Reportazh nga Fatos Baxhaku Në Kala të Beratit
Kush e di se përse vendosim që ta ngjisim në këmbë të përpjetën që të çon në Kalanë e Beratit. Sigurisht, shumë shpejt e kuptojmë që kemi gabuar. Ndërsa ngjitemi me mund nën zhegun e korrikut, i shikojmë me zili makinat që ngjiten lehtë-lehtë drejt mureve të gurta. Kështu që, të lodhur e të djersitur, qëndrojmë një copë herë të pushojmë e të pimë ujë te Qafa e Kalasë. Tashmë jemi fare afër mureve të vjetra dhe që nga poshtëë e shohim edhe më mirë madhështinë e kësaj ngrehine mijëravjeçare.Një lapidar u kujton kalimtarëve një betejë të ashpër që është zhvilluar këtu në nëntorin e 1943-it. Gjatë saj në luftë me gjermanët janë vrarë shumë partizanë shqiptarë dhe italianë të batalionit "Antonio Gramshi". Si të gjitha historitë edhe atë të Luftës së Dytë Botërore e ka të veçantë ky qytet. Kur italianët lanë qytetin
në shtatorin e 1943-it, qyteti përjetoi një periudhë të shkurtër paqeje të pazakontë. Partizanë, civilë, ballistë, zogistë të gjithë bashkëjetonin në qytet pa e vrarë mendjen për luftën që zhvillohej vetëm pak kilometra më tej. Gjermanët ishin vendosur në aeroportin e Kuçovës.Ata vinin herë pas here në qytet, përshëndeteshin përzemërsisht me shqiptarët me yll të kuq në ballë, bënin pazar, apo pinin ndonjë birrë dhe ktheheshin sërish të pashqetësuar. Berati, qytet i mësuar me pushtues lloj-lloj gjatë mijëra vjetësh, nuk kishte se përse t‘i shtonte historisë së gjatë edhe një luftë tjetër. Kjo luftë-paqe e çuditshme vazhdoi për dy muaj derisa, në nëntor, i shkoi në vesh Enver Hoxhës, i cili duhet të jetë zemëruar keq. Me urgjencë i mbërriti urdhri
Gjin Markut, komandantit partizan: Duhet të godisni gjermanët menjëherë! Sapo ndodhi kjo, gjermanët e egërsuar vërshuan në qytet. Kalaja ishte objektivi kryesor, prej saj mund të kontrollohej e gjithë zona rreth e rrotull. Me qindra vetë u vranë dhe shumë shtëpi të kalasë u rrafshuan. Paqja e shkurtër pati fund të përgjakshëm. Inatin e parë ndaj Gjin Markut, duket se Enver Hoxha e mbajti mend gjatë. Ish-komandanti legjendar, gjenerali i paqes, Gjin Marku, vdiq vite më vonë në burgjet e diktaturës.Në lokalin ku ndalojmë për të blerë ujë duhet të presim një copë herë. Këtu po zhvillohet një takim, një seminar a një gjë e ngjashme dhe kamerierët janë fort të zënë. Nga brenda sallës copëzat e diskutimeve sikur na e heqin mendjen nga historitë e vjetra dhe nga pamja e mureve të lartë. Dikush po u flet në anglisht të ftuarve për avantazhet e bujqësisë sonë. Oratori ishte i bindur se nëse të ftuarit do të merreshin më shumë me prodhimin e perimeve, gjizës, dhallës e kështu me radhë, atëherë të gjithë do të jetonin më mirë. Speci i pjekur doli të ishte një nga përparësitë e ekonomisë në të ardhmen. "Dhe ju lutem të mos e shohim gjendjen me pesimizëm. A e dini ju se prodhimi i shalqirit është rritur një mijë herë gjatë këtyre viteve të fundit?", dëgjohet nga brenda. Me këtë shije optimiste rinisim udhëtimin tonë në historinë e Kalasë së Beratit.
