Faqe: 1 [2]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE  (E lexuar 5946 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #15 më: 11-03-2005, 10:15:03 »

Punishtet manifakturore dhe fabrikat e para

Zhvillimi i ekonomisë monetare dhe shthurja e disiplinës esnafore i dhanë një shtytje shtimit të prodhimit të punishteve zejtare. Ky proces pushtoi sidomos punishtet zejtare të këpucëve, të opingave, të lëkurëve, të shajakëve, të qilimave, të armëve, të argjendarisë, të qëndistarisë etj. Rreth mesit të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan, Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin 5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në 15 krahë pune. Në këto punishte procesi i prodhimit vijoi të kryhej, si edhe më parë, me po ato vegla dore, por tani mori një përmbajtje të re social-ekonomike. Si trajtimi i krahëve të punës, ashtu dhe shitja e prodhimeve të tyre, nuk vareshin më nga disiplina esnafore, por nga ligjet e tregut të lirë. Kallfa dhe çiraku i djeshëm u kthyen në një shitës të "lirë" të krahut të tyre të punës, kurse mjeshtri zejtar në një pronar i plotë i mjeteve të prodhimit. Si rrjedhim, pas viteve 40 në gjirin e punishteve të mëdha zejtare filluan të lindnin, ku më parë e ku më pas, elementet e para të marrëdhënieve të ekonomisë së tregut.

Por në punishtet e mëdha zejtare të kësaj periudhe mbeti për disa kohë në fuqi ndarja e mëparshme e punës. Procesi i kooperimit të thjeshtë hyri me vështirësi në gjirin e tyre. Megjithatë, nën nxitjen e konkurrencës së lirë, që u zhvillua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, qoftë midis prodhimeve të zejtarëve lokalë, qoftë midis tyre dhe prodhimeve evropiane, nga radhët e borgjezisë tregtare dolën nisma për të ngritur punishte manifakturore me një bazë teknike më të përparuar se ajo e punishteve zejtare. Filluan të duken makineritë e para të sjella nga jashtë për punimin e lëndës së parë vendase. Nga vitet 70 të shek. XIX lindën elementet e para të industrisë me motor, u ngritën ndërmarrjet industriale të mekanizuara (fabrikat), që punonin me fuqi motorike. Por këto ndërmarrje kishin më shumë pamjen e punishteve të zgjeruara me disa makina. Të tilla qenë për shembull flandrat për përpunimin dhe endjen e mëndafshit, që tregtari shkodran Filip Parruca solli qysh në vitin 1860 nga Italia, filatura mekanike me avull që sollën nga jashtë afërsisht në atë kohë vëllezërit Bianki në Shkodër, makinat e dorës për përpunimin e gajtanëve ose çarqet për prodhimin e shiritave, që disa pronarë punishtesh sollën gjithashtu nga jashtë pak vite më vonë. Por ndërmarrjet më të rëndësishme të industrisë në Shkodër ishin fabrika e sapunit (e ndërtuar nga Stefan Bianki dhe Engjëll çoba, e cila prodhonte afër 180 tonë sapun në vit), fabrika e makaronave, ajo e brezave, e tisazhit, e cigareve (ku punonin mbi 100 punëtore), fabrika e tullave, mullinjtë e blojes me fuqi motorike, shtypshkronja, fabrika e uthullës dhe e verës, një kantier i vogël për ndërtimin e riparimin e barkave, furra moderne Hofman etj. Në Ulqin ishin ngritur kantieret e ndërtimit të anijeve, në njërin prej të cilëve punonin deri në 50 punëtorë.

Në qendrat e tjera të vendit lindën gjithashtu ndërmarrjet e para industriale për përpunimin e artikujve të konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave, të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj. Më 1870 u ndërtuan në Korçë dy furra moderne për prodhimin e gëlqeres, një mulli drithi me kapacitet bluarjeje 150 kv në 24 orë, një fabrikë miellit etj. Në fundin e shek. XIX u ndërtuan në Prishtinë dy fabrika mielli dhe disa mullinj me motorë, ndërsa në viset e tjera të vilajetit të Kosovës u ngritën një fabrikë sapuni, një sharrë mekanike për përpunimin e drurit (me kapital shqiptaro-gjerman), fabrika e birrës, e miellit, e tullave dhe e tjegullave; në Tetovë ishte ngritur fabrika e gajtanit, 15 punishte për prodhimin e pëlhurave dhe fabrika e miellit (e ndërtuar nga një firmë hungareze); në Prizren dhe në Plevlje kishte dy fabrika të tjera gajtani. Në Durrës ishte ngritur një sharrë mekanike (që i përkiste një shoqërie franceze) dhe disa mullinj me fuqi motorike; në Vlorë ishte ngritur industria nxjerrëse e bitumit të Selenicës, kriporja, një poçeri (ku punonin më shumë se 100 punëtorë), disa fabrika të kohës për prodhimin e vajit; në Elbasan ishin ndërtuar dy presa moderne dhe një makinë hidraulike për prodhimin e vajit, një fabrikë sapuni, fabrika e duhanit dhe ajo e miellit; në Gjirokastër ishte ngritur fabrika e përpunimit të lëkurës; në Kavajë kishte kripore, punishte të qeramikës, dy mullinj me fuqi motorike; në Prevezë u ngrit një fabrikë sapuni etj.

Gjatë kësaj periudhe u dukën edhe investimet e huaja, të cilat u kufizuan vetëm në sferën e shfrytëzimit të minierave dhe të pyjeve. Qysh më 1875 Shoqëria angleze "Mejers" (Mayers) mori për shfrytëzim minierat e serës në Selenicë; më pas (më 1891) këtë koncesion e mori nga Shoqëria "Mejers", një shoqëri frënge, e formuar në Paris posaçërisht për shfrytëzimin e kësaj miniere (Société des bitumes de Selenitza). Më 1904 Shoqëria italiane "Firpo e Berberis" mori për shfrytëzim pyjet e Thumanës afër Durrësit dhe solli këtu sharra mekanike moderne. Më 1910 Shoqëria tjetër italiane "Vismara" filloi, gjithashtu, me anën e sharrave moderne shfrytëzimin e pyjeve të Mirditës. Në vitet e fundit të sundimit osman u ngritën nga investitorë të huaj një fabrikë makaronash në Shkodër, një fabrikë vaji në Vlorë etj.

Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse me një teknikë më të përparuar, të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër të kufizuar punëtorësh, madje disa prej tyre më pak se punishtet e mëdha zejtare. Pesha e prodhimit të tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore, zinte një vend fare të parëndësishëm kundrejt prodhimit që dilte nga duart e zejtarëve të vegjël, të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale të vendit. Veç kësaj, megjithëse borgjezia reshpere zotëronte fonde monetare të mëdha dhe ndonëse kishte një treg të lirë krahësh pune, as fabrikat e reja, as punishtet manifakturore nuk e rritën më tej prodhimin dhe nuk u kthyen në industri moderne. Për më tepër, disa prej tyre e pushuan pas disa kohësh veprimtarinë ekonomike. Arsyeja kryesore e zhvillimit shumë të ulët të prodhimit industrial kapitalist në Shqipëri qe varfërimi me ritme shumë të shpejta që i shkaktuan tregut të brendshëm, nga njëra anë sistemi fiskal parazitar i sunduesit osman, nga ana tjetër vërshimi i pandalshëm i mallrave të huaja të vendeve të zhvilluara të Evropës.

çdo vit me miliona groshë mblidheshin në formë taksash nga Shqipëria dhe merrnin rrugën e Stambollit, ndërsa në vend shpenzoheshin shuma tepër të pakëta vetëm për mbajtjen e administratës shtetërore. Kështu, për shembull, në vitin 1888, sipas të dhënave të salnamesë osmane për vilajetin e Manastirit, nga tre sanxhakët shqiptarë të këtij vilajeti (sanxhakët e Korçës, të Elbasanit dhe të Dibrës) shuma e taksave të vjela ishte 13,8 milionë groshë, kurse pjesa e shpenzuar në vend vetëm 3,7 milionë groshë. Po kështu ndodhte edhe në viset e tjera. Sipas salnamesë turke për vilajetin e Janinës, në vitin 1900 në sanxhakët e Gjirokastrës, të Beratit e të Prevezës u grumbulluan atë vit 16,4 milionë groshë dhe u shpenzuan në vend vetëm 2,7 milionë groshë. Kjo grabitje e vazhdueshme, e cila bëhej në kurriz të shtresave të gjera të popullsisë, që ishin pothuajse të vetmit kontribuesë të buxhetit turk dhe konsumatorë kryesorë të prodhimeve industriale, solli si pasojë dobësimin e vazhdueshëm të tregut të brendshëm shqiptar.

Faktori tjetër që shpuri në dobësimin e tregut të brendshëm shqiptar ishte konkurrenca e mallrave evropiane, të cilat në bazë të kapitulacioneve hynin në Shqipëri me një tagër tepër të ulët doganor. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, prodhimi i punishteve zejtare e manifakturore lokale, duke mos qenë në gjendje t'i bënte ballë konkurrencës së prodhimeve industriale të huaja, hyri në një krizë të rëndë, e cila e çoi në një rënie të vazhdueshme. Goditjen e parë e pësuan prodhimet e tekstileve, siç qenë tekstilet e linjta, të leshta dhe të mëndafshta. Me vërshimin e mallrave të huaja, eksportimi i këtyre prodhimeve nga Shqipëria u ndërpre, madje këto prodhime filluan të mos gjenin treg as brenda vendit. Si pasojë, filandrat dhe makineritë, që u sollën në vitet 60-80 në Shkodër, në Korçë e në Berat për prodhimin e tekstileve të leshta e të mëndafshta filluan të mbylleshin njëra pas tjetrës. Në fillim të shek. XX jetonte ende prodhimi i vogël i grave shtëpiake (shajaku në Korçë e në Berat, mëndafshi në Tiranë e në Shkodër), por edhe këtu ky prodhim ishte në rënie të plotë. Për të njëjtat arsye, rënia që ishte shfaqur qysh më parë në prodhimin e armëve të zjarrit (pushkë, kobure, fishekë) tani u thellua më tej. Pas mesit të shek. XIX zejtarët armëtarë, që mbushnin ende pazaret e Shkodrës, të Prizrenit dhe të Elbasanit nuk i prodhonin më të gjitha pjesët e armëve. Disa prej tyre, siç qenë për shembull tytat e pushkëve e të kobureve, filluan t'i sillnin nga jashtë. Por edhe kjo nuk vijoi gjatë. Me vërshimin në Shqipëri të armëve martina, më të lira dhe më moderne, prodhimi vendas i pushkëve e i kobureve, me gjithë traditat e lashta, ra përfundimisht, derisa u zhduk fare gjatë çerekut të fundit të shek. XIX. Gjatë kësaj periudhe filloi të binte edhe zejtaria e tabakëve, e cila gjithashtu nuk qe më në gjendje t'i konkurronte nga çmimi lëkurët e regjura në fabrikat moderne evropiane. Këtë fat pësuan edhe degë të tjera, siç qenë zejtaritë e argjendarëve, të remtarëve, të drugdhendësve etj.
Nga ana tjetër, me vërshimin e mallrave të huaja dhe me rrënimin e punishteve të vendit, u përmbys raporti që ekzistonte më parë në bilancin e tregtisë së jashtme të viseve shqiptare.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX vëllimi i mallrave të importuara nga tregjet evropiane erdhi duke u rritur. Në listat e tyre tani bënin pjesë edhe artikuj të cilët më parë prodhoheshin nga zejtarët shqiptarë, madje edhe artikuj të cilët më parë figuronin në listat e mallrave që eksportonte Shqipëria (fije mëndafshi, fije pambuku, stofra të leshta, pëlhura mëndafshi, enë shtëpiake, lëkurë të punuara, shuall e këpucë, armë e barut, brava e gozhdë, feste e breza, kazma e lopata etj.). Për më tepër, në listën e mallrave që tani eksportoheshin nuk figuronin më si dikur artikuj të përpunuar dhe aq më pak mallra të gatshme, por vetëm bagëti të imëta e të trasha, shumë pak prodhime bujqësore dhe kryesisht lëndë të para në gjendje natyrore (lesh, lëkurë, duhan, ullinj, dyllë i papunuar etj.). Diferenca midis importimeve dhe eksportimeve erdhi kështu vazhdimisht duke u rritur. Në fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara nga skelat bregdetare ishte tri herë më e madhe se ajo e mallrave të eksportuara (më 1898 nga skelat e Shqipërisë u importuan mallra me një vleftë prej 34 milionë franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara ishte rreth 12 milionë franga ari). Ky deficit i theksuar që vazhdoi me dhjetëra vjet e varfëroi edhe më shumë pasurinë monetare të vendit. Shterrimin e plotë të kësaj pasurie e frenuan deri në një farë shkalle vetëm dërgesat periodike valutore të kurbetlinjve (emigrantëve) shqiptarë, që punonin në vise të huaja dhe që i kishin lënë familjet në Shqipëri.

Karakteri parazitar i administratës osmane dhe konkurrenca tregtare e shteteve evropiane, duke varfëruar sistematikisht pasurinë monetare vendase, e dobësuan thellësisht fuqinë blerëse të masave popullore dhe krijuan kështu një situatë mbytëse për zhvillimin e industrisë kombëtare shqiptare. Për këtë arsye trojet shqiptare mbetën deri në fund të sundimit osman pa asnjë industri të zhvilluar.
Më 1912 në trojet e trungut etnik shqiptar kishte, përveç punishteve manifakturore, shumë pak fabrika të vogla me motorë:

Mullinj drithi ……………………. 26 njësi
Fabrika vaji ……………………... 4 "
Fabrika sapuni ………………….. 2 "
Fabrika lëkurësh ………………... 2 "
Fabrikë tisazhi ………………….. 1 "
Fabrika cigaresh ………………... 2 "
Fabrikë makaronash ……………. 1 "
Shtypshkronja …………………... 5 "
Sharra mekanike ………………... 7 "
50 "

Të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet shumë të kufizuar prodhimi. Numri i punëtorëve të këtyre njësive ishte gjithashtu fare i vogël. Në secilën prej tyre punonin 3-15 punëtorë dhe fare rrallë mbi 16 punëtorë, kurse numri i tyre i përgjithshëm llogaritej në disa qindra punëtorë. Si përfundim, marrëdhëniet karakteristike për ekonominë e tregut në u dukën Shqipëri jo aq në rritjen e ndërmarrjeve moderne kapitaliste, por kryesisht në veprimin e ligjeve të ekonomisë së tregut.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #16 më: 11-03-2005, 10:17:07 »


Struktura shoqërore e qyteteve


Ekonomia e re e tregut, që lindi në Shqipëri gjatë shek. XIX solli ndryshime në strukturën shoqërore të qyteteve. Por për shkak të ruajtjes së strukturës shtetërore feudale të Perandorisë Osmane, e cila qëndronte në fuqi vetëm në saje të dhunës, qytetet shqiptare nuk u çliruan dot nga zgjedha e shtresës së vjetër feudale sunduese. Përfaqësuesit kryesorë të saj, funksionarët e lartë të administratës shtetërore, shtresat e sipërme të klerit islamik dhe feudalët e fuqishëm derebej, të shkëputur si edhe më parë nga sfera e prodhimit, vijuan të grabisnin popullsinë dhe arkën e shtetit me anën e dhunës, të arbitraritetit, të mashtrimit dhe të spekulimeve. Për këtë arsye ata nuk ishin aspak të interesuar për ta ndryshuar strukturën ekonomike, shoqërore e politike të Perandorisë Osmane. Në kushtet e reja të krijuara nga veprimi i ligjeve ekonomike kapitaliste, karakteri parazitar i tyre u bë më i theksuar.
Nga pjesëtarët e klasës së vjetër sunduese qenë prekur vetëm krerët e feudalizuar të esnafeve, të cilët, me heqjen e monopolit esnafor, humbën bazën e tyre ekonomike, si rrjedhim burimin e pushtetit të tyre të dikurshëm. Deri në vitet 60 ata vazhduan të bënin pjesë në shtresat e larta të popullsisë qytetare, vetëm për hir të traditës shekullore ose përkrahjes politike që Porta e Lartë u detyrua t'u jepte për të shuar trazirat e shkaktuara prej tyre.

