Hyrja
IDENTIFIKOHU
REGJISTROHU
Komuniteti ynë
Politikë
Shkencë
Kulturë
Letërsi
Histori
Muzikë
Sport
Informatikë
Albwebmaster
Forume Plus
Albanian Forums
Republika e Shqipërisë
Republika e Kosovës
Maqedonia Shqiptare
Ulqini dhe Malësija
Zëri Islam
Zëri i Krishterë
Pyetje dhe Përgjigje
Zëri i Lirë
Njoftime & Lajmërime
Lajmet e Fundit
Forumi i Historise - Historia Shqiptare e Boterore
Forumi i Historise - Albanian History
Historia Shqiptare
(Moderatore:
kreksi
,
erlehta
)Kur rrugët tregtare të Evropës kryqëzoheshin në Shqipëri
Faqe: [
1
]
Shko poshtë
« i mëparshmi
tjetri »
Keshilloje
|
Printoje
Autori
Temë: Kur rrugët tregtare të Evropës kryqëzoheshin në Shqipëri (E lexuar 1389 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Gjinia:
Kur rrugët tregtare të Evropës kryqëzoheshin në Shqipëri
«
më:
26-04-2008, 15:30:36 »
Edhe pse ndodhej në skajin më të largët të Perandorisë Osmane, dhe një ndër vendet më të prapambetura dhe më të pazhvilluara të saj për më shumë se 500 vjet me radhë, për vetë pozicionin gjeo-politik e strategjik ku ndodhej, me kryqëzimin e rrugëve tregtare, portet dhe limanet e saj në hapësirat ujore që nga veriu në jug, pasuritë e shumta minerare, artizanatin, pemëtarinë, fruti-kulturën, bujqësinë, blegtorinë etj., Shqipëria ishte dhe mbetej një vend që paraqiste vazhdimisht interes për të huajt. Kjo gjë, veç të tjerash, shihet më së miri edhe nga një studim i historianit dhe albanologut të famshëm gjerman, Johan George Von Han, i cili pas hulumtimeve të shumta bërë vite me radhë, në librin e tij me titull "Shqipnija tash njëqind vjet", ka pasqyruar me detaje dhe hollësira të gjithë situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas. Nga ai libër, pjesë të të cilit u botuan fillimisht në vitin 1943 nga revista periodike "Leka" që dilte në Tiranë, ne kemi përzgjedhur disa pjesë që po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i përshtatur ato në gjuhën e sotme.
Geroge Han: Shqipnija politiko-administrative
Pashallëku i Manastirit përfshinte Shqipërinë e Mesme, e cila në atë kohë nuk ishte një qendër politike e tregtare të përshtatshme. Ai ndahej në shtatë qarqe si vijon: 1. Elbasani me krahinën e Shkumbinit të sipërm, 2. Peqini me krahinën e Shkumbinit të poshtëm, 3. Kavaja me bregdetin afër Durrësit, 4. Tirana me krahinën e Erzenit të sipërm e të Ishmit, një brez bregor deri në grykë të Drinit, sipas gojëdhënës, deri në një man që gjendej në Pazar të Lezhës. Kështu, sipas gojëdhënës; de facto Lezha ishte qendra e njëjtë e myderllykut të Shkodrës, dhe bregdeti që shtrihej në mes Matit dhe Drinit, varej më tepër nga Lezha se nga Tirana. Matja, ose krahina jugore e lagur nga Mati, 6. Dibra me luginën e Drinit të Zi, 7. Gora dhe Mokra me Pogradecin si kryevend, mbi bregun perëndimor të liqenit të Ohrit. Të gjitha këto qarqe vareshin nga kajmekami (nënprefekti), i Ohrit, dhe ky nga valiu i Manastirit, që ishte dhe Serasqeri ose Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë turke për gjithë Ballkanin. Ndoshta dikush duke e dëgjuar këtë punë, do të habitet, duke e ditur se Manastiri dikur si qytet s‘kishte kurrfarë rëndësie, dhe si pashallëk nuk ekzistonte aspak. Dhe tokat që përmendëm më lart, të cilat ju dhanë Manastirit, u përkisnin pashallëqeve të Janinës dhe Shkodrës. Për këtë arsye Mehmet Bushatlliu, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, pushtoi qytetet e qarqet e Elbasanit, të Tiranës dhe Kavajës. Por duhet ditur se qysh në vitet 1836, Serasqeri i Rumelisë ishte vënë me banim në Manastir, me qëllim që të mund të shtypte më kollaj kryengritjet e shqiptarëve, dhe po për atë arsye u krijua pashallëku i Manastirit, i cili në fillim përfshinte jo vetëm qarqet e lartpërmendura, por edhe pashallëkun e Shkodrës, Prizrenit dhe të Pejës, e shtrihej deri në Nish. Në këtë kohë, Shkodra, Prizreni e Peja, nuk kishin një sundimtar civil të posaçëm.
