Forumi KulturorKinematografia Shqiptare - Albanian Culture ForumKinemaja Shqiptare (Moderatore: sorelina, BabyDance)Seriali i Ri Shqiptar - " DHIMBJA E DASHURISE "
Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Seriali i Ri Shqiptar - " DHIMBJA E DASHURISE "  (E lexuar 3680 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« më: 28-08-2008, 16:40:43 »

Ylli Pepo: Pas serisë “Njerëz dhe fate”, teleshikuesve shqiptarë po u ofroj “Dhimbja e dashurisë”

Pas serialit të parë “Njerëz dhe fate”, një tjetër produksion i ngjashëm do të vijë së shpejti në Radio-Televizionin Shqiptar. Filmi titullohet “Dhimbja e dashurisë” dhe përbëhet prej dhjetë serish. Regjisori i tij, Ylli Pepo, në një intervistë dhënë për gazetën “SOT” tregon mbi realizmin e këtij produksioni kinematografik. Drama, korrupsioni, droga, lufta për dashuri e dinjiteti përbëjnë subjektin e këtij seriali, i cili do të fillojë të shfaqet në muajin tetor për publikun. Në këtë serial televiziv krahas aktorëve të rinj, interpretojnë dhe aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare si Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Hajrie Rondo etj.


Shumë shpejt në RTSH do të fillojë një serial i ri televiziv shqiptar i titulluar “Dhimbja e dashurisë”. Ç’mund të na thoni për këtë produksion, që është realizuar nga ju?

Shpresoj se filmi im i ardhshëm, që quhet “Dhimbja e dashurisë” do të jetë një e papritur e këndshme për publikun. Me pak fjalë “Dhimbja e dashurisë” është prodhim i serialeve, të cilët për disa vite i kanë munguar ekranit të televizionit tonë, por që tani po rikthehen përsëri me një kastë aktorësh të zgjedhur dhe me një ekip realizues nga më të mirët që është sot në Shqipëri. Seriali është ndërtuar mbi një temë, e cila shpresoj se do të ketë një impakt , një pikëtakimi të fortë me spektatorët, sepse është jeta e përditshme në qendër të tij. Janë hallet, problemet, dëshira, vështirësitë, konfliktet, që jetojmë të gjithë sot. Ne e shikojmë çdo ditë, që njerëzit kanë probleme, dhe këto probleme vijnë në ekranin e televizionit nëpërmjet këtij seriali artistik të gjatë prej 10 orësh. Çdo seri është nga një orë, skenari është shkruar nga Bashkim Kozeli, një dramaturg i njohur dhe me një veprimtari dhe krijimtari shumë të gjerë në fushën e dramës, filmit, poezisë, por edhe të prozës dhe tregimeve. Është një skenar që premtonte shumë për të pasqyruar jetën e përditshme, por dhe premtonte pasi kishte dialog të mprehtë dhe situata vërtetë të papritura, të ndera dhe konfliktuale, që ta japin dorën për ta bërë më tërheqës. Seri pas serie të krijosh atë mundësi, që spektatori të bie në “kurth” për ta ndjekur atë gjithmonë dhe më shumë me dëshirë.

Cila është historia tek seriali “Dhimbja e dashurisë”?


Është historia e një vajze, e cila ka qenë e internuar për disa vjet dhe rikthehet sërish në Tiranë, ku kërkon që të vendosë raportin që ka pasur. Në këtë rol që është dhe kryesori, interpreton aktorja Anila Bisha një nga aktoret më të mira të filmit, e cila ka ditur që të përballojë me shumë sukses, por dhe me gjetje origjinale një rol të vështirë, sepse është një rol në dy kohë. E para kur ajo ishte në gjendje vërtetë të rëndë, dhe në kohën e sotme kur fillon të kërkojë djalin e saj, të cilin kujton se e ka të humbur, por në fakt ai jeton. Mbi këtë është ndërtuar e gjithë fabula e filmit, pra është historia e një nëne të re, e cila kërkon me çdo kusht të dijë të vërtetën mbi birin e saj, mbi një familje të shkatërruar pa dashje nga diktatura. Por në film janë dhe tema të tjera familjare.

Cilët janë aktorët kryesorë që interpretojnë në këtë serial?


Në serial janë disa vajza të reja të interpretuar nga studentë të Akademisë së Arteve, por edhe nga aktore që nuk vijnë nga akademia, të cilët japin shqetësimin e vajzës shqiptare sot. Një prej tyre është linja e Almës, e cila përfundon prostitutë në Itali, dhe më pas kthehet në Shqipëri, ky rol interpretohet nga aktorja e talentuar Niada Saliasi, gjithashtu janë dhe dy vajza të reja njëra është Jonida Vokshi dhe tjetra është Eni Lila, që është motra e këngëtares së njohur Elsa Lila, e cila ka ardhur nga Italia dhe ka një rol vërtetë interesant. Është një vajzë me prindër të ndarë, që ka shumë probleme nga kjo ndarje, por dhe që përballon me shumë sukses një peshë të madhe, që i rikthehet asaj gjatë momenteve të ndryshme. Por përveç këtyre aktorëve, ka dhe një sërë aktorësh me përvojë të njohur në ekran siç është Petrit Malaj, Kastriot Çaushi, Marko Bitraku, Llesh Nikolla, si dhe shumë aktorë të tjerë. Po kështu një rol të veçantë ka dhe Ermela Teli, por këtu merre pjesë dhe aktorja jonë e madhe Hajrie Rondo, që është një nga patriaket sëbashku me disa aktore të tjera të moshës së saj, të cilat kanë vulën në teatrin dhe filmin shqiptar. Stafi i këtij filmi është ndër ekipet më të përgatitur në këtë fushë. Drejtori i fotografisë Astrit Omeri ka një bagazh të gjerë në prodhimin e filmave dokumentarë dhe artistikë. Fotografia dhe kuadri i tij është plot dritë dhe jetë. Ai ka ditur që të gjejë dritë hijet e duhura, për të dhënë ato konflikte dhe intriga që thuren dhe vazhdojnë gjatë filmit. Po kështu i tillë është dhe operatori i zërit Kristaq Kristo, i cili di të bëjë që të dëgjojmë dhe tingullin jashtë kuadrit. Po kështu dua të shprehem dhe për regjisorin e dytë të filmit Eli Bici, që edhe aktron në film. Ajo ka rolin e një gruaje pa fëmi, e cila ka ditur të mbushë barrën e madhe, që ka puna me një numër prej 34 aktorësh, pra sa ç’kanë 7 teatro në vendin tonë. Drejtori i filmit Arben Lami, i cili ka një përvojë dhe një përkushtim, ka ditur që të bëjë zgjedhjet mira gjatë xhirimit të filmit.

