|
erlehta
|
 |
« më: 03-12-2005, 15:00:30 » |
|
Lufta e Parë botërore e vinte edhe njëherë çështjen e Shqipërisë si një problem për t'u zgjidhur. Zgjidhja këtë radhë mund t'ishte copëtimi i saj ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanike. E pamë më sipër sesi Konferenca e Londrës pat pranuar njohjen e një shteti shqiptar vetëm sa për të ndaluar përpjekjen me armë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Kufijtë e shtetit të ri nuk u bazuan n'asnjë kriter ethnik, historik ose gjeografiko-ekonomik, por u shënuan si një kompromis artificial ndërmjet këtyre dy fuqive. Tani që Austro-Hungaria ndodhej në luftë kundër Rusisë dhe Aliatëvet të Perëndimit, dhe që Italia, në Maj 1915, mori anën e Aliatëvet, u kuptua se, po t'a fitonin luftën këta të fundit, problemi i Shqipërisë mbetej për t'u rregulluar ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanikë. Nga ana tjetër, e tërë bota ishte mërzitur me çështjen shqiptare dhe me zhvillimet fatkeqe që patën marrë punët e Shqipërisë përbrenda.
Menjëherë pas shpërthimit të Luftës botërore, krahinat e Shqipërisë, mbetur si një mall i shkretë, u bënë plaçkë pazarllëqesh ndërmjet fuqivet të mëdha, sepse secila prej tyre kërkonte të tërhiqte n'anë të saj shtetet rreth e rrotull duke iu premtuar shpërblime mbë tokat shqiptare. Porsa Venizelloja u tregua se do të merrte anën e Franko-Britanikëvet, këta ia njohën Greqisë të drejtën e pushtimit ushtarak mbi Epirin. Por në qendër të pazarllëqevet për tokat shqiptare qëndronte Italia. Duke mbetur disa muaj jashtë luftës si asnjanëse, kjo i vazhdoi pazarllëqet me të dy palët ndërluftonjëse, hem për të parë se ngaha mund të nxirte përfitim më shumë, hem për të pritur se nga do t'anonte balanca e forcavet. Austro-Hungaria ia njihte Italisë Vlorën me rrethet, por kërkesat e kësaj kundrejt aliates së vjetër u bënë gjithmonë më të mëdha: donte Trentinin, Istrien etj., dhe heqjen e ndikimit austriak prej Shqipërie. Kënaqja e këtyre kërkesave ishte e vështirë për perandorinë Austro-Hungareze, sidomos që Shqipëria kishte për të një rëndësi strategjike të radhës së parë në sigurimin e rrugëvet detare e tokësore drejt Mesdheut. Kurse Anglia e Franca nuk kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri dhe mund t'i kënaqnin dëshirat e Italisë, por iu duhej të mendonin edhe për Serbinë e Greqinë, ndoshta edhe për Bullgarinë e cila s'kishte marrë akoma qëndrim deri atëhere. Rusia, n'anë të saj, u përpoq të ringjallte aliancën e vjetër ballkanike për të hedhur kundër Austro-Hungarezëvet edhe Bullgarinë e Greqinë përkrah Serbisë. Në këtë rast, dy fqinjët duhej t'i lëshonin diçka Bullgarisë në Thrakë e Maqedoni, ndërsa ato vetë do të shpërblehëshin me Shqipërinë. Mbasi mbreti Kostandin i Greqisë anonte nga Perandoritë qendrore, Gjermania i premtonte atij Shqipërinë e jugës në rast se do t'iu shpallte luftë fuqivet t' Entente-ës. Si shihet, Shqipëria ishte bërë një plaçkë në duart e fuqivet të mëdha, për të shpërblyer me të aliatët e tyre më të vegjël. Kur Turqia iu shpalli luftë fuqivet t' Entente-ës, më 2 Nëntor 1914, Anglia e Franca i shtuan përpjekjet për të hedhur kundër saj Bullgarinë dhe Greqinë, duke menduar si shpërblim për këtë të fundit, përveç tokash n'anën turke, edhe Shqipërinë e jugës.
Ndërsa bëhëshin këto parashikime rreth copëtimit të Shqipërisë, Italia, duke manevruar mjeshtërisht me të dy palët ndërluftonjëse, si edhe me Greqinë, e zuri Sazanin që më 30 Tetor l9l4. Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë ua kishte kërkuar më përpara pëlqimin, duke ua paraqitur këtë vepërim si një masë të nevojshme për mprojtjen e Vlorës kundrejt Grekëvet. Kurse me Grekët ishte në marrëveshje për këtë punë qëkur nisi t'iu lëshonte pe në Shqipërinë e jugës me Protokollin e Korfuzit. Nga mbarimi i Dhjetorit 1914, duke qënë gjithmonë asnjanëse, Italia pushtoi edhe Vlorën. Kështu që fuqitë e Entente-ës nuk mund të bënin tani plane për copëtimin e Shqipërisë pa marrë pjesë edhe Italia në bisedimet. Pas hyrjes së Turqisë në luftë dhe me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjevet, u bind edhe Rusia se tokat e Shqipërisë s'mund të ndahëshin ndërmjet Ballkanikëvet pa marrë edhe Italia pjesën e saj; sidomos kur pritej që kjo të rreshtohej n'anën e Aliatëvet, kundër Perandorivet qendrore. Vetë Cari i Rusisë, duke hapur një hartë gjeografike të Ballkanit, i tregoi Ambasadorit të Francës në Petrograd, më 21 Nëntor 1914, planin e tij mbi copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanike. Pas disa muajsh, më 29 Mars 1915, ministri i Punëve të Jashtëme t'Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante edhe planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Mbasi, në vija të përgjithshme, plani i Italisë afrohej me atë të Rusisë, Franca dhe Anglia nuk patën vështirësi për t'a pranuar. Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë, u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Entente-ës më 26 Prill 1915. Një muaj më vonë, Italia iu shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.
Sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Italia do të merrte Vlorën, Sazanin dhe një pjesë mjaft të gjerë përbrenda, që të siguronte mprojtjen e Vlorës. Shqipërinë e veriut do t'a merrnin Serbia dhe Mali-i-Zi, kurse Greqisë i lihëshin krahinat e jugës. Shqipëria e Mesme do të përbënte një shtet të vogël mysliman e autonom ndën protektoratin e Italisë.
Le të shohim tani shkurtazi se nëpër çfarë peripetish kaloi Shqipëria gjatë Luftës.
Dy ditë pas ikjes së Vidit, Rebelët hynë në Durrës, më 5 Shtator, ku vendosën "Këshillin e Përgjithshëm" të tyre ndën kryesinë e Mustafa Ndroqit. I pari vendim që muarën, ishte që të nisnin për në Stamboll një dërgatë, e cila do t'i kërkonte Sulltanit bashkimin e Shqipërisë me Turqinë ose dërgimin e një princi mysliman ndën mvarësinë e tij. N'atë kohë Turqia po i shtrëngonte lidhjet me Austro-Hungarinë, prandaj agjentët e saj iu këshillonin Rebelëvet që të merrnin anën e kësaj fuqie kundër Serbisë. Një komision i ri turk arriti prej Stambolli, për t'i drejtuar forcat e Rebelëvet në përputhje me politikën e Turqisë.
Gjendja në Shqipëri ishte e vajtuarshme. Në jugë, Grekët diqnin e piqnin. Malësitë e veriut kishin rënë n'anarkinë e përhershme, për të pritur riardhjen e Serbo-Malazezve. Një farë qetësie mbretëronte vetëm në Shkodër, ku vazhdonte akoma rregulli që pati vënë Komisioni Ndërkombëtar. Rebelët u përpoqën t'a shtrinin fuqinë gjer këtu, të ndihmuar nga disa turkomanë si Alush Lohja me shokë, por nuk mundën. Në qarkun e Shkodrës ishin edhe Katolikët që loznin rolin e tyre. Prandaj, kur mori fund kontrolli i Komisionit Ndërkombëtar, qytetarët formuan një këshill administrativ vendas duke mbajtur flamurin kuq-e-zi dhe gjuhën shqipe nëpër zyrat. Kështu Shkodra mbeti për ca kohë si e vetëmja strehë e lirë në tokën shqiptare, ku u mblodhën mjaft atdhetarë t'ikur prej visevet të tjera të Shqipërisë.
