|
Berni
|
 |
« më: 17-04-2007, 05:50:09 » |
|
Lufta civile në Shqipëri, që u zhvillua në shtratin e Luftës së Dytë Botërore, është një nga temat më të nxehta në historiografinë shqiptare. Arsyet e këtij konfrontimi historiografik lidhen me emocionet e së shkuarës, të cilat janë ende të gjalla, me interesat politike të atyre grupimeve sociale e politike në Shqipëri, të cilat, duke shënuar një rekord
tmerrësisht negativ në sundimin 50 vjeçar të vendit, janë kapur pas rezistencës antifashiste të shqiptarëve, duke u përpjekur ta monopolizojnë, glorifikojnë dhe ta instrumentalizojnë atë, meqë e
konsiderojnë si i vetmi aset politik, si e vetmja trashëgimi, që u jep një legjitimitet politik për të shkuarën, të sotmen e të ardhmen. Debati, që zhvillohet sot për këtë problem, dëshmon
qartë se, ende një pjesë e shoqërisë shqiptare, nuk është çliruar nga paragjykimet dhe botëkuptimi i së shkuarës. Ky botëkuptim, pjesërisht është peng edhe I deformimeve të rënda, që i janë bërë për më shumë se 60 vjet ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore në
Shqipëri. Pikërisht për këto arsye, libri i ri i Uran Butkës
"Lufta Civile në Shqipëri" është një hap i ri reflektimi, një kontribut në historiografinë së re shqiptare. Qysh në fillim të këtij libri, autori ka vendosur një postulat të vjetër të njerëzimit të shkruar nga Umbmerto Eko, se : "E vërteta do të na bëjë njerëz plotësisht të lirë". Dhe ai i ka qëndruar besnik këtij parimi thelbësor të shkrimit të historisë. Në këtë botim, janë përshkruar me imtësi procesi I rrëshqitjes në Luftën Civile, proces që ka rëndësi të madhe të njihet e të kuptohet. Ashtu si dhe studiuesi i njohur i kësaj periudhe, Prof.Dr.Muharrem Dezhgiu
edhe studiuesi Butka arrin në të njëjtin përfundim, se fillimisht deri në denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga PKSH, dominoi lufta e përbashkët dhe bashkëpunimi midis forcave të ndryshme politike ushtarake nw Shqipëri. Mohimi i kësaj të vërtete të madhe ka qenë njeri nga deformimet më tendenciozë dhe më të rëndë të historisë së kësaj periudhe. Procesi i bashkëpunimit u
shtri në një periudhë të gjatë kohore, qysh nga fillimi i vitit 1943 deri në gusht-shtator të këtij viti. Në këtë botim, përveç dhjetra e dhjetra fakteve, që jepen për të dokumentuar bashkëpunimin dhe rezistencën kundër pushtuesve italianë, pasqyrohet edhe intensiteti i kësaj veprimtarie luftarake si dhe
raporti i forcave për secilën grup të rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe sjell një kontribut shkencor për të provuar strategjitë politiko-ushtarake të forcave të ndryshme të kësaj rezistence. Një informacion i detajuar dhe një analizë e drejtë i
është bërë rolit të emisarëve jugosllavë, të cilët ndërmorrën një sërë veprimesh në këtë periudhë për ta sabotuar bashkimin e forcave antifashiste shqiptare dhe më pas, për të përgatitur terrenin që këto të armiqësoheshin dhe konfrontoheshin midis tyre. Nga libri i Butkës, del se fillimisht, kur tendencat për
bashkëpunim ishin të forta dhe duke u fuqizuar, roli sabotues i emisarëve jugosllavë ishte më i kamufluar, më i tërhequr por, sidoqoftë, strategjia e tyre ishte e studjuar e shumë efektive. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ata e nxitën dhe e drejtuan luftën civile në Shqipëri e Kosovë për interesat e
tyre. Autori ka dhënë gjithashtu të qarta konturet e krahut
ekstremist e terrorist të PKSH, i cili bëri çmos për të penguar bashkëveprimin dhe marrëveshjen midis komunistëve e nacionalistëve. Ky krah u evidentua nga emisarët jugosllavë, të cilët me mjeshtëri dhe djallëzi e mbështetën dhe u mbështetën tek ai, për të realizuar objektivat e veta politike. Në këtë botim i bëhet një analizë dhe përshkrim I plotë Marrëveshjes së Mukjes dhe rëndësisë së saj për kohën kur u nënshkrua dhe për atë, që do vinte më pas. Interesant është përshkrimi i hollësishëm i etapës së parë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Janë pasqyruar me hollësi si reaksioni i ashpër i emisarëve jugosllavë, përplasja e tyre me krahun atdhetar dhe tolerant brenda PKSH, nënshtrimi dhe servilizimi I një pjese tjetër të kësaj udhëheqje me në krye Enver Hoxhën. Por, nga ana tjetër, është pasqyruar edhe jehona pozitive që pati marrëveshja. Udhëheqja komuniste ekstremiste, megjithëse reagoi me shpejtësi, nuk arriti ta frenojë menjëherë dhe ta mbysë entuziazmin që shkaktoi proklamimi i marrëveshjes. Autori ka dhënë me hollësi dhjetra aksione ushtarake të përbashkëta të Ballit Kombëtar dhe partizanëve në muajt gusht-shtator, të cilët janë një dëshmi dhe provë historike e vlerës së Marrëveshjes së Mukjes. Me të drejtë, autori e cilëson konferecën e II të Labinotit si konferencën e totalitarizmës, pasi ajo