Si lindi ideja për të sjellë një tjetër serial televiziv, pas telenovelës “Njerëz dhe fate”?

Unë kam 40 vjet që punoj në RTSH, dhe mbaj mend që 35 vite më parë filloi prodhimi i filmit televiziv, ku në atë kohë ishte iniciator drejtori Todi Lubonja, të cilin unë e kujtoj me respekt për mënyrën, që na drejtoi për të filluar filmat e parë televiziv. Xhirova me Ismail Kadarenë në ato vite filmin me katër seri “Emblema e dikurshme”. Mendoj se xhirimet seri në RTSH, janë një rrugëtim i mirë, që të përballojë konkurrencën e televizioneve private sepse është e vetmja gjini televizive, që nuk është lëvruar akoma nga privatet. RTSH, këtë mundësi e ka, por më tepër që ekziston dhe një ligj që thotë se prodhimet filmike dhe orkestra simfonike e RTSH subvencionohen dhe mbahen nga shteti.

Ku është xhiruar më shumë seriali televiziv“Dhimbja e dashurisë”?

Filmi është xhiruar më shumë në Tiranë, ku u krijua dhe një atelie brenda RTSH, ku është xhiruar një pjesë e mirë e filmit si marrëdhëniet në familje, disa zyra etj. Por është xhiruar dhe jashtë Tiranës si në disa zona të Shkodrës, Orikum të Vlorës, Librazhd, Durrës, në Bridëzi dhe Athinë. Të gjitha këto vendxhirime lenë të kuptosh, që filmi ka një shtrirje shumë të madhe gjeografike, krahas personazheve që unë përmenda pak më parë.

Kur do të shfaqet për publikun?

Për publikun filmi do të shfaqet në vjeshtë, fundi i muajit tetor deri në Vitin e Ri, dy herë në javë në RTSH, ndërkohë që ne po përgatisim dhe spotet e para për promovimin e filmit. Por dua të theksoj që edhe në muajin janar, prej orëve të shumta të filmit, mbi motivet e këtij seriali, pasi nuk është telenovelë, por unë e them këtë për të bërë krahasimin me telenovelat e Amerikës Latine të cilat kanë mbërritur në televizionet tona, dhe kjo është një nga shtysat e shumta të mia për të bërë një prodhim shqiptar, do të shfaqen dhe dy filma. Njerëzit duhet të “ushqehen” dhe me artin shqiptar ose probleme të ngritura në filmat shqiptarë. Pra në janar në kinema Millenium2 do të shfaqen dy filmat që rrjedhin mbi ngjarjet e këtij seriali. Kjo do të jetë si filmat, që dolën nga telenovela “Njerëz dhe fate” që ishin “Ishte kohë për dashuri “ dhe pak më vonë doli filmi “ Letra Fatale”, të cilat u shfaqën në kinema, madje filmi “Ishte kohë për dashuri” edhe sot mban rekord në krahasim me filmat e tjerë të huaj dhe shqiptarë, që janë shfaqur sot në vendin tonë. Kjo tregon se ai pati impakt, pasi nga telenovela njerëzit filluan që ta ndjekin dhe në kinema. U bënë dy filma, ku njëri ndiqte linjën e djalit të shtëpisë, që interpretohej nga Arben Derhemi dhe tjera vajzën e shtëpisë, që interpretohej nga aktorja Valbona Imami. Edhe dhe kësaj here janë dy linja, që do të shfaqen në kinema, duke u ndjekur brenda një ore gjysmë, por duke kuptuar të gjithë ngjarjet që ndodhin në film.

Telenovela “Njerëz dhe fate” pati sukses kur u shfaq. E kishit menduar suksesin e saj?

Jo, nuk e kisha menduar, jo se nuk besoja tek forcat e mia dhe tek grupi i ekipit, por siç thotë dhe një kolegë ynë, që filmi del siç ia ka qejfi atij, që do të thotë që shpesh ti kujton se po bën një film që do të pritet mirë, por ai nuk del ashtu, dhe pëson një zhgënjim të madh. Në të kundërt, kur pritet shumë mirë kënaqësia është shumë e madhe.

Pse u ndërpre telenovela “Njerëz dhe fate”?