Porsa u hap Lufta botërore, Esad Toptani u vërsul përsëri, kaloi prej Italie n'Athinë dhe, prej këtej, në Nish ku ishte tërhequr n'atë kohë qeveria serbe. Me ndihmat financiare dhe armatimin që mori prej Pashiçit, ai mblodhi në Dibër një fuqi merçenarësh dhe zbriti në Durrës papritur, më 2 Tetor 1914. Pasi e detyroi "Këshillin e Përgjithshëm" të Rebelëvet që t'i nënshtrohej, Esadi e shpalli vehten kryetar i "qeverisë së përkohshme" dhe "kumandar i fuqivet t'armatosura" të Shqipërisë. Italia shpejtoi të dërgonte menjëherë në Durrës, si përfaqësonjës pranë Esad Pashës, baron Aliottin, ish-ministri i saj pranë Vidit.
Dhelparak si gjithnjë, Esadi i bëri të tijat parullat myslimane të Rebelëvet, mallëngjimin e tyre për Turqinë dhe dëshirën për një princ mysliman. Por kjo hipokrizi nuk mund të vazhdonte gjatë, sepse Esadi lidhej me fuqitë e Entente-ës, sidomos me Serbinë, kurse Rebelët, të këshilluar prej Turqvet, mbanin anën e Austro-Hungarisë. Punët erdhën në një pikë që duhëshin ndarë, kur Turqia, e lidhur me Perandoritë qendrore, iu shpalli luftë fuqivet t'Entente-ës,më 2 Nëntor 1914, dhe Sulltani iu bëri thirrje Myslimanëvet që të hidhëshin në luftë të shënjtë kundër armiqve t'Osmanllisë. Agjentët turq i shtynin Rebelët që t'iu binin Serbëvet, kurse Esad Toptani ishte në shërbim të Serbisë. Kjo gjendje nuk mund të vazhdonte. U kuptua se Pashaj Toptanas donte të bëhej vetë princi i Shqipërisë, i përkrahur prej fqinjëvet (Serbi, Greqi) dhe prej fuqivet t'Entente-ës, domethënë prej armiqve të Turqisë.
Kështu, nga mbarimi i Nëntorit, Rebelët u kthyen kundër Esad Toptanit dhe iu ranë fuqivet të tija. Haxhi Qamili i përzuri prej Tirane merçenarët e Esadit, që kumandohëshin nga Xhelal Zogu e Dine Hoxha, dhe iu vuri zjarrë shtëpivet të Pashajt Toptanas. Pas disa javësh, Rebelët ngrehën përsëri fuqinë e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe i vazhduan luftimet kundër Esadit, i cili u mbyll në Durrës me larot e vet. Aty kishte ndihmën e luftanijevet italiane dhe vazhdoi lidhjet me fqinjët armike të Shqipërisë.
Më vonë, Rebelët bënë një mbledhje në Krujë, ku e gargaritën edhe një herë programin e bashkimit me Turqinë dhe iu dhanë një notë konsujvet të fuqivet të mëdha, në Shkodër, për t'iu treguar se ata mbanin anën e Turqisë dhe të Perandorivet qendrore. Rrëmuja e tyre vazhdoi gjer në verën e vitit 1915, si edhe luftimet herë pas here kundër Esad Toptanit. Po edhe grindjet që patën me njëri-tjetrin nuk qenë të pakta. Shpirti i keq i lëvizjes së këtyre të mallkuarve ishte myftiu i Tiranës, Musa Qazimi. Natyrisht, fuqia e tyre nuk do t'ishte mbajtur dot në këmbë gjatë një viti, sikur të mos drejtohej prej agjentëve turq me parulla fetare e me flamurin e Turqisë përpara, e vetëmja ndëgjesë që mund të kishte kjo turmë e verbër.
Në fillim të Qërshorit l915, trupat serbe, duke hyrë nga ana e Dibrës, zbritën në Shqipërinë e Mesme, pushtuan Elbasanin, Kavajën, Tiranën dhe iu afruan Durrësit. Në bashkëpunim me Esad Toptanin, ato e shtypën lëvizjen e Rebelëvet, të cilën e shikonin si një forcë në shërbim t'Austro-Hungarisë, dhe i kapën disa nga krerët e saj, ndër ta edhe Haxhi Qamilin. Esadi ngriti një gjykatore të kryesuar prej Xhelal Zogut për të dënuar me vdekje Haxhi Qamilin me shokë, të cilët edhe i vari. Serbët nuk hynë në Durrës, për të mos zëmëruar Italinë, dhe shpallën se qeverimin e vendit do t'ia linin mikut të tyre, Esad Toptanit.
Porsa që Serbët shkelën Shqipërinë e Mesme, Grekët mbanin krahinat e jugës dhe Italianët Vlorën, Mali-i-Zi nuk mund të mbetej pas. U fut edhe ai nga ana e veriut, në javën e dytë të Qërshorit dhe, pas disa përpjekjesh të parëndësishme, pushtoi Shkodrën. Kështu u zhduk edhe ajo strehë e lirë që kishte mbetur n'atë çip të Shqipërisë. Ushtëria malazeze i kapi si dhentë në vathë disa nga atdhetarët e shquar që ishin mbledhur aty, çerçis Topullin, Mustafa Qullin, Isa Buletinin, Dedë Gjo' Lulin, Mehmet Shpendin, e të tjerë, edhe i vrau. Gjaku i Shqiptarëvet po rridhte rrëke në çdo skaj të së mjerës Shqipëri.
Por këtë herë pushtimi serbo-malazias nuk vazhdoi gjatë. Bullgaria, e lidhur me Perandoritë qendrore, i shpalli luftë Serbisë më 14 Tetor 1915. Në të njëjtën kohë, Austro-Hungaria lëshoi ofensivën e madhe kundër Serbisë dhe Malit-të-Zi. Këtyreve s'mundi t'iu vinte ndihmë prej aliatëve t'Entente-ës,ndonëse në muajin e Tetorit Franca shkarkoi në Selanik njësitë e para t'Armatës së Lindjes. E vënë midis dy zjarresh, Serbia u thye keqas dhe ushtëritë e saja filluan të tërhiqëshin në drejtim të Shqipërisë, mbasi nga ana e Maqedonisë, në jugë, ua kishin prerë udhën Bullgarët. Në Jenar të vitit 1916, u shua edhe qëndresa m'e fundit e Serbëvet, dhe ushtëria austro-hungareze i dha një grusht të mirë Malit-të-Zi, i cili kërkoi menjëherë armëpushimin. Mbeturitë e ushtërisë serbe u tërhoqën nëpër Shqipëri, pa i trazuar askush, sepse rrugën ua mbante të hapur Esadi. Prej skelavet të Shqipërisë ato u hodhën në Korfuz, dhe s'andejmi në Selanik, për t'u bashkuar me Armatën aliate të Lindjes.
Fuqitë austro-hungareze, duke ndjekur ushtërinë serbe, hynë në Shqipëri në Jenar të vitit 1916 dhe zunë Shkodrën. Esad Toptani që iu kishte shpallur luftë gjoja Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, u shtrëngua t'a linte Durrësin dhe të hidhej n'Itali. Por duket se Italia nuk ia vari këtë radhë, jo vetëm pse ky urrehej prej gjithë Shqiptarëvet, po edhe sepse ishte agjent i kujtdo dhe shumë i afërt me Serbët. Atëhere Esadi e gjeti më të përfitimshme që të vihej në shërbim të Francës, e cila ishte edhe përkrahëse e Serbisë. Prej France shkoi në Selanik, në Gusht 1916, ku formoi pranë Armatës së Lindjes një trupë prej nja 500 merçenarësh shqiptarë nën kumandën e tij.
Ushtëria austriake, pas Shkodrës, zuri Durrësin, Tiranën dhe arriti n'Elbasan, ku kishin hyrë Bullgarët. Pastaj zbriti nga juga gjer përtej Beratit e në Vjosë, ku nguli vijën e frontit kundrejt ushtërisë italiane. Nga jugë-lindja u shtri gjer në Pogradec, përballë fuqivet greke.