Borgjezia tregtare, sidomos reshperët e mëdhenj, me rritjen e mëtejshme të tregtisë grosiste, u fuqizuan më shumë. Me krizën që shkaktoi ndër prodhuesit shqiptarë vërshimi i mallrave të huaja, edhe burimi tjetër i fitimit të tyre, fajdeja, erdhi gjithashtu duke u rritur (në vitet 80 në tregun e Shkodrës fajdeja kapte normalisht 50-60%). Në qytetet e pajisura me garnizone ushtarake reshperët nxorën fitime të mëdha edhe nga kontratat për furnizimin e ushtrisë me ushqime, veshmbathje e pajime të ndryshme. Në tregjet kryesore të vendit ata futën nën varësinë e tyre shumë nga zejtarët e vegjël dhe nga gratë shtëpiake, të cilat tani përpunonin lëndën e parë vendase të grumbulluar prej reshperëve dhe të destinuar për eksport (lesh, lëkurë, mëndafsh, bimë, fruta etj.). Reshperët u pajisën me anije lundrimi (12 anije deri më 1912) dhe përqendruan në duart e tyre kapitale tregtare e monetare të mëdha. Por kjo pjesë e borgjezisë, në kushtet e arbitraritetit të administratës osmane dhe të zhvillimit të dobët të tregtisë, nuk arriti të kalonte kapitalet e saj nga sfera e qarkullimit në atë të prodhimit, mbeti e lidhur deri në fund të sundimit osman me veprimtarinë tregtare e kamatare, duke i akorduar kredi edhe vetë financës shtetërore lokale. Veç kësaj, me hyrjen gjithnjë e më shumë të tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, një pjesë e tregtarëve u bënë njëkohësisht pronarë çifligjesh, duke u kthyer kështu në një borgjezi reshpero-çifligare.

Forca e re shoqërore që lindi në këtë kohë, borgjezia industriale, për shkak të klimës mbytëse që sundoi për zhvillimin e ekonomisë së tregut, sidomos pas viteve 70, pati deri në fund të sundimit osman një peshë të parëndësishme.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut filloi të shfaqej në viset shqiptare edhe një shtresë tjetër shoqërore, punëtorët, bërthamën e së cilës e përbënin mëditësit e thjeshtë që punonin në fabrikat, minierat, kriporet, anijet, sharrat dhe punishtet e ndryshme. Por në radhët e kësaj shtrese shoqërore hynin edhe prodhuesit e tjerë të qytetit, siç ishin kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, qiraxhinjtë, hamejtë, druvarët, prodhuesit e vegjël të pazarit e të shtëpisë që punonin për reshperët e mëdhenj dhe, së bashku me ta, shtresa e të papunëve. Punëtorët e të gjitha kategorive punonin pa përjashtim deri 14 orë në ditë dhe merrnin një pagë shumë të ulët, që shpesh jepej në formën e qesimit. Deri në fund të sundimit osman nuk doli asnjë legjislacion që të mbronte të drejtat më elementare të punëtorëve.

Me gjithë pasojat që pati për prodhimim e vogël vërshimi i mallrave të huaja, masën dërrmuese të popullsisë së qyteteve e formonin, si edhe më parë, zejtarët e tregtarët e vegjël. Edhe pse disa nga zejtaritë e vjetra u zhdukën nga pazaret e qyteteve ose ishin në rënie të plotë, forcimi i vazhdueshëm i lidhjeve të fshatit me qytetin u dha mundësi zejtarëve që merreshin me veshmbathjet fshatare t'i shpëtonin rrënimit ekonomik (zejtarët që prodhonin tirqe, shallvare, poture, kallca, opinga, breza, qeleshe etj.). Veç kësaj, në disa degë të prodhimit zejtar artikujt evropianë nuk arritën ta konkurronin prodhimin vendas, i cili shitej më lirë se prodhimi i huaj (prodhimet e remtarëve, të farkëtarëve, të poçarëve, të saraçëve, të këpucëtarëve etj.). Më në fund, rritja e kërkesave të vetë popullsisë qytetare solli në disa fusha shtimin e numrit të zejtarëve (rrobaqepës, marangozë, furrxhinj, sheqerxhinj, sahatçinj etj.). Zhvillimi i tregut të brendshëm, vërshimi i mallrave të huaja dhe zhvillimi i jetës qytetare sollën nga ana e tyre rritjen e mëtejshme të dyqaneve të tregtarëve të vegjël dhe të lokaleve të shërbimit social (hotele, hane, restorante, pijetore etj.). Por rritja e numrit të zejtarëve të vegjël nuk tregonte aspak lulëzimin e tyre ekonomik. Sikurse shënonte një udhëtar i huaj, që kaloi në Shqipëri më 1910, shumica e zejtarëve ishte e zhytur në varfëri të thellë dhe qëndronte në dyqanet e veta vetëm sepse nuk gjente punë tjetër.

Megjithëse ekonomia feudale ishte shthurur, sundimtari osman vijonte ta ruante të paprekur sistemin politik e shtetëror feudal. Ndërsa zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit kërkonte shkëputjen e viseve shqiptare nga grabitja sistematike e huaj, sundimtari osman përpiqej ta forconte më tej shtypjen e vet shekullore në Shqipëri.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #17 më: 11-03-2005, 10:18:25 »

3. DEPËRTIMI I EKONOMISË SË TREGUT NË FSHAT


Rritja dhe copëzimi i pronës çifligare

Në fillim të viteve 40 timari feudal turk zyrtarisht nuk ekzistonte më në Perandorinë Osmane. Ai ishte suprimuar me ligj nga Porta e Lartë qysh në vitin 1834. Në të vërtetë, timari ishte zhdukur nga tokat më pjellore të viseve shqiptare, të cilat kishin hyrë në sistemin e çifligut, përpara se të hiqej zyrtarisht. Timari qëndronte ende vetëm në fshatrat me toka buke të pakëta, por edhe këtu zotëruesit e tyre, spahinjtë, në shumicën e rasteve ishin kthyer prej kohësh në feudalë-derebej. Si të tillë ata i ruanin pozitat sunduese vetëm në saje të përkrahjes që u detyrua t'u jepte sulltani me anën e sistemit të "harxheve". Sipas këtij sistemi, feudalët spahinj gëzonin të drejtën në kohë lufte të rekrutonin kundrejt "harxheve" (shpërblimeve) mercenarë për në luftë dhe në kohë paqeje të vilnin, kundrejt një shume të caktuar, taksat shtetërore brenda timarit të tyre.

Megjithatë, pas vitit 1834 spahinjtë nuk u ngjanin atyre të shekujve të kaluar, pasi tani nuk e gëzonin tesarrufin (zotërimin) mbi tokat e fshatarit. Si rrjedhim ata e kishin humbur zotërimin feudal mbi tokën. Por edhe pse e humbën tesarrufin, spahinjtë derebej, duke u mbështetur në forcat e tyre të armatosura dhe në përkrahjen e Portës së Lartë, vijuan të ushtronin pushtet mbi fshatarët e zonës së tyre.
Për të njëjtat arsye Porta e Lartë nuk preku as bajraktarët e krahinave malore të veriut. Ata vijuan të gëzonin si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje po ato detyra dhe po ato të drejta që kishin pasur gjatë shekullit të kaluar. Megjithatë, në viset malore të Veriut, për shkak të mbeturinave ende të gjalla të normave fisnore, dhuna dhe arbitrariteti i bajraktarëve nuk morën përpjesëtime aq të mëdha, sa ato të derebejve në viset e tjera të vendit.

Me heqjen e sistemit të timarit dhe me njohjen zyrtarisht të pronësisë private mbi tokën, pronësia çifligare u njoh ligjërisht nga shteti osman. Bejlerët çifligarë fituan të drejtën jo vetëm ta administronin, por edhe ta zgjeronin lirisht pronën e tyre, e cila për më tepër hyri nën mbrojtjen e dretpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Madje Porta e Lartë, shumicën e çifligjeve që ua kishte konfiskuar dikur feudalëve të dënuar si kryengritës, në radhë të parë Ali pashë Tepelenës, Ibrahim pashë Vërlacit, Ibrahim bej Alltunit, Osman bej Kryekuqit, i shpalli pronësi private shtetërore, duke e kthyer kështu vetë Perandorinë Osmane në një pronare të madhe çifligare. Të drejtën e pronësisë e fituan edhe institucionet fetare islamike e të krishtera. Si rrjedhim, me likuidimin e pronësisë feudale-ushtarake, ajo feudale-çifligare u bë forma kryesore e pronësisë tokësore, mbi të cilën tani mbështetej shteti feudal turk.

Në vitet 40 çifligjet kapnin në viset e katër vilajeteve rreth 700 mijë hektarë ose rreth 55 për qind të tokave të punueshme. Por shpërndarja e tyre nuk ishte e njëjtë kudo. Në krahinat e vilajetit të Janinës çifligjet zinin rreth 70 për qind të tokave të punueshme, në viset e vilajetit të Shkodrës rreth 60 për qind, në të Manastirit rreth 52 për qind dhe në viset e Kosovës rreth 40 për qind.
Pronësia çifligare nuk ishte rritur njësoj as brenda secilit vilajet. Ajo ishte shtrirë kryesisht në viset fushore, aty ku ndodhej pjesa më e madhe e tokave të punueshme. Nga të dhënat për ejaletin e Janinës del, se më 1850 në rrethet e sotme të Fierit dhe të Lushnjës të gjitha fshatrat pa përjashtim (184 fshatra) ishin kthyer në çifligje. Në disa vise të tjera të ejaletit, si në rrethin e Pogonit, pronësia çifligare zinte 93 për qind të fshatrave, në atë të Paramithisë 91 për qind, në atë të Filatit 64 për qind, në kazanë e Delvinës 58 për qind, në atë të Gjirokastrës 35 për qind, në atë të Vlorës 29 për qind, në krahinën e Mallakastrës 20 për qind, në kazanë e Përmetit 12 për qind, kurse në kazanë e Tepelenës 9 për qind. Brenda ejaletit të Janinës kishte gjithashtu vise, siç ishte kazaja e Skraparit dhe ajo e Tomoricës me 43 fshatra, të cilat nuk e njihnin fare institucionin e çifligut.

Shumica dërrmuese e pronës çifligare, rreth 76 për qind e sipërfaqes së saj, ishte në pronësi private të bejlerëve feudalë, mjaft nga të cilët e kishin grumbulluar me grabitje gjatë dyqind vjetëve të kaluar. Gjatë viteve 40 ajo ndodhej e përqendruar ende në duart e pak familjeve feudale, që të gjitha me origjinë shqiptare. Disa prej tyre zotëronin sipërfaqe të mëdha jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në krahinat e tjera të Turqisë Evropiane: p.sh., familja e Skyfterajve të Libohovës zotëronte rreth 28 000 ha tokë në Toskëri, në çamëri e në Thesali, kurse ajo e Begollajve të Pejës rreth 22 mijë ha në Kosovë, në Bosnjë e në Serbi. Pronarë të mëdhenj feudalë, të cilët zotëronin çifligje në viset shqiptare, ishin Kokatët e Delvinës (rreth 18 000 ha), Gjinollët e Prishtinës (rreth 16 000 ha), Toptanët e Tiranës (rreth 15 000 ha), Dërrallat e Tetovës (rreth 12 000 ha), Rrotullat e Prizrenit (rreth 10 000 ha), Bushatllinjtë e Shkodrës (rreth 8 500 ha), Okllapajt e Gjilanit (rreth 8 000 ha), Alizotët e Gjirokastrës (rreth 7 500 ha) etj.

Pas bejlerëve feudalë, vendin e dytë si pronar latifondist e zinte vetë shteti osman, i cili zotëronte rreth 20 për qind të pronës çifligare. Pjesa dërrmuese e çifligjeve shtetërore, rreth 105 000 ha (afërsisht 75 për qind e sipërfaqes së tyre), ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse pjesa tjetër ishte e shpërndarë në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës dhe të Kosovës.

Institucionet fetare myslimane, të cilat zinin vendin e tretë, zotëronin rreth 4 për qind të sipërfaqes së përgjithshme çifligare. Afërsisht gjysma e tyre ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse në vilajetet e tjera çifligjet vakëfore ishin shumë të copëzuara.

U rritën edhe zotërimet tokësore të kishave ortodokse e katolike. Në vitet 60-70 të shek. XIX 23 kisha e manastire zotëronin rreth 1 300 ha tokë të punueshme dhe pyje.
Me gjithë shtrirjen e madhe të pronësisë çifligare numri i bujqve të vendosur nëpër çifligje ishte i vogël në krahasim me mundësitë e shfrytëzimit të saj. Në të vërtetë, ndërsa çifligjet zinin rreth 55 për qind të tokave të punueshme, në këto toka punonin rreth 25 për qind të familjeve fshatare. Më shumë se 2/3 e tokave çifligare ishin lënë djerr. Kështu në fushën e Myzeqesë në 184 fshatra qenë vendosur vetëm 2 616 familje bujqish çifçinj.

Me përfshirjen e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, vlefta e saj si burim të ardhurash për pronarin erdhi vazhdimisht duke u rritur. Kjo pati pasoja të thella në fushën e pronësisë tokësore.

Te bejlerët çifligarë, të cilët nuk iu përshtatën kushteve të reja që u krijuan me zhvillimin e ekonomisë monetare, përfshirja e tokës në sferën e tregtisë solli copëzimin e saj në duart e trashëgimtarëve të ndryshëm dhe pastaj shitjen e saj pjesë-pjesë. Ky proces, i cili vijoi deri në fund të sundimit osman, dobësoi, si pronarë çifligarë, mjaft nga familjet e vjetra feudale të vendit, siç ishin Kokatët, Skyfterajt, Alizotët, Delvinajt, Toptanët, Bushatllinjtë etj.?

Përkundrazi, familjet feudale, të cilat u lidhën me ekonominë çifligare, i pushtoi lakmia për të shtënë në dorë toka bujqësore. Si rrjedhim, çifligjet e tyre u rritën me ritme të shpejta. Kjo rritje u bë me rrugë të ndryshme. Njëra prej tyre ishte rruga e vjetër e përvetësimit të tokave shtetërore "vakante", siç quheshin tokat e mbetura prej kohësh të papunuara. Kjo ndodhi sidomos në fushat e Shqipërisë së Ulët, ku të ashtuquajturat toka vakante zinin sipërfaqe të mëdha. Me anën e ryshfeteve mjaft pronarë të rinj siguruan pa ndonjë vështirësi, nga administrata e korruptuar osmane, tapitë përkatëse, duke u kthyer kështu në pronarë të këtyre tokave.??

Rrugë tjetër e rritjes së pronës çifligare ishte shtënia në dorë e tokave të fshatarëve të vegjël nga ana e bejlerëve të pasur. Kjo mënyrë, e cila ishte zbatuar edhe më parë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX mori një përhapje më të madhe. Shumë fshatarë të vegjël i humbën tokat e tyre ngase i shitën për të shlyer borxhet e rënda ose u konfiskuan me anë gjyqi nga kreditorët. Ata që përfituan më shumë nga shitja e këtyre qenë jo vetëm bejlerët e mëdhenj (Toptanët, Vrionët, Vlorajt, Vërlacët, Biçakçinjtë), por edhe mjaft bejlerë të dorës së dytë, të cilët me këtë mënyrë u kthyen në pronarë të mëdhenj (Vokopolat, Bonotët, Hamzarajt, Resulajt etj.).

Prirja për të grabitur tokat pushtoi edhe feudalët derebej. Zakonisht, pasi vinin njërën këmbë në një fshat, bejlerët derebej e vijonin dhunën përpara syve të administratës shtetërore derisa e kthenin fshatin në çiflig, duke u kthyer kështu dhe ata vetë në pronarë çifligarë. Me anën e këtij sistemi pronësia çifligare u shtri jo vetëm në viset e ulëta, por edhe në krahinat e brendshme, si në rrethet e Korçës, të Kolonjës, të Dibrës, të Matit, të Kukësit etj., ku më parë kjo pronësi njihej pak ose nuk njihej fare.