“Njerëz dhe fate” u ndërpre për arsye të fondeve dhe të them të vërtetën 20 seri të tjera të saj po presin në drejtorinë projekteve të RTSH për t’u miratuar. Ne jemi gati për të filluar xhirimet e tjera të kësaj telenovele. Skenaristi Ruxhdi Pulaha i ka përgatitur ato dhe ne jemi gati për të rifilluar prapë. Kuptohet që ndërprerja e saj ka të bëjë me mungesën e fondeve. Unë e di që shteti ka vështirësi, por ama zbatimi i ligjit nga ana e shtetit do të ishte shumë mirë, pasi ka të bëjë me shtyrjen e prodhimit të filmit, pasi ai është memoria e kulturës kombëtare. Madje dhe në shtete të varfra si Afrika, sot prodhojnë filma. Është kuptuar që filmi është oksigjeni i artit sot.


Gazeta SOT

http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&task=view&id=76428&Itemid=0&lang=


E identifikuar
erlehta
Die Schlumpfine
Anetar


Karma: 23
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 4918



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #1 më: 30-08-2008, 15:45:24 »

Telenovela "Njerez dhe Fate" ishte vertete nje telenovele e arrirene te gjitha drejtimet. Shpresoj qe dhe "Dhimbja e Dashurise" te kete te njejtin sukses.
E identifikuar

Es gibt nur ein Glück im Leben: lieben und geliebt zu werden.

Luaj Lojra Online
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #2 më: 16-11-2008, 14:09:27 »

Intervistë me Hajrie Rondo, gjyshen në telenovelën e TVSH-së, "Dhimbja e Dashurisë"

Të shtunën në darkë, në TVSH ka një mbërthim të pazakontë përpara ekranit. U surprizuam kur zbuluam se bëhej fjalë për një telenovelë shqiptare. Moshat mbi 40-45 vjeç janë shikues të rregullt të saj, por me habi konstatuam se ka të rinj (madje edhe nga stafi ynë në redaksi) që e ndiqnin rregullisht.

Bëhet fjalë për “Dhimbja e Dashurisë”, një telenovelë me aktorë dhe problematikë shqiptare. Takuam për të biseduar rreth kësaj telenovele që po tërhqet vëmendjen e publikut, aktoren e njohur, Hajrie Rondo, që ka një nga rolet kryesore.

“Kjo është telenovela e dytë e Radiotelevizionit Shqiptar, pas telenovelës me të njëjtin regjisor të sukseshëm, Artistin e Merituar Ylli Pepo. Mendoj se është një arritje, dhe Televizioni Shqiptar, Ylli Pepo, skenaristi, dhe gjithë stafi i grupit të aktorëve meriton fjalët më të mira. Unë e ndjek edhe si qytetare, edhe si artiste, sepse jam pjesëmarrëse në një rol në këtë telenovelë. “Kam rolin e Kanos, një pensioniste”, - na rrëfen znj. Rondo.

Para se të jepej telenovela, TVSH-jaka reklamuar subjektin dhe folësi shprehet: “Me pjesëmarjen e jashtëzakonshme të aktores Hajrie Rondo”.

Kur ia themi aktores këtë, ajo qesh. “Ata që menduan këtë gjë, ata mund ta thonë më mirë. Unë e kam të vështirë.Gjithsesi, kështu e kanë menduar dhe kjo për mua flet shumë.”

Ideja për një telenovelë krejtësisht shqiptare rezulton për herë të dytë e suksesshme. Pse, sipas Hajries?

Sepse aty janë problemete shumta të shoqërisë sonë, janë hallet që ka ky popull përditë. Shumë nga njerëzit aty shohin veten, familjen e tyre, rrethin shoqëror. Përfshin një gamë problemesh, shqetësimesh që kanë të bëjnë me shoqërinë tonë sot. Kanë të bëjnë me deformimet sociale, me rininë, me jetën e këtij brezi të ri, me mentalitetin e rinisë së shkollave. Ka probleme te emigracionit, të shtresës së të persekutuarve. Është një skenar i shkruar bukur nga Bashkim Kodheli. Mund të them që është shumë e ndjerë si pjesë, është shkruar shumë bukur dhe shumë ngrohtë.

Pastaj këto janë mesazhe që përcillen te spektatorët, te qytetarët. Me kontaktet që kam patur, e kuptoj që ka ngjallur interes.

Keni rolin e një gjysheje që duket në konflikt me mbesën. Përplasja e brezave është e qartë. Mendoni se është pasqyrim i asaj që po ndodh në realitet, në Shqipëri?

Po. Kontradita e brezave është e theksuar. Unë jam në pozicionin e gjyshes, Kanos. Mbesa në telefilm është vajza e djalit, Flutura.

Kam shumë marrëdhënie me këtë personazh në pozicionin e gjyshes. Kano është një gjyshe që nuk është dakord me ato që shikon, që dëgjon, nuk është dakord me devijimet që ka rinia sot, jo thjesht nga pamja e jashtme e gjërave, por edhe nga mentaliteti, nga konceptet. Kano mundohet si një gjyshe e mirë ta edukoje vajzën që ajo të bëhet e mbarë, ashtu si ajo e kupton këtë fjalë. Do që te ajo të edukojë dhe kultvojëtek mbesa zakonet tradicionale, ato të bukurat që ka femra shqiptare, që i ka përcjellë dhe i ka ruajtur brez pas brezi.

Në një nga seritë ka patur një skenë zhveshjeje në ekran nga njëra prej aktoreve, që shumë telespektarorëve, të paktën nga reagimet që kemi në redaksi, u ka bërë shumë përshtypje. Keni patur vështirësi në xhirimin e asaj skene?

