Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.

User

Mirësevini, Vizitor. Ju lutemi të identifikoheni ose regjistrohuni.


Sponsor


    







Etiketa



Faqe: 1 [2]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Me emrin tënd jetojmë  (E lexuar 898 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #15 më: 20-09-2007, 22:21:23 »
Citojeni

EL HAMIDU – (I falendëruari, I lavdëruari)

Emri që do të trajtojmë në këtë temë, është emri i Zotit, El-Hamid. Ky emër rrjedh nga fjala “hamd” e cila është e kundërta e “dhemm” (përbuz). Ai që është perfekt dhe i përkryer lavdërohet, kurse ai që ka të meta jo. I përkryeri absolut është vetëm Zoti dhe lavdërohet për veprat e Tij, krijesat, ligjet, thëniet dhe gjithçka tjetër.
Kështu, emri El-Hamid, nënkupton atë që e meriton falenderimin dhe lavdërimin. Hamd, (lavdërimi) është kur e falenderon Zotin për madhështinë, bujarinë, furnizimin dhe përsosmërinë e Tij. Kurse “shukr” është kur e falenderon për një të mirë të caktuar.
Vallë sa herë e falenderon dhe e lavdëron Zotin në ditë? Sa herë thua:”Elhamdulilah?” Sa herë në ditë i kujton vuajtjet dhe fatkeqësitë dhe asnjëherë nuk përmend të mirat që të ka dhënë El-Hamid? Sa herë ua numëron fatkeqësitë njerëzve dhe sa herë je ulur me ta dhe u ke numëruar të mirat me të cilat të ka nderuar Zoti?
   Si e falenderonte dhe lavdëronte profeti Muhamed a.s Zotin? Qëllimi këtu, është me falenderimin
me zemër dhe jo thjesht me gojë. Çdo natë, profeti a.s çohej të falë namazin e natës dhe lutej:” O Zot. Ty të takon falenderimi. Ti je sunduesi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falenderimi. Ti je drita e qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falenderimi. Ti je i Përjetshmi i qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falenderimi, pasi Ti je i Vërteti, fjala Jote është e vërtetë, premtimi Yt është i vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, xheneti është i vërtetë, zjarri është i vërtetë, profetët janë të vërtetë dhe Muhamedi është i vërtetë.”
“Zoti ynë, Ty të takon falenderimi, falenderim  i shumtë, në të cilin është mirësia dhe bekimi. Ty të takon falenderimi, sa qiejt dhe toka dhe ajo që ndodhet mes tyre. Ti je Zot i madhështisë dhe i lavdisë. Ti meriton lavdi dhe madhështi, më shumë se ç’thotë robi Yt dhe të gjithë ne jemi robët e Tu. O Zot, s’ka kush e ndalon atë që Ti jep dhe s’ka kush e jep atë që Ti e ndalon. S’ka dobi i pasuri, pasuria e të cilit është prej Teje.”
“Unë nuk mundem të të lavdëroj siçe merriton. Ti je ashtu siçke lavdëruar veten Tënde.”
“O Zot, Ty të takon falenderimi ashtu siç e meriton lavdia Jote dhe madhështia e pushtetit Tënd.”
“O Zot, Ty të takon falenderimi pasi ishim të dobët dhe na forcove. Ty të takon falenderimi, pasi ishim të përbuzur dhe na bëre krenarë. Ty të takon falenderimi, pasi ishim të varfër dhe na pasurove. Ty të takon falenderimi për islamin, Ty të takon falenderimi për besimin, Ty të takon falenderimi për Kuranin, Ty të takon falenderimi për familjen, fëmijët dhe pronat. O Zot, Ty të takon i gjithë lavdërimi dhe i gjithë falenderimi, Ty të takon i gjithë pushteti dhe tek Ti kthehet çdo gjë.”
“çdo mirësi që keni, e keni nga Zoti” (Nahl 53)
A të ka ndodhur o vëlla dhe o motër që të marrësh një letër dhe një stilolaps dhe të shkruash mirësitë e Zotit ndaj teje? Unë të këshilloj ta bësh diçka të tillë. Merr një letër dhe në fillim të saj shkruaj:”Emri i Zotit, El-Hamid.” Diçka e tillë ta zbut zemrën dhe ta shton dashurinë për Zotin e Madhëruar. Duhet ta dish para se të fillosh t’i shkruash të mirat, se sado e madhe të jetë letra:”dhe nëse i numëroni mirësinë e Zotit, nuk do arrini t’i numëroni” (Nahl 18)
Pasi të shkruash në fillim të letrës”El-Hamid”, më pas shkruaj:”dhe çdo mirësi që keni, e keni nga Zoti”
Kjo do të thotë, që gjithçka në trupin tënd, në jetën tënde dhe përreth teje, e ka burimin prej Zotit të Madhëruar.
Me qëllim që ti ndjejmë sa më shumë mirësitë e Zotit mbi ne, le të kthehemi në origjinën e çdo gjëje që na rrethon. Është njëlloj sikur të marrim një film dhe ta kthejmë mbrapsht për të parë fillimin e tij.
Po të marrim rrobat tona, do i shohim që janë shumë të bukura dhe funksionale. Origjina e tyre është ose pambuku, ose leshi i bagëtive, ose lëkurat e tyre dhe të gjitha këto, janë krijesa të Zotit. Pa Zotin, ti o vëlla nuk do të kishe me ç’të mbuloheshe. Pikërisht për këtë, kur profeti Muhamed a.s vishte rrobat e tij, thoshte:”E falenderoj Zotin që më veshi me rroba të cilat mbulojnë pjesët e mia të turpit dhe më zbukurojnë para krijesave të Tij.”
Secili prej nesh, përpiqet ta mobilojë shtëpinë e tij, në mënyrën sa më të bukur. Të gjithë mobiljet tona janë të ndërtuara prej dërrase, e cila vjen nga pyjet. Origjina e pemëve që përdorim për mobilje, është një farë e vogël, e cila mbiu nga shiu që ra nga qielli. A e imagjinon dot o vëlla se divani, karriget, tavolina... të cilat përdor në shtëpi, kanë si origjinë një farë dhe një pikë shiu që e bëri të mbijë?
Të gjithë materialet me të cilat ndërtojmë shtëpitë, e kanë origjinën nga metalet që Zoti i ka vendosur në
Tokë.
Ushqimin me të cilin ushqehemi dhe e gatuajmë në mënyra të ndryshme, e blejmë nga supermarketi. Kurse Zoti në Kuran na tërheq vëmendjen tek diçka tjetër:”
“Njeriu le të shikoje ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra Edhe rrush e perime, Edhe ullinj e hurma, Edhe kopshte të dendura.” (Abese 24-30)
Filloje listën e mirësive të Zotit me këto tre që përmendëm. Thuaj: Të falenderoj o Zot që më veshe, pasi pa mirësitë e Tua do të jetoja lakuriq. Thuaj: Të falenderoj Ty o Zot që më strehove në shtëpi, pasi do të jetoja jashtë. Thuaj: Të falenderoj o Zot, që më ushqen me të mirat e Tua, pa të cilat do të ndjeja uri. Para se t’i shkruash dhe t’i thuash me gojë, thuaji me zemër dhe me ndjenja. Mos neglizho asnjë fjalë “Elhamdulilah”, pasi mund të jetë një fjalë e tillë ajo që të afron pranë El-Hamid Ditën e Kijametit. Mund të jetë një “Elhamdulilah” e thënë me gjithë zemër dhe siqeritet, ajo që të bën të dashur tek El-Hamid.
Thotë Zoti në një hadith Kudsij:” O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, veç atij të cilin e kam drejtuar Unë. Prandaj më kërkoni që t’ju drejtoj!”O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij të cilin e kam ushqyer Unë. Prandaj më kërkoni Mua që t’ju ushqej. O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të pa mbuluar, veç atij që e kam mbuluar Unë. Prandaj më kërkoni Mua që t’ju mbuloj.  O robët e Mi! Ju të gjithë bëni gabime ditë e natë dhe jam Unë Ai që ua fal gabimet.Prandaj më kërkoni Mua falje që t’ju fal.”
Uji që bie nga qielli, a nuk është dhuratë dhe mirësi e Zotit? Thuhet që Egjypti është dhuratë e Nilit. Po vetë Nili, a nuk është dhuratë e Zotit?
Tregohet se dikush kishte humbur në shkretëtirë. Ngaqë nuk kishte asnjë furnizim me vete, për pak kohë ai do të vdiste nga etja. Duke ecur, ai vëren nga larg diçka që shkëlqente mbi një pemë dhe mendoi se është lëkurë me ujë. I gjendur në kulmin e etjes, vrapoi drejt pemës me qëllim që të pijë nga uji, por kur hapi lëkurën e gjeti të mbushur me flori. I mërzitur tha:”Ah çfarë fatkeqësie! Ky qenka flori dhe jo ujë!” çfarë vlerë do të kishte floriri nëse je duke vdekur nga etja për ujë? Ne jemi mësuar me ekzistencën e ujit, e pijmë e përdorim...madje nuk e falenderojmë as Zotin për këtë. Por po të privohesh nga pika e ujit, vetëm atëherë e kupton rëndësinë e tij.
Udhëtarët nëpër shkretëtirë tregojnë se kur gjejnë dikë të vdekur në shkretëtirë nga etja, e gjejnë me fytyrë të gërvishtur me thonj. Kjo, për shkak të etjes dhe vuajtjes.
Mos harro të thuash “Elhamdulila” o vëlla për çdo pikë uji që pin! Na ndodh shpesh që të themi “Elhamdulilah” për shumë mirësi të Zotit, por këtë e bëjmë instiktivisht dhe pa e ndjerë me zemër. Kur një njeri na ka bërë ndere, ne i themi faleminderit me gojë, por njëkohësisht i themi dhe me zemër. E ndjejmë mirësinë e tij ndaj nesh, thellë në zemër. Përse e bëjmë diçka të tillë me njerëzit dhe nuk e bëjmë me Zotin e njerëzve, i cili është burimi kryesor i gjithë të mirave?!
Nëse të pish ujë është një mrekulli, edhe vetë nxjerrja e ujit (urinimi) është një mrekulli më vete.
Harun Reshidi, halifeja madhështor i tha një ditë këshilltarit të tij Ibnu Semmakut: “O Ibnu Semmak, më këshillo!” Ai i tha: “Nëse nuk do të kishe për të pirë vetëm një gotë me ujë, sa do të paguaje nga pasuria jote që ta pije?” Harun Reshidi u mendua pak dhe i tha: “Paguaj gjysmën e pasurisë për ta pirë.” Ibnu Semmak e pyeti përsëri: “Po nëse do e pije dhe të mbetej brenda pa pasur mundësi ta nxjerrësh, sa do paguaje nga pasuria jote për ta nxjerrë?” “Do paguaja gjysmën tjetër” – i tha Haruni. “O prijës i besimtarëve – i tha Ibnu Semmaku–një pasuri që vlen sa një gotë ujë është e pavlerë.”
Një mirësi tjetër e paçmueshme është mbrojtja që të bën Zoti. Po të shohim në jetën e fëmijëve tanë, do të gjejmë se ata janë të rrezikuar nga shumë gjëra. Ata mund të bien pre e rrymëës elektrike, mund të rrëzohen nga shkallët, mund të digjen me ujë të nxehtë… A të ka shkuar mendja ndonjëherë se kush është Ai që i ruan dhe i mbron fëmijët e vegjël? Thotë Zoti në Kuran:”Ai (njeriu) ka mbrojtës nga para dhe pas, për ta mbrojtur me urdhërin e Zotit” (Rad 11) Neve na ndodhin shumë aksidente, prej të cilave dalim shëndoshë e mirë dhe habitemi si shpëtuam prej tyre.
Shkruaje në letër mrekullinë e krijimit dhe të funksionimit të trupit tënd. Shkruaje që ti vetë shikon, por ka shumë të tjerë që nuk shohin. Shkruaje që ti vetë dëgjon, por ka shumë të tjerë që janë privuar nga kjo shqisë. Shkruaj që ti lëviz dhe ecën, por ka shumë të tjerë që janë të paralizuar. Shkruaj që ti llogjikon dhe kupton, kurse shumë të tjerë kanë probleme mendore. Shkruaj që ti ndjen, kurse shumë të tjerëve u kanë vdekur ndjenjat. Shkruaj që ti i don të tjerët dhe të duan, kurse ka shumë të tjerë që as nuk i duan dhe as nuk duan kënd. Si do të ishte gjithësia pa dashurinë e ndërsjelltë?
A e imagjinon sesa lodhëse dhe sa e kushtueshme do të ishte nëse fëmijët që lindin të lindin me mangësi në organe, dhe këto organe të bliheshin në një fabrikë? Vallë sa pasuri do të na duhej të harxhonim për t’ua plotësuar fëmijëve tanë organet? Vallë a do të pranoje me qindra mijëra dollarë, në këmbim të njërit sy? Kurse Zoti të ka krijuar të plotë me të gjitha organet e duhura. Thotë Zoti në Kuran:“A nuk i dhamë atij dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë? Dhe e sqaruam për të dy rrugët”. (Beled 8-10)
Edhe pse ne nuk e ndjejmë si një mirësi të madhe, mirësia e frymëmarrjes është një nga mirësitë më të mëdha. A e imagjinon dot se sa e vështirë do të ishte nëse Zoti do të ta linte ty të siguroje frymëmarrjen e rregullt me anë të aparateve dhe mjeteve rrethanore? A e kupton tani se sa të lehtë e ka bërë Zoti një proçes të tillë? Ne marrim dhe nxjerrim me mijëra herë frymë në ditë dhe nuk ndjejmë lodhje.
Shkruaje në letër që ti ke prindër dhe jeton me ta, kurse shumë të tjerë jetojnë si jetimë. Shkruaje mirësinë e shpirtit me të cilin jeton trupi yt. A nuk është një mrekulli dhe një mirësi vetë ekzistenca jote në këtë botë? Secili prej nesh mban një emër dhe mbiemër, është i regjistruar në gjendjen civile, ka një numër identifikimi... Kush të bëri të tillë o njeri? A nuk është Zoti i Madhëruar? Përse nuk e falenderon Atë?
