|
instituti
Vizitor
|
 |
« Përgjigju #2 më: 26-12-2008, 23:18:28 » |
|
Hyrje
Në bibliotekën e botimeve politike shqiptare ndjehet mungesa e madhe e studimeve për historinë dhe tiparet e partive politike. Politika mbetet tema më e preferuar dhe ushqimi kryesor i medias dhe i jetës publike, por analiza komplekse e saj, me aspektet e ndryshme të veprimtarive të partive politike gjatë gjithë ekzistencës së tyre, vazhdon të mbetet një tabu. Përpjekjet e bëra, gjatë viteve, për studimin e rrymave politike, ngjarjeve dhe dukurive në periudha të veçuara të historisë 85-vjeçare të partive politike shqiptare, vijnë në ndihmë për të shkuar më përpara, drejt një botimi shkencor dhe analize komplekse të të gjithë periudhës. Mungesa që ekziston në këtë fushë bie në kontrast me kërkesat, në rritje, të publikut të kualifikuar, të studentëve të shkencave politike, të historianëve shqiptarë e të huaj, si dhe të vetë politikanëve dhe partive të sotme politike. Për ta mbushur këtë boshllëk dhe për të hapur një dritare të re në studimin e jetës politike shqiptare, vendosa t’i futem punës për përgatitjen e këtij libri. Pjesa më e madhe e tij është shkruar në vitet 2001-2002, për ta plotësuar gjatë muajve të fundit me elementet e reja të ngjarjeve dhe të zhvillimeve politike. Që nga mesi i viteve ’90 u kam kushtuar studimeve politike tre libra, (“Rënia e demokracisë”, (1997), “Fundi i Siberisë Shqiptare”, (1998) dhe “Shoqëria civile në Shqipëri”, (2004)) disa studime të pjesshme dhe një numër të madh artikujsh dhe analizash në median e shkruar. Ky studim vjen në rrjedhën logjike të angazhimeve të deritanishme dhe të synimeve të mia në të ardhmen për të dhënë një ndihmesë, sado modeste, në fushën e studimeve politike dhe të shkencave politike. Takimi me një temë – tabu ka rreziqet e veta, që lidhen me keqkuptimin e mundshëm, me leximin emocional të librit apo me mungesën e vullnetit të aktorëve politikë për të pranuar përballjen e veprimeve të tyre me kutin e historisë. Libri përballet me rrezikun e ecjes në një rrugë të pashkelur dhe hedh hapin e parë në drejtim të plotësimit të bibliotekës së shkencave politike me një libër për historinë e partive politike shqiptare. Duke perifrazuar ish-kancelarin austriak Franc Vranicki, (i dërguar i posaçëm i OSBE-së gjatë krizës së vitit 1997 në Shqipëri) e pranoj se në historinë e jetës politike shqiptare takohen shumë “djaj”, që ngjajnë si “engjëj”, dhe e kundërta. Qëllimi i librit nuk është të ndajë merita dhe përgjegjësi, as të gjykojë a priori dhe në distancë kohore ngjarje dhe persona, por të analizojë proceset komplekse politike dhe veprimtarinë e partive politike, që i shoqëruan ato. Kjo është bërë duke pasur parasysh faktin se jeta politike nuk është e shkëputur nga jeta shoqërore, nga sistemet politike dhe nga mënyra e funksionimit në tërësi e shtetit dhe e shoqërisë. Në thelbin e tij, libri për historinë, për tiparet dhe për veprimtarinë e partive politike shqiptare, përveçse një ndihmesë modeste, le të jetë edhe një bazë për të gjithë ata studiues që në të ardhmen do të thellohen në këtë temë, për ta trajtuar atë në mënyrë edhe më të plotë dhe në më shumë dimensione. U jam mirënjohës të gjithë autorëve të cituar, shqiptarë e të huaj, të cilët, përmes botimeve që kanë bërë, më kanë krijuar mundësinë të verifikoj detaje dhe të gjej të dhëna të domosdoshme për temat e trajtuara në studimin tim. I jam mirënjohës familjes sime, për kohën e çmuar dhe për nxitjen që më dha për përgatitjen e këtij botimi.