Të jem e sinqertë, kur pashë këtë skenë, unë për vete si Hajrie, brenda natyrës sime u sikletosa pak. Por nuk do të thoja që regjizori ka abuzuar me këtë skenë, absolutisht jo. Është një regjizor i emancipuar, ndërsa aktorja është pa komplekse dhe e çliruar. Kjo reflektohet edhe në këtë skenë për të cilën më pyesni. Unë si aktore nuk do të kryeja role të tilla, por si çdo gjë në vëndin tonë, edhe konceptet për këto skena kanë evoluar. Dikur ishin tabu, por gjërat ndryshojnë.

A mund të na zbulosh ndonjë gjë nga seritë e ardhshme? Ndonjë gjë të vogël sa për të ngacmuar kuriozitetin e publikut?

Përsa i përket rolit tim, unë vazhdoj në rolin e gjyshes që edukon. Një gjyshe që porosit, një gjyshe që mundohet të kultivojë te mbesa gjëra gjithmonë të mira.

Gjatë filmit s’e kam përmbysur tekstin e autorit, i cili ishte shumë i ngrohtë, por unë me atë që kam akumuluar ndër vite, huazime nga nënat tona, nga gratë tona të jugut, shpeshherë tekstin e autorit e zëvendësoj. Përdor ndonjë shprehje frazeologjike të zonës, gjëra të tilla.

Në serinë e tretë, në konfliktin që kisha me mbesën, unë përdora një shprehje të huazura nga ime vjehërr ku i them që “Bëjë punët, mirë rrëzë më rrëzë, jo pëc-pëc mes e mesit, jo [përmirësoje fjalorin!] e kak në sokak”. (qesh)

Kam përdorur edhe një shprehje tjetër në një skenë prapë me mbesën, kur i them të ketë kujdes me veshjen: “Më pëlqen te vajza që ajo të vishet në mënyrë korrekte, por jo estravagante. Natyrisht shkolla ka rregulla dhe vajzat duhet të shkojnë më përparëse dhe jo me mishra përjashtë dhe këtu unë përdor shprehjen time: “Trang e trung këmbora e madhe, qumështi gjysëm okare”.

Kjo ka zbërthimin e saj dhe ka domethënien e saj. Si puna e dhenve që zhurmën e këmborëve e kanë të madhe, por qumësht japin shumë pak.

Po garderoba që përdorni aty, edhe veshjet tuaja kanë tërhequr vëmendje..?

Për garderobën, unë e kam gjetur vetë, e qëmtova vetë. Të gjitha fustanet, kostumet deri te këpucët më pak takë, siç i mbajnë këto gratë e kësaj moshe e deri tek vathët, me një fjalë e gjithë rekuizita ime, janë të gjitha prurjet e mia. Edhe frizurën e flokëve, edhe një palë syze miopie…

Nuk doja që grupi i filmit të lodhej dhe të futej në telashe për këto dhe natyrisht ata mbetën jashtëzakonisht të kënaqur. Ditën e fundit të xhirimit, kur u ndamë, më erdhi mirë që me regjizorin u ndava mirë, si dhe me gjithë ekipin, duke me komplimentuar.

Ku bëhen xhirimet e "Dhimbjes.."?

Xhirimet e kësaj telenovele filluan në muajin mars. Mua më erdhi radha në qershor. Në këto tre muaj unë punovapër personazhin. Mbaruam në qershor 10 seritë. Xhirimet janë bërë në ambientet e Tiranës, si në rrugë, lulishte.

Ndërsa xhirimet e mia janë bërë në studio të improvizuar kuzhine, ku është ambenti që unë kam xhirimet më tepër. Një kuzhinë e thjeshtë, ndodhet në Televizionin Shqiptar.

Cilin nga aktorët vlerësoni më shumë?

Unë kam patur edhe si partner në rolin e djalit, aktorin Petrit Malaj që më ka befasuar me korrektesën e tij, me seriozitetin dhe prurjen e personazhit të Agronit.

Ai ishte shumë i saktë dhe mundi të përballonte monologje të tëra në mënyrë shumë profesionale. Edhe aktorja SonilaKapedani në rolin e nuses, meriton notën maksimale për mua.

Mund të na tregosh ndonjë ndodhi interesante nga ato "pas kuintave", pra nga sheshi i xhirimit, diçka që të ka ngelur në mendje dhe që mund të ndahet me publikun?

Me stafin, atje ku xhirohej filmi në studio, ishte një rekuizitjere. Ajo ishte prezent gjatë gjithë kohës në punën e saj, sigurisht dhe gjatë gjithë kohës rrinte dhe shikonte ose vëzhgonte edhe momentet e xhirimit.

Ishte një moment pasthirrme, kur unë kap mbesën duke parë një film erotik. Unë si gjyshe, mendoja se ajo po mësonte, kurse ajo shikonte të tillë filma fshehurazi në orët e vona.

E kap në një moment të tillë, ndjej pështirosje nga skena në ekran dhe lëshoj një pasthirrmë. Pikërisht kjo pasthirrmë e ka detyruar rekuizitoren që ajo të qeshte me lot. “Ika me vrap”, - më tha, - “që të mos prishja atë pasthirrmën kaq orgjinale, sa edhe ne na trondite”.

Një këshillë e Hajries, (tashmë në realitet) për brezin e ri, për "mbesat" e gjithë gjysheve të Shqipërisë, le të themi.

Në radhë të parë i këshilloj brezat e rinj që të jenë trashëgimtarë të denjë të prindërve të mirë. Kemi qenë brezi i punës, brez pasionant dhe idealist. Shumë gjëra mund t’i kemi bërë gabim, por merakun dhe dashurinë për punën e kemi patur. Pasionet gjithashtu. Së paku, këto mund të merren shembull nga ky brez.