Shpesh herë na ndodh të shohim modelet e rrobave nga vitrinat e dyqaneve. Të gjithë njerëzit që qëndrojnë para vitrinave, janë të përqendruar në modelin dhe ngjyrat e rrobave, që ua kanë veshur statujave të plastikës. Provoje për një çast që të mos shohësh rrobat, por të shohësh statujat e pajetë dhe thuaji vetes: Ku qëndron ndryshimi mes meje dhe kësaj statuje? Ndryshimi i vetëm është mirësia e shpirtit me të cilën na ka pajisur Zoti.
Mos harro të shkruash mirësinë më të madhe, që ti je musliman. A ka mirësi më të madhe se të agjërosh Ramazanin për hatër të Zotit? A ka mirësi më të madhe sesa t’i përulesh Zotit? A ka mirësi më të madhe sesa të jesh i lidhur me Zotin?
Mos harro të shkruash dhe mirësinë tjetër, xhenetin. Teksa besimtarët do të jenë në xhenet, do u kalojë sipër një re e cila u thotë:” O banorë të xhenetit! Më ka dërguar El-Hamid që t’ju pyes se çfarë dëshironi t’ju lëshoj sot në vend të shiut?”
Nëse një i njohur me të cilin je në autobuz, paguan dhe biletën tënde, padyshim që do e falenderoje në çast dhe nuk do të harroje ta falenderoje dhe kur të zbresësh. Nëse një tjetër të dhuron një biletë për të ndjekur ndeshjet e kampionatit botëror, patjetër që do e falenderoje me gjithë zemër dhe nuk do ia harroje këtë të mirë. Nëse dikush të bën një nder të madh, do të përpiqeshe që ta falenderoje duke zgjedhur fjalët më të bukura, do u tregoje të afërmve të tu ... A nuk të vjen turp o njeri që të falenderosh krijesat dhe të mos falenderosh Krijuesin? El-Hamid është Ai që meriton falenderimin për gjithçka që na ka dhënë.
E pyeti njëherë Musai Zotin dhe i tha: “O Zot, si të të falenderoj, në një kohë që vetë falenderimi im për Ty, është një mirësi për të cilën duhet të të falenderoj?” Zoti i tha: ‘O Musa, nëse e ke kuptuar këtë, më ke falenderuar.”
Çështja nuk është të thuash me gojë “Elhamdulilah”, por është që mirësitë e Zotit t’i ndjesh dhe t’i përjetosh me zemër dhe me gjithë qënien tënde.
A nuk të vjen zor o njeri, që e gjithë gjithësia e falenderon dhe e madhëron Zotin, kurse ti jo? “gjithçka që ekziston e madhëron Atë dhe e falenderon, por ju nuk e kuptoni tesbihin e tyre” (Isra 44)
Kur profetit a.s iu shpallën ajetet e sures Rahman:”Cilën nga mirësitë e Zotit përgënjeshtroni?” profeti a.s u tha shokëve:”Përse nuk thoni siç thanë xhindët kur e dëgjuan këtë ajet?” “Po çfarë thanë xhindët o i dërguari i Zotit?” e pyetën ata. Profeti a.s u tha:”Ata thanë:”Nuk përgënjeshtrojmë asnjë nga mirësitë e Tua o Zot.”
A nuk të vjen turp që e gjithë gjithësia e madhëron Zotin, e falenderon dhe e lavdëron, kurse ti o njeri refuzon?! Thotë Zoti në Kuran:” Vërtet, njeriu është mohues i të mirave të Zotit të tij. Edhe vetë është dëshmues i asaj” (Adijat 6)
Njeriu përmend vetëm fatkeqësitë dhe vuajtjet dhe harron mirësitë që Zoti i ka dhënë.
Kur profeti a.s hyri në Medine, i këshilloi njerëzit me fjalët:”O ju njerëz! Duajeni Zotin me gjithë zemër, duajeni Zotin për të mirat të cilat ua ka dhënë!”
Zoti e frymëzoi Daudin a.s me fjalët:”O Daud! Kujtojua njerëzve të mirat dhe mirësitë e Mia, pasi njeriu është krijuar i tillë që ta dojë atë që i bën mirë.”
Dallimi mes një besimtari dhe një jobesimtari është se jobesimtari qëndron brenda kufijve të së mirës, kurse besimtari i kalon kufijtë e saj duke falenderuar Bamirësin.
Ajeti i parë me të cilin fillon Kurani, është:”Falenderimi i takon Zotit të botërave.” (Fatiha 1)
Çelësi i kënaqësisë së Zotit, është falenderimi dhe lavdërimi. “Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju.” (Zumer 7)
Ibadeti i vetëm për të cilin Zoti të urdhëron t’ua tregosh të tjerëve, janë të flasësh për mirësitë që të ka dhënë Ai. “dhe të mirat që të ka dhënë Zoti, tregoji” (Duha 11)
Vetë shefati (ndërmjetësimi) i profetit a.s Ditën e Kijametit do të jetë me falenderime dhe lavdërime për Zotin fuqiplotë. Thotë profeti a.s:”Do të shkojë dhe do bjerë në sexhde nën Arshin e Zotit duke e lavdëruar me emrat e Tij të bukur dhe duke e falenderuar në mënyrë që nuk e ka falenderuar kush më parë. Më pas Zoti do i thotë: O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko ç’të duash se do të të jepet.”
Gjëja e parë që do të të pyesë Zoti i madhëruar kur të dalësh para Tij, është:”O filan, a nuk të kam dhënë të mira?” Do të të thotë që ishe beqar dhe të martoi, që ishe i papunë dhe të gjeti punë, që…
Ajo që të mbron nga zjarri dhe ndëshkimi i Zotit, është kur tregohesh mirënjohës dhe e falenderon për të mirat që të ka dhënë. Thotë Zoti në Kuran:”përse t’ju  ndëshkojë Allahu nëse ju  e falenderoni dhe besoni?” (Nisa 147)
Përfundimi i llogarisë, do të bëhet me fjalë falenderimi:” E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: “Falënderuar qoftë vetëm All-llahu, Zoti i botëve!”.” (Zumer 75)
Fjalët “Elhamdulilah” do të thuhen dhe në çastet e para që besimtarët të hyjnë në xhenet. “dhe thanë: Falenderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e “xhennetit që të vendosemi aty ku të duam!” (Zumer 74)  Ditën e Kijametit do të thërritet:”Ku janë falenderuesit?” Kush e ka njohur Zotin në këtë botë me emrin El-Hamid? Po ti o vëlla dhe o motër, a do të përgjigjesh: Ja ku jam o Zot. Unë të kam lavdëruar dhe falenderuar natën dhe ditën, për gjithë të mirat që na ke dhënë. “Në mes të atyre që e kanë falenderuar Zotin në këtë botë, do të ngrihet një flamur, ku shkruhet:”Ky është flamuri i falenderimit!” Ata do të hyjnë në xhenet dhe të gjithë ua bëjnë me shenjë:”Këta janë falenderuesit!”
   Cili është shpërblimi i falenderimit? Me çfarë ta shpërblen El-Hamid, kur e falenderon?
Thotë Zoti në Kuran:”dhe nëse falenderoni, Unë ua shtoj dhe nëse mohoni (mirësitë) ndëshkimi Im është i madh” (Ibrahim 7)
Nëse Zoti të jep një të mirë dhe e falenderon për të, Ai të jep një të mirë tjetër. Zoti nuk ka nevojë për falenderimin tonë, por e kërkon atë me qëllim që të na japë të mira të tjera. Ajeti i mësipërm të bën të jesh ambicioz, sa më shumë ta falenderosh Zotin, aq më shumë t’i shton të mirat. Lakmia është diçka e papranueshme në Islam, por lakmia për ta falenderuar sa më shumë Zotin, është diçka e pëlqyer.
Thotë profeti (a.s): “Sa herë që njeriu thotë elhamdu lil-lah, (falenderoj Zotin) meriton një mirësi në vend të saj.”
Në një hadith tjetër, profeti a.s thotë:”Një rob i Zotit tha:”O Zot, Ty të takon falenderimi ashtu siç e meriton madhështia dhe pushteti Yt” Dy melekët nuk dinin ku t’a vendosnin shpërblimin e madh të këtyre fjalëve. Zoti u thirri nga lart:”Shkruajeni ashtu siç e tha robi Im, pasi Unë do e shpërblej për të Ditën e Kijametit.”
Çfarë ndodh nëse nuk e falenderon Zotin? Ajo që ndodh është se të hiqet ajo e mirë, pasi nuk e meriton atë. Është e mundur që shumë fatkeqësi që na ndodhin, janë për shkak se ne nuk e falenderojmë Zotin për mirësitë me të cilat na ka rrethuar. Shumë nga këto fatkeqësi ndodhin ose për shkak se njerëzit nuk e falenderojnë Zotin për mirësitë, ose i përdorin ato për gjynahe.
Nëse ti o vëlla nuk e falenderon El-Hamidin për mirësitë e Tij, ose i përdor këto mirësi për gjynahe, ajo që mund të ndodhë janë katër gjëra:
   Të hiqet kjo e mirë plotësisht.
   Nëse nuk të merret, por nuk e ndjen ëmbëlsinë e saj.
   Të kthehet në vuajtje dhe brengë.
   Të mbetet e mira, por të ndodh një e keqe, e cila të bën të mos e ndjesh ekzistencën e të mirave që
të rrethojnë.   
Arabët e hershëm, e quanin fjalën “falenderim” rojen e të mirave. Një fjalë tjetër arabe thotë:”Ajo që e mban të mirën të vazhdueshme, është falenderimi.”  Nëse ke pasuri dhe kërkon që t’i ruash, falenderoje Zotin që t’i ka dhënë. Nëse ke fëmijë dhe kërkon t’i ruash, falenderoje Zotin që t’i dhuroi.
Profeti a.s e këshillonte gruan e tij Aishen:”O Aishe, ji mirënjohëse për të mirat që të ka dhënë Zoti, pasi ato rrallë herë kthehen në atë shtëpi, nga e cila kanë dalë njëherë.”
Thotë Zoti në Kuran:”A nuk i ke parë ata që të mirat e Zotit i ndërruan me mohim dhe e kanë sjelle popullin e tyre ne shtepine e shkaterrimit (Ibrahim 28) “dhe kush i ndryshon të mirat e Zotit pasi i kanë ardhur, Zoti është ndëshkues i rreptë.” (Bekare 211)
Të ndryshosh mirësitë e Zotit, është që t’i përdorësh ato për gjynahe. Është kur ti o motër, e përdor bukurinë që të ka dhënë Zoti, për gjynahe. Është kur pasurinë që të ka dhënë Zoti, e përdor në gjynahe dhe harame.
Në luftën e tij me njeriun, shejtani përqendrohet në atë që t’a bëjë njeriun të harrojë mirësitë e Zotit. Këtë e ka deklaruar vetë shejtani ku thotë:”...dhe do i gjesh shumicën e tyre mosmirënjohës.” (Araf 17)                                           
Metoda që ndjek shejtani për t’ia arritur këtij qëllimi, është se të bën të harrosh mirësitë e tua dhe ta kesh mendjen tek mirësitë që kanë të tjerët. Ti mund të kesh një grua shumë të mirë dhe të bukur, por të bën ta kesh mendjen tek një grua tjetër, e cila nuk krahasohet në asgjë me gruan tënde. Ai t’i zbukuron mirësitë që nuk i ke, me qëllim që të harrosh dhe të mos e falenderosh Zotin për ato që ke. 
Nëse dikush të bën një dhuratë dhe ti nuk e falenderon, madje nuk i kushton asnjë rëndësi, a mund të të bëjë dhuratë tjetër ai person?
Modelin më të mirë në falenderimin e Zotit për të mirat që i ka dhënë, ne kemi të dërguarin e Zotit, profetin Muhamed a.s.
Tregon Aishja që profeti (a.s.) falej natën aq sa i ënjteshin këmbët dhe kur e pyeta njëherë:”O i dërguar  i Zotit, a nuk t’i ka falur Zoti të gjitha gjynahet?” Ai më tha:“A nuk e meritoj të jem mirënjohës për këtë?!
Çdo natë, profeti a.s lutej:” O Zot. Ty të takon falenderimi. Ti je sunduesi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falenderimi. Ti je drita e qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falenderimi. Ti je i përjetshmi i qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre...”
Kur dikush e pyeti Ali ibn Ebi Talibin si u gdhive, ai u përgjigj:”Jam gdhirë në mes të mirave të Zotit, i pamundur që ta falenderoj Atë për të gjitha.” Një njeri që përgjigjet me këtë pyetje kur e pyesin se si u gdhi, patjetër që është një njeri që e përjeton emrin e Zotit El-Hamid.
Një ditë Umeri takon një njeri, të cilin e pyet: “Si u gdhive o filan?” Ai i përgjigjet: “Mirë o prijës i besimtarëve.” Umeri e pyet përsëri: “Si u gdhive?” Ai përsëri i thotë: “Mirë o prijës i besimtarëve.” Umeri e pyet për të tretën: “Të pyeta se si u gdhive?” “Falenderoj Zotin, mirë o prijës i besimtarëve” – i tha herën e tretë. “Këtë desha të dëgjoj” – i tha Umeri. I pyeste njerëzit me qëllim që të nxirrte nga goja e tyre një fjalë falenderimi për Zotin.
Falenderoje dhe lavdëroje El-Hamidin për të mirat që të ka dhënë në tre forma:
   Falenderoje me zemrën dhe  qënien tënde.
   Falenderoje me zemër dhe falenderoje me gojë, duke i treguar të mirat e Zotit.
   Ta falenderosh Zotin për mirësitë që të ka dhënë, duke i shfrytëzuar ato për të përhapur fenë e
Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Punoni familja e Daudit me falenderim” (Sebe 13) Kjo duke i përdorur të mirat e Zotit, në gjërat që kënaqin Zotin e Madhëruar.



