Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit  (E lexuar 4737 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« më: 10-06-2008, 10:05:58 »

Si u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit

130 vjet nga 10 Qershori i vitit 1878 kur nisën përpjekjet për formimin e një shteti autonom shqiptar

Më 10 Qershor mbushen 130 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit zyrtarisht fillon me tubimin e 300 përfaqëseve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptar të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Në takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe Sanxhaku. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte përpjekja e parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.

Lidhja u formua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili iu kishte dhënë tokat shqiptare Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë pas Luftës ruso-turke të viteve të ashtuquajtur "Kriza Lindore 1877-1888". Prijësit shqiptarë nga Peja, Gjakova, Gucia, Luma, Dibra dhe Tetova u takuan në një qendër të Vilajetit të Kosovës, që sot gjendet në Maqedoni, për të diskutuar rezistencën. Italia përkrahu një komitet italo-shqiptar për të zgjeruar nacionalizmin shqiptar dhe fituar aleatë në Ballkan, kurse Porta e Lartë bëri të njëjtën me Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave Shqiptare në Stamboll më 1877. Anëtarët e Komitetit ishin Zija Prishtina, Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, dhe Abdyl Frashëri. Manifesti i këtij komiteti u bë statusi i Lidhjes.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mendua si një organizatë politiko-ushtarake që do t'i ndihmonte shqiptarët për të fituar përkrahje ndërkombëtare, megjithëse së pari si regjion autonom. Traktati i Shën Stefanit u zëvendësua nga Traktati i Berlinit pas ndërhyrjes së Austro-Hungarisë dhe Britanisë. Edhe Traktati i Berlinit iu ndau tokat shqiptare fqinjëve ballkanikë. Në korrik 1878, bordi 60 anëtarësh i Lidhjes, i udhëhequr nga Abdyl Frashëri, iu dërgoj një letër Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve shqiptare pas luftës ruso-turke. Memorandumi u injorua nga Kongresi, i cili iu jep tokat shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi. Lidhja brengosej se shqiptarët do të humbnin edhe Epirin ndaj Greqisë, prandaj edhe organizuan rezistencë të armatosur në Janinë, Guci, Shkodër dhe Prizren. Rezistenca ishte e fuqishme sa për të ndryshuar kufijtë e vendosur nga Forcat e Mëdha dhe për të kthyer disa prej tokave të humbura, megjithëse disa toka iu dorëzuan prapë se prapë Greqisë më 1881.

Lidhja e Prizrenit kishte 16,000 anëtarë të armatosur nën kontroll, të cilat ia kthyen armët forcave të Sulltanit të Perandorisë Osmane pas nënshtrimit të saj në Kongresin e Berlinit dhe urdhrit të saj për shpërbërjen e Lidhjes nga frika se, shqiptarët do të kërkonin pavarësi të plotë. Forcat shqiptare arritën të vrasin Mehmet Ali Pashën (tek shqiptarët i njohur si Maxhar Pasha) në Gjakovë në gusht 1878. Lidhja mori kontrollin nga forcat e sulltanit në qytetet e Vushtrisë, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, dhe Gjakovës. Lidhja hodhi poshtë autoritetin e sulltanit dhe kërkoi ndarje të plotë nga Perandoria Osmane. Perandoria Osmane dërgoi prapë 15 batalione të rregullta osmane në krye me Dervish Pashën (Ahmet Muhtar Pasha), të cilat u stacionuan në Pejë, Gjakovë dhe Prizren në prill të 1881-ës. Më këtë, ai i kishte shkëputur furnizimin frontit në Plavë e Guci. Pasi që forcat osmane nuk dëshironin t'i ndihmonin malazezët më shumë edhe përkundër presionit të Rusisë, forcat e lidhjes mbesin të pa furnizuara në front kundrejt forcave malazeze.

Sipas vendimeve të kuvendit Forcat e Armatosura të Lidhjes së Prizrent duhej të ishin diku 190.000 trupa të organizuar në 380 batalione.

Veprime ushtarake të Lidhjes

Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.

Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #1 më: 10-06-2008, 10:07:18 »

Aksioni i Gjakovës

Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Më 31 gusht, ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t'i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t'i bindte që t'i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t'i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t'u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.

Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje, u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t'i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërrmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t'u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.

Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë

Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj, duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura.

Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak e Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës.

Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t'i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.

31 tetor - 1 nëntor

Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t'i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiç. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.

4 dhjetor 1879

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërrmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.

Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë

Shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta.

6 janar - 9 janar

Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit, forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t'i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por, Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndëermorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e Sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t'u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë.

Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin.

Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por, Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër.

Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.

Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t'i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #2 më: 10-06-2008, 10:08:10 »

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës

Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin "Korti".

Më 11 prill 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, formoi Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu kolonel Hodo Sokoli me anëtarëve si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., dhe krerë malësorë si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj.

Më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin "vija Korti", për t'i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

Më 19 prill 1880, Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.

Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë, pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund, ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.

Duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës vendosi t'i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t'i sjellë në Tuz.

Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t'i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t'u hapur rrugën forcave malazeze.

Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t'u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri.

Shtabi i Shkodrës dhe Shtabi i Kosovës i propozojnë Komitetit Kombëtar të Lidhjes për sulm, mirëpo Komiteti e refuzon këtë me mendimin që presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t'i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit.

Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t'i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij.
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #3 më: 10-06-2008, 10:11:07 »

Sot, 130-vjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare

Statusi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit


Dr. Rexhep KRASNIQI

Ne Qershorin e vjetit 1878 u majt mledhja e parë e Kushtetutes nen drejtimin e Iljas Pashes prej Dibret dhe, mu ne nji maxhi të Prizrenit u shpallen, per të paren herë, venimet e Lidhjes. Me perjashtimin e Shkodres e cila, me anen e nji telegramit, u bashku njizanit me venimet e Lidhjes ku e tanë perfaqsija e venit të Verilindjes Shqipnisë, si p.sh.: Prizreni, Gjakova, Peja, Gucija, Mitrovica, Vuçiterni, Prishtina, Gilani, Shkupi, Tetova, Kerçova, Monastiri, e Dibra, ishin mledhë e betu ne ket Kuven.

Fryti i ketyne bisedimevet kjenë, ne radhë të parë, dy venime me nji randesi të madhe per Lidhjen e Prizrenit: I pari venim u murë gjatë e gjanë me udhëzimin e qevevrisjes per tokat shqiptare të daluna prej venimevet të Lidhjes Shqiptare, Venimi i dytë: Kishte me u dhanë "BESA" me anen e nji shkrimit per "Paqe e murojtje" dhe me keto dy venime doli ideja politike e "Bashkimit komtar". E poashtu, veprimet luftarake kishin me u vu nen drejtimin e "Rregullores te Kushtetutës", e cila kishte me venosë qetsinë e rregullin publik, dhe ne rast nevojet, edhe murojtjen e venit.

Ketu poshtë po rrjeshtojmë dokumentat dhe venimet e maruna të cilat kan me dritçu opinionin publik shqiptar. Keto dokumenta janë xjerrë prej Konsullates Austro-Hungare në Shkoder.

TAALIMAT (UDHËZIME).

Neni 1.


Në Prizren ka me u themelu nji Komitet Qendror prej njerzvet të besushem e Deputetëvet të Sanxhakut, të Prefekturavet e Nen-Preketuravet, per të drejtu çeshtjet dhe punet zyrtare me njerzit e besushem të qytetevet e të krahinavet, me anen e të cilvet t'u bahet e dijtun per me zbatu venimet e Lidhjes të perpilume njizanit. Per letërshkembimin midis Lidhjes e personavet të nryshem, secili ka me perdorë "Unazen" e vet si nenshkrim.

Neni 2.

Tëgjithë ata deputetë qi nuk kan me mujtë me qindru në Komitetin Qendror, menjiherë, posa te kthehen ner venet e tyne per me formu komitetet e prefekturavet, mrena 10-15 ditvet e kan per detyrë me i vu ne kamë të gjithë burrat e aftë per sherbimin ushtarak. Per ket hap, ka me u njoftu menjiherë Komiteti Qendror i cili ka me u dhane udhëzimet e duhuna.

Neni 3.

Secila krahinë ka me ba mobilizimin ushtarak të burravet dhe me i da ata ne dy grupe krejtësisht të plotsume.

Neni 4.

Kurë ke me u plotsu formimi i trupavet të zgjedhuna ushtarake, urdhenat e Komitetit Qendror kan me i shku Nen-Komitetevet te nryshme per seecilen krahinë e simas listavet të perpilume per t'u ba gadi per t'u drejtu kah venet e caktume.

Neni 5.

Simas venimevet të perditëshme të Kongresit per t'a ba forcen anmike të deshtojë, ka me u ba mobilizimi i pergjithëshem ner krahinat ma t'aferta me nji ushtri të mjaftushme. Nersa krahinat e largta kan me u njoftu prej Komitetit Qendror per të kenë gadi e, pa humë kohë, i tanë kontigjenti (grupi) ka me unisë atje ku duhet.

Neni 6.

Komandantat, majorat sidhe oficerat e tjerë të caktumë per secilen krahinë, kan me u zgjedhë prej popullit.

Neni 7.

Kontigjentat (grupet ushtarake) e krahinavet të nryshme kan me u inspektu prej Komitetit Krahinor të Sanxhakut. Oficerat kanë me kenë vazhdimisht nen urdhenat e tyne pa asnji kundërshtim.

Neni 8.

Masi delegatet të kethehen ner venet e tyne, e kan per detyrë me i raportu Komitetit Qendror sistemin sidhe numrin e armvet të vume ne dispozicjon prej popullit.

Neni 9.

Burrat e krahinavet t'aftë per sherbimin ushtarak, kan me u dergu menjiherë tek fushat e betejës. Ai qi ka me kundershtu ketij urdheni ose, per të gjatë marshimit, ka me kerku me j'a kethy shpinen burravet besnikë të tij, ose vehet ne t'ikun para anmikut, ka me u gjyku simas rrethanavet me djegejen e shtepijat ose ka me u denu me vdekje. Ne anen tjetern, ai njeri i cili nuk ka shtepi, porse ka me u gjetë i mshehun ne shtepijat e familjarvet të tij ose edhe të kushurijvet, të gjithë njerzit e tij, ciletdo ata qofshin, kan me u denu ne menyrë të rreptë prej ligjit.

Neni 10.

Kurë nji ushtar, ose vehet ne t'ikun para anmikut, ose gjatë marshimit mshehet ner krahinat e tjera, ka me u kapë menjiherë prej popullit të venit e me j'a dorezu Komitetit Qendror. Kunder ketij kan me u marë masa neshkimore të rana.

Neni 11.