Gazeta " Shekulli "
E identifikuar
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #3 më: 19-11-2008, 22:32:09 »

Anila Bisha, Protoganistja e " Dhimbja e Dashurise " flet për Revisten Klan


Dashurite e Aniles

Dhjete vjet pas rolit te fundit, Anila Bisha rikthehet si protagoniste ne telefilmin e regjisorit Ylli Pepo, "Dhimbja e dashurisë". Arsyet e mungesave ne skenen e Teatrit Kombëtar dhe jeta familjare. Plani për një tjetër bashkëpunim me bashkeshortin Besnik Bisha, puna me te cilin dikur i dha kupen e festivalit te filmit

Alida Cenaj

Anila Bisha i ka përfunduar xhirimet qe për shumë jave e mbajten te lidhur me ekipin e operatoreve te Televizionit Publik. Edhe faza e montazhit te telefilmit qe regjisori Ylli Pepo e paralajmeron prej kohësh, është drejt fundit dhe kjo do të thotë qe me gjithë mungesat e dhjetë viteve te fundit, aktorja e Teatrit Kombëtar do t'i rikthehet ekranit. Mbase jo me ato përmasat qe mori ne kohën e saj me te mirë, - ato te vitit 1997 kur u shpall edhe Aktorja me e Mirë me filmin "Bolero", - por gjithesesi mbetet një rikthim. Behet fjale për një serial qe do të filloje te transmetohet këtë fund tetori ne TVSH e qe premton te jetë po aq i suksesshem sa telenovela e pare e Pepos, "Njerez dhe fate".

Kësaj here Anila do të veshe petkun e protagonistes me rolin e Veres, qe ka provuar mbi kurriz shumë vite internim e pas kthimit ne Tiranë vihet ne kerkim te djalit, te cilin kujton se e ka humbur, por qe ne fakt jeton. Mbi historinë e kësaj nene te re është ngritur fabula e filmit, qe synon te sjelle te tashmen dhe te shkuaren. "Një rol ne dy kohe" e ka perkufizuar Pepo, i cili ne kasten e aktoreve ka përfshirë edhe emra te tjerë te njohur si Kastriot Caushi, Petrit Malaj etj.

Sakaq Anila Bisha, ne pritje te asaj qe do të ndodhë me pas, ka rifilluar rutinen e përditshme, me një jetë jo edhe aq aktive ne Teatrin Kombëtar, si bashkeshorte e një regjisori, te cilit i ka marrë mbiemrin dhe nene e dy fëmijëve, një vajzë 16 dhe një djali 11 vjeç. Flet për teatrin ku punon prej vitesh dhe kinematografine. Por edhe për një projekt te afert, qe me siguri do të jetë shumë me i fuqishem se telefilmi qe sapo ka përfunduar e qe shpeson ta sjelle ne ekranin e kinemase. Ne një tjetër bashkëpunim me bashkeshortin Besnik Bisha, puna e fundit me te cilin i dha edhe kupen e festivalit te filmit te dhjetë viteve me pare.

Paralajmerohet prej ditesh ne ekranin e TVSH-se, telefilmi "Dhimbja e dashurisë" e regjisorit Ylli Pepo. Keni një rol protagonist këtu. Si fillim: ç'është ky film dhe si e moret rolin kryesor?

Ftesa më erdhi drejteperdrejte nga regjisori Pepo ne një ditë fare e zakonshme, rutine ne familje. Ishim ulur te gjithë për dreke kur ra telefoni. Ishte Ylli Pepo qe me propozoi rolin ne një serial. Të them te vërtetën sapo lexova skenarin, roli i Veres (protagonistja e serialit) me terhoqi. Mund te kisha rezerva ndoshta për skenarin ne përgjithësi, dialogjet apo disa elemente jetësore, por sa për personazhin qe m'u ofrua mua, ishte me te vërtetë një rol shumë i mirë, te cilin do ta kishte zili çdo aktore.

Çfarë është ky personazh, historia e tij?

Është një personazh qe jeton dy jetë, njera është koha e internimit te Veres dhe kur sapo kthehet nga internimi. Një grua e derrmuar, e shkaterruar, pa asnjë lloj shprese, e pafuqishme, pa përkrahje, pa asnjë lloj motivi për te jetuar. Jeta e dytë është ajo e ringritjes, ringjalljes, e cila vjen fale kembenguljes se mikeshes se saj te ngushtë, e cila është e vetmja qe e ka pritur. Është ndoshta i vetmi person qe i qëndron pranë. Pjesë e historisë se Veres është ekzistenca e një fëmijë, te cilin e ka lindur para internimit dhe qe ajo e dinte te vdekur, por nuk i di as varrin. Prandaj Vera vihet ne kerkim te eshtrave te femijes dhe kjo gjë e ndihmon te gjeje motivin për te jetuar. Ringjallet. Ne këtë mision ajo detyrohet t'i kërkojnë ndihmë edhe ish-te dashurit te saj, babit te femijes, i cili ndërkohë ka ngritur një familje te tijen, është martuar dhe ka fëmijë. Pavaresisht kësaj, edhe ne film është e lexueshme qe Vera akoma ndjen për te, ai mbetet dashuria e madhe e jetës se saj. Nuk do doja t'i zbuloja të gjitha, por po ju them qe linja me e rëndësishme e filmit është ajo e Veres dhe femijes se saj, Varri qe ajo gjen është bosh dhe kjo do të thotë se femija jeton akoma.

Një film paraardhes i Ylli Pepos, "Njerez dha fate" pati shumë impakt ne publik. Mbase sepse ishte hera e pare e një realizimi te tillë, qe asokohe u quajt telenovela e pare shqiptare. Shpresoni të ndodhë kështu edhe kësaj here? Nëse po, pse e besoni këtë?