Bejlerët çifligarë i rritën pronat e tyre duke blerë gjithashtu çifligjet që vinin në shitje feudalët e ndryshëm. Veç kësaj, bejlerët çifligarë përfituan edhe në kurriz të çifligjeve shtetërore, të cilat Porta e Lartë i vinte në shitje sa herë ndodhej në vështirësi financiare, sidomos çifligjet që ndodheshin të shpërndara andej-këtej si ishuj të rrethuar nga fshatra të lira. Të tilla ishin kryesisht çifligjet shtetërore të kazave të Delvinës, të Përmetit, të Mallakastrës, të Tepelenës, të Korçës, të Lezhës, të Shkodrës, të cilat në pjesën e tyre më të madhe fundi i sundimit turk i gjeti çifligje private. çifligjet private u rritën edhe në kurriz të çifligjeve sulltanore me anën e dhuratave që sulltan Abdyl Hamiti II u jepte herë pas here bejlerëve shqiptarë ose në formë shpërblimi për shërbime në favor të pallatit, ose në formë prike kur martoheshin me gratë e haremit perandorak.
Si rrjedhim i këtij zhvillimi në krye të pronarëve të mëdhenj çifligarë qëndronin më 1912 familjet e Vrionëve me 16 300 ha, e Toptanëve me 13 500 ha, e Vlorajve me 13 000 ha, e Dërrallave me 8 500 ha, e Vërlacëve me 7 500 ha, e Kryezinjve me 7 500 ha, e Dinove me 6 500 ha, e Dragave me 6 000 ha, e Biçakçinjve me 5 400 ha dhe një numër i madh bejlerësh pak të njohur në mesin e shek. XIX, por që tani kishin grumbulluar me mijëra hektarë tokë, si Resulajt në Lushnjë (4 500 ha), Bonatët në Peqin (4 500 ha), Vokopolajt në Lushnjë (3 000 ha), Risiliajt në Vlorë (2 000 ha), Shaskat në Vlorë (2 000 ha) etj. Megjithatë, në radhët e tyre, krahas rritjes së pronës çifligare, veproi gjithashtu, nëpërmjet së drejtës së trashëgimisë, copëzimi i saj. Kështu, për shembull, më 1912 pronat e Vrionëve qenë ndarë, ndonëse në mënyrë jo të barabartë, në 9 pronarë, ato të Toptanëve në 8, të Biçakçinjve në 8, të Vlorajve në 4 e kështu me radhë.

Copëzimi i pronësisë çifligare me anën e shitjes dhe të trashëgimisë shkaktoi, veç të tjerave, diferencimin ekonomik të çifligarëve, pasi pranë pronarëve të mëdhenj u rrit numri i pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël. Por radhët e tyre u rritën më shumë me pronarë të ndryshëm që nuk kishin origjinë feudale, pasi tokat që shitën fshatarët e varfëruar, madje edhe një pjesë e tokave që shitën vetë feudalët çifligarë, ranë ku më shumë e ku më pak, në duart e tregtarëve të qyteteve e të fshatarëve të pasur, të cilët në këtë mënyrë u kthyen në çifligarë të vegjël e të mesëm. Madje, ndonjëri prej tyre u bë çifligar i madh, si Iljaz Qoku (Dibër), Milto Shallvari (Durrës), Jaho çiniu (Gjirokastër), Muhamet Abazi (Gjirokastër), të cilët më 1912 zotëronin rreth 4 000 ha secili. Kjo kategori e re çifligarësh me origjinë jofeudale u shfaq pothuajse në të gjitha krahinat e vendit, në mënyrë të veçantë në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Tiranës e të Vlorës.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX u rritën edhe çifligjet vakëfore, kryesisht në kurriz të pronës çifligare shtetërore (12 fshatra të Myzeqesë u kthyen në vitet 80 nga pronësi shtetërore në pronë çifligare vakëfore).

Por krahas rritjes së pronës çifligare u zhvillua edhe procesi i kthimit të saj në pronë fshatare. Ky proces u krye me anën e blerjes së tokave çifligje nga ana e fshatarëve, të cilët u bënë pronarë të mesëm e të vegjël (siç ndodhi, për shembull, në një pjesë të tokave të Kokatëve, të Alizotëve, të Toptanëve, të Skyfterajve) ose nga bujqit çifçinj, të cilët me sakrifica të mëdha u kthyen në pronarë të vegjël (siç vepruan, për shembull, bujqit e çifligjeve Drenovë e Boboshticë në Korçë, Kapinovë e Vertenik në Berat, Levan e Visokë në Mallakastër, Labovë e Glinë në Gjirokastër, Qilarisht e Bodar në Përmet etj.).
Si rrjedhim, sipërfaqja e pronës çifligare filloi të ulej vazhdimisht. Më 1912 ajo ishte në të katër vilajetet bashkërisht rreth 620 mijë ha, pra rreth 100 mijë ha më pak se më 1840. Ulja u duk në të katër vilajetet: në vilajetin e Janinës nga 240 mijë ha në 228 mijë ha, në atë të Kosovës nga 216 mijë ha në 184 mijë ha, në atë të Manastirit nga 202 mijë ha në 160 mijë ha, kurse në vilajetin e Shkodrës nga 55 mijë ha në 48 mijë ha. Më 1912 prona çifligare përfaqësonte në gjithë Shqipërinë rreth 45 për qind të tokës së punueshme*.

Si pasojë e këtij procesi ndryshoi edhe raporti ndërmjet tri kategorive të pronës çifligare. Më 1912 prona private zinte 81 për qind, prona shtetërore 15 për qind dhe prona vakëfore 4 për qind të sipërfaqes tokësore çifligare. Veç kësaj, prona private çifligare tani nuk ishte më aq e përqendruar si në vitet 40 në duart e pak familjeve feudale. Pjesa më e madhe e saj tani ishte e pjesëtuar në duart e disa mijëra pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël me origjinë pjesërisht feudale, pjesërisht borgjeze.

Si përfundim, edhe pse prona çifligare zinte ende një sipërfaqe të madhe (rreth 45 për qind të tokës së punueshme), ajo nuk e ruante karakterin e pronësisë feudale. Fakti që toka kishte hyrë përfundimisht në sferën e qarkullimit të mallrave dhe se sipërfaqja çifligare rritej ose pakësohej kryesisht me anën e parasë, tregonte se prona çifligare tashmë kishte fituar tiparet e pronës borgjeze.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #18 më: 11-03-2005, 10:19:29 »


Marrëdhëniet agrare brenda çifligjeve


Deri në vitet 40 çifligjet e katër vilajeteve ruanin ende, në vijat e tyre të përgjithshme, tiparet themelore të çifligjeve feudale, pak a shumë ashtu siç ishin formuar gjatë shekujve të kaluar. Në gjirin e tyre ekonomia natyrore ishte shthurur me ritme më të ngadalshme se në fshatrat joçifligje të vendit. Pothuajse të gjitha karakterizoheshin nga prapambetja e theksuar e teknikës bujqësore. Secili bujk ishte i pajisur me një ngastër toke, në të cilën ai kishte ngritur ekonominë e vet. Kafshët e punës së bashku me veglat e tjera të prodhimit ishin pothuajse kudo pronë e fshatarit çifçi. Edhe pse juridikisht quhej si ortak me pronarin, çifçiu në të vërtetë ndodhej në vartësinë e plotë të feudalit të fuqishëm çifligar. Marrëdhëniet ndërmjet çifçinjve dhe çifligarit vijonin të ndërtoheshin sipas traditës mbi bazën e së tretës, të gjysmës dhe të qesimit, të praktikuara pothuajse në të gjitha pronat çifligare. Nga mesi i viteve 60 të shek. XIX filluan të përpiloheshin edhe kontrata qiraje me shkrim, dukuri që erdhi duke u shpeshuar. Këto marrëdhënie mbështeteshin tani, në ligjin agrar të vitit 1858, sipas të cilit fshatarët mbaheshin si qiramarrës të thjeshtë dhe juridikisht të lirë, ndërsa ndarja e prodhimit vijoi të bëhej siç kishte qenë para Tanzimatit. Nga këto sisteme, më i përhapuri vijoi të ishte ai i së tretës. Madje, krahas të tretës së prodhimit ose të qesimit në natyrë që i jepte pronarit, bujku ishte ngarkuar prej kohësh edhe me detyrimin e angarisë, të cilin kanunametë e vjetra nuk e kishin lejuar. Si rrjedhim, detyrimet e fshatarit çifçi ndaj çifligarit e ruanin karakterin e mëparshëm të detyrimit joekonomik.

Zhvillimi ekonomik e shoqëror që u duk në viset shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe viteve të para të shek. XX preku jo vetëm karakterin e pronësisë çifligare, por edhe regjimin e brendshëm të çifligjeve. Zhvillimi i tregut të brendshëm, rritja e popullsisë qytetare dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare me viset e huaja e përfshiu me ritme të shpejta në sferën e qarkullimit të mallrave edhe prodhimin bujqësor të çifligjeve. Meqenëse në tregun shqiptar çmimet e prodhimeve bujqësore pësonin ndryshime të theksuara nga një stinë në tjetrën, pronarët çifligarë vijonin ta kërkonin rentën në natyrë dhe jo në të holla, sepse, duke e grumbulluar drithin në verë për ta shitur në dimër, ata nxirrnin fitime më të mëdha. Kështu bejlerët pronarë filluan të ktheheshin edhe në tregtarë hambarxhinj. Lidhja e prodhimit të çifligut me tregun ndikoi në ekonominë e bujkut çifçi, sepse ky tani filloi të detyrohej nga çifligari që të kultivonte ato kultura bujqësore, të cilat kishin leverdi tregtare për atë. Në këto rrethana, pas mesit të shek. XIX ekonomia natyrore u shthur në gjirin e çifligjeve me ritme të shpejta.

Veç kësaj, disa çifligarë filluan të praktikonin jo sistemin e së tretës, por atë të qesimit (sasi e caktuar drithi që bujku detyrohej t'i jepte feudalit pavarësisht nga prodhimi i korrur). Sistemi i qesimit ishte në interes të çifligarit, sepse me anën e tij renta vjetore ishte e sigurt. Veç kësaj ai ia linte pronarit përherë shtegun të hapur për t'ia rritur bujkut më tej detyrimin. Në të vërtetë, aty ku ky sistem u zbatua, masa e detyrimit u rrit kohë pas kohe. Nga 2,5 deri në 3 kv drithë për ha që ishte më 1880, ai arriti në 4 deri 5 kv drithë për hektar më 1912, sasi kjo e madhe po të merret parasysh teknika e prapambetur e bujqësisë dhe rendimentet e ulëta të prodhimit. Veç kësaj, ky sistem e detyronte bujkun ta dorëzonte sasinë e caktuar të drithit edhe në vitet me korrje të këqija, gjë që sillte rrënimin e tij ekonomik. Për këto arsye shumica e bujqve nuk e pranoi sistemin e qesimit, prandaj ai nuk u shtri në të gjithë vendin, por u kufizua vetëm në disa çifligje të viseve të ulëta.

Depërtimi i vazhdueshëm i ekonomisë së tregut në fshat pati edhe pasoja të tjera për fshatarët-bujq. Një pjesë e vogël e tyre arriti me sakrifica ta blinte tokën dhe të kalonte në radhët e fshatarësisë pronare. Megjithatë, numri i fshatarëve bujq nuk u pakësua, sepse radhët e tyre shtoheshin vazhdimisht me fshatarë të vegjël, të cilët, duke mos i bërë ballë varfërimit ekonomik, shisnin tokat e tyre dhe hynin si bujq nëpër çifligje. Si rrjedhim, në vitin 1912 fshatarët bujq përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë fshatare.

Duke mos i bërë dot ballë rritjes së kërkesave të çifligarit dhe lëvizjes stinore të çmimeve, ekonomia e shumicës së tyre filloi të lëkundej. Bujqit filluan të merrnin gjithnjë e më shumë borxh. Meqë nuk ishin në gjendje t'i shlyenin ato, bujqit e varfëruar filluan të shisnin kafshët e tyre të punës. Për ta mbajtur në këmbë ekonominë e tyre, u detyruan të merrnin me qira nga pronari së bashku me tokën e bukës edhe pendën e qeve?. Numri i këtyre bujqve punëtorë (gjysmatarë ose qesimtarë) që ishin jo vetëm pa tokë, por edhe pa veglat kryesore të punës (qetë), erdhi vazhdimisht duke u rritur. Më 1912 çifligjet pa të tillë bujq ishin shumë të rralla. Në disa raste ata formonin brenda çifligut edhe pakicën (për shembull, në çifligun Rreth afër Durrësit kishte 15 bujq pa pendën e qeve dhe 28 bujq me kafshët e punës). Po kishte dhe çifligje ku ata formonin shumicën dërrmuese (në çifligun Kullë afër Shijakut kishte atë vit 44 bujq pa kafshët e punës dhe vetëm 6 bujq me pendën e qeve).

Në disa raste varfërimi i fshatarëve bujq shkoi edhe më tej. Disa prej tyre, të mbetur pa kafshë pune dhe të zhytur në borxhe, nuk qenë në gjendje ta mbanin në këmbë ekonominë e tyre individuale. Prandaj jo vetëm si individë, por edhe si familje u kthyen në argatë të thjeshtë, punëtorë të përhershëm bujqësorë.

Në kushtet e zhvillimit të ekonomisë monetare dhe të vendosjes së pronësisë private të tokës, detyrimi që i jepte pronarit çifligar jo vetëm bujku i varfëruar (gjysmatari), por edhe ai që zotëronte ende veglat kryesore të prodhimit (tretari) pushoi së qeni formë e rentës feudale. Në të dy rastet ai mori karakterin e qirasë së tokës, kurse fshatari bujk rentar, gjysmatar ose qesimtar atë të një qiramarrësi të thjeshtë. Për më tepër si të tillë ata i njohu edhe Ligji i tokës (Eraz-i Kanuni) i vitit 1858, me të cilin fiksoheshin marrëdhëniet e reja agrare në Perandorinë Osmane. Në të vërtetë, nëpër çifligjet e Shqipërisë filloi të përhapej gjithnjë e më shumë praktika e "marrëveshjeve" ndërmjet bujkut e çifligarit në lidhje me kushtet e punës dhe me format e detyrimit. Sipas vendeve këto "marrëveshje" përsëriteshin çdo 1, 2 ose 5 vjet, madje në vitet e fundit të sundimit osman, në disa raste, ato filluan të fiksoheshin me shkrim. Nevoja që kishte bujku për tokë dhe pozita e tij e ulët shoqërore, i jepte mundësi pronarit çifligar t'i diktonte atij kushte të rënda, të kërkonte, krahas të tretës a qesimit, edhe disa ditë pune angari ose dhurata të ndryshme në bagëti, shpendë, vezë etj. Megjithatë, në kushtet e krijuara pas mesit të shek. XIX, nënshtrimi i bujkut nuk rridhte nga vartësia e tij ligjore ndaj feudalit, por nga nevoja e jetës, nga po ajo nevojë që e shtynte punëtorin të pranonte mëditjen që i diktonte pronari i fabrikës. Pra, qiraja që bujku tani i jepte pronarit filloi të vishej me karakterin e detyrimit ekonomik.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #19 më: 11-03-2005, 10:21:01 »


Lindja e borgjezisë agrare

Tërheqja e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, lidhja e prodhimit bujqësor të çifligut me tregun, pjesëmarrja e çifligarëve në veprimet tregtare dhe aspirata e tyre për investime në fushën e industrisë i futi pronarët çifligarë në rrugën e borgjezimit.

Shprehja më e thjeshtë e borgjezimit të pronarëve feudalë ishte prirja që pushtoi çifligarët për të përqendruar në duart e tyre së bashku me tokën edhe veglat kryesore të punës. Përqendrimi i qeve, i farës e i banesës së bujkut në duart e çifligarit ishte një lloj investimi që pronari i tokës bënte në fushën e prodhimit, të cilin nuk e njihte rendi feudal. Si rrjedhim, përballë bujkut që zotëronte vetëm krahët e punës, qëndronte çifligari si zotërues i tokës, i mjetit kryesor të prodhimit dhe i veglave kryesore të punës, që e bënin atë të afërt me një pronar kapitalist.

Borgjezimi i pronarëve çifligarë u shpreh edhe në forma më të përparuara. Me qëllim që të rritnin të ardhurat nga të tretat ose nga qesimi, disa bejlerë çifligarë filluan të nxitnin përdorimin nga fshatarët çifçinj të një teknike më të përparuar në bujqësi. Interesimi për farë dhe për fidanë më të mirë filloi, me sa dihet, qysh në vitet 40. Në vitet 60 Kahreman bej Vrioni solli nga jashtë jo vetëm farë të zgjedhur, por edhe plugje të hekurta, kurse nipi i tij, Azis pashë Vrioni, u përpoq të përhapte gjerësisht në çifligjet e veta kulturën e orizit e të duhanit. Po këto nisma mbetën në mes të rrugës. Shfrytëzimi i bujqve ishte aq i egër, sa varfëria e thellë, në të cilën ata ishin zhytur, nuk u jepte asnjë mundësi për ta çuar ekonominë e tyre sadopak përpara. Për këtë arsye deri në fund të sundimit osman përdorimi i plugut të hekurt mbeti shumë i kufizuar dhe rendimentet në bujqësi tepër të ulëta.