Brenda madhështisëMadhështinë e kalasë e ndiejmë sapo mbërrijmë te porta. Na duket vetja shumë të vegjël para këtyre mureve dhe harqeve të larta. Mbi harkun kryesor të portës dallojmë një mbishkrim të bërë me tulla të kuqe në murin e bardhë. M.K. shkruhet në të dy anët e një kryqi të kuq. Janë inicialet e Mihal Komnenit, njeriut që e fortifikoi edhe më tej kalanë. Kur Konstandinopoja u godit keq nga kryqtarët francezë në 1204, Perandoria Bizantine u shpërbë. Beratit asokohe i takoi të bënte pjesë në Despotatin e Epirit me kryeqytet Artën. Mihal Komneni ishte sundimtari i këtij desëpotati, Berati, që asokohe quhej Belegradon, qyteti i dytë më i rëndësishëm. Komneni duket se e ka pasur fort për zemër këtë kala përderisa vendosi të jetonte pikërisht brenda këtyre mureve. U vra brenda në kala në vitin 1216, viktimë e luftës së egër
për pushtet.Kemi kaluar një portë, por ende nuk kemi hyrë në kala. Një oborr katërkëndësh me mure të larta është bazamenti i kullës kryesore të kalasë, "Tabes së Portës së Madhe" sikurse e quajnë vendasit e vjetër. Pastaj vjen Porta e Madhe shumë herë më hijerëndë se ajo që porsa kemi lënë pas. Këtu e dallon sakaq vijimësinë e fazave të ndryshme që ka kaluar kalaja. Në fillim, krejt në bazë, duken muret antike me blloqet gjigante të gurëve të lidhur me njëri-tjetrin pa llaç, pastaj vijojnë muret tipike bizantine me rripat e tullave të kuqe dhe më vonë muret mesjetare me gurë të çrregullt të lidhur me llaç. Para nesh një grup turistësh nuk rresht së bëri fotografi. Kush e di se sa njerëz kanë kaluar nëpër këtë hark të gurtë gjatë gjithë këtyre shekujve. Në doracakët tanë lexojmë edhe një histori të lidhur me këto porta. Arkeologët këtu kamë zbuluar dy varre fëmijësh. Banorët e lashtë të Beratit besonin se dy ishin mbrojtësit e vërtetë të këtyre mureve: luftëtarët dhe shpirtrat e fëmijëve të vdekur. Pikërisht prandaj fëmijë të vegjël janë varrosur në anë të mureve afër portave.Makinat shkojnë e vijnë lirshëm nën portën e madhe, ndonëse një tabelë që varet mbi të e ndalon qarkullimin e tyre.Për shekuj me radhë mjeti i vetëm i transportit kanë qenë kuajt, gomarët, mushkat. Makina e parë në Berat është blerë nga një banor i kësaj lagjeje. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ajo e përpjeta që sapo kaluam edhe ne ka qenë jetë e mot një telash i madh. Vendasit e vjetër e mbajnë mend edhe emrin e shoferit të parë andej nga fillimi i viteve ‘30 të shekullit të shkuar. Ai quhej Taq Cylaku.Nëpër kishat e Kalasë Askush nuk e di me saktësi numrin e kishave që ka pasur në Kala. Disa thonë 25, të tjerë 40. Sot numërohen 21 kisha, vende të shenjta apo rrënoja të tyre. Ecim për ca kohë përgjatë murit verior të Kalasë, nga kulla, "Tabja e Bajrakut shtrihet poshtëë nesh një panoramë mahnitëse me Shpiragun përballë dhe me qytetin poshtëë këmbëve tona. Disa topa të kohës së Turqisë kanë mbetur në frëngjitë e tyre. Askush nuk ka pasur dëshirë të lëvizë topat e rëndë.Dhe ndërsa jemi duke ecur në një kthesë rrugë, na shfaqet befas një ndërtesë e vjetër me një ballkon të drunjtë.Është një kishë, krejt e vjetër, pastaj një tjetër, një tjetër dhe sërish një tjetër.Vetëm në pak metra katrorë, kalarinjtë e vjetër, sikurse e quajnë veten vendasit, kanë ndërtuar katër kisha: Shën Mëria e Vllahernës, Shën Thanasi, Shën Kolli, Shën Andoni. Shën Mëria e Vllahernës është e shekullit XIII. Mendohet se është ndërtuar në kohën e Komnenëve dhe i është kushtuar fitores ndaj anzhuinëve që lakmonin qytetin. Nikolla, i biri i Onufrit të madh, ka lënë këtu disa afreske.Një bust gjigant i Kostandinit të Madh është vendosur ngjitur me murin e një kishe tjetër. Eshtë kisha e Shën Konstandinit dhe së ëmës, Shën Helenës. Një mbishkrim na jep kohën e ndërtimit të