|
Berni
|
 |
« më: 24-01-2008, 08:06:32 » |
|
Ministria e Transporteve ka gati ligjin e ri që do të kalojë së shpejti në mbledhjen e qeverisë për komunikimet elektronike. Ligji parashikon masa të rrepta për ato kompani që abuzojnë me çmimet në tregun e telefonisë fikse dhe atë të lëvizshme, ndërkohë që i jep autoritetit përkatës dhe të drejtën për të kontrolluar dhe vendosur çmimet.
Kompanitë celulare dhe të gjitha të tjerat që do të cilësohen si kompani me fuqi të ndjeshme në treg në fushën e telekomunikacioneve, do të gjobiten në masën e 10 përqindëshit të xhiros vjetore, në rast se konstatohet se mbajnë çmime më të larta se ato që do të përcaktohen nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKE). Projektligji është hartuar nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve dhe së shpejti do të kalojë në qeveri e më pas në Kuvend për diskutim. Në projektligjin e paraqitur, parashikohen një sërë masash nga ana e këtij autoriteti për të parandaluar abuzimin që mund të lindë si pasojë e mungesës së konkurrencës, jo vetëm në tregun e telefonisë celulare, por edhe te kompani të tjera që mund të jenë kompani të shërbimit të telefonisë fikse, apo që ofrojnë shërbime interneti dhe që plotësojnë kriterin për t`u quajtur FNT. KOMPANITE FNT Ndërkohë që me mbarimin e mandatit aktual ERT zëvendësohet nga AKE, do të jetë kjo e fundit ajo që do të përcaktojë dhe se cilat janë kompanitë me fuqi të ndjeshme në treg, ashtu siç përcakton ligji i përgatitur nga MPPTT. Sipas ligjit, këto ndërmarrje do të shihen në bazë të madhësisë së sipërmarrjes në raport me tregun, pengesat e larta për hyrje dhe zhvillim të konkurrencës për shkaqe të infrastrukturës, investimi etj., fazën ku ndodhet tregu përkatës, fuqinë kundërvepruese blerëse, sjelljen e përgjithshme në treg si çmimet, politikën e marketingut, shërbimet etj Nga ana e tyre, vetë FNT, në bazë të nenit 52 të këtij ligji, janë të detyruara që tarifat e shërbimeve t’i orientojnë drejt kostos. “Tarifat e shërbimit të komunikimit elektronik publik vendosen nga sipërmarrësit e rrjeteve. GJOBAT Ndërkohë, ligji përcakton qartë se kur janë rastet, kur ndaj një kompanie do të merren masa administrative. Sipas ligjit, një kompani e cilësuar ose jo si FNT, por që operon në tregun e telekomunikacioneve, do të gjobitet me 7 deri në 10 për qind të xhiros vjetore të vitit paraardhës, në rast të aplikimit të tarifave abuzuese dhe nuk zbaton nenin për rregullimin e tarifave. Në pikën ku flitet për gjobat janë dhe një sërë shkeljesh të tjera që gjobiten me të njëjtën masë administrative, si në rastet kur nuk lejon inspektorët e AKE të kryejnë kontroll në ambientet e kompanisë, nuk ka përmbushur klauzola që kanë të bëjnë me marrëveshjet e interkonjeksionit të parashikuara në këtë ligj etj. Gjithashtu, me të njëjtën masë gjobiten kompanitë, të cilat nuk japin informacion për rrjetin apo që nuk kanë përditësuar ofertat e referencës, siç i kërkon ligji e kështu me radhë. Gjobat variojnë nga 2 përqind e xhiros vjetore deri në 10 për qind, por dhjetë për qind është masa që aplikohet në rastet kur shkeljet janë të rënda dhe abuzive.
Gazeta Tema
|