abdurrahman
Anetar
Karma: 0
offline
Postime: 157
|
 |
« më: 11-12-2008, 16:41:38 » |
|
Pyetjet që shpesh bëhen lidhur me Islamin dhe muslimanët: pjesa 4
Ky material synon të formojë një të kuptuar tërësor të mësimeve Islame, kryesisht për jomuslimanët, shkurtimisht, por në një mënyrë të ngjeshur.
Pyetja 4: A mund të shpjegoni deklarimin e besimit të muslimanit dhe çfarë do të thotë dhe çfarë tregon ai?
Besimi i muslimanit përmbledhet në deklarimin e besimit të njohur si kelimeh [dmth: fjalë] dhe kjo është:
"La ilahe ilAllah Muhamedur-Rusulullah"
Domethënia e kësaj është:"Asgjë s'ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut1 dhe Muhamedi është i dërguari i Tij", dhe kjo përmban një mohim dhe një pohim. Mohimi është i të drejtës së adhurimit të diçkaje, dhe pohimi është e drejta e adhurimit vetëm për Allahun.
Muslimanët besojnë se universi, me doemos, ka një Krijues. Është vështirë për gjykimin e shëndoshë të personit të vijë në përfundim se universi me tërë rendin dhe rregullimin e vet është një prodhim i rastit. Një nga dijetarët Islamë, i njohur si Ebu Hanife [v.150H] një herë e një kohë debatoi me disa ateistë. Ai i pyeti ata:"Çfarë thoni për ndonjë që ju thotë se ai kishte parë një anije të ngarkuar pa kapetan dhe ekuipazh midis një shtrëngate të fortë, por duke lundruar mirë drejt një limani të sigurt [kështu duke e shpëtuar veten]? A e pranon këtë intelekti i juaj? Ata thanë:"Gjykimi ynë nuk e pranon këtë". Ebu Hanife pastaj komentoi:"Nëse gjykimi i juaj nuk e pranon rrëfenjën e një anieje pa ekuipazh udhëheqës, atëherë si e pranoni tërë universin me të gjitha gjendjet e ndryshme dhe natyrën komplekse të tij të funksionojë pa një Krijues në udhëheqësi të plotë?" Kështu ateistët qenë shtangur dhe ndodhi që ata të besojnë në Allahun. Allahu thotë në Kur'an:
"Vërtet, krijimi i qiejve dhe tokës, dhe ndërrimi i natës dhe ditës, dhe anijet që lundrojnë nëpër det me atë çfarë është e dobishme për njerëzit, dhe shiun të cilin Allahu e zbret nga qielli dhe e ngjallë tokën me të pas vdekjes së saj, dhe gjallesat e ndryshme që lëvizin, të cilat Ai i shpërndau në të, dhe ndryshimi i drejtimit të erërave, dhe retë që mbahen mes qiellit dhe tokës, vërtet janë ajat [dëshmi, shenja, prova] për njerëzit që kuptojnë". [Bekare, 164]
-------------------------------------------------------------------------------- 1. Fjala Allah përbëhet nga dy fjalë: Al, që është nyje përcaktuese dhe Ilah, që do të thotë diçka që adhurohet. Kështu, Allahu [kombinimi i këtyre dy fjalëve] do të thotë: objekt i vërtetë adhurimi. Allah është "Zoti" i njëjtë në të cilin besojnë Çifutët dhe të Krishterët dhe është gabim të pretendohet se Allahu është "Zoti" musliman. Në fakt, fjala hebreje për "Zot" është "Eloh", që është e ngjashme me "Ilah" në Arabisht.
--------------------------------------------------------------------------------
Pra, muslimanët besojnë në ekzistencën e Allahut, se Ai është Shpikësi dhe Krijuesi i universit2, [ndonëse kjo s'është esenca apo subjekti i domethënies së deklarimit të besimit]. Andaj, muslimanët konsiderojnë që universi dhe gjithçka në të ka një qëllim përfundimtar. Siç thotë Allahu:
"Unë s'i kam krijuar njerëzit dhe xhinët veçse që ata të më adhurojnë". [Dharijat, 56]
Në këtë fjali të shkurtër, Allahu i ka shpjeguar qartë njerëzimit qëllimin e ekzistencës së tyre, diçka që filozofët, shkencëtarët dhe intelektualët kurrë s'kanë qenë në gjendje ta bëjnë gjatë kohëzgjatjes se ekzistencës së njerëzimit, që të ofrojnë një përgjigje përmbyllëse dhe të njëzëshme. Adhurimi, këtu, është një term gjithpërshirës, që mbulon çdo aspekt të jetës, qoftë lidhur me jetën personale të njeriut apo lidhur me të tjerët.
