Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Intimiteti ne Kinematografine e Diktatures  (E lexuar 193 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« më: 27-11-2008, 18:58:33 »

“Territori i intimitetit” vjen nga Gjermania në Tiranë

Fundjavën e 8 Nentorit,  në galerinë “Ibrahim Kodra” pranë Ministrisë të Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve është përuruar ekspozita e veçantë e artistes gjermane Verena Kyselka, e titulluar “Territory of Intimacy” (Territori i Intimitetit).

Një projekt arti që analizon ndikimet e diktaturës dhe vetizolimit disavjeçar të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërpersonale. Një shembull për këtë është edhe ndalimi doktrinor i regjimit të Hoxhës, sipas së cilit çiftet e dashuruara nuk duhet të putheshin në publik. Ky ndalim ndikonte natyrisht edhe mbi filmin si mjet i kontrolluar e i censuruar nga shteti.

Momentet erotike të një çifti të dashuruar, të lejuara për t’u shfaqur, kufizoheshin në shikime, prekje të lehta dhe përqafime të shkurtra, ndërkohë që në këta filma mund të gjesh më tepër prekje, e madje puthje mes burrash. Lejohej e ashtuquajtura puthje vëllazërore, e cila nënkuptonte miqësi, paqe dhe solidaritet.

Artistja gjermane shprehet: “Qëllimi im artistik është të prek përvoja të kësaj periudhe dhe t’i vendos ato në një kontekst artistik”. Në CV-në e saj artistja numëron ekspozita të ndryshme që lidhen me historinë moderne të Gjermanisë Lindore si (1999) “Andreas Përballë”, Erfurt (Gjermani); 2005 “Përfshirje” në ish-burgun e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, Erfurt (Gjermani); 2007/08 “Conspirancy Duellings”, Erfurt (Gjermani) dhe Bracknell (Britani e Madhe).
E identifikuar
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #1 më: 27-11-2008, 19:03:59 »


Në kërkim të erotizmit të diktaturës


Artistja gjermane, Verena Kyselka, i shkoi më tej kësaj ideje. Pa të gjithë filmat shqiptarë të realizuar deri para ‘90-ës, në kërkim të një skene erotike. Për të ishte e çuditshme që shihte vetëm ndonjë prekje apo përqafim e asgjë më shumë. E nisur për të studiuar shoqërinë shqiptare të postdiktaturës, ajo realizoi një performancë artistike të titulluar "Territori i Intimitetit". Sekuenca nga filmat shqiptarë ndër vite janë pjesë e një ekspozite të hapur në galerinë "Ibrahim Kodra" në MTKRS. Kyselka është e prirur ndaj vendeve të ndaluara. Ajo ka performuar deri në ish-burgjet e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, aty ku i ati i saj ka kaluar katër vite. Ajo vetë kishte një dosje të STAS-it. Për të Shqipëria është e mbushur plot tema interesante, por ia lë kohës të vendosë nëse do të kthehet.

Si lindi ideja e një ekspozite mbi puthjet e ndaluara në filmat shqiptarë? Kishit dëgjuar më parë për këtë fenomen?

Unë erdha në Shqipëri për të plotësuar një studim timin rreth ndikimit të izolimit dhe diktaturave në marrëdhëniet ndërpersonale të njerëzve që i kanë përjetuar. Duke punuar për këtë qëllim, takova dikë që më tregoi se censura arrinte deri në sjelljet intime, e reflektuar kjo edhe në filmat shqiptarë. Në to nuk lejohej që të kishte puthje. Më bëri shumë përshtypje dhe më nxiti që t‘i shkoja më tej kësaj pune.

Më tej ju keni punuar në arkivin e filmit. Ju dukej e çuditshme që nuk gjenit skena erotike?

