|
Berni
|
 |
« më: 24-08-2007, 15:10:08 » |
|
Në Bagdad u ngrenë kurthe vdekjeprurëse, në Izrael është më keq se të jesh islamik.
"Mëkatarëve" u është bërë ekzistenca e jetës e pamundur
"Nëse dalim nga shtëpia na vrasin" Sa herë që dikush troket në portë, Nayz, Hasani dhe Xhafari shohin në sy njëri-tjetrin, ndërsa mendja u shkon gjithmonë për keq. Tashmë, prej gjashtë muajsh jetojnë së bashku në një shtëpi në Wisam, në një lagje të Bagdadit, edhe pse nuk arrijnë ta quajnë jetë atë që bëjnë. Qëndrojnë të fshehur. Ditët i kalojnë duke u sorollatur nëpër dy dhomat e shtëpisë dhe sigurisht duke pritur që diçka të ndodhë: fundin e luftës apo ardhjen e shpëtimtarit që t‘i nxjerrë nga kjo gjendje, sepse vetëm duke menduar kështu arrijnë të shohin një dritë për të ardhmen. Kanë frikë të dalin, ndërsa për të punuar as që bëhet fjalë. Argëtimi i vetëm i tyre është interneti, por duke parë edhe spiunët e shumtë që qarkullojnë nëpër faqet ku ata çatojnë gjithmonë, kanë frikë edhe prej tij. Nyaz, një vajzë 28 vjeçe, deri pak kohë më parë punonte si dentiste. Familja e saj kishte sakrifikuar shumë që ajo t‘i përfundonte shkëlqyer studimet, duke shpresuar njëkohësisht që të arrinte të kishte një karrierë brilante. Hasani, 34 vjeç, është aktor, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Bagdad dhe ëndërronte të luante në teatrot e gjithë botës. Xhafar sapo ka mbushur të 17-at dhe nuk e ka shumë të qartë se çfarë do të presë nga jeta, por di që ajo që ka arritur deri tani nuk është shumë. Të tre fshehin një sekret, që një ditë mund t‘i vrasë: janë homoseksualë. Nyaz mezi flet, është e tmerruar nga ideja që dikush mund ta zbulojë lidhjen e saj me një grua, sepse mjafton vetëm një dyshim i vogël për t‘u dënuar me vdekje. Tani nuk po e takon më shoqen e saj. Është shumë e rrezikshme, është kërcënuar disa herë, ndërsa milicitë e Mahdi-t, ushtria e Moqtada al Sadr, shiitit radikal, e kishin urdhëruar të martohej me një mullah të vjetër. Por vetëm mendimi e bën që të ndihet keq. "Kur laj pjatat mendoj shpesh se sa e thjeshtë është të marrësh një thikë dhe të presësh venat. A nuk është kjo ajo që duan të gjithë? Për ata, për atë që është bërë vendi im sot, unë jam një monstër, një njeri që nuk duhet të jetojë, një grua pa besim, pa moral, pa të drejta. Që unë jam një mjeke dhe një njeri i mirë kjo nuk ka fare rëndësi", thotë Nayaz duke fshirë lotët. Hasani i mban dorën, sepse ai e di se çdo të thotë të humbasësh një person që do, sepse shoku i tij u rrëmbye sapo doli nga palestra. Ka parë me sytë e tij milicinë e Mahdi-t që e morën, ndërsa vetë për tre orë qëndroi i fshehur në një cep, duke shpresuar që të mos e shihnin. Disa ditë më vonë, trupi i të dashurit u gjet në morg, ishte lidhur, torturuar dhe prerë me thika. Në xhep, një letër në të cilën ishte shkruar "jam gej". "Vëllait tim, miqve, duke marrë parasysh kaosin ku jetojmë, u kishin thënë se mund të më kishin vrarë pa e marrë vesh njeri dhe në këtë mënyrë do t‘i kishin kthyer kështu edhe nderin familjes". Xhafarit i pëlqente t‘i mbante flokët e gjatë, të vishte veshje pak transparente, por një ditë, në një postbllok policia e ndaloi. "Më