-------------------------------------------------------------------------------- 2. Një nga dijetarët më të shquar Islamë, Ibn el-Kajjim, ka thënë:"… Prej këtu, puna e bërë [e Allahut] është midis gjërave që japin dëshmitë më të qarta për Cilësitë e Tij dhe për vërtetësinë e asaj me çka na informoi i dërguari në lidhje me Të. Puna e bërë e Allahut dëshmon për vërtetësinë e shenjave që dëgjohen, dhe tregon për [saktësinë dhe përshtatjen e] kërkimit të dëshmisë në shenjat në punën e bërë [të Allahut].
I lartësuari ka thënë:"Ne do t"ua tregojmë shenjat Tona në univers dhe në vetet e tyre, derisa t"u bëhet e qartë atyre se kjo [Kur"ani] është e vërteta". [Fussilet, 53]
Domethënë që Kur'ani është e vërteta. Pra, Ai informoi se Ai patjetër do t'ua tregojë atyre shenjat që vështrohen dhe dëshmohen, çka do t'ua bëjë të qartë atyre se shenjat e Tij që recitohen janë të vërteta…" Fund i citatit [Marrë nga "el-Feua"id" të Ibn el-Kajjim]
Në Kur'an Allahu ka folur për shumë dukuri natyrore në detale. Aq shumë, saqë kur disa shkencëtarëve të caktuar u qe kërkuar të hetojnë disa thënie në Kur'an, ata qenë fare të befasuar të gjejnë llojin e diturisë që gjendej në të. Kur Profesorit E. Marshall Jonson [Kryetar i Katedrës së Anatomisë, Universiteti Thomas Jefferson, Filadelfi, SHBA] iu bënë të njohura thëniet në Kur'an në lidhje me embriologjinë, ai komentoi:"Kur'ani jo vetëm që përshkruan zhvillimin e formës së jashtme, por thekson poashtu edhe stadet e brendshme – stadet brenda embrionit të krijimit dhe zhvillimit të tij, duke theksuar ngjarjet kryesore të njohura nga shkenca bashkëkohore… Po të zhvendosesha në atë kohë, duke e ditur atë që e di sot dhe duke përshkruar gjërat, s'do të mund t'i përshkruaja gjërat që janë përshkruar… Nuk shoh dëshmi që hedh poshtë konceptin se ky individ, Muhamedi, kishte zhvilluar këtë informatë nga ndonjë vend… pra nuk shoh gjë që kundërshton konceptin se ishte përfshirë ndërhyrja hyjnore…" Embriologu i famshëm, Dr. Keith Moore, autor i tekstit mësimor standard universitar mbi embriologjinë, "Zhvillimi Njerëzor", poashtu komentoi:"Ka qenë një kënaqësi për mua të ndihmojë në sqarimin e thënieve të Kur'anit në lidhje me zhvillimin njerëzor. Më është bërë e qartë se këto thënie duhet t'i kenë ardhur Muhamedit nga Zoti apo Allahu, ngaqë thuajse e tërë dituria e tij [Kur'anit] nuk ishte zbuluar deri shekuj më vonë. [Referoju librit "Zhvillimi njerëzor, me Shtojca Islamike" të Keith Moore, 1982, WB Saunders and Company].
--------------------------------------------------------------------------------
Poashtu është e mundshme që të ekzistojnë edhe "zotra" të tjerë, ngaqë përcaktimi i një "zoti" në Islam është diçka që admirohet apo adhurohet apo të cilit i ofrohet bindje, apo diçka që është në qendër të ndjenjave të njerëzve, siç është dashuria, frika, shpresa, mbështetja, besimi, etj. Andaj, shumë gjëra mund të bëhen "zotra" nga njerëzit. Të tilla gjëra përfshijnë: para, pozitë, pushtet, udhëheqës, prindër, idhuj, muzikë, pop-yje, droga dhe të tjera gjëra të krijuara. Njerëzit i bëjnë këto gjëra "zotra" ngaqë besojnë se këto gjëra mund t'u japin atyre çfarëdo që dëshirojnë, se ata mund të gjejnë kënaqësi të vërtetë në këto gjëra, si dhe nder e fuqi. Kështu, kur ata të kenë vendosur një herë se synimi i tyre në jetë është paraja, apo droga, apo pozita, apo pushteti, ata e kanë bërë atë "zot" të tyrin, dmth se gjëja në të cilën besojnë mund t'u japë atyre kënaqësi dhe liri nga shqetësimi. Dhe, të gjitha veprat që ata i kryejnë me qëllim për t'i fituar këto gjëra apo të cilat i çojnë ata në këto gjëra, është forma e tyre e "adhurimit" të këtyre "zotrave". Allahu ka thënë:
"Dhe ata kanë marrë [për adhurim] veç Allahut zotra tjerë, që ata t"u japin atyre nder, fuqi dhe lavdi". [Merjem, 81]
Për këtë shkak Allahu ka ndaluar të adhurohen gjërat tjera, meqë në këtë qëndron nënshtrimi dhe përulja më e madhe: Robërimi dhe adhurimi i njeriut [apo gjërave materiale] nga njeriu. Një nga gjeneralët e ushtrisë muslimane, në kohërat e hershme të Islamit, teksa po i afrohej një rajoni të caktuar, u tha njerëzve të tij:"Ne kemi ardhur të çlirojmë këdo që Allahu do nga robërit e Tij, nga adhurimi i njeriut nga ana e njeriut për tek adhurimi i Zotit të të gjithë njerëzve".
