntor të po atij viti, kam marrë pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative. Nuk është i vogël numri i ekspozitave që kam hapur, e rëndësishme është se ç'farë sjell në to. Mund të kesh hapur pak por vlerat e tyre janë të konsiderueshme me rrisi brenda teje. Mund të kesh hapur shumë dhe nuk ke thënë asgjë vetëm përsëritjes monotone të vetvetes. Për mua e rëndësishme është që të mos kesh punuar për publikun por për veten tënde. Duhet që t'i imponohesh publikut dhe kritikës që ata të të ndjekin dhe jo t'i ndjekësh ti, ndryshe piktura jote është për të qarë hallin.
- Kur dhe si e keni marrë takimin me artin modern?
Nga fundi i viteve '60 më ra në dorë libri "Çelsi për pikturën" me autor Rene Paseron, studiues dhe kritik frances i vteve '50. Libri ishte përkthyer në shqip nga regjisori i mirënjohur i filmit, Gëzim Erebara, i cili ma ofroi me këshillën që për të të mos flisja me asnjeri, në të kundërtën pasojat diheshin. Aty mësova se çfarë ishte në të vërtetë realizmi socialist, impresionizmi, posimpresionizmi, kubizmi, etj. Kurse në vitin 1973, po nëpërmjet Erebarës, arrita të abonohem në revistën franceze "Jardin des arts". Vetëm katër numra më ranë në dorë. Plenumi i vitit 1974, solli atë që tashmë dihet. Në këto revista unë mora kontakt përmes riprodhimesh me fenomenet e pikturës moderne, si Pikaso, Brak, Van Gog, Shagall, Miro etj bashkëhokës. Kjo për mua ishte fillimi i një etape të re në krijimtarinë time. Pra nuk është se ndryshimi në pikturën time vjen pas viteve '90.
- Çfarë është piktura për ju, ngjyra, vizatimi,etj.
Për mua piktura është shprehje personale, është ekuilibër apo drejtpeshim. Është një realitet virtual; ku nis me realen por që nuk ka asgjë prej saj. Piktura për mua nuk është një veprim i izoluar. Izolimi do të ishte fatkeqësi dhe kjo u provua në vitet 1945-90. U izoluan konceptet dhe gjerat shkuan mbrapsht. Faktor zhvillimi për pikturën janë konceptet në lëvizje. Piktura është një univers konceptesh. Kjo e bën atë të larmishme. Realiteti i ditëve tona e provon më së miri këtë.
-Piktura është produkt i emocionit apo mendimit?
Për mua arti i të pikturuarit është akt emocional. Mendimi udhëheq kategoritë si filozofët, shkencëtarët. Piktori them se duhet të synojë të kapë një gjendje ngjeshje të emocioneve gjatë të pikturuarit. Kjo nuk vjen menjëherë por kjo është rruga për të parë shfaqjen e shpirtit tënd në atë sipërfaqe të pikturuar. E gjitha kjo ka të bëjë me mënyrën e të shprehurit e cila ka një kuptim të dyfishtë sepse shprehja ka vizualen si mjet por jo si qëllim. Shprehja krijon mundësinë që hapësira e brendshme, emocioni dhe ajo e jashtmja të dialogojnë deri sa shkrihen ose njësohen në hapësirën e tablosë, përmes mjeteve si ngjyra, forma dhe vizatimi.
- Përvoja çfarë vendi zë tek ju?
Kësaj pyetje dot'i përgjigjem me një thenie të Matisit i cili thotë: "Asnjëherë nuk u jam shmangur përvojave të tjerëve. Do ta kisha quajtur këtë një poshtërsi. Një mungesë e sinqeritetit ndaj vetes". Por jo vetëm Matisë, por gjithë kolosët e pikturës kanë këtë parim. Kaq mjafton besoj e ç'mund të them unë që jam një produkt i tyre si përvojë.
- A kemi sot një elitë piktorësh?
Për ironi kemi po atë elitë të emëruar nga nomenklatura e regjimit diktatorial. Të konsiderosh këta tituj është njëlloj sikur sot të mburresh me titullin "Hero i Punës Socialiste". Kemi një elitë të vetshpallur. Elitën reale duhet ta sjellin në opinion studiuesit dhe kritika. Mirëpo te ne kjo mungon. Kritika nuk merret me zhvillimin e përditshëm të pikturës me prurjet e saj. Kemi plotë piktorë të mirë me vlera të spikatura por fatkeqësisht kritika është indiferente.
- Cilat janë veprat tuaja që keni më për zemër?
Ka disa krijues që mezi presin të flasin për punët e tyre. Të thonë se piktura ime ka këtë apo atë mesazh...nuk përtojnë të flasin me orë të tëra. Prototip i kësaj kategorie është Maks Velo, i cili gishtin e drejton nga punimet e tija me vetvlerësime superlative. Them se kjo kategori piktorësh është për tu qarë hallin. Kur flet autori për vlerat e pikturës së tij do të thotë se piktura e tij është memece. Piktura e mirë flet vet. Ajo ka gjuhën e vet. Nëqoftëse ju nuk ndjeni asnjë emocion, kur jeni përpara një pikture do të thotë se ajo nuk është pikturë e mirë. Fjala e autorit nuk ngjit, lë të tjerët ta vlerësojnë atë.