Lakmia për të siguruar fitime sa më të mëdha nxiti edhe te bejlerët prirjet për të kaluar në qeverisjen e drejtpërdrejtë të pronave të tyre. Duke zgjedhur tokën më të mirë të çifligjeve, bejlerët shpërngulën në toka të tjera bujq çifçinj dhe i zëvendësuan me familje bujqish argatë, të cilët nuk kishin as ekonomi individuale, as kafshë pune, as shtëpi banimi. Ata punonin si mëditës të thjeshtë në tokën e pronarit çifligar me veglat e punës të pronarit dhe nën varësinë e tij ekonomike. Lindën kështu mbi truallin e pronësisë çifligare fermat bujqësore me elementet e marrëdhënieve kapitaliste.

Të tilla ferma bujqësore u dukën gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX pothuajse kudo ku kishte latifunde çifligare. Madje, në ndonjë rast pronarët e tyre bënë përpjekje të mëtejshme për t'i kthyer ato në ferma bujqësore moderne. Qysh në vitet 80 Syrja bej Vlora pruri në fermën e vet, që organizoi në Skroftinë (Vlorë), disa bujq arbëreshë nga Italia për të përhapur kulturën e patates dhe pak më vonë një grup teknikësh hungarezë për të administruar me sistemin borgjez të qeverisjes tokat e tre çifligjeve (Frakull, çerven, Ferras, gjithsej 1 600 ha). Por në kushtet e regjimit anakronik osman, të prapambetjes së theksuar të vendit, të mungesës së plotë të rrugëve dhe të prirjes së bejlerëve pronarë për të siguruar fitime sa më të mëdha me investime sa më të pakëta, as fermat bujqësore nuk u zhvilluan më tej. Në të tilla rrethana bejlerët pronarë parapëlqyen t'i depozitonin kapitalet e tyre monetare nëpër bankat e huaja dhe të vijonin t'i administronin çifligjet, si edhe më parë, pa bërë investime me peshë. Kështu, për shembull, më 1912, në çifligun e Mifolit (Vlorë), pronë e Xhemil bej Vlorës, nga 21 familje bujqish vetëm 2 qenë familje argatësh; në çifligun Rreth (Durrës), pronë e Esat pashë Toptanit, nga 48 familje bujqësh vetëm 5 qenë familje argatësh etj. Madje disa bejlerë pronarë nuk merreshin fare me qeverisjen e drejtpërdrejtë të çifligjeve të tyre. Si rrjedhim, qeverisja e drejtpërdrejtë kapitaliste e çifligjeve nga bejlerët pronarë u frenua menjëherë, sapo filloi të duket në truallin e Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, pronarët çifligarë filluan të humbisnin dalëngadalë fizionominë e mëparshme që kishin si pronarë feudalë dhe të përvetësonin, ndonëse me vështirësi, tiparet e një borgjezie çifligare, të lidhur me metodat e vjetra të shfrytëzimit të fshatarëve bujq.

Në të njëjtën kohë, diferencimi ekonomik që veproi pas mesit të shek. XIX në gjirin e çifligjeve, krijoi mundësinë që punën e çifçinjve të kthyer në argatë ta shfrytëzonin edhe fshatarët bujq, të cilët për hir të rrethanave të veçanta kishin një ekonomi individuale më të konsoliduar. Këto familje të veçuara bujqish filluan të merrnin me qira nga çifligari toka të tepërta për t'i punuar pjesërisht me anëtarët e familjes dhe pjesërisht me bujqit argatë. Më 1912 kjo dukuri vërehet në shumë çifligje, për të cilat ka njoftime deri diku të hollësishme. Sipas të dhënave të këtij viti, disa bujq kishin deri 3 nganjëherë edhe më shumë argatë të përhershëm të pajtuar me rrogë vjetore, përveç argatëve stinorë, të cilët i pajtonin me pagë ditore gjatë periudhës së mbjelljeve e të korrjeve. Edhe pse nuk ishin pronarë të tokës që qeverisnin, ata pushuan së qeni fshatarë çifçinj, përderisa përdornin në ekonominë e tyre individuale punën e të tjerëve dhe siguronin nga puna e tyre të ardhura të mëdha. Si të tillë këta qiramarrës të thjeshtë përvetësuan dalëngadalë tiparet e fermerit bujk.

I njëjti proces ndodhi gjatë kësaj kohe edhe në radhët e fshatarësisë pronare. Tokat që shitën fshatarët e vegjël të rrënuar ekonomikisht nuk ranë të gjitha në duart e bejlerëve çifligarë. Pjesërisht ato u blenë nga elementë të veçuar që dolën prej radhëve të fshatarëve, të cilët u kthyen në pronarë të pasur. Kështu, nga procesi i diferencimit ekonomik që pushtoi vendin pas viteve 40 të shek. XIX, numri i fshatarëve të pasur pothuajse u pesëfishua. Në fillim tokat e tepërta ata ua jepnin me qira fshatarëve bujq ose fshatarëve - paraqendarë, duke u kthyer në çifligarë të vegjël. Por me kohë disa fshatarë të pasur filluan të praktikonin në tokat e tyre punën e argatëve të përhershëm a stinorë. Kështu, në periudhën e fundit të sundimit osman, krahas qiramarrësve lindën në fshatin shqiptar, si rrjedhim i zhvillimit të ekonomisë së tregut në bujqësi, edhe fshatarët e pasur.

Fshatarët e pasur dhe fermerët bujq së bashku me pronarët çifligarë të fermave ishin kategori të reja shoqërore, të cilat fshati shqiptar nuk i njihte më parë. Ato lindën në kushtet e shthurjes së mëtejshme të ekonomisë feudale dhe të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë monetare. Por, nga ana tjetër, ato lindën në kushtet e varfërisë dhe të prapambetjes së thellë, ku e kishte lënë vendin sundimi i gjatë osman. Për këtë arsye pronarët e fermave, fermerët bujq dhe fshatarët e pasur mbetën të vjeguar pas formave të prapambetura të qeverisjes bujqësore dhe nuk patën asnjë nxitje për të përvetësuar metodat e teknikën e përparuar të ekonomisë kapitaliste. Megjithatë ata përbënin borgjezinë agrare, sepse tipari i tyre themelor ishte përdorimi i punës së fshatarëve argatë, të cilët në këtë periudhë përfaqësonin mëditësit e fshatit.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #20 më: 11-03-2005, 10:24:22 »


Fshatarët pronarë

Me heqjen e regjimit të timareve (vitet 30) ndryshoi edhe gjendja e fshatarëve pronarë. Me këtë masë në kategorinë e fshatarëve pronarë u përfshinë ata fshatarë që kishin ruajtur tapitë deri në prag të reformave centralizuese dhe të Tanzimatit. Tani ata nuk ishin më, de jure, raja të spahiut, sepse ligjërisht nuk ndodheshin më nën vartësinë e tij feudale. Formalisht fshatarët e mesëm e të vegjël u kthyen në fshatarë të lirë dhe ligjërisht u njohën pronarë të tokës së tyre, të cilën tani mund ta shitnin, ta jetërsonin dhe ta hipotekonin lirisht.
Megjithatë, fshatarët me tokë nuk u bënë plotësisht të lirë, pasi vendin e marrëdhënieve të mëparshme me feudalin spahi tani e zunë marrëdhëniet me shtetin feudal osman, i cili i grabiste me anën e feudalëve derebej, të sipërmarrësve të taksave (myltezimëve) e funksionarëve të administratës. Ata u njohën juridikisht si zotërues privatë të tokës mirie, ndonëse patën ende disa pengesa fiskale për përdorimin e lirë të saj.

Pozitat e fshatarëve pronarë të mesëm e të vegjël u tronditën jo vetëm nga rritja e vazhdueshme e taksave shtetërore (taksë mbi tokën, mbi banesën, mbi prodhimin, mbi bagëtinë, mbi shpendët, për bletët, për mullirin, për rrugën, për shërbimin ushtarak, abuzimet e shumta etj., por edhe nga veprimi i ligjeve të ekonomisë së tregut në fshat (sidomos nga luhatja e theksuar stinore e çmimeve). Tronditjen e ndjenë sidomos fshatarët pronarë të vegjël, të cilët për shkak të të ardhurave të pakëta nga toka bujqësore ishin të detyruar të blinin çdo vit drithë me të hollat që nxirrnin nga veprimtaria e tyre suplementare. Por me vërshimin e mallrave të huaja dhe me konkurrencën e prodhimit të qyteteve, të ardhurat e tyre nga kjo veprimtari erdhën duke u pakësuar. Si rrjedhim, varfëria i detyronte fshatarët të merrnin borxhe nga fajdexhinjtë.
Afatet e borxheve mbaronin zakonisht në kohën e korrjeve ose të vjeljeve. Për të shlyer borxhin fshatari detyrohej të shiste drithin në verë kur çmimet ishin të ulëta dhe ta blinte në pranverë kur ato ishin më të larta. Me forcimin e administratës perandorake osmane pas mesit të shek. XIX, pesha e taksave shtetërore në kurriz të masave fshatare erdhi duke u rritur. Barrë e rëndë u bë edhe shërbimi i gjatë ushtarak për popullsinë myslimane ose taksa e shërbimit ushtarak për popullsinë e krishterë. Për t'i bërë ballë varfërimit të vazhdueshëm, pronarët e vegjël filluan të shisnin kafshët e punës dhe pastaj bagëtitë e imëta, të cilat ose ranë në duart e fshatarëve të pasur dhe mbetën përsëri në vend ose u blenë nga reshperët e mëdhenj për t'u eksportuar. Me thellimin e tij të mëtejshëm, ky proces po e detyronte fshatarin e varfëruar të shiste më në fund edhe tokën. Megjithatë, numri i tyre nuk u pakësua. Madje u rrit për arsye të pjesëtimit të familjeve midis djemve të fshatarit, kurse për shkak të shitjeve sipërfaqja u pakësua. Kështu gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, në viset e katër vilajeteve shtresa e fshatarëve pronarë u rrit (nga afërsisht 220 mijë familje më 1840 në rreth 280 mijë familje më 1912), por si përqindje në krahasim me popullsinë fshatare u pakësua (nga rreth 84% më 1840 në rreth 79% më 1912). Kjo qëndresë e fshatarësisë së vogël vetëm në një masë të vogël qe rrjedhojë e hapjes së tokave të reja nga fondi i kujrisë ose nga prona e përbashkët e fshatit. Kryesisht ajo u arrit në saje të mërgimit të krahëve të tepërta të familjes së fshatarit.




Kurbeti

Mërgimi, që u zgjerua në këtë periudhë, pati diku karakter stinor, diku karakter shumëvjeçar; një pjesë mërgonte brenda vendit, kurse shumica jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë mërgimi i fshatarëve në masën dërrmuese u bë pa e shpërngulur familjen nga fshati dhe pa e prishur ekonominë e vogël bujqësore.
Fshatarët shqiptarë e shfrytëzonin edhe më parë mërgimin stinor. Por përmasat e tij ishin mjaft të kufizuara në krahasim me valën e madhe të mërgimit stinor që pushtoi vendin gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe pjesës së parë të shek. XX. Numri i të mërguarve është vështirë të përcaktohet qoftë edhe afërsisht, pasi fshatarët e varfër largoheshin për disa muaj nga vendi i tyre pa lënë gjurmë në dokumentet e kohës. Pasi përfundonin mbjelljet dhe vjeljet e vjeshtës, zakonisht në fillim të nëntorit mijëra krahë pune linin familjet e shkonin jo vetëm nëpër qytetet e katër vilajeteve shqiptare, por deri thellë në Greqi, në Serbi e në Bullgari, pa përjashtuar Stambollin e fshatrat rreth e rrotull kryeqytetit turk. Ky mërgim stinor vazhdonte deri në fillim të pranverës, kur fshatarët e mërguar ktheheshin me kursimet e domosdoshme për të mbuluar bilancin pasiv të ekonomisë së tyre bujqësore.

Edhe mërgimi shumëvjeçar nuk ishte i panjohur për fshatarësinë shqiptare. Madje me të tillë fshatarë, të cilët mërgimin shumëvjeçar e kthenin brenda në Shqipëri në mërgim të përhershëm, ishin rritur edhe vetë qytetet e vendit. Por deri në fund të shek. XVIII mërgimi ekonomik jashtë trojeve shqiptare bëhej kryesisht në drejtim të Stambollit.

Vetëm nga fundi i shek. XVIII e sidomos nga fillimi i shek. XIX u dukën mërgimet shumëvjeçare në vende të tjera të huaja, siç ishin Rumania, pastaj Egjipti dhe pak më vonë Greqia ose Serbia. Megjithatë, kurbeti ekonomik shumëvjeçar mori një karakter masiv të paparë vetëm pas mesit të shek. XIX. Ai përfshiu edhe shtresat e ulëta qytetare, megjithatë pjesën dërrmuese të kurbetlinjve e përbënin gjithnjë fshatarët e vegjël.

Mërgimi shumëvjeçar preku sidomos fshatarët e varfër të Shqipërisë së Jugut, sepse në këto vise ekonomia monetare kishte depërtuar më thellë se gjetkë. Për disa dhjetëvjeçarë qyteti që tërhoqi më shumë kurbetlinj qe përsëri Stambolli. Në vitet 80 Stambolli kishte rreth 60 mijë shqiptarë të ardhur nga të katër vilajetet. Ai u bë qyteti me popullsi më të madhe shqiptare edhe kundrejt qyteteve të Shqipërisë. Duke tërhequr njëri-tjetrin shqiptarët vijuan të mërgonin gjithashtu në Egjipt e në Rumani, ku u vendosën jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e luginës së Nilit e të Danubit. Sipas njoftimeve që jep P. Kabue (P. Caboué), në fund të sundimit osman kishte në Egjipt rreth 30 mijë e në Rumani rreth 10 mijë shqiptarë, të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me bujqësi. Nga radhët e tyre ishte formuar edhe një shtresë tregtarësh të pasur. Nga vitet 70 kurbetlinjtë shqiptarë filluan të çanin rrugën nëpër vende të tjera të panjohura për ta më parë. Njëri prej tyre ishte Rusia, ku mërguan me qindra veta, kryesisht fshatarë të krahinave juglindore. Më vonë, në vitet 90, në Rusi shkuan me qindra punëtorë për ndërtimin e hekurudhës transiberiane, të cilët pastaj u vendosën me punë të ndryshme në Odesë, në Vladivostok, në Irkutsk e gjetkë. Me fitoren e autonomisë së Bullgarisë (1878), shumë kurbetlinj fshatarë u vendosën nëpër qytetet e saj, sidomos në Sofje, në Filipopol e në Vranë duke formuar këtu brenda një kohe të shkurtër një koloni prej 2 mijë shqiptarësh. Në përpjesëtime të vogla kurbetlinjtë rrahën edhe vise të tjera të huaja, si Austrinë, Italinë etj. Në periudhën e fundit të sundimit osman vendi që tërhoqi pjesën më të madhe të kurbetlinjve shqiptarë qe kontinenti amerikan dhe kryesisht Shtetet e Bashkuara. Të mërguarit e parë shqiptarë zbritën në SHBA në fillim të viteve 80, kurse vala e madhe e këtij mërgimi filloi në fund të shek. XIX. Më 1912 në ShBA numëroheshin rreth 40 mijë kurbetlinj shqiptarë, pothuajse të gjithë me origjinë nga Shqipëria e Jugut. Në fillim kurbetlinjtë fshatarë u grumbulluan njëri pas tjetrit në Boston Mass, në Nju-Jork dhe në Sen-Lui (Saint-Louis), ku formuan edhe lagje me shqiptarë, por pastaj u vendosën edhe në vise të tjera të ShBA-së, deri në brigjet e Paqësorit. Një pjesë e vogël e kurbetlinjve u vendosën në shtete të tjera të kontinentit amerikan (Kanada, Argjentinë etj.).