Një "politikë zgjerimi" deshën t'a bënin në Shqipëri edhe Bullgarët, duke kujtuar me mallëngjim traktatin e Shën-Stefanit ose Perandorinë e tyre mesjetare, por e panë që s'kishin asnjë bazë pështetjeje. Ushtëria austriake i detyroi t'a zbraznin Elbasanin dhe të prapsëshin më tutje, nga lindja.
Zbritjen e ushtërivet austro-hungareze, të cilat, bashkë me Kosovën, pushtuan edhe dy të tretat e Shqipërisë politike, Shqiptarët e pritën me gëzim, për shumë arësye: sepse ato e çliruan vendin prej Serbo-Malazezvet duke ngjallur shpresat e krijimit të Shqipërisë ethnike, dhe sepse Austro-Hungaria shikohej prej të gjithëve si mprojtësja e Shqipërisë. Atdhetarët u vunë në lëvizje për të rimëkëmbur shtetin shqiptar të lirë, ku do të përfshihëshin Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, dhe për të kërkuar këthimin e Vidit, i cili nuk kishte abdikuar. U caktua të mblidhej një kuvend i madh kombëtar n'Elbasan, më 18 të Marsit l9l6, për të vendosur mbi këtë program vepërimi dhe për të formuar mundësisht një qeveri shqiptare. Në krye të lëvizjes u vu Aqif Pashë Biçaku (Elbasani), ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Vidit.
Kumanda austriake desh t'a shfrytëzonte miqësinë e Shqiptarëvet për interesat e luftës, bëri disa shpallje me anën e të cilavet njoftonte se Austro-Hungarezët kishin ardhur si miq, dhe se Shqiptarët duhej t'i ndihmonin për të dëbuar prej vendit të tyre armiqtë e përbashkët. Propagandën e miqësisë dhe të bashkëpunimit nisi t'a bënte sidomos gazeta shqipe "Vllazënija" që delte në Vienë. Disa krerë e bajraktarë të malësivet të veriut u vunë menjëherë në shërbim t'ushtërisë austro-hungareze. Mirë po kur erdhi puna e mbledhjes së kuvendit kombëtar, i cili kishte për qëllim rimëkëmbjen e shtetit dhe formimin e një qeverie, autoritetet austriake e ndaluan. Pas pak, zunë t'i arrestonin disa nga krerët e lëvizjes dhe t'i internonin n'Austri. Megjithatë, flamuri i Shqipërisë u ngrit lirisht dhe administrata u organizua me nëpunës shqiptarë duke përdorur shqipen si gjuhë zyrtare.
Austria, si edhe më parë, i dha përkrahje zhvillimit kulturor të Shqiptarëvet, ndihmoi hapjen e shkollavet shqipe kudo, edhe në Kosovë, formoi Komisionin Letrarpër lavrimin e gjuhës dhe përpunimin e tekstevet shkollorë, dërgoi me bursa studimi nëpër shkolla austriake mjaft djelmosha shqiptarë. (Në të vërtetën, pa një pregatitje kulturore, ishte e kotë që të mendohej për një shtet shqiptar, dhe Austria e kuptonte mirë rëndësinë e këtij faktori). Qendra e administratës civile u vendos në Shkodër, me drejtoritë e përgjithshme t'Arësimit, të Drejtësisë dhe të Financavet, nën mbikqyrjen e përfaqësonjësit austriak, August Kral. Edhe pse e drejtuar prej Austriakësh, administrata vlejti si një shkollë praktike për t'iu mësuar nëpunësve shqiptarë metodat e reja dhe për t'a bërë shqipen më të përdorshme nëpër zyrat. Që të mund të vetqeverisëshin, Shqiptarët kishin nevojë t'edukohëshin, përpara së gjithash.
Por mbasi Austria nuk po e shikonte Shqipërinë si një shtet më vehte, as nuk po e tregonte mendimin e saj se qysh do të rregullohej ky vend në t'ardhmen, atdhetarët nisën të shqetësohëshin dhe t'a tregonin haptas, në mos kundërshtimin, pakënaqësinë e tyre. Patën bërë disa herë kërkesa e protesta, dhe një pjesë e atyre që qenë shtytur pak si tutje në bashkëpunimin me ushtërinë austriake, filloi të largohej. Atëhere për të fituar besimin, kumanda e lartë austro-hungareze, më 23 Jenar 1917, me rastin e përvjetorit të hyrjes s'ushtërisë së saj në Shkodër, bëri një shpallje zyrtare ku thuhej se Austro-Hungaria do t'i jepte Shqipërisë "autonominë", duke e lënë çështjen e pavarësisë për më vonë, kur të krijohëshin kushtet e duhura dhe kur Shqiptarët t'ishin më të pregatitur. Ky premtim nuk i kënaqi fort atdhetarët shqiptarë, të cilët vazhduan të kërkonin pavarësinë me anë protestash dhe manifestimesh. Më 7 Mars 1918, përvjetori i ardhjes së Vidit në Shqipëri, u bënë manifestime në zonën e pushtimit austriak për të kërkuar këthimin e Princit, i cili simbolizonte pavarësinë kombëtare.
Mbasi Greqia, gjer në Qërshor 1917, qëndroi asnjanëse dhe mbreti Konstandin prirej nga Perandoritë qendrore, ushtëria austriake nuk hyri në zonën e pushtuar prej Grekëvet. Por kuptohej se politika e Venizellos, e lidhur me fuqitë e Entente-ës, do t'a hidhte më në fund Greqinë n'anën e tyre. Prandaj Austro-Hungaria iu dha përkrahje Shqiptarëvet që përpiqëshin për të dëbuar Grekët prej rrethevet të Korçës. çetat e Sali Butkës u armatosën dhe u ndihmuan prej kumandës austriake.
E dyta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë gjatë Luftës së Parë botërore ishte Italia. Kjo e pati zënë Vlorën që në mbarim të Dhjetorit 1914, kur s'kishte hyrë akoma në luftë. Por fuqitë e shumëta i shkarkoi në Shqipëri gjatë vitit 1916, për t'i bërë kundër-peshë ushtërisë austro-hungareze. N'atë kohë, pjesa m'e madhe e Toskërisë ishte e pushtuar prej trupavet greke të mbretit Kostandin. Greqia i quante krahina të sajat Korçën dhe Gjirokastrën qysh se, në Jenar të vitit 1916, kishte vendosur që "deputetët" e "Vorio-Epirit" të bënin pjesë në parlamentin grek. Mirëpo Italia nuk desh të pengohej në Shqipërinë e jugës prej ushtërivet greke dhe i pëlqente t'ishte në pozita më të forta për të shkëputur për vehte copën më të madhe kur të ndahej vendi në mbarim të Luftës. Mbasi Greqia qëndronte akoma asnjanëse, ushtëria italiane kishte edhe një arësye tjetër, strategjike, për t'u ndërlidhur me frontin aliat të Selanikut nëpër rrugën tokësore që niste prej Sarande dhe kalonte nga Kalibaqi e Korçfare. Prandaj, në Gusht 1916, ushtëria italiane u vu t'i përzinte Grekët nga Shqipëria jugore dhe pushtoi me radhë Gjirokastrën, Sarandën, Tepelenën, Këlcyrën, Përmetin; disa muaj më vonë, në fillim të vitit 1917, zuri Leskovikun, Ersekën, dhe bëri pjekje me trupat frënge në Qafën e Qarrit. Kështu Italia i shporri Grekët prej asaj pjese t'Epirit q'e kishin bërë gjak e gërmadhë.
E treta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë u bë Franca. Disa trupa t'Armatës frënge të Lindjes, me qendrën në Selanik, zunë Korçën në Tetor të vitit 1916 dhe u shtrinë nga Perëndimi gjer në Gorë e Opar. Kështu vija e frontit midis dy palëvet ndërluftonjëse (Italia e Franca, nga juga, Austro-Hungaria, nga veriu) ndiqte anën e Vjosës, në veri të Vlorës, kalonte nëpër Mallakastër, Skrapar, Tomorricë, Vërçë, Mokër e delte në Pogradec. Dhe, me fort pak ndryshime, mbeti aty pothuajse gjer në mbarim të Luftës.