nxorën jashtë makine, më rrahën dhe më përdhunuan me një kopaçe. Shpresoja vetëm që të mos vdisja. U ndjeva kaq i fyer". I braktisur në mes të rrugës, i gjakosur dhe plagosur, askush nuk u kujdes për të. Komuniteti gej, ashtu si gjithë pakicat e tjera në Irak, janë nën shënjestrën e integralistëve. Ayatollah Ali- al Sistani, autoriteti më i madh shiit, pikë referimi për amerikanët dhe anglezët për stabilitetin e vendit, në tetor të vitit 2005 nxori një Fatwa, ku thoshte se homoseksualët duheshin vrarë. Protestat e shumta anembanë globit e detyruan që ta hiqte botimin nga interneti, por ushtria e Mahdit dhe ajo e Badr që drejton "Sciri", partia më e rëndësishme shiite, e kishin gjetur letrën. Homoseksualët nuk i besojnë policisë, madje shpesh edhe familjes, të tronditura nga turpi i një fëmijë "ndryshe". Organizatat humanitare tregojnë për një rritje të kurtheve të policisë kundrejt homoseksualëve. Madje, sipas një raporti të OKB-së, flitet për gjykata fetare që dënojnë me vdekje personat gej. "Askush nuk merret me këta njerëz, shpjegon Wissam, 40 vjeç, që drejton shtëpinë ku janë strehuar Nyaz, Hasani e Xhafari. Shumë duan një pasaportë për t‘u larguar, por në tregun e zi kushton rreth 15 mijë dollarë. Qeveria nuk merret me këtë punë, për ta dhuna është vetëm ndërfetare". Wijdan Michael, ministri për të Drejtat Njerëzore, tregon se nuk ka pasur asnjë denoncim. "Kam frikë se OKB-ja po heton mbi këtë problem dhe të gjithë irakianët do të sulmohen jo sepse janë gej, por për përkatësinë e tyre sektare". Nga ana tjetër, Wissam përgjigjet: "Për fat të keq nuk është kështu, sulmet nuk janë vetëm fetare, por edhe kundrejt grave që nuk vendosin shami, atyre që duan të punojnë, kundër atyre që veshin pantallona të shkurtra apo duan sportin, kundrejt çdokujt që nuk i nënshtrohet radikalizmit islamik". Shokët e Wissamit e pranojë një gjë të tillë. "Kur erdhën amerikanët isha i lumtur, thotë Hassan. Sadami nuk më pëlqente, por me të toleroheshim, mund të kishim një jetë sociale, por ekzistonin lokale për ne, mjafton që të ishim të rezervuar. Për fat të keq, Amerika nuk arrin akoma të kuptojë se ç‘po bën këtu. I kanë lënë ekstremistët fetarë të ngjiten në pushtet. Sigurisht tani jemi të lirë, të lirë për të jetuar fshehurazi, për të ikur jashtë, për të shpëtuar, ose të lirë për të vdekur për krimin e të qenit gej". Në Izrael Por, mënyrat e trajtimit të komuniteteve të tilla në shumë vende të Lindjes së Mesme janë të ndryshme. Për shembull, në Jerusalem është më mirë të jesh islamik se sa homoseksual. Le të tregojmë edhe një copëz nga jeta e tyre aty. Selia qendrore e shoqatës së homoseksualëve në "Open House" në rrugën numër 7 të lagjes Ben Yehuda, pesë minuta në këmbë nga qyteti i vjetër, është një apartament i vjetër me pak kate. Në katin e parë, një orë e madhe me yllin e Davidit, duket se do të ndalë kohën ose do të fillojë të numërojë kohën mbrapsht; në katin e dytë, ushtarakët e "Israeli Committee Against House Demolitions", ndërsa në katin e fundit, flamujt shumëngjyrësh, gej, lezbike dhe trans. Në tokën e shenjtë nuk është dëgjuar kurrë për një marrëveshje mes rabinëve, imamëve dhe kardinalëve kristianë, si ai i krijuar në qershor kundër paradës gej në Jerusalem. Peticione, shtëpi të djegura, dëme që kapnin shifrën 100 mijë dollarë dhe një atentat kundër "Open House". 