E identifikuar

I have learnt silence from the talkative, toleration from the intolerant, and kindness from the unkind...

aida@zeriyt.com
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #16 më: 20-09-2007, 22:22:53 »
Citojeni

EL KAHHARU  (Nënshtruesi, Mposhtësi)

Emri i kësaj teme të bën të ndjesh madhështinë dhe prestigjin e Zotit të madhëruar. Emri i kësaj teme të bën të ndjesh respektin dhe bindjen e plotë ndaj Zotit. Emri i kësaj teme, është i ndryshëm nga emrat që kemi trajtuar më parë, emra të cilët flisnin mbi mëshirën, faljen, zgjidhjen e halleve... nga ana e Zotit. Emri i kësaj teme është El-Kahhar.
   Kuptimi i emrit të Zotit El-Kahhar, do të thotë Nështrues, Mposhtës, dominues mbi gjithçka. Çdo gjë
e krijuar në gjithësi, është e nështruar ndaj fuqisë së El-Kahharit. Çdo gjë në univers, nga galaktikat deri tek atomi, nga qielli në tokë, nga insektet, shpezët dhe gjallesat e detit, deri tek kafshët më të mëdhaja mbi tokë... gjithçka e krijuar i është nënshtruar Zotit. Thotë Zoti në Kuran:” Ai është dominuesi (El-Kahiru) mbi robët e Tij dhe Ai është i urti i dituri.” (En’am 18)
Dominimi dhe fuqia e Zotit, është e shoqëruar nga urtësia dhe dija. Ajo nuk mund të përmbajë padrejtësi ndaj asnjë krijese.
“ditën që të ndërrohet toka me një tokë tjetër dhe qiejt dhe të gjithë do të dalin para Zotit Mposhtës.”
“Atë ditë kur të shfaqen, asgjë nuk do të mund t’i fshihet Zotit. I kujt është sundimi sot? I Zotit, të vetëm dhe Mposhtës.” (Gafir 16)
“I pa të meta është Ai që është i vetëm dhe Mposhtës” (Zumer 4)
Në Kuran, ky emër përmendet në dy struktura “El-Kahhar” dhe “El-Kahir”.
Teksa dëgjon këtë emër dhe rreth tij, patjetër që fillon të ndjesh dobësinë tënde kundrejt Zotit, ndjen madhështinë e Zotit, respektin dhe nënshtrim të plotë ndaj Tij. E gjithë gjithësia dhe të gjithë krijesat, me dashje apo pa dashje, janë të nënshtruara ndaj Zotit Fuqiplotë. “Më pas iu drejtua qiellit (krijimit të tij) i cili ishte tym (mjegullnajë) atij dhe tokës i tha: “Qasuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë (imponim)!” Ato të dy thanë: “Po i qasemi me dëshirë!” (Fussilet 10-11)
 “Çështja e Tij është që kur dëshiron diçka i thotë “bëhu” dhe ajo bëhet” (Jasin 82) Ai që me një fjalë, krijon dhe bën çfarë të dojë, e ka shumë të lehtë që po me një fjalë të shkatërrojë dhe të ç’bëjë gjithçka.
“All-llahu gjykon, e s’ka kush që mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij. Ai ndërmerr masë të shpejtë.” (Rad 41)
“dhe nuk mund të dëshironi, veçse po të dëshirojë Zoti” (Insan 30) “dhe nëse do të dëshironte Zoti yt, nuk do e bënin.” (En’am 112) “nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t’i shpëtoni (ndjekjes së) All-llahut” (Teube 3)
Ajetet që flasin mbi fuqinë dhe sundimin e Zotit, janë me qindra në Kuran. Qëllimi ynë me këtë temë, është që ta njohim Zotin jo thjesht me gojë, por dhe ta ndjejmë me zemër. Ta ndjejmë prezencën e tij kudo që të jemi, ta adhurojmë me ndjenjën sikur e shohim, pasi edhe pse nuk e shohim ne, Ai na shikon. A të ka rastisur ta lexosh ajetin:” Ai është dominuesi (El-Kahiru) mbi robët e Tij dhe Ai është i Urti i Dituri.”  (En’am 18) dhe të ndjesh përulje, nënshtrim dhe respekt për Zotin? A të ka ndodhur të shohësh qiellin dhe të habitesh se si e mban Zoti që të mos bjerë mbi tokë? A nuk të ka shkuar mendja tek retë të cilat lëshojnë shi? A nuk e ke parë sesi ato nuk bien mbi ne, por vetëm sa lëshojnë shiun dobiprurës?
Emri El-Kahhar, i vendos njerëzit para dy zgjidhjeve:
E para, të pranosh me dëshirën tënde që të jesh i nënshtruar dhe i bindur ndaj Zotit.
E dyta, të detyrohesh me dhunë që t’i bindesh dhe t’i nënshtrohesh Zotit.
Vetë qiejt dhe toka pranuan t’i binden dhe t’i dorëzohen vullnetit të Zotit me dëshirë. Po kështu melekët, pranuan që t’i nënshtrohen dhe t’i binden me dëshirë. E njëjta gjë është me kafshët, të cilat janë të nënshtruara ndaj vullnetit dhe ligjeve të Zotit. Krijesa e vetme të cilën Zoti e la të lirë të zgjedhë, është njeriu. Ti o njeri, je i lirë të zgjedhësh, ose të jesh i bindur dhe i përulur ndaj Zotit me dëshirën tënde, ose ta bësh këtë me detyrim dhe imponim.
Thotë Zoti në një hadith Kudsij:”O biri i Ademit ! Ti dëshiron dhe Unë dëshiroj. Nëse më bindesh Mua në atë që dua, të jap atë që don. Nëse nuk më bindesh në atë që dua, do të lodhesh për ta arritur atë që don dhe nuk do të bëhet vetëm ajo që dua.”
ابن ادم انت تريد و انا اريد فاذا سلمتني فيما اريد اتيتك بيا تريد. و ان لم تسلم لي فيما اريد اتعبتك فيما تريد ثم لا يكون الا ما اريد
Kështu kuptojmë që Islam, do të thotë të jesh i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj Zotit. Islam do të thotë të mos i thuash “jo” urdhërave të Zotit tënd. Vetëm duke kuptuar këtë, mund ta kuptojmë sesi pranoi Ibrahimi a.s të therrë djalin e tij të vetëm. Ai u urdhërua të therrë djalin me dorën e tij. Më e keqja, ishte se e gjitha kjo ishte e bazuar mbi një ëndërr të cilën Ibrahimi a.s e kishte parë.  Qëndrimi më i çuditshëm, nuk ishte ai i Ibrahimit a.s, por ishte i Ismailit a.s që do të therrej. Ai e pranoi me vullnet të plotë dhe e urdhëroi të atin që ta çojë në vend urdhërin e Zotit. Ibrahimi a.s e merr djalin e tij të vetëm, e shtrin përtokë dhe vendos thikën në qafën e tij. Filloi ta lëvizë thikën që ta presë, por thika nuk e priste. E mprehu dhe një herë, por përsëri thika nuk e priste. Këtë moment e përshkruan Zoti në Kuran:”dhe kur u dorëzuan dhe e vendosi me ballë përtokë” (Saffat 103)
Për këtë, muslimanët e kanë traditë që të therrin kurban çdo vit. Me kurbanet që therrim, nuk duam vetëm të ndihmojmë njerëzit e varfër, por edhe të kujtojmë nënshtrimin dhe bindjen e plotë të Ibrahimit a.s ndaj vullnetit dhe urdhërave të Zotit.
Kushdo që shkon të vizitojë Qabenë, vesh rroba të bardha, kryen shtatë rrotullime rreth Qabesë, lëvizjet mes Safasë dhe Mervasë.... të  gjitha këto, simbolizojnë dorëzimin dhe përuljen e plotë para vullnetit të Zotit.
Emri i Zotit El-Kahhar, duhet që ta djegë zjarrin dhe dëshirën për gjynahe në zemrën tënde. Duke përjetuar këtë emër në jetën tënde, patjetër që duhet të lindë një lloj frikë nga gjynahet. Ashtu siçduhet ta duash Zotin, duhet dhe ta kesh frikë për gjynahet që bën.
Shembulli i besimtarit në marrëdhëniet e tij me Zotin, është si shembulli i zogut me dy krahë. Njëri krah i besimtarit është shpresa dhe dashuria për Zotin, kurse krahu tjetër është frika prej Tij, gjë e cila të ruan nga gjynahet. Nëse zogut do i thyhej njëri krah, nuk do të mund të fluturonte. Po kështu besimtari, nëse do të jetonte vetëm me frikën ndaj Zotit ose vetëm me shpresën, nuk mund të fluturojë drejt destinacionit të lumturisë dhe kënaqësisë së Allahut.
Emri i Zotit El-Kahhar, nuk është emër që të shton frikën ndaj Zotit, por është emër që të shton ndjenjën e madhështisë dhe dashurisë për Zotin. Ky emër të mëson bindjen, përuljen dhe dorëzimin para vullnetit të Zotit.
Provoje të dalësh në ballkon një natë dhe fillo të përsërisësh ajetin:”Ai është dominuesi (El-Kahhar) mbi robët e Tij dhe Ai është i Urti i Dituri.” Kishte nga shokët e profetit a.s, prej atyre që gjithë natën faleshin duke përsëritur një ajet të vetëm Kurani.
Provoje ta përjetosh këtë ajet“Atë ditë kur të shfaqen, asgjë nuk do të mund t’i fshihet Zotit. I kujt është sundimi sot? I Zotit, të vetëm dhe Mposhtës.” (Gafir 16)
Atë ditë nuk ka pemë që të fshihesh pas tyre, nuk ka gropa që të hysh dhe mos dukesh... atë ditë toka do të jetë e rrafshët dhe gjithçka është e ekspozuar para Zotit.