vendosi marrjen me çdo mjet të pushtetit vetëm nga komunistët dhe nëpërmjet dhunës. Kjo conference vlerësohet si një hap vendimtar, që do të çonte në Luftën Civile. Procesi qe vjen pas saj në mënyrë korrekte është përcaktuar si bolshevizmi i luftës, pasi gjatë kësaj periudhe lufta merr gjithnjë e më shumë tiparet e luftës për të marrë pushtetin, për të kryer detyrat e revolucionit komunist dhe largohet gjithnjë e më shumë nga objektivat dhe qëllimet e luftës çlirimtare. U forcua kontrolli politik i komunistëve mbi reaprtet ushtarake, ushtria u bë gjithnjë e më shumë e ideologjizuar, vegël e PKSH. Autori ka provuar se rreshqitja në luftën civile, nuk ishte aksidentale, por një politikë e kalkuluar mire dhe e parapërgatitur, një process gjatë së cilit PKSH, denoncoi jo vetëm Marrëveshjen e Mukjes, por shkeli edhe marrëveshjet e tjera, që ishin bërë në Veri ne frymën e Marrëveshjes së Mukjes si Marrëveshja e
Lurës e gushtit 1943, marrëveshja e Peshkopisë, Dibrës, Sllovës etj. U hodhën poshtë dhe u shkelën të gjitha marrëveshjet lokale në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe filluan kritikat dhe goditja ndaj atyre njerëzve të LNÇ e të PKSH, që i kishin bërë këto marrëveshje. Është argumentuar plotësisht se terrorizmi ishte një pjesë e strategjisë për ta shtyrë vendin drejt luftës
civile. Komunistëve ekstremistë nuk u mjaftonte vetem propaganda armiqësore kundër nacionalisteve për t‘I shtyrë shqiptarët në luftën vëllavrasëse. Ata menduan se duhej edhe nxitja emocionale, e cila u realizua prej tyre nëpërmjet një fushate të planifikuar
terroriste. Autori e ka pasqyruar e dokumetuar këtë proces, i cili ishte i drejtuar kryesisht kundër disa krerëve nacionalistë, që ishin pikat kryesore të bashkëpunimit midis palëve. Atentatet e komunisteve u shtuan pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe u kthyen në një veprim strategjik pas vendimeve te Konferencës së Labinotit. Terrorizmi u shtri edhe brenda rradheve te Fontit NÇL dhe PKSH, për të prodhuar frikën me qëllim që të shtypej çdo tendencë për të kundërshtuar strategjinë e nxitjes së luftës
civile. Komandën absolute për spastrimet Brenda Partisë Komuniste dhe ushtrisë Nacional Çlirimtare e kishin ekskluzivisht jugosllavët. Në këtë botim pasqyrohen edhe përpjekjet e forcave të shëndosha të vendit, patriotëve, të popullsisë së krahinave të ndryshme dhe të misioneve britanike për të ndaluar luftën vëllavrasëse. Në këtë monografi shkencore është përcaktuar
saktëesisht karakteri i Luftës civile, kujt I interesonte ajo, kush e nisi, cilat forca ushtarake morën pjesë dhe u përballën ushtarakisht, cilat shtresa e forca luftarake të popullsisë u reshtuan e luftuan përkrah forcave nacionaliste dhe atyre
nacionalçlirimtare, cilat forca politike dhe ushtarake të jashtme ndikuan apo mbështetën luftën civile në Shqipëri, kahet dhe zhvillimet e luftës, pasojat e saj tragjike, jo vetëm për atë kohë. Pas vendimarrjes së Labinotit dhe periudhës përgatitore ( shtator 1943), PKSH dhe forcat e saj luftarake e nisën luftën civile në ditët e para të tetorit 1943, fillimisht kundër Ballit Kombëtar, mandej kundër forcave të Legalitetit, krerëve të Veriut dhe nacionalistëve të Kosovës. Autori ka dhënë me vërtetësi e saktësi dokumentare jo vetëm humbjet e mëdha njerëzore dhe shkatërrimet e luftës civile, por edhe deziluzionin, ankthin, traumat që shkaktoi ajo në të gjithë vendin. Gjithashtu ka përshkruar me mjeshteri edhe paradokset dhe marrezitë e saj, si lufta brenda vetë individit, familjes apo fisit, fshatrave, krahinave në gjithë hapësirën shqiptare.