Fshatarët që shkuan në kurbet lanë pas tyre familje të varfëruara. Për të blerë navllon (biletën e udhëtimit detar) ata u detyruan të shisnin kafshët e punës dhe të hynin në borxh. Po edhe atje ku vajtën i prisnin kushte të vështira jetese. Duke mos e njohur gjuhën e huaj dhe duke mos pasur ndonjë profesion, ata u detyruan të kryenin punët më të rënda. Zakonisht shkonin në kurbet që të ktheheshin pas dy ose tre vjetësh dhe, pasi të qëndronin disa muaj pranë familjeve të tyre, të niseshin përsëri. Por shpesh herë ata qëndronin në mërgim për periudha shumë të gjata, disa harroheshin fare në dhe të huaj. Kështu kurbeti u bë një plagë shoqërore për masat fshatare dhe qytetare.

Mërgimi stinor a shumëvjeçar ndikoi në ekonominë e vendit në dy drejtime: nga njëra anë, duke i dhënë mundësi fshatarit të vogël të përballonte deri diku nevojat familjare, e ngadalësoi procesin e rrënimit të tyre të plotë ekonomik; nga ana tjetër, dërgesat periodike të kurbetlinjve, të cilët erdhën duke u shtuar derisa arritën në vitet e fundit të sundimit osman afërsisht 14-16 milionë franga ari në vit, e frenuan deri në një farë shkalle asfiksinë e plotë që po i shkaktonte ekonomisë së vendit grabitja fiskale e Stambollit dhe vërshimi i mallrave të huaja.





Malësorët e Veriut

Trevat shqiptare nuk u zhvilluan të gjitha njëlloj nga pikëpamja ekonomike e shoqërore. Në përshtatje me kushtet historike e natyrore, disa nga krahinat e thella malore u zhvilluan me ritme më të ngadalshme se viset që kishin një truall bujqësor relativisht më të pasur. Prapambetja më e theksuar dukej sidomos në malësitë e Mbishkodrës, të Dukagjinit, të Mirditës, të Pukës dhe të Gjakovës, në të pesë "Malet e Mëdha", siç quheshin ato në shek. XIX.

Marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore në këto zona rregulloheshin sipas së drejtës zakonore të trashëguar nga shekujt e kaluar. Megjithatë, asnjëra nga këto malësi nuk ndodhej në stadin e rendit fisnor, qoftë dhe në shpërbërje e sipër. Jo vetëm në çdo "mal" (krahinë), por edhe në çdo fshat, madje në shumicën e rasteve edhe në çdo lagje, banonin familje që nuk kishin lidhje gjaku ndërmjet tyre. Baza e organizimit fisnor - pronësia e përbashkët mbi fondin e tokave bujqësore - ishte zhdukur. Prona private mbi tokat e bukës ishte vendosur prej disa shekujsh. Kjo pronë ishte sanksionuar në mënyrë të theksuar edhe në të drejtën zakonore, me të gjitha tiparet e saj kryesore, siç janë shitja, blerja, jetërsimi. Në kanunin e Lekë Dukagjinit, që është mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi në fund të shek. XIX, prona private ishte shpallur e shenjtë, e paprekshme. Edhe në rast se një familje shpërngulej nga fshati, thuhet në kanun, "po s'e shiti trollin e tokën, ashtu do t'i rrijë e nuk ka tager (të drejtë - shën. i aut.) kush me ngulë mbi to". Paprekshmëria e tokës garantohej me norma të veçanta nga kanuni. Kufijtë e pronave nuk mund të prekeshin, as mund të lëvizeshin: "me luejt kufinin, - thuhet në kanun, - asht nji si me luejtë me eshtent'e të dekunve". Gjurmët e pronësisë së përbashkët të fisit mbi tokën e bukës dhe dukuria e ndarjes së herëpashershme të tokave ndërmjet anëtarëve të fisit qenë zhdukur krejtësisht.

Toka blihej e shitej, ajo trashëgohej pa ndonjë pengesë. Jo vetëm toka, por edhe radha e ujitjes dhe e mullirit mund të shitej. Toka u shitej edhe kushërinjve më të afërt, gjë që shpreh edhe më shumë konsolidimin e pronës private mbi tokën.

Institucioni i pronës private mbi tokën dhe mbi veglat e punës kishte sjellë në gjirin e malësorëve të krahinave të veriut të gjitha pasojat e diferencimit të popullsisë. Shumë malësorë kishin humbur pronat e tyre dhe ishin kthyer në bujq ose argatë, të cilët shfrytëzoheshin nga pronarët e pasur të tokave. Këta të fundit tokat i jepnin me qira ose merrnin pranë ekonomive të tyre punëtorë mëditës, rrogëtarë me pagë vjetore ose argatë me pagë ditore nga radhët e malësorëve të varfëruar, që i kishin humbur a i kishin shitur pronat e tyre. Figurën e pronarit të pasur të tokave dhe atë të fshatarit bujk pa tokë e gjejmë të pasqyruar edhe në kanunin e maleve. "Bulg, - thuhet në kanun, - thirret njaj, i cili hinë me punue tokën e njaj zotnije". Një varg normash rregullonin marrëdhëniet ekonomike ndërmjet pronarit e bujkut; detyrimi i bujkut (qiraja) caktohej edhe këtu sipas marrëveshjes së "lirë": "Gjithçka të mbjellë bulgu në tokë të zotnis do ta ndajë me zotnin mbas vendimit qi të kenë ba". Edhe këtu shkalla e shfrytëzimit ishte shumë e lartë, deri në gjysmën e prodhimit. Në kanun thuhet: "Në se e pastë bulgu gjan'e zotnis përgjymës, kashti i rrin bulgut e me pleh do të plenohen tokët. Mundin e puntoris e njeh bulgu".

Në këto vise malore ka pasur edhe bujq, të cilët detyroheshin të merrnin me qira së bashku me tokën edhe kafshët e punës. Në kanun bëhet fjalë edhe për kushtet e marrjes së kafshëve të punës me qira, për të cilat bujku i paguante pronarit 1,50 kv kur e dimëronte vetë kaun dhe 2,25 kv kur e dimëronte pronari. Këtë qira ai do t'ia paguante pavarësisht nëse e shfrytëzonte ose jo në punë kaun e parmendës. Duhet shtuar këtu se, me gjithë kushtet e rënda në të cilat ishte vënë, bujku i këtyre krahinave të prapambetura nuk e njihte angarinë. Ai ishte i ngarkuar me korrjen, shirjen, zhveshjen e misrit, por vetëm në tokën e tij. Në rast se pronari e mblidhte vetë misrin, bujku, thuhet qartë në kanun, nuk kishte detyrë për zhveshjen e misrit, por vetëm t'ia mbartte pranë kullës pronarit.

Një tjetër figurë shoqërore, që tregonte diferencimin e malësorëve të varfër, qe dalja edhe atje në shesh e rrogtarit (e fshatarit argat). Në kanun bëhet fjalë për normat që rregullonin marrëdhëniet ndërmjet rrogtarit e punëdhënësit. Atje thuhet shprehimisht se rrogtari "po s'eci mbas andes së zotnis, ky mund t'a dajë...".

Me toka shumë të pakëta, burimi kryesor i jetesës së malësorëve të varfër ishte blegtoria. Në të vërtetë, para mesit të shek. XIX këto vise qenë shumë të pasura me blegtori. Familjet malësore kishin tufa bagëtish, të cilat numëronin me qindra ose me disa dhjetëra krerë të imëta e të trasha. Kjo gjendje e dikurshme pasqyrohej edhe në kanunin e Lekës, sidomos aty ku bëhet fjalë për gjobat e ndryshme. Gjobat me 10 kokë bagëti qenë të zakonshme; por kishte gjoba edhe më të mëdha, si për shembull, për një vrasje 100 deshë e një ka. Në një vend tjetër të kanunit thuhet: "Ma e ulta giobë mbrrin në nji dash e ma e nalta nuk mund të kalojë mbi njiqind desh".

Përveç blegtorisë, burim tjetër të ardhurash për malësorët ishin shpërblimet në të holla që merrnin për shërbimet e tyre si mercenarë. Mercenarizmi ishte për këto krahina një dukuri e diktuar nga kushtet e sundimit osman, nga varfëria e thellë ekonomike dhe nga pamundësia për të siguruar të ardhura me anë të punës. Blegtoria, bujqësia dhe mercenarizmi kishin krijuar deri në mesin e shek. XIX njëfarë ekuilibri në bilancin e ekonomisë familjare të këtyre malësorëve.
Por gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX ky ekuilibër u prish. Me përgjithësimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të ardhurat nga mercenarizmi u prenë. Me centralizimin e pushtetit perandorak, Porta e Lartë filloi të kërkonte taksa edhe nga malësorët e varfër. Veç kësaj, duke mos qenë shumë larg Shkodrës, Gjakovës e Pejës, edhe këto krahina të veçuara filluan të ndienin ndikimin e marrëdhënieve të tregut. Qoftë për të siguruar bukën e vitit, qoftë për të paguar taksat shtetërore, fshatarët malësorë, filluan të merreshin me veprimtari suplementare ekonomike, grumbullonin katran, gështenja, lëndë, dru, të cilat i shisnin në Shkodër. Por edhe kjo nuk i shpëtoi nga varfërimi. Me anën e kryengritjeve të shpeshta ata i shpëtuan për njëfarë kohe pagesës së taksave shtetërore. Me keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, malësorët filluan të shitnin edhe bagëtitë, e vetmja pasuri me peshë që kishin. Brenda disa dhjetëvjeçarëve pasuria blegtorale e këtyre viseve ose u pakësua nga shitja në tregjet e qyteteve, ose u përqendrua në duar të disa familjeve të pasura malësore. Si kudo edhe këtu fenomeni i borxheve u përhap me ritme shumë të shpejta. Gjendja e tyre në mjerim të vazhdueshëm i shtynte fajdexhinjtë të kërkonin kamatë të madhe, duke shkelur e duke lënë mënjanë dispozitat e kanunit të Lekë Dukagjinit, të cilat e ndalonin fajdenë.

Mërgimi stinor nuk la pa prekur as fshatarët e varfër të këtyre malësive, të cilët filluan të largoheshin gjatë disa stinëve nga fshati për të kërkuar punë në vende të ndryshme, sidomos në Shkodër. Ky mërgim që u përhap me shpejtësi krijoi edhe këtu një kategori malësorësh, të cilët për të jetuar u detyruan të shitnin fuqinë e tyre të punës si mall.

Diferencimi shoqëror solli edhe këtu konflikte ndërmjet vegjëlisë e bajraktarëve të viseve malore. Këto konflikte janë pasqyruar në kanun, megjithëse jo aq qartë për shkak të mbledhjes dhe të kodifikimit jo të plotë. "Po u çue një katund, - thuhet në kanun, - për me u ngrefë luftë Krenvet, Strapleqvet e Vogjlis së Flamurit, nën të cilin gjindet, atbotë do të bahet me dije Dera e Gjomarkut në za të së cilës do të çohen edhe Flamujt tjerë e nën prirje të kësaj Dere do të msyhet katundi i dalun dore, edhe i biejn në mend me ndëshkime giobësh, me të nxjerrun prej vendit, a edhe me të grime katundisht, në pastë ba kush ndo'i faj për të grim".

Megjithatë në malësitë e Veriut kishte akoma mbeturina të largëta të marrëdhënieve patriarkale e fisnore. Të tilla ishin kujtimi i fisit dhe kujria e fisit, karakteri patriarkal i familjes dhe rendi i trashëgimisë së pronës, rendi i shitjes së tokave dhe norma e martesave, zakoni i gjakmarrjes dhe kuvendi i fisit.
Në viset malore të Shqipërisë së Veriut ruheshin ende gjurmët e barazisë së vjetër fisnore, megjithëse kishin filluar të përforcoheshin privilegjet e bajraktarëve, e sidomos të familjes së Gjonmarkajve në Mirditë. Gjurmët e barazisë së dikurshme ruheshin vetëm në të drejtën e shprehur. Kështu, për shembull, në kanun thuhej se "gjithsa djelm të lejn, njihen të mirë e nuk veçohen njeni prej tjetrit"; "Kanunet qi ven një katund me Pleq e Vogjli për vedi... as Flamuri e as Dera e Gjonmarkut nuk mund t'ua luej".




Struktura shoqërore e fshatit në fund të sundimit osman

Në kushtet e krijuara pas viteve 40, erdhën duke u ndryshuar si fizionomia e shtresave të shoqërisë agrare, ashtu edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Në radhë të parë këto ndryshime prekën feudalët si kategori shoqërore. Me heqjen e sistemit të timareve, feudalët spahinj nuk përbënin më, si në të kaluarën, mbështetjen kryesore të sundimit osman. Tani që humbën tesarrufin, nga i cili buronte pushteti i tyre feudal, mjaft spahinj u shndërruan në feudalë derebej ose u bënë funksionarë të administratës. Këta feudalë derebej, duke u mbështetur krejtësisht në dhunën e hapur dhe duke përfituar nga dobësia e pushtetit qendror, vijuan njëri pas tjetrit të kthejnë mjaft fshatra të lira në fshatra çifligje, duke u bërë pronarë çifligarë. Megjithatë figura e derebeut nuk u zhduk nga fshati shqiptar. Deri në fund të sundimit osman shtresa e feudalëve derebej, edhe pse erdhi duke u zvogëluar, vazhdoi të shtypte dhe të shfrytëzonte fshatarët e lirë.

Me heqjen e sistemit të timareve, vendin kryesor në grupimin sundues të shoqërisë agrare e zunë bejlerët çifligarë, pesha e të cilëve në jetën ekonomike e shoqërore të vendit erdhi duke u rritur.

Pronarët e mëdhenj me origjnë feudale, të lidhur pas metodave të vjetra të përdorimit të punës së bujqve, nuk kishin interes për ta ndryshuar strukturën shoqërore e shtetërore të Perandorisë, për më tepër ata ishin kundër reformave të reja osmane. Si të tillë ata formonin një koalicion të përbashkët me shtresat e tjera konservatore të vendit, të cilat bënin gjithashtu pjesë në radhët e parisë sunduese, siç ishin shtresat e larta të hierarkisë klerikale dhe funksionarët e lartë të administratës perandorake osmane.

Të tjerët, çifligarët e prirur për metodat e organizimit kapitalist të çifligjeve, kërkonin zbatimin e reformave shtetërore në dobi të ekonomisë së tyre çifligare. Veçanërisht të interesuar për të ashtuquajturin evropianizim të Turqisë ishin pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët synonin t'i investonin kapitalet e tyre jo vetëm në fushën bujqësore, por edhe në sferën industriale, duke u bërë kështu jo vetëm pronarë çifligjesh, por edhe pronarë fabrikash?. Me një bazë të tillë ekonomike këta bejlerë çifligarë kishin një fizionomi shoqërore të dyfishtë: si pronarë tokash ata kishin pika takimi me bejlerët feudalë, si veprimtari ekonomike anonin kryesisht nga borgjezia reshpere, në ndonjë rast edhe nga borgjezia industriale.

Shprehje e depërtimit të ekonomisë së tregut në bujqësi ishte lindja e një force të re në shoqërinë fshatare, e borgjezisë agrare (fshatarët e pasur dhe fermerët bujq). Por në rrethanat e përqëndrimit të fondit kryesor të tokës në duart e bejlerëve çifligarë, borgjezia agrare, e lindur nga radhët e fshatarëve pronarë, dhe e bujqve çifçinj nuk pati kushte të favorshme zhvillimi. Për këtë arsye, ashtu si borgjezia industriale, edhe ajo mbeti deri në fund të sundimit turk në hapat e saj fillestarë si klasë, shumë e pakët në numër dhe tepër e dobët nga pesha ekonomike.

Në radhët e popullsisë së fshatit pjesën më të varfër e përfaqësonin bujqit çifçinj dhe fshatarët argatë. Në mënyrë të veçantë fshatarët argatë tani kishin marrë krejtësisht tiparet e punëtorëve të fshatit, pasi ata nuk kishin tanimë ekonomi individuale. Megjithatë, si fshatarët argatë, ashtu edhe bujqit çifçinj, në kushtet e atëhershme, nuk e shikonin shpëtimin e vet te zbatimi i ndonjë reforme agrare si ato që u bënë në vendet e tjera të Evropës, por te pajisja e tyre me tokë me anë të blerjes dhe me rrugë individuale.

