|
Berni
|
 |
« Përgjigjja #2 më: 05-04-2008, 09:50:29 » |
|
Shtrembërimet historike, nga origjina e Skënderbeut, deri te Nënë Tereza
Botimi i një libri voluminoz në Maqedoni, ditët e fundit, ka ngjallur reagime të ashpra nga ana e historianëve shqiptarë, sipas të cilëve dalja në qarkullim e botimit "Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase" është një provokim dhe fyerje e radhës ndaj shqiptarëve. Historianët kanë reaguar të parët, pasi kanë shfletuar enciklopedinë me katër vëllime. Por reagimet pritet të jenë edhe më radikale. Më 7 prill, historianët e Universitetit shtetëror të Tetovës pritet të kenë gati memorandumin, të cilin do ta dorëzojnë pranë të gjitha institucioneve, me kërkesën për anulimin e këtij libri dhe daljen e tij nga qarkullimi.
Shtrembërimi i historisë
Shefi i katedrës së historisë në Universitetin shtetëror të Tetovës, Vehbi Xhemaili, tha se vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur me të gjithë historianët, të cilët kanë kërkuar unanimisht korrektimin sa më të shpejtë të gabimit të kryer me lejimin e botimit të enciklopedisë. "Do të kërkojmë të hiqet nga përdorimi. Nuk mund të lejojmë që shqiptarët të injorohen, të përgënjeshtrohet e kaluara e tyre dhe të shtrembërohet e vërteta historike e prejardhjes së tyre", tha ai.
Katër vëllimet dhe 2014 faqet e "Enciklopedisë së përgjithshme dhe maqedonase", botuar nga shtëpia botuese "MI-AN", nën redaktimin dhe përgjegjësinë kryesore të shkrimtarit dhe publicistit, Jovan Pavllovski, janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Në të janë publikuar 22 mijë zëra nga fusha të ndryshme, si personalitete, ngjarje historike, ekonomike, politike, gjeografike, kulturore, religjione botërore, flora e fauna etj. Në enciklopedi janë paraqitur edhe 8 mijë zëra të tjerë nga Maqedonia, të cilët siç thuhen në parathënie, "kanë të bëjnë me kufijtë etnikë, gjeografikë dhe historikë".
Letra-ankesë
Në këtë enciklopedi kanë gjetur vend edhe përreth 50 zëra, në të cilët janë përfshirë edhe shqiptarët si akademikë, politikanë, poetë, shkrimtarë, terma gjeografike, si dhe disa figura e ngjarje historike. Në një letër të hapur, historiani Nebi Dervishi gishtin ia drejton arkitektit të saj, Jovan Pavlloski. Dervishi e akuzon se së bashku me ekipin e tij falsifikon dhe në mënyrë të turpshme përvetëson historinë e të tjerëve, duke filluar që nga lashtësia e antikiteti e duke vazhduar deri në ditët tona. Pra, kjo është një periudhë shumë e gjatë, në të cilën studiuesit "e nderuar" nuk mund që ta gjejnë vetveten, thotë Dervishi, duke shtuar se këta "studiues e krijues" vazhdojnë me të njëjtin "avaz" deri sot dhe gjithë ditën, për çka ne do të përpiqemi për lexuesit të hedhim dritë në disa të dhëna. "Historiografia shqiptare, që po e ndërtojmë ne, e nderuar redaksi e enciklopedisë, është e krijuar në tabanin kombëtar të shëndoshë, e zhveshur nga shpifjet dhe fantazitë e sëmura, pa vjedhje dhe pirateri, të cilat, për fat të keq tuajin, në historiografinë sllavo-maqedonase, që qëndron në këmbë të qelqta, nuk mund të gjejë vetveten", thotë Dervishi, ndër të tjera, në letrën e hapur.
Disa ndër ato që konsiderohen trillime lidhen me origjinën e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe nobelistes Nënë Tereza. Në faqen 719 të enciklopedisë, emri Gjergj shkruhet Gjorgjia, ndërsa në faqen 957 shkruhet se origjina e tij është sllave. Po kështu shtrembërohet edhe origjina e Nënë Terezës, që sipas librit në fjalë është vllahe.
Kërkesa: Të bllokohet
Një prej kërkesave të historianëve shqiptarë është bllokimi i qarkullimit dhe sekuestrimi i kopjeve të botuara deri tani. Kërkesa e tyre përligjet me fatin e prezantimit të shtrembëruar të historisë së shqiptarëve dhe të falsifikuar në bazë të recetës së vjetër serbe. Historianët dhe shkencëtarët shqiptarë shprehin bindjen se kjo histori e falsifikuar nga pala maqedonase nuk i kontribuon bashkëjetësës dhe njohjes së mirëfilltë të historisë kombëtare të shqiptarëve, mbështetur në fakte shkencore, të cilat u referohen edhe studiuesve botërorë. Historianët konstatojnë se në katër vëllimet e enciklopedisë shihet qartë që nuk janë përfillur fare metodat komparative dhe kulturat midis dy popujve, me tendencë falsifikimin e etnogjenezës shqiptare.
