M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 28-06-2009, 23:42:58 » |
|
Gjatë shekujve tregtarë, edhe mbretëresha kanë diskutuar sekretet e ruajtura nga mjeshtra parfumerie italianë dhe francezë
Parfumi dhe arti i joshjes
Nuk mund të datohet me siguri përdorimi i parë i esencave të parfumuara nga ana e njeriut. Ajo që është e sigurtë është se vajra dhe aroma esenciale kanë luajtur gjithmonë një rol të dorës së parë sa në praktikat fetare, aq edhe në artin më profan të joshjes. Gjatë shekujve tregtarë, edhe mbretëresha kanë diskutuar sekretet e ruajtura nga mjeshtra parfumerie italianë dhe francezë.
Nga nata e kohëve, parfumi kryen funksione të shumta, të cilat këtu mund t'i grupojmë në 7 klasa:
- funksionin e shenjtë (vë në raport personin me zotat nëpërmjet aromave të përdorura në rite të shenjta, në ballsamime apo gjatë ofertave);
- funksionin joshës (armë e padukshme për kënaqësi);
- funksionin aristokratik (ka qenë për një kohë të gjatë prerogativë e pak njerëzve);
- funksionin kënaqësi (i jep një karakter të veçantë atij që e përdor);
- funksionin jetik (në Greqinë e lashtë u jepte forcë dhe besim atletëve);
- funksionin identitet (evokon një njeri edhe kur nuk është ose ndihmon që të kujtohen ngjarje të kaluara);
- funksionin mirëqenie dhe mjekësor (nëpërmjet aromaterapisë).
Termi "parfum" vjen nga latinishtja per fumum, që fjalë për fjalë do të thotë "nëpërmjet tymit". Kështu, origjina etimologjike duhet kërkuar në përdorimin e disa vajrave dhe aromave esenciale, si temjani, që digjeshin në ofrim të zotave dhe të paraardhësve. Pranë qytetërimeve të lashta "tymosjet" praktikoheshin për qëllime të shenjta, për të dërguar mesazhe në qiell, si vektorë të lutjeve drejtuar zotave apo njerëzve të dashur të vdekur. Akoma sot përbëjnë një mbështetje për lutjen, për meditimin dhe si praktikë pastruese në të gjitha kultet e mëdha fetare. Ekzekutimi i "tymosjes" është akoma sot në themel të aromaterapisë moderne. Nuk mund të datohet me siguri lindja e parfumit, edhe pse arkeologjia na bën të ditur se përkrah me përdorimin e parfumit si ndërmjetës midis njeriut dhe zotave, pothuajse menjëherë ai u përdor si instrument joshjeje dhe për kurimin e trupit.
Disa kërkime të kryera në Pyrgos, në ishullin e Qipros, kanë zbuluar atë që besohet se është fabrika më e lashtë e parfumeve në Mesdhe. Gjatë gërmimeve, të filluara në vitin 1997 dhe që kanë zgjatur për 8 vjet, janë gjetur mbeturina arkeologjike që i përkasin shekullit XX-të B.C. të një fabrike që merrej me prodhimin e vajit të ullirit dhe përdorimin e tij në sektorët kozmetikë, mjekësore-farmaceutik dhe tekstil. Larmia e esencave të nxjerra në treg nga "kompania parahistorike" ishte vërtet e gjerë për ato kohëra: mersina, livando, kanellë, rozmarinë, rigon, dafinë, koriandër, majdanoz, bajame e hidhur, kamomilë dhe anason.
