Shqiperia - Republic of Albania Republika e ShqiperiseKorca - Qarku KorcesKorça, Republika dhe Getoja e një qyteti të ndarë më dysh
Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Korça, Republika dhe Getoja e një qyteti të ndarë më dysh  (E lexuar 287 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
M A X
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« më: 31-03-2011, 14:10:04 »

Korça, Republika dhe Getoja e një qyteti të ndarë më dysh
SHKRUAN: Alfred Lela 29-03-2011 11:33

Rrugëtimi Tiranë-Korçë, sidomos në fundmars, e sidomos në një vend si Shqipëria, ku piktoreskja sa hap e mbyll sytë mund të shpërfaqet si masakër, është një lojë me emocionet. Edhe natyra është befasuese me kontrastet e stinëve, që duken si dy kafshë që i japin kafshimet e fundit qafave të njëra-tjetrës. Diku të shfaqen shpatina me pemë të zhveshura e pak më tej ara ku lulojnë kumbulla të vetmuara. Kjo përthyerje stinore vazhdon gjithandej, por dielli sikur të thotë se gjithë këtë luftë të ftohtë do ta fitojë në fund e ngrohta e pranverës. Këtë ndjesi e çan si thikë një lajm i keq. Në Fushë-Labinot, si pasojë e një aksidenti, kanë mbetur të vdekura dy gra. Njëra prej tyre është bashkëshortja e një ish-punonjësi të administratës së Universitetit Europian të Tiranës dhe në makinën me të cilën udhëtojmë, njëfarë Arke e Noes me specimenë të këtij institucioni, duket sikur tavani mbi krye vjen e ulet duke e ngushtuar hapësirën. Henri e shpreh nervozitetin duke përdredhur celularin nëpër duar. Mendon të telefonojë fatkeqin, të cilit ia ka ndodhur vakia, por ndërron mendje në çastin e fundit. Më mirë nesër, thotë.

Juglindje

E nesërmja vjen shpejt dhe, pas kafeve e mëngjesit ndërthurur me leximin vertikal të faqeve të para të gazetave, ku sundon fotoja dhe emri i kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, nisemi për rrugë. Qëllimi është Korça dhe mbërritja atje para orës 12. Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me universitetin ‘Fan Noli’ të Korçës, i është bashkëngjitur një nisme të prefektit të Korçës, Andrea Mano, për një konferencë mbi zhvillimin rajonal. Korça është një qytet i dashur për mendjen dhe një ritakim me të është gjithmonë si ‘dashuri për herë të parë’. Edhe më të fortë yshtjen drejt saj e bëjnë qytetet nëpër të cilat kalojmë: Përrenjasi ngjan më shumë me një njollë që ka mbetur në tokë, pasi aty është rrëzuar një meteor i grimurrmë në fund të ciklit të jetës. Për Librazhdin nuk mund të formosh një opinion, për sa kohë nuk futesh në të, por i kalon anash për shkak të skajimit që i bën rruga automobilistike. Megjithatë, mungesa e tundimit për të ndaluar në një qytet është opinioni më i fortë për të. Pogradeci, nga Qafë-thana, mbështjellë në pasqyrën e Liqerit është ngashnjyes, por kur ulesh poshtë në fushë asfalti i gropëzuar i rrugës dhe pluhuri e fundosin qytetin e Lasgushit.