Kur ushtëria frënge zuri Korçën, Greqia ishte e ndarë, siç thamë, në dy parti kundërshtare: n'atë të mbretit Kostandin, që anonte nga Perandoritë qendrore, dhe n'atë të Venizellos, që mbante nga Aliatët. Në Shtator 1916 Venizelloja kishte formuar një qeveri më vehte në Selanik, kundër asaj s'Athinës. Prandaj kumanda frënge i përzuri prej Korçe ushtarakët e Kostandinit dhe ua lëshoi administratën e atij qarku partizanëvet të Venizellos. Ky dërgoi si prefekt në Korçë një të besuarin e tij, Argjiropullos, dhe si fuqi një batalion ushtarësh.
Mirëpo lëvizja shqiptare për çlirimin e Korçës po bëhej gjithmonë m'e fortë. Përveç qëndresës së Myslimanëvet, Korçfare shquhej për gjallërinë e atdhetarëvet orthodoks, të cilët qenë përpjekur me aq guxim për çeljen e shkollavet shqipe dhe u dalluan kudo në fushën e veprimtarisë kombëtare. Një prej këtyre ishte Themistokli Gërmenji q'e kemi përmendur më sipër. Pas ripushtimit të Korçës prej Grekëvet, në verën e vitit 1914, Themistokliu kishte shkuar në Sofje. U kthye që andej më 1916, kur ushtëritë austro-hungareze dhe bullgare kishin hyrë në Shqipëri, dhe kur ai mendonte se mund të bëhej diçka për të çliruar krahinat jugore t'atdheut. Duke gjetur një mbështetje të parë në çetat e Sali Butkës, Themistokliu e zgjeroi rrethin e vepërimit, dhe lëvizja kombëtare në qarkun e Korçës u bë kërcënonjëse për Grekët.
Kumanda frënge ishte në dijeni të gjendjes, dhe nuk donte që në zonën ushtarake të saj të vazhdonin trubullimet ndërmjet Shqiptarëve e Grekëve, gjë që do t'i nxirte mjaft ngatërresa, se Shqiptarët mund të ndihmohëshin me armë e mjete prej Austriakëvet. Pastaj n'atë kohë ushtëria frënge s'po shihte ndonjë dobi nga Grekët, të çarë siç ishin në dy parti. Kurse po t'ua linte administratën e Korçës Shqiptarëvet, që ishin të zotët e vendit, jo vetëm që do t'i kishte prapavijat të sigurta dhe s'do t'i duhej asnjë fuqi për të mbajtur rregullin n'atë krahinë, po edhe mund t'i përdorte Shqiptarët si një forcë n'interes të saj në vend që t'i bënte të hidhëshin në duart e Austro-Hungarezëvet. Këtë llogari të thjeshtë e tregon vetë në shkrimet e tija të pastajme koloneli Descoins kumandari i trupavet frënge në Korçë.
Kështu, duke shikuar më fort interesat e saja ushtarake se sa lëmshin e koklavitur të politikës së Parisit, kumanda frënge, për t'a qetësuar krahinën, i përzuri prej Korçe edhe Grekët venizellistë edh' erdhi në marrëveshje me Shqiptarët. Më 10 Dhjetor 1916, u nënshkrua një protokoll ndërmjet kolonelit Descoins dhe përfaqësonjësve të Korçës, me një përmbajtje që i njihte krahinës autonominë dhe e linte administratën e saj në duart e Shqiptarëvet. U formua menjëherë një këshill administrativ prej 14 vetash, nën drejtimin e Themistokli Gërmenjit, dhe u hartuan rregulloret për degët e ndryshme t'administratës. Sipas marrëveshjes me kumandën frënge, gjuha zyrtare e krahinës do t'ishte shqipja, administrata, arësimi, financat, gjyqet, do t'ishin në duart e këshillit, i cili do të krijonte edhe një gjindarmëri shqiptare për të mbajtur rregullin. Flamuri i krahinës autonome do t'ishte ai i Shqipërisë, por bashkë me një shirit të tringjyrëshit të Francës. Do të formohej me Shqiptarë një regjiment këmbësorie nën urdhërat e kumandës frënge, i cili do të shërbente pranë kësaj si një fuqi e vogël aliate. Ky regjiment u shqua për trimëri dhe u çmua prej shtabit t'Armatës së Lindjes si një nga më të mirët që kishte ushtëria frënge.
Përzënia e Grekëvet prej Korçe dhe kalimi i administratës s'asaj krahine në duart e Shqiptarëvet ishte si një çap i parë drejt rimëkëmbjes së shtetit shqiptar të 1913-ës. Me këtë vepërim, lëvizja kombëtare, përbrenda, forcohej, dhe plani i copëtimit, për diplomacinë e jashtëme, vihej si një çështje për t'u rishikuar. Grekët ishin të parët që e kuptonin këtë gjë, prandaj bënë përçapje energjike pranë ministrisë frënge të Punëve të Jashtëme, e cila i kërkoi menjëherë shpjegime kumandës s'Armatës së Lindjes në Selanik. Por duket se gjenerali Sarrail shikonte më shumë nevojat e luftës se sa ato të politikës, prandaj, me një farë përçmimi që kanë zakonisht ushtarakët për diplomatët, iu përgjigj Ministrisë së Punëve të Jashtëme shkurtazi dhe prerë: "Korçfare deshi t'ishte autonome dhe ashtu u bë. Tani n'atë krahinë ka qetësi e rregull".
Këshilli administrativ i Korçës e qeverisi vendin në një mënyrë shembullore. Shkollat greqishte u mbyllën. Në vend të tyre u hapën nja 60 shkolla fillore shqipe për tërë qarkun dhe një shkollë e mesme brenda në qytet. Drejtësia u vu e rregullt. Të hyrat e të dalat financiare u organizuan aq mirë sa që buxheti tepëroi. Themistokliu ishte atdhetar i pastër, dhe jo vetëm që dha shembullin e qeverisjes më të ndershme, po edhe u mundua të pajtonte shpirtrat e elementeve të të dy fevet në frymën e vëllazërimit kombëtar. Autonomia e Korçës u prit mirë në tërë Shqipërinë. Dhe ndoshta ishte ajo që e shtyti më shumë kumandën austro-hungareze të bënte në zonën e saj një premtim t'autonomisë shqiptare, më 23 Jenar 1917.
Mjerisht, punët muarën një tjetër rrjedhë. Ndën shtrëngimin e Aliatëvet, mbreti Kostandin i Greqisë abdikoi duke ia lënë fronin të birit, Aleksandrit I, i cili thirri në fuqi qeverinë e Venizellos dhe ky iu shpalli luftë Perandorivet qendrore, më 29 Qërshor 1917. Atëhere qëndrimi i Frënqvet kundrejt krahinës autonome të Korçës ndryshoi. Me urdhër të Parisit, ata filluan të përkrahnin përsëri Grekët dhe të lejonin hapjen e shkollavet greqishte duke iu nxjerrë pengime Shqiptarëvet. Grekëve e grekomanëve iu shërbente edhe Esad Toptani me disa bejlerë të rrethit të tij. Më në fund, me shtytjen e qeverisë s'Athinës dhe duke u pështetur në kallëzimet shpifarake të grekomanëvet, Frënqtë e arrestuan Themistokli Gërmënjin, se gjoja ishte në lidhje të fshehta me Austro-Hungarezë e Bullgarë, dhe e hoqën në Selanik, ku gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes e dënoi me vdekje. Theror i idealit të tij dhe i denjë gjer përpara vdekjes, Themistokliu u pushkatua më 9 Nëntor 1917. Me atë, lëvizja kombëtare humbiste një burrë nga më të vlefshmit.
Kumanda frënge e prishi marrëveshjen me këshillin shqiptar, më 16 Shkurt 1918, dhe e mori vetë në dorë administratën e Korçës. Por Grekët nuk i lejoi që të hynin përsëri n'atë krahinë, shkollat shqipe nuk i mbylli dhe nëpunësit shqiptarë t'administratës i mbajti, si edhe gjindarmërinë shqiptare. Flamuri shqiptar vazhdoi të ngrihej bashkë me atë të Francës.