Autori ka bërë përpjekje të suksesëshme për të ndarë në mënyrë të dokumentuar fenomenet dhe faktet e pastra të luftës civile shqiptaro-shqiptare) me atë të luftës kundër gjermanëve. Kjo është një risi me vlerë të madhe në historiografinë e kësaj periudhe. Ai bën dallimin ndërmjet luftës antifashiste, pra, të luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë, me luftën civile, luftën e shqiptarëve kundër shqiptarëve që dominoi skenën politike dhe luftarëke të Shqipërisë duke nisur nga vjeshta e vitit 1943 dhe përgjatë viteve 1944-1945, një luftë e armatosur, e përgjakshme ideologjike e për pushtet monist dhe në dëm të çështjes sonë kombëtare. Lufta civile, e dominuar nga detyrat e revolucionit komunist dhe të marrjes së pushtetit me dhunë e gjak, e kapërceu shtratin e luftës antifashiste të popullit shqiptar për liri dhe i vuri shqiptarët në luftë të pamëshirshme kundër shqiptarëve. Pasojat i saj ishin tragjike në të gjithë rrafshet. Autori jep me argumente distancën që mbanin forcat kryesore politike nga forcat që kishte organizuar qeveria progjermane duke qartësuar një sërë ngjarjesh historike, për të cilat ka qenë mbjellë shumë
konfuzion e tendenciozitet në të kaluarën. Midis tyre, edhe për masakrën e 4 shkurtit.. Jep edhe fenomenin e terrorit të zi që përpiqej t‘i kundërvihej terrorit të kuq. Ky ishte mjet që shihej nga forcat progjermane për të kundërgoditur terrorin komunist që po bëhej kundër njërezve të tyre. Kështu, që objektiviteti dhe
e paanshmëria, janë tiparet themelore të veprës. Ajo ka një laborator shkencor të plotë, nga burimet arkivore shqiptare, por edhe gjermane, italiane, britanike, jugosllave etj, pjesa më e madhe dokumente të papublikuar e të patrajtuar më parë.
Faktet që sillen në libër provojnë se komunistëve u dha dorë në luftën civile edhe largimi i trupave kryesore dhe cilësore gjermane për në frontin e Lindjes dhe zevendësimi i tyre me trupa jogjermane dhe me trupa, që kishin cilësi luftarake e morale të
ulët. Dobësimi i forcës gjermane në Shqipëri i dha dorë lëvizjes NÇL të zgjerojë luftën civile. Autori zbulon dhe argumente me fakte se shpirti dhe urdhëruesit kryesorë të luftës civile ishin komisarët e reparteve partizane qysh nga Shtabi i Përgjithshëm e
deri në shtabet e njësive më të vogla, që nga Enver Hoxha si komisar i përgjithshëm, Dushan Mugosha, zëvendëskomisar i rigadës I e deri te komisarët e batalioneve dhe çetave. Janë evidentuar shumë raste konkrete kur komunistet bashkëpunuan në luftën civile kundër nacionalistëve, me mbeturinat e ushtrive italiane, me forcat partizane jugosllave dhe ato greke. Ky bashkepunim nuk ishte sporadik dhe simbolik, por ishte vendimtar në luftën për mposhtjen e nacion listëve. Interesante është
deklarata e Hulusi Spahiut se "Pa ndihmën e ushtarakëve italainë, që u bashkuan me repartet partizane, ne kurrë nuk do t‘i mundnim forcat nacionaliste dhe të bajraktarëve të Veriut. Në çdo brigadë partizane që kaloi Shkumbinin, kishte nga një kompani italianësh, mortajash dhe artilerie. Ata ishin shumë të përgatitur dhe me një përvojë disavjeçare". Këtë fakt të rëndësishëm të luftës e konfirmon edhe komandanti italian G.Bonomi në veprën "Albania 1943". Nga i gjithe libri, ka dhjetra fakte që provojnë se ushtarët italianë u përdorën intensivisht dhe gjerësisht në luftën civile nga komunistët. Kjo është një risi që sjell ky botim. Po ashtu, prania e një batalioni partizan sërbo-maqedonas në Peshkopi që luftonte së bashku me forcat partizane shqiptare
