Përshëndetje beko ja faktet se kush esht fajtor i vrasjes se protestusev paqsor!?
Koha e deshmoj
Drejtësia e UNMIK-ut
Shkruar nga Albin Kurti
Monday, 21 January 2008
Letër që iu dërgua organizatave kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Unë u burgosa më 10 shkurt, 2007, pasi Lëvizja VETËVENDOSJE!, ku unë jam njëri prej udhëheqësve, mbajti një demonstratë të padhunshme. Seanca e katërt e rastit kundër meje do të mbahet më 30 janar. Më ngarkojnë me akuzat se: e kam organizuar turmën, e cila ka kryer vepër penale (si thuhet ‘në tentativë për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe/ose të dëmtojë pasurinë në shkallë të gjerë’), duke i penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre (si të tilla përkufizohen (përpjekjet) për të formuar kordon policor në rrugë) dhe duke bërë thirrje për rezistencë (që thuhet të ketë qenë nxitja e popullit për ta thyer kordonin policor). Unë përballem me dënimin me burg deri në dhjetë vjet.
Kam treguar edhe tjetërkund se këto akuza janë absurde deri në detajet e tyre më të vogla (shiko te
www.freealbinkurti. org) dhe tash po iu shkruaj për të shpjeguar pse mendoj se rasti kundër meje duhet të hidhet poshtëë dhe për të treguar për shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin gjatë gjithë procesit ligjor. Çdonjëri ka të drejtë për një jetë me dinjitet dhe drejtësi. Konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut janë formuluar pikërisht me qëllim të mbrojtjes së kësaj të drejtë. Shkeljet e të drejtave të mia të njeriut në rastin kundër meje, para së gjithash, të së drejtës sime për një gjykim të drejtë, e bëjnë të qartë se Kosova nën sundimin e OKB-së është lënë jashtë këtij rregulli ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Para së gjithash, po e shoh si të domosdoshme të shpjegoj në pika të shkurtëra pse VETËVENDOSJE! demonstroi më 10 shkurt 2007 dhe çka ndodhi atë ditë. VETËVENDOSJE! është një lëvizje politike opozitare, e padhunshme dhe me aktivistë vullnetarë, e cila angazhohet për vetëvendosjen e Kosovës. Më 10 shkurt, VETËVENDOSJE! demonstroi kundër Pakos së Ahtisaarit – e cila, ne besojmë se Kosovës do t’i sjellë luftë dhe mjerim – si dhe kundër regjimit jodemokratik të UNMIK-ut këtu. Gjatë demonstratës dy demonstrues paqësor u qëlluan për vdekje nga ana e policisë së OKB-së, me plumba të gomës me afat të skaduar me të cilat protestuesit u qëlluan në kokë nga afër. Mbi tetëdhjetë protestues të tjerë u lënduan me plumba të gomës, njëri nga të cilët e ka humbur syrin dhe dy të tjerë kanë qenë nën kujdes intensiv me ditë të tëra.
Përkundër raportit të Prokurorit Special të vetë UNMIK-ut, Robert Dean, i cili konfirmoi se reagimi i policisë më 10 shkurt ishte kriminal, UNMK-u refuzoi të zhvillonte hetime mbi krimet gjatë atyre ngjarjeve. Edhe pse është vërtetuar se vrasësit ishin nga Njësiti Special i Policisë së Rumanisë, prokurori i OKB-së argumentoi kundër ndjekjes së tyre penale ngase nuk kishte mundësi të gjindej lidhshmëria në mes të plumbave dhe armëve individuale prej të cilave ishte shtënë. Në raportin e tij të dytë, Dean, e cilësoi shkëputjen në zinxhirin komandues si shkaktar të vrasjeve, por prap refuzoi të niste hetime për t’i identifikuar personat përgjegjës. Policisë rumune iu lejua që fshehtas të ikte nga Kosova dhe askush nga ata që ishin në krye të operacionit kriminal policor nuk është marrë në përgjegjësi. Në kërkim të pashpresë për një viktimë për t’ia ngarkuar fajin për krimin e vet, UNMIK-u më zgjodhi mua për të më nxjerrë në gjykim.