Si fillim do të doja te sqaroja se kjo nuk është telenovele, është një film artistik mirëfilli me seri. "Njerez dhe fate" pati sukses sepse besoj se ishte vete tema qe i ndolli njerëzitë. Të njëjtën gjë mund te them edhe për "Dhimbje dashurie". Mendoj se është me i mirë se "Njerez dhe fate". Me sa e kam pare, mënyra sesi është xhiruar, tema, e cila është me filmike, e ditës, besoj se do t'i garantojne sukses.

Qe nga filmi i fundit "Bolero" i vitit 1997, jeni shfaqur pak ose aspak. Ndoshta ndonjë rol ne teater, por asgjë për t'u shënuar si rol i madh. Kjo pavarësisht se jeni aktore e Teatrit Kombëtar prej vitesh. Ku keni qenë gjithë këto kohe?

Unë kam luajtur ne teater, por jo shumë shpesh dhe kjo jo për fajin tim. Kështu u krijuan klanet ne aty. Njeri thoshte "unë luaj vetëm me këta artiste", tjetri me te tjerë. Problemi është se këto klane ishin kaq te fuqishem sa regjisoret kishin interes qe një pjesë e atyre njerëzve qe ishin aty te luanin me ta. Dhe kjo për mua ka qenë një pjesë shkaterrimtare për Teatrin Kombëtar, u krijuan armiqesira me koleget, gjithçka u prish.

Ju jeni akoma aktore e TK-se?

Po vazhdoj. Kam luajtur vitin e kaluar tek "Kembanat e muzgut", drame e Teodor Lacos. Megjithatë ka pasur momente kur edhe iu jam shmangur roleve për arsye familjare. Kisha dy fëmijë qe kishin shumë nevojë për mua. Ata qe te dy studiojne instrument dhe donin patjetër qe njeri nga dy prindërit t'u rrinte mbi kokë, sepse është një shkolle e vështirë, ka një ngarkese te madhe. Kështu duhej te sakrifikoja ose unë ose Besniku. Mendova se ishte me e udhes qe këtë sakrifice ta bëja unë, për arsyen e thjeshtë se është burri ai qe e mban shtepine.

Folet për klane ne teater. Ju nuk u bëtë pjesë e tyre sepse nuk donit, apo sepse nuk ju pranuan?

Sepse nuk me pëlqen te rri kafeve. Unë shkoj ne pune kur kam pune dhe nuk me pëlqen te merrem as me llafe e as me gjë tjetër. Ishte shumë e thjeshtë te beheshe pjesë e këtyre klaneve, mjafton te shkoje te drejtori qe ishte, qe mendoj se e shkaterroi teatrin, te merreshe pak me llafe dhe mund te futeshe. Është pjesë e karakterit tim qe as mos t'i lutem njeriu për role e as të mos e harxhoj kohën kafeneve e me fjale te kota.

Por ndërkohë edhe tek filmi ka mbizoteruar heshtja për ju. Çka ndodhur me kinematografine, qe ne fillimet tuaja ka qenë një pjesë e rëndësishme e karrieres? Keni interpretuar qe kur ishit nxenese ne gjimnazin "Partizani".

Me filmin mund te këtë qenë edhe koincidence. Nuk ka pasur role ku te ingranohesha. Nuk është se nuk me kanë propozuar te tillë, por ose ka ndodhur qe gjatë perpunimit te skenarit ato role janë tkurrur dhe bërë shumë te vegjel, si rrjedhoje regjisoret nuk mi kanë ofruar dot me, ose duke qenë se janë bashkepunime, producentet kanë preferuar te kenë aktore te tjera për rolet e tyre. Me pak fjale nuk ka dalë tamam roli qe mund te me pershtatej.

Filmi i fundit, qe ka shënuar dhe kulmin tuaj, ka qenë "Bolero", me regji te bashkeshortit, Besnik Bisha. Me te fituat edhe kupen e festivalit te dhjetë te filmit si Aktorja me e Mirë. Si është bashkepunimi me një njeri te familjes?

Unë kam bashkepunuar me Besnikun qe kur kam qenë studente ne një film me metrazh te shkurter, "Sinjal dashurie". Ishim te lidhur qe atëherë. Por, pas kësaj nuk ndodhi me qe Besniku te ishte asistent regjisor ne filmat qe kam realizuar nder vite, deri kur erdhi "Bolero". Ne kohën qe regjisorin e ke te dashur, bën ca kapricio sepse nuk ke pergjegjesine e duhur. Por me filmin "Bolero" gjërat ishin shumë te lidhura prandaj e degjoja shumë Besnikun. Ne përgjithësi unë kam qenë aktore qe bëj gjithçka thotë regjisori. Nuk kam marrë kurrë përsipër t'i imponohem, sepse në fund te fundit ai e di vete qëllimin final, ku do të shkoje me atë film. Ndërsa me Besnikun ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Është fat të punosh me njeriun tënd. Ne fund te fundit te do të miren me shumë se kushdo.

Është një prioritet qe te ndihmon te dominosh ndaj te tjerëve apo pengesë?

Për një aktore besoj se është shumë mirë. Unë edhe kur kam një rol ne teater i kerkoj një mendje Besnikut. Besoj se është prioritet.

Dhe nuk mund të ndodhë qe te identifikohesh me mbiemrin e tij, t'ia atribuojne meritat pikërisht këtij mbiemri?

Nuk më intereson askush. Nuk e kam vrarë ndonjëherë mendjen për te tilla gjëra. Kam qenë pa komplekse, kam pare profesionin tim. Një femër nuk e bëjnë këto gjëra.