Tregtia në Shqipërinë e Jugut
Ndarja e Shqipërisë, siç e pamë më lart në këtë shkrim, nuk ishte shkaktuar vetëm për arsye politike, por edhe për arsye tregtare. Dhe me të vërtetë çdo pashallëk, me aleatët e vet, ishte përqendruar në një drejtim të caktuar në fushën tregtare, të pajisur me një rrugë që e lejonte kalimin e mallrave prej Lindjes në Perëndim e anasjelltas. Kështu, në Shqipërinë jugore, Janina ishte qendra tregtare e vendit, prej nga dhe fillonte rruga tregtare, e cila që nga qafa e Zygo-sit, çon në Thesali. Marrëdhëniet e Epirit me këtë krahinë kanë qenë gjithmonë shumë të ngushta, aq sa Turqit e vunë shpesh herë nën një sundim të vetëm. Shqipëria e mesme kishte dy rrugë tregtare: njëra bashkonte Vlorën me Manastirin, duke kaluar nëpër Berat, Korçë e Kostur, tjetra si e famshmja Via Egnatia e Romakëve, bashkonte Durrësin me Manastirin e Selanikun, duke kaluar nëpër Elbasan, Kandavi e Ohër. Pashallëku i Shkupit ishte i bashkuar me Shkodrën dhe me detin Adriatik nëpërmjet rrugës Kukës-Prizren, e cila duke kaluar nëpër Qafën e Tetovës, shkonte deri në Edrene. Gjendja tregtare e Shqipërisë sonë që para 100 vjetëve meriton një studim shumë më të imët, pasi ajo është një gjë me shumë vlera për të njohur gjendjen ekonomike e shoqërore të popullit tonë, mbi të cilën deri më sot pak kush ka shkruar apo folur. Duke filluar nga jugu, duhet pasur parasysh se para Ali Pashë Tepelenës, tregtarët e kësaj krahine i blinin mallrat e vet nga fabrikat, të cilat atëherë lulëzonin në Turnovo-s e Ambelaki-t në Thesali, dhe ndër tregje të Selanikut e të Stambollit. Ata vizitonin edhe panairin e Serez-it e të Përlepit, në Maqedoni, ku merrnin sidomos mallrat evropiane që u nevojiteshin. Tregtia detare, për sa ishte e mundur ndër ato kohë të lashta, ishte në dorë të francezëve, të cilët para Revolucionit të 1789-ës, me Pargë e me Prevezë, kishin marrëdhënie tregtare të ngushta dhe të frytshme. Përkundrazi, e parëndësishme ishte tregtia me Venedikun. Në kohën e revolucioneve dhe luftërave napoloniane (1789-1814), tregtia detare ra në dorë të Maltës, dhe mbas Kongresit të Vjenës, (1815), ajo ra në dorë të Austrisë e të Anglisë. Franca u mundua të rifitonte tokën e humbur dhe t‘i përsërite marrëdhëniet e dikurshme me Shqipërinë jugore, por nuk ia doli dot.
Konkurrenca tregtare e Janinës me Manastirin dhe Korçën
Janina ishte natyrisht qendra tregtare e krahinës dhe rrezja e tregtisë së saj shtrihej edhe përtej kufirit politiko-administrativ, për arsye se jo vetëm i dërgonte mallrat e veta (pëlhura e artikuj kozmetikë) në Tërballë, e nëpërmjet saj në Thesalinë perëndimore, por i bënte edhe konkurrencë Selanikut në tregun e Larisës. Janina kishte në dorë tregun e Kosturit në Maqedoni, sepse tregtarët e Kosturit, edhe pse më afër Manastirit, gjenin si më të dobishme marrëdhëniet tregtare me Janinën, se sa me Manastirin. Porse më vonë, diku aty pas vitit 1830, Janina gjeti një kundërshtare të rrezikshme në Korçë, e cila ia doli të emancipohej nga tregu i Janinës dhe të lidhej drejtpërsëdrejti me Qerfozin dhe t‘i merrte mallrat angleze nëpërmjet limanit të Vlorës. Ky zhvillim i papritur i Korçës ka qenë favorizuar jo vetëm nga zgjuarsia dhe guximi i korçarëve, por edhe nga pozita e atij qyteti që gjendet në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme. Janina kishte dy skela, skelën e Sajadës dhe skelën e Artës. Skela e Sajadës nuk ishte një port i vërtetë, por vetëm një gji ku detarët mund të gjenin një mbrojtje kundra erërave të Perëndimit. Rruga tokësore që prej Sajadës të çonte në Janinë e ishte shumë e gjatë (rreth 20 orë rrugë) dhe shumë e keqe, aq sa nuk mund të kalonte dimër që në Kalama, bri të cilit kalonte rruga, mos të rrëzohej ndonjë mushkë a ndonjë karvanar i karvanëve tregtare që bënin shërbimin Sajadë -Janinë. Për këtë arsye tregtia nuk ishte shumë e dendur dhe nëpër këtë rrugë kalonin vetëm pëlhurat angleze dhe mallrat e tjera më të lehta që vaporët austriakë shkarkonin në Qerfoz. Mallrat kozmetike dhe mallrat më të rënda shkarkoheshin në skelë të Artës, e cila ishte shumë më e sigurt. Edhe rruga Artë-Janinë ishte më e shkurtër (vetëm 16 orë), dhe më e mirë, prandaj edhe kalimi i mallrave nëpër atë rrugë kushtonte më lirë. Ujërat e gjirit të Prevezës, duke qenë jo fort të thella (vetëm 12 metra), nuk lejonin të kalonin dhe t‘i afroheshin bregut anijet e mëdha, prandaj dhe tregtia në këtë zonë nuk ishte e madhe. Si rezultat ajo tregti kufizohej me marrëdhënie të zakonshme në Qerfoz dhe Shën Maura (ku blihej sidomos vera), dhe me disa ishuj të tjerë të detit Jon. Limani më i njohur i Shqipërisë jugore, ishte ai i Vlorës, si për nga mbrojtja e anijeve kundra erërave dhe stuhive të Adriatikut, ashtu dhe nga tregtia. Berati vetë, mbasi nuk kishte në bregdet një skelë të sigurt, përdorte Vlorën si liman të vetin dhe mbi barka të vogla i çonte atje eksportet e veta. E vërteta është se në bregdet nuk mungonin edhe skela të tjera natyrore, por ato ishin të lëna pas dore apo që përdoreshin vetëm për tregtinë e brendshme, pasi nuk përbënin një vend të rëndësishëm nga pikëpamja tregtare.