Deri në fund të sundimit osman pjesën dërrmuese të popullsisë agrare e formuan fshatarët pronarë, kurse në radhët e tyre fshatarët e vegjël. Edhe pse pronarë të tokës që punonin, fshatarët e vegjël ishin aq të varfër, sa nuk mund të siguronin jetesën pa punuar jashtë ekonomisë së tyre brenda ose jashtë vendit.

Sikurse qyteti, ashtu edhe fshati shqiptar karakterizohej në fund të sundimit osman nga një kompleks i tërë kontradiktash. Ndërsa fondi kryesor i tokave të punueshme (rreth 45 %) ishte në duart e pronarëve çifligarë, prodhuesit fshatarë që punonin në këto toka (bujqit dhe argatët) përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë agrare. Së bashku me malësorët fshatarët e vegjël e të mesëm përbënin rreth 65% të popullsisë agrare, kurse pesha e prodhimit të tyre bujqësor ishte, për shkak të tokave të pakëta që zotëronin, (rreth 25%) shumë e ulët kundrejt prodhimit global bujqësor. Edhe pse jeta ekonomike e fshatit ecte drejt ekonomisë së tregut, mungonin kushtet e domosdoshme për zhvillimin e borgjezisë agrare. Shumica dërrmuese e popullsisë agrare nuk kishte fare marrëdhënie ekonomike me ekonominë e tregut. Nga ana tjetër, baza ekonomike e feudalizmit ishte shthurur përfundimisht, ndërsa në Perandorinë Osmane vijonte të ruhej struktura shtetërore feudale.
Po ashtu edhe bejlerët çifligarë, ndërsa mbanin nën shtypje ekonomike fshatarët bujq e fshatarët argatë, linin pa shfrytëzuar një pjesë të mirë të tokës së punueshme, u hiqnin fshatarëve të vegjël mundësinë të pajiseshin me toka për të cilat kishin nevojë dhe pengonin zhvillimin e lirë të borgjezisë agrare.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
Gjumashi
Vizitor
« Përgjigju #21 më: 11-03-2005, 10:41:45 »

 K R E U   III


LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70
TË SHEK. XIX
 



1. FILLIMET E LËVIZJES KOMBËTARE


Gjendja në Shqipëri pas reformave të para centralizuese osmane

Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40 të shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në Perandorinë Osmane në vitet 30. Me këto reforma, në mënyrë të veçantë me likuidimin e sistemit të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të pronës private mbi tokën (më 1834), si edhe me masat për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila ishte dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi shtetëror anakronik, thellësisht shtypës e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të shtypur.

Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri qysh në vitet 30. Ato i dhanë një goditje të rëndë në radhë të parë shtresës së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore. Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë privatë të tokave, të lidhur me Portën e me politikën e saj centralizuese.

Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike e politike të vendit.

Reformat e para centralizuese u quajtën të pamjaftueshme, prandaj Mustafa Reshit pasha, pasi mori edhe pëlqimin e sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, që sapo kishte hipur në fron, përgatiti projektin e reformave, të njohura me emrin Tanzimat. Ato u shpallën nga Mustafa Reshit pasha me dekretin perandorak (Hati Humajun) të 3 nëntorit 1839, që mban emrin "dekreti i Gjylhanesë". Me këtë akt shpalleshin këto reforma: garantohej paprekshmëria e jetës, e nderit dhe e pasurisë për të gjithë shtetasit osmanë, pa dallim feje; hiqej konfiskimi i pasurisë për ata që paditeshin në gjykatë dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë së pasurisë; vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe hiqej sistemi i sipërmarrjes së tyre (iltizami); futej shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i tij; shërbimi i regullt (nizami) do të zgjaste 4-5 vjet, ndërsa ai rezervist (redifi) 7 vjet.

Po të vlerësohet në përgjithësi, Tanzimati ishte një orvatje që ndërmorën qarqet qeveritare osmane për ta shpëtuar Perandorinë e tyre nga humnera ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur atë mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve evropiane. Prandaj Tanzimati është vlerësuar nga bashkëkohësit dhe nga studiues të sotëm si një përçapje që Perandoria Osmane po bënte për t'u shkëputur nga e kaluara e saj mesjetare-feudale dhe për të hyrë në rrugën e shndërrimit në një shtet modern.

Por gjithë këto masa ishin gjysmake dhe nuk mund të ndodhte ndryshe në kushtet kur Perandoria Osmane nuk ndërmori reforma rrënjësore për të ndryshuar sistemin e saj ekonomik të prapambetur gjysmëfeudal dhe regjimin politik mesjetar absolutist. Në të vërtetë reformat u katandisën në disa arnime borgjeze, që nuk mund ta ndryshonin gjendjen në Perandori. Megjithatë, nëse edhe këto masa gjysmake ishin të dobishme për Perandorinë Osmane, sepse mund të ndikonin në forcimin e sistemit të saj të centralizuar, në aftësinë për të përballuar lëvizjet çlirimtare dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, ato nuk qenë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës sunduese sulltaniste, por me logjikën e popullit të shtypur, jo nga pozitat e Portës së Lartë, por nga interesat e kombit të shtypur e të robëruar dhe të aspiratës së tij për ta ndryshuar këtë gjendje.
Shqiptarët e vlerësuan Tanzimatin, jo në prizmin e fuqizimit të Perandorisë, por në këndvështrimin e vetëqeverisjes së Shqipërisë, jo sipas zhurmës së deklaratave të bujshme, por nga rezultatet e tij praktike dhe nga rrjedhojat që pati për popullin shqiptar.
Në të vërtetë Tanzimati nuk u dha shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare, nuk i njohu as si komb më vete, nuk dha asnjë mundësi për vetëqeverisje, madje ua mohoi përsëri të drejtën më elementare njerëzore për të shkruar dhe për të mësuar në shkolla gjuhën amtare. Ai i detyroi shqiptarët t'i nënshtroheshin administratës së huaj burokratike, shërbimit të rëndë e të detyrueshëm ushtarak, rriti më shumë peshën e taksave, që edhe deri atëherë ishte e rënduar dhe përgjithësisht çoi në keqësimin e gjendjes së tyre ekonomike e politike, në forcimin e zgjedhës nacionale turke mbi ta. Ato reforma, në dukje me karakter evropian, që u shpallën edhe nën trysninë e Fuqive të Mëdha (si barazia e gjithë shtetasve, gjithnjë si osmanllinj), nuk u vunë asnjëherë në jetë dhe nuk mund të realizoheshin pa ndryshime rrënjësore në sistemin ekonomik e politik të Perandorisë Osmane, të cilat sulltanët osmanë nuk ishin në gjendje t'i bënin.

Me zbatimin e reformës në fushën administrative, pushteti civil u nda nga ai ushtarak dhe qeverisja e vendit, që deri atëherë bëhej nga feudalët vendas, kaloi në duart e një aparati burokratik të centralizuar. Porta e Lartë nuk kishte më besim te funksionarët shqiptarë. Përvoja e viteve të kaluara kishte treguar se ata ishin të prirur drejt qeverisjes së krahinave në mënyrë autonome e drejt shkëputjes së plotë nga vartësia e Perandorisë Osmane. Prandaj ajo filloi zëvendësimin e tyre shkallë-shkallë me nëpunës të huaj. Në fillim u zëvendësuan qeveritarët e sanxhakëve shqiptarë, kadinjtë, myftinjtë, veçanërisht në ato krahina ku kishin shpërthyer përsëri lëvizje kryengritëse, që sapo ishin shtypur me armë. Kështu, në mjaft sanxhakë e sidomos në Shqipërinë e Jugut pushteti kaloi nga duart e qeveritarëve shqiptarë në ato të funksionarëve turq.

Administrata e re përbëhej nga nëpunës të huaj që nuk e dinin gjuhën e vendit dhe nuk i njihnin zakonet e traditat e popullit shqiptar. Meqenëse do të qëndronin në këto poste një periudhë të caktuar dhe meqë një pjesë e nëpunësve ose nuk paguheshin rregullisht ose duhej të siguronin rrogën nga të ardhurat lokale, ata përpiqeshin të grabisnin me të gjitha mënyrat popullsinë me anë taksash e gjobash, pa u përmbajtur as në përdorimin e forcës. Përveç kësaj, praktikohej gjerësisht ryshfeti, pa të cilin nuk mund të kryhej asnjë punë. Ai u jepej si nëpunësve të thjeshtë, ashtu edhe funksionarëve të organeve më të larta të Perandorisë Osmane. Edhe sistemi i mbledhjes së taksave me anë të iltizamit (sipërmarrjes), megjithëse u krijua një aparat i veçantë nëpunësish të financave, në praktikë nuk u hoq, por mbeti në fuqi për një kohë të gjatë, sepse u leverdiste funksionarëve të lartë të shtetit, që përfitonin e pasuroheshin me këto lloj spekulimesh.

Ndërsa në një varg qendrash administrative u grumbulluan me shumicë nëpunësit e huaj turq, disa zona, si Tiranën, Matin, Lezhën, Ulqinin, etj., Porta e Lartë i la, në vitet 40, ende në duart e oxhakëve të vendit, të cilët i paguanin arkës shtetërore në Stamboll një shumë të përgjithshme vjetore, të nxjerrë nga detyrimet në krahinat që administronin.

Krahas reformës administrative, Porta e Lartë mori masa për të vënë në jetë reformën ushtarake, e cila parashikonte çarmatimin e popullsisë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt. Në kuadrin e krijimit të kësaj ushtrie, Veziri i Madh, Mehmed Reshid pasha, që ishte ngarkuar me zbatimin e reformave në Shqipëri, filloi të rekrutonte ushtarë të rregullt (nizamë) nga mosha 15 deri në moshën 30-vjeçare. Të rekrutuarit bënin jetë kazerme dhe stërviteshin sipas rregullave të ushtrive evropiane. Ata e kryenin shërbimin ushtarak larg vendit të vet në kushte shumë të vështira. Vetëm një pjesë e tyre mund të kthehej e gjallë dhe pa u gjymtuar nga shërbimi i gjatë ushtarak në dhe të huaj. Më të shumtë ishin ata që vdisnin nga abuzimet e intendentëve, nga mungesa e ushqimit dhe e veshmbathjes dhe nga epidemitë, sesa ata që vriteshin në luftë.
Shërbimi rezervist (redif) bëhej zakonisht në vendlindjen e rezervistëve. Kjo u jepte atyre mundësi që në një kohë të caktuar, krahas shërbimit ushtarak, të merreshin edhe me bujqësi e me blegtori.

Reforma ushtarake u shoqërua edhe me tatime e taksa të reja "të jashtëzakonshme", që shërbenin për ushqimin dhe për veshjen e ushtarëve nizamë. Por edhe kjo reformë nuk u zbatua kudo dhe menjëherë. Ushtria e rregullt u vendos në qytete, ku mbaheshin garnizone ushtarake. Në Manastir dhe në Janinë u grumbulluan forca të mëdha, me anë të të cilave Porta ushtronte një trysni të vazhdueshme mbi trevat shqiptare.

Ndërsa nga njëra anë Stambolli organizonte ushtrinë e rregullt, nga ana tjetër vazhdonte të përdorte repartet e parregullta, të rekrutuara nga krerë feudalë e bajraktarë midis malësorëve për t'i dërguar në frontet e luftës me shtete të tjera ose për të shtypur kryengritjet brenda e jashtë Shqipërisë. Në këto raste Porta e Lartë synonte jo vetëm të përfitonte nga ndihma e tyre ushtarake, por edhe t'i largonte nga Shqipëria ku zienin kryengritjet e t'i neutralizonte këto forca të rrezikshme për të.

Me reformat e periudhës së Tanzimatit Porta e Lartë u kishte njohur kombësive të Perandorisë Osmane të drejtën të merrnin arsim në gjuhën amtare në shkollat publike. Por ajo vijonte të barazonte kombësinë me fenë. Kështu, myslimanët e Perandorisë, midis të cilëve edhe shqiptarët, ajo vazhdoi edhe pas kësaj t'i quante "turq", ndërsa ortodoksët, qofshin këta shqiptarë, bullgarë, serbë a vllehë, i quante "grekë" ose "rumë" dhe i kishte lënë nën administrimin fetar e kulturor të Patrikanës greke të Stambollit. Si kombësi më vete quheshin edhe katolikët ose "latinët" e Perandorisë.

Shqiptarëve të ndarë në myslimanë, ortodoksë e katolikë, duke mos bërë pjesë në një bashkësi të vetme fetare dhe duke mos u njohur kështu si një kombësi më vete, nuk u jepej mundësia të lëvronin lirisht gjuhën e tyre amtare. Ata detyroheshin të kishin arsimin sipas fesë së tyre turqisht, greqisht ose italisht. Në përputhje me këtë politikë, pas shpalljes së dekreteve të Tanzimatit në Shqipëri u rrit numri i shkollave në gjuhë të huaj. Shkolla shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie) në gjuhën turke u hapën në krahina të ndryshme të vendit; në Shqipërinë e Jugut u rrit edhe numri i shkollave laike në gjuhën greke për popullsinë ortodokse, të cilat ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë, ndërsa në veri, ndonëse më pak, u rrit numri i shkollave katolike që drejtoheshin nga kleri ose nga disa mësues privatë në Shkodër. Megjithëse përhapnin njohuri të dobishme dhe ndihmonin në arsimimin e një pjese të fëmijëve, këto shkolla, përveç atyre që drejtoheshin nga mësues privatë, përshkoheshin nga një frymë fanatizmi dhe intolerance fetare, nuk shërbenin për afirmimin kombëtar të shqiptarëve të feve të ndryshme, por nxisnin dasinë fetare dhe u shërbenin politikës së shteteve që i mbanin ato dhe synimeve të tyre për asimilimin e shqiptarëve.

Reformat, formalisht, parashikonin barazinë e shtetasve pavarësisht nga feja e tyre. Por në të vërtetë paria sunduese feudale osmane vijoi ta ruante pozitën e saj të privilegjuar kundrejt popullsisë së krishterë. Pabarazia juridike e popullsisë së krishterë shprehej, përveç të tjerave, në pagimin e një takse të veçantë për gjithë meshkujt e krishterë mbi 12 vjeç (xhizje).

Vetë sulltani e rrethi i tij familjar, si edhe përfaqësuesit e tjerë të klasës feudale osmane, nxirrnin përfitime duke shkelur parimet e shpallura nga reformat dhe duke ruajtur praktikën e vjetër të abuzimeve, siç ishte veçanërisht shitja e posteve qeveritare. Sulltani e familja e tij ruajtën në Shqipëri për një kohë të gjatë një varg privilegjesh feudale. Kështu, një pjesë e mirë e të ardhurave të sanxhakut të Ohrit, ku përfshiheshin krahina të tëra shqiptare, vijuan t'i shkonin si të ardhura private sulltanes-nënë, kurse sulltanit i shkonin të ardhurat nga qiraja e Bezistenit? në pazarin e Shkodrës dhe nga shitja e së drejtës së peshkimit po në këtë qytet. Madje, gabelët (arixhinjtë) e Myzeqesë edhe pas shpalljes së reformave vazhduan të quheshin të gjithë skllevër të sulltanit dhe shërbimet e tyre u shiteshin për vit (nga ana e tij) të interesuarve kundrejt një shume të caktuar.



Fillimet e ideologjisë e të kulturës kombëtare

Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare dhe ekonomiko-shoqërore me ta.

Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të rëndësishme e në vepra shkencore e artistike ideologët dhe shkrimtarët e parë të Rilindjes, si Naum Veqilharxhi (1797-1854), Jeronim de Rada (1814-1903) etj. Kjo veprimtari synonte, me anën e përhapjes së ideve e të kulturës kombëtare, të forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore në luftë për lirinë, për tërësinë territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare.

Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe shtypja ekonomike e politike osmane bënë që ideologjia e kultura kombëtare të zhvilloheshin me vështirësi e në përmasa të kufizuara brenda vendit. Ato gjetën kushte më të përshtatshme zhvillimi jashtë atdheut, në kryeqytetin e Perandorisë, në Stamboll, në Itali, në shtetet ballkanike etj. Në këto vende kishin filluar të përhapeshin idetë e Revolucionit francez (1789-1794), i cili, si një revolucion i fuqishëm demokratik, i kishte dhënë një goditje të rëndë regjimit feudal absolutist e ideologjisë së tij në Evropë dhe kishte shpallur e kishte përhapur idetë e mëdha të lirisë e të kombësisë. Këto ide kishin gjetur mishërimin e tyre edhe në revolucionet çlirimtare në Serbi, në Greqi e në Rumani. Idetë e reja kishin ndikuar mbi intelektualë dhe tregtarë shqiptarë që u njohën me to në qytete të ndryshme të Evropës dhe filluan luftën kundër ideologjisë mesjetare-klerikale të Perandorisë teokratike të sulltanëve-kalifë e të Patrikanës ortodokse të Stambollit, si dhe kundër zgjedhës kombëtare të sundimtarëve osmanë.