* * *
Ndryshimet demokratike të pas viteve ’90 sollën reformimin e plotë të sistemit politik, juridik, social dhe ekonomik të vendit tonë. Ndryshime pozitive, edhe pse të ngadalta e të pamjaftueshme, janë shënuar edhe në drejtim të forcimit të pluralizmit politik, të institucioneve politike, të kulturës ligjore dhe të mendësisë qytetare. Megjithatë, ka sektorë të shoqërisë dhe të jetës publike, në të cilat, për shkak të specifikës së tyre dhe të motiveve subjektive, ndryshimet kanë qenë minimale. Një fushë e tillë është ajo e studimeve historike dhe, në tërësi, e historiografisë shqiptare për ngjarjet e shekullit të kaluar. Brezat e sotëm trashëgojnë studime, botime dhe vlerësime historike të cunguara, të njëanshme dhe hera – herës të manipuluara, për shkaqe ideologjike. Pothuajse të gjithë historianët e huaj, të interesuar për zbardhjen profesionale të ngjarjeve politike të shekullit të kaluar në Shqipëri, janë shprehur mjaft kritikë për profesionalizmin e historianëve shqiptarë gjatë periudhës komuniste . Në tërësi, studimet dhe konkluzionet shkencore të kësaj periudhe paraqesin klishe, duke rezervuar në çdo kohë të njëjtin vlerësim politik të përcaktuar nga Partia e Punës së Shqipërisë. Pasojat e këtij uniformiteti dhe seleksionimi politik të ngjarjeve dhe të personave historikë u bënë akoma më të dëmshme kur PPSH “autorizoi” një numër të vogël historianësh për të trajtuar të gjitha temat “e nxehta” të zhvillimeve politike që nga krijimi i shtetit shqiptar. Konkluzionet e këtyre historianëve, të cilat bazoheshin në recetat dhe në tezat e dhëna më parë nga zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së, u shndërruan në normë dhe në detyrim për të gjithë. Leximi dhe interpretimi ideologjik i personazheve dhe i ngjarjeve është shtrirë, më pas, në formë dokumentare në të gjitha tekstet shkollore, universitare dhe akademike nga botimet e historianëve të periudhës së diktaturës. Sipas kësaj metode, cilido politikan, shkrimtar apo personalitet publik, që dënohej politikisht nga PPSH, etiketohej po kaq ashpër nga historiografia dhe nga institucionet akademike, që kishin detyrë gjetjen e “fakteve” komprometuese dhe argumentuese. Ky vështrim bardhezi, “komunist” dhe “tradhtar”, çoi në shndërrimin e teksteve historike në akte-lapidar ose akt-padi ndaj personazheve “pozitivë” dhe “negativë” të historisë së Shqipërisë. Vetë diktatori Hoxha botoi një numër të madh librash, kujtimesh dhe ditaresh historike, të cilat, pavarësisht nga shkalla e manipulimit të fakteve, mbeten burime të rëndësishme studimi. Tipar i Hoxhës, ashtu si dhe i teksteve zyrtare historike, është ndryshimi i rrjedhës së ngjarjeve, i datave, i të dhënave, i cilësimeve dhe i vlerësimeve nga dekada në dekadë, në varësi të marrëdhënieve të diktatorit me personazhet dhe ngjarjet. Të vetmet botime më afër të së vërtetës mbeten ato të viteve të para të pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos materialet e Kongresit të Parë të PKSH-së (nëntor 1948), si dhe raportet politike e organizative të drejtuesve të tjerë të lartë të partisë në atë kohë. Faktet dhe vlerësimet e shprehura në ato botime u ndryshuan më vonë në të gjitha botimet zyrtare dhe në kujtimet e diktatorit, ndaj meritojnë të konsiderohen shumë afër të vërtetës. Në tërësi, shumica absolute e këtyre botimeve, si dhe e autorëve të tjerë historianë nuk mbështeten në burimet ndërkombëtare dhe as në më shumë se një burim, gjë që u kufizon atyre të drejtën për t’u konsideruar studime serioze dhe plotësisht të referueshme. Faktet e dokumentuara tregojnë se, me përjashtim të politikanëve të vrarë dhe të eliminuar në vitet 1945-1947, të gjithë të eliminuarit e tjerë, nga Koçi Xoxe te Mehmet Shehu, nuk ishin disidentë politikë, por viktima politike të klaneve rivale. Ata asnjëherë nuk bënë dhe as nënkuptuan kritika ndaj diktatorit dhe shtetit stalinist që ndërtuan. Besnikëria e tyre ndaj