|
Berni
|
 |
« më: 30-07-2007, 09:46:33 » |
|
Politika shqiptare, akomodimi në godinat ku “ngjizen” idetë dhe ulje-ngritjet e pushtetit.
PS, në ish-godinën e Komitetit të PPSH për Tiranën, PD tek ish-Ministria Komunale, PSD në godinën e marrëdhënieve kulturore me partitë motra komuniste, të tjerat me qira apo në godina të reja.
Partia Demokratike
Është partia më e madhe në pushtet dhe kjo seli ndodhet në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, numër 120. Partia Demokratike është transferuar në këto zyra në vitin 1994. Këto zyra nuk janë pronë e partisë, por është pronë e shtetit, në bazë të ligjit për partitë politike, kjo parti financohet nga shteti dhe i ofrohen mjedise për selitë e saj në rrethe. Përpara transferimit të selisë së Partisë Demokratike, këto kanë qenë ambiente të ish-Ministrisë së Komunales (të ashtuquajtur në atë kohë). Kjo godinë është rikonstruktuar me fonde të kësaj partie për përmirësimin e kushteve dhe zgjerimin e hapësirës së saj. Kjo godinë, nga dykatëshe që ka qenë ekzistuese, tashmë është trekatëshe. Ambienti i kësaj selie është rreth 1000 metra katrorë dhe ka rreth 30 zyra. Gjithashtu, në këto ambiente disponohet sallë konferencash, si dhe një arkiv të kësaj partie.
Partia Socialiste
Është partia më e madhe në opozitë dhe kjo seli ndodhet te sheshi “Austria”, numër 31. Partia Socialiste që nga krijimi e deri më tani ka përdorur këto zyra si selinë e saj, janë në përdorim të kësaj partie nga viti 1991. Këto zyra janë dhënë nga shteti, nga Parlamenti i parë pluralist, ku sipas ligjit mbi partitë politike duhet të jepen ambiente për partitë që përfaqësohen në parlament me deputetë . Përpara vendosjes së Partisë Socialiste në këtë godinë, kanë qenë ambientet e Komitetit të Partisë së Punës Shqipërisë, për qytetin e Tiranës. Kjo godinë është pesëkatëshe dhe ka një stil të veçantë të ndërtimit të ambienteve, ku vërehet stili amerikan, pasi dhomat janë të hapura dhe pa mure ndarëse. Ky stil është edhe në zyrën e kryetarit të kësaj partie, ku në një hapësirë prej katër muresh punojnë 12 punonjës. Kjo godinë ka rreth 20 dhoma, sallë konferencash, si dhe një arkiv të kësaj partie.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
Është partia e dytë më e madhe në opozitë dhe kjo seli ndodhet te rruga “Sami Frashëri”, numër 20/10. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim është transferuar në këto zyra në dhjetor të vitit 2006. Më parë në këtë godinë ka qenë selia e LSI-së për Tiranën dhe gjithashtu në këtë godinë ushtronin aktivitete të tyre dhe ndërmarrje private. Qëllimi i kësaj shpërnguljeje është afrimi me institucionet, duke pasur parasysh pozicionin e saj të favorshëm. Por me shpërnguljen e LSI-së është marrë përsipër nga kjo parti e gjithë godina, duke e rikonstruktuar dhe duke ofruar kushte shumë të favorshme për aktivitetin e tyre politik. E veçantë në këtë ndërtesë është stili i përdorur në ndërtimin e zyrave, ai amerikan. Kjo godinë është katërkatëshe dhe në të gjitha katet është përdorur ky stil. Në ambientet e LSI-së ka një sallë konferencash, si dhe disponojnë arkiv të kësaj partie.
Partia Demokristiane
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e mazhorancës dhe kjo parti është e përfaqësuar në ekzekutiv. Partia Demokristiane ndodhet në rrugën “Abdyl Toptani”, ish-hotel Drini. Këto zyra janë dhënë nga shteti, në bazë të ligjit për partitë politike, ku partitë që janë të përfaqësuar në parlament me deputetë i japin në dispozicion ambiente për selitë e tyre politike. Kjo parti ka rreth një vit që është transferuar në këto ambiente, për të qenë më afër institucioneve. Përpara transferimit të Partisë Demokristiane në këtë godinë, kanë qenë zyrat administratës së antikontrabandës. Të gjithë ambientet ekzistuese të kësaj godine, që janë në përdorim të PDK-së, janë rikonstruktuar plotësisht me të ardhurat e vetë partisë. Ky ambient ka një sipërfaqe rreth 300 metra katrorë dhe brenda saj ka tetë dhoma, një sallë konferencash dhe arkiv të kësaj partie.
Partia Socialdemokrate
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e opozitës. Partia Socialdemokrate ndodhet në rrugën “Asim Vokshi”, numër 26. Këto zyra janë dhënë nga shteti me vendim të Këshillit të Ministrave, ku këto ambiente i kalojnë kësaj partie në administrim. Kjo parti që nga fillimi i saj është vendosur në këtë ambiente. Partia Socialdemokrate është vendosur në këtë ambiente në gusht të vitit 1991. Përpara transferimit të Partisë Socialdemokrate në këto zyra, ka qenë godina e Komitetit të Marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme. Por, me sa duket, nga kjo parti, ndryshe nga partitë e tjera, nuk është vënë shumë dorë në rikonstruktimin dhe mirëmbajtjen e zyrave. Në këtë godinë ekzistojnë nëntë dhoma. Gjithashtu brenda kësaj godine ekziston edhe një sallë konferencash si dhe një arkiv i kësaj partie.