Kryetaret e lagjevet bashkë me Imamet e qytetevet e të katunevet sidhe njerzit e qeverisë, e kan per detyrë me i dorezu Kuvenit listen e burravet besnikë e t'af'e per zherbim ushtarak ne qytetet e katunet e tyne pa mshehë kerkend. Ne rast të kundert kundershtaret e ketij urdheni kan me u denu rreptesisht.

Neni 12.

Si oficerat e naltë ashtu edhe nen-oficerat kan me dorezu listen e numrit të njisivet ushtarake nen urdhenat e tynhe me perpikni. Ai oficer, me dije ose padije, shtremnon ose zmadhon numrin e tyne, ka me u denu per abuzim e mosbindje ndaj detyrës tij.

Neni 13.

Ner gazermat kryesore kan me u organizu qendra të ndryshme per damjen e plaçkes s'anmikut, të cilat kan me regjistru e kan me da gjanë e gjallë të zaptume prej tij gjatë vazhdimit të luftes ner fushat e betejes.

Neni 14.

Kurë nji ose ma shumë njisi të "Shtabit të Pergjithëshem" u nepet urdhëni per operacjone ushtarake, por kan xanë per vedi nji sasi prej gjasë së gjallë, kan me j'a dorëzu nenpunsavet të caktumë të cilet ma anej, kan me j'a shperda njsivet të tjera qi kan metë pa gja porse janë pjesë e poasaj komande. Nenpunsat e kan per detyrë m'e da ket plaçkë jo vetem atyne qi kan luftu, porse edhe krytarvet të familjevet t'atyne qi kan humë jetën tuj luftu, dhe kejo detyrë u besohet oficeravet të njisivet të nryshme. Ai njeri i cili metet mrapa ne gazermat, nuk ka të drejtë me marë gja prej plaçkes. Kush ka pasë mundësinë me ba plaçkë por asht mujtë prej anmikut nersa njisi tjera qi nuk kan marë pjesë n'atë betejë por kan pasë mundesinë me u ardhë ne nihmë atyne tuj e shpetu plaçken e bame ne luftë, ka me j'ua da edhe ketyne njisoj. Seecila plaçkë, me lopë ose gja të gjallë ne doren e plaçkitsavet bahet pasuni e tyne.
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #4 më: 10-06-2008, 10:14:21 »

Vazhdojnë 5 (pesë) nene tjera. I tanë ky materjal asht perkëthim prej turqishtes në gjermanisht.

Kararname (Akti i venimevet)

I komitetit të Prezrenit per murojtjen e venit, i nenshkrumë prej 47 Deputetëvet Myslimanë të Prizrenit, Gjakoves, Pejes, Gucisë, Novipazarit, Senices, Teshlixhes, Mitrovices, Vuçiternit, Prishtinës, Gilanit, Shkupit, Tetoves, Kerçoves, Gostivarit, Dibres Siperme e të Poshtme:

Neni 1.

Lidhja e jonë formohet me qellim qi t'i kundershtoje çdo qeverijet, perveç asaj të Portes Naltë dhe të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet per të murojtun integritetin (tansinë) e venit.

Neni 2.

Qellimi i jonë ma i naltë asht me murojtë të drejtat perandorake të personit të paperlyshem të madhnisë tij Sulltanit, sunimtarit t'onë. Pranej na, të gjithë ata që i kundershtojnë kesaj dhe dishirojnë me shkaktu trazime, per ma teper, ata qi perpiqen me dobsu autoritetin e qeverisë s'onë, si dhe ata qi i perkrahin kësilloj njerzish, kemi me i konsideru si anmiq të komit e t'atdheut dhe, perderisa keta nuk permirësohen, kemi me i dëbu prej visevet t'ona bashkë me ata qi munohen me cenu nerin e banorvet besnikë të venit t'onë.

Neni 3.

Perfaqsusat e rrethevet tjera qi dishirojn me u bashku me Lidhjen t'onë, na kemi me kenë të gatshem me i pranu. Keta kan me u regjistru ne Listen e Lidhjes si miq të qeverisë e të venit t'onë.

Neni 4.

Ne lidhje të ngushtë me ligjet e nalta të besimit mysliman (sherijatit), na kemi me murojtë jeten, pasuninë dhe nerin e shokvet besnikë të besimit jo-mysliman, ashtu si per vehten t'onë, por kundra kryengritsavet kemi me vepru simas rrethanavet të venit.

Neni 5.

Të gjitha shpenzimet per majtjen e trupavet të rekrutume ner rrethet, kan me u pagu në bazë të udhëzimevet qi kan me u dhanë veçan. trupat vullnetare qi kan me ardhë prej sëjashtmi kan me u pranu me andje ne gjinin e kontigjentavt t'ona.

Neni 6.

Tuj pasë parasyshë gjendjen e Ballkanit, na nuk kemi me leju ne asnji menyrë hymjen e trupavet të huaja ne venin t'onë. Qeverinë Bullgare nuk kemi m'e pranu as edhe per emen. Ne qoftëse Serbija nuk ka me i leshu me të mira viset t'ona të zaptume padrejtësisht, na kemi me mobilizu kundra saj fuqina vullnetare dhe kemi me u perpjekë deri ne fund per t'ja arrijte me i zbraze keto vise prej sish. Po keshtu kemi me vepru edhe kundra Malit të Zi.

Neni 7.