Përveç krahinës së Korçës, dhe pjesës më të madhe të vendit që ndodhej ndën ushtërinë austro-hungareze, ishte edhe zona e pushtimit italian, e cila kishte shumë rëndësi për t'ardhmen e kombit shqiptar sepse Italia do të mbetej, pas fitores s'Aliatëvet, shteti m'i interesuar për Shqipërinë. Më 3 Qërshor 1917, në përvjetorin e Kushtetutës s'Italisë, kumandari i përgjithshëm i ushtërisë italiane në Shqipëri, gjenerali Ferrero, n'emër të qeverisë së Romës, bëri në Gjirokastër një shpallje drejtuar gjithë Shqiptarëvet, me anën e së cilës siguronte bashkimin dhe pavarësinë e tërë Shqipërisë ndën mprojtjen e Mbretërisë s'Italisë. Menjëherë pas shpalljes, u ngrit në Gjirokastër flamuri shqiptar dhe u bënë disa manifestime. Italianët filluan të hapnin shkolla, ku shqipja mësohej bashkë me italishten. Duket se n'atë kohë Italia e kishte vënë në mendje që t'a përfshinte të tërë Shqipërinë në sferën e saj, pa iu dhënë gjë fqinjëvet ballkanase. Prandaj edhe shpalljen e bëri qëllimisht në Gjirokastër, qëndra e intrigavet të Grekëvet dhe të grekomanëvet. Ngaha i erdhi ky guxim? Ndoshta sepse Rusia, përkrahësja e Serbisë, u paralizua prej revolucionit të brendshëm, dhe se Greqia, deri atëhere, s'kishte marrë akoma pjesë në luftë.
Disa ditë pas shpalljes së gjeneralit Ferrero, ministri italian i Punëvet të Jashtëme, baroni Sonnino, duke dhënë shpjegime në parlament mbi çështjen shqiptare, theksoi se Vlora me rrethet do t'aneksohëshin dhe se vetëm pjesët e tjera të Shqipërisë do të përbënin një shtet gjoja të pavarur, ndën mprojtjen e Italisë. Kjo ishte politika kundrejt Shqipërisë që desh të ndiqte Italia në Konferencën e Paqes, siç do t'a shohim më poshtë.
Në dy-tre vjetët e fundit të Luftës së Parë botërore, pushtimi i krejt Shqipërisë prej ushtërivet austriake, italiane e frënge, ndonëse e bëri vendin shesh betejash e dëmtimesh dhe shkaktoi aq humbje e vdekje prej epidemivet që u përhapën, kur e krahasojmë me gjendjen e mëparëshme, mund të thuhet se qe një periudhë m'e mirë nga ç'patën hequr Shqiptarët ç'prej Luftës ballkanike. Shërbimi m'i madh që i prunë vendit ushtëritë evropiane, ishte që e liruan prej Serbo-Malazezvet dhe Grekëvet. Gjithkush u kthye në vatrën e tij ose në gërmadhën e djegur për të rifilluar jetesën. Ushtëritë evropiane, përveç që iu mësuan Shqiptarëvet administratën e rregullt dhe çelën mjaft shkolla shqipe, sidomos Austriakët, ndreqën edhe ca rruga e ura për nevojat e tyre dhe lanë mjaft material, i cili vlente shumë në një vend aq të varfër sa Shqipëria.
Por vuajtjet e atij populli të mjerë, gjithmonë nëpër këmbët e të huajvet, ishin si fazat e një sëmundjeje kronike që vazhdon e paprerë. Të dëbuar prej Korçe dhe Gjirokastre, Grekëve s'iu mbetej tjetër viktimë se ku t'i shfrenin instinktet e tyre shtazore veçse mbi popullin e çamërisë. Në Mars të vitit 1917, terrori i bandavet greke në çamëri arriti në një shkallë t'atillë sa që katërqind familje orthodokse shqiptare u ngritën me armë në dorë kundër autoriteteve të Janinës, duke kërkuar që t'iu jepej fund vrasjevet dhe tmerrevet kundrejt Shqiptarëvet myslimanë. Qeveria e Athinës, me anën e terrorit, donte t'ua bënte këtyreve të fundit jetën të pamundur, për t'i shtrënguar që të braktisin vatrat stërgjyshore e t'iknin. Këto "metoda" Greqia i ndoqi vazhdimisht kundrejt popullsisë shqiptare të çamërisë, gjersa e zhdukën pothuajse krejt pjesën myslimane.
Kur Lufta e Parë botërore kishte hyrë në fazën e fundit dhe nuk dihej akoma se çfarë peripetish do të ndiqte drami shqiptar, plasi si një bombë dalja në shesh e traktatit të fshehtë të Londrës. Kjo ndodhi nga mbarimi i vitit 1917, kur Bolshevikët, në Rusi, pasi muarën fuqinë me Revolucionin e Tetorit, botuan arkivat e fshehta të ministrisë së Carit. Përmbajtja e atij traktati famëkeq u botua menjëherë prej autoritetevet austro-hungareze në gazetat shqipe të zonës së tyre, dhe u përhap në tërë botën. Plani i copëtimit të Shqipërisë ia griste maskën demagogjisë s'Aliatëvet që bërtisnin se gjoja luftonin për lirinë e popujvet. Shqiptarët po e shihnin tani se ç'fat i priste. Prandaj u vunë menjëherë në lëvizje për t'i dalë zot tërësisë s'atdheut. Në këtë fushatë, u dallua sidomos Federata Panshqiptare Vatra, e Amerikës. Ajo mund të bënte diçka më shumë në botën e jashtëme, jo vetëm se kishte mjete, po edhe sepse Shtetet-e-Bashkuar, që patën hyrë në Luftë përkrah Aliatëvet më 2 Prill 1917, s'ishin të lidhur me traktatin e fshehtë të Londrës. Mandej Presidenti Wilson ishte idealist i paqes.
Lufta e Parë botërore mbaroi në Nëntor të vitit 1918. Duke ndjekur ushtërinë austro-hungareze në tërheqje, Italianët pushtuan tërë Shqipërinë e Mesme dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë së veriut. Frënqtë mbajtën vetëm qarkun e Korçës gjer në Pogradec. Por dërguan disa reparte në Shkodër, e cila u vu përsëri nën kontrollin ndër-aliat, siç kishte qënë përpara Luftës, gjersa të vendosej se kujt do t'i binte në pjesë. Si kumandar i fuqisë ndërkombëtare të Shkodrës u caktua gjenerali frëng de Fourtou. Kurse Serbët, me pëlqimin e gjeneralit frëng Franchet d'Espërey, kumandari i ushtërive aliate të Lindjes, u ngulën përsëri në vijën "strategjike" mb'atë anë Drinit, në një zonë që përfshinte rrethet e Peshkopisë, të Kukësit, dhe arrinte gjer në malësinë e Kelmendit. Grekët nuk mundën të përparonin me ushtëri në tokat shqiptare, mbasi krahinat e jugës ndodhëshin të pushtuara prej Italianëve dhe Frënqve.
Konferenca e Paqes u hap në Paris më 18 Jenar 1919. Përveç fuqive të mëdha evropiane - Angli, Francë, Itali - merrnin pjesë Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës dhe Japonia. Megjithë deklaratën e Kryeministrit t'Anglisë, Lloyd George, dhe shpalljen e "14 pikavet" të Presidentit Wilson t'Amerikës, fryma që mbizotëronte në Konferencën e Paqes ishte ajo e imperializmit të zakonshëm, e ndarjes së botës në zona ndikimi e shfrytëzimi, në bazë t'ekuilibrit të forcavet. As nuk mund të pritej që Georges Clemenceau-j i Francës (i mbiquajtur "Tigër") dhe Lloyd George-i i Anglisë të kishin një tjetër mendësi e plan për ndërtimin e botës. Është e vërtetë se, pas Luftës, dolën disa shtete të pavarur n'Evropën qendrore e lindore, por ajo u bë për t'i shkëputur ata popuj prej sundimit gjermano-austriak e prej Rusisë bolshevike, dhe për t'i lidhur pas Franko-Britanikëvet. Politika frënge krijoi edhe Jugosllavinë e madhe, me bashkimin e Serbve, Malazezve, Kroatëve e Sllovenëve në një shtet të vetëm, për t'ia vënë si një pengesë racës gjermane n'Evropën e jugë-lindjes. Sa për "14 pikat" e Wilson-it, që mpronin të drejtën e pavarësisë politike për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, mbetën pothuajse edhe ato si një "parim i shënjtë" në botën e realitetevet.