   Modele të nënshtrimit të Zotit në univers.
Zoti i Madhëruar i nënshtroi qiejt dhe tokën duke u thënë Më pas iu drejtua qiellit (krijimit të tij) i cili ishte tym (mjagullnajë) atij dhe tokës i tha: “Qasuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë!” Ato të dy thanë: “Po i qasemi me dëshirë!” (Fussilet 10-11)
Ai nënshtroi diellin dhe hënën:”dielli nuk mundet ta arrijë hënën dhe as nata nuk mund ta kalojë ditën dhe të gjithë notojnë në univers” (Enbija 33)
Ai nënshroi natën dhe diellin:”All-llahu është Ai që fut natën në ditë e ditën në natë (duke shkurtuar njërën e zgjatur tjetrën).” (Haxh 61)
Ai nënshtroi asgjënë:”a ka ardhur për njeriun një kohë kur ka qenë diçka e papërmendur” (Insan 1) Kush e nënshtroi asgjënë dhe prej saj krijoi njerëz që jetojnë, anije kozmike, makina, bimë, kafshë...
Kush tjetër veçZotit e nënshtroi dheun dhe prej tij krijoi njeriun që ecën, lëviz dhe llogjikon?
Ai nënshtroi ajrin dhe e bëri atë të padukshëm. Ai nënshtroi gjynahqarët që nuk e kanë frikë me sëmundje të ndryshme si sida. Ai i nënshtroi njerëzit dhe  i bëri të mos munden ta shohin në këtë botë. “atë nuk e arrijnë shikimet dhe Ai i arrin shikimet” (En’am 103) Vetë Musai a.s ia kërkoi një gjë të tillë Zotit, por Ai iu përgjigj:”  “Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua”. Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërrmi, e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: “E lartë është Madhëria Jote, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!” (Araf 143)
Ai i nështroi popujt mizorë dhe gjynahqarë. “kur ata harruan gjërat me të cilat i kujtuam, u hapëm dyert e çdo gjëje, kur u gëzuan me atë që u dhamë, i morrëm papritur” (En’am 44)
E veçantë në këtë ajet, është se Zoti nuk i ndëshkoi këta njerëz gjynahqarë në fillimet e gjynahut dhe të mirave materiale. Ai i la të jetojnë në të mira, i la të fuqizohen dhe i ndëshkoi. Ndëshkimi u erdhi vetëm pasi u zhvilluan dhe u fuqizuan. Kjo me qëllim që të kuptohet qartë se ajo që u ndodhi ishte vetëm prej Zotit dhe që të jetë shembull për të tjerët.
“A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Ad-in? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë! Dhe me Themudin, të cilët shpuan shkëmbinj në luginë.  Dhe me faraonin e fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të cilët e tepruan me krime në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E Allahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh. Pse Zoti yt është që përcjell (u rri në pritë).
(Fexhr 6-14)
Ai nënshtroi Ebrehan dhe ushtrinë e tij të cilët erdhën për të shkatërruar Qabenë.
“A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit? A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar?
Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!
Dhe ata i bëri si gjeth i përtypur!” (Fil 1-5) 
Tregoja këtë histori o motër fëmijëve të tu! Tregoju atyre se Zoti është Fuqiplotë dhe nënshtron këdo që tregohet arrogant ndaj Tij. Me këtë nuk duam që tu fusësh frikën, por që t’i bësh të ndërgjegjshëm se Zoti është i aftë për gjithçka.
El-Kahhar shkatërroi popullin e Adit me një stuhi të fortë:” Andaj Ne kundër tyre lëshuam një erë shumë të ftohtë gjatë disa ditëve fatzeza, për t’u dhënë ta përjetojnë dënimin nënçmues në jetën e kësaj botë, ndërsa dënimi në botën tjetër do të jetë edhe më i shëmtuar dhe ata nuk do të ndihmohen.” (Fussilet 16)
El-Kahhar shkatërroi dhe popullin e Lutit, kur mes tyre u përhap shthurrja morale:”dhe pjesën e sipërme e përmbysëm. Dhe u lëshuam gurë prej balte të djegur e caktuar nga Zoti” (Dharijat 34) Xhibrili a.s kishte futur krahun poshtëë qytetit dhe e kishte ngritur atë lart në qiell, saqë banorët e qiellit dëgjuan lehjet e qenve. Më pas Xhibrili a.s i përmbysi përtokë duke i shkatërruar.
El-Kahhar është Ai që vullnetin e njerëzve e ka nënshtruar ndaj vullnetit të Tij.
Një ngjarje interesante rreth kësaj teme është ajo që i ndodhi Memunit, Halifes së muslimanëve. Ai kishte burgosur një njeri dhe nuk e kishte caktuar akoma ç’dënim do i jepej. Një nga këshilltarët e tij ia kujton këtë çështje dhe Memuni merr një copë letër në të cilën shkruan: “Të kryqëzohet”. Rojet e marrin letrën, shkojnë tek qelia dhe kur hapin letrën lexojnë: “Të lirohet” dhe e lënë të lirë. Kur i pyet Memuni se çu bë me të, i thanë që e lamë të lirë sipas urdhërit tuaj dhe i tregojnë letrën. Ai e merr letrën dhe shikon që në vend që të shkruante të kryqëzohet, kishte shkruar të lirohet. I inatosur merr një letër tjetër dhe shkuran:“Të kryqëzohet”. Shkojnë rojet përsëri, e marrin dhe kur hapin letrën shohin që përsëri ishte shkruar: “Të lirohet” dhe e lënë përsëri të lirë. Kur dëgjon Memuni i thërret përsëri dhe i pyet se përse e lanë të lirë. Rojet përsëri i tregojnë letrën, të cilën e merr dhe lexon në të: “Të lirohet”. Merr një letër tjetër dhe për të tretën herë shkruan: “Për Zotin duhet që të kryqëzohet”. Kur e marrin letrën rojet dhe e lexojnë, shohin që ishte shkruar: “Për Zotin duhet që të lirohet”, dhe e lënë të lirë. Kur merr vesh Memuni, i xhindosur i thërret rojet dhe i pyet për shkakun që e lanë të lirë, dhe ata i treguan përsëri letrën, ku ishte shkruar me shkrimin e tij: “Për Zotin duhet që të lirohet”. Memuni mendohet për një çast, pastaj thotë: “Po, le të lirohet pasi kush mund ta kryqëzojë një njeri të cilin Zoti dëshiron ta lirojë?!”
Në fillimet e shekullit XIX, u ndërtua një anije madhështore dhe luksoze, të cilën e quajtën “Titanik”. Anash anijes, ishin shkruar fjalët:”Anija që nuk mbytet!” Ndërtuesit e kishin shkruar këtë, duke qenë të bindur, pasi struktura e anijes ishte e tillë që nuk imagjinohej se mund të mbytej. Në udhëtimin e parë të saj nga Europa për në Amerikë, ajo ishte e mbushur me milionerë, njerëz të tjerë dhe mallra të shumtë. Në këtë udhëtim, ajo do të përplaset me një ajsberg, i cili e ndan anijen që nuk mbytet në dy pjesë.
Është më mirë që të shkosh me dëshirë drejt Zotit, sesa të detyrohesh me forcë më vonë.
Një gjë tjetër e habitshme, është se El-Kahhar, i nënshtron gjërat me të kundërtat e tyre. Ai vendos harmoninë mes të kundërtave. Le të marrim një shembull, që ta sqarojmë më mirë. Kimikisht, uji është formuar nga oksigjeni dhe hidrogjeni H2O, dy atome hidrogjen dhe një oksigjen. Po të shohim me kujdes, do të gjejmë që hidrogjeni është një substancë e djegshme. Po kështu, dhe oksigjeni është substancë që ndihmon djegien. El-Kahhar, që ka nënshtruar gjithçka, nga këto dy substanca djegëse, formon një substancë tjetër e cila e shuan zjarrin, ujin. A ke menduar o vëlla dhe o motër se uji që pini, në origjinë është lëndë djegëse? Prandaj, sa herë të pish ujë, mendoje këtë fakt dhe falenderoje Zotin që e nënshtroi gjithçka në shërbimin tënd.
El-Kahhar, e ka nënshtruar gjithësinë dhe çdo elementi dhe përbërësi i ka dhënë karakteristika dhe veçori të pandryshueshme. A e kupton se çfarë mundimi do të ishte nëse temperatura e zierjes së ujit të ishte e ndryshueshme dhe jo stabile siçështë sot, 100 gradë?
Nëse temperatura e shkrirjes së metaleve do të ishte e paqëndrueshme, a e kupton se çfarë problemesh do të shkaktonte?
Nëse funksionet e organeve tona do të ishin të ndryshme nga njëri njeri tek tjetri, a do të ishte zhvilluar mjekësia?
El-Kahhar e ka nënshtruar zjarrin me qëllim që të djegë. Por është po Ai që e urdhëroi atë që të mos e djegë Ibrahimin a.s. Ai e ka nënshtruar thikën që të presë, por është po Ai që e urdhëroi që të mos e presë Ismailin a.s. Ai e ka nënshtruar barkun e balenës që të tresë gjithçka, por është po Ai që e urdhëroi që të mos e tresë Junusin a.s.
El-Kahhar ka bërë që deti në gjendje qetësie të jetë simbol i bukurisë, kurse kur është i trazuar ai është simbol i frikës dhe shkatërrimit.
Era kur është e freskët, është simbol i freskisë dhe gjallërisë, kurse kur është e fuqishme, ajo kthehet në simbol të shkatërrimit dhe vdekjes.
El-kahhar e nënshtroi shpirtin që buron nga fryma e Zotit, nga qielli, me trupin që në origjinë është baltë toke. Jo vetëm kaq, por shpirti dhe trupi bashkëjetojnë në mënyrë shumë harmonike. Sa herë që shpirti trazohet, efektet shfaqen në trup me lotimin e syve. Kur shpirti gëzohet dhe ndjen kënaqësi, efektet shfaqen në fytyrën e buzëqeshur. Kush i ka harmonizuër këto dy gjëra me drejtime dhe origjinë krejt të ndryshme? A nuk është El-Kahhar?
Nënshtrimi dhe përulja e El-Kahharit është e bukur. Të gjithë krijesat në gjithësi, janë të gëzuara me këtë nënshtrim. Të gjithë bimët, pemët dhe zogjtë ndihen të gëzuar edhe pse të nënshtruar. Këtë e shohim në aromën që lëshojnë lulet e bimëve dhe pemëve, e shohim në ngjyrat dhe cicërrimat e bukura të zogjve. Nëse e gjithë gjithësia ndihet mirë me nënshtrimin e Zotit, përse ti o njeri nuk ndihesh mirë?
Nënshtrimi i Zotit nuk është nënshtrim përbuzës dhe ofendues, ai është nënshtrim që tregon bindjen dhe dorëzimin ndaj Krijuesit dhe Zotit tënd. Nënshtrimi i Zotit është me qëllim që ti ta njohësh madhështinë e Tij dhe të ruhesh nga gjynahet.
Profeti a.s shpesh herë lutej:”O Zot na pajis me frikën Tënde (na bëj të vetëdijshëm), e cila na mban larg gjynaheve! Na pajis me bindjen Tënde, me të cilën do të fitojmë xhenetin. Na e shto besimin dhe sigurinë tek Ty, që të na lehtësohen vuajtjet e kësaj botë.” Të qenit i nënshruar ndaj Zotit dhe të qenit i ndërgjegjësuar për diçka të tillë, të shton rezistencën ndaj gjynaheve.
Kur binte profeti (a.s.) në sexhde thoshte: “Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im dhe eshtrat e mia.”
Tregon Aisheja:”E kërkova profetin a.s një natë dhe nuk e gjeta. Duke prekur vendin me dorë, preka këmbët e tij dhe pashë që kishte rënë në sexhde duke u falur. Atëherë e dëgjova duke thënë:”Kërkoj mbrojtjen Tënde nga ndëshkimi Yt. Kërkoj të më mbrosh me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt.”
Ditën kur dielli pësoi eklips – tregojnë shokët – e shihnim profetin a.s të hynte dhe të dilte në shtëpi. Më pas, ai dhe muslimanët e tjerë hyjnë në xhami, ku në namaz lexon gjatë Kuran, në ruku dhe sexhde qëndron gjatë. Pasi përfundoi namazin e rastit, ai u lut:”O Zot, më ke premtuar se nuk do i ndëshkosh, përderisa jam në mesin e tyre. O Zot. Më ke premtuar se nuk do i ndëshkosh, përderisa ata kërkojnë falje.”
Qëllimi kryesor i kësaj teme, është që pasi të njohësh emrin dhe cilësinë e Zotit, El-Kahhar, nëse ke një gjynah të cilit nuk i reziston, ta braktisësh menjëherë. Gjithë sa përmendëm më sipër, është me qëllim që ti ta ndjesh madhështinë dhe fuqinë e Zotit dhe t’a kesh më të lehtë që t’i bindesh Atij. Gjithçka është me qëllim që frika ndaj Zotit të të shtohet dhe të bëhesh i vetëdijshëm për atë që vepron.
Me këtë temë, nuk duam që të të shtojmë vetëm frikën ndaj Zotit, por dhe dashurinë për Zotin. Nëse e njeh siçduhet El-Kahharin, patjetër që do e duash. Ne duam që edhe ti të të rrjedhin lotë nga frika dhe devotshmëria për Zotin. Thotë profeti Muhamed a.s:”Ashtu siçnuk kthehet qumështi në trupin e kafshës,, ashtu nuk hyn në zjarr një njeri sytë e të cilit kanë qarë nga frika dhe madhështia e Zotit.”
Nëse ti e ke frikë Zotin dhe nuk vepron gjynahe, nëse e ke frikë Zotin dhe të rrjedhin lotë, atëherë Zoti të nderon dhe e ke frikë Atë dhe në marrëdhëniet dhe komunikimin tënd me njerëzit. Kjo pasi tashmë je i bindur se Zoti i ndëshkon ata që sillen padrejtësisht me të tjerët.
Umer ibnu Abdul Azizi i thoshte gjithmon shërbëtorit të tij:”Nëse vëren që po humbas një nga obligimet e Zotit ose një nga të drejtat e njerëzve, më tërhiq nga rrobat dhe më thuaj:”O Umer, a nuk e ke frikë Zotin?!”
Ditën që muslimanët me në krye Umer ibnul Hattabin, morrën Kudsin, ishte ditë gëzimi dhe hareje. Teksa të gjithë njerëzit ishin të gëzuar, Umeri ishte shumë i shqetësuar. Ai kërkoi të takohej me Ubejdi ibnu Xher-rahin. Me të ardhur Ebu Ubejde, Umeri e përqafoi dhe filloi të qajë me të madhe, duke i thënë:”O Ebu Ubejde, çfarë do i themi Zotit nëse na pyet Ditën e Kijametit: çfarë keni bërë pas vdekjes së profetit a.s?!”
Të dy filluan të qajnë nga frika e Zotit, teksa të gjithë qeshnin dhe gëzoheshin.
Kur një njeri gaboi, Umer ibnul Hattabi u mat ta godasë, por ai menjëherë i tha:”Kij frikë Zotin o Umer!” Atëherë Umeri, e uli dorën dhe i tha:”Më ke frikësuar me Zotin!”
Ditën që do të vdiste, Umeri i thoshte djalit të tij:”Ma vendos fytyrën përtokë, me shpresë që të më falë dhe mëshirojë Zoti! Ah sikur të kisha qenë një qime në kraharorin e Ebu Bekrit! Ah sikur të kisha dalë nga kjo botë, pa gjynahe dhe pa të mira! I mjeri unë dhe e mjera nëna ime, nëse nuk më mëshiron Zoti Ditën e
Kijametit!”
Një beduin, vajti tek Umer ibnul Hattabi për t’i kërkuar lëmoshë. Për këtë, ai i thuri disa vargje:
O Umer, lëmoshën xhenetin e fitofsh
Vishi vajzat e mia dhe nënën e tyre
Pash Zotin, këtë ta bësh.
Umeri, për ta provuar çfarë do të thotë, ia ktheu:”Po nëse nuk e bëj, çfarë ndodh?” Beduini i tha:”Atëherë unë do të iki.” Umeri e pyeti:”E çfarë bëhet po ike?” Beduini ia ktheu:
Për Zotin do të japësh llogari për ta!
Atë Ditë që të nisesh, për xhenet ose zjarr.
Kur dëgjoi këto fjalë, Umeri vrapoi drejt shtëpisë së tij dhe ngaqë nuk gjeti gjë tjetër, morri xhyben e vet dhe duke ia drejtuar beduinit i tha:
Merre këtë se kaq kam në dorë
Me qëllim që të shkoj në xhenet dhe jo në zjarr.
Emri El-Kahhar, ka dhe një kuptim tjetër të rëndësishëm; Ai që e nënshtron gjuhën tënde që të mos e shqiptojë shehadetin në çastet e vdekjes, nëse nuk ke qenë besimtar i mirë. Edhe pse të thuash “La ilahe il-lallah” është shumë e lehtë, në çastet e vdekjes të duket sikur ke malet mbi gjuhë. Gjynahet e shumta, e kanë nënshtruar dhe e kanë mbposhtur gjuhën e tij dhe nuk mundet të shqiptojë fjalët më të lehta.
Një nga shokët e Profetit (a.s) kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Shqiptonte çdo fjalë tjetër përveçshehadetit. Të pranishmit nxituan për te Profeti (a.s) dhe i treguan gjendjen e tij. Profeti (a.s) i pyeti: -“A e ka nënën gjallë?” “Po”- i thanë. Profeti (a.s). shkoi te nëna e tij dhe e pyeti: “A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe djalit tënd?”  “Po, o i Dërguar i Allahut- i tha ajo. -Fëmijëve dhe gruas së tij i jepte fruta të mira, kurse mua më jepte ç’të tepronte.” Në çastet që e fali nëna dhe ia bëri hallall, ai shqiptoi shehadetin dhe vdiq.
E kundërta është me atë që e ka njohur dhe i është bindur El-Kahharit. Një nga këta ishte dhe Bilali, i cili në çastet e vdekjes buzëqeshte dhe thoshte:”Tani do të takohem me të dashurit e mi, Muhamedin a.s dhe shokët e tjerë.”
Në çastet që po vdiste Umer ibnu Abdul Azizi, hyn gruaja e tij Fatimeja, e cila e dëgjon të thotë:”Ajo është shtëpia të cilën ia japim atyre që tregohen kryeneçë dhe shkatërrimtarë në tokë.” (Kasas 83) Fryma i ndërpritet tek fjala e fundit e ajetit ” e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut.”
Teksa po vdiste Hudhejfe ibn Jemame, thoshte:”Mirësevjen o vdekje, një i dashur që vjen pas një kohe të gjatë.” Më pas pyeti:”çfarë kohe është tani?” Të pranishmit i thanë:”Jemi pranë agimit të mëngjesit.” Atëherë ai tha:”O Zot. Unë të kërkoj që darka të më zërë në këtë botë dhe mëngjesi tjetër në xhenet!”
Gjithçka në këtë botë, është i nënshtruar dhe mposhtur me vdekjen. Askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes.
Thotë profeti a.s:”Si të gëzohem, në një kohë që meleku i bririt, është përgatitur t’i fryjë, ka ulur kokën, ka hapur veshët dhe pret kur të urdhërohet që t’i fryjë bririt.”
“Dhe i fryhet Surit dhe gjithçka në qiej dhe në tokë vdes, përveçatyre që do All-llahu (të mos vdesin)” (Zumer 68)
Me anë të një fryerje do të shkatërrohet gjithçka. Nuk do të ketë më male, fusha, ndërtesa dhe njerëz.
Ata që do të mbeten do të jenë engjujt Xhibril, Mikail, Israfil dhe meleku i vdekjes.
Zoti do të thërrasë më pas: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur i gjallë?”
Ai do i përgjigjet: “Ka mbetur robi Yt Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe unë meleku i vdekjes.”
Zoti do i thotë melekut të vdekjes: “O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Xhibrilit!” Dhë kështu i merret shpirti Xhibrilit. Zoti pyet më pas përsëri: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?”
Meleku i përgjigjet: “Ka mbetur Israfili, Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes.”
“O meleku i vdekjes – do i thërrasë Zoti- merre shpirtin e Israfilit!” Dhe i merret shpirti Israfilit.
Më pas pyet Zoti: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur?”
“Ka mbetur Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”- do i përgjigjet.
“O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Mikailit!”- do e urdhërojë Zoti. Dhe kështu do i merret shpirti.
Përsëri Zoti do pyesë: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?” “Unë robi Yt o Zot, meleku i vdekjes.”
“O meleku i vdekjes – do urdhërojë Zoti- merre shpirtin e melekut të vdekjes!” Kështu meleku i vdekjes e merr shpirtin e tij. Më pas Zoti do të thërrasë: “Kujt i takon sundimi sot? Kujt i takon sundimi sot?” Dhe nuk do i përgjigjet kush. Më pas do të përgjigjet vetë Allahu duke thënë:
 “Sundimi sot është vetëm i Allahut, që është i Vetëm dhe Fuqiplot.” (Gafir 16)
El-Kahhar është Ai që e krijoi njeriun e parë nga dheu dhe nga shpirti. El-Kahhar është ai që e shkatërron dhe i jep fund jetës së kësaj botë me një të fryrë në Sur.
El-Kahhar e nënshtron, e errëson dhe e ngushton urën e Siratit për jobesimtarët dhe gjynahqarët. El-Kahhar e nënshtron dhe e bën dritë dhe të gjerë urën e Siratit, për besimtarët. “ditën që të shohësh besimtarët dhe besimtaret që drita u paraprin dhe djathas” (Hadid 12)
Tregon Abdullah ibnu Umer:"E pashë të dërguarin e Zotit një ditë mbi podium (minber) duke thënë me zë të lartë:"Ata nuk e vlerësuan Zotin ashtu siçe meriton. E gjithë toka do të jetë në dorën e Tij ditën e kijametit. Qiejt do të mbështillen me të djathtën e Tij. I pa të meta dhe i lartësuar është Ai, për gjithçka që i shoqërojnë." (Zumer 67)
Ai e ngriti zërin dhe duke bërë me shenjë me gisht, tha:"Zoti i Madhëruar e lavdëron veten e Tij dhe thotë:"Unë jam Poseduesi, Unë jam i Plotfuqishmi, Unë jam Nënshtruesi, Unë jam Rregullatori, Unë jam i pari, Unë jam i fundit… Vazhdoi profeti a.s t'i përsërisë cilësitë dhe emrat e Zotit, saqë pashë që minberi filloi të dridhet së bashku me të dërguarin e Zotit."
Mësimet e nxjerra nga sa përmendëm:
1.   Kije frikë Zotin që t’u rezistosh gjynaheve. Kije frikë Zotin që t’i trajtosh të tjerët me mëshirë dhe
 butësi. Kije frikë Zotin që të të dalin lotë për hatër të Tij.
2.   Kurrë mos prano të përbuzësh dhe të poshtëërosh të tjerët, sidomos të vobëkëtit dhe jetimët.
3.   Përpiqu ta nënshtrosh dhe ta përbuzësh shejtanin dhe të keqen.