Arrestimi dhe paraburgimi
Kur më arrestuan pas demonstratës së 10 shkurtit, Shërbimi Policor i Kosovës nuk ma tregoi ndonjë fletëarrest as nuk më njohtoi mbi arsyet e arrestit apo mbi ligjin e duhur në zbatim ose faktet lidhur me të. Në vend të kësaj, policia hyri në zyren e VETËVENDOSJE!-s në mënyrë të dhunshme, përdori sprej djegës kundër meje dhe disa aktivistëve të tjerë të VETËVENDOSJE!-s, na shkelmuan dhe na rrahën, mua dhe të tjerët në zyrë, përfshirë këtu edhe një aktiviste, Shkurta Aliun, e cila u rrah deri në alivanosje dhe u dërgua në spital. Asnjëri nga policët nuk u godit dhe as nuk u lëndua gjatë arrestimit tim.
Paraburgimi im nuk kishte ndonjë bazë ligjore deri më 13 shkurt, kur u mbajt një seancë dëgjimore e mbyllur për opinionin. Që atëherë paraburgimi im është zgjatur zakonisht pa praninë time dhe ndonjëherë edhe pa dijen time. Disa nga seancat e mëposhtme të dëgjimit gjatë paraburgimit po ashtu kanë qenë të mbyllura për opinionin.
Federata Ndërkombëtare e Helsinkit (angl. IHF) si dhe Amnesty International (AI) kanë theksuar se paraburgimi im gjithnjë ka pasur bazë të dobët ligjore: atij i ka munguar arsyetimi i mjaftueshëm dhe si i tillë ka rezultuar me privim joligjor të lirisë. Gjithashtu, hapësira aktuale kohore prej dy muajsh në mes të seancës së tretë dhe të katërt të rastit kundër meje – prej 4 dhjetorit 2007 deri më 30 janar 2008 – dëshmon se gjykata e UNMIK-ut nuk e ka për qëllim ta zhvillojë procedurën gjyqësore me përshpejtim të duhur por në vend të kësaj synon ta zgjasë rastin për aq sa është e mundur.
Kur më transferuan për herë të parë në arrest shtëpiak, mua pa kurrfarë arsyetimi ligjor më qe ndaluar kontakti me VETËVENDOSJE!-n dhe me mediat. Gjatë arrestit tim të mëvonshëm shtëpiak këto kufizime u hoqën pa shpjegim, por në vend të kësaj një roje policore 24-orëshe (e përbërë nga dy policë të armatosur) u vendos para derës sime dhe mua nuk më lejohej ta qitja hapin jashtë derës së banesës sime. Kjo gjë ishte e pashembullt në historinë e Kosovës dhe kurrë nuk u arsyetua në mënyrë ligjore. Derisa isha në paraburim në burg, IHF-së nuk iu lejua të më vizitonte derisa vizitorëve ndërkombëtarë, ndër të tjerë diplomatit amerikan William Walker, i cili u përpoq të më bindte që të mos organizoja demonstrata, iu lejua vizita menjëherë.
Gjykimi i drejtë
Supozimi i pafajsisë
Rasti kundër meje dhe në veçanti paraburgimi im që nga fillimi janë bazuar në supozimin e fajsisë, jo atë të pafajsisë. Kjo nuk shihet vetëm nga vendimet dhe veprimet e gjykatësve që janë në krye të rastit tim. Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare të Kosovës dhe zyrtarët publik – pëfshirë këtu disa nga politikanët lokal, zëdhënësin e Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, Shefen e Zyres Amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow dhe ish-zëvendës-shefin e UNMIK-ut (zëvendësin e PSSP-së), Steven Schook, që nga dita e parë e burgosjes sime publikisht kanë dhënë deklarata degraduese ndaj meje dhe VETËVEDOSJE!-s dhe e kanë shprehur mendimin se unë jam fajtor.