regjimit ishte aq e madhe, saqë as gjyqet ndëshkuese të tyre dhe as kalvari i gjatë i vuajtjeve nuk i bindën ta vënë atë në dyshim. Paaftësia për të lexuar në kohë zhvillimet politike dhe për të shprehur qëndrime kurajoze në momentin, kur ato mund të parandalojnë të keqen, përbën një tipar të pandryshueshëm të të gjitha klasave politike të viteve ’20, ’30, ’40, ’50, ’70, si dhe të viteve ’90. Kthesat dhe reflektimet erdhën shumë vonë, atëherë kur e keqja kishte ndodhur dhe shumica e qytetarëve të prekur nga vendimet e gabuara ishin shndërruar, tashmë, në viktima. Ata që i mbijetuan diktaturës nxituan të botojnë kujtime, në formën e copëzave të bisedave, meditimeve dhe vlerësimeve, nga këndvështrimi i tanishëm, për diktaturën e diktatorin. I pandryshueshëm mbetet fakti se pjesa më e madhe e vetë viktimave, që mbijetuan të luftës për pushtet brenda PPSH-së, në vitet kur ishin drejtues dhe vendimmarës të regjimit, kishin vepruar me po të njëjtën ashpërsi dhe egërsi, si dhe diktatori, kundër rivalëve apo disidentëve të vërtetë politikë. Në forma dhe në referime të tjera, të njëjtat dukuri u panë edhe në vitet e monarkisë (1925-’39) dhe në vitet e tranzicionit demokratik (1990-2006). Në këtë mënyrë, në një plan më të gjerë kohor, procesi i shndërrimit të konservatorëve në liberalë, të besnikëve të regjimit në kritikë të tij apo mosmirënjohja e shtetit dhe e shoqërisë ndaj figurave me kontribute të mëdha përfaqësojnë dukuri tipike të politikës shqiptare të periudhës së monarkisë, të diktaturës dhe të demokracisë. Pas vitit 1990, kur u krijua për herë të parë mundësia për hapjen e arkivave të Shqipërisë dhe për kërkimet në arkivat e vendeve perëndimore, nisi një proces i vështirë i rivlerësimit të fakteve dhe të ngjarjeve historike. Në këtë kuadër, ka pasur edhe përpjekje pozitive në fushën e shkrimit të historisë, kryesisht, disa botime të shkruara nga politikanë të ndryshëm, që kanë drejtuar vendin ose kanë pasur poste të larta në periudha të ndryshme të historisë sonë. Në shumë raste, këto botime marrin vlerën e dëshmive historike dhe jo të fakteve shkencore. Gjithashtu, nga entet shtetërore dhe në botime individuale u bënë publike dokumente, botime dhe fakte që hidhnin poshtë një pjesë të madhe të tezave dhe të konkluzioneve të historiografisë zyrtare shqiptare, si dhe paraqisnin pjesën tjetër të realitetit. I bërë me nxitim, nga njerëz të lidhur emocionalisht me disidencën antikomuniste dhe nën presionin politik, procesi i rivlerësimit të historisë dhe i ballafaqimit me faktet e dokumentuara, fillimisht, nuk u bë i plotë, mbi baza shkencore dhe në mënyrë të organizuar. Më shumë se çështje e institucioneve, kjo u trajtua dhe u realizua si çështje e individëve dhe e interesave të partive në qeveri. Për më tepër, gjatë tranzicionit nuk ka ndodhur asnjëherë që akademikë apo historianë vendas, të pranojnë publikisht manipulimin e fakteve historike në botimet e tyre gjatë diktaturës. Përkundrazi, me të njëjtën qetësi dhe me të njëjtat argumente, historianë të tillë, përfshirë edhe drejtues të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave apo të Institutit të Historisë, vazhdojnë të mbrojnë teza ideologjike dhe, njëherësh, refuzojnë të njohin meritat e atyre figurave historike që janë denigruar pa kursim në botimet e tyre përpara viteve ’90. Në këtë mënyrë, vonesat e pajustifikueshme në rivlerësimin e historisë dhe në njohjen e të vërtetave nga publiku, edhe pas 15 vjetësh demokraci, kanë krijuar një boshllëk të madh sidomos në sistemin shkollor parauniversitar dhe atë universitar. Në këto kushte, burime të referueshme dhe shpresa e vetme për rivlerësimin e balancuar, faktik dhe profesionist të historisë së shtetit shqiptar janë, kryesisht, studiuesit e huaj. Nuk është rastësi që në morinë e dhjetëra e qindra librave të botuar për historinë shqiptare të viteve 1912-1945 librat më të lexuar, më të cituar dhe të besuar janë