E identifikuar
Hiqen Vizat per Shqiperine
berni@zeriyt.com,
www.galsh.com
www.vipat.info
Berni
Gjinia:
Kur rrugët tregtare të Evropës kryqëzoheshin në Shqipëri
«
Përgjigju #1 më:
26-04-2008, 15:31:36 »
Bregdeti shqiptar, me 20 zyra doganore
Në atë kohë, në të gjithë bregdetin e Shqipërisë kishte rreth 20 zyra doganore të cilat kontrollonin të gjithë aktivitetin tregtar që zhvillohej nëpërmjet detit. Sa për importet, kishin një rëndësi të veçantë, siç thamë më sipër, skelat e Sajadës dhe Artës. Parga, përkundrazi, mbas pushtimit të Ali Pashë Tepelenës, kishte humbur çdo gjurmë të lulëzimit tregtar të dikurshëm. Mallrat e eksport-importeve ishin mbajtur zakonisht me anije të huaja, si për shembull, me austriake, angleze dhe greke. Anije të tjera nuk shiheshin veçse në Vlorë, kryesisht kur ishte moti i keq. Shqipëria jugore nuk kishte një flotë tregtare, përveç disa barkave të ndonjë tregtari të Prevezës e të Artës, e barkash të himarjotëve. Nga veriu, përkundrazi, si kemi për të parë më poshtë, lulëzonte flota tregtare e Ulqinit. Tregtia bëhej sidomos me Trieste dhe me Qerfoz, duke qenë shumë e kufizuar në marrëdhëniet me Livornon, Maltën, Francën dhe me Perandorinë Otomane. Sipas një llogarie që i afrohet shumë së vërtetës, mbasi janë marrë parasysh të ardhurat doganore të qarkut, shpenzimet e tyre dhe kontrabandat, duket se lëvizja tregtare e Shqipërisë jugore tash një qind vjet (bëhet fjalë për periudhën 1843-1943, shënimi ynë), ishin në 2 deri 5 milionë franga ari. Nga të cilat 2/5 ishin nga eksportet dhe 3/5 nga importet.
Importet nga Anglia, Austria, Rusia etj.
Importet nga Anglia ishin këto; artikuj kozmetikë, pëlhura, penj dhe artikuj të tjerë pambuku. Duhet pasur parasysh se në atë kohë shumë pëlhura vendi bëheshin me pambuk dhe për këtë arsye, përdorimi dhe tregtia e fijeve të pambukut ishte me shumë rëndësi. Hekur, rreth 8000 kv në vit, përdorej për patkonj kuajsh, parmenda e vegla të tjera të trasha. Çmimi i tyre shkonte në 1 grosh (monedhë shqiptare e kohës, shënimi ynë), e 25 pare për ok (njësi matëse). Lëkura të papërpunuara vinin prej Buenos Aires dhe përdoreshin sidomos për opinga. Importet nga Austria; hekur e artikuj hekuri; nja 10000 kv në vit; pëlhura, penj leshi (nja 2000 topa në vit, me etiketat e Vjenës, gjëra pambuku, basma, shamia, etj.), gjëra mëndafshi, lëkurë për këpucë, letra, majolike, artikuj qelqi, sahate. Nga Rusia importoheshin në Shqipëri rreth 2000 kv hekur. Nga Napoli më shumë se 1000 metra tel ari për kazazë e terzi; nga Stambolli vinin disa pëlhura mëndafshi e leshi të çmueshme dhe disa të qëndisura, nga Maqedonia vinin penj leshi për qylyma dhe plafa.