Barazia para ligjit
Që nga fillimi i rastit kundër meje unë jam vënë në disavantazh në krahasim me prokurorinë. Unë jam trajtuar ndryshe, nuk më është lejuar të shprehem dhe madje i jam nënshtruar ofendimit gojor: kur filloi gjykimi më 19 shtator, unë e kundërshtova panelin kryesues të gjykatësve për miratimin e parregullsive në rastin kundër meje, si dhe për mungesën e pavarësisë dhe paanshmërisë së tyre – paneli e përfaqëson UNMIK-un, i cili është njëherit edhe palë e dëmtuar edhe palë akuzuese në rastin tim. Pasi kërkuan që ta shpjegoja kundërshtimin tim ndaj panelit, gjykatësi kryesues, Maurizio Salustro, më ndërpreu duke më bërtitur dy herë që ‘ta mbyllja gojën!’ dhe e përfundoi seancën pa më lejuar të flisja.
Për më tepër, seanca e parë gjyqësore më 19 shtator filloi me leximin e një aktakuze plotësisht të re dhe të pakonfirmuar, pa paralajmërim. Mua nuk më patën informuar për këto akuza të reja kundër meje as mbi ligjin në zbatim apo për faktet në fjalë në të cilat ato akuza bazoheshin. Në seancën e ardhshme gjyqësore më 15 nëntor, gjykatësi Salustro deklaroi pa kurrfarë shpjegimi se kjo aktakuzë e re duhej të injorohej.
Unë kurrë nuk kam pranuar që të kem avokat mbrojtës në këtë rast, meqë ai do të emërohej nga UNMIK-u. Meqë UNMIK-u është pala gjykuese, akuzuese dhe e dëmtuar në rastin tim, e ashtuaquajtura mbrojtja ime përballet me konfikt interesash në mes të shërbimit që më ofron mua dhe autoritetit i cili e ka emëruar në atë detyrë. Përkundër shprehjes së përsëritur të këtij qëndrimi, UNMIK-u ma caktoi një mbrojtës në rastin tim. Gjatë seancës së dytë gjyqësore më 15 nëntor, gjykatësi Salustro e zgjodhi Fazli Balajn si të ashtuquajturin mbrojtësin e katërt në mënyrë tërësisht joprofesionale. Brenda një ore dhe pa kurrfarë procesi parapërgatitor, Balaj u paraqit në gjykatë pa pasur kohë që të njohtohej me rastin dhe ta përgatiste mbrojtjen e tij. Për ta bërë këtë edhe më keq, Balaj ka deklaruar publikisht për Televizionin e Kosovës se unë jam fajtor për më shumë se sa që më akuzojnë aktualisht – shih
. Në gjykatë ai haptas i kundërshtoi argumentet e mia. Në një rast, sjellja e Balajt e shtyri prokurorinë që të kërkonte nga gjykatësi Salustro që ta sqaronte rolin e avokatit të detyrueshëm mbrojtës meqë dukej sikur ai vepronte kundër meje.
Në seancën e tretë gjyqësore më 4 dhjetor, 2007 unë ia dorëzova një DVD gjyqit si dëshmi për akuzimin e sheshtë timin dhe të VETËVENDOSJE!-s nga ana e Balajt për protestën e 10 shkurtit. Kishte probleme teknike, të cilat nuk e lejuan panelin e gjykatësve që ta shikonte DVD-në atë herë, por gjykatësi Salustro vendosi ta vazhdonte dëgjimin duke e injoruar kërkesën për shqyrtim të provave që unë i pata sjellë kundër të së ashtuaquajturës mbrojtjes sime. Gjykata nuk lëshoi fletërefuzim me arsyet për injorimin e provave të DVD-së.
Kur IHF-së nuk iu dha e drejta për të më vizituar gjatë mbajtjes sime në burg para gjykimit, ata mësuan se unë qesh klasifikuar si i burgosur i ‘Kategorisë A’ – kategorizim ky i rezervuar për të burgosurit më të rrezikshëm në Kosovë. As unë as i ashtuquajturi avokati imi mbrojtës nuk ishim informuar lidhur me këtë kategorizim apo me pasojat e tij. Meqë prokuroria ishte e informuar lidhur me këtë kategorizim, kjo e shkeli parimin e barazisë së palëve siç thekson IHF. Ky parim gjithashtu u shkel atëherë kur gjykatësi kryesues gjatë mbajtjes sime në burg para gjykimit iu afrua prokurorisë dhe pyeti ‘çka doni të bëj unë më tej?’.