E identifikuar

I have learnt silence from the talkative, toleration from the intolerant, and kindness from the unkind...

aida@zeriyt.com
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #17 më: 20-09-2007, 22:25:31 »
Citojeni

EL-KERIMU  (Bujari)

Emri që do të trajtojmë në këtë temë, është emri El-Kerimu. Ky emër, përmban në vetvete një mesazh të rëndësishëm: Kurrë mos prano të nënshtrohesh dhe të përbuzesh. Kjo, pasi Zoti të ka nderuar dhe të ka bërë krijesën më të shtrenjtë në gjithësi.
Emri i Zotit El-Kerim, është përmendur në Kuran dy herë. “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është Bujar. I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi.Të formësoi në formën që Ai dëshiroi! ”
(Infitar 6-8)
“dhe kush mohon, Zoti im nuk ka nevojë për të dhe është Bujar.” (Neml 40)
Si cilësi dhe emër i Zotit, është përmendur dhe një herë tjetër në Kuran, por në shkallën siperore (Ekrem). Kjo ndodhet në suren Alek:”Lexo! Se Zoti yt është më bujari!” (Alek 3)
Bujarinë shumë njerëz e kufizojnë në dhënien e të mirave materiale. Ata e quajnë bujar, këdo që jep të holla. Padyshim një njeri i tillë është bujar, por kuptimi i bujarisë është më gjithëpërfshirës. Shumë vajza, caktojnë si kriter të personit me të cilin do të martohen, që të jetë bujar. Me këtë ato nënkuptojnë që të mos jetë koprac dhe dorështrënguar.
Bujaria është një cilësi për çdo gjë të lavdërueshme. Çdo cilësi dhe atribut i mirë nga i cili përfitojnë të tjerët, në arabisht quhet bujari “karam”.
Emri i Zotit, El-Kerimu, nënkupton Atë që lavdërohet për gjithçka të mirë që vepron. Kështu emri El-Kerim, përfshin të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit të Madhëruar. Nga bujaria e Zotit është se Ai është Furnizues i të gjithë krijesave që ka krijuar. Nga bujaria e Tij, është se Ai është Mëkatfalës, pasi fal gjynahet dhe të metat e robërve të tij. Nga bujaria e Tij është falja dhe mbulimi i të metave tona. Nga bujaria e Tij është se është Dhurues (Elvehhab), pasi na dhuron të mira, edhe pa ia kërkuar. Nga bujaria e Tij është se është Pranues i lutjeve. Thotë profeti Muhamed a.s:” Me të vërtetë Zoti është Bujar dhe i vjen turp që nëse njeriu i ngre duart dhe i lutet, t’ia kthejë duart bosh.”
Shkoi një beduin tek profeti a.s dhe e pyeti: “O i dërguar i Allahut, kush do u kërkojë llogari njerëzve ditën e kijametit?” Profeti a.s ia ktheu: “Zoti”. “Vetë Zoti?” – e pyeti përsëri beduini. “Vetë Zoti” –iu përgjigj profeti a.s. Beduini buzëqeshi kur e dëgjoi këtë. Profeti a.s e pyeti: “Përse buzëqesh o vëlla?” Ai ia ktheu: “O i dërguar i Allahut, Bujari kur ka në dorë diçka fal, dhe kur kërkon llogari përsëri të fal.” Profeti a.s i tha: “Ashtu është, nuk ka kush të jetë më bujar se Allahu.”   
Çdo e mirë e ka burimin nga Allahu El-Kerimu. Allahu është Bujar në dhënien e Tij, në mëshirën, faljen, dhembshurinë, dashurinë… Bujaria absolute vjen dhe buron vetëm nga Zoti i Madhëruar.
El-Kerim nuk të zhgënjen kurrë. Ti mund të shkosh tek një njeri dhe t’i kërkosh një nder duke i qarë hallin dhe duke e lutur. Në fund ai refuzon të të ndihmojë. Kurse El-Kerim është e pamundur të të kthejë mbrapsht. Është e pamundur që të trokasësh në derën e Tij dhe mos të të hapet.
El-Kerim të jep mirësi edhe nëse nuk ia kërkon. Ne nuk i kemi kërkuar që ta bëjë të vlefshme Natën e Kadrit. Është Ai që e vlerësoi dhe e shenjtëroi këtë Natë të madhe. Ai nuk t’i kujton të mirat që të jep dhe të krenohet me to. Shkoi një i varfër tek Ali ibn Ebi Talib dhe i kërkoi t’i japë diçka. Aliu urdhëroi shërbëtorin e tij që ta fikë llambën. Pasi u largua i varfëri, shërbëtori e pyeti mbi shkakun e fikjes së llambës. Aliu iu përgjigj:”Nuk doja ta shoh në fytyrën e tij, përuljen dhe nënshtrimin e lypjes.”
El-Kerimu nëse i kërkon falje, e pranon dhe të fal sido që të jenë arsyet.
El-Kerimu e ka bërë të bukur dhe tërheqëse natyrën që na rrethon. Nëse do të qëndronim para bukurive të natyrës, sikur na tërheq diçka për të vazhduar të vështrojmë dhe të meditojmë rreth bukurive. Kështu njeriu tërhiqet pas bukurive që El-Kerimu i ka dhënë natyrës. Ai do të tërhiqej dhe pas hijeshisë së Jusufit a.s, i cili kishte gjysmën e bukurisë së gjithësisë. Si do të ndiheshe po të shihje bukurinë e Jusufit a.s? Si do të ndiheshe po të shohësh vetë profetin Muhamed a.s? Po sikur të hyjë brenda Qabesë, shtëpisë së Zotit,  çfarë do të ndjeje? Unë kur hyra për herë të parë brenda ndërtesës së Qabesë, nuk dija ç’të them dhe si të lutem. Vetëm qëndroja i shtangur dhe i mahnitur nga madhështia e saj. Nëse kjo na ndodh me krijesat, si mund të ndiheshim kur të shohim Krijuesin e gjithçkaje?!
Kudo që hedhim sytë në gjithësi, shohim bujarinë dhe mirësitë e El-Kerim. Përveç kësaj bujarie të përgjithshme, Zoti ka dhe një bujari të veçantë vetëm për njeriun. Kjo, pasi ti o njeri je krijesa më e dashur dhe më e shtrenjtë tek Zoti:”Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)..” (Isra 70)
Nëse është vetë Zoti i Madhëruar Ai që të ka nderuar dhe vlerësuar, kurrë mos e prano përuljen dhe
nënshtrimin. El-Kerimu të ka përzgjedhur mes të gjithë krijesave të tjera dhe të nderoi ty.
“Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”
(Isra 70)
“O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!” (Infitar 6-8)
Çdo lëvizje të namazit, besimtari e shoqëron me fjalët “Allahu ekber”, përveçse kur ngrihet nga rukuja. Kur ngrihet nga rukuja, besimtari thotë:”Semiallahu limen hamide” dhe më pas e shoqëron me fjalët:”Rabbena lekel hamd!” (O Zot, Ty të takon falenderimi!). Ne e falenderojmë Zotin për shkak se na ka dhënë formë të drejtë dhe jo si kafshët që janë të kërrusura. Nëse Zoti nuk do na kishte dhënë fizik të drejtë, për të pirë ujë apo qumësht, do të na duhej ta pinim si macet. Nëse nuk do të ishin kyçet dhe forma aktuale e duarve, nuk do të mundeshim që të pinim ujë me gotë.
Kur Zoti u tregoi melekëve për atë që kishte vendosur: (Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj në tokë një zëvendës!” Melekët të çuditur pyetën: “Ata thanë: “A do të caktosh në tokë atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjak, duke qenë se ne të madhërojmë me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!” (Bekare 30)
Po të mendojmë në fjalët e melekëve, do të gjejmë që ata kishin të drejtë për shqetësimin e tyre. Tashmë është evidente që njeriu ka shkaktuar çrregullime dhe ka derdhur shumë gjak mbi planetin tokë.
Përgjigja e Zotit ndaj shqetësimit të melekëve ishte: “Unë di atë që ju nuk e dini!” Me këtë sikur Zoti u thoshte: Është e vërtetë ajo që thoni, por të mirat që do të sjellë kjo krijesë, e bëjnë të meritueshme për rolin që do u caktoj mbi tokë. Nga këta njerëz do të ketë prej tyre që do jenë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre mbi tokë, do të ketë prej tyre profetë, besimtarë të mirë, dijetarë, reformatorë, adhurues të përkushtuar, njerëz që i duan të mirën planetit, gra që do të edukojnë fëmijët e tyre, njerëz gjenialë…
Diçka e tillë është si shembulli i një fermeri që merret me frutikulturë. Ai mbjell njëqind fidanë dhe prej tyre nuk mbijnë veçse njëzet të tilla. Fidanët e tjerë të gjithë thahen. Por këto njëzet fidanë që mbijnë, do të japin prodhim të bollshëm dhe cilësor. Kështu që ajo që kërkohet është cilësia dhe jo sasia.
I tillë është dhe palloi, i cili vendos tetëdhjetë vezë, prej të cilave dalin vetëm 15 zogj.
Sado i vogël të jetë numri i njerëzve që do të adhurojnë Zotin, sado pak qofshin reformatorët e rrugës së Zotit, sado pak qofshin njerëzit e dashur të Tij, ata janë njerëzit më me vlerë.
“Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesa më e dobishme.” (Bejjine 7) 
Për shkak se ti o njeri je i shtrenjtë dhe i dashur tek Zoti, Ai i urdhëroi melekët që t’i përulen babait tënd, Ademit a.s. Për shkak se ti je i shtrenjtë dhe i dashur tek Zoti, Ai e dëboi shejtanin nga xheneti, kur refuzoi t’i përulej Ademit a.s. Për shkak se je i dashur dhe i shtrenjtë tek Zoti, Ai të krijoi dhe të dha formë me duart e Tij fisnike. ”O Iblis, çfarë të pengoi të përulesh ndaj atij që e krijova me duart e mia?” (Sad 75) Për shkak se je i dashur dhe i shtrenjtë tek Zoti, Ai të pajisi me shpirtin e Tij. ”dhe nëse i jap formë dhe shpirt, ju i bini në sexhde” (Hixhr 29)
“Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina! Dhe këtë qytet të sigurisë! Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur.
Fiku dhe ulliri në ajetet e mësipërme nuk simbolizojnë frutat, por vendin ku kultivohen këto fruta. Kështu toka ku kultivohen këto dy fruta është Palestina. Zoti i Madhëruar betohet në tre vendet më të shenjta mbi tokë. Ai betohet në Palestinën, në malin Turi Sina dhe në Meken e shenjtë, që njeriun e ka krijuar në formën më të mirë. Por kur njeriu e ndoti veten e tij dhe nuk e respektoi atë: “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë.” (Tin 1-6)
Të njëjtin kuptim përçon dhe sureja Shems, ku Zoti i Madhëruar thotë:”
“Pasha diellin dhe dritën e tij! Pasha hënën kur vjen pas tij! Pasha ditën kur ai (dielli) e shndrit! Pasha natën kur ajo e mbulon atë (dritën e diellit)! Pasha qiellin dhe Atë që e ndërtoi atë! Pasha tokën dhe Atë që e shtriu atë (e sheshoi)! Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëëroi vetveten.” (Shems 1-10)
E veçantë në këtë sure është se Zoti përmend kalimthi disa krijesa të Tij. Por kur vjen tek njeriu, ai fillon të flasë mbi anën e tij shpirtërore. Padyshim, që diçka e tillë tregon mbi vlerat dhe dashurinë e Zotit për njeriun.
Një tregues tjetër mbi dashurinë e Zotit për njeriun është se Ai na krijoi nga elementët më të pastër në univers, nga uji dhe dheu i tokës dhe nga shpirti me burim qiellin. Po përse vallë u krijuam nga dheu dhe uji? Përse të mos krijoheshim nga hekuri me qëllim që të ishim rezistentë ndaj përplasjeve?! Përse të mos krijoheshim nga goma, me qëllim që të ishim rezistentë ndaj thyerjeve?! 
Ne u krijuam nga uji dhe nga dheu, për shkak se këto dy elementë janë përbërësit më të pastër në univers. Me ujë lahemi dhe pastrojmë trupin dhe rrobat tona. Nëse na mungon uji, ne marrim tejemum dhe falemi mbi dhe, pasi është i pastër. Përfundimisht, ti o njeri je i pastër dhe je krijuar nga përbërësit më të pastër. Prandaj ruhu se mos e ndot këtë pastërti dhe dlirësi me të cilën të krijoi Zoti. Ajo që të ngriti dhe të lartësoi mbi krijesat e tjera, është shpirti me të cilin të pajisi Zoti i Madhëuar.
Ti  njeri, je krijesa e fundit që u krijua në tokë. Diçka e tillë i ngjan shtëpisë së re, e cila rregullohet, për të pritur banorët e saj. E gjithë toka dhe gjithësia u përgatit për të pritur krijesën e fundit, njeriun.