Ndërkohë keni dy fëmijë ne vazhdojnë Liceun Artistik. Ka qenë dëshira juaj qe edhe ata te ndjekin rrugën e artit?

Deshiren me te madhe e ka pasur Besniku. Unë madje deshiroja qe ata të mos ingranoheshin fare ne rrugën e artit. Sepse është një rrugë shumë e vështirë, e lodhshme, stresuese, ka konkurence. Të detyron të bëhesh egoist, ambicioz me shumë se c'duhet. Doja të kishim një jetë me te qete. Por meqë Besniku kembenguli ata tashmë janë aty. Dhe tani edhe unë jam e kënaqur nga kjo gjë, sepse edhe vajza edhe djali janë dy fëmijë te talentuar dhe me rezultate te larta.

A keni një plan te afert për t'iu rikthyer skenes ose ekranit? Një përpjekje mbase për te fituar kohën e humbur?

Do te jetë shumë i shpejte dhe një bashkëpunim tjetër me Besnikun. Ai ka marrë një fond për projektin e një filmi dhe besoj se aty do të interpretoj edhe unë. Është një film artistik me metrazh te gjatë, jashtezakonisht i bukur. Aktualisht është është ne fazen e bashkepunimeve, por besoj shumë shpejt do të filloje puna me te.


Ne kohën e rinise

E ka nisur kur ishte vetëm 16 vjeçe, nxenese ne gjimnazin "Partizani", ne ato kohe kur regjisoret e ish-Kinostudios "Shqipëria sot" i gjenin nëpër shkolla aktoret e rinj. Dhe qe nga filmi i saj i parë "Guret e shtepise time" (1984) numeron një rol ne vit. Personazhin e pare e fitoi sepse shumëkush betohej për ngjashmerite e saj fizike me Roza Anagnostin, prandaj edhe ne 84-en fati e solli te interpretonte vajzen e Rozes ne film. Paskesaj Anila Bisha do të gjendej çdo here mes një kaste aktoresh te medhenj tek "Kur hapen dyert e jetës" (1985), "Eja" (1986), "Familja ime" (1987), "Sinjal dashurie" (1988), "Pesha e kohës" (1989). Për shumë vite te tjera pasardhese do të zgjidhte familjen dhe fëmijët, impenjimi pas te cileve nuk do ta pengonte qe ne vitin 1997 te shenonte kulmin e vet, ne një film me regji te bashkeshortit te saj, "Bolero". Vetëm se pas cmimit "Aktorja me e mirë", Bisha do të zhdukej një tjetër here te dytë. Me pak role ne teater, këtë tetor do të shfaqet ne ekranin e TVSH, ne pritje te një tjetër bashkepunimi me Besikun.


http://www.revistaklan.com/material.php?id=749
   
E identifikuar
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #4 më: 21-11-2008, 12:58:52 »

JULIA ILIRJANI

Si e realizova skenën e seksit në telenovelën e Ylli Pepos


C'mendon Julia për Rolin : Për mua është një rol i bukur. Mendoj se nuk ka më tabu të tilla që thyen nga një aktor. Është problemi i vetë aktorit nëse pranon apo jo ta realizojë një sekuencë të tillë. Unë e pranova dhe për mua s’ka asnjë problem.

Ishte vajza që nuk njihte asnjë tabu, për të luajtur skena erotike në realizimet e para të Leonard Bombajt, edhe pse ishte ende herët, kanë kaluar më shumë se 10 vite. Dhe erdhi rasti që ajo ta bëjë sërish, por kësaj here, 34 vjeçe dhe me një jetë ndryshe, duke gjetur dhe njohur një tjetër Tiranë.

Vetë regjisori Ylli Pepo, e kishte komentuar si një të papritur të këndshme për publikun, telefilmin e tij të ri “Dhembja e dashurisë”, por për vetë Julian, ishte një rol i bukur, ku ajo guxoi të realizonte
skena të nxehta erotike.

Por a ka problem më fakti nëse luan një film të tillë apo jo? Ajo luan personazhin e Zyrakës, një grua e divorcuar me një vajzë adoleshente dhe që bën një jetë mes biznesit dhe seksit. Por si e ka përjetuar
ajo këtë rol? Absolutisht jo keq, për faktin se “kjo nuk ka të bëjë me të tjerët, është një rol që vendos aktori nëse e bën. Dhe në art nuk duhet të ketë tabu të tilla”.

Pas 10 vitesh mungesë, i kthehet teatrit ku luan në pjesën “Pluhur në parvaz” të Irvin Muçajt, në konkursin e regjisorëve të rinj. Luan Ana 1, Ana 2 dhe Ana 3, tre tipa të ndryshme femërore. Në këtë intervistë
ajo rrëfen të gjitha përjetimet e saj, për të qenë unike dhe jeta në Tiranë me vajzën 6 vjeçare Renée, pas divorcit.

E menduat dy herë ta merrnit përsipër këtë rol?

Për mua është një rol i bukur. Mendoj se nuk ka më tabu të tilla që thyen nga një aktor. Është problemi i vetë aktorit nëse pranon apo jo ta realizojë një sekuencë të tillë. Unë e pranova dhe për mua s’ka asnjë problem.

Sa e rëndësishme është njohja me partnerin dhe në rastin tuaj sa e njihnit aktorin?

Nuk kam pasur asnjë njohje me Dardanin, aktorin që luante bashkë me mua. Vetëm sa kemi realizuar skenën dhe kaq.

Si ju është dukur ajo sekuencë kur e keni parë?