Në mbarimin e Luftës, Shqiptarët i shtuan përpjekjet për t'i dalë zot vendit të tyre, por s'kishin as këtë radhë një qendër as program të përbashkët. Përveç kolonivet t'Amerikës, të Rumanisë, të Turqisë etj., bënin zhurmë përjashta edhe grupet e refugjatëve politikë që kishin qëndruar n'Itali e në Zvicër gjatë Luftës. Pjesa m'e madhe e këtyre të fundit përgjithësisht bejlerë, mbahej me politikën italiane. N'Amerikë, Federata Panshqiptare "Vatra" dhe "Partia Politike Kombëtare" përpiqëshin me anë thirrjesh e protestash t'a kundërshtonin planin e copëtimit, por as këto nuk shihnin mënyrë tjetër sesi mund t'iu qëndrohej fqinjëvet ballkanike pa përkrahjen e Italisë. Edhe në Shqipëri brenda, atdhetarët ishin vënë në lëvizje, po ç'të bënin dhe kujt t'i drejtohëshin? Kosovarët e mërguar formuan një komitet të quajtur "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", me qendrën në Shkodër. Të tjerë grupe formonin të tjerë komitete, por delte gjithmonë e njëjta pyetje: ç'duhej bërë?
Duke parë se Shqiptarët s'kishin nga të mbanin, Italia u mundua t'i tërhiqte n'anë të saj nëpërmjet premtimesh të lira, por pa hequr dorë as nga aneksimi i Vlorës as nga qëllimi i protektoratit mbi pjesën tjetër të vendit. Kurse Shqiptarët vetë, mënjanë grindëshin midis tyre duke e paditur pala palën si agjentë t'Italisë, n'anën tjetër, ngado që të këthehëshin, do të përpiqeshin tek Italia. E vërteta ishte se, kundrejt copëtimit më trish që vuloste zhdukjen e Shqipërisë përgjithmonë, mbetja e tërë vendit ndën Italinë paraqitej si e keqja më pak e keqe. Pastaj marrëdhëniet me Italinë ishin të përditshme, mbasi ajo ndodhej me ushtëri pothuajse në tërë Shqipërinë. Por mendimet e Shqiptarëvet në lidhje me politikën italiane ndryshonin në këtë pikë: pala e atdhetarëvet më të guximshëm ngulmonte se i duhej kërkuar Italisë që të hiqte dorë prej Shqipërie dhe t'i jepte kësaj përkrahjen kundrejt fqinjëvet. Ajo mendonte se ndërmjet Italisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra, kishte mjaft kundërshti (kontradikta) interesash, e prandaj Italianët, pavarësisht nga qëndrimi i Shqiptarëvet kundrejt tyre, do të detyroheshin t'i jepnin përkrahjen Shqipërisë. Kurse pala e bejlerëvet të mëdhenj (zakonisht më politikanë) mendonte se Italisë i duhëshin bërë disa lëshime (por pa shkuar gjer tek njohja e aneksimit të Vlorës), sepse vetëm nën hijen e asaj mund të formonin Shqiptarët një qeveri dhe mund të paraqitëshin në Konferencën e Paqes. Formimi i një qeverie ishte puna m'e ngutëshme, se përndryshe s'kish sesi të dëgjohej zëri i Shqipërisë atje ku ndahej fati i popujvet. Krijimin e një përfaqësie të ligjshme shqiptare, por të lidhur pas rrotavet të saja, e donte edhe Italia për t'a përdorur në Konferencën e Paqes për qëllimet e veta. Kjo nevojë bëhej m'e ndieshme akoma kur dihej se Esad Toptani, në shërbim të Jugosllavisë e i përkrahur prej Francës, ishte shtruar në Paris dhe e paraqiste vehten si "qeveri legale" e Shqipërisë.
Për këto arësye, me bekimin e Italisë u mblodh në Durrës, ish-kryeqytetin, një lloj kuvendi kombëtar prej të cilit do të krijohej një organ shtetëror. Të dërguarët, rreth 50 vetash, kishin ardhur nga viset që ndodhëshin ndën pushtimin italian (përveç Vlorës); mungonin gjithashtu përfaqësonjësit e krahinavet të zëna prej ushtërivet frënge e serbe. Kuvendi u hap më 25 të Dhjetorit 1918 dhe nxori prej gjirit të tij një qeveri të përkohshme nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, i cili kish kryesuar edhe qeverinë e Vidit më 1914. Italinët patën kërkuar që të formohej vetëm një "këshill kombëtar", por- Shqiptarët e mbledhur në kuvend anonin më fort nga pavarësia dhe e drejta e vetvendosjes, prandaj ngrehën një qeveri. Dhe për t'a bërë këtë të pranuarshme prej Italisë, emëruan si ministra disa miq të saj, Myfit Libohovën, Mustafa Krujën, Fejzi Alizotin, e të tjerë. Kuvendi i Durrësit caktoi edhe komisionin që do të shkonte në Konferencën e Paqes, dhe i ngarkoi qeverisë si detyrë që të kërkonte jo vetëm pavarësinë kombëtare, por edhe ndreqjen e padrejtësivet tokësore që i qenë bërë Shqipërisë prej Konferencës së Londrës dhe Kongresit të Berlinit.
Ndonëse Italia ngurroi për t'a njohur këtë qeveri dhe, në fillim, nuk desh t'a përfillte, dërgata shqiptare, e përbërë prej Turhan Pashës, Mehmet Konitzës, Imzot Bumçit, Dr. Mihal Turtullit dhe Midhat Frashërit, u nis për në Konferencën e Paqes, në Paris. Më 15 të Shkurtit i paraqiti Konferencës memorandumin e parë me kërkesat shqiptare dhe, pas nja dhjetë ditësh, më 24 Shkurt, një memorandum të dytë "Këshillit të Lartë" të pesë fuqivet të mëdha, që pati edhe mirësinë t'a dëgjonte. Në të dy rastet, dërgata shqiptare pavarësinë e Shqipërisë e paraqiti si një çështje të vendosur që më 1913, dhe kërkoi ndreqjen e gabimevet të bëra në dëm të saj prej Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, që iu patën njohur shtetevet fqinjë krahina të banuara tërësisht prej Shqiptarësh. Pa e prekur drejtpërdrejt Italinë, dërgata shqiptare kritikoi lakmitë e pangopshme të fqinjëvet ballkanike dhe mënyrat e tyre kundrejt Shqipërisë. "Unë jam vetë i krishter orthodoks prej Korçe", foli Dr. Turtulli përpara Këshillit të të pesëve, "dhe ua them me ndërgjegje se në tërë qarkun e Korçës nuk ka asnjë Grek... Epiri s'ka qënë kurrë pjesë e Greqisë... Por Grekët quajnë "Grekë" Shqiptarët e fesë orthodokse... Ngjarjet e 1914-s u organizuan dhe u drejtuan prej oficerësh grekë. Zografi dhe Karapanoja, që i kryesonin, janë Grekë. Ata përdorën si mjet andartët keqbërës të Gjiritit dhe ushtarë grekë që s'kishin xhveshur as uniformat".
Mirëpo "gjyqi" i fuqivet të mëdha i ngjan atij të përrallës së La Fontaine-it në "Kafshët e sëmura nga murtaja". Aty nuk dëgjohet ai që ka të drejtë, por ndahen çështjet sipas interesit të më të mëdhenjvet, në përpjesëtim me forcën e secilit. Paraqitja e popujve të vegjël (ose të dobët) luhet si një komedi rituale për t'i hedhur hi syvet opinionit të masavet. Sepse, në të vërtetën, kur flasin përfaqësonjësit e tyre përpara këshillit të të mëdhenjvet, askush prej antarëvet mjekërr-nderuar të këtij s'e ka mendjen aty: njëri dremit, tjetrit i vinë gogësima, i treti kujton ndonjë aventurë... e kështu me radhë. Dhe s'kanë sesi t'a lodhin mendjen duke dëgjuar mbasi ata do të vendosin sipas udhëzimevet që marrin prej ministrivet të tyre dhe jo në bazë të së vërtetës që duan të provojnë popujt e vegjël. Në rastin e Shqipërisë, interesat e të mëdhenjvet gjenin edhe një tjetër arësye se ku të pështetëshin: pas ngjarjevet fatkeqe të vjetëvet 1913-1914, askush nuk besonte më në kombësinë shqiptare ose në zotësinë e kësaj për t'u vetqeverisur. Prandaj të mëdhenjtë, sidomos Franca e Anglia, e kishin ndarë mendjen që problemin e Shqipërisë t'a rregullonin sipas traktatit të fshehtë të Londrës.