Kurë po shofim se bashkëvenasit e bashkfetarët t'onë po vujnë ne Ballkan, me dishiren e tyne janë radhitë të gjithë ne Lidhjen t'onë e, tuj kenë se detyrat e tyne janë me nji randësi të veçantë, na po lidhemi me ta e, simas rrethanavet të kohes e të venit, nuk kemi me mungu per t'u dhanë nihmen t'onë dhe per t'u marë vesht mes nesh.

Neni 8.

Ne qoftëse repartet e rrethevet, nersa zbatojnë qellimet e Lidhjes, kan me hasë ner veshtirsina të çfardo llojit ata qofshin atbotë, kojshitë e rrethevet, posa t'a marin udhëzimin e duhun, kan me u shpejtu per t'u dhanë atyne nihmen e nevojshme per t'ja merrijtë qellimit.

Neni 9.

Ai qi braktisë Lidhjen t'onë - Zoti na rujtë - dhe ka me ba krimin e "spiunit", ose ai qi u shmanget zbatimit t'urdhënavet t'eprorvet, ka me u neshku rreptësisht.

Neni 10.

Banori i nji krahine i cili ka me hy me Lidhjen t'onë, cilido qoftë dhe i çdo besimit qoftë, edhe po pat ba lutje per t'u zhgarku prej detyrës tij me lejen e Lidhjes, nuk mundet me udhtu as kah Serbija e as kah Mali i Zi. Kundraveprusi ka me u njehë fajtor në bazen e artikullit të caktumë të spiunazhit.

Neni 11.

Kush prej nesh qi asht marë me sherbimin e Lidhjes simas zotsisë tij por nuk ka mujtë m'e kry detyren ashtu si duhet dhe asht tregu i pakujdesëshem ose i pabindun, ose qi shperdoron zyren dhe detyrimet e tija ndaj sherbimit, sidhe ai qi ka guxu me kry ndonji veper çnjerzore e të panershme ka me marë neshkrimin e meritumë dhe pasunija e tij ka me u konfisku.

Neni 12.

Nisja e trupavet, mobilizimi e perdorimi i tyne, sidhe masat e tjera perkatse, kan me u rregullu ne bazë të udhëzimevet të cilat kan me u pregaditë veças.

Neni 13.

Per dergimin e urdhënavet perkatse (dokumenta origjinale), me sigurinë ma të madhe, ka me j'u kushtu vemendja ma e zgjutë per letërshkembimin perkates.

Neni 14.

Vetkuptohet ne ket mes se qeverisja, n'asnji menyrë, nuk ka me u perzi ner çeshtjet e Lidhjes. Ne anen tjeter, as Lidhja e jonë nuk ka me u perzi n'asnji menyrë ner çeshtjet e mrendëshme t'administrates qeveritare, po nuk kje fjala per masa dhunet të provume.

Neni 15.

Ka nji kopje të ketyne venimet të posaperpilume asht per t'u shperda ner venet e duhuna.

Neni 16.

Ne bazë të aktit të Lidhjes, të cilin e kemi perpilu na, deputetet e kreshnikevt trima të Shqipnisë Veriore t'Epirit e të Bosnjes, t'atyne burravet të cilet, ç'prej dites qi kan le, nuk njofin tjeter mjeshtri perveç asaj t'armvet dhe qi janë gadi me derdhë gjakun per shtetin, komin e Atdheun, kemi zgjedhun si kryqytet "PRIZRENIN" e poashtu, fatbardhësisht kemi me pranu kurr e asnjiherë qi ndonji sunimtar i hujë me na tiranizu dhe me shtypë banoret e tokavet t'ona. Kejo, Lidhja e Jonë, ka me kalu brez mas brezit, tek femijtë e femijvet t'onë, dhe ai qi shkeputet prej saj, ka me u kunsideru si "trathëtar i Fesë Islame", dhe ka me u mallku e me u perbuzë prej anes s'onë. Na po lidhemi me "BESË" per me ndjekë porositë qi permajnë keto venime dhe per dishmi, po vejmë të gjithë nenshkrimet t'ona. 5-18 Qershor, 1878.

(Vazhdojnë 47 nenshkrime).

Kesisojit, Shqipnija j'u nenshtru venimevet të Lidhjes Shqiptare per tri vjet rresht, 1878 - 1881, qendra e së ciles ishte ba Prizreni. Qendra të dyta per Shqipninë Veriore u themelunë në Gjakovë, Guci, Shkoder e Diber. Per pjesen jugore u banë qendrat: Preveza, Janina e Gjinokstra 48). Ndersa Elbasani, per poziten e favorshme gjeografike ne kethizë të Shqipnisë, mori detyren e nji qendre nerlidhëse midis Veriut e Jugut të venit. 49)

Lidhja u dergoi perfunimet e venimet shqiptare Ambasadavet të ndryshme të Fuqivet të Medha ne Stamollë sidhe Kongresit të Berlinit, ne të cilen shprehesh kjartas dishira dhe venimi i popullit shqiptar per të drejtat e tija komtare. Nerkaq, bashkësija myslimane, të lidhun edhe me parinë e malcisë permi Shkoder, kishin venosë me u ba pjesë aktive ne Lidhjen e Prizrenit. Ket venim ata j'a dergune Lidhjes per njoftim.