Por është Egjipti i lashtë ai që na jep dëshminë e parë të vërtetë të përdorimit të parfumit. Këtu parfumi është gjithmonë i pranishëm në tempujt dhe në ritualët fetarë: pastron trupin dhe mendjen e njeriut në jetë dhe është pjesë përbërëse e ritit të ballsamosjes të të vdekurve. Për egjiptianët, parfumet janë sidomos shprehje e rrjedhjes së "djersës hyjnore", ajo që bashkon popullin me hyjnitë. Domethënies magjiko-hyjnore i shtohet më pas një më profane, e lidhur me artin e joshjes. Gratë egjiptiane hidhnin në trup balsame dhe vajra aromatike, shpërndanin nëpër flokë pomada aromatike. Mbretëresha Kleopatër e ekzaltonte sharmin dhe bukurinë e saj me kremra dhe vajra të parfumuara. Qe ajo që e priti Mark Antonin, në takimin e tyre të parë të dashurisë, në një dhomë të mbushur me petale trëndafili ku digjeshin incens dhe barëra aromatikë. Parfumi më i përdorur nga faraonët dhe nga gratë e tyre është Kyphi, një përbërje e formuar edhe nga më shumë se 50 esenca. Plutarku shkruan se Kyphi kishte fuqinë që të "favorizonte gjumin, të ndihmonte të shikoje ëndërra të bukura, të largoje preokupimet e përditshme, të krijoje një ndjenjë paqeje". Midis përbërësve të shumtë të përdorur në këtë parfum të lashtë, qenë të pranishëm fistikat, mentja, kanella, gjineshtra, incensi dhe mirra. Incensi (Bosellia sacra) dhe mirra (që nxirret nga Commiphora burseraceae) qenë dy rrëshirat më të njohura në lashtësi. Përkrah vlerës fetare dhe sociale, parfumet në Egjiptin e lashtë morën edhe një rëndësi diplomatike: esencat e parfumuara qenë shumë të çmuara dhe faraonët ua dhuronin sovranëve aleatë. Më vonë, parfumet hynë në përdorimin e përditshëm edhe të fisnikëve, funksionarëve dhe kurtizanëve. Qe kështu që skllevërit hebrej mësuan disa formula, duke iu kushtuar, sapo liroheshin, prodhimit dhe tregtimit të këtyre produkteve aromatike. Megjithatë, pranë popullit hebraik përdorimi i esencave të parfumuara ishte tashmë i përhapur. Përkundrazi, në mistikën hebraike marrja e erës është përshkruar si shqisa e vërtetë që i jep kënaqësi shpirtit, ndërsa të gjitha të tjerat i japin kënaqësi trupit: kështu, parfumi të afron me Zotin, por është edhe shenjë nderimi dhe mirënjohjeje.
Roli i shenjtë i parfumeve përkufizohet në Shkrimet e Shenjta, në veçanti në Librin e Eksodit. Zoti kish urdhëruar që të ndërtohej një altar mbi të cilin të ofroheshin parfume. "Zoti i tha Moisiut: 'Siguro balsame: storaks, oniks, galban si balsamë dhe temjan i pastër: gjithçka në pjesë të barabarta. Do të bësh me to një parfum për t'u djegur, një kompozim aromatik sipas artit të parfumistit. Do t'i marrësh një pluhur shumë të imët dhe do ta vësh përpara dëshmisë në tendën e takimit, ku unë do të takohem me ty. Gjë shumë e shenjtë do të konsiderohet prej jush" (Eksodi. 30, 34-36). Në Tempullin e Jeruzalemit ofrimi i parfumeve kishte një rol predominues. Për Yom Kippùr (festimi hebraik që përkujton ditën e mundimeve), Prifti i Nderuar hynte në të Shenjtin e të Shenjtëve (vendin ku ndopdhet Torah, papirusi i Ligjit) me temjanicën e parfumeve për të djegur, temjanëve, të përbërë nga një përzierje me bazë temjani. Pranë hebrenjve parfumi është përdorur me formën e preparateve kremore (të quajtur puk), me vajra të parfumuara, pluhurash dhe qeskash me barëra aromatike të hedhura sipër ose të vëna midis veshjeve. Një dëshmi tjetër e gjejmë tek Ungjilli: "Pasi që kishte lindur Jezùsi në Betlehem të Judeas, në kohërat e Mbretit Herod, ja që magjistarë të ardhur nga Orienti mbërritën në Jeruzalem. Me të hyrë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe të cfilitur, e adhuruan. Pastaj hapën kutitë e tyre dhe i ofruan si dhuratë flori, temjan dhe mirrë". (Matteo. 2, 11). Kështu, tri janë dhuratat që astrologët babilonas i ofruan Krishtit: floririn që u dhurohet mbretërve, temjanin në nderim të Zotit, mirrën - aromë funerale - një referim ndaj cilësive njerëzore të tij.