Gjëja e parë të cilën krijoi Zoti në gjithësi ishte penda, të cilën e urdhëroi të shkruajë gjithçka që do të ekzistojnë deri Ditën e Kijametit. Kurse njeriun i cili do e përdorë këtë pendë për të vendosur rregullin mbi tokë, e krijoi të fundit.
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alek 1-5) Gjithësia i ngjan një pemë të madhe, fruti i së cilës është njeriu. Ti je një nga krijesat më të vogla, por me mendjen, ndjenjat dhe shpirtin që ta dha Zoti, të është nënshtruar i gjithë universi.
Imagjinoni një mbret të fuqishëm, i cili preferon dhe mban pranë tij vetëm njërin nga robërit dhe shërbëtorët. Si nuk e kupton që pozitën që zë ti o njeri tek Zoti e kërkuan melekët dhe për të u bë xheloz shejtani? Si ka mundësi që ti tregohesh i shkujdesur ndaj këtij fakti? Si vallë nuk e beson Zotin? Si pranon ta ulësh veten me thyerje të urdhërave të Zotit, me mashtrim, vjedhje, hipokrizi, gjynahe… Ti o njeri je krijesa më e preferuar e Zotit në këtë botë. Zoti të ka nderuar dhe gjithçka tjetër e ka nënshtruar për të të shërbyer ty. A nuk e shikon se si një fëmijë i vogël e çon një lopë nga të dojë ai?! Vetë peshku në det është i krijuar dhe i përshtatur me qëllim që ne ta gjuajmë dhe të ushqehemi me të. Çdo kafshë dhe çdo gjallesë, është krijuar në atë formë që të na shërbejë ne njerërzve. Thotë Zoti në Kuran, mbi këtë fakt:”
“Dhe ua nënshtruam (kafshët) që t’u binden atyre..” (Jasin 72)
Zoti i Madhëruar, ashtu siç ka përmbledhur të gjithë Kuranin tek sureja Fatiha, ka përmbledhur gjithësinë tek ti o njeri.
Nga mirësitë dhe nderimet e Zotit për ty o njeri, është se ka krijuar melekë të posaçëm të cilët të ruajnë dhe të mbrojnë nga fatkeqësitë. Ka caktuar melekë të tjerë, të cilët do të të shërbejnë në xhenet. Kjo pasi ti je krijesa më e nderuar dhe më e shtrenjtë tek Zoti i Madhëruar. Nëse ti e kryen rolin dhe misionin për të cilin je krijuar, qëndron në shkallë më të lartë se melekët. E kundërta ndodh, kur ti largohesh nga urdhërat dhe porositë e Zotit; kthehesh në krijesën më të ulët.
Nëse e don veten tënde, mos prano ta nënshtrosh dhe ta ndotësh me gjynahe. Me dashurinë për veten, nuk kemi si qëllim egoizmin. Ne e duam veten tonë, pasi është Zoti Ai që na krijoi dhe na nderoi. Ne e duam veten, pasi El-Kerimu së bashku me fizikun tonë, ka krijuar dhe një ndjenjë dhe instikt që është, vetëvlerësimi. Secili prej nesh, kërkon ta shohë veten të respektuar kërkon të ndihet krenar.
Psikologët pohojnë se njeriu udhëhiqet nga tre instikte kryesore:
Instikti i parë është ai i të ushqyerit. Instikti i dytë është ai i marrëdhënieve seksuale dhe i treti është dëshira për t’u ndjerë i vlerësuar dhe i respektuar. Instikti i tretë është me qëllim që ta mbrojë njeriun nga veprat e këqia dhe gjynahet e mëdha, pasi janë këto ato që ia ulin vlerat. Secili prej nesh krenohet me arritjet dhe sukseset e tij. Secili prej nesh, krenohet me historinë e të parëve të tij dhe të familjes. Secili prej nesh, përpiqet që t’i zvogëlojë dhe t’i fshehë dështimet, të metat dhe gabimet. Secili prej nesh e ka frikë skandalin dhe i ruhet emrit të keq. Kjo, për shkak se kërkon të vlerësohet dhe të ndihet i respektuar. Ti o njeri je përgjegjës për mbarëvajtjen e tokës dhe për këtë, Zoti të ka pajisur me këtë instikt, i cili të mban larg veprave të ulëta. Për të kontrolluar instiktet e të ushqyerit dhe dëshirës për marrrëdhënie seksuale, Zoti e pajisi njeriun me instiktin e vetëvlerësimit dhe dëshirës për të qenë i respektuar.
Ajo që ndodh në çastet kur njeriu bën një vepër të ulët, është se i del vetja qejfit dhe nuk ndjen respekt për të. Po të shohim, gjynahet ndahen në të vogla dhe të mëdha. Quhen të mëdha, pasi janë vepra të cilat e poshtëërojnë më shumë personalitetin e njeriut. Të gjithë përdoruesit e drogës, ndihen të poshtëëruar dhe të pavlerësuar.
Ditët e pushimit në vendet përëndimore, janë ditë ku konsumohet alkoli në masë. Vetëm një njeri që viziton një vend përëndimor dhe shikon gjendjen e njerëzve këto ditë, e kupton përse e ka ndaluar Zoti pirjen e alkolit. Në këto ditë të zë syri njerëz që vjellin në mes të rrugës, mund të urinojnë në prani të njerëzve të tjerë...
Ai i martuar që e tradhëton gruan e tij me dikë tjetër, e ka ulur veten dhe e ka poshtëëruar shumë. Ndjenja e krenarisë tek ky person nuk ekziston. Ai ka frikë nga gruaja se mos e merr vesh, hiqet sikur e dashuron atë dhe i plotëson çdo dëshirë të saj.
Ata djem të rinj që i ngacmojnë vajzat në rrugë, vajzat mund t’u thonë ndonjë fjalë ofenduese për fytyrën dhe dinjitetin e tyre, por djaloshi qesh . Qesh pasi u ofendua, u nënçmua, u përbuz... dhe për ta mbuluar këtë fyerje, ai qesh.
Ai që gënjën është njeriu më i ulët dhe i poshtëëruar, sidomos kur i zbulohet gënjeshtra. Atij që përgojon të tjerët, nëse i përgojuari i thotë se përse më ke përgojuar, do t’i bjerë qielli mbi kokë nga turpi dhe poshtëërimi.
Hajduti, që vjedh pasuritë e të tjerëve është njeriu më i ulët dhe i nënçmuar, sidomos në momentin që zbulohet. Një tregtar kishte punësuar në magazinën e tij dikë për t’i shitur mallin. Në fund të çdo ditë e pyeste se sa kishte shitur për atë ditë. Por shitësi nuk tregohej i sinqertë, duke i dhënë shifra më të ulëta shitjesh, ndërsa pjesën tjetër e merrte për vete, ngaqë dhe magazina ishte e madhe dhe nuk binte në sy. Një ditë tregtari merret vesh me një shok të tij që të shkojë tek shitësi dhe t’i kërkonte një sasi të madhe malli. Pasdite, kur të ishte dhe pronari në magazinë, të shkonte dhe t’ia kthente përsëri mallin me një pretekst çfarëdo. Dhe ashtu veproi, e bleu mallin. Pasdite shkon pronari si gjithmonë tek magazina dhe e pyet shitësin se sa kishte shitur për atë ditë. Shitësi ia fsheh mallin që bleu personi, me të cilin vetë tregtari ishte marrë vesh më parë, dhe i tregon mbi disa shitje të tjera të vogla. Në atë moment futet blerësi në magazinë dhe i kërkon shitësit që t’ia kthejë mallin, pasi nuk i pëlqeu. Shitësi mashtrues u zbulua dhe doli i turpëruar dhe i nënçmuar me veprimin që kishte bërë. Shikoni se sa poshtëë e ul vetën njeriu me veprat që vepron .
Mos e vër veten në pozita poshtëëruese o vëlla dhe o motër! Mos prano të poshtëërohesh dhe të përbuzesh, për shkak të gjynaheve që vepron. Zoti të ka nderuar dhe të ka ngritur në gradë të lartë.
“Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”
(Isra 70)
Njoh një të ri që ngacmonte një vajzë, i qeshte dhe i fliste duke e ndjekur nga pas. Në ato çaste vjen vëllai i vajzës dhe e kap për krahu. Ai filloi t’i kërkojë të falur, duke e siguruar që diçka e tillë nuk do të ndodhte më. A ka poshtëërisi dhe nënshtrim më të madh?
Një që tradhëton gruan, një që vjedh, një që gënjen, një vajzë që shoqërohet me djem, pa dijeninë e prindërve ... janë të poshtëëruar dhe të nënshtruar.
Edhe sikur njerëzit të mos e dijnë atë që ke vepruar, vetë mendimi për atë që po vepron të bën të nënçmuar. A e dini se çfarë bën personi që kryen diçka të turpshme? Kërkon që të rrijë vetëm, të ndryshojë ambient, të rrijë sa më larg njerëzve, mos të kontaktojë me asnjë… pasi i vjen turp për atë që bëri. Psikologët, duke analizuar gjendjen e një njeriu që kryen vepra të ulëta (gjynahe), thonë se gjëja e parë që ndodh me të, është se i duket vetja e pavlerë. Nëse dikush mashtron një tjetër, mashtruesi është gjithmonë nën presinonin dhe ndjenjën e frikës se mos i mashtruari e kupton. Ai kontrollon çdo lëvizje të tij dhe i kushton vëmendje çdo fjale të tij, që të kuptojë nëse e ka kuptuar apo akoma jo. Çdo fjale e tij e bën të dyshojë nëse ka kuptuar gjë apo jo. Mendoni se si mund të jetojë një njeri që jeton një jetë të tillë! Thotë Zoti në Kur’an, duke përshkruar gjendjen e hipokritëve:“...çdo zë e mendojnë se është kundër tyre.” (Munafikun 4)
Gjynahet dhe veprat e ulëta që vepron njeriu, kanë ndikim edhe tek gjallesat e tjera. Thuhet në disa rrëfenja se kur nuk bie shi për një kohë të gjatë, kafshët thonë:”O Zot, nuk po bie shi, për shkak të gjynaheve të njeriut.” Gjithashtu thuhet se kur vdes një njeri gjynahqar dhe i keq, kafshët thotë:”Falenderojmë Zotin që na shpëtoi prej tij!”
Edhe nëse të ndodh ndonjë skandal dhe njerëzit e kuptojnë atë që ke vepruar, dije se është një mesazh nga Zoti me qëllim që ta braktisësh rrugën e keqe. Fatkeqësitë që të bien, i ngjajnë dozave të ilaçit, të cilat vazhdojnë të shtohen, derisa i sëmuri të reagojë pozitivisht. Fatkeqësitë dhe sprovat, janë me qëllim që ti o njeri t’i kthehesh përsëri vlerësimit të vetes dhe krenarisë.
Ka njerëz që për shkak të gjynaheve të shumta dhe veprave të ulëta, nuk e ndjejnë më rëndësinë e krenarisë dhe respektit të vetes. Kurse ka njerëz të tjerë, që edhe pse të varfër dhe të vobektë, nuk pranojnë që nderi dhe dinjiteti i tyre të cënohet.
Mos prano të vjedhësh dhe të shkatërrosh dinjitetin tënd! Mos prano të marrësh ryshfete dhe të marrësh nam të keq! Mos prano të gënjesh! Mos prano të ngacmosh vajzat! Mos prano të tradhëtosh bashkëshortin!
Shejtani, në betejën e tij me njeriun, kërkon një gjë të vetme:  Ta poshtëërojë dhe ta ulë sa më poshtëë njeriun. Kjo, pasi kur Zoti e nderoi njeriun duke urdhëruar melekët t’i përulen atij dhe duke e mallkuar shejtanin për shkak të mosbindjes. Ai kërkon që t’i tregojë Zoti se është më i mirë se njeriu. Për këtë, i tha Zotit: “A e sheh këtë që e vlerësove mbi mua, nëse më le të jetoj deri në ditën e kiametit, unë do t’u vë fre atyre (dhe t’i çoj nga të dua) përveç një pakice prej tyre.” (Isra 62)
Ka shumë njerëz të cilëvë shejtani u ka vënë frerin dhe i çon në çdo gjynah që dëshiron.
çdo gjë që Zoti e ka ndaluar, e ka ndaluar për shkak se ajo cënon dinjitetin dhe personalitetin e njeriut.
Edhe që të përmendësh gjynahet dhe të metat e të tjerëve në publik, është gjynah. Për këtë profeti (a.s.) thotë: "Kush e nënçmon një musliman për një gjynah që ka bërë, nuk do të vdesë deri sa të veprojë dhe ai atë gjynah.”
“Mos u gëzo me fatkeqësinë e vëllait tënd musliman, pasi mund ta falë Zoti dhe të sprovon ty!”
Thotë imam Ahmedi:”çdo gjynah me të cilin ke përbuzur vëllanë tënd, do e veprosh dhe ti.”
Ai që e poshtëëron dhe e nënçmon veten e tij me gjynahe, do të kenë një fat të dhimbshëm Ditën e Kijametit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Do të vijnë njerëzit Ditën e Kijametit duke ecur këmbadorazi, duke ecur në këmbë, ose duke ecur me fytyrë.” Shokët e pyetën të habitur:”O i dërguar i Zotit, po si ecin me fytyrë?!” Profeti a.s u përgjigj:”Ai që i bëri të ecin me këmbë, do i bëjë të ecin me fytyrë.”
Thotë Zoti në Kuran:”Ata që bënë krim do t’i godasë poshëtrimi dhe dënimi i fortë..” (En’am 124)
Ajetet e Kuranit që përshkruajnë ndëshkimin e zjarrit, herë e përshkruajnë si të fortë, herë si të dhimbshëm dhe herë poshtëërues. Kjo sipas shkallës së gjynaheve që vepronin në dynja.