- 1938. Ka lindur në qytetin e Peshkopisë.
- 1954. Pas burgosjes së babait me tetë vjet burg për arsye të bindjeve politike (1953-61), familja e piktorit Mentor Shehu vendoset me banim në Tiranë.
Nuk e fiton të drejtën për të ndjekur Liceun Artistik "Jordan Misja" pas arsimit 7-vjeçar, por e ndjek atë më vonë (1955-1957);
- Pas dy vjetësh e largojnë nga shkolla dhe e mbaron atë pas tre vjet ndërprerje (I 960-1962) nën drejtimin e pedagogëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli dhe Nexhmedin Zajmi.
- 1962- 63 Bën përpjekje për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, por pa rezultat. Punon si piktor- retushier në Kombinatin Poligrafik, (1962-1990).
- 1964-71. Kryen studimet e larta në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në UT, pa shkëputje nga puna.
- 1965-'92. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
- 1990. Anëtar i stafit të parë drejtues të redaksisë së gazetës së parë opozitare shqiptare "RD" - Rilindja Demokratike (organ i PDSH), ku ka publikuar shumë shkrime të tij kryesisht analiza dhe opinione politike.
- 1992. Themelues dhe zëvendëskryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare
të Artistëve Figurativë Shqiptarë.
- 1999. E në vazhdim punon si piktor i lirë në studion etij.
Ekspozita kolektive
1964-1989- Tiranë. Merr pjesë në shumë ekspozita jubilare
kombëtare dhe lokale të arteve figurative në GKA.
1966- Aleksandri- Bienale.Grafikë
1984- Mynih. Piktorët shqiptarë në Gjermani. Pikturë.
1994- Tiranë. GKA. Shoqata AFMK. Pikturë.
1965. Tiranë. GKA. Shoqata AFMK. Pikturë.
1996. Tiranë. GKA. Bienale e Onufrit. Pikturë
1996. Tiranë. Muzeu Historik Kombëtar. Shoqata AFMK. Pikturë.
2004. Tiranë. GKA. Ekspozite retrospektive e portretit nga fondi i GA
2005. Tiranë. GKA. Ekspozite 600 vjetori i Skënderbeut.
2005. Prishtinë. Galeria e Arteve. Ekspozitë 600 vjetori i Skënderbeut.
Ekspozita personale
1964. Tiranë. Salloni i Klubit LSHA. Grafikë
1981. Tiranë. Pallati i Kulturës "A. K". Pikturë
1985. Rëshen. Pallati i Kulturës. Pikturë.
1988. Tiranë. Pallati i Madh i Kulturës. Pikturë.
1993. Tiranë. GKA. Pikturë.
1994. Tiranë. GKA. Pikturë-grafikë
1994. Lubjanë. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës. Pikturë-grafikë.
1997. Tiranë. Galeri TE&GI". Grafikë.
1999. Tiranë. Muzeu Historik Kombëtar. Pikturë.
2005. Laipzig. Foyer Galeriea-Konsult art. Pikturë
2006. Tiranë. Galeria DIDART
2007. Tiranë Qendra Ndërkombëtare e Kulturës. Grafikë.
2008. Tiranë GKA. Pikturë.
Nëntë vepra të piktorit Mentor Shehu janë në Fondin e Galerisë së Arteve në Tiranë.
Të tjera në institucione dhe koleksionistë të ndryshëm në:
Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA, Angli, Itali, Belgjikë, Gjermani, Austri, Bullgari dhe Turqi.
Mentor Shehu, potencë ngjyrash...