Arti i përzierjes së aromave u përhap edhe në Perëndim, në Greqi e në Romë. Qysh nga epoka kreto - mikenase, (1500 B.C.), grekërit besonin në ekzistencën e qenieve hyjnore të zbuluar nga aromat dhe nga parfumet. Pavarësisht vetos morale të Sokratit, parfumet qenë aq të vlerësuar sa që konsideroheshin si krijim i vetë zotave. Për këtë arsye, pranë këtij populli, përkrah rëndësisë së esencave të parfumuara në festimet e kultit, parfumi ishte i lidhur me të gjitha pasazhet e jetës: lindja, martesa, vdekja qenë të gjitha të lidhura nga tymosje dhe lyerje të parfumuara nga virtytet pastruese dhe të shenjta. Grekërit kanë hyrë në histori edhe për kultin e bukurisë plastike dhe të kujdesit pasues për higjenën e trupit. Rëndësia e atribuar parfumit konfirmohet nga i famshmi Traktat i aromave i Teofrastit (dishepull i Aristotelit), tekst bazë i parfumerisë së lashtë. Qysh në këtë epokë zbulohen virtytet terapeutike të euodias, aromave të mira. Për shembull, grekërit besonin se lyerja e kokës me sytha trëndafilash apo me jasemin i lehtësonte hemikranitë, në mënyrë të veçantë ato të provokuara nga pirje të tepruara. Hipokrati i ekzaltoi ilaçet me bazë menteje, malve dhe kumini të marra në formë tymosjeje, fërkimesh dhe banjosh. Midis preparateve të parfumuara të grekërve të lashtë kujtojmë kiprosin, me bazë menteje dhe bergamoti, dhe susinonin me bazë zambaku. Edhe romakët, parimisht kundërshtarë ndaj këtyre gjërave të lehta, u infekuan nga dashuria për parfumet dhe kremërat. Fillimisht të lidhura me kultin fetar, esencat e parfumuara kaluan në përdorim vetjak apo mjedisi: romakët përgatisnin pomada, ujëra aromatikë, parfume, kokrra dhe pluhura me erë. Nga Republika në Peradori, parfumet njohën një sukses të mrekullueshëm, deri në atë pikë, siç tregon Petroni tek Satyricon, që banketet qenë "orgji aromatike" në kuptimin e vërtetë të fjalës. Me rënien e Perandorisë Romake, arti i parfumerisë në Europë njohu një periudhë dekadence. Kjo i detyrohet edhe kristianizmit, që me zakonet e rrepta të tij ia rezervoi praktikimin e përdorimit të esencave të parfumuara vetëm kultit fetar. Do të jetë vetëm në shekullin XIII, me mbarimin e Kryqëzatave, që parfumi do të kthehet në mënyrë të qendrueshme në Europë.