ato të autorëve të huaj. Këta nuk kanë lidhje emocionale me Shqipërinë dhe me diktaturën, si dhe kanë pasur rastin të analizojnë dhe të komentojnë vetëm faktet e dokumentuara përmes arkivave shqiptare dhe të huaja. Vetëm një pjesë e vogël e tyre ra “viktimë” e ndihmës apo e propagandës komuniste, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë studiues seriozë dhe me përvojë, admirues të profesionit dhe këmbëngulës në zbulimin e të vërtetave. Falë punës dhe kontributit të këtyre autorëve të huaj, sot në publik dhe në rrethet akademike shqiptare mund të gjenden botime serioze dhe të referueshme, që i kanë dhënë një shtysë të madhe procesit të rivlerësimit të ngjarjeve dhe të personazheve historikë. Në përfundim, vlen të theksohet se, bashkë me shoqërinë dhe me politikën, edhe shkenca e historisë vazhdon të jetë në kërkim të identitetit të saj dhe në përballje me kërkesën për reformim të plotë. Ajo duhet të arrijë të gjejë konsensus në vendosjen e një standardi shkencor vlerësimi për rolin dhe veprimtarinë e shumë prej figurave më të njohura historike, si dhe për rrjedhat më të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar. Është e papranueshme që brezat më të rinj, por edhe studentët dhe media publike vazhdojnë të mos jenë zyrtarisht të informuar për të vërteta historike, si për shembull: se akti i Pavarësisë erdhi mjaft vonë dhe se kjo ndodhi, në një masë, të madhe për shkak të grindjeve personale të politikanëve shqiptarë e turq në Stamboll; se nuk ishte Vlora qyteti i zgjedhur fillimisht për shpalljen e pavarësisë dhe as Tirana qyteti i zgjedhur fillimisht për kryeqytet; se djali i Abdyl Frashërit, udhëheqësit të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është Mit’hat Frashëri, themelues dhe udhëheqës historik i “Ballit Kombëtar”, se Ismail Qemali, simboli i padiskutueshëm i pavarësisë së shtetit shqiptar, e mbylli karrierën e tij politike me një projekt të kundërt - federalizimin e Shqipërisë; se Fan Noli, një politikan properëndimor dhe liberal, udhëhoqi lëvizjen e armatosur kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë legjitime, më 1924, dhe e mbylli karrierën e tij politike në një angazhim emocional prosovjetik; se Qazim Koculi, një nga aktorët kryesorë të Luftës antiitaliane të Vlorës, në vitin 1920, e mbylli karrierën politike në një pozicion të qartë proitalian; se Kisha Katolike, në vitin 1938 bojkotoi ceremoninë e martesës së mbretit Zog me Geraldinën, kurse në vitin 2003 varrimi i saj u bë me meshë, pikërisht në Kishën Katolike në Tiranë; se emrat më të njohur të jetës politike të viteve 1920-1950 në periudha të ndryshme ishin bashkëpunëtorë besnikë apo përkrahës të shteteve të ndryshme; se në vitin 1921, ministër i Luftës i Shqipërisë u emërua një person që nuk fliste asnjë fjalë shqip (Salahudin Shkoza); se merita për hapjen e shkollave në Kosovë (vitet ’40) i takon Ernest Koliqit; se Mustafa Kruja nuk ishte vetëm kryeministër në një qeveri kuislinge, por edhe drejtuesi më i lartë i një enti shtetëror, që sot quhet Akademi e Shkencave; se me ndihmën e fqinjit verior (Jugosllavisë) erdhën në pushtet Zogu (1924) dhe Enver Hoxha (1944); se në mbledhjen themeluese të PKSH-së zgjedhja e Hoxhës në krye të saj ishte “zgjedhje momenti” dhe e përkohshme; se shefi ushtarak i forcave partizane në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte Enver Hoxha, por Spiro Moisiu; se një pjesë e ish-të përndjekurve politikë, më shumë sesa për bindjet e ndryshme, u dënuan nga rivaliteti i brendshëm për pushtet, nga inatet apo nga xhelozia e të njohurve të tyre; se të gjithë ministrat e Brendshëm të monarkisë dhe të diktaturës përfunduan në qelitë e burgjeve apo para togës së pushkatimit; se shumë prej atyre politikanëve që propaganduan luftën e klasave, kolektivizimin, izolimin e vendit, ndalimin e fesë dhe përjashtimet ideologjike ranë vetë, në vite, viktima të regjimit, që