7 ditë "luftime", që arritën kulmin me arrestimin e një 35-vjeçari ultraortodoks, i cili dëshironte të ngjitej në majë të një xhamie, për t‘u kthyer në islamik, "kufiri i fundit kundër shthurjes". Miti që e konsideron San Franciskon e Lindjes së Mesme është një minierë ari për ministrin e Turizmit, i cili i vlerëson së tepërmi 20 mijë vizitorët "e këtij lloji" çdo vit. "Jemi një vend i përparuar për sa u përket të drejtave të gejve, por të ‘rënduar‘ nga një moral fetar i rëndë", shpjegon Michal Hamel, drejtor i Aguda-s, shoqata më e vjetër e homoseksualëve me seli në Tel Aviv. "Nga kultura jemi përëndimorë, ndërsa gjeografikisht në Lindjen e Mesme, ne u japim liri aq sa duan çifteve të tilla", tregon ai. Në qytet ndodhen me qindra lokale, ku çdo të shtunë performon "Dana international", këngëtarja trans, që në vitin 1998 ia dedikoi fitoren në Eurovizion vendit të saj, duke skandalizuar njëherazi sinagogat, xhamitë dhe kishat, ndërsa, nga ana tjetër, Jerusalemi është edhe vendi ku lideri i së djathtës fetare, Nissim Ze‘ev, përkrah "qendrat e rehabilitimit për të kuruar sodominë". Pavarësisht se rabinët e reformuar sapo kanë publikuar në Nju-Jork edicionin e dytë të rregullave tamuldike për gejit, në Jerusalem ekzistojnë shumë qendra që kujtojnë se "ligji hebrenj e ndalon homoseksualitetin". "Nuk ekzistojnë paragjykime, gej dhe lezbike mund të jenë të pranishëm në çdo fushë të jetës", thotë Shaba, një ish-ushtarak 24 vjeç, i cili i ka lyer qerpikët me rimel. Gjykata e Lartë e dënoi komandantin që e kishte përkrahur, sepse aty uniforma është e shenjtë. Në të vërtetë, 73 për qind e izraelitëve janë gati ta pranojnë një fëmijë homoseksual, pavarësisht vështirësive. Këtë janë gati ta pranojnë edhe familjet më të mira, si ajo e Olmert, e frekuentuar nga e fejuara e vajzës së Kryeministrit, Dana. "Jemi një popull emigrantësh, nuk kemi frikë nga diferencat", thotë Matt Lebov, hebre me origjinë amerikane, që së bashku me një shokun e tij, John Leonard, ka krijuar sajtin mideastpiece.com, ku mund të takohen virtualisht gejit izraelitë e palestinezë dhe ku aktualisht janë regjistruar më shumë se 100 mijë njerëz, edhe pse faqja e internetit ka vetëm dy muaj që është vënë në përdorim. Yussef nuk e beson, "do të ishte shumë e vështirë që t‘ia prezantoj shokun tim, Amir, prindërve". 29 vjeç, me profesion arkitekt, arabo-izraelit dhe mysliman, është një veteran i "Carpe diem", një nga klubet gej më popullore dhe më të frekuentuara në Tel Aviv. Megjithatë, homoseksualiteti, femëror apo mashkullor qoftë, ngelet një krim që ndëshkohet me vdekje. Avokatët e Aguadas po ndjekin më shumë se 25 raste djemsh palestinezë të arratisur për dashuri. E vetmja mundësi është që të priten si refugjatë politikë në Izrael. Jusufi fshihet si Amiri, "mëkatari" i dënuar nga familja ortodokse hebrenje. Kur prezantohen në "Open House", drejtohen në katin e dytë. Është më e lehtë t‘i mendosh ushtarakë kundër pushtimit se sa të dashuruar.
G.Shqip
|