kundër nacionalistëve të Dibrës, u bë shkak për betejën e përgjakshme të Peshkopisë, 18-19 tetor 1943. Dokumentohet edhe fenomeni i mobilizimit të minoriteteve, veçanërisht i minoritetit grekofon të Shqipërisë në luftën kundër forcave nacionaliste si
edhe të forcave partizane të EAM-it. Në këtë botim, janë pasqyruar edhe përpjekjet e britanikëve për të ndalur luftën civile në verën e vitit 1944. Por janë dhënë qartë edhe kundërshtitë e politikës së tyre, si dhe gabimi fatal që ata ndihmuan politikisht dhe me armë lëvizjen NÇL, në momentet kur
kjo po e zgjeronte luftën civile edhe kundër A.Kupit, M.Bajraktarit, G.Kryeziut, parise se Matit etj., Me dokumente provohet gadishmëria e Abaz Kupit dhe nacionalistëve të tjerë, për të mbështetur sugjerimet e britanikëve, që ishin në favor të ndalimit të Luftës Civile e të bashkëpunimit kundër gjermanëve, si dhe veprimi arrogant e i pa kompromis i udheheqjes se PKSH
dhe vendosmëria e saj e kobëshme për te çuar përpara me çdo kusht luftën vellavrasëse, për të marrë pushtetin dhe për të vendosur një regjim totalitarist. Goditja dhe asgjësimi i Kryezinjve dhe i lëvizjes së Muharrem Bajraktarit nga arradhet nacionalçlirimtare,
hedh poshtë katërcipërisht hipotezën e historiografisë komuniste se Lufta nacionalçlirimtare ishte luftë kundër okupatorëve dhe bashkëpuntorëve të tyre. Kryezinjtë, M.Bajraktari, R.Muja etj. nuk ishin bashkëpuntorë të pushtuesve nazifashistë, përkundrazi
u deklaruan publikisht dhe luftuan pa asnjë kompromis kundër italianëve dhe gjermanëve. Madje u goditën nga forcat komuniste kur luftonin kundër gjermanëve. Batalionet, brigadat dhe divizionet nacionalçlirimtare vërrshuan nga jugu në veri të Shqipërisë dhe goditën me zjarr e me hekur nacionalistët dhe forcat popullore që i mbështetnin, dogjën shtëpi e vranë njerës të pafajshëm në Mat, Dibër, Shkodër, Lumë, Kukës, Malësinë e Gjakovës, Malësinë e Madhe, Nikaj-Mertur, Dukagjin etj. Nga çlirimtarë, ata u kthyen në pushtues. Ky tjetërsim i luftës, nga luftë çlirimtare në luftë të përgjakshme civile, është dhënë
me forcë tronditëse argumentimi dhe plotësisht I dokumentuar.
Një kapitull i është kushtuar lëvizjeve politiko-ushtarake në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare gjatë Luftës II Botërore. Një vështrim historik, kryesisht përmes dokumenteve të reja, të
patrajtuara më parë nga historiografia dhe me përfundime të rëndësishme për historinë e re të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Si përfundim, botimi i Uran Butkës, "Lufta Civile ne Shqipëri 1943-1945", është një kontribut i ri, I vlefshëm për historinë e Luftës së II Botërore në Shqipëri. Ai ka sjellë argumente, analiza dhe përfundime të reja të vlefshme dhe interesante, si dhe ka hapur mjaft probleme të tjera për diskutim. Libri është shkruar me një stil tërheqës dhe do t‘u shërbejë lexuesve për të plotësuar, thelluar e sistemuar njohuritë e tyre për këtë fenomen të trishtë të historisë sonë. Libri është shkruar me një frymë të qartë iluministe e humaniste dhe për këtë arsye është një shërbim I çmuar, që i bëhet shoqërisë shqiptare, duke i dhënë asaj argumente të reja, për të reflektuar ndaj te shkuarës në mënyrë që të ndërtoje një të ardhme më të mirë, që të vendosë paqen shpirtërore e sociale Brenda saj.
|