Sa për shtetet drejtpërdrejt t'interesuar, domethënë Itali, Greqi e Jugosllavi, mbanin secili qëndrimin e vet. Italia, pasi të merrte Vlorën me një zonë rreth e qark, donte që pjesët e tjera të Shqipërisë, brenda kufijvet të l9l3-ës, të formonin një shtet shqiptar nën mprojtjen e saj. Greqia, në memorandumin që i paraqiti Konferencës së Paqes, kërkonte prej Shqipërie Korçën dhe Gjirokastrën, duke u pështetur jo në kombësinë, por në "ndjenjat" e popullsisë së këtyre krahinave dhe në "lartësinë e qytetërimit helenik". Venizelloja nuk e mohonte se Shqiptarët orthodoks flisnin shqip në familjet e tyre. Por ndjenjat, thoshte ai, i kanë greke. Sipas atij, gjuha dhe raca s'kishin rëndësi: ajo që duhej marrë parasysh ishte ndërgjegjia kombëtare. Dhe sillte si shembuj disa nga heronjt e Kryengritjes greke, të cilët, ndonëse Shqiptarë me gjuhë e fis, kishin qënë Grekë me ndjenja.
Kurse Jugosllavia, që loste një kartë më të madhe, mbajti një qëndrim të ndryshëm: ajo kishte më shumë interes që të mos hidhej Italia në Ballkan, se sa të merrte vetë një copë prej Shqipërisë-së veriut. Jugosllavia me Italinë do të hahëshin kështu e tutje për sundimin e Adriatikut, si dikur Austro-Hungaria me Italinë. Prandaj Jugosllavia donte njëherë t'a mbante Italinë përtej detit, pastaj shtetin shqiptar mund t'a shkallmonte ca nga ca, ashtu si provoi më vonë. Për këto arësye, Jugosllavia s'kërkonte gjë për vehte nëqoftëse edhe të tjerët nuk kërkonin, dhe propozoi njohjen e shtetit shqiptar të pavarur me kufijtë e 1913-ës. Por nëqoftëse të tjerët nuk e pranonin këtë propozim, atëhere kërkonte edhe ajo pjesën e saj: Shqipërinë e veriut gjer në Drin, duke premtuar se qytetit të Shkodrës do t'i linte një farë autonomie.
Nga fuqitë e mëdha, Shqiptarët prisnin që të përkrahëshin të paktën prej Amerikës, mbasi ajo s'e kishte nënshkruar traktatin e fshehtë të Londrës dhe se "14 pikat" e Wilson-it ishin në të mirë të popujve të vegjël. Por Amerika s'mund t'i binte ndesh politikës së fuqivet të mëdha evropiane, sidomos aneksimit të Vlorës prej Italisë. Atëhere të qenët e kësaj në Shqipëri, çonte vetvetiu Greqinë dhe Jugosllavinë që të kërkonin "pjesën" e tyre. Prandaj Amerika, në fillim, mbajti një qëndrim të mesëm, që nuk i kënaqte plotësisht kërkesat e fqinjëvet, por as Shqipërinë s'e shpëtonte dot nga humbja: ajo i njihte Italisë aneksimin e Vlorës e mundësisht mandatin mbi shtetin shqiptar që do të mbetej; pranonte që Greqia të merrte krahinën e Gjirokastrës por jo Korçën; kurse Jugosllavisë nuk i bënte lëshime tokësore, por i njihte disa të drejta tregëtare dhe ndërtimin e një hekurudhe në Shqipërinë e veriut. Vetëm më vonë, kur këto kushte nuk u pranuan prej fqinjëvet, dhe Franca me Anglinë vendosën ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Presidenti Wilson e kundërshtoi këtë vendim kategorikisht. Kundërshtoi gjithashtu që Shqipëria të përfshihej në "çështjen e Adriatikut", domethënë nuk desh që Jugosllavia të shpërblehej me toka shqiptare për lëshimet që ajo munt t'i bënte Italisë n'Adriatikun e veriut. Ky qëndrim i Wilson-it i dha një farë mbështetjeje çështjes shqiptare dhe e xvarnisi vendimin e copëtimit deri sa Shqiptarët vetë, me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës, e shpëtuan vendin e tyre nga vdekja.
Kërkesat e paraqitura prej dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes iu dhanë për shqyrtim komisionit të posaçëm që ishte formuar për çështjet greke, me përfaqësonjës t'Anglisë, të Francës t'Italisë dhe t'Amerikës, nën kryesinë e diplomatit frëng J.-M. Cambon. Por aty seicili prej antarëvet të komisionit i mbahej politikës së shtetit të vet dhe nuk shikonte se ç'kërkonin Shqiptarët. Prandaj, në raportin që ky komision i parashtroi Këshillit të Lartë të Konferencës nga fillimi i Marsit 1919, çfaqëshin mendime të ndryshme; përfaqësonjësi italian kërkonte njohjen e shtetit shqiptar me kufijtë e 1913-ës (natyrisht, nën mprojtjen e Italisë dhe pasi kjo t'aneksonte Vlorën). Kurse Franca dhe Anglia propozonin që t'i jepeshin Greqisë Korçfare e Gjirokastra. Përfaqësonjësi i Amerikës mbante një rrugë të mesme, për t'i lëshuar Greqisë një copë nga ana e Gjirokastrës por jo krahinën e Korçës. Në këto kushte, Këshilli s'mund të merrte një vendim, dhe çështja shqiptare mbeti varur. Mbasi ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë kundërshtimi m'i madh delte për ndarjen e trashëgimit të Perandorisë austro-hungareze mbi bregun veri-lindor t'Adriatikut, çështja shqiptare qëndronte e lidhur edhe me këtë problem.
Duke parë gjithë këto koklavitje dhe se në Konferencën e Paqes nuk kishin pothuajse asnjë përkrahje përveç simpathisë s'Amerikës, Shqiptarët menduan një çast t'i a besonin kësaj fatin e vendit të tyre, për t'i shpëtuar copëtimit. Ky mendim u forcua me ardhjen e përfqësonjësve të kolonivet, nga Shtetet-e-Bashkuar, Rumania e Turqia, të cilët në fillim u bashkuan me dërgatën e qeverisë së Durrësit. I shtytur prej shumicës, Turhan Pasha i drejtoi Konferencës së Paqes, më 7 Mars, një notë me anën e së cilës propozonte që krahinat e kundërshtuara, Korçë e Gjirokastër, bashkë me tokat e tjera shqiptare që Konferenca e Londrës dhe Kongresi i Berlinit iu patën lëshuar shtetevet fqinjë, të pushto- hëshin dhe t'administrohëshin për një vit a dy prej Amerikës; mandej t'organizohej një plebishit ndën kontrollin ndërkombëtar në të gjitha ato krahina, për t'ia lënë popullit të tyre të drejtën e vetvendosjes nëse do të donte të bashkohej me Shqipërinë apo të bënte pjesë me fqinjët.