Pas viteve '70-të në krijimtarinë e Shehut ndjehet një lëvizje në formë dhe përmbajtje. I pasionuar pas vizatimit dhe grafikës Shehu në vitin '97 në ekspozitën vetjake me titull "Aluçinacione në subkoshiencë", ekspozoi vepra të kësaj periudhe (deri atëhere të paekspozuara) me prirje të qarta drejt imazheve ku mbizotëronte ndjenja e fuqishme e një shpirti shpërthyes artistik, ku lëvizja e figurave dhe trupave njerëzorë në përmasa dhe vizione ireale, krijonin emocione të fuqishme në komunikimin me publikun. Duke pasur një përvojë mjaft të pasur pune në realizimet realiste të natyrës dhe figurës njerëzore para viteve '90-të, Shehu në krijimtarinë e mëvonshme krijon vepra në pikturë me prirje simbolike dhe dekorative. Në këto tablo motivi shqiptar është mbizotërues, por trajtimi artistik i artistit paraqet imazhe të një konceptimi të ri modern. Artistit nuk i intereson më perspektiva në peizazhet e tij, përparësi në këto tablo marrin ngjyrat potente, plot dritë që krijojnë dekorativitet edhe pse shpesh ngjyrat kanë kontraste tonale dhe ngjyra e zezë shërben më shpesh si një mjet për evidentimin e objekteve apo figurave njerëzore, të cilat tashmë pikturohen thjesht e shpesh të konturuar. Në tablotë e Shehut, në ciklin e portreteve dhe figurës njerëzore ndjehet ndikimi i artit modern europian të shekullit të kaluar. Vëmendja e artistit tashmë përqendrohet në emocionin që krijon imazhi piktorik i portretit, ku sytë janë elementi me të cilin piktori krijon qendrën e tablosë. Ai procedon me një penel linear ekspresiv në vizatimin e figurës njerëzore, e cila tashmë perceptohet krejt ndryshe nga figura realiste. Imazhi i figurës njerëzore brenda artistit gradualisht ka krijuar formën e saj, që nuk është stereotip, por që zhvillohet gjithnjë e më shumë nga tabloja në tablo. Në peizazhet e Mentor Shehut mbizotëron motivi kryesisht nga jeta e fshatit shqiptar, që pasqyrohet nga artisti sipas mënyrës së tij konceptuale dhe pikturohet duke u pasuruar me elemente dhe objekte gati si në përrallë. Pothuajse në të gjitha tablotë e Shehut figura njerëzore luan rolin parësor, shpesh ato janë statike, monumentale dhe të stilizuara thjesht deri në konceptime lineare. Ekspozita e fundit vetjake e piktorit e çelur në Lajpcig (2005) u mirëprit nga publiku gjerman në "Foyer Galerie". Në ciklin e vizatimeve të tij ai fokusohet tek të njëjtat personazhe si në pikturë. Në këto vizatime të krijohet ideja se autori krijon grupe skulpturore të mbyllura, shpesh ato janë realizuar me një linjë mjaft virtuoze dhe të gjerë që të krijon emocione. Në disa nga këto vizatime piktori është më delikat dhe figurat janë më plastike të cilat rrethohen nga ajri që lëviz rreth tyre.
Ylli DRISHTI, studiues arti
Vlerësime për krijimtarinë e Mentor Shehut
GAZMEND MUKA, KRITIK DHE STUDIUES ARTI,TIRANE:
"Ajo çka tërheq në konstruktin e imazheve të piktorit Mentor Shehi, është padyshim trajtimi i perspektivës logjike. Nëpërmjet saj, krijon kompozime monumentale, ku detajet dhe masat më të mëdha zgjidhen duke zvogëluar dhe zmadhuar trupat dhe portretet për të parë më tej trajtime më specifike në rifigurimin e tyre. Personazhet e tij nuk shfaqen si dimensione reale, por krejt tjetër".
MUSA R. MEHMETI, KRITIK ARTI, PRISHTINË:
"Krijimtaria kreative e Mentor Shehut, ka dalë në shesh përmes frymëzimeve dhe ndjenjave të thella krijuese duke zhvilluar e brumosur përmes relacioneve dhe proceseve psiqike dhe mendore siç janë: Intuita, dhuntia, ndërdia, mbidija, intelekti, logjika, vetdija kreative, dija dhe mjeshtëria profesionale, vetdija e formimit të lartë intelektual dhe artistik. Këtu nuk ka dyshim e as dilema; sepse fundja këto konstatime objektive na i imponojnë tabllotë e tij qoftë në vizatim, grafikë, apo pikturë; në të cilat ka ngjeshur kreacione të larta artistike të cilat shikuesi i pasionuar, i ditur vetiu do t'i "deshifrojë" dhe do të konstatojë se Mentor Shehu ka krijuar origjinalitetin kreativ".
A. RICHTERMAHLO, STUDIUESE DHE KRITKE ARTI, LEIPZIG GJERMANI:
"Në sipërfaqet e figurave shpërthejnë ngjyrat. Është e vështirë të shmangësh efektin emocional të këtij diapazoni shkëlqyes... Sipërfaqet kufizohen me konture të zeza, këto linja janë të fuqishme dhe kuptimplota. Ato përdridhen dhe i japin figurës fortësi... Krijesa plot fantazi janë inspiruar nga folklori dhe kanë një notë të theksuar shqiptaro - ballkanike, por gjithashtu ato shihen edhe si referenca me botën sureale dhe abstrakte të formave të një pikture të Miro, Pikaso, Matis si dhe në pikturat e rrafshta të Raussan... Artisti i stilizon motivet e tij... Për mua është për tu admiruar se si piktori Mentor Shehu i qëndron besnik vetes së tij duke krijuar një pikturë poetiko - ekspresive... Duke parë pikturat e tij, mendova: Ndoshta ai bie midis nesh një shkëndijë poezie dhe një këndvështrim tjetër të botës tonë dhe na e ndryshon vështrimin."
Përgatiti: Agron Sejamini RD
|