Por, qe në orient që tregtia e aromave dhe e specieve njohu një zhvillim të madh. Zbulimi i artit të distilimit i dha një impuls të madh tregut të parfumeve. Arabët nuk janë shpikësit e kësaj teknike, por e kanë rafinuar dhe e kanë përhapur atë. Në shekullin X, mjeku i famshëm arab Avicena zbuloi sesi të distilojë Ujin e Trëndafilave nga petalet e trëndafilit njëqindpetalësh. Jo vetëm kaq, në veprat e tij i përmendi shpesh locionet e reja aromatike dhe vajrat e parfumuara. Megjithatë, nuk bëhej fjalë akoma për solucione alkolike, përsa alkoli ndalohej nga Kurani. Qe Instituti Superior i Shkencave të Salernos, rreth vitit 1000, ai që zëvendësoi vajin me alkolin si përbërës joaktiv të parfumit. Grekërit e distilonin duke përdorur à mbix-in (vazon apo kupën e pajisur me një kanal të vogël), arabët i shtuan najen dhe instrumenti u bë al-ibniq. Murgjërit benediktinë në ndjekje të ushtrive kristiane në Tokën e Shenjtë, mësuan nga dorëshkrimet arabe sekretet e distilimit. Tekstet e nxjerra i përkthyen në latinisht pranë shklollave të Salernos e të Santiago di Compostela dhe nga këto shkolla dolën edhe mjeshtërit e parë distilues (të esencave, por edhe të pijeve). Falë kryqëzatave importohen nga orienti edhe aroma dhe esenca të reja. Parfumi i parë modern me solucion alkolik u përgatit në Hungari më 1370 nga një murg ekspert kimie. Parfumi, i njohur si Eau de Hongrie ("Uji Hungarez "), ishte një ekstrakt rozmarine, timi dhe livandoje. Mbretëresha Elisabetë e Hungarisë, falë vetive të këtij parfumi, mburrej se kish arritur të joshte në moshën 70-vjeçare Mbretin e Polonisë.
Në epokën e Rilindjes arti i parfumerisë u zhvillua më tej: kimia zëvendësoi përfundimisht alkiminë, duke përmirësuar distilimin dhe cilësinë e esencave. Parfumistët e mëdhenj të Rilindjes qenë spanjollë dhe italianë. Të parët e kishin trashëguar shkencën e tyre nga arabët, kurse të dytët kishin përfituar nga pasuria e gadishullit dhe nga shija e aristokracisë për parfumet për t'u pasuruar nëpërmjet tregtisë së esencave dhe për të eksportuar jashtë vendit teknikën e parfumistëve. Kur Caterina de' Medici mbërriti në Francë për t"u martuar me Dukën d'Orléans, Mbreti Enrik II i ardhshëm, solli me vete nga Italia parfumistin e saj Renato Bianco (i francezizuar më pas në René Le Florentin). Ai hapi një dyqan në Paris, duke u bërë shumë u famshëm midis aristokracisë parisiane. Edhe praktika e moslarjes (uji konsiderohej si një mjet përhapjeje për sëmundjet) e amplifikoi përdorimin e parfumeve. Esencat e parfumuara zënë vendin e higjenës personale për të mundur aromat e këqija dhe fshehur pisllëkun. Shumë në modë në atë periudhë ishte edhe parfumeria e thatë për përdorime të ndryshme: pluhura me qeska për t'u vënë nën fustane, për fytyrën, për paruken, të tregtuara në mënyrë të çrregullt me kuti të mëdha nga dekore të rafinuara.
Më 1600 lindi Uji i Këlnit. Sipas disave, "shpikësi" i saj qe Gian Paolo Feminis, i lindur në Santa Maria Maggiore, qytet i vogël i Val Vigezzo (në provincën aktuale të Verbano Cusio Ossola). Fillimisht shitës ambulant, Feminis shpik dhe prodhon një substancë që, sipas thënieve të tij, shëron të gjitha sëmundjet. Quhet Aqua Mirabilis. I transferuar në Këln të Gjermanisë, ky lëng transformohet në Acqua di Colonia. Sipas të tjerëve, ai që e "shpiku" këtë esencë qe një italian tjetër, Giovanni Maria Farina, edhe ai nga Val Vigezzo. Formula e konceptuar nga Farina përfshin nja tridhjetë esenca, midis të cilave limoni, kedri, portokalli, qitro, lavanda, timi dhe rozmarina. Një revolucion i vërtetë në fushën e pastërtisë personale ndodhi nga fundi i Tetëqindës kur Louis Pasteur (1822-1895), babai i mikrobiologjisë, zbuloi ekzistencën e baktereve. Pasoi një shtytje e fortë ndaj higjenës personale dhe u zbeh nevoja për t'ju drejtuar aromave të forta. U kalua kështu nga nevoja për të fshehur aromat e këqija në dëshirën për parfume më të ëmbla dhe më pak agresive. Revolucioni Francez do t'i japë një goditje të tmerrshme parfumerisë. Pavarësisht krijimit të parfumeve me emra evokues, si "Parfum all gijotninë" dhe "për kombin", esencat e parfumuara janë sinonim i aristokracisë. Në vitin 1778 lind në Milano Casa di Profumo, Saponi e articoli per toletta Angelo Migone & C., që prodhon produkte të parfumuara dhe për kujdesin e njeriut. Do të pushojë së ekzistuari vetëm në vitet Pesëdhjetë të shekullit XX, viktimë e një politike si kompani tepër të ankoruar pas produkteve të vjetra. Në shekullin XIX abrogimi i edikteve korporative dhe liberalizimi i tregtisë mundësojnë të shënohet një etapë vendimtare në prodhimin e parfumit. Në këtë periudhë hyn në skenë marka e famshme Guerlain. Në vitin 1828, Pierre Francois Pascal Guerlain hap maison-in e tij të parë të parfumerisë në Paris, që ofron eau de toilette, sapune, preparate termale, uthulla aromatike, kremëra dhe pomada të çdo lloji.