Idetë kombëtare u bënë jehonë kryengritjeve popullore kundër Tanzimatit, por nuk arritën ende në këtë periudhë të formuloheshin në mënyrë të plotë në një program tërësor politik të lëvizjes kombëtare. Ato u shprehën jo aq në traktate politike, në memorandume ose nëpërmjet shtypit, sesa në vepra letrare e në studime për popullin shqiptar, për historinë, gjuhën e kulturën e tij. Me shkrimet e tyre rilindësit e parë luftuan për të shtuar dashurinë për vendin, për të ngritur më tej ndërgjegjen kombëtare të popullit, duke lartësuar traditat e mëdha patriotike të së kaluarës e sidomos të epokës së Skënderbeut dhe kulturën e pasur popullore; ata i kushtuan një kujdes të veçantë gjuhës amtare e shkollës shqipe si mjete jo vetëm për të nxjerrë vendin nga errësira mesjetare, por edhe për të afirmuar individualitetin e vetëqenien kombëtare të shqiptarëve.

Naum Veqilharxhi formuloi idetë e para për rrugët e çlirimit të kombit shqiptar. Si iluminist e atdhetar i shquar punoi për të përhapur diturinë e shkollën kombëtare në Shqipëri, të cilat i quante mjete të rëndësishme për emancipimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Jeronim de Rada, nga arbëreshët e Italisë, e ripunoi "Milosaon" i ndikuar drejtpërdrejt nga lëvizjet kryengritëse të viteve 30. Ai dalloi tek ato etapën e re që shënuan për lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar dhe nxori prej tyre përfundimin se tanimë "erdhi dita e Arbrit", që tingëllonte si një thirrje për t'i nxitur shqiptarët të vijonin luftën kundër sundimtarëve të huaj.

Kthesa që shënuan kryengritjet e viteve 30-40 në lëvizjen çlirimtare shqiptare gjeti pasqyrim edhe në krijimtarinë e shkrimtarit arbëresh Vinçenc Dorsa, i cili shkruante, më 1847, se Shqipëria kishte hyrë tanimë në epokën e Rilindjes dhe se ajo besonte që do të çlirohej së shpejti.

Duke e kuptuar rolin e madh të përdorimit të gjuhës amtare për zhvillimin e vendit, rilindësit i dhanë rëndësi mësimit e shkrimit të saj dhe përhapjes së arsimit shqip me një alfabet të përbashkët. Duke u nisur nga mendimi shkencor se gjuha është e para ndër shenjat themelore dalluese të kombit, me njësimin e alfabetit ata synonin njësimin e gjuhës, që do të çonte në forcimin e njësisë kombëtare. Prandaj rilindësit e parë, si dhe të tjerët që i pasuan, ishin ideologë të çlirimit kombëtar e mësues dhe hartuan vepra shkencore e letrare si edhe tekste shkollore.

Vazhdon...
E identifikuar
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #22 më: 11-03-2005, 11:09:50 »

Tiparet e reja të lëvizjeve çlirimtare kundërosmane

Me zbatimin e Tanzimatit u vendos mbi popullin shqiptar shtypja e drejtpërdrejtë dhe e egër e sundimtarëve osmanë. Administrata burokratike e përbërë nga nëpunës me kombësi të huaj, grabitqarë e të pangopur, detyrimet e rënda fiskale, shërbimi i rregullt dhe i zgjatur ushtarak, gjyqet e korruptuara etj., e rëndonin zgjedhën kombëtare dhe e shtonin shtypjen ekonomike e politike mbi pjesën më të madhe të popullsisë.

Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin detyrime e taksa të rënda që vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet e spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave shtetërore, në një kohë kur ekonominë e popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak, që i rrëmbente krahët më të aftë për punë.
Me administratën e re u ndesh edhe fshatarësia e disa zonave malore, që gëzonte të drejta vetëqeverisjeje të fituara me luftë. Mosnjohja e këtyre të drejtave dhe orvatjet për të zbatuar sistemin tatimor e rekrutimin e detyruar ushtarak u sillnin këtyre krahinave një shtypje e shfrytëzim ekonomik që nuk e kishin njohur më parë.

Nga reforma prekeshin edhe shtresa të tjera të popullsisë: spahinjtë e dikurshëm dhe krerët e esnafëve, të cilët kishin humbur të drejtat e privilegjet që u siguronte sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak; një pjesë e bajraktarëve, e kapedanëve dhe e bylykbashëve, të cilët nuk e gëzonin më të drejtën e rekrutimit të ushtarëve me rrogë që u sillte fitime; çifligarët e goditur nga Porta si dhe ata që ishin lidhur me tregun kërkonin zhvillimin e tij dhe ishin të pakënaqur nga pengesat burokratike të administratës së re; pjesa më e madhe e borgjezisë, që u zhgënjye shumë shpejt nga reformat të cilat, jo vetëm nuk vendosën rregullin e qetësinë e dëshiruar dhe nuk zhdukën pengesat e brendshme për zhvillimin e lirë të tregtisë e të industrisë së tregut kombëtar, por edhe e bënë atë objekt të abuzimeve grabitqare të administratës së re.
Si pasojë, pakënaqësia ndaj reformave përfshiu shtresat më të ndryshme shoqërore, pjesën më të madhe të popullsisë. Kjo pakënaqësi erdhi duke u rritur shkallë-shkallë me orvatjet që bëri Porta e Lartë për të zbatuar reformat në Shqipëri dhe u shndërrua në kryengritje të armatosura që vijuan njëra pas tjetrës për disa dhjetëra vjet. Në këto kryengritje morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime në përmasat e në organizimin e saj. U krijua kështu një front i gjerë kundërosman, i cili përbënte tiparin kryesor të kthesës që ishte bërë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar.

Pas goditjeve ekonomike e politike që krerët feudalë shqiptarë pësuan në vitet 1822-1831, ata nuk qenë më në gjendje as të organizonin dhe as të udhëhiqnin kryengritjet kundër sundimit osman. Në udhëheqje të lëvizjes kryengritëse, gjatë viteve 30-40, krahas krerëve çifligarë dolën përfaqësues të borgjezisë qytetare e të fshatarësisë. Ky ishte një tipar tjetër i ri që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur.
Ndryshime thelbësore ndodhën edhe në përmbajtjen e në karakterin e kërkesave të kryengritjeve të fillimeve të Rilindjes Kombëtare, të viteve 30-40 të shek. XIX. Lufta për të përjashtuar nga zbatimi i politikës së centralizmit burokratik viset shqiptare shprehte në fakt kërkesën për njohjen e kombësisë shqiptare si kombësi më vete, për trajtimin e veçantë të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, që nënkuptonte synimin për vetëqeverisje në shkallë kombëtare e jo më lokale-krahinore. Kurse në rastet, qoftë edhe të veçanta, siç ishte ai i Kryengritjes së Dervish Carës të viteve 1843-1844 e ndonjë tjetër, kur kryengritësit i referoheshin shembullit të organizimit të shteteve fqinje, shpreheshin haptazi pretendimet për autonominë e vendit të tyre.

Forcat e shtresat e ndryshme shoqërore u jepnin këtyre kërkesave përmbajtje të ndryshme. Në lëvizje u aktivizuan edhe ato shtresa, të cilat kishin humbur privilegjet e pozitat që gëzonin në sistemin feudal-ushtarak e që synonin t'i rifitonin ato. Lëvizja e tyre kishte karakter të kufizuar e konservator, sepse synonte ta kthente vendin prapa, në të kaluarën. Por pjesa më e madhe e popullsisë që mori pjesë në kryengritjet përbëhej nga masat qytetare e fshatare, të cilat në administrimin e vendit nga shqiptarët shihnin çlirimin e tyre nga zgjedha e rëndë kombëtare e administratës së huaj burokratike osmane dhe nga shtypja e egër e saj.

Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite, të formuloheshin në mënyrë të përcaktuar, në formën e një programi të vetëm dhe të paraqiteshin në emër të të gjithë popullit shqiptar, sepse mungonte një udhëheqje e formuar politikisht dhe një organizatë a një qendër e vetme drejtuese, që të bashkërendonte lëvizjet e veçanta, t'i shkrinte ato në një lëvizje të përgjithshme e t'i jepte asaj një program të përbashkët kombëtar. Megjithatë, siç është pranuar me të drejtë nga historiografia e sotme shqiptare, kërkesa më e shpeshtë e këtyre kryengritjeve për një status të veçantë të trojeve shqiptare, duke i dalluar e duke i veçuar nga territoret e tjera të Perandorisë Osmane, përmbante në "embrion", në formulimin e saj fillestar, kërkesën e administrimit autonom të Shqipërisë, të autonomisë territoriale-administrative të saj, duke ua lënë atë në dorë "krerëve" të vendit.

Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën në fillim karakter lokal, por, meqenëse shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë e për të njëjtat shkaqe, drejtoheshin kundër një armiku të përbashkët dhe kishin kërkesa të njëllojta. Ato u shndërruan dora-dorës në kryengritje të gjera të fuqishme duke përfshirë krahina të tëra të vendit. Për herë të parë u bënë përpjekje për kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (më 1834), që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt bashkimit. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet vatrave të veçanta të kryengritjeve dhe solidariteti ndërmjet popullsisë së trevave të ndryshme, tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.

Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike dhe më të kohës. Me zgjerimin e luftës, për të përballuar forcat e mëdha armike dhe për të bashkërenduar veprimet luftarake u organizuan kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të kryengritësve, disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë edhe më parë, morën përmbajtje të re. Krahas përfaqësuesve të parisë çifligare, në to merrnin pjesë tani edhe përfaqësues të shtresave më të gjera të popullsisë, të vegjëlisë qytetare e fshatare, të pronarëve të vegjël të tokave, kryepleq e nëpunës të vegjël, shumica e të cilëve ishin pak të njohur. Përveç kësaj, besëlidhjet e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe në disa raste morën karakter ndërkrahinor, siç ishin Besëlidhja e nëntë krahinave të Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834, Këshilli i Përkohshëm në Shkodër (1833-1835), Kuvendi i Madh Ndërkrahinor i Mesaplikut (1847), i cili, duke krijuar Lidhjen Kombëtare Shqiptare dhe organin e saj Komitetin Kombëtar, mund të shihet si një organizëm që synonte të merrte karakterin e një forumi me përmasa kombëtare.

Një rol gjithnjë e më të dukshëm filluan të luanin në këto kryengritje qytetet e sidomos ato kryesore, si Shkodra, Berati, Prizreni, Gjakova, Shkupi e Elbasani, të cilat u bënë qendra të rëndësishme të këtyre lëvizjeve. Kjo dëshmonte për peshën gjithnjë e më të madhe që filluan të kishin qytetet në jetën ekonomike e politike të vendit.

Të zhvilluara në kohën, kur te shqiptarët ishte formuar tanimë një vetëdije politike e kombëtare, kryengritjet e viteve 30 e 40 nuk mund të mos merrnin tipare të reja, nacionalçlirimtare. Dëshmi e kësaj vetëdijeje të shqiptarëve ishte edhe përkrahja që ata u dhanë revolucioneve nacionale në Principatat Rumune dhe në Greqi, në vitet 20, në të cilat dhanë një kontribut të çmuar. Mjaft e gjerë ishte pjesëmarrja e shqiptarëve të kolonisë së Rumanisë dhe jo vetëm e atyre, por edhe e të tjerëve të ardhur nga Shqipëria, e veçanërisht nga trevat e saj jugore, në kryengritjen që shpërtheu në Principatat Rumune në vitin 1821. Disa prej tyre kishin marrë pjesë edhe në Revolucionin serb të vitit 1815. Është një fakt i njohur, tanimë, se Naum Veqilharxhi, një nga personalitetet më të shquara të Rilindjes Shqiptare, mori pjesë në kryengritjen e vitit 1821 në Vllahi dhe në Moldavi qysh në fillim të saj, ndihmoi në organizimin e revoltës dhe ishte i pranishëm, si komandant ushtarak, gjatë disa veprimeve luftarake që u zhvilluan kundër forcave osmane. Rol të veçantë, si organizator dhe komandant ushtarak, në kryengritjen e vitit 1821 në Principatat Rumune luajti iluministi tjetër i njohur shqiptar, Konstandin Duka.

Shqiptarët përbënin një forcë të rëndësishme luftarake në trupat e eteristëve*, të komanduar nga princi grek Aleksandër Ipsilanti, si edhe në ato të rumunit Tudor Vladimiresku që luftuan trimërisht në radhët e kryengritësve të drejtuar nga komandantët shqiptarë, Haxhi Prodani e kapiten Mihallaqi. Të shumtë ishin shqiptarët që u vranë në betejat që u zhvilluan gjatë kësaj kryengritjeje e sidomos në atë të Skulenit, pas së cilës trupat e tyre u hodhën në lumin Pruth. Edhe masakra që ushtria osmane ndërmori në Bukuresht ndaj forcave kryengritëse, në gusht të vitit 1821, ishte drejtuar kundër shqiptarëve që morën pjesë në revoltën kundërosmane.

Shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e Principatave Rumune jo si mercenarë, por si luftëtarë që ishin të ndërgjegjshëm se, duke kontribuar në çlirimin e popullit rumun nga sundimtarët osmanë, të cilët mbanin të robëruar gjithë popujt e Ballkanit, do të jepnin ndihmesën e tyre edhe në çështjen e çlirimit kombëtar të popullit shqiptar. Pikërisht pse vepruan si një forcë e ndërgjegjshme politikisht në aktet e kryengritjes së Principatave Rumune, shqiptarët përmenden krahas grupeve të tjera etnike që morën pjesë në lëvizje. Edhe frymëzuesit e lëvizjes, eteristët, në thirrjen që u drejtuan shqiptarëve, grekëve, vllahomoldavëve, bullgarëve, serbëve, maqedonëve etj. qysh në fillim të kryengritjes u kujtonin atyre se kjo luftë bëhej për çlirimin e gjithë popujve të Ballkanit dhe njëherazi të atdheut të tyre, se është atdheu i tyre i robëruar ai që u bën thirrje të ngrihen kundër sundimtarëve të huaj osmanë.

Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive me rol të veçantë si në përgatitjen e kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit në përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër ushtrive osmane u dha dorë eteristëve të shpërthenin kryengritjen në mars të vitit 1821, shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje. Qysh në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të tëra shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan Athinën. Përgjithësisht gjatë fazës së parë të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë, duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë (arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin qytetin e Tripolicës, për çlirimin e të cilit patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm pasi shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në masë nga ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë në veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë, të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët gjatë periudhës së parë të Revolucionit grek mbajtën barrën kryesore të luftës në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi të marshonte drejt Athinës për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët më 1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në vitin 1825.