E identifikuar

I have learnt silence from the talkative, toleration from the intolerant, and kindness from the unkind...

aida@zeriyt.com
Aida
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #18 më: 20-09-2007, 22:29:32 »
Citojeni

EL MUXHIBU (Lutjepranuesi)

Emri që do të trajtojmë në këtë temë është El-Muxhibu (Lutjepranuesi). Thotë Zoti në Kuran rreth këtij emri:”Me të vërtetë që Zoti është pranë dhe është Lutjepranues.” (Hud 61)  Emri El-Muxhibu përmendet shpesh herë në Kuran.
Emri El-Muxhibu është më i ndjeshëm gjatë muajit të Ramazanit dhe sidomos në dhjetë ditët e tij të fundit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Agjëruesi ka një lutje që nuk i kthehet mbrapsht, në kohën e iftarit.”
Ajo që e përforcon këtë, është dhe ajeti i Kuranit:”Kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet...”  (Bekare 186) Ky ajet përmendet në mesin e ajeteve që flasin mbi muajin e shenjtë të Ramazanit.
Duke ditur që lutjet gjatë muajit të Ramazanit janë të pranueshme, shokët e Profetit a.s përgatisnin pesë-gjashtë lutje të veçanta, me të cilat e lusnin Zotin gjatë këtij muaji. Rreth këtyre lutjeve, vetë shokët e Profetit a.s thonë:”Për Zotin, kur vinte Ramazani tjetër, të gjitha këto lutje na ishin pranuar.”