bashkë e krijuan dhe e forcuan; se thuajse të gjithë kryetarët e partive politike të viteve ’90-’91 vinin nga anëtarësia e Partisë së Punës; se monarkia u identifikua si drejtim i vendit nga familjet e Veriut, ndërsa diktatura komuniste, nga familjet e Jugut të Shqipërisë; se në vitet 1912-1913 komuniteti mysliman përfaqësonte elitën intelektuale të kohës, në vitet ’20 këtë status e gëzonte komuniteti katolik, ndërsa në vitet e diktaturës ky rol u mor nga komuniteti ortodoks dhe ai mysliman; apo se klasa politike shqiptare e periudhës 1912-’20 kishte edukim osman, ajo e viteve 1930-1938 kishte formim italian dhe austriak, ajo e periudhës 1944-1950 kishte formim francez dhe rus, ajo e viteve ‘50-‘60 qe me formim vetëm rus, në vitet ’70-’80 u shtua edhe formimi kinez, ndërsa në klasën politike të viteve ’90 u përfshinë përsëri elementë me edukim francez. Këto dhe mjaft tema e fakte të tjera historike te ne kanë mbetur tabu. Kjo ndodh për një sërë arsyesh subjektive dhe objektive, të cilat lidhen me nivelin akoma problematik kulturor të shoqërisë sonë, si dhe me faktin se, në momente të ndryshme të zhvillimeve politike, për secilin nga politikanët, qofshin këta edhe simbole të rezistencës apo të kulturës shqiptare, mund të gjenden deklarata apo qëndrime të provuara nga koha si të gabuara. Politikanët, sidomos ata të viteve përpara vendosjes së komunizmit në Shqipëri, nuk patën një tribunë publike të debatit dhe të aksionit politik, siç janë Parlamenti apo funksionimi real i partive politike; nuk gjetën një traditë të trashëgueshme në këtë fushë dhe jetuan në një mjedis të ashpër, në të cilin idetë dhe aftësia për qeverisje nuk mund të siguronin pushtet, nëse nuk shoqëroheshin me ushtri besnikësh të armatosur apo nëse nuk dispononin mjete dhe lidhje të tjera jo shumë të pranueshme. Ekzistenca dhe ndërveprimi i disa lloje interesash të shteteve të tjera në Shqipëri, ndikimi psikologjik dhe ekonomik i zhvillimeve në rajon, raportet inferiore përballë fuqive të mëdha të kohës, si dhe përçarja e thellë krahinore, pasojë e varfërisë dhe e nivelit të lartë të analfabetizmit e nxitën edhe më shumë mungesën e koordinimit të politikës dhe e vonuan gjithnjë e më shumë procesin e krijimit të vetëdijes kombëtare dhe të asaj shtetërore. Këto dhe të tjerë faktorë ndikuan edhe në lindjen dhe në veprimtarinë e klasës politike të periudhave të tjera të mëvonshme të historisë, për t’u rishfaqur me të njëjtin ritëm edhe në vitet ’90 dhe në fillimin e shekullit të ri. Shqipëria ende ndodhet në tranzicion, shoqëria jonë ndodhet në tranzicion, politika, si produkt i saj dhe si trashëgimi e së kaluarës, ndodhet në krizë identiteti. Klasa politike nuk ka më mbështetjen plebishitare të vitit 1990 apo të vitit 1992, nuk ka më shkëlqimin e viteve 1993 apo 1999, nuk ka më ritmin e punës së viteve 1995 apo 2001. Politika nuk është më profesioni i njerëzve atdhetarë të vitit 1912, i dijetarëve të viteve ’20, i shtetarëve të viteve ’30, i luftëtarëve të viteve ’40 apo i studentëve idealistë të dhjetorit ’90. Ajo nuk është më profesioni monopol i njerëzve më të ndershëm e të mençur në shoqëri, që shohin përtej momentit dhe hijes së tyre. Politika është shndërruar në një profesion fitimprurës dhe spekulues, ku interesi ka mbytur moralin dhe idealet, ku vlerat e demokracisë e kanë të vështirë të zënë vend dhe ku ndodh rrallë që më i suksesshmi dhe i pushtetshmi të ketë, të paktën, gjysmën e cilësive të qytetarisë dhe të vizionit që kishte 80-90 vjet më parë plejada e papërsëritshme e atyre burrave, që bënë shtetin shqiptar. Brezat e sotëm, sidomos ata që nuk e jetuan komunizmin me paradokset dhe çmendurinë e tij të paimagjinueshme, kanë rastin të mësojnë nga gabimet dhe nga trashëgimia e brezave të humbur, që mbajtën gjallë ëndrrat ende të parealizuara për një Shqipëri demokratike, të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në familjen europiane.