Po kështu, pjesa më e madhe e feudalëve shqiptarë të Toskërisë nuk pranoi të bashkëpunonte me Portën e Lartë në shtypjen e kryengritjes greke. Ata i kumtuan të dërguarve të Stambollit se do të hynin në ushtrinë osmane vetëm në qoftë se do të rrezikoheshin territoret e Shqipërisë Jugore. Për shkak të këtij qëndrimi të shqiptarëve dështoi fushata ushtarake osmane kundër Revolucionit grek në shkurt-qershor të vitit 1821. Dështuan gjithashtu përpjekjet që Hurshid Pasha bëri në vitin 1822, pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, për të mobilizuar shqiptarët në ushtrinë osmane dhe për t'i hedhur ata kundër Revolucionit grek. Dezertimi i ushtarëve shqiptarë vazhdoi edhe gjatë fushatës së Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Revolucionit grek në vitin 1827. Megjithatë, qysh në periudhën e Revolucionit grek, shqiptarët u ndeshën me qëndrimet shoviniste të udhëheqësve grekë ndaj tyre dhe territoreve të Shqipërisë. Ndërsa popullsia myslimane shqiptare iu nënshtrua atëherë masakrave nga forcat ushtarake të Revolucionit grek.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në revolucionet në Principatat Rumune e në Greqi dhe kontributi që dhanë ato në luftën për çlirimin e popujve rumun e grekë ishin dëshmi jo vetëm e ndjenjave miqësore ndaj popujve fqinjë, por edhe dëshmi e aspiratave të tyre liridashëse. Këto aspirata dëshmojnë njëherazi se shqiptarët, si popull, po hynin në epokën e re të Rilindjes me një vetëdije të përcaktuar politike, me ideale kombëtare e çlirimtare, të cilat nuk mund të mos shfaqeshin edhe në kërkesat, në synimet, në shkallën e organizimit dhe përgjithësisht në karakterin e kryengritjeve të viteve 30-40 të shek. XIX.
« Ndryshimi i fundit: 12-03-2005, 09:11:23 nga President » E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #23 më: 12-03-2005, 09:08:59 »

2. KRYENGRITJET KUNDËROSMANE NË VITET 30-40  


Kryengritjet e vitit 1833

Reformat centralizuese të qeverisë osmane, që filluan të zbatoheshin në Shqipëri me dërgimin e nëpunësve civilë dhe ushtarakë turq, hasën në qëndresën e popullsisë shqiptare që nisi me moszbatimin e urdhrave për t'u shndërruar më pas në kryengritje të armatosur.

Pas dy kryengritjeve lokale, që shpërthyen në fillim të vitit 1833 në Kolonjë e në Dibër dhe që u shtypën nga qeveria turke, kryengritja mori një shtrirje të gjerë të panjohur në periudhat e mëparshme në zonën Berat-Vlorë-Delvinë-çamëri.
Qeverisja arbitrare e Emin Pashës, i biri i Mehmet Reshit pashës, e mbështetur në një terror, si dhe orvatjet për zbatimin e reformës ushtarake ishin shkaqet e drejtpërdrejta që e kthyen pakënaqësinë e popullsisë në një kryengritje që u shtri në krejt Shqipërinë e Jugut. Në fillim të korrikut 1833 ngritën krye banorët e Tepelenës, të cilët shtinë në dorë qytetin. Kryengritja, që udhëhiqej nga Balil Nesho, u shtri në krahinat e Gjirokastrës e të Delvinës. Për shtypjen e saj Stambolli dërgoi forca të shumta osmane, të komanduara nga Emin Pasha. Shumica e kryengritësve u vendos në Qafën e Peshkëpisë, ndërsa pjesa tjetër, e organizuar në çeta të vogla, u vendos gjatë rrugës për në Peshkëpi. Goditjet që këto çeta u dhanë forcave osmane dhe dezertimi i shumë ushtarëve shqiptarë, të rekrutuar me forcë, e vështirësuan gjendjen e qeveritarit osman. Por këtij i erdhi në ndihmë peshkopi ortodoks i Drinopojës (i Gjirokastrës), i cili, duke njohur mirë pozicionet e kryengritësve, i kaloi forcat osmane nëpër një grykë tjetër. Të papërgatitur për sulmin e befasishëm, kryengritësit luftuan me trimëri dhe, pasi lanë shumë të vrarë, u tërhoqën në fshatin Luzat, ku i shkaktuan Emin Pashës një shpartallim të plotë.

Të nxitur nga kjo fitore, u hodhën në kryengritje edhe banorët e qyteteve të Beratit e të Vlorës. Duke nisur si një kryengritje fshatare, ajo brenda një kohe të shkurtër u kthye në një lëvizje të të gjithë popullsisë, gjeti mbështetje të fortë në banorët e Beratit, të cilët rrethuan kështjellën. Kryengritja përfshiu gjithashtu krahinat e Tomoricës, të Skraparit e të Kurveleshit. Një pjesë e kryengritësve shkuan në ndihmë të forcave që kishin rrethuar kështjellën e Beratit, kurse pjesa tjetër zuri grykat e rrugët nga pritej të vinte ushtria osmane. Rrezja e kryengritjes u përhap në krahinat e Delvinës e të çamërisë. Jehona e saj u ndje edhe në Shqipërinë e Mesme. Me kërkesën e banorëve të Elbasanit një pjesë e kryengritësve u hodh nga Berati në atë krahinë për t'i ndihmuar ata në luftën kundër administratës osmane.

Në këto rrethana Porta e Lartë, me shpresë se kryengritësit do të shpërndaheshin, e largoi Emin Pashën nga Shqipëria e Jugut. Por në mesin e shtatorit të 1833-it, nën goditjet e fuqishme të kryengritësve, ra kështjella e Beratit. Në qytetin e çliruar të Beratit, kuvendi i përfaqësuesve të të gjitha krahinave kryengritëse miratoi dy kërkesa themelore: t'u ngarkohej shqiptarëve drejtimi i krahinave kryengritëse dhe të uleshin detyrimet ndaj shtetit, duke zbritur në atë masë që paguhej në kohën kur pashallëku i Beratit qeverisej nga feudali shqiptar, Ahmet Kurt pasha.

Shtrirja e gjerë e kryengritjes, që fillonte nga Skrapari e Kurveleshi, në Myzeqe e në Vlorë e deri në çamëri, e detyruan Portën e Lartë të hiqte dorë përkohësisht nga rekrutimi i ushtarëve nizamë, të shpallte amnistinë dhe të lejonte vendosjen e disa shqiptarëve si qeveritarë në kazatë e Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të Gjirokastrës e të Përmetit dhe emërimin e të tjerëve si komandantë në garnizonet e kështjellave të Beratit, të Gjirokastrës etj. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritjes, por jo e plotë. Të paformuara politikisht dhe me një udhëheqje pa përvojë, forcat kryengritëse u shpërndanë, duke besuar se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e tyre.

Po në vitin 1833 lëvizja kryengritëse përfshiu edhe Shqipërinë e Veriut. Vatra kryesore e saj u bë Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit. Zbatimi i reformës ushtarake, abuzimet dhe grabitjet e administratës së re shkaktuan pakënaqësi te popullsia qytetare. Por shtresat e pasura të krishtera të qytetit, sipas porosisë së dhënë nga emisarët austriakë, që u kërkonin të mos bashkoheshin me popullsinë myslimane, nuk u përfshinë në lëvizje. Më 10 prill të vitit 1833 u dha kushtrimi për mbylljen e dyqaneve në tregun e Shkodrës. Rreth 4 000 veta të armatosur nga popullsia e qytetit dhe nga malësorët përreth zunë sheshin e qytetit. Në emër të kryengritësve një delegacion i dërguar nga ata kërkoi që veziri Ali Namik pasha të hiqte dorë nga zbatimi i reformave, nga dhuna e grabitjet dhe të vendoseshin rregullat që kishin qenë në fuqi në kohën e qeverisjes së vendit nga Mustafa pashë Bushatlliu. Por thelbin e këtyre kërkesave e përbënte synimi për një qeverisje autonome të krahinës së Shkodrës. Duke parë fuqinë e revoltës dhe për të fituar kohë, qeveritari, Ali Namik pasha, premtoi se do të merrte parasysh kërkesat e të revoltuarve. Ndërkohë ai mori masa për shtypjen e saj. Më 7 gusht të vitit 1833 ai dërgoi një repart ushtarësh në tregun e qytetit për ta shtënë në dorë. Ky veprim çoi në përleshje të ashpra midis forcave osmane dhe njësive kryengritëse. Pabesia e qeveritarit e shtyti edhe popullsinë katolike të bashkohej me myslimanët. Pas kësaj lëvizja mori formën e një kryengritjeje. Më 8 gusht u organizua një kuvend, ku morën pjesë përfaqësues të lagjeve të qytetit. Kuvendi zgjodhi një Këshill të Përkohshëm, që riorganizoi forcat vullnetare dhe caktoi një delegacion që do të shkonte në Stamboll për t'u ankuar në emër të popullsisë së Shkodrës kundër qeveritarit të sanxhakut. Kryengritja udhëhiqej nga një Këshill përfaqësues. Kjo ishte një formë e re organizimi që ndeshej për herë të parë në lëvizjen shqiptare. Këshilli përbëhej nga përfaqësues të parisë, të krerëve që ishin pasardhës të Bushatllinjve dhe të borgjezisë zejtare-tregtare të qytetit.
Ndërsa pritej përgjigjja nga Stambolli, Ali Namik pasha, duke thirrur në ndihmë edhe trupat që kishte mbledhur i biri në Ohër e në Elbasan, u orvat të shtypte me forcën e armëve kryengritjen qytetare. Mirëpo këto orvatje dështuan para qëndresës së forcave kryengritëse. Forcat osmane u thyen dhe u tërhoqën me disfatë para se të mbërrinin në Shkodër.

Kryengritja nuk gjeti ndonjë mbështetje te Fuqitë e Mëdha. Edhe qeveria austriake, ndonëse kishte marrë përsipër mbrojtjen e katolikëve, urdhëroi emisarin e saj në Shkodër që të mos pranonte asnjë kërkesë të kryengritësve. Vonesa e përgjigjes së Portës së Lartë u tregoi qartë kryengritësve se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin vetëm me luftë e në bashkëpunim me krahinat e tjera të vendit. Përveç lidhjeve që ishin vendosur me malësorët e me krahinat përreth qytetit të Shkodrës, u bënë përçapje për të hyrë në bashkëpunim me viset e tjera shqiptare, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një delegacion u dërgua në Elbasan, ku banorët e qytetit, të ndihmuar edhe nga vullnetarët e ardhur nga Berati, mbanin të bllokuar qeveritarin e huaj.

E ndodhur para një lëvizjeje kryengritëse, që kishte përfshirë tokat shqiptare nga Shkodra deri në çamëri dhe që krijonte përshtypjen e një kryengritjeje të përgjithshme, Porta e Lartë u detyrua të pushonte nga detyra Ali Namik pashën, të pezullonte përkohësisht zbatimin e reformave dhe të premtonte se do të paguante dëmet që u ishin shkaktuar shqiptarëve gjatë luftimeve. Më 2 dhjetor 1833 Ali Namik pasha, pas tre muajsh rrethimi, u detyrua ta lërë Shkodrën. Në vendin e tij u dërgua Hafëz Pasha. Ndërkaq, pasi zgjidhi konfliktin me Mehmet Aliun e Egjiptit, Porta e Lartë rifilloi orvatjet për të zbatuar me forcë reformat. Kjo u bë shkak për rigjallërimin e lëvizjes kryengritëse. I shoqëruar nga tetë regjimente të rregullta, Hafëz Pasha filloi të shkarkonte elementët kundërshtarë dhe t'i zëvendësonte me nëpunës të huaj, rriti taksat doganore për mallrat e importuara nga 2% në 5% dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Ndërkohë, edhe qeveritari i Shqipërisë së Jugut, Mehmet Hamdi pasha, kishte marrë urdhër të zbatonte reformën ushtarake në këto treva.



Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (1834-1835)

Kryengritjet në jug e në veri, me gjithë shtrirjen e gjerë, nuk arritën të vendosnin lidhje midis tyre dhe të siguronin qeverisjen e tokave shqiptare nga nëpunësit vendas. Ndërkohë Porta e Lartë, pasi zgjidhi konfliktin me Egjiptin, u orvat përsëri të zbatonte me forcë reformat. Kjo i dha shkak rifillimit të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.

Përvoja luftarake e vitit 1833 u tregoi udhëheqësve të kryengritjeve të veçanta në Toskëri dhe në Gegëri se rezultatet do të arriheshin në rast se do të organizohej një kryengritje e përgjithshme me një udhëheqje të vetme. Gjatë verës së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos të organizohej një kryengritje e tillë e përgjithshme dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm operativ. Sipas këtij plani do të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së bashku me forcat kryengritëse të Kavajës, të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e Mahmut Pashës, që kishte zëvendësuar Emin Pashën në Janinë. Ky ishte plani i parë operativ për një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte një hap të rëndësishëm në luftën çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar bashkërisht.

Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë që kishin ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për të organizuar një kryengritje dhe kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat. Brenda një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë. Kryengritësit shtinë në dorë magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë popullsisë.

Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit e të Beratit, në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte për lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën në një kuvend në Berat, ku vendosën të formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e cila si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve të saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me Mehmet Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht për kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor të rëndësishëm për dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh ishte në konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës, i dalë nga lufta për të zëvendësuar administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga krerë feudalë, përfaqësues të zejtarëve e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.

Në emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat për të përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave centralizuese dhe për t'u njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov më të madh kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje hynë edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte, kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një garnizon i ri i përbërë nga 100 ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë të barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes. Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan me kryengritës të dalluar për trimëri. U bë hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes. Por plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme nuk u zbatua më tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë një varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet e Durrësit e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh. Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë pjesë në hartimin e planit operativ të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes.

Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit të Shkodrës, ndërsa popullsia e këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e para të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës, që miratoi ndryshimet e bëra në administratën lokale, nënshkroi me të një marrëveshje për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të Besëlidhjes së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut pasi u ndërprenë përsëri reformat centralizuese.

Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll, kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe, kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen, nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk pati shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në Berat e në Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja e taksave në masën e kohërave të mëparshme. Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Këtu për herë të parë flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse. Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një mesazh Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen e tij.

Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa, nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të ashpër e të gjatë kryengritësit nuk ishin në gjendje t'i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835 Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të hiqte dorë nga lufta.

Po në maj 1835 shpërtheu një kryengritje e re në krahinën e Myzeqesë. Qindra fshatarë, nën drejtimin e Alush bej Frakullës, vunë dorë mbi çifligjet shtetërore dhe i shpallën pronë të tyre. Kryengritja u përhap nga Myzeqeja në krahinat e Vlorës, të Mallakastrës e të Tepelenës. Numri i kryengritësve arriti në 7 000 veta. Me kryepleqtë e krahinave kryengritëse u organizua një kuvend në fshatin Portëzë të Fierit, ku u formua një Besëlidhje e re. Ajo do të kishte një ushtri të përhershme me rrogë për mbrojtjen e krahinave të çliruara. Shpenzimet për mbajtjen e saj do të përballoheshin prej të ardhurave të çifligjeve shtetërore. Krahinat e besëlidhura do të drejtoheshin prej kryepleqve vendas dhe vetëm këta do të kishin të bënin, në emër të Besëlidhjes, me pushtetin qendor për të dorëzuar detyrimet ndaj shtetit. Me këto vendime të kuvendit synohej të realizohej një autonomi ndërkrahinore.

Mirëpo, kryengritja e Myzeqesë nuk pati sukses për shkak të dëmeve që i solli veprimtaria përçarëse e qeveritarëve osmanë e sidomos të paqëndrueshmërisë së agallarëve e të bejlerëve vendas, të cilët, kur Porta e Lartë u premtoi se nuk do t'i prekte interesat e tyre, lidhën me të një marrëveshje bindjeje dhe nënshtrimi.

Rënia e përkohshme e lëvizjes kryengritëse në Shqipërinë e Jugut dhe trysnia që ushtroi Stambolli, e shtynë qeveritarin e Shkodrës, Hafëz Pasha të rifillonte zbatimin e reformave centralizuese dhe të shkelte premtimet e dhëna. Ai hoqi nga aparati administrativ e ushtarak vendasit e padëshiruar, ngriti taksat doganore nga 2-5 për qind, vendosi taksa të reja "të jashtëzakonshme" dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Për të zbutur këto masa qeveria osmane i dërgoi në ndihmë një ushtri prej 10 000 vetash. Popullsia e Shkodrës nuk iu bind urdhrave të tij dhe kundërshtoi të gjitha orvatjet për të zbatuar reformat. Kështu filloi një kryengritje e re shumë më e madhe se simotrat e saj me qendër në Shkodër. Më 18 maj 1835 qeveritari osman zuri tregun, kurse regjimentet e ushtrisë së rregullt morën kodrat rreth qytetit. Po atë ditë ai urdhëroi të arrestohej Hamza Kazazi, ish-komandant i rojës së qytetit, i hequr nga detyra prej Hafëz Pashës. Krisma e pushkës së Hamza Kazazit ngriti në këmbë gjithë qytetin. Luftimet zgjatën atë ditë gjashtë orë dhe përfunduan me tërheqjen e forcave qeveritare, që lanë shumë të vrarë e të plagosur.

Qëndresën e qytetit e udhëhiqte Këshilli i Ri i Përkohshëm, ku bënin pjesë përfaqësues të borgjezisë tregtare (Haxhi Abdurrahmani e Kasem Hoxha), të mjeshtërve zejtarë