"Jemi të bindur thellë se në këtë enciklopedi mungon objektiviteti shkencor i marrëdhënieve shqiptaro-sllave gjatë periudhës rreth 1000-vjeçare, pas ardhjes së tyre në Ballkan. Gjithashtu, me qëllim injorohet edhe ndihma e shqiptarëve që u kanë dhënë fqinjëve të tyre grekëve, serbëve dhe në fund edhe maqedonas, për të themeluar shtetin e tyre", thuhet ndër të tjera në memorandum. Memorandumi ka për qëllim ta njoftojë opinionin e brendshëm maqedonas dhe shqiptar, si dhe të gjitha qarqet intelektuale, për insinuatat dhe falsifikimet e fakteve historike, që me anë të "Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase" tentojnë të shtrembërojnë historinë e shqiptarëve, të cilët jetojnë në këto troje që nga periudha historike e deri në ditët e sotme, thotë Xhemaili. Ai shton se qëllimi është që t‘u jepet fund qëndrimeve joshkencore dhe antishqiptare të disa qarqeve maqedonase, veprime që nuk i kontribuojnë bashkëjetësës.
Enciklopedia
Iliro-shqiptarët, të shtrembëruar
Vërejtjet e historianëve shqiptarë në Maqedoni kanë të bëjnë me trajtimin e elementit iliro-shqiptar në periudha të ndryshme historike, nga lashtësia, deri në shekullin e fundit të mijëvjeçarit të kaluar. Sipas enciklopedisë së botuar në Shkup, pellazgët kanë ardhur në Ballkan nga Kreta, Sicilia, Italia e Jugut dhe Etruria. Territorin e fiseve ilire, autorët e enciklopedisë e ngushtojnë dhe e vendosin vetëm në brigjet e detit Adriatik, ndërsa shqiptarët paraqiten me specifika etnike, si dy grupe popujsh "gegë dhe toskë". Historianët shqiptarë kundërshtojnë edhe pjesët ku shkruhet për trevën e Pollogut si një zonë "ku nuk ka pasur asnjë mysliman dhe se popullsia shqiptare fillon të vendoset nga administrata osmane për të ndërtuar strukturën e banorëve pas vitit 1690, pas luftës me Austrinë". Gjergj Kastrioti paraqitet në enciklopedinë maqedonase me emër të sllavizuar dhe me origjinë sllave, ndërsa Nënë Tereza paraqitet si vllahe.
Historiani
Dervishi: Shpifjet e enciklopedisë
-Pellazgët paskan ardhur në Ballkan nga Kreta, Sicilia, Italia e Jugut dhe Etruria. Kjo e pavërtetë historike shkruhet në faqen 1269
-Në faqen 572, autorët e enciklopedisë bëjnë tkurrjen e shtrirjes territoriale të fiseve ilire, që e ngushtojnë vetëm në brigjet e detit Adriatik
-Në faqet 533-534, autorët japin të dhëna për nekropolet e Trebenishtit. Kultura e gjetur në 32 nekropolet "është gjoja" e maqedonasve në periudhën helenistike
-Në faqen 32, shqiptarët paraqiten sipas gjuhës dhe specifikave etnike si dy grupe popujsh, "gegë e toskë". Për trevën e Pollogut shkruhet se "këtu nuk ka pasur asnjë mysliman" dhe se "popullsia shqiptare fillon të vendoset nga administrata osmane, për të ndërruar strukturën e banorëve pas vitit 1690, pas luftës me Austrinë"
-Në faqen 33 shkruhet se Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, si kryengritës më 12 gusht 1912, paskan hyrë në Shkup të papenguar nga askush dhe e paskan plaçkitur qytetin e Shkupit¦
-Në faqen 719 shkruhet për Gjergj Kastriotin, të cilit ia ndryshojnë edhe emrin, ia bëjnë Gjorgjia
-Në faqen 957 shkruhet për origjinën sllave të Skënderbeut, ndërsa Nënë Terezën nuk e bëjnë sllave, por vllahe
Libri
"Bullgaria
të ashpërsojë
politikën ndaj
Maqedonisë"
Akademia e Shkencave të Bullgarisë botoi librin "Politika bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë", përmes të cilit i kërkon qeverisë së Sofjes ashpërsimin e politikës ndaj Maqedonisë.
Tridhjetë intelektualë bullgarë i kanë kërkuar qeverisë së Sofjes që të ashpërsojë politikën ndaj Maqedonisë dhe të ndalojë tolerimin e sjelljes jokorrekte të saj ndaj shtetit bullgar.
Përveç kësaj, akademikët bullgarë kërkojnë që bullgarët të përfshihen në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë dhe në tekstet mësimore të shquhet se Goce Delçev, Car Samuili dhe personalitete të tjera të shquara të historisë së Maqedonisë, kanë qenë bullgarë. Këto mesazhe janë dhënë në librin "Politika bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë", e promovuar para pak kohësh në Sofje.
Librin e ka botuar Akademia e Shkencave e Bullgarisë dhe në përgatitjen e saj kanë marrë pjesë tridhjetë intelektualë bullgarë, profesorë, historianë, ambasadorë, drejtorë të institucioneve kombëtare e ekspertë bullgarë për Ballkanin.
Edhe pse ambasadori i Maqedonisë në Bullgari, Abdirrahman Haliti, tha në promovim se maqedonasit ekzistojnë dhe faktet e realiteti duhet të pranohen, intelektualët bullgarë vazhduan të mbrojnë tezën e njohur të Sofjes, se kombi dhe shteti maqedonas janë formuar në bazë të politikës serbe dhe janë mbështetur më vonë nga Kominterni në vitin 1934.
Elita shkencore bullgare është e shqetësuar me mënyrën se si zhvillohen proceset në Maqedoni, pas shpalljes së pavarësisë së saj, sepse siç thonë ata, nuk është arritur ajo që pritej- që maqedonasit të bëheshin të ndërgjegjshëm për rrënjët e veta bullgare.
Gazeta Shqip
|