saj: 1639. Krejt afër është kisha e Shën Kollit, ose Shën Nikollës, të bërë të njohur më shumë si "Babagjyshi i Krishtlindjeve".Kjo është ndërtuar në fund të shekullit XVI. Eshtë e njohur, sepse në të ka punuar një tjetër Onufër i famshëm, Onufër Qiprioti. Ca më tej hasim në disa rrënoja. Forma e tyre harkore na bën të besojmë se mbase kemi të bëjmë me ndonjë kishë. Nga doracakët tanë mësojmë se këtu ka qenë dikur Kisha e Shën Thanasit. Tani pamjen e saj e mbulojnë përforcimet që janë bërë për Shën Kollin.Krejt në qendër është Katedralja e Shën Mërisë, një pjesë e mirë e së cilës është kthyer në muzeun "Onufri". I kalojmë do kohë duke admiruar ikonat e vyera. Na duket sikur jemi në një botë tjetër, në një botë ku jetojnë vetëm personazhe të ungjillit. Turistë të huaj që vijnë duke brohoritur nga qejfi i pushimeve heshtin sakaq përballë mrekullisë së ikonave. Ndalemi ca më gjatë tek ikonat e Onufrit. Nga shumë studiues është cilësuar si novator në artin hermetik bizantin. Qëkurse e zbuloi për herë të parë rusja Puzanova, breza të tërë studiuesish e admiruesish janë marrë me punët që ka lënë pas. Shumë vetë nuk besojnë, por në Berat tashmë janë krejt të bindur se Onufri ishte "kalari", pra kishte lindur pikërisht këtu. Edhe në mos qoftë e vërtetë ai dhe i biri e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre, gjatë shekullit XVI, mes këtyre kishave. "Përshëndetemi" gjatë me Shën Mërinë e pikturuar nga mjeshtri. Eshtë krejt ndryshe nga të gjitha ikonat në botën e krishterë.Ndryshe nga të tjerat, Shën Mëria nuk e mban fëmijën Jezu në krahun e majtë, por në të djathtin. Kush e di se çfarë ka pasur në mendje asokohe mjeshtri i madh.Në majë të Kalasë Kur osmanët pushtuan kalanë më 1417, gjëja më e parë që bënë, pasi u rehatuan brenda mureve bizantine, ishte shndërrimi i një kishe në xhami. Rrënojat e saj janë ende të dukshme. Vendasit e quajnë "Xhamia e Kuqe". Duket se ajo ka shërbyer si vendfalje për ushtarët e garnizonit. Fare pranë saj kanë qenë sarajet e pashallarëve. Tashmë ato janë të braktisura. Vetëm një depo uji - vendasit e quajnë saranxhe - mbahet ende gjysmë e mbushur nga
rrëketë e shiut. Sarajet mendohet se janë ndërtuar në kohën e Mihal Komnenit, më pas kanë ndërruar zot disa herë, Muzakët, pashallarët turq. Më 1908, kur udhëtari e studiuesi Eqrem Bej Vlora kaloi këtyre anëve i gjeti ato të braktisura. "Mbi një shesh të ngritur - shkruan beu vlonjat - të quajtur ‘hyqymet‘, shihen rrënojat e pallatit ku kanë pasur selinë pashallarët e Beratit deri në vitin 1845. Këtu, nga ana e qytetit gjendet ende një minare gjysmë e rrëzuar, ndërsa në mes hyrja e një stereje të stërmadhe e të ruajtur shumë mirë. Një palë shkallë guri të çojnë poshtë, në brendësi të saj. Muret dhe dyshemeja janë veshur me Çimento. Me gjithë braktisjen stereja ka ende një gjysmë metër ujë. Aty pranë kaushët e dikurshëm: sot ata shërbejnë si depo për armatimet e vjetra. Sheh aty, të hedhura njëra mbi tjetrën tyta, rrota, shtretër të sistemeve nga më të ndryshme si edhe gjyle të panumërta të kalibrave të ndryshëm.Depoja e armëve gjendet rrëzë mureve të kalasë, përmbi lagjen "Murat Çelepije" dhe nuk është veçse një ndërtesë e vjetër që ruhet nga dy ushtarë të leckosur. 5000 pushkë Mauser, bashkë me municionin përkatës janë lënë këtu për t‘u bërë pre e sulmit të parë të një lëvizjeje revolucionare. Po a do të ndodhë vallë një gjë e tillë? Autoritetet duket se e njohin mirë grigjën e tyre, gjersa i sheh të jenë kaq të shkujdesur".Rrotullohemi edhe ca në sheshin e faltores së Shën Mitrit, i hedhim edhe një herë një sy doracakëve tanë dhe marrim