Partia Republikane
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e mazhorancës dhe kjo parti është e përfaqësuar në ekzekutiv. Partia Republikane ndodhet në rrugën “Ismail Qemali”, pallati “Fratari”, shkalla 3-të. Këto ambiente janë marrë me qira nga kjo parti, për t’iu larguar ishzyrave të tyre që nga viti 1994 te “doganat”, dhe për të ardhur në këto ambiente për të qenë më afër institucioneve. Në këtë godinë ky institucion ka shkuar në nëntor të 2005. Përpara transferimit në këtë godinë kanë qenë ambiente zyrash private dhe kanë një sipërfaqe 180 metra katrorë . Në këtë hapësirë ndodhen tetë dhoma, ku përfshihen dhe një sallë konferencash si dhe një dhomë për arkivin. Kjo parti përfaqësohet në Parlament dhe në bazë të ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2006, ka përfituar ambiente tek ish-hotel “Drini” dhe tashmë janë në rikonstruksion me fondet e saj.
Partia Lëvizja e Legalitetit
Është një parti e pa përfaqësuar në Parlament me deputetë. Partia Lëvizja e Legalitetit ndodhet në bulevardin “Zogu i I”, shkalla 2-të, tek ish-klinika dentare. Këto ambiente janë me qira nga kjo parti, pasi nuk përfaqësohet në Parlament me deputetë, që e detyron atë të paguajë për ambientet që ka marrë në administrim nga shteti. Por, gjithçka është kundrejt një qiraje minimale, që paguhet me fondet e vetë partisë. Përpara vendosjes së kësaj partie në këtë godinë, kanë qenë zyra të minibashkisë. Ky institucion është transferuar në këtë ambient në janar të vitit 2005. Ka një sipërfaqe rreth 65 metra katrorë . Në këtë ambient ka 4 dhoma, ku përfshihet dhe salla e konferencave dhe arkiva e partisë.
Partia Aleanca Demokratike
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e opozitës. Partia Aleanca Demokratike ndodhet në rrugën “Murat Toptani”, numër 10. Këto ambiente kanë kaluar në administrim të kësaj partie në bazë të ligjit për partitë politike dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, si parti që përfaqësohet në Parlament me deputet. Në këtë godinë, ky institucion është vendosur në vitin 1997. Përpara vendosjes në këto zyra, kanë qenë ambiente të Drejtorisë Arsimore në Tiranë. Ky ambient ka një sipërfaqe prej 250 metra katrorë . Në këto ambiente ndodhen shtatë dhoma, ku përfshihen dhe sallë konferencash, sallë mbledhjeje dhe një arkiv të partisë. Kjo parti herë pas herë ka rikonstruktuar dhe ka mirëmbajtur ambientet e këtyre zyrave, duke u përpjekur të ketë dhe një imazh në sytë e publikut.
Partia Bashkimit të Drejtave të Njeriut
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e mazhorancës. Partia Bashkimit të Drejtave të Njeriut ndodhet në bulevardin “Bajram Curri”, numër 32, në krah të Ministrisë së Shëndetësisë. Këto ambiente janë pronë e shtetit, por i kanë kaluar në administrim kësaj partie në bazë të ligjit për partitë politike dhe vendimit të Këshillit të Ministrave si parti e përfaqësuar në parlament me deputetë . Partia Bashkimit të Drejtave të Njeriut është vendosur në këtë godinë në vitin 1999. Përpara se ky institucion të merrte në administrim këtë godinë, kanë qenë ambiente të ndërmarrjes së import-eksport me jashtë dhe ka qenë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Sipërfaqja e kësaj godine është rreth 250 metra katrorë , përbëhet nga tetë dhoma dhe nuk disponon sallë konferencash. Arkiva e kësaj partie nuk ekziston, pasi është shkatërruar pas një djegieje të godinës në vitin 2000.
Partia Demokracia Sociale
Është parti pjesëmarrëse në koalicionin e opozitës. Partia Demokracia Sociale ndodhet në bulevardin “Zogu i I”, ish-klinika dentare, shkalla 3-të. Këto ambiente janë dhënë nga shteti, në bazë të ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për partitë politike. Kjo parti është vendosur në këto ambiente në vitin 2003, ku, me sa duket, edhe zhvendosja e selisë së tyre është bërë për qëndrimin sa më pranë të institucioneve. Përpara vendosjes së Partisë Demokracia Sociale në këto zyra, kanë qenë ambiente klinike dentare të shtetit. Ky ambient ka një sipërfaqe 140 metra katrorë . Brenda kësaj hapësire ndodhen pesë dhoma, sallë konference dhe një arkiv të këtij institucioni. Kjo parti shpeshherë me fondet e saj rikostrukton ambientet dhe ndihmon në mirëmbajtjen e tyre, duke i kushtuar kësaj të fundit një vëmendje të veçantë.
Përgatiti: Denis Dedej Koha Jone
|