reflektues
Anetar
Karma: -1
offline
Postime: 386
|
 |
« më: 27-01-2006, 11:26:33 » |
|
GJYKATA EVROPIANE PËR TË DREJTAVE TË NJERIUT
I. CILAT JANE çËSHTJET QË MUND TË TRAJTOJË GJYKATA?
1. Gjykata evropiane e të Drejtave të Njeriut është një institucion ndërkombëtar që, sipas disa kushteve, mund të pranojë kërkesat e personave të cilët ankohen për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo Konventë është një traktat nëpërmjet të cilit shumë shtete të Evropës janë angazhuar të respektojnë disa të drejta themelore të individëve. Këto të drejta janë formuluar në vetë Konventën, si edhe në katër protokolle, Protokolli shtojcë dhe Protokollet Nr° 4, 6, e 7, të cilat një pjesë e shteteve i kanë nënshkruar. Ju rekomandohet të njiheni me këto tekste dhe me rezervën që i shoqëron.
2. Nëse ju vlerësoni që një prej Shteteve, lista e të cilëve është më poshtëëë, ka shkelur në dëmin tuaj një nga këto të drejta themelore, ju mund të ankoheni për këtë në Gjykatë. Kjo mund të trajtojë vetëm ankesat në lidhje me shkeljen e të drejtave të formuluara në Konventë dhe në Protokollet duke përjashtuar të gjitha të tjerat. Ajo nuk është një gjykatë apeli ndaj gjykatave kombëtare dhe nuk mund as të anullojë dhe as të ndryshojë gjykimet e tyre. Po ashtu, ajo as nuk mund të ndërhyjë në favorin tuaj drejtpërsëdrejti pranë autoritetit për të cilin ju ankoheni.
3. Gjykata mund të pranojë kërkesa vetëm nëse ato drejtohen kundër njërit prej Shteteve, lista e të cilëve është më poshtëëë, dhe nëse ato kanë të bëjnë me ngjarje më të vona se një datë e caktuar. Kjo datë ndryshon sipas Shtetit të paditur dhe sipas faktit nëse kërkesa konsernon një të drejtë të formuluar në vetë Konventën, apo në një nga Protokollet.
4. Ju mund të ankoheni në Gjykatë vetëm për aktet e një autoriteti publik (Parlament, administratë, gjykata etj.) të njërit prej këtyre Shteteve. Gjykata evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund të merret me ankesat e drejtuara kundër personave të veçantë, ose institucioneve private.
5. Përpara se t'i drejtoheni Gjykatës, ju duhet të keni ndjekur, në Shtetin e paditur, të gjitha rekurset që do të kishin mundur të sillnin ndreqjen e situatës për të cilën ju ankoheni. Ju duhet, për shembull, t'i jeni drejtuar juridiksionit më të lartë kompetent (por nëse ankoheni për një gjykim, konkretisht për një dënim, nuk është e nevojshme që pasi të keni ndjekur rekurset e zakonshme gjyqësore të bëni përpjekje për të siguruar rishikimin e proçesit). Gjatë ndjekjes së këtyre rekurseve ju duhet të keni respektuar rregullat e proçedurës, pikërisht afatet që ato parashkruajnë. Nëse, për shembull, rekursi juaj është hedhur poshtëëë si i vonuar, apo për mosrespektim të një rregulli të kompetencës ose të proçedurës, ka të ngjarë që Gjykata të mos e shqyrtojë çështjen tuaj.
6 Pasi autoriteti më i lartë kombëtar kompetent ka dhënë vendimin e tij, ju dispononi një afat prej gjashtë muajsh për t'ju drejtuar Gjykatës. Nëse ankimi juaj ka të bëjë me një dënim, afati fillon duke u nisur nga vendimi përfundimtar sipas rendit normal të rekurseve dhe jo duke u nisur nga refuzimi i mëvonshëm i një kërkese të mundshme për rishikim. Gjykata nuk do të mund të shqyrtojë ankesën tuaj nëse, përpara skadimit të këtij afati prej gjashtë muajsh, ju nuk i keni paraqitur asaj qartë arsyet e ankimit tuaj, të paktën në një formë të shkurtuar.
II. SI DUHET T'I DREJTOHENI GJYKATËS?
7. Nëse vlerësoni që arsyet e ankimit tuaj kanë të bëjnë me shkeljen e një nga të drejtave të garantuara nga Konventa, ose nga njëri prej Protokolleve dhe se kushtet e përshkruara këtu më sipër plotësohen, dërgoni më parë tek Sekretari i Gjykatës një letër që përmban të dhënat e radhitura në pikën e mëposhtme. Kjo letër duhet t'i drejtohet
Le Greffier de la Cour européenne des Droits de l'Homme Conseil de l'Europe F-67075 STRASBOURG CEDEX
8. Letra juaj duhet të përmbajë:
a. një përmbledhje të shkurtër të arsyeve të ankimit tuaj;
b. citimin e së drejtës ose të të drejtave të garantuara nga Konventa dhe që i vlerësoni se janë shkelur;
c. rekurset që keni ndjekur;
d. listën e vendimeve të dhëna për çështjen tuaj nga një autoritet publik, duke saktësuar për çdo vendim: daten, përmbajtjen e tij të përmbledhur dhe autoritetin që e ka dhënë. Bashkëngjitini letrës tuaj një kopje të këtyre vendimeve. (Këto dokumente nuk do t'iu kthehen. Si rrjedhim, është në interesin tuaj të dërgoni vetëm kopje dhe jo origjinale).
9. Sekretari i Gjykatës do t'ju përgjigjet. Do t'ju kërkohen ndoshta dokumente, të dhëna ose shpjegime plotësuese lidhur me ankimin tuaj. Mund t'ju informojnë mbi mënyrën se si është interpretuar tashmë Konventa në raste të ngjashme dhe në rastin kur pranimi i ankesave tuaja ndeshet në një pengesë evidente, do t'iu tërhiqet vëmendja mbi këtë pikë. Në të kundërt, Sekretari nuk mund t'ju informojë mbi dispozitat ligjore në fuqi në Shtetin për të cilin ju ankoheni.
10. Nëse nga korrespondenca juaj me Sekretarin del që ankesa juaj mund të regjistrohet si një kërkesë në Gjykatë dhe nëse ju dëshironi që ajo të jetë e tillë, Sekretari do t'ju dërgojë formularët që përdoren për të paraqitur formalisht kërkesën tuaj. Pasi t'i keni plotësuar dhe drejtuar ato Sekretarit, kërkesa juaj do t'i paraqitet Gjykatës.
11. Ju do të viheni në dijeni të ecurisë së proçedurës nga Sekretari. Kjo proçedurë, të paktën në fillim, zhvillohet me shkrim. Kështu që, ju nuk keni pse të paraqiteni në selinë e Gjykatës.
12. Nëse është e mundur, ngarkoni një avokat të paraqesë kërkesën tuaj. Më vonë, gjatë proçedurës, nëse duhet, ju mund të merrni ndihmë gjyqësore, në qoftë se nuk dispononi mjetet për të shpërblyer një avokat. Por kjo ndihmë nuk mund të jepet që në momentin e paraqitjes së kërkesës.
|