Amy
Anetar
Karma: 4
offline
Gjinia: 
Postime: 817
|
 |
« më: 27-11-2008, 18:25:01 » |
|
Dy filmat me metrazh të shkurtër të shfaqur një natë më parë në kinema “Millenium”, e fusin kinematografinë shqiptare në skenat e nxehta, dikur tabu, por tani si nevojë kinematografike, pa të cilën nuk mund të rrojë një produksion filmik
Eno Milkani me filmin “Shenjtorja”, mbështetur në tregimin e Teodor Kekos dhe Dhimitër Ismailaj me filmin “Mira” - zhveshin ekranin nga fanatizmi artistik
Eros, i shkurtër
Filmi me metrazh të shkurtër thyen tabutë e erosit. Nëse në produksionet e deritanishme kinematografike shqiptare, me metrazh të gjatë, një sekuencë e “nxehtë” filmike ka qenë një akt pothuajse aspak i lëvruar, kjo manovër sot po bëhet më intriguese për botën e kinemasë. Filma më të fundit si produksione të financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike duket se po hyjnë në epokën e çlirimit dhe më shumë erë fryn nga liria përëndimore.
Një natë më parë, në kinema “Millenium” janë shfaqur premierë katër filma shqiptarë, prodhime të shtëpisë filmike “Maku Production”. Dy prej filmave i përkasin metrazhit të shkurtër, ndërsa dy të tjerët i përkasin animacionit.
“Shenjtorja” ishte njëri prej filmave që u shfaq në këtë natë, tek i cili u prekën tematika të ndryshme. Regjisori Eno Milkani, nëpërmjet ideve novatore solli në ekranin e madh një film në të cilin ishin harmonizuar disa elementë jetësorë njëherësh, mes të cilëve gjendej e ndërthurur edhe një sekuencë erotike. Milkani i ri thotë se për të realizuar këtë projekt ka shfrytëzuar një nga tregimet me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Teodor Keko, realitet që i përket viteve të regjimit komunist.
“Në vitin 2001 mora një propozim nga Qendra Kinematografike e Filmit, për të bërë një film me metrazh të shkurtër. Në atë periudhë kisha në dorë librin 12 shenjtorë, një profet dhe disa njerëz, ndërkohë tregimi që më mbeti në mendje ishte ky që sapo kam personifikuar në një film me metrazh të shkurtër “Gjinovefa””, - shprehet regjisori Eno Milkani. Ai shton gjithashtu se “nga kjo vepër më kanë intriguar më tepër personazhet që konkretizojnë tregimin. Janë më tepër persona të ndryshëm nga ata që ne shikojmë, nuk janë personalitete, por më tepër ai është fokusuar tek njerëzit e thjeshtë shqiptarë. Trajton më tepër problemet dhe hallet e tyre nëpër rrugë apo shtigje të ndryshme që i “përplas” jeta në këtë kohë. Filmi sjell copëza të jetës që i përkasin viteve ‘80, atëherë kur siç dihet, gjithçka ishte e kontrolluar nga regjimi i egër komunist. Personazhet e këtyre viteve ishin shumë të spikatura dhe kjo më frymëzoi për ta shndërruar atë në një produksion filmik dhe në një botë shumë të pasur”.
Është historia e një dashurie të pamundur në mesin e viteve ‘80-‘90. Filmi kërkon të shkëpusë një copëz jetë duke kërkuar të penetrojë edhe në psikologjinë absurde të kohës. Dy të rinj, me ëndrra, gjithë energji, plotësojnë përsosmërish njëri-tjetrin, por shoqëria nuk do ta pranojë lidhjen e tyre. “Gjinovefa”, e cila merr përkohësisht atributet e një “shenjtoreje”, do bëhet ylli polar i Gonit, i cili zbulon nëpërmjet saj zgjedhjet e tij. Një takim pas vitesh lë hapur plagën e një shoqërie që ka vuajtur në komunizëm.
“Shenjtorja”, sipas regjisorit, është titulli i pjesës që ka shkëputur për këtë skenar dhe na bën të qartë se asgjë nuk është e lidhur me fenë. “Është ajo pjesa e shenjtë që ka çdo njeri brenda nesh. Gjithsecili ka një burim mirësie për të ndihmuar tjetrin, për t’i dhënë dorën dhe për t’i dhënë një drejtim”, - thotë Milkani. Për këtë film interpretuan aktorë të rinj si Jonida Vokshi, Amos Zaharia, Klara Shehu, Zhaneta Papamihali, Agron Gashi, Mihal Ciko, ndërsa shoqërohet edhe nga muzika e kantautorit Pirro Çako.
Veç kësaj, një tjetër premierë e shfaqur ishte edhe filmi “Mira”, sërish në metrazh të shkurtër.
Edhe pse sinopsi i këtij filmi trajtonte diçka krejt tjetër krahasimisht me “Shenjtoren”, fryma “novatore” edhe këtu ishte e pranishme, por me ndryshimin e vetëm që në ato pak minuta film, erotizmi paraqitet më i theksuar. Evidentimi i këtij rasti vlen për t’u mbështetur me sekondat e para të filmit. Ato ecin nën ritmin e lëvizjeve provokuese të aktores protagoniste, Rozana Radi, duke na komunikuar pa fjalë logjikën që do të ndjekë pjesa kinematografike. Është një produksion me regji dhe skenografi të Dhimitër Ismailaj, ndërsa marrin pjesë aktorë të njohur si Rozana Radi, Neritan Liçaj, Tinka Kurti, Ilir Gjini, Kliti Roshi, Esmeralda Metka, Enkel Gurakuqi, Alert Celoaliaj, Denis Bushjokaj. Historia është e vendosur në Shqipërinë e kohëve të sotme, ku ekziston një shoqëri patriarkale. Mira është një grua e re, e cila ndodhet në dilemën morale që i parashtron shoqëria. Asaj i duhet të sigurojë 10 mijë dollarë, ndërsa duhet të mbajë të gjallë dëshirat e saj. Mira përfaqëson atë pjesë të shoqërisë që lufton për të ruajtur vlerat e një familjeje tradicionale, ndërsa është e rrethuar nga një shoqëri pa moral. Gjatë shfaqjes së premierave, regjisori Ismailaj nuk ishte i pranishëm, ndërkohë që filmi i tij përfaqësohet nga protagonistët kryesorë. Një ndër ta ishte edhe ajo, e cila masivisht njihet më tepër si këngëtare, Rozana Radi, që në të vërtetë e hedh poshtëëë këtë fakt. “Unë nuk jam këngëtare, por jam një aktore”, - shprehet Radi, duke shtuar se “ky nuk është bashkëpunimi im i parë kinematografik, por megjithatë ndihem e lumtur për shkak se kam luajtur përkrah aktorëve të njohur si Tinka Kurti, Neritan Liçaj etj.”.
Suela Furriku - Gazeta Standard
|