Muslimanët besojnë se vetëm Allahu – Zoti i vetëm i vërtetë – ka kontroll mbi jetën dhe vdekjen, se vetëm Ai dërgon shiun dhe furnizon, se vetëm Ai mund t'i shpëtojë njerëzit kur ata janë të shqetësuar dhe në hall, se vetëm Ai kontrollon dhe posedon çfarëdo që është mbi tokë dhe në univers dhe mund ta drejtojë atë ngado që të dojë. Dhe kështu, për kënaqësinë e vërtetë dhe paqe apo rehati të mendjes, vetëm Ai duhet të bëhet objekt i mallit dhe dëshirës së njerëzve, dhe vetëm Atij i duhet kthyer për gjërat që i kërkojnë dhe për të cilat kanë nevojë njerëzit. Nga kjo pikëpamje, adhurimi i gjërave tjera veç Allahut, mund të shihet të jetë i kotë dhe i pavlefshëm dhe për këtë shkak adhurimi i shenjtëve, pejgamberëve, engjëjve, idhujve dhe gjërave të tjera materiale të krijuara konsiderohet e keqja më e madhe që njeriu mund ta bëjë.
Allahu përmend shumë herë që, kur njerëzit janë të shqetësuar, ata e dinë thellë në vete se është vetëm një gjë që mund t'i shpëtojë ata apo ta largojë të keqen nga ata, dhe se ky është Allahu. Madje edhe ateisti, kur jeta e tij është në rrezik dhe s'ka më rrugëdalje tjetër, do të ketë shpresë në zemrën e tij se diçka mund ta shpëtojë atë. Kjo "diçka" në të cilën ai shpreson në zemrën e tij në të vërtetë është Allahu, meqë zemrat kanë një besim instiktiv dhe njohje të një Krijuesi Suprem dhe se kjo është një nga dëshmitë që Allahu ekziston. Allahu e shpjegon këtë realitet shumë herë në Kur"an:
"Është Ai që jua mundëson të udhëtoni nëpër tokë dhe det, derisa kur jeni në anije dhe ato [anijet] lundrojnë me ta ndërsa fryen një erë e mbarë, dhe ata janë të gëzueshëm me këtë. Pastaj vjen një erë e stuhishme dhe valët u vijnë atyre nga të gjitha anët dhe ata mendojnë se do të gllabërohen nga ato, atëherë ata i luten Allahut, duke i besuar krejtësisht vetëm Atij, duke thënë:'Nëse na shpëton nga kjo, ne do të jemi ndër falënderuesit'. Por kur Ai i shpëton ata, vë re! ata rrebelohen [e kundërshtojnë Allahun] në tokë padrejtësisht". [Junus, 22-23]
Pra, në kohët e vështirësisë së llahtarshme njerëzit i kthehen të vetmës gjë që e dinë se mund t'u ndihmojë dhe t'i shpëtojë ata dhe se kjo është një i vetmi Zot – Allahu.
Kjo, atëherë, është domethënia e:"Asgjë s'ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut", pjesës së parë të deklarimit të besimit të muslimanit – se asnjë gjë e krijuar nuk meriton apo s'ka të drejtë në nënshtrim dhe adhurim. Madje, vetëm Allahu, me anë të të qenit të Tij Shpikës, Pronar dhe Kontrollues i universit, e mban këtë të drejtë të veçantë.