Tiranë, 2006
PËRMBAJTJA
Hyrje
JETA DHE TRADITA POLITIKE PËRPARA SHPALLJES SË PAVARËSISË Vonesa në procesin e krijimit të identitetit shtetëror Gjergj Kastrioti dhe miti i bashkimit Pashallëqet, një hap drejt autonomisë Lidhja e Prizrenit: Lindja e organizimit politik të shqiptarëve Kriza e perandorisë, shansi i shqiptarëve Shpallja e Pavarësisë dhe krijimi i shtetit shqiptar Politika - peng i luftës
JETA POLITIKE GJATË REPUBLIKËS DHE MONARKISË Procesi i vonuar i krijimit të partive Kongresi i Lushnjës dhe ndryshimi historik Debatet politike që sollën lindjen e partive Tipare dhe veçori të dy partive politike 1921, zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë Kriza e parë e sistemit dypartiak Zgjedhjet e vitit 1923 dhe rikthimi i krizës Trazirat e vitit 1924, fundi i pluralizmit Noli dhe Zogu – burimi i konfliktit politik Tipare të zhvillimeve politike 1925 - Zgjedhje pa rivalë Zgjedhjet e vitit 1932, nostalgjia për parlamentarizmin Fundi i mbretërisë
JETA POLITIKE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE Pushtimi që solli Partinë Fashiste Shqiptare Politika dhe rezistenca antifashiste Krijimi i PKSH, suksese dhe dështime Antikomunistët në grupim të ri politik Peza dhe Mukja: Fillimi dhe fundi i bashkimit Rikthimi i monarkistëve në jetën politike Lufta ndërshqiptare për pushtetin e nesërm Aspekte të luftës midis forcave politike Fundi i luftës dhe ngritja e PKSH-së
VENDOSJA E DIKTATURËS - KALIMI NË SISTEMIN NJËPARTIAK Takimi i vështirë me çlirimin e vendit Me terror kundër kritikës politike Fundi dramatik i nismave politike Partia – shtet nën kontrollin e militantëve Vitet ’50, fundi i shpresave për ndryshim Regjimi dhe pushteti absolut i Hoxhës Një periudhë e mbushur me eliminime të kundërshtarëve politikë Modele të imituara të politikës Tipare të modelit parti – shtet Pluralizmi fals: organizatat e masave
PARTITË POLITIKE NË PLURALIZËM. TRANZICIONI, TIPARE DHE SFIDA Fillimet e vështira të pluralizmit Veçori shqiptare të demokracisë Krijimi i PD-së, kthim në modelin e pluralizmit partiak Partitë politike dhe legjislacioni Anëtarësia e padukshme e partive Kronika e zgjedhjeve parlamentare Mazhorancat “vrasëse”, ndikimi mbi parlamentin Bojkoti si instrument i politikës Konflikti politik dhe marrëveshjet politike Koalicionet: zgjedhje midis partive dhe individëve Defragmentarizimi i partive Cikli i mbyllur i partive – partitë monopol Amullia e klasifikimit politik të partive Roli i ideologjisë në aktivitetin e partive Standardet e dyfishta të partive për normat demokratike Partitë në raportet me tregun informal Arritjet kryesore të partive Paralele dhe ngjashmëri historike Partitë politike në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare Modeli shqiptar dhe ai rajonal i partive politike Modelet e reja të partive politike Përvoja e tranzicionit dhe sfidat e së ardhmes
Shtojcë 1. PËRSHKRIM I PARTIVE KRYESORE POLITIKE (1991-2006)
Shtojcë 2.
PROGRAMET POLITIKE TË DISA PREJ PARTIVE KRYESORE POLITIKE (1920-1991) • Programi i Partisë Përparimtare (1921) • Programi i Partisë Popullore (1921) • Programi i Ballit Kombëtar (1942) • Programi i Partisë Lëvizja e Legalitetit (1943) • Programi i Partisë së Punës së Shqipërisë (1948) • Programi i Partisë Demokratike (1990) • Programi i Partisë Socialiste (1991)
Shtojcë 3. TE DHËNA PËR ZGJEDHJET DHE PARTITË POLITIKE
INDEKSI I EMRAVE
BIBLIOGRAFIA
|