Pasi kisha qëndruar një javë në Tiranë, mendova më shumë rreth kësaj ideje. Doja të mësoja më tej për pjesën erotike dhe iu drejtova arkivit të filmit. Fillimisht nuk dija si veprohej, por më pas mora një leje të posaçme për përdorimin e skenave të këtyre filmave. Pashë se puthja e parë ishte në filmin "Tana" në vitin 1958, me regji të Gëzim Erebarës. Koha ndalej në këtë moment. Për vite me radhë nuk kishte më skena të tilla. Vetëm në vitin 1992 do të hasnim sërish një puthje, në filmin "Vdekja e kalit", me regji të Saimir Kumbaros. Filmat më shumë flasin për histori. Edhe atëherë kur kishte një linjë dashurie, shiheshin vetëm prekje, ledhatime, por jo marrëdhënie intime. Kërkova nëpër video që të shihja edhe prodhime të hershme. Mua më interesonin edhe filmat me partizanë. Atje pashë tanke, burra, partizanë dhe partizane. Ndërsa në fund shfaqej një martesë që nuk arrija ta kuptoja se si kishte ndodhur. Gjatë gjithë filmit nuk kishte pasur asnjë lidhje dashurore mes tyre. Edhe në filmat e hershëm gjermanë ka pasur censura që lidheshin me çështje politike, por asnjëherë nuk janë ndaluar skenat e dashurisë. Gjithsesi, ky kërkim ishte shumë interesant për mua dhe do më shërbejë për formimin tim artistik.

Jeni takuar me ndonjë regjisor të filmave që jetojnë edhe sot?

Jo. Kam takuar vetëm Kujtim Çashkun, që më ndihmoi shumë në kërkimet e mia dhe Artan Minarollin. Asnjë tjetër.

Duket se jeni e orientuar të bëni art në vendet e ndaluara. Ju keni bërë edhe një performancë artistike në ish-burgun e Sigurimit të Shtetit (STASI). Përse zgjodhët këtë vend?

Babai im është arrestuar dhe burgosur në atë vend. Për këtë arsye unë zgjodha ta bëja atje performancën artistike. Është një lloj drite që bie mbi dritaret e mbyllura me mur të atij burgu. Ai ishte një vend i tmerrshëm. Ndërsa ndodhesha atje, ndjeja hijen e rëndë, dhunën që ishte ushtruar për vite me radhë dhe ndjehesha shumë e zhgënjyer. Është e vështirë të shpjegosh tërësinë e ndjenjave që provon në ato çaste. Babai im ka qenë i burgosur për katër vjet. Gjatë gjithë kohës unë i shkruaja letra, e njëkohësisht mbaja një tip ditari, ku shënoja gjithçka më ndodhte. Pasi të dilte nga burgu do të shihte se çfarë kishte ndodhur me mua gjatë asaj kohe. Në letrën e fundit që ai nuk e mori kurrë, i thosha të shikonte nga dritarja, kur unë do të ngrija një balonë për të. Por atëherë nuk e dija se ai nuk mund ta shikonte. Dritaret ishin të mbyllura me mur.

Pasi doli, bisedonit me të për burgun?

Jo, ai asnjëherë nuk fliste për atë periudhë. Pasi doli nga burgu, ra në depresion dhe nuk donte të tregonte asgjë që kishte lidhje me ato vite.

STASI është bërë edhe më vonë subjekt i punëve tuaja ?

Në Gjermani janë hapur dosjet dhe janë mësuar disa të vërteta. Unë kam fotografuar një pjesë të mirë të fasadave të godinave, ku STASI vendoste spiunët e vet për të përgjuar njerëzit. I kam quajtur si vende konspirative. Madje kam gjetur edhe dosjen time personale. Isha vajza e një të burgosuri dhe detyrimisht vëzhgohesha. Në të mund të lexohen të dhëna të hollësishme për gjithçka që unë bëja. Te ju ende nuk janë hapur këto dosje dhe me sa di është një problem i madh e mjaft i diskutuar. Ndoshta një ditë do të hapen, ose do të jenë shkatërruar.

Para se të vizitonit Tiranën, keni lexuar mbi Shqipërinë e diktaturës?