Eksportet e Shqipërisë së Jugut
Nga Shqipëria e jugut eksportohej zhgun dhe shajak i trashë e i fortë, me të cilën bëheshin dikur pelerina detarësh. Ato punoheshin me shumicë, sidomos në katunde të vllehve dhe të Pindit. Kështu që, jo vetëm mjaftonte për nevoja të vendit, por edhe eksportohej jashtë (nja 100 barrë në vit). Në Çamëri në atë kohë lulëzonin disa fabrika burnoti që shitej sidomos ndër vendet të afërta të Perandorisë Osmane. Ndërsa për drithëra (misër, grurë etj.), në atë kohë mungonte një eksport i rregullt, pasi ajo gjë varej nga të korrat dhe stina. Nga vaji, ndër vitet më të mira, Preveza nxirrte rreth 10000 voza, Parga 5000, Çamëria 6-7000, Vlora 20000. Një e treta e tyre eksportohej në Trieste dhe 2/3 ishin për nevojat e vendit. Ndër vitet e këqija, eksporti ishte pothuaj në zero. Të vjelat e ullinjve fillonin zakonisht në nëntor e zgjasnin deri në pranverë, pasi të kokrrat, duke mos u pjekur në të njëjtën kohë, i detyronin fshatarët që të mos i shkundnin për të mos i dëmtuar degët, siç ndodhte në shumë krahina të tjera, ku një vit pemët jepnin kokrra, kurse vitin tjetër do rrisnin sythet e prishura prej së shkundurës. Eksporti fillonte në muajin mars. Vaji më i mirë ishte ai i Pargës dhe ai i Çamërisë, i cili shitej 1 apo 2 taler (njësi matëse e asaj kohe) për fuçi më shumë se të tjerët. Valanidha (Vollonea), rreth 500000 litra në vit, prej së cilës 150000 nga Vlora. Cedrat (më të mira janë ato të Pargës) eksportoheshin në Trieste, ku ishin shumë të kërkuara prej hebrenjve. Në Çamëri mbillej një lloj duhani i posaçëm dhe i çmueshëm, i ardhur prej Sirisë, i cili quhej Gjebel. Ai shitej 7-8 grosh oka, përkundrejt 3-4 grosh që shitej duhani i vendit. Ai lloj duhani eksportohej sidomos në Qerfoz dhe në Greqi. Leshi, vetëm prej Vlorës eksportohej në muajt qershor e korrik rreth 50000 okë, sidomos në Trieste dhe çmimi ishte 10 libra (8-9 groshë). Zifti prej Selenice (e cila ndodhet 3 orë nga verilindja e Vlorës) dhe punëtorët që punonin aty ishin kryesisht vllahët e rretheve, të cilët prodhonin ziftin e trashë dhe të hollë që shkonte në Vlorë për eksport. Atje paguhej një taksë doganore dhe shkonte zifti i trashë (rreth 300000 litra), ½ në Trieste e në Venedik, dhe ½ në Napoli e nga Lindja, ku përdorej për të lyer trupin e hardhive, e cila i mbronte ato nga krimbat e insektet e tjera të dëmshme. Ndërsa i gjithë zifti i hollë dërgohej në Trieste. Lëkura qengji dhe lepuri, rreth 10-15000 copë prej Vlore. Shtazë për mish, rreth 10000 krerë në vit (1/3 nga vendi, 2/3 nga krahinat e Tunës), ndërsa eksporti i deleve dhe i derrave ishte shumë më i vogël. Ushujza, rreth 1000 okë në vit, dikur shiteshin vetëm në Pargë, nja 3000 okë. Breshka, 40000 copë në vit, 4/5 eksportoheshin në Trieste dhe në Fiume. Kriporet më të rëndësishme ndodheshin e para gjysmë ore nga veriu i Vlorës, e dyta afër katundit të Semanit dhe e treta afër Kavajës. Secila përbëhej prej një lëmi katror, i rrethuar nga një mur tjetër dhe i ndarë në lëme më të vogla, ku nëpërmjet një vije hiqej uji i detit deri sa ai arrinte lartësinë 6-7 centimetra. Në verë avullimi ishte aq i fortë dhe i shpejtë, sa mbas 48 orëve, punëtorët me një shat druri mblidhnin kripën, duke e grumbulluar atë me shumë kujdes në pirgje vezake me një diametër 5-6 metrash dhe 4-5 metra të lartë. Për t‘i mbrojtur nga shirat, ato grumbuj i mbulonin me një çati kashte të bërë me xunktha. Në muajt e korrikut dhe gushtit, në kriporen e Vlorës punonin rreth 100 punëtorë të cilët nxirrnin rreth 400-500 barrë kripë në ditë, dhe në vit ajo sasi arrinte 15-20000 barrë. Shumica e asaj kripe dërgohej në Shkodër, me anën e detarëve ulqinakë, të cilët e blinin atë në Vlorë me 10 groshë kalin dhe e shisnin në Shkodër me 14 grosh. Qiraja e kripores së Vlorës ishte rreth 150-180000 grosh në vit, ndërsa rroga e punëtorëve ishte rreth 160 grosh në muaj për njeri. Për këtë arsye, sipërmarrësi nuk kishte ndonjë fitim të madh të ardhurash, por zakonisht ai kompensohej me punë të tjera më të leverdisshme nga ana e qeverisë, në mënyrë që ai të kompensonte fitimet e munguara apo dhe humbjet që mund t‘i vinin prej aktivitetit të kripores. Gjatë një viti në kriporen e Vlorës, zakonisht punonin pa rrogë banorët e katundit të Nartës, të cilët për këtë arsye ishin të lirë prej çdo angarie dhe nuk ngarkoheshin me pagimin e taksave a të dhjetave, si banorët e fshatrave të tjerë. Prodhimi i të gjitha kriporeve të Shqipërisë jugore ishte rreth 60-70000 barrë në vit dhe ai përdorej gati i gjithi për nevojat e vendit në Shqipëri, dhe pjesa që tepronte shkonte ndër vendet e tjera të Perandorisë Osmane të asaj kohe.