Kundra dishires qeverisë turke, ne ket mes, u banë demonstrata popullore të cilat moren formen komtare. Gjatë vazhdimit të ketyne demonstratavet, u dergunë telegrame Kongresit të Berlinit tuj shprehë dishiren e perbetume të popullit shqiptar kundra venimevet të padrejta per shkeputjen e tokavet shqiptare. 50)

Aty kah marimi i Qershorit 1878, u bashkunë me Keshillin e Naltë të Lidhjes Prizrenit perfaqsusat e Shkodres, nji prej Podgorice si edhe: Kater bajraktarë si perfaqësusa të Malcisë Madhe, e të tjerë prej Hotit, Grudes, Kastratit, Kelmenit, Rrjollit, Shkrelit, Shllakut, Temalit, Sumes, Shales, Shoshit e poashtu edhe tre delegatë të Mirdites të cilet, n'emnin e bajraqevet qi ata perfaqsojshin, u bashkunë me "Besen Shqiptare të Lidhjes". Nerkaq, dy perfaqësusa të Lidhjes Prizrenit, u dergunë n'Elbasan per të paraqitë pjesen Veriore të Shqipnisë në lidhje me "Besen Shqiptare" per të marë venime të perbashkëta me perfaqsusat e Toskenisë.

Masi moren fund bisedimet, meten vetem perfaqsusat e qytetevet: Monastir, Diber, Shkup, Prishtinë e Novipazar, të cilet tuj u bashku me perfaqësusat e Lidhjes, formunë "Komitetin për murojtjen e tokavet shqiptare" sidhe drejtimin e Levizjes.

Nersa parija po priste venimet e maruna ne Kongresin e Berlinit, caktunë me ba pregaditjet per murojtjen e venit; s'parit kundra Serbisë e Malit të Zi. Lidhjes j'u desht me marë per të fornizu trupat vullnetare si me ushqime, veshmathje e poashtu me armë e muncjon.

Ne Shkup, Mitrovicë e Novipazar, kishin pesë grumullu sasina të konsiderushme armesh, municjon e mjete ushqimore. Gjithashtu, ishte pasë marë venimi ne bazë të cilit trupat vullnetare shqiptare, ne rast nevojet, mund të mershin prej ketyne grumbullimevet. Me ket lloj venimi, trupat vullnetare të parregullta u jepesh mundesija me i kundershtu me armë ne dorë ushtrisë turke e cila, simas planit të Kongresit të Berlinit, kishte me shtrengu popullaten shqiptare per me i çu urdhenat ne ven. Nersa njisitë lokale qeveritare kerkunë me vu ne kontakt me Lidhjen Shqiptare siç vertetohet edhe me anen e dokumentavet perkatëse, moren urdhen prej Stamolles me anë telegramesh, per me shtypë e me nalu çdo levizje luftarake të shqiptarvet kundra sebvet e malazezvet.

Themelimi i Levizjes Prizrenit me degët e saja ne tanë Shqipninë, duhet konsideru njeherit edhe si nji shtytje e influences hujë. Si duket, influenca dhe shtytja e ketyne forcavet të huja nuk kishte me pasë suksesin e pritun po të mos ishte meshtetë edhe ne nijesitë e popullit shqiptar dhe venimet e maruna per t'u difu të gatshme me u hjedhë ne luftë per lirinë e tyne komtare si shej i zgjimit dhe i bashkëpunimit komtar. 51)

N'se nryshimet midis Gegvet ne veri e Toskvet ne Jugë, midis myslimanvet e kristjanvet, midis malizorvet e bujqvet fusharakë sidhe qytetarvet, nuk kishin me dalë aq fort të zmadhume, sidhe n'anën tjeter, po të mos eksistonte sadopak nji nijesi komtare e perbasket sado e vogel qi t'ishte ne lidhje me pjekuninë politike me të gjitha keto mungesa të dukëshme ne sytë e njeriut, prap se prap, keto rrethana e veprime të shumfishta, shprehin kjartas se ka "Nji komb shqiptar"52. Sepse, jo vetem keto, por edhe gjuha e perbashket shqipe, zakone e doke të perbashkëta dhe dendësisht e banume per të paraqitë nji ven komplet. Por edhe ne bazë të historisë perbashket, duhet të formonte ekzistencen e vertetë të ketij "Komi shqiptar".

Elementat e emancipimit (zhvillimit politik) të vume ne veprim me anen e Lidhjes të cilat, me kalimin e kohes, moren trajtat e shprehjes komtare53. Si rrjedhim i kesaj levizje, duhet me çmu edhe themelimin e Shoqatës literare shqiptare në Stamollë, e cila mori persiper me perhapë gjithkund e me skjaru ne Shqipni çeshtjen t'onë komtare. 54)

(Marrë nga libri "Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë" fq.74-86, studim me të cilin Dr.Rexhep Krasniqi mbrojti doktoraturën më 1934.).
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #5 më: 10-06-2008, 10:15:44 »

Muzeu Historik Kombëtar hapi dje ekspozitën kushtuar 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nëpërmjet një ekspozite origjinale fotografike