   Kuptimi i emrit El-Muxhibu.
Është ai që lutjeve dhe kërkesave të njerëzve, u përgjigjet duke ia plotësuar secilit kërkesën dhe dëshirën. Ajo që tregon se Zoti e pëlqen që t’u përgjigjet lutjeve të tua, është se Ai të udhëzon që ta lusësh. Nëse nuk do të dëshironte t’u përgjigjej lutjeve të tua, do e bënte zemrën të harrojë dhe gjuhën të mos e shqiptojë atë që dëshiron. Kështu, shohim që El-Muxhibu është Ai që lutjen dhe duanë e bën të dashur për zemrat e besimtarëve. Secilit prej nesh, mund t’i ndodhë që teksa është duke ecur, fillon dhe lutet pa e ndjerë.
Duke e kuptuar këtë, Umer ibnul Hattabi thoshte:”Unë nuk i kushtoj rëndësi pranimit të lutjes, por i kushtoj rëndësi vetë lutjes. Kurdo që më jepet për t’u lutur, e kuptoj që pranimi i saj është pranë.”  Umer ibnul Hattabi e njihte Zotin si Pranues të lutjeve dhe ishte i sigurtë për këtë. Ai e dinte se pranimi i lutjeve ishte premtim prej Zotit dhe Ai e mbante premtimin.
Një i ditur thotë:”Unë kam më shumë frikë nga privimi i lutjes sesa nga privimi i pranimit të lutjeve.” Nëse El-Muxhibu ta lehtëson të lutesh, dije se pranimi i lutjeve është i garantuar.
Vetë profeti Muhamed a.s thotë në këtë kontekst:”Kujt i hapen duart për t’u lutur, i është hapur një nga dyert e mëshirës.”
Kështu, El-Muxhibu është Ai që i frymëzon robët e Tij që ta lusin dhe ua pranon atyre lutjet. Është Ai që i frymëzon dhe është po Ai që ua pranon këto lutje.
Një e veçantë në pranimin e lutjeve nga ana e Elmuxhib, është se Ai nuk ka caktuar një kohë të caktuar për pranimin e lutjeve, por e ka lënë të hapur. Vetë Zoti në një hadith kudsij thotë:”Kurdo që të më kërkosh,  do të më gjesh...”
A e imagjinoni dot sesa e vështirë do të ishte nëse pranimi i lutjeve të ishte p.sh vetëm në orën 2.30 deri 3.30 natën?! A e imagjinoni sa e vështirë do të ishte nëse lutjet do të ishin me radhë?! Këto i themi me qëllim që t’ju kujtojmë se çështjen e lutjeve, Zoti e ka lehtësuar. Edhe nëse lutjen e bën me zemër, pa ngritur duart dhe pa lëvizur gjuhën, El-Muxhibu e dëgjon atë dhe ta pranon. El-Muxhibu është me ty dhe e dëgjon dhe pranon lutjen tënde në çdo kohë dhe vend.
Emri i Zotit El-Muxhibu, është një emër që të prezanton dhe emrat e tjerë. Profeti Muhamed a.s, në një hadith thotë:”Lutja është vetë adhurimi.”  Kjo nënkupton që forma më e mirë e adhurimit, është në çastet kur lutesh. Është e mundur që për shkaqe të ndryshme, të mos e ndjesh namazin, zekatin, agjërimin...si një nga adhurimet për Zotin. Por është e pamundur që t’i ngresh duart drejt qiellit, të lutesh duke rënkuar dhe me dëshirën që Zoti të të dëgjojë dhe të mos e ndjesh me gjithë zemër që je rob i Zotit. Duke ngritur duart dhe duke iu lutur Zotit, ti e pranon që Ai është i Plotfuqishmi, Dëgjuesi, Shikuesi... 
Emri El-Muxhibu na ndërgjegjson mbi fuqinë dhe aftësitë absolute të Zotit. Në ditët e Haxhit apo të muajit Ramazan, çdo besimtar bie në sexhde dhe e lut Zotin për problemet dhe telashet e tij. Zoti i Madhëruar i dëgjon të gjithë dhe ua plotëson nevojat dhe lutjet. Të gjithë besimtarët e lusin Zotin, të sigurtë që Ai i dëgjon dhe u përgjigjet, pa i ngatërruar lutjet e tyre. Asnjëri nuk shqetësohet se mos Zoti i ngatërron lutjet e tyre. Asnjë prej tyre nuk shqetësohet se nga lutjet e shumta, mund të harxhohen mirësitë e Zotit. Rreth këtij aspekti, thotë Zoti në një hadith Kudsij:” O robët e Mi! Sikur të gjithë njerëzit dhe xhindet të grumbulloheshin në një vend dhe të më kërkonin gjëra të ndryshme, dhe Unë secilit prej tyre t’ia jepja atë që ka dashur, kjo nuk do e pakësonte
 pasurinë Time, ashtu siçnuk e pakëson maja e gjilpërës detin kur futet në të...”
El-Muxhibu kërkon që besimtari të jetë këmbëngulës në lutjet e tij. Nëse i lutesh një njeriu dhe nuk i ndahesh, ai mërzitet dhe sillet ashpër me ty. Kurse me Zotin është e kundërta. Thotë Profeti a.s:”Zoti i pëlqen ata që janë këmbëngulës në lutje.” Kjo, pasi në këtë mënyrë ti konfirmon adhurimin dhe përkushtimin tënd ndaj Zotit.
Mund të ndodhë që Zoti të të përballë me vuajtje dhe telashe, me qëllim që ta lusësh dhe t’i kërkosh ndihmë. Këtë e bën kur e shikon që ti e ke harruar. Të sërmur, me qëllim që ta lusësh që të të shërojë. Të vendos para problemeve dhe halleve të vështira, me qëllim që t’i kërkosh ndihmë. E rrezikon anijen në mesin e oqeanit, me qëllim që udhëtarët e saj - që deri në ato çaste nuk besonin në Zot - të ngrenë duart dhe ta lusin Atë me gjithë zemër.
Emri El-Muxhibu, vjen gjithmonë i shoqëruar me emrin El-Karibu (pranë, afër) në Kuran. Thotë Zoti në Kuran:” :”Kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër.” (Bekare 186)  Kurse profeti a.s thotë:” Njeriu është më pranë Zotit të tij, kur është në sexhde, prandaj i shtoni lutjet.”
Një e veçantë tjetër është se kur e lusim Zotin, ne nuk kemi nevojë t’ia shpjegojmë problemet dhe vështirësitë se si kanë arritur deri në atë pikë. Kjo, pasi Zoti është pranë nesh dhe di gjithçka mbi ne. Nëse do të shkojmë tek dikush për t’i kërkuar ndihmë, fillimisht do ia bëjmë të qartë situatën dhe si janë zhvilluar ngjarjet deri në atë pikë. Kurse kur ka të bëjë me Zotin, ne thjesht i kërkojmë ndihmë për hallin që kemi, pa ia shpjeguar problemin në imtësi.
Zoti i Madhëruar është më pranë nesh, sesa çdo njeri tjetër i afërt dhe i dashur. As nëna, as babai, as gruaja dhe fëmijët... nuk janë më pranë nesh sesa është Zoti. Edhe pse e përqafon fëmijën tënd të dashur, Zoti është më pranë teje.
Thotë Zoti në Kuran:“Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rreh) i qafës së tij.” (Kaf 16)
Shumë njerëz mendojnë se lutjet duhet të jenë vetëm për gjërat e mëdha. Por në fakt, lutjet e drejtuara Zotit duhet të bëhen për çdo gjë, edhe për gjërat më të vogla. Nëse të humbet diçka, sado e vogël qoftë, ngreji duart dhe lute Zotin të ta kthejë përsëri. Vetë profeti Muhamed a.s, na mëson që kur të na humbasë diçka, të themi:”O Zot që do të bashkosh njerëzit në Ditën e Kijametit, më bashko me mallin tim të humbur!” Është vetë Zoti Ai që kërkon prej nesh që ta lusim për çdo gjë, sado e vogël qoftë.
Shkoi një njeri tek profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit, a larg është Zoti ynë dhe duhet ta thërrasim, apo afër dhe ta lusim me zë të ulët?” Atëherë u shpall ajeti i mëposhtëëm i Kuranit:“Dhe nëse të pyesin robët e mi mbi Mua, Unë jam pranë (tyre) e pranoj lutjen e atij që më lutet…” (Bekare 187)
Në çdo vend tjetër në Kuran, kur ajeti vjen si përgjigje e një pyetje, ajeti fillon me foljen thuaj, p.sh:”Të pyesin ty për hënën e re, thuaju”  (Bekare 186) “Të pyesin për plaçkën e luftës, thuaju..”   (Enfal 1).
Kurse në këtë rast përgjigja vjen menjëherë pa ndërmjetësimin e fjalës thuaj pasi lidhjet mes lutësit dhe Krijuesit janë direkte.
Gjithashtu Zoti nuk e ka kushtëzuar pranimin e duasë vetëm për ato që janë te devotshëm, apo që falen dhe agjërojnë, por e ka lënë të lirë për të gjithë ata që i luten. Thotë Zoti në Kuran:“Zoti juaj ka thënë: Më lutuni Mua që t’ju përgjigjem. Me të vërtetë ata qe tregohen arrogantë ndaj adhurimit tim do të hyjnë të nënçmuar në zjarr.” (Gafir 60)
Ky ajet, e konsideron atë që nuk i lutet Zotit arrogant dhe mendjemadh. Kush tjetër veç Zotit mund të të ndihmojë?! Kush tjetër veç Tij mund të të nxjerr nga telashet dhe hallet?!
“Luteni Zotin tuaj të përulur dhe në heshtje, pasi ai nuk i do ata që e teprojnë. Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullit të saj dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën).” (Araf 54)
Thotë profeti (a.s) në disa hadithe:”Lutja është vetë adhurimi.” “Nuk ka gjë më të lartë tek Zoti sesa duaja.”  “Zoti zemërohet me dikë që nuk i lutet” “Mos u tregoni te paaftë për të bërë dua, pasi nuk shkatërrohet një njeri që lutet.”
“Me të vërtetë Zoti është Bujar dhe i vjen turp që nëse njeriu i ngre duart dhe i lutet, t’ia kthejë duart bosh.”
“I vjen turp” do të thotë që nëse ti e lut për diçka, Ai ta jep. Ashtu si disa njerëz të cilëve kur u kërkon diçka, edhe nëse nuk kanë mundësi me ta dhënë, ta japin ngaqë u vjen turp. Nëse kjo vlen për njeriun, ç’mund të themi për Zotin  që ka në dorë gjithçka?!
Cilësia tjetër që përmendet në hadith është “Bujar” i cili është ai që të jep pa i kërkuar.  Kështu edhe Zoti është tepër Bujar me ne, na furnizon më të mira pa ia kërkuar. Sikur t’i kërkonim, sigurisht që do na i pranonte lutjet tona dhe nuk do na i kthente duart bosh.

Pas këtyre haditheve dhe ajeteve të Kuranit, nuk ka përse të dyshosh nëse Zoti t’i pranon lutjet apo jo.
Thotë profeti a.s në një hadith tjetër:” “Zbret Zoti i Madhëruar në qiellin e kësaj botë në një të tretën e fundit të natës dhe thotë: Kush më lutet t’ia pranoj atë, kush më kërkon diçka t’ia jap, kush më kërkon falje dhe Unë ta fal.”

   Pranimi i lutjeve në Kuran.
Po të shohim në Kuran, do të gjejmë që pranimi i lutjeve përmendet në gjërat më të vështira dhe të pamundura. Kjo, me qëllim që të të qetësojë ty o njeri. Po të shohim në fjalët “dhe Ne ia pranuam lutjen” do të gjejmë që lutja i është pranuar dikujt që ka qenë në halle dhe telashe shumë të mëdha.
Ibrahimi (a.s) e la familjen e tij në Mekë, e cila atëherë ishte vetëm një luginë e shkretë, pa ujë, pa bimë dhe pa njerëz. Kur e la  gruan dhe djalin e tij, Ibrahimi iu lut Zotit: “O Zot, bëje këtë vend të qetë dhe furnizoji banorët e tij me fruta. O Zot, dërgo nga mesi i tyre një profet që t’ua lexojë librat e Tu, t’u mësojë urtësinë dhe ti pastrojë (nga idhujtaria).” (Bekare 126)
Ai tha këtë lutje dhe kurrë nuk i ka vajtur në mendje që ajo do të pranohet në formën që e shohim sot. Ne shohim me miliona njerëz që drejtohen drejt atij vendi të bekuar, ata kursejnë me vite të tëra, me qëllim që të vizitojnë vendin ku Ibrahimi a.s la familjen e tij. Veç kësaj, Zoti e furnizoi familjen e tij të braktisur me ujin e Zemzemit, edhe pse nuk kishte shpresa për të gjetur ujë në atë vend.
Zekeria (a.s.) ishte në moshë të thyer dhe nuk kishte fëmijë, pasi gruaja e tij ishte e pamundur për të lindur. Prandaj ai iu lut Zotit duke thënë:
“Tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”. (Merjem 4)
“O Zot, mos më ler të vetëm (më jep fëmijë)! Ne ia pranuam lutjen dhe i dhuruam Jahjanë.” (Enbija 89)
Secili prej nesh, po të shohë në jetën e tij, do të gjejë që lutjet dhe dëshirat i realizohen. Kush i është lutur Zotit për fëmijë dhe nuk i ka dhënë? Kush i është lutur për t’i shtuar rizkun dhe nuk ia ka dhënë?
Vetë unë kam vuajtur dhe për dhjetë vite rrjesht u privova nga fëmija. Një herë vajta në haxh dhe ditën e Arafatit u luta shumë dhe u kërkova dhe të tjerëve që të luten për mua. Ditën e nesërme fola me gruan dhe më tha se kishte vajtur tek doktori për t’u vizituar dhe i kishte thënë se është shtatzanë.
Sulejmani (a.s) iu lut Zotit duke i thënë: “O Zot më jep pushtet, të cilin nuk do ta ketë kush pas meje.” (Sad 35) Dhe Zoti ia pranoi lutjen, duke i dhënë pushtet të madh, saqë ia nënshtroi xhinët dhe erën.
Një lutje tjetër është dhe ajo e Junusit a.s, lutje që vinte nga thellësitë e oqeanit dhe nga barku i balenës. Kur melekët e dëgjuan lutjen e tij, i thanë Zotit:”O Zot, një zë i njohur që vjen nga një vend i panjohur!” Zoti u tha:”Ai është robi Im, Junusi në barkun e balenës.”
(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot veç Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes! Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët. (Enbija 87-88)
Nuhu  (a.s) kur pa që populli i tij,  jo që nuk besuan, por po i sillnin shqetësime,  iu lut Zotit duke i thënë: “O Zot, unë jam i pamundur prandaj më ndihmo!” Atëherë, Zoti iu përgjigj lutjes së Nuhut. Kjo përmendet dhe në Kur’an:“Atëherë, me një shi të vrullshëm hapëm dyert e qiellit. Dhe burimet e tokës i shpërthyem, dhe u takua uji ashtu siç qe caktuar. Kurse Nuhun e mbajtëm në anije.” (Kamer 10-13)
“Dhe Nuhu na qe lutur dhe Ne jemi lutjepranuesit më të mirë.” (Saffat 75)
Nëna e Ebu Hurejres refuzonte të bëhej muslimane dhe e shante profetin (a.s.), gjë e cila e dëshpëronte shumë Ebu Hurejren. Një ditë ai vendosi të shkojë tek profeti dhe t’i tregojë mbi hallin që kishte. Profeti (a.s.) ngre duart lart dhe thotë:"O Zot, drejtoje nënën e Ebu Hurejres në fenë islame!” Pas kësaj, Ebu Hurejreja kthehet në shtëpi. Pa hyrë brenda dëgjon zërin e nënës, e cila i thërret duke i thënë: “Qëndro aty ku je!” Del jashtë dhe i thotë:“Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”.”  Ebu Hurejreja, kur dëgjoi këtë, u gëzua shumë dhe shkoi e ia tregoi Profetit që Zoti ia kish pranuar lutjen. Pasi i tregoi, i tha që ta lusë përsëri Zotin që ta bëjë Ebu Hurejren dhe nënën e tij t’i duan njerëzit e tjerë dhe t’i bëjë njerëzit e tjerë t’i duan ata. Profeti (a.s) u lut dhe thotë Ebu Hurajere:”Çdo njeri që dëgjonte mbi mua dhe nënën time, pas lutjes së Profetit (a.s.) na deshte .”
Në fakt Zoti gjithmonë ua pranon lutjet njerëzve. Ajo që ndodh është se shejtani i bën të harrojnë se e mira që u erdhi është për shkak të lutjes që ishin lutur më parë. E bën këtë që t’i largojë njerëzit nga lutjet duke ua mbushur mendjen që ato nuk pranohen. Gjithashtu e bën që të mos e ndjesh që Zotin e ke pranë. Nëse do ndjesh prezencën e El-Muxhibu dhe se Ai u përgjigjet lutjeve të tua, do e duash dhe do i shtosh lutjet.&