(vijon)
Gazeta Shqip
E identifikuar
Hiqen Vizat per Shqiperine
berni@zeriyt.com,
www.galsh.com
www.vipat.info
Berni
Gjinia:
Kur rrugët tregtare të Evropës kryqëzoheshin në Shqipëri
«
Përgjigju #2 më:
28-04-2008, 08:46:55 »
Albanologu gjerman: Ju rrëfej Ulqinin, Shkodrën, Dibrën dhe Gjirokastrën
Albanologu gjerman: Eksportet e drithërave dhe lëkurëve
Na duket me vend ta plotësojmë këtë shkrim edhe me disa vërejtje mbi artikujt kryesorë të eksporteve që kemi përmendur më lart. Eksportimi i misrit dhe i prodhimeve të tjera bujqësore mund të ishte më i madh po të zbatoheshin krejtësisht reformat me legjislacionin e Tanzimatit dhe traktatet e nënshkruara, të cilat i siguronin çdo shtetasi lirinë tregtare. Përkundrazi, shpesh herë eksportimi i drithërave bllokohej, gjë e cila vinte nga kundërshtimet e sundimtarëve dhe interesave të tyre. Një rëndësi të madhe kishte eksportimi i lëkurëve. Lëkurat e dhelprave, vjedullave dhe shqarthit, për t‘u përpunuar më tej, dërgoheshin në Bosnjë dhe prej andej vinin në Shkodër dhe në vende të tjera të Rumelisë (pjesa e Turqisë që shtrihet në kontinentin evropian, shënimi ynë), sipas nevojave që kishin ato vende. Kufizimi i eksportit të lëkurëve të lopës, cjapit dhe dashit, varej nga përdorimi i tyre për opinga dhe nevoja të tjera që kishin vendet që i importonin. Për përpunimin e atyre lëkurëve ishin ngritur dhe punonin disa fabrika në Prizren, Pejë, Gjakovë, Shkup, Ohër, Manastir dhe Shkodër.
Vaji i ullirit dhe gjuetia e peshkut
Vaji i ullirit i qarqeve të Ulqinit dhe të Tivarit eksportohej në Austri, ndërsa ai që prodhohej në Lezhë, shkonte i gjithi për nevojat e vendit në Shqipëri. Gjuetia e peshkut ishte një e drejtë monopol i qeverisë, e cila ia jepte të drejtën ndonjë sipërmarrësi, i cili duhet të paguante 100000 piastra (kartëmonedhë e kohës), në vit. Prodhimi vjetor i kalonte nevojat e vendit dhe kështu që ai çohej nëpër krahinat e tjera më të afërta. Po kështu edhe gjuetia e saragave (sardeleve, shënimi ynë), ishte gjella e zakonshme e popullsisë katolike për festa. Në netët e errëta të vjeshtës, fshatarët që banonin në bregun e liqenit, ndiznin zjarre të mëdhenj. Kjo bëhej me qëllim për të tërhequr drejt bregut tufat me sardele që vinin me shumicë në disa vende të veçanta të ngritura enkas nga peshkatarët, të cilat më pas me rrjetat e tyre i kapnin ato pa vështirësi. Prodhimi vjetor i sardeleve shkonte në rreth 2 deri në 3000 okë, e cila përveç një sasie të vogël, eksportohej e gjitha në Dalmaci dhe në Itali. Ndërsa sasia që mbetej për nevojat e vendit, shitej në Shkodër dhe rrethinat e saj me ½ grosh oka. Vendi më i pasur me sardele ishte bregu i Malit të Zi, kështu që gjuetia e sardeleve ishte një nga aktivitetet më fitimprurëse dhe të majme të Vladikës. Edhe në kohërat e luftërave në mes Stambollit dhe Malit të Zi, kur në vend mbizotëronin vrasjet, djegiet, plaçkitjet e tmerret e luftës, bregu i liqenit gëzonte një qetësi të madhe. Dhe shqiptarë e malazezë gjuanin bashkërisht peshk dhe fitimin e ndanin si vëllezër. Qefulli gjendej me shumicë jo vetëm në liqenin e Shkodrës, por edhe në liqenet e tjerë më të vegjël që ndodheshin në anën e djathtë e të majtë të Bunës dhe ai shitej deri në 1 grosh oka. Putarkat (sardelet) e qefullit thaheshin në diell dhe më pas eksportoheshin në Stamboll dhe Venedik. Më të mira ishin ato që kapeshin në muajin tetor, kurse ato që kapeshin në periudhën e verës ishin më të mëdha, por më pak të shijshme. Po kështu edhe ngjalat vinin me shumicë nga deti, sidomos në periudhën e vjeshtës. Peshkimi i tyre bëhej duke ngulur në lumin Buna (në vendin afër urës që gjendet te pazari), disa vargje hunjsh, të vendosura në një kënd të mprehtë 30 gradë, me majë nga deti. Krahët e koshave ishin të mbyllura dhe ndërsa uji kalonte, ngjalat ngecnin brenda rrjetës apo thesit që vihej nga peshkatarët në majën e koshave. Në këtë mënyrë ngjalat që donin të dilnin nga liqeni për në drejtim të detit, binin në ato kosha.
Tregu i mëndafshit në Shkodër
Shkodra ka qenë dikur edhe një treg i mirë i mëndafshit, madje ndër më të mirët e Rumelisë, por aty nga viti 1830 pësoi një rënie të madhe, e cila erdhi si shkak i konkurrencës së madhe të bërë nga fabrikat e Selanikut dhe të disa firmave tregtare franceze që operonin në Edrene (Adrianopuli). Aty nga viti 1845, nga Filipopoli, Ternovo, e sidomos nga panairi i Edrenesë, vinte në Shkodër një sasi e madhe mëndafshi, e cila punohej ose nëpër shtëpitë e shkodranëve, ose në 200 fabrikat e vogla që lulëzonin asokohe në atë qytet. Këto fabrika, popullsia e besimit mysliman i mbante si një monopol të tyre, dhe popullsia e besimit katolik ishte përjashtuar nga ai lloj aktiviteti industrial, edhe pse reformat e Tanzimatit ua lejonin atë gjë. Kjo u kishte sjellë katolikëve një dëm të madh, pasi përdorimi i mëndafshit dhe shitja e tij ishte shumë e përhapur. Në atë kohë, jo vetëm shtresat e pasura apo aristokratët, por edhe shtresat e mesme të popullsisë së Shkodrës, i përdornin shumë artikujt e mëndafshit, si: këmisha, facoleta, mbulesa shtretërish e tavolinash etj., dhe një sasi e madhe e këtyre artikujve eksportohej edhe në Bosnjë, Dalmaci, Trieste, Venedik etj.