Muzeu Historik Kombëtar hapi dje, ekspozitën kushtuar 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ekspozita me fotografi nga kjo ngjarje historike, është fryt i punës 2 mujore të bërë nga ideatorët e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita me anë të 16 stendave fotografish, objekteve historike dhe skulpturave, pasqyron këtë ngjarje historike, duke bërë një kalim në kohë jo vetëm në rend kronologjik, por dhe në atë tematik të ngjarjeve që kanë ndodhur. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Kasem Biçoku, theksoi se në këto punime janë fokusuar qëllimet kryesore, si dhe ngjarjet më të rëndësishme që ndryshuan rrjedhën e historisë. Lidhja e Prizrenit u mbajt më 10 Qershor të vitit 1878, nën drejtmin e Iljaz Pashë Dibrës në qytetin e Prizrenit, nga ku mori dhe emrin. Ky institucion u krijua tre ditë para zhvillimit të Kongresit të Berlinit dhe është Kuvendi i dytë kombëtar për nga rëndësia historike e tij, pasi krijoi dhe Lidhjen Kombëtare më 23 prill të 1881, i cili shënon bashkimin politik dhe ushtarak më të madh të krijuar ndonjëherë në historinë e re të shqiptarëve. Këto ishin disa nga arsyet, të cilat nga ana e këtij muzeu, u ngrit një ekip pune që u mor me ideimin e këtij projekti dhe bëri të mundur realizimin konkret me stenda fotografish. E gjithë ekspozita është e ndërtuar me gjithsej 16 stenda, materiale historike ose objekte të ndryshme të pjesëtarëve të kësaj lidhjeje si: një shtëpi në miniaturë e selisë qendrore të Lidhjes së Prizrenit, mjete luftarake, pistoleta dhe pushka, xhamadani i Mic Sokolit, tryeza punës e Sami Frashërit, si dhe disa libra objekte të përdorura prej tij. Ndër to, kryesorja ishte një skulpturë e titulluar "Beslidhja" që mban emrin e Asim Lokjas. Skulptura paraqet një lidhje duarsh, simbol i unitetit të këtij Kuvendi. Ky punim është i vendosur që prej vitit 1981 në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Ekspozita nxjerr në pah disa periudha të momenteve më të rëndësishme historike, të punës së patriotëve dhe vullnetarëve të kësaj lidhjeje në vitin 1878 - 1881, ku u realizuan 2 qëllime kryesore që ishin: mbrojtja e trevave shqiptare të katër vilajeteve të Shqipërisë dhe realizimi i idesë së patriotëve shqiptarë për bashkimin e 4 vilajeteve në një të vetëm. Këtu bëjnë pjesë mbrojtja e viseve të Shqipërisë së Epërme të Plavës dhe Gucisë (Tetor 1879 - Janar 1880), viset e Hotit dhe të Grudës (pranverën e vitit 1880). Të dy këto krahina arritën të mbroheshin nga këto forca vullnetare, pasi në atë periudhë nuk kishte një strukturë drejtuese. Kjo lidhje u bë shtylla kryesore për mbrojtjen e viseve të Ulqinit përgjatë (gusht - tetor më 1880), gjithashtu të trojeve të Shqipërisë së Poshtme ku bënte pjesë Çamëria, vise këto të përfituara nga shovinistët grekë sipas Traktatit të Berlinit. Në një intervistë për ATSH-në, Enver Kushi, shkrimtar dhe muzeolog në Muzeun Kombëtar tha se, ''Abedin Pashë Dino, është një nga figurat më të kompletuara, pasi ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm të mbrojtjes së Shqipërisë së Poshtme. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur dhe pjesëtarë të tjerë si, Pashko Vasa që botoi "E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët", Iliaz Pashë Dibra (kryetar i Kuvendit), Sami Frashëri dhe Hoxha Tahsim, që arritën me anë të përpjekjeve të tyre, mbrojtjen e këtyre trojeve, si dhe krijimin e një qeverie të përkohshme që arriti të zëvendësonte organet e pushtetit osman. Të gjithë këta kanë qenë shpirti i kësaj lidhjeje dhe në të njëjtën kohë janë memorizuar si intelektualë klasi". Në një prej stendave të kësaj ekspozite, titulluar Shqipëria në shek XIX, pasqyrohet zhvillimi ekonomik që patën trevat shqiptare të asaj kohe, si funksionimi i doganave dhe mjeshtërive nga ana e artizanëve shqiptarë, si dhe ndërtimi i urave dhe godinave. Në një tjetër është projektuar momenti i Luftës ruso-osmane, shkaku ose origjina e situatës së komplikuar që dhe në ditët e sotme evidentohet për Gadishullin e Ballkanit, si origjina dhe shkaku i problematikave të ndryshme. Ky ishte një nga shkaqet që lindi nevojën, që patriotët të kundërpërgjigjen me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ose siç njihet ndryshe nga burime historike si Lidhja e Prizrenit. Këtu u morën një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat të përfshira në dokumentin e quajtur Kararname (libri vendimeve), si Talimati (libri urdhëresave) dokument tjetër që ishte një akt nënligjor për zbatimin e vendimeve të Kuvendit e bashkangjitur me nënshkrimet e delegatëve. Ky Kuvend nuk ishte vetëm një organizatë, që u mor vetëm me mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë, por u cilësua si një organizatë që në fazën finale arriti të krijojë dhe një qeveri të përkohshme dhe mjaft të rëndësishme. "Por siç është evidentuar hapësira kohore dhe personalitete të ndryshëm historike, janë deformuar jo pa qëllim. Pra, qëllimi kryesor i kësaj ekspozite, është të dalin në pah me vërtetësi dhe mjaft personalitete të historisë, të cilët janë lënë në errësirë për arsye të caktuara. Në projektimin e kësaj ekspozite, është ndjekur kriteri kronologjik dhe ai tematik, për pasqyrim jo vetëm në rend kohor, por dhe në atë të ngjarjeve historike që kanë ndodhur", tha Sali Kadria, muzeolog dhe kordinator i projektit. Artisti i Popullit, Reshat Arbana, recitoi poezi të zgjedhura nga Vaso Pasha, pjesë nga Histori e Skënderbeut e Naim Frashërit, si dhe nga Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës. Në realizimin e kësaj ekspozite dhanë kontribut edhe Enver Kushi, Sali Kadria, Sotirulla Hoxha, Fatmir Boshnjaku, Entela Kasemi, Nazmi Behari dhe Ardian Pojani. Drejtori i Muzeut, Kasem Biçoku, i shprehu mirënjohjen e tij zonjës Liljana Verdho që me rastin e këtij përvjetori botoi me logon e Muzeut Historik Kombëtar librin e saj "Skënderbeu në shtypin e Lëvizjes Kombëtare (1880-1912)". Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe studiues të Institutit të Historisë, Gjuhësisë dhe Letërsisë, të Institutit të Kulturës Popullore si dhe të Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas koncertit të mbajtur ditën e djeshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ky ishte aktiviteti i dytë i dedikuar kësaj ngjarjeje historike. Përgjatë ditës së djeshme dhe të sotme, në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori" në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, do të shfaqet një montazh me filma historikë si: "Skënderbeu", "Liri a Vdekje", "Nëntori i Dytë", "Mësonjëtoria", "Kush vdes në këmbë" etj., si dhe do të shfaqet drama "Epoka para Gjyqit" kushtuar Lidhjes së Prizrenit.