rrugën teposhtë. Ende nuk i kemi parë mirë shtëpitë e "kalarinjve". Me "kalarinjtë" Beratasit krenohen. "Kemi të vetmen kala që është ende e banuar", thonë ata duke harruar Elbasanin, apo Drishtin e Postrribës.Megjithatë, krenaria e tyre është e ligjshme. Të vizitosh këtë lagje, e aq më shumë të banosh në të duket sikur hyn në një kohë tjetër, në një kohë që është e mbushur me rrëfime të vjetra, liturgji, festa pagane e fetare, zejtarë kokulur dhe priftërinj të heshtur, gra besimtare që ndezin kandilin përballë ikonës së Shën Mërisë me Krishtin në dorën e djathtë me një fjalë në një kohë që duket sikur ka ngrirë. Heshtja sundon rrugicave të ngushta të lagjes. Vetëm nga ndonjë portë gjysmë e hapur vjen era e mirë e gatimit, që na bën të kuptojmë se në këtë shtëpi gruaja po bëhet gati të presë burrin që vjen i lodhur nga vapa dhe nga e përpjeta e fortë.Duhet të jetë fort e përzier popullsia e këtushme, në fillim kanë banuar bashkë këtu bizantinë, bullgarë, arbër, të gjithë të krishterë.Pastaj u ka ardhur radha migrimeve nga fshatrat e krahinat rreth e rrotull, fshatarë që nuk kishin ndërmend të ndërronin fenë, voskopojarë të ikur nga rrënimi, vllahë të mërzitur me jetën endacake, të gjithë këta krijuan këtë popullsi që jeton në këtë atmosferë të veçantë.Veçse njësoj sikurse kanë rrahur, edhe kanë ikur. Kjo lagje i ka caqet e përcaktuara.Muret nuk e lejojnë të shtojë shtëpia dhe kështu pjesa e tepërt e familjeve shkonte poshtëë në lagjet në fushë ose në qytete të tjera. "Kalarinjtë" janë dalluar kaherë si njerëz të qetë, besimtarë të mëdhenj dhe zanatçinj të përsosur.Duket sikur kanë marrë nga kalaja dhe nga historia e saj e gjatë atë stoicizmin për t‘i përballuar hallet me një qetësi stoike.Ka ardhur koha për të bërë pushimin e dytë. Në vapën e korrikut, mes gurëve të tejnxehur një birrë e ftohtë të duket ëndrra më e madhe e jetës.Atë e pimë te Koço, një "kalari" tipik që ka një lokal të gurtë fare afër Katedrales së Shën Mërisë. Koçua është në kulmin e punëve. Autobusët me turistë nuk rreshtin së ardhuri. Shumica janë të moshuar që u merret fryma nga vapa. Koço nuk rresht së shituri ujë të ftohtë dhe përgjigjet në të njëjtën kohë në tri gjuhë të ndryshme.Ja ku mbërrin edhe një grup plakash italiane që kërkojnë për të ngrënë. Lumturohen kur mësojnë se Koço ka mish keci të pjekur. "Capretto!? Ma e buonissimo", ngazëllehen ato dhe e shtyjnë edhe për pak vizitën te muzeu i ikonave. Në kthim jemi më mirë. Rruga është tatëpjetë. Në afërsi të Portës së Madhe, atje ku gratë e kalasë nxjerrin në shitje qëndismat e tyre, rrimë e bëjmë muhabet një copë herë me një plakë të shtyrë në moshë. Nuk e di ta thotë mirë moshën e saj. "E di se si - na thotë - mbasi kam mbushur 60 nuk i mbaj më mend vitet. Më duken të tëra njësoj".Plaka na kujton histori të vjetra. I ka mbetur ndërmend 1967 dhe mbyllja e kishave. Atë e konsideron "gomarllëkun më të madh që kam parë ndonjëherë". "Mirë që i mbyllën dyert e kishave, ato prej guri janë - thotë me pezmatim - po përse i qethën priftërinjtë? Dy priftërinjtë që patëm përfunduan njëri rrobaqepës e tjetri marangoz. Ky qe mallkim i madh.Plaka gëzohet kur mëson se kemi ardhur që të shkruajmë për lagjen e saj. "Kalaja është e mirë vërtet, por po të mos kesh punë poshtëë. Unë vetë kam disa vjet pa shkuar poshtëë - pastaj kujtohet - një porosi kam për ju. Shkruani për Kalanë, për kishat e për historitë, por shkruani edhe për njerëzinë. Ja askush nuk e kujton më Agatangjel Mbricën.Ka qenë njeri i mrekullueshëm po se po, por edhe mjeshtër i madh.Kryqe të arta, shkopinj të peshkopëve, kupa, kapakë të argjendtë ungjijsh të gjitha Agatangjeli i bënte. Tani askush se kujton". "E paske kushëri më duket", e ngacmon plakën njëri prej nesh. "Jo, more jo nuk e kam gjë", buzëqesh plaka kalarie duke treguar dhëmbin e vetëm që i ka mbetur.
Gazeta Shqip
Fotografi nga Kalaja e Beratit