Eksporti i lëndës drusore në Francë e Spanjë
Një rëndësi të madhe në atë kohë kishte edhe eksporti i shqemes, dru i cili gjendej dhe mblidhej sidomos në zonën e Mirditës. Më pas, rreth 100-150000 okë në vit dërgoheshin në Shëngjin, për t‘u eksportuar në Francë (Marsejë e Nicë), Spanjë (Barcelonë), ku i përpunuar në pluhur ai përdorej për prodhimin e bojërave të ndryshme. Çmimi i atij lloji druri ishte 3 pare oka, ndërsa gjethet e tij shiteshin shumë më shtrenjtë, duke arritur deri në 12 pare për okë. Kjo gjë vinte pasi gjethet e drurit të shqemes kishin një veti ngjyruese shumë herë më të madhe se kërcelli i drurit. Në kohët më të vjetra, një sasi e madhe lëndësh drusore për ngrohje dhe ndërtim eksportohej deri në Maltë e Tunizi. Por kjo lloj tregtie më pas u ndërpre për arsye të ndryshme që vinin nga politika e këtyre shteteve.
Tregtia detare e Shqipërisë së Veriut
Në tregtinë detare që zhvillohej në Shqipërinë e Veriut, pjesën më kryesore e zinin ulqinakët, të cilët këtë lloj tregtie e kishin ushtruar që në kohë të vjetra nën Turqinë. Gjë e cila kish bërë që ata të ishin tmerri i Adriatikut dhe me veprimet e tyre u kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha vezirëve të Stambollit dhe atyre të Shkodrës. Për këtë arsye, Stambolli kishte urdhëruar disa herë që të shkatërrohej e të rrënohej plotësisht flota e ulqinakëve, por gjithmonë ajo gjë kishte dështuar, pasi në momentet e fundit mbërrinte në kohë një kundërurdhër që anulonte të parin. Por një ditë, Sulejman Pasha, armik i deklaruar i ulqinakëve, porsa mori në dorë urdhrin e Portës së Lartë të Stambollit, veproi me shpejtësi të madhe, duke e djegur dhe shkatërruar të gjithë flotën e ulqinakëve që gjeti në gjirin e Valdanozit. Disa kohë më vonë, diku aty nga viti 1830, ulqinakët mundën të rindërtonin dhe rimëkëmbnin përsëri flotën e tyre, duke bërë që në vitin 1845 ata të kishin rreth 53 njësi të vogla, me 14 brigandina, 12 trabakuj, 20 fëllunga (lloje anijesh e varkash) e 7 barka të tjera, të cilat ishin ndërtuar të gjitha prej vetë ulqinakëve. Pjesa më e madhe e anijeve dhe e varkave që kishin ulqinakët merrej me transportimin e kripës dhe një pjesë tjetër (me personel krejtësisht shqiptar) merrej me transport udhëtarësh nga Ulqini në vijën Shkodër-Trieste, Shkodër-Venedik e anasjelltas. Kjo gjë bënte që flota e ulqinakëve t‘i krijonte një konkurrencë të madhe flotës tregtare të Austrisë. Të gjitha këto të krijojnë një habi të madhe, po të kihet parasysh se shqiptari, i cili larg atdheut të vet, mbi anijet luftarake dhe tregtare të Turqisë apo Egjiptit, u tregua detar i aftë dhe tepër guximtar, si Hydriot e Speciot, zemra e flotës greke, në atdheun e vet, duket se nuk ka për detin veçse një apati e ftohtësi të madhe.