Qëndrimi i përbashkët i dërgatavet shqiptare në Konferencën e Paqes nuk vazhdoi gjatë. Përfaqësonjesit e kolonivet dhe disa nga ata të qeverisë së Durrësit filluan t'a shihnin punën drejt, se rrezikun Shqipërisë po ja sillte Italia. Përsa kohë që kjo nuk hiqte dorë nga qëllimi i aneksimit të Vlorës dhe i prokektoratit mbi pjesën tjetër të Shqipërisë, as fqinjët ballkanase, që përkrahëshin prej Francës dhe Anglisë, nuk mund të hiqnin dorë së kërkuari "pjesën" e tyre. Dhe logjikërisht çështja shqiptare duhej të përfundonte me copëtimin më trish, siç qe parashikuar në traktatin e fshehtë të Londrës. Prandaj pala m'e ndërgjegjëshme e atdhetarëvet vendosi të delte haptas kundër politikës s'Italisë, duke shpresuar në përkrahjen morale t'Amerikës dhe mundësisht në një ndërrim qëndrimi t'Anglisë, e cila kish nisur të ndjente erë vajguri në Shqipëri... Kurse një pjesë e qeverisë së Durrësit, me Turhan Pashën në krye, nuk shihte-tjetër përkrahëse përveç Italisë për të mprojtur kufijtë e 1913-ës kundrejt fqinjëvet ballkanase.. Prandaj vazhdoi të mbetej e pështetur pas kësaj, duke u munduar t'i zbuste kërkesat italiane ose të gjente disa formula e shprehje të ndërmjeme për t'ua fshehur kuptimin.
Kështu, që në Prill 1919, dërgatat shqiptare në Konferencën e Paqes u ndanë në dy grupe, duke paraqitur nga një memorandum të veçantë. Grupi i atdhetarvet më largpamës, i cili përbëhej prej përfaqësonjësve të kolonivet dhe disa antarëve të qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha Konferencës, më 14 Prill, e thoshte qartë se pushtimi i Vlorës nga ana e Italisë dhe protektorati i kësaj mbi Shqipërinë do të bëhëshin shkak grindjesh dhe konfliktesh të reja në Ballkan; prandaj kërkonte hedhjen poshtë t'asaj pjese të traktatit të Londrës që kish të bënte me Shqipërinë, njohjen e pavarësisë së kësaj dhe zbatimin e parimit të kombësivet për krahinat shqiptare mbetur jashtë kufijvet të 1913-ës. Ky grup, për të larguar Italinë, kërkoi që Shqipëria të vihej përkohësisht nën mandatin e Amerikës, e cila nuk ishte drejtpërdrejt e interesuar në Ballkan.
Kurse grupi pro-italian i qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha edhe ai Konferencës në të njëjtën ditë, hidhte poshtë kërkesat e fqinjëvet ballkanase, kërkonte njohjen e kufijvet të 1913-ës ose edhe më shumë, por nuk e zinte me gojë Italinë dhe mundohej t'a zbuste kuptimin e një protektorati nga anë e kësaj, duke e quajtur "ndihmë dashamirëse" që njëra nga fuqitë e mëdha aliate duhej t'i jepte Shqipërisë për një kohë të caktuar. Por "fuqinë e madhe aliate" do t'a zgjidhte vetë qeveria shqiptare (dhe s'donte mend të kuptohej se do të "zgjidhte" Italinë). Kështu, "pavarësia" e Shqipërisë duhej të mbetej e paçënuar.
Për t'iu vënë punëvet kapak, nuk mungoi t'i jepte Konferences memorandumin e tij edhe Esad Toptani, i cili e mbante vehten si kryetar i "qeverisë shqiptare" legale dhe aliate.
Kuptohet lehtë se të gjitha këto karturina hidhëshin në shportë dhe se askush nuk kishte kohë për të humbur me profkat e Shqiptarëvet. Në qarqet ndërkombëtare dëgjohet vetëm një lloj fjale dhe një lloj oshëtime: fjala që jehoi në Kongresin e Lushnjës dhe oshëtima që bumbulloi rreth Vlorës, më 1920.
Mbasi traktati i paqes me Gjermaninë (i cili u nënshkrua në Versailles, më 28 Qërshor 1919) ishte në pregatitje e sipër, u shtruan në tryezën e gjelbër, që në Prill e Maj, edhe çështjet që lidhëshin me Austro-Hungarinë, në radhë të parë ajo e ndarjes së krahinavet t'Adriatikut ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Disa prej atyre vendeve i qenë njohur Italisë në traktatin e fshehtë të Londrës, por ajo kërkonte akoma, sidomos qytetin e Fiumes, të cilin e pushtoi poeti G. d'Annunzio më 1919.
Franca e Anglia, që kishin pasur nevojë për Italinë gjatë luftës, nuk donin tani që kjo të shtrihej shumë në Lindje për t'i bërë konkurencë fuqisë dhe tregëtisë s'atyre. Prandaj kërkonin t'i vinin cak, duke përkrahur Jugosllavinë e Greqinë. Ky ishte shkaku që Franca e Anglia ngulnin këmbë për t'i dhënë Greqisë Korçën dhe Gjirokastrën, sepse nuk donin që ato krahina, nëpërmjet të një shteti shqiptar, të binin nën panxhën e Italisë, e cila do të kontrollonte n'atë mënyrë jo vetëm kanalin e Korfuzit, po edhe rrugën e brendëshme Sarandë-Korçë-Follorinë, që çonte drejt Selanikut. Gjithmonë në pështetje të kësaj politike, Anglia e Franca i lanë dorë të lirë Greqisë që të pushtonte Izmirin, në Maj 1919, kurse në kohën e Luftës atë qytet i patën premtuar Italisë. E gjetur përpara kundërshtimit t'Anglisë e të Francës, të cilat përdornin në lodrën e tyre Jugosllavinë e Greqinë, Italia e ndjeu vehten mjaft të dobët, qeveria e V.E. Orlando-s dha dorëheqjen më 23 Qërshor 1919 dhe u zëvendësua prej asaj të Francesco Nitti-t, me T. Tittoni-n si ministër i Punëve të Jashtëme. Qëllimi i këtij ndërrimi ishte për të zbritur në një politikë kompromisi, të cilën qeveria e re e filloi me Greqinë. Të dy shtetet, duke dashur t'iu gjenin një zgidhje sa më të shpejtë çështjevet që mbetëshin varur midis tyre në Shqipëri dhe në detin Egje, hynë në bisedime të drejtpërdrejta dhe arritën në marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos, që u nënshkrua më 29 Korrik 1919.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Italia dhe Greqia do të përkrahnin njëra tjetrën në Konferencën e Paqes për t'a ndarë Shqipërinë midis tyre ashtu si e kishin parashikuar: Greqia të merrte Korçën dhe Gjirokastrën, Italia Vlorën, e mandej atë copë që mbetej si shtet shqiptar t'a vinte nën mandatin e saj. Greqia zotohej të mbante asnjanësinë e kanalit të Korfuzit dhe t'i lëshonte Italisë për 50 vjet një hyrje të lirë në skelën e Sarandës. Kurse Italia do të përkrahte Greqinë për të marrë Korçën, edhe nëqoftëse Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës do të kërkonin që ajo krahinë t'i mbetej Shqipërisë.
Ndonëse marrëveshja Tittoni-Venizellos ishte e fshehtë, nuk vonoi t'i delte era, dhe Shqiptarët e kuptuan se ajo që po ia gërmihte varrin atdheut të tyre ishte Italia. U vunë në një gjendje të keqe edhe ata që mbahëshin gjer atëhere me politikën Italisë. Për t'iu dhënë Shqiptarëvet përshtypjen se po ua linte atyre admistrimin e vendit, Italia nënshkroi me qeverinë e Durrësit, më 20 Gusht 1919, një marrëveshje, sipas së cilës administrata shqiptare do të shtrihej mbi të gjitha krahinat e pushtuara prej ushtërisë italiane, përveç Vlorës dhe qarkut të saj. Duke pritur vendimin e Konferencës së Paqes, administrata e qeverisë së Durrësit do të shtrihej edhe mbi krahinat që Italia ia kishte njohur Greqisë në marrëveshjen e fshehtë, siç ishte Gjirokastra, ose edhe Korçfare kur të zbrazej prej trupavet frënge. Po ashtu do të përfshihëshin nën të njëjtën administratë krahinat e "zonës strategjike" që mbante Jugosllavia, si edhe Shkodra, kur këto të pushtoheshin prej ushtërisë italiane. Këtë marrëveshje me qeverinë e Durrësit Italia e bëri për të qetësuar disi Shqiptarët, po edhe për të pregatitur bashkimin e vendit nën protektoratin e saj. Sepse marrëveshja përmbante edhe pika të tjera në lidhje me organizimin dhe kontrollin e brendshëm: gjindarmëria dhe
|