Anri Bala/ATSH

Të gjithë materialet e botuara, janë marrë nga Gazeta Rilindja Demokratike
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #6 më: 14-06-2008, 09:25:30 »

Lidhja e Prizrenit, një nga ngjarjet përcaktuese të historisë kombëtare

Kreu i qeverisë vizitoi ekspozitën e arteve pamore në kujtim të ngjarjes historike





Kryeministri Berisha vizitoi dje pasdite ekspozitën e arteve pamore, organizuar me rastin e 130-vjetorit të krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo ekspozitë, e realizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve, përmban 37 vepra në pikturë dhe skulpturë të 21 artistëve të mëdhenj në këtë fushë, të realizuara gjatë viteve 1917 - 1984. Berisha vlerësoi lart punimet e kësaj ekspozite, duke përgëzuar autorët e këtyre veprave, një pjesë e të cilëve janë autorë të vjetër, por që kanë lënë një arkiv të pavdekshëm në fondin e madh të krijimeve në fushën e pikturës e skulpturës. "Kjo ekspozitë organizohet në nder të njërës prej ngjarjeve më përcaktuese në historinë tonë kombëtare, në 130-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lidhje me të cilën shqiptarët i dëshmuan Evropës e mbarë botës se ata, në territoret ku jetonin, përfaqësonin një komb të tyre, se trevat, të cilat banoheshin nga shqiptarët ishin tokat e tyre dhe se shqiptarët, pavarësisht nga vilajetet në të cilat ishin copëtuar dhe nga planet makabre që përgatiteshin për t'i ndarë, ata ishin një komb, i cili u zgjua pas shekujsh pushtimi dhe dëshmoi një vetëdije kombëtare", u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri nënvizoi më tej se, Lidhja e Prizrenit është përpjekja e parë mbarëkombëtare për t'u bashkuar, me qëllimin e madh për të shpallur autonominë dhe më pas pavarësinë, nga Porta e Lartë, perandori, e cila po ecte drejt një rrokullisjeje të vërtetë. Ky përvjetor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, theksoi kryeministri, i gjen shqiptarët më të lirë se kurrë. "Ne nderojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nderojmë burrat e mëdhenj, të cilët me përpjekjet, zërin e tyre, përkushtimin, luftërat, kryengritjet që organizuan, dëshmuan se kombi ishte një dhe i tërë dhe ishte i vendosur të mbronte identitetin dhe trojet e tij, ishte i vendosur të ecte drejt pavarësisë e t'u kundërvihej të gjitha padrejtësive të mëdha. Pra, Lidhja e Prizrenit ishte një akt përcaktues për ekzistencën tonë kombëtare", vijoi kryeministri. Ai vuri në dukje se, shqiptarët sot e kremtojnë këtë datë në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova janë tashmë dy vende të lira, të pavarura, që ecin të sigurta drejt të ardhmes së tyre evropiane. "Edhe shqiptarët në treva të tjera, në Maqedoni dhe Mal të Zi, kanë bërë progres të madh në drejtim të standardeve të lirisë, të rikonfirmimit të të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare", theksoi Berisha.

Keshilliministrave. al
E identifikuar

Berni
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« Përgjigju #7 më: 19-06-2008, 15:56:38 »

Lidhja e Prizrenit, të fshehtat austro-hungareze

Ajo që ndodhi më 28 nëntor të 1912-ës (pavarësia e Shqipërisë) e më pas më 19 shkurt të 2008-ës, (pavarësia e Kosovës), nuk janë tjetër vetëm se korrjet e asaj që u mboll më 10 qershor 1878, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Pa dyshim që pas Besëlidhjes skënderbejane të Lezhës, Lidhja e Prizrenit, ishte zgjimi më i madh kombëtar që përkoi me fazën e shkërmoqjes së Perandorisë Otomane dhe hapi aq plagë, të atilla që dhe sot përbëjnë ca çibanë, dhimbjet e së cilave përbëjnë ende ankthe të rënda nacionale. Kosova, është dëshmi e gjallë e tyre. Por dhe "Shqipëria maqedonase" jo pak.