Në Tetëqindën, një zbulim revolucionesh në botën e parfumeve: sinteza e uresë, e arritur nga Friedrich Wöhler në vitin 1828. Ky zbulim i jep jetë kimisë organike, duke kontribuar në evolucionin e parfumerisë nëpërmjet përdorimit të aldeideve. Këta të fundit janë elementë sintetikë që e rrisin në pafundësi mundësinë për të disponuar parfumime të ndryshme. Komponente natyrore dhe produkte sinteze bashkohen më pas në substanca të quajtura fiksatorë, të cilët kanë detyrën që ta "kapin" parfumin pas lëkurës. Fiksatorët kanë karakteristika të veçanta, midis të cilave ato të të qenit pak volatilë, pa ngjyrë, të tretshëm në alkool dhe në vajrat esenciale. Lind kështu parfumeria moderne. Pak e nga pak shfaqen produkte sinteze me cilësi të lartë, me çmime të pranueshme dhe me gjëra të papara në kompozime. Parfumi i parë i famshëm që përdor produkte sinteze është Flomary, i tregtuar në fillimet e Nëntëqindës. Por afirmimi i vërtetë do të vijë në vitin 1921 me krijimin e parfumit shumë të famshëm Chanel N.5 nga ana e Ernest Beaux. Gjithmonë në Tetëqindën, saktësisht më 1865, parfumisti londinez Eugene Rimmel (ai që ideoi një sistem për t"i bërë akoma më magjepsës sytë e grave me një furçëz për qerpikët), i ndau aromat në 18 grupe me qëllim lehtësimin e klasifikimit të aromave. Lindi kështu koncepti i nënfamiljes, duke i ndarë parfumet në bazë të jetëgjatësisë dhe notës dominuese (kjo e fundit mundëson të klasifikohet parfumi në brendësi të një familjeje). Intuita e Rimmel do të rimerret në vitet '20 të Nëntëqindës nga një parfumist tjetër, René Cerbelaud, i cili përpunoi një skemë me 45 grupe, duke individualizuar edhe lidhjet midis një grupi dhe tjetrit. Më së vonshmi, në vitin 1960, Steffen Arctander realizoi një klasifikim që përfshin 88 grupe, duke i ndarë lëndët aromatike natyrore sipas aromës, tipit dhe përdorimit të mundshëm. Euforia për modën e parfumeve pësoi një ndërprerje të shkurtër me krizën e 1929 dhe më pas me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Në vitet '50, parfumi kthehet të jetë armë joshëse. Tregu është i përmbytur nga mijëra parfume të reja. Në parfumeri shfaqet edhe eau de toilette për meshkuj, edhe pse parfumi mashkullor mbetet i lidhur me ritin e rrojes. Parfumeria bashkëkohore ofron sot spektaklin e një arti në kuptimin e vërtetë të fjalës, me bollëkun e risive, duke u bërë interpretues i kulturave, i traditave dhe i mënyrave aromatike të çdo pjese të botës.