-Pastaj vjen Korça. Ose Bulevardi Republika, ku Korçës i ndodh gjithçka; e sotmja, por sidomos e djeshmja. Katedralja në qendër është e çuditshme; kjo vjen ose se mundohet t’i imponohet një sheshi më të vogël se vetja, ose se njëra prej ngjyrave me të cilën e kanë kompozuar nuk ka asgjë kishtare; ose sepse kafenetë përreth kanë hyrë në një garë të çmendur për t’i emëtuar ajrit dhe veshëve ndërthurje muzikore që duket sikur përpiqen për të trembur engjëjt nga ikonat. Më poshtë, në të majtë e në të djathtë, pasojnë njëra tjetrën si duar të kapura në valle shtëpi të vjetra që e bëjnë Korçën Korçë. Aty-këtu dallon sigla baresh, frëngjishtja e të cilëve kur e lidh me republikanizmin e emrit të Bulevardit kujtohesh se dikur kjo hapësirë ka dashur të jetë Republika Franceze e Korçës. Ende e ka këtë dyzim të identitetit. Të shtrirë në dyja fytyrat e qytetit; të vjetrës të mbytur në sharm dhe të resë, ku ravijëzohen format e nesërme të një getoje. Në fund të Bulevardit gjendet edhe një memorial i sajuar si në ngut, por që e ka vlerën jo tek estetika, por te sensi i kujtesës së një qyteti. Nga Lëndina e Lotëve niseshin dikur karvanët me mërgimtarë korçarë, të cilët përcilleshin nga gratë, nënat a motrat e tyre. Ata që shkëmbejnë përqafime pranë Lëndinës së Lotëve, edhe sot kur lotët e ndarjes derdhen nëpër aeroporte, duhet ta ndiejnë ahtin e përlotjeve të dikurshme. Fjalëve “mos më harro” u derdhet përsipër edhe kujtimi i këngës Qeraxhiu i Grebenesë.

Andrea i Korçës për të gjithë

Një histori kurbetliu shtrihet edhe në jetën e prefektit të Korçës, Andrea Mano. Ai pat emigruar në Greqi në fillim të viteve ’90, për t’u kthyer në vitin 2000. Simbolika e Korçës, më shumë se e asnjë qyteti tjetër, e pranon këtë: mërgimtarin që ikën, punon e kthehet me veshje të reja, dy groshë në xhep dhe një ide për të ndryshuar jetën e vet. Qyteti, në fund të fundit, është shumësi i jetës së banorëve të tij. Andrea tani kërkon më shumë se kaq; ai kërkon të jetë Qytetari i Parë i Korçës (ai figuron në listat e shpallura nga kryeministri Berisha si kandidat i Aleancës për Qytetarin për kryetar i Bashkisë së Korçës). I duhet një platformë për këtë dhe një hap i parë është konferenca me temë zhvillimin rajonal të Korçës, mbajtur me bashkëpunimin e Fondacionit për Liri Ekonomike, Universitetit Europian të Tiranës dhe universitetit ‘Fan Noli’. Prefekti Mano, ish-drejtor i arsimit në Korçë, bir arsimtarësh, e njeh atë dualitetin e Korçës: pjesën e re të qytetit që shkon drejt getoizimit dhe të vjetrën, tradita e së cilës duhet ruajtur. Nga biseda me të të kujtohet përshtypja se politika e ka ndarë edhe qytetin më dysh. Thotë se është partizan i një Korçe për të gjithë dhe se i ka idetë për ta realizuar këtë.

-Korça mbetet pas brenda dritës që ka hedhur mbi të ky mesazh premtues i Andrea Manos. Dje, te qoshku i gazetave të ditës, sy të lodhur korçarësh shëtisnin mbi titujt e faqeve të para, ndërkohë që shoferi ynë blinte një vandak të përditshmesh për urinë tonë informative. Korça e të gjithëve duhet të jetë edhe e atyre burrave, tek ai qoshk gazetash përballë katedrales, ku ndahet Republika me geton, të cilët nuk bënin dot bashkë lekët për një të përditshme. /Mapo
E identifikuar

Blog: 0lti.com | Twitter: @0ltion | MSN: olti@msn.com
Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


Anketa
  • Rishqiptarizimi i C‡amërisë?
  • Dot Me mjete ekonomike
  • 8 (22%)
  • -
  • Dot Me mjete ushtarake
  • 8 (22%)
  • -
  • Dot Me ripopullim
  • 10 (28%)
  • -
  • Dot Me mjete politike
  • 9 (25%)
  • -
  • Numri total i votave: 24
  • Shiko temen