Kam lexuar shumë. Doja të mësoja se çfarë kishte ndodhur në këtë vend. Sigurisht që ka pasur edhe Hitler, por besoj se Enver Hoxha ishte i pazakontë në arenën komuniste. Ishte intelektual, por edhe shumë i dhunshëm. Vriste gjithë njerëzit intelektualë.

Si e shihni sot Shqipërinë?

Kur erdha herën e parë, më bëri përshtypje që kishte kaq shumë kafe të mbushura plot dhe ndjej një prani të madhe të materializmit në marrëdhëniet mes njerëzve. Shqipëria ndoshta po ndryshon, por unë jam paksa kritike për mënyrën se si po zhvillohet. Këtë e shoh edhe në atë që mund ta quajmë emancipimi i grave. Nuk mendoj se është në rrugën e duhur. Nga jashtë ti shikon gra që janë me pamje shumë seksi. Sigurisht që këtë e bëjnë për të qenë edhe në vëmendje të burrave, por mendoj se kjo është mënyra e gabuar për të ndërtuar marrëdhëniet. Ndërsa njerëzit, parë nga më afër, më duken jo shumë të hapur për komunikim.

Cili është projekti juaj më i afërt?

Kam një projekt në Armeni. Kam si synim të studioj marrëdhëniet e atjeshme pas diktaturës dhe ndikimin e çuditshëm turk që vërehet në atë vend.

Do të ktheheshit sërish me ndonjë ide tjetër?

Kjo kushtëzohet pak edhe nga gjendja financiare. Këtu ka shumë subjekte të tjera interesante me të cilat doja të merresha, por kjo do t‘i takojë të ardhmes.



Gazeta Shqip
E identifikuar
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #2 më: 27-11-2008, 19:06:06 »

Për Verena Kyselkan, qëllimi artistik është që të prekë përvoja të kësaj periudhe, duke i vendosur në një kontekst artistik, ndaj dhe ka përzgjedhur si shembull ndalimin doktrinor të regjimit të Hoxhës, kur çiftet e dashururuara nuk duhet të putheshin në publik. Një ndalim i tillë doktrinor ndikonte edhe mbi filmin, mjet i kontrolluar e i censuruar nga shteti, kur dhe momentet erotike të një çifti të dashuruar të lejuara për t u shfaqur, kufizoheshin në shikime, prekje të lehta dhe përqafime të shkurtra.

Kyselka ka përzgjedhur pjesë nga 16 filma të Arkivat të Filmit Shqiptar, ndër të cilët: "Apasionata", "Duaje emrin tënd", me regji të Kristaq Mitros, "Përrallë nga e Kaluara" me regji të Dhimitër Anagnostit, "Një natë pa dritë" me regji të Gëzim Erebarës, etj, në të cilët, momentet intime mes personazheve kufizohen në një shëtitje mes arave me misër, kapje përdore nga kodrat e liqenit, etj. Janë këto disa nga "territoret intime" që u dhunuan gjatë periudhës kur zbatohej realizmi socialist, ndoshta edhe pengjet më të mëdha të regjisorëve shqiptarë, që krijuan gjatë viteve të diktaturës.
E identifikuar
Amy
Anetar


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 818



Shiko profilin
« Përgjigju #3 më: 27-11-2008, 19:07:29 »

Të parën puthje në kinematografinë shqiptare e ka realizuar Tinka Kurti në filmin “Tana”, me regji të Kristaq Dhamos, prodhim i vitit 1958. Pas 50 vjetësh, aktorja e madhe e 95 roleve tregon se si u realizua kjo skenë në atë kohë, në krah të Naim Frashërit. Për të realizuar një puthje janë bërë 29 dublime.

Zonja Tinka, ju keni realizuar puthjen e parë në kinemanë shqiptare, si e kujtoni atë kohë?

Aso kohe nuk u trajtua si ndonjë ngjarje e madhe, ndoshta sepse deri në atë moment gjithçka ecte normalisht. Ne e realizuam atë puthje, filmi u shfaq, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Sovjetik e në Çeki. Madje, në Bashkimin Sovjetik na thanë: ju qenkeni modernë, që keni realizuar një film të tillë.