Shqipnia etnike, Gjirokastra
Krahina e Gjirokastrës është ndër më interesantet dhe më të populluarat e Shqipërisë. Popullsia e saj, për nga ana e besimeve fetare, ndahet në ortodoksë e myslimanë. Ortodoksët gjenden në fshatrat e katundet e Lunxherisë e të Rrëzës, ndërsa myslimanët gjenden në Nepravishtë, Kardhiq dhe Kurvelesh. Po kështu ajo ka dhe popullsi të përzier me myslimanë dhe ortodoksë, e cila gjendet në Gjirokastër dhe Labovë. Në Gjirokastër banojnë pronarët e tokave të fshatrave të gjithë asaj krahine. Shtëpitë e tyre janë ndërtesa të larta dhe të forta. Ndër katet e poshtme ato nuk kanë dritare, por vetëm disa frëngji. E kundërta ndodh me katet më të larta, të cilat janë të pajisura me dritare të mëdha dhe fusnin dritë e gjallëri brenda tyre. Oborret e tyre janë të rrethuara dhe të mbrojtura me muret e larta e me dyer të sigurta, të cilat e shpien vizitorin në fillim në një para oborr të vogël, prej nga ku, të zotët e shtëpisë nga frëngjitë e tyre shikojnë dhe kontrollojnë gjithçka. Porta apo dera tjetër mund të hapet nga të zotët e shtëpisë, vetëm pasi ata janë të siguruar se cilët janë miqtë dhe qëllimin e vizitës së tyre, e pastaj nga oborri ata mund të hyjnë brenda në shtëpi. Stili i këtyre ndërtesave, pak a shumë është i njëjtë me ato të kështjellave, pronë e shtresave aristokrate të Evropës Perëndimore në periudhën e Mesjetës. Edhe jeta e banorëve të tyre nuk është e ndryshme nga ajo e kreshnikëve të kohës së Mesjetës. Çdo zotni i përdorte të ardhurat e veta për të mbajtur sa më shumë shërbëtorë që të kishte mundësi dhe me ta të shkonte edhe në luftë kur t‘i dërgonte fjalë Sulltani, apo dhe të hynte në shërbim të ndonjë Pashe a zyrtari tjetër të Perandorisë Osmane. Ndër kohë të vështira, kur qyteti ishte ndarë në grupe të ndryshme që luftonin njëri-tjetrin (gjë e cila pothuaj ishte e zakonshme), secili zotni, i mbyllur në shtëpinë e tij, mundohej me pushkë dhe me barut, e me çdo mjet tjetër, që të dëmtonte kundërshtarët e vet. Por duke qenë se edhe ky ruhej mirë në shtëpinë e vet, këto luftëra zakonisht nuk ishin shumë të përgjakshme. Aty këtu fshatarët jepeshin edhe mbas plaçkitjeve, por kjo ndodhte me fshatarët e vegjël, dhe kur u qeshte shpresa për një fitim të madh dhe të fshehtë ajo ishte shumë më pak se bujaria e dikurshme e aristokracisë së Perëndimit.
Aristokracia e Gjirokastrës, si ajo e Perëndimit
Aristokracia shqiptare, përkundrazi, përveç luftës, merrej shumë edhe me pagesën e taksave dhe të dhjetat e monopoleve. Kjo ishte si një industri, një monopol i aristokracisë tonë (Perëndimit), gjë të cilën ata (gjirokastritët) e kryenin me një zell të madh e të papërshkrueshëm. Për këtë gjë u ngritën shoqëri të vërteta që pasqyronin natyrisht frymën politike të pjesëtarëve të tyre, duke shkaktuar edhe në këtë fushë një konkurrencë të dëmshme dhe të rrezikshme. Populli jetonte në shërbim të aristokracisë, si ushtarë a taksambledhës, apo duke u dhënë mbas blegtorisë, bujqësisë, tregtisë apo zejtarisë. Në shërbim të klasës aristokrate hynin zakonisht myslimanët, ndërsa të krishterët merreshin me punë të tjera. Kështu, popullsia e Libohovës dhe e Nepravishtës, si dhe ajo e anës lindore të luginës së Gjirokastrës, ishte e lidhur ngushtë me besimin, zakonet dhe grupimet politike të aristokracisë të qytetit të Gjirokastrës. Popullsia myslimane e Kardhiqit, si dhe ajo e krishterë e Hormovës, emër tashmë i famshëm mbas kërdive mizore të Ali Pashë Tepelenës, e nxjerrin jetesën e tyre tërësisht nga shërbimi ushtarak që ata kryejnë, sikurse edhe popullsia e Himarës dhe e Zagorisë. Popullsia e Kurveleshit, e cila është tërësisht e besimit mysliman, merret me blegtori dhe bujqësi, por mezi e siguron jetesën, pasi toka nuk është shumë pjellore, gjë e cila bën që ajo të nxjerrë bukën vetëm për 8 muaj në vit, dhe në vitet më të këqija, vetëm për 4 muaj. Një tipar karakteristik paraqet popullsia e besimeve të përziera, e cila është e shpërndarë në nëntë katunde të Lunxherisë.
Burrat dhe djemtë gjirokastritë në emigracion
Mbasi toka nuk është pjellore, burrat ua lenë atë nën kujdes grave e pleqve, dhe vetë ata shkojnë për të punuar në emigracion, ku në më të shumtën e rasteve duke punuar si kopshtarë në Stamboll. Kështu ndodh edhe me 11 katunde të krishtera të Rrëzës. Edhe atje burrat ua lenë pleqve dhe grave kujdesin për familjet dhe tokat e tyre dhe vetë ata shkojnë për të punuar në emigracion. Ndërsa dy katunde janë të specializuara për punime hidraulike, duke bërë që në kohët më të vjetra, me ferman të posaçëm të Sulltanit, ata të punonin në ndërtimin e ujësjellësve të Stambollit. Burrat e katundeve të tjerë ishin të specializuar sidomos si tregtarë shëtitës të pëlhurave. Zakonisht këtë zanat të burrave të fshatrave të Gjirokastrës e ndiqnin edhe djemtë e tyre, por kjo gjë nuk funksiononte gjithmonë. Në disa familje ndodhte që të trashëgohej edhe profesioni i mjekut popullor, gjë e cila është e përhapur edhe në vende të tjera të Shqipërisë dhe të Lindjes. Shpërngulja e përkohshme për në emigracion e burrave dhe djemve gjirokastritë ka ndodhur edhe në krahinat e tjera përreth. Burrat e Zagorisë dhe të Himarës shkonin larg Shqipërisë si ushtarë, ndërsa burrat e Delvinës si bujq dhe kopshtarë. Kështu, banorët e katundeve që shtrihen nga ana lindore e qytetit të Janinës janë gati që të gjithë furrtarë, tregtarë, pijeshitës, mjekë e taksambledhës shëtitës. Në Turqinë evropiane, në Greqi e në Azi të Vogël, s‘ka qendër me rëndësi të madhe që të mos ketë një koloni të vogël zejtarësh shqiptarë. Vetëm në Stamboll e në rrethe të tjera të saj gjenden më shumë se 6000 punëtorë shqiptarë.