Jo gjithmonë njihen sekretet e një parfumi apo për ta përdorur më mirë parfumin si armë joshjeje. Në zgjedhjen e një parfumi janë shumë të rëndësishëm disa karakteristika: duhet marrë në konsideratë metabolizmi i atij që e mban, ora e ditës në të cilën përdoret dhe, për femrat, periudha e muajit, sipas aciditetit të lëkurës, i njëjti parfum mbi persona të ndryshëm mund të ndryshojë deri sa të bëhet i panjohur. Për ta bërë më të dallueshëm një parfum, e rëndësishme është sidomos nxehtësia: ja pse këshillohet që të hidhet në pjesën e brendshme të pulsit, prapa veshëve, në qafë, në tëmtha, midis gjinjve, në sqetulla dhe prapa gjunjëve, zona në të cilat gjaku arrin më në sipërfaqe dhe, për pasojë, më të nxehta. Duhet të dihet edhe që parfumet kanë një influencë pozitive ndaj gjendjes tonë shpirtërore dhe mund të kenë një funksion terapeutik për faktin që disa esenca ushtrojnë efekte antidepresive dhe stimuluese (midis tyre bergamoti, limoni, pisha, lavanda, mentja, borziloku, çaji i gjelbër) apo qetësuese (midis të cilave kamomili, trëndafili, barbaroza, aloeja). Veç kësaj, është demonstruar që të dy sekset pësojnë një tërheqje më shumë me hundë sesa me sytë. Stimuli pamor është një impuls i fuqishëm, por vetëm në fazën fillestare. Më pas, në fakt është vënë përpara provës së flegrave: ajo që më përpara tërhiqte shikimin, mund të bëhet objekt përçmimi nëpërmjet aromës. Joshja duket në fakt se u takon disa geneve që ndodhen në krahun e shkurtër të kromozomit 6 dhe që janë përgjegjës të erës personale. Megjithatë, aroma trupore modifikohet me kalimin e viteve, arrin maksimumin e veçantisë në moshën e pubertetit. Një aromë ushtron joshje për disa persona dhe përçmim për të tjerë; aromat influencojnë marrëdhënie tona, na dekurajojnë ose na shtyjnë në një drejtim në vend të një tjetri. Mjafton të mendohet sesa aromat e papëlqyeshme na bëjnë që të ndryshojmë ide lidhur me një njeri, sa tensioni ynë erotik nxitet apo fashitet në prani aromash jo të pëlqyeshme. Është pikërisht mbi këtë që shtëpitë kozmetike dhe parfumet drejtohen: nuk prodhojnë aq shumë atë që është e pëlqyeshme sesa atë që eksiton, josh dhe ndihmon. Duke u nisur nga këto konsiderata, në vitin 2003 një ekip shkencor amerikan, i drejtuar nga kërkuesi Adam Anderson, duke përdorur rezonancën magnetike, ka zbuluar se ekziston një diversitet midis kënaqësisë të përcaktuar nga një parfum dhe intensitetit të tij: është konfirmuar se lobi orbitofrontal, objektivi final ku sinjalet aromatike bëhen të vetëdijshme, është përgjegjës për faktin që një esencë është e duhura apo jo, ndërsa amigdala (bërthama e vogël e trurit njerëzor që merret me përpunimin e përvojave emotive të kaluara) paralajmëron intensitetin e stimulit dhe aktivizohet pavarësisht nga pëlqyeshmëria e saj. Për më tepër, një parfum pëlqen pavërsisht të tjerave, sepse përgjigjja aromatike pothuajse gjithmonë filtrohet nga kujtesa e përvojave të mëparshme. Kështu, varet se çfarë përvojash kujtohen dhe nga lloji i asociimit që në të kaluarën ka lidhur këtë sugjerim aromatik të veçantë me një episod domethënës. Një braktisje afektive mund t'ia lërë vendin një pakënaqësie të thellë nëqoftëse në ajër ndjehet parfumi i preferuar nga ish-partneri.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
|