Mirë. I vetmi problem është nga pikëpamja profesionale nëse është realizuar si duhet montazhi dhe nëse tek publiku ajo sekuencë lë një
ndjesi të mirë, të pëlqyeshme. Shpresoj t’ia kem arritur.

Jeni kthyer nga Italia pas gjashtë vitesh, bashkë me vajzën 6 vjeçare Renée. Cila është jeta që bëni këtu pas divorcit nga ish-bashkëshorti juaj italian?

Bëj një jetë të zakonshme, dhe po përpiqem të rigjej veten time dhe miqtë artistë. Mund të them se ende s’jam ambientuar.

Jeni idealiste apo pragmatiste?

Po filloj të ambientohem dhe vazhdoj të kem idealizmat e mia, që s’di t’i heq, pasi akoma mendoj se këtu mund të bëhet arti i vërtetë.

Jeni natyrë optimiste ?

Po, nuk jam natyrë pesimiste dhe jam kthyer në Shqipëri, pasi mendoj se do të jem mirë. Deri tani nuk jam penduar, pëndryshe unë kam nënshtetësinë italiane dhe mund të kthehem kur të dua atje.

Cilët janë miqtë që rigjetët këtu?

Është e vështirë të gjesh miq të vërtetë në art. Kam raporte të mira me të gjithë, por nuk mund të veçoj dikë.

Ju kujtojmë Diana Prokon. Vazhdoni miqësinë me të?

Po vazhdojmë miqësinë,dhe verën e kalojmë gjithnjë bashkë.

Pas divorcit nga bashkëshorti juaj italian, ç’mendim keni për martesën?

Gjithnjë njeriu është në kërkim të gjysmës tjetër të tij. Unë vazhdoj të komunikoj me bashkëshortin tim, pasi është vajza që na lidh dhe jam shumë e lumtur që është geni i tij, pasi është njeri shumë i mirë. Por u ndamë pasi nuk po funksionte më dhe unë nuk shihja rrugë,përtej asaj.

Jeni zhgënjyer rëndë ndonjëherë?

Jo asnjëherë nuk jam zhgënjyer. Kam dashur dhe më kanë dashur .

Çfarë është një femër e divorcuar?

Është një femër e kompletuar, pasi i njeh të tre stadet, beqaren, të martuarën, të ndarën. Por unë përpiqem të ndihem mirë me veten dhe e ekuilibruar. Përpiqem të mos bëj gabimin që bëhet shpesh, që mos të kërkoj me zor e me ngulm një lidhje të re.

E keni ndjerë vëmendjen e meshkujve?

Kam pasur vëmendjen e burrave që kam dashur të kem. Të tjerët nuk i kam vënë re, sepse nuk më kanë interesuar.

Deri tani jeni lënduar më shumë apo jeni keqkuptuar?

Jo nuk jam lënduar asnjëherë në jetë, as në dashuri, vetëm jam keqkuptuar. Ndonjëherë njeriu kërkon me mendje, jo me zemër.

Do ta provonit sërish martesën?

Patjetër që po. Nëse do të mundja do të martohesha dhe shtatë herë. Martesa është një finale shumë e bukur e dashurisë. Do të martohesha
nëse personin e dua fort.

Atëherë më jep një opinion për meshkujt?

Unë i dua fort meshkujt sepse pa ata, pa lojën, intrigën dhe emocionin që na shkaktojnë, jeta nuk do të kishte kuptim. Dhe nuk i paparagjykoj,
mjafton të jetë personi që më bën të ndihem mirë.

Sa herë keni provuar të rënit në dashuri?

Kam pasur fatin të dashuroj një herë shumë fort dhe një herë tjetër fort.

Po tani?

Besoj se në këtë moment kam një përfshirje emocionale, por nuk mund ta përcaktoj dot se çfarë është.



JULIA NË JETË, DHE NË FILMIN E YLLI PEPOS

Zyraka një grua e divorcuar, sa larg këtij personazhi ndiheni realisht?

Mijëra kilometra larg.

Pse kush ishte Zyraka, dhe kush është Julia?

Nëse do t’i bëjmë një analizë personazhit, Zyraka ka qenë një femër që është bërë nënë shumë herët, dhe nuk ka pasur kohë të merret me veten, e pashkolluar, Julia mendon se është martuar në kohën e duhur dhe ka kohë të kujdeset për vajzën e saj.

Kush e do më shumë paranë?

Julia ka raport shumë të mirë me paranë, e vlerëson për aq sa i duhet.

Kush është femra e vërtetë?

Zyraka u ngjan meshkujve shqiptarë, që kanë harruar ndjenjat dhe me para mund të blejnë gjithçka, ndërsa unë përfaqësoj atë femrën e vërtetë, që duhet të ndiejë shumë.

Jeta intime?

Julia përpiqet të marrë kënaqësi nga raportet e saj. Zyraka jo, çdo gjë e bën për interes.

Lidhja me vajzën?

Zyraka ka një vajzë për të cilën nuk kujdeset. Julia ka një vajzë me të cilën harxhon 80 për qind të energjive të saj.

Kush është me e mirë?

Zyraka nuk ka mirësi brenda vetes. Julia ndien se mirësia dominon tek ajo.

A keni ndonjë pikë të përbashkët?

E vetmja e përbashkët është që të dyja i realizojnë objektivat, që i vënë qëllim vetes.



PANORAMA PLUS
E identifikuar
Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 12 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (6%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (9%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (12%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (3%)
  • -
  • Dot Poli
  • 1 (3%)
  • -
  • Numri total i votave: 32
  • Shiko temen

* Sponsor