E drejta për t’u ankuar
Edhe pse rasti gjyqësor kundër meje nuk e përmbush as ‘minimumin’ e asaj që kërkohet me të drejtën për shqyrtim të drejtë, mua më mohohen të gjitha mundësitë për ankesë apo zhdëmtim. Nuk ekzistojnë kurrfarë mekanizmash përmes të cilëve unë do të mund të inicoja një proces ankesë kundër UNMIK-ut, gjykatësve ose prokurorisë në rastin tim dhe kurrfarë autoriteti më i lartë të cilit do të mund t’i ankohesha ose prej të cilit do të mund të kërkoja drejtësi. Për shembull, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka jurisdiksion në Kosovë nën sundimin e UNMIK-ut.
Pavarësia dhe paanshmëria
Gjyqësia në Kosovë nuk është as e pavarur as e paanshme, ashtu siç theksojnë edhe Human Rights Watch, IHF dhe AI. Gjithashtu, nuk ekziston ndarja e autoritetit në Kosovë për ta mbrojtur gjyqësinë nga ndërhyrja e palejuar: UNMIK-u dhe shefi i tij, PSSP, e përfaqëson dhe e personifikon gjithë gjyqësinë, autoritetin ekzekutiv dhe legjislativ. PSSP gjithashtu ka autoritet t’i shfuqizojë dhe t’i ndryshojë vendimet gjyqësore. Kjo mungesë e pavarësisë dhe paanshmërisë është kristalizuar veçanërisht gjatë rastit kundër meje: PSSP, Joachim Ruecker, i cili i emëron të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë – natyrisht përfshirë këtu edhe ata në rastin tim – është i cekur personalisht si palë e dëmtuar në aktakuzën kundër meje.
Është e qartë se motivi për rastin kundër meje është politik, jo ligjor. Sistemi ndërkombëtar i UNMIK-ut, i cili e kryeson rastin tim zakonisht merret vetëm me krime ndëretnike dhe krime të luftës, por shumë shpejt e përvetësoi rastin kundër meje pa shpjeguar përse. Megjithatë, arsyet e tyre për nisjen e rastit janë të qarta. Vetë puna ime si aktivist politik dhe i padhunshëm në VETËVENDOSJE! përqëndrohet në kundërshtimin e sistemit jodemokratik të UNMIK-ut dhe në fitimin e të drejtës për referendum për popullin e Kosovës. Si lëvizje vullnetare, politikisht opozitare dhe e padhunshme, VETËVENDOSJE! punon për ta bërë Kosovën një vend të drejtësisë, lirisë, dinjitetit dhe përparimit, pa sundim ndërkombëtar. Demonstrata e padhunshme më 10 shkurt, e cila është pikëpërqëndrimi i rastit kundër meje, ka qenë vepër e shprehjes së kundërshtimit ndaj UNMIK-ut dhe një thirrje për vetëvendosje për popullin e Kosovës.
Meqë zëri im i kundërshtimit jo të dhunshëm ndaj UNMIK-ut po fiton përkrahje në Kosovë, është qartas në interes të UNMIK-ut që të më mbaj mua të heshtur dhe të më izolojë nga populli i Kosovës i cili do të mund të bashkohej me mua. Fakti se gjatë mëse 10 muajve në paraburgim unë jam marrë në pyetje vetëm një herë – dhe atë vetëm për 30 minuta – e konfirmon se qëllimi i UNMIK-ut për paraburgimin tim gjithnjë ka qenë izolimi, e jo e vërteta ose hetimi. Gjatë procesit kundër meje, prokuroria madje edhe haptas ka provuar ta përdorë rolin tim politik për të argumentuar në favor të paraburgimit të vazhduar duke iu referuar ‘rrezikut’ që unë paraqes për procesin rreth statusit të ardhshëm të Kosovës. Rasti motivohet nga dëshira e flaktë e UNMIK-ut për të më mbajtur të heshtur dhe për të më izoluar mua dhe për ta margjinalizuar kundërshtinë politike të padhunshme të VETËVENDOSJE!-s duke e portretizuar lëvizjen si të dhunshme dhe ekstreme.