Pjesa e dytë e deklarimit të muslimanit është:"Muhamedi është i dërguari i Tij". Muslimanët besojnë se nganjëherë Allahu dërgon pejgamberë për ta bartur porosinë e Tij, me qëllim që ta informojnë njerëzimin rreth qëllimit të ekzistencës së tyre dhe se si ta përmbushin këtë qëllim. Kështu, ai dërgoi Abrahamin, Noan, Moisiun, Jezusin dhe poashtu Muhamedin [paqja qoftë mbi të gjithë ata], si dhe të gjithë pejgamberët e tjerë të dërguar gjatë historisë. Allahu thotë:
"Dhe ne kemi ngritur në çdo komunitet një të dërguar [të thotë]:"Adhurojeni vetëm Allahun, dhe largohuni nga zotrat e rremë". [Nahl, 36]
Muslimanët besojnë se Porosia e të gjithë pejgamberëve është një dhe e njëjtë, domethënë: thirrja për të adhuruar një Zot të vetëm, dhe shmangia nga adhurimi i gjërave tjera veç Tij, siç u shpjegua më lart.
Roli i pejgamberëve është që t'ua ilustrojnë me shembull njerëzimit se si ata duhet ta përmbushin detyrën e tyre ndaj Zotit dhe Krijuesit, Allahut – njërit zot të vërtetë dhe si ata duhet ta adhurojnë vetëm atë –, pa i shoqëruar atij ortakë. Kështu, çdo pejgamber kishte me vete një kod, një shembull apo një "model sjelljeje", i cili në thelb është ilustrim me shembull i domethënies dhe kërkesave të Shkresës. Besimi i muslimanëve se shembulli i pejgamberit, i cili është pejgamberi i fundit i dërguar nga Allahu tek njerëzimi, është mënyra praktike dhe fizike që njeriu ta kryejë adhurimin ndaj Allahut, andaj edhe mënyra për të jetuar një jetë të kuptimtë dhe të qëllimshme në këtë tokë. Ky kod, i emërtuar Sunet [dmth: rrugë], është gjithpërfshirës. Ai përfshin gjëra si si të hamë, si të veshemi, si të bëjmë biznes, si të falim namaz, si të mbajmë familje, si të jemi të drejtë, të ndershëm dhe person me moral, si të sillemi me njërëzit tjerë, si të sillemi me natyrën, si të qeverisim një vend apo shtet. Ai përfshin çdo aspekt të jetës. Dhe kështu ne mund ta kuptojmë thënien e Allahut:
"Është Ai që dërgoi midis të pashkolluarve një të dërguar [Muhamedin] nga vetë ata, që ua reciton vargjet e Tij, kështu duke i pastruar ata [nga pisllëku i mosbesimit dhe idhujtarisë], dhe duke ua mësuar atyre Librin [këtë Kur"an] dhe Urtësinë [dmth Sunetin: mënyrat e ligjshme, urdhërat, aktet e adhurimit, etj. të pejgamberit Muhamed]. Dhe vërtet, ata kanë qenë më parë në një gabim të qartë". [Xhumu'ah, 2]
"Në të dërguarin e Allahut ka një model të bukur të sjelljes për këdo që shpreson në [takimin me] Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë". [Ahzab, 21]
Andaj, për muslimanin, feja Islame është një mënyrë e plotë dhe e përsosur e jetës dhë prej këtu thënia e Allahut në Kur'an:
"Këtë ditë Unë e kam përsosur për ju fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe kam zgjedhur për ju Islamin për fe tuajën". [Ma'deh, 3]
Kjo është çfarë lidh më shumë se një miliardë muslimanë së bashku gjithandej botës. Ky deklarim i besimit:"La ilahe ilAllah Muhamedur-Resulullah [Asgjë s'ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut, dhe Muhamedi është i dërguari i Tij]", përbëhet vetëm nga disa fjalë por që kanë një domethënie gjithëpërshirëse që prekin në secilin aspekt të jetës njerëzore.
Poashtu është me rëndësi të theksohet që përkundër deklarimit të besimit i cili lidh muslimanët së bashku, ka midis muslimanëve që kanë shpikur në fe atë që s'është prej saj, dhe si pasojë janë ndarë nga trupi kryesor i muslimanëve në besimet, thëniet dhe veprat e tyre. Kjo s'do të thotë se ata janë përjashtuar nga Islami, por janë shmangur disi. Prej këtu ekzistenca e sekteve në Islam. Mirëpo, meqë Islami është mënyra e fundit e shpallur për të gjitha kohërat, dhe meqë Kur'ani dhe shpjegimi i ruajtur i tij nga pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] gjithmonë do të jetë i njohur, Islami i pastër gjithmonë do të mbetet dhe gjithmonë do të jetë i arritshëm.
Ata që janë shmangur nga të kuptuarit e shëndoshë të kelimetit dhe kërkesave të tij, janë të shumtë dhe s'është me vend që të diskutohet reth tyre në përgjigjen ndaj pyetjes aktuale.
|