Emigracioni i mjeshtërve dibranë dhe kolonjarë
Një interes të veçantë meriton shpërngulja e dibranëve dhe kolonjarëve. Ajo nuk është një shpërngulje e pak vetave, por e organizuar, shpërngulje që përfshinte të gjithë burrat e vendit. Siç dihet, profesioni karakteristik i dibranëve është ndërtimi. Dibranët lindin muratorë. Kështu është sot, kështu ishte dhe tash njëqind vjet. Ndërtesat që ngriheshin, pyjet që priteshin, dërrasat e trarët që përgatiteshin për në Ballkan, gjithçka ishte gati pa përjashtim fryt i punës dhe i veprimtarisë së palodhshme të shqiptarëve. Shembulli i shkëlqyer i fuqisë punëtore dhe i lulëzimit të lidhjeve shqiptare ishte dhe fakti se dibranët bashkoheshin në shoqëri dhe nën udhëheqjen e një mjeshtri, shpërndaheshin në vende të ndryshme ku kërkohej puna e mjeshtërisë së tyre. Nisja zakonisht ndodhte ditën e Shën Dimitrit (8 tetor) dhe ata ktheheshin ditën e Shën Gjergjit (më 23 prill), sepse besonin se për të qenë të shëndoshë duhej të kalohej gjithmonë stina e verës nëpër bjeshkë të freskëta dhe me ajër të pastër. Dhe ndoshta ata kishin arsye për këtë, pasi vendet e Greqisë, Thesalisë, e të Maqedonisë ku do të punonin, ishin shpesh herë vende malarike dhe tepër të rrezikshme për shëndetin e tyre. Rregullisht, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, ata punonin një vit në një vend, e një vit në një vend tjetër. Për këtë arsye mjeshtri dibran vizitonte më parë vendet e punës që u ofroheshin atyre, bënin kontratat përkatëse sipas nevojës, në mënyrë që çdo grup prej tyre ta kishte të sigurt punën për gjithë vitin në të njëjtin vend. Tregtarët dhe zejtarët nuk niseshin dhe nuk ktheheshin në shtëpi në një kohë të caktuar, si muratorët e përmendur, por më parë dhe më vonë, më shpesh sipas rrethanave që u paraqiteshin. Disa prej tyre rrinin jashtë Shqipërisë edhe për shumë vjet, pa u kthyer kurrë në shtëpitë e tyre, si rasti i një tregtari nga Zagoria, i cili u nis vetëm disa ditë pasi u martua, dhe u kthye në shtëpi vetëm pas 12 vjetësh.
Shqiptarët e jugut, njerëz të qetë
Shqiptarët e jugut janë në përgjithësi njerëz të qetë e korrektë, dhe nisur nga ky fakt, kur dalin jashtë Shqipërisë, fitojnë shpejt aq para sa u duhen për t‘i siguruar familjes së tyre jo vetëm jetesën, por edhe një gjendje ekonomike mjaft të mirë. Për këtë arsye ata kanë shtëpi të mira, të mëdha dhe me një arkitekturë të bukur, vishen me rroba elegante dhe shumëngjyrëshe, kurse fshatarët e tjerë kanë rroba të trasha dhe banojnë nëpër shtëpia të vogla dhe në varfëri. Nisur nga ky fakt, kuptohet se këta të mjerë nuk janë pronarët e tokave që punojnë, por vetëm argatë që marrin 2/3 e të korrave, ashtu si edhe në vende të tjera të Lindjes. Dhe sado që në Perandorinë Otomane nuk ka skllavëri, me gjithë këtë, ndonjëherë buqit janë të nëpërkëmbur më keq se skllevërit prej pronarëve të tyre, të cilët arrijnë t‘ua çnderojnë edhe gratë dhe vajzat e tyre. Bujqit shikonin tek ata këshilltarët dhe mbrojtësit e tyre më të fuqishëm kundra padrejtësive së të afërmve smirëzinj, apo të zyrtarëve gjakpirës. Ishte një kohë e mjerueshme, në të cilën, për pakujdesinë e vazhdueshme të qeverisë qendrore, në Shqipëri sundonte e drejta e forcës, e jo forca e së drejtës.
Gazeta Shqip
E identifikuar
Hiqen Vizat per Shqiperine
berni@zeriyt.com,
www.galsh.com
www.vipat.info
Faqe: [
1
]
Shko lart
Keshilloje
|
Printoje
« i mëparshmi
tjetri »
Shko te:
Zgjidhni një destinacion ju lutem:
-----------------------------
Forumi i Historise - Albanian History
-----------------------------
=> Historia Shqiptare
===> Historia Mesjetare Shqiptare
===> Rilindja Kombetare
===> Historia Moderne Shqiptare
=> Historia e Lashte Shqiptare
=> Libra dhe Vepra Studimore
===> "Enigma"
=> Figura Historike
=> Arkeologji
-----------------------------
Historia Boterore
-----------------------------
=> Historia Boterore
=> Historia Antike
=> Historia Mesjetare
=> Historia Bashkekohore
Anketa
Aristoteli ishte :?????
Ilir
14
(45%)
Grek
10
(32%)
Thrak
6
(19%)
Asnjera
1
(3%)
Numri total i votave: 31
Shiko temen