Se akuzat kundër meje janë pa bazë ligjore u dëshmua sërish në seancën e tretë të rastit më 5 dhjetor. Në këtë seancë dëshmitari kyç i prokurorisë, oficeri i Policisë së Kosovës, Ismet Hajdini, tha se përkundrazi nga ajo që thuhet në transkriptin e prokurorisë, ai nuk më kishte parë mua të hidhja gurë më 10 shkurt, as nuk më kishte dëgjuar të kisha bërë thirrje për të hedhur gurë. Ai tha se demonstrata atë ditë kishte qenë paqësore derisa ishte thyer kordoni dhe se policia kishte hedhur gaz lotësjellës dhe se ai nuk kishte dëgjuar t’u ishte tërhequr verejtja protestuesve nga ana e policisë atë ditë.
Më 19 dhjetor, 2007, unë u lirova nga arresti shtëpiak për shkak të shtypjes nga jashtë ndaj UNMIK-ut lidhur me mbajtjen time në paraburgim, në veçanti të një deklarate të Amnesty International të datës 10 dhjetor. Në mënyrë paradoksale, arsyeja kryesore për heqjen e arrestit shtëpiak ka qenë që të sigurohet vazhdimi më i lehtë i rastit – heqja e arrestit shtëpiak e ka zvogëluar shtypjen ndaj UNMIK-ut dhe i ka mundësuar atij ta vazhdojë procesin e tij politik dhe të rrejshëm kundër meje.
Shkeljet e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor të rastit kundër meje e kristalizojnë padrejtësinë brutale të cilën e përfaqëson dhe për të cilën angazhohet UNMIK-u në Kosovë. Rasti është shprehje e përbuzjes sistematike të parimeve universale të drejtësisë dhe dinjitetit, përkundër gjithë asaj për çka do të duhej të angazhohej OKB-ja në botë. Meqë unë nuk e njoh UNMIK-un as gjyqësinë e tij unë në këtë rast e kam kufizuar bashkëveprimin me të vetëm në gjërat që kam qenë i detyruar t’i bëj (jam sjellë në gjykatë nga rojet policore) dhe në ato që i kam parë të domosdoshme për ta përfaqësuar veten dhe VETËVENDOSJE!-n. Gjithashtu kam theksuar se si UNMIK-u i shkel madje edhe ligjet e veta dhe, ashtu si në këtë letër, kam treguar për disa nga shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur. Unë nuk kam kurrfarë synimesh të tjera lidhur me procedurën gjyqësore kundër meje, madje nuk synoj as ta pengoj atë.
Përveçse nuk kam ndjerë obligim që të marrë pjesë në mënyrë aktive në këto procedura kriminale (siç ka konfirmuar Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut , p.sh. në rastin Yagci dhe Saragin kundër Turqisë, 8 qershor, 1995), unë kam paraqitur në gjyq pse aktakuza kundër meje është tërësisht absurde, pse unë e kundërshtoj rastin dhe sistemin e UNMIK-ut, si dhe e kam shprehur dyshimin për paraqitjen e vetëm një dëshmitari në gjyq deri tash. Komunikimi im tejet i kufizuar me gjyqin gjithnjë ka pasur për qëllim ta çojë përpara e jo ta pengojë drejtësinë: duke mos bashkëpunuar me gjyqësinë e padrejtë të UNMIK-ut, unë vazhdoj të punoj për një Kosovë të drejtë. Duke mos bashkëvepruar me një gjyq të padinjitetshëm, të padrejtë, në një rast absurd politik, unë punoj me popullin e Kosovës për një vend të dinjitetit dhe të drejtësisë.