Kur vjen fjala për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të duket sikur ky eveniment i madh historik, është një çështje tejet elitare për t‘u trajtuar. Sepse, në mendimin populist, ngjarjet më të mëdha të kombit, janë betejat e Skënderbeut, Besëlidhja e Lezhës, shpallja e Pavarësisë me ngritja e flamurit në Vlorë apo Kongresi i Lushnjës. Ndërsa Lidhja e Prizrenit përveçse jepej pak e cungët në tekstet shkollore (e kushtëzuar nga ideologjia e kohës), ofrohej dhe si një dramatizim, ku në qendër ishte figura e Abdyl Frashërit.

Aktivitetet e shumta që janë zhvilluar këto ditë me rastin e 130- vjetorit të Lidhjes, e kanë zgjeruar spektrin e njohjes së kësaj ngjarjeje të madhe, duke e theksuar dhe njëherë se është pika përbashkuese te gjitha atyre zhvillimeve që kanë mbajtur në këmbë ndjenjën e kombit te shqiptarët, ose momenti kur ngjizet dhe më tej kjo ndjenjë deri te ndërgjegjësimi dhe projekti për shtet. Pikërisht në kuadër të këtyre aktiviteteve, ka qenë dhe promovimi i një vepre me autorësinë e tre historianëve të njohur: Beqir Meta, Ferit Duka dhe Marenglen Verli (ky i fundit dhe drejtues i projektit). Vepra titullohet: Lidhja Shqiptare e Prizrenit/Në dokumentet austro-hungareze.

Është vëllimi i parë i kësaj vepre që do të pasohet dhe me të tjera. Ajo që përbën ngjarje në historiografinë shqiptare, është pikërisht botimi për herë të parë i një pasurie arkivore në formë korpusi, siç janë dokumentet austro-hungareze, të një perandorie të kohës që në trojet shqiptare, kishte një përfaqësim diplomatik të ngjeshur. Ja si shkruajnë hartuesit e veprës për rëndësinë e përmbajtjes së saj: Zgjedhja e këtij fondi për këtë botim nuk ka qenë e rastit. Së pari, koleksioni i Arkivit të Vjenës përbën një nga seksionet më të kompletuara të Arkivit të Institutit të Historisë nga pikëpamja e pranisë fizike të dokumenteve, jo vetëm për sa i përket periudhës së Lidhjes, por dhe periudhave vijuese të historisë kombëtare shqiptare.

Thuhet kështu, sepse në fakt, dokumentet më të përdorura për qëllime studimi, janë marrë më së shumti nga arkivat e Stambollit, Romës, Parisit, Londrës, sigurisht dhe Vjenës, por jo në përmasa të plota dhe të imtësishme. Ndaj, për rëndësinë e materialeve të botuara, publikuesit e tyre shprehen: Vëllimi i parë përfshin dokumente të periudhës mars-shtator 1878. Kjo është koha kur mbi Shqipërinë e shqiptarët fillojnë të shkarkohen të gjitha rrjedhojat negative të traktatit ruso-osman të Shën Stefanit. Kjo është gjithashtu koha kur në hapësirën shqiptare bëhen përgatitjet e fundit për të krijuar një instrument të fuqishëm bashkimi sikurse ishte Lidhja e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878. Më tej, dokumentet e vëllimit shpalosin një informacion interesant për sfidat që kaloi Lidhja si në ditët e themelimit, ashtu dhe në muajt që pasuan...Materialet e vëllimit lejojnë të kuptohet qartë natyra komplekse e raporteve brenda vete Lidhjes, midis Lidhjes dhe shtetit osman, si dhe i Lidhjes dhe shteteve fqinje. Gjithsej, janë 248 dokumente të profileve: raporte, relacione, njoftime, telegrame, urdhëresa e shkresa të ndryshme. Ato janë të niveleve konsullore dhe pasqyrojnë një diplomaci aktive të zyrtarëve austro-hungarezë rreth çështjes shqiptare, me një përcjellje informacioni për çdo zhvillim. Prej tyre, qartësohen shumë aspekte të panjohura deri më sot të Lidhjes së Prizrenit. Ndërsa hartuesit e veprës konkludojnë: Nuk duhet të ketë pikë dyshimi se me gjithë seriozitetin e treguar në informacionet që përcjellin përfaqësuesit diplomatikë të mbretërisë dualiste, nuk mungojnë të shprehin interesat politike të shtetit të tyre, çka do të thotë se për Vjenën, çështja shqiptare duhet të ekzistonte dhe të zhvillohej vetëm brenda atyre limiteve që nuk cenonte përfitimet e saj territoriale të siguruara sipas skemës së përdorur në koncertin e Fuqive në Berlin.

Tjetër e veçantë e veprës është dhe botimi i saj jo shtetëror për vetë profilin institucional që bart. Është Selim Pacolli i Albanica/Matabeteks Group, botues i veprës, që për nga përmbajtja, nuk i afrohet në asnjë përqindje pjesës komerciale.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


Anketa
  • Cili ështëvlersimi juaj?
  • Dot Shumë
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Jo Shumë
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Duhet të punoj edhe më shumë
  • 2 (100%)
  • -
  • Numri total i votave: 2
  • Shiko temen