Duke mos pasur një traditë të këtij lloji më parë, si u ndjetë të ishit e para?

Unë nuk kam pasur asnjëherë kësi lloj paragjykimesh, familja ime ishte liberale, familje artistësh dhe këtë skenë e kam xhiruar me kënaqësi të madhe. Nuk isha edhe aq e re. Isha e martuar dhe kisha djalin 4 vjeç. Kështu që nuk mund të thuash se kisha ndonjë droje të madhe, ndonëse partnerët i kisha më të mëdhenj në moshë. Në krahun tim kisha aktorë të mrekullueshëm, si Marie Logoreci, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, etj., të cilët më kanë mësuar shumë, por partneri im ishte Naim Frashëri. Me thënë të drejtën nuk e di pse ai ishte aq i kontraktuar. Nuk ishte fanatik, madje ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me shumë kulturë. Në shtëpinë e tij dëgjohej vetëm muzikë operistike, madje ai vetë ishte një simfoni më vete, por ndoshta ishte në siklet, sepse në Kinostudio, ku po xhironim u mblodh gjithë gjindja, për të na parë.

Keni realizuar shumë dublime deri sa realizuat “puthjen perfekte”?
Kemi realizuar më shumë se dhjetë dublime. Pastaj Naimi ishte aq i mirë dhe kishe qejf me e puth (qesh). Ndërsa ai ishte në siklet dhe nuk e pyeta ndonjëherë përse. Unë e putha dhe kaq.

Si u ndjetë kur patë që kjo pjesë ishte prerë nga filmi?

Më ka ardhur vërtetë keq dhe nuk e kuptova përse u hoq ajo puthje. Regjisorit Kristaq Dhamo i ka dhembur edhe më shumë ky dhunim. Ai film u rishfaq shumë vite më vonë, pas rënies së diktaturës. E kam parë të rishfaqet si retrospektivë në një festival dhe u trishtova shumë, që vazhdon të shfaqet varianti i reduktuar. Sot kanale të ndryshme televizive e shfaqin në një cilësi të dobët. Do të kisha dashur të shfaqej si u realizua, pasi ato pjesë të shkëputura ruhen edhe sot në Arkivin e Filmit Shqiptar.

Ndërsa censura ende nuk ishte edhe aq e fortë, ju ofruan ndonjë tjetër rol, me puthje?

Unë nuk pata më role të tilla. Më kanë ndjekur më shumë rolet e nënave. Sa për parantezë, kur kam realizuar Nënë Pashakon isha vetëm 38 vjeçe dhe kisha moshën e “fëmijëve” të mi. Por sikur të ma kishin propozuar sërish një rol të tillë, prapë do ta kisha realizuar me kënaqësi.

Megjithatë ju mbetët “heroina” e puthjes...

Nuk di të jetë xhiruar ndonjë puthje tjetër. Nuk e di pse u ndalua. Ndoshta edhe vetë regjisorët nuk i fusnin në filma, sepse e dinin që do të hiqeshin. Po kështu ishte koha atëherë dhe nuk e zhbëjmë dot historinë.

Si ju duket tani, që nuk ka më censurë?

Aha, tani jo vetëm që realizohen, por kalojnë edhe në ekstrem. Por u desh të kalonte një kohë e gjatë, që në kinemanë shqiptare të futej një skenë tjetër puthjeje. Më duket se ka qenë filmi i Saimir Kumbaros, “Vdekja e kalit”, me Rajmonda Bulkun dhe Timo Fllokon. Është një skenë e bukur, por edhe e guximshme, pasi ishte ende herët, sapo ishin ndryshuar sistemet.


Burimi: Panorama Kulture
E identifikuar
Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  



Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 12 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (6%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (9%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (12%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (3%)
  • -
  • Dot Poli
  • 1 (3%)
  • -
  • Numri total i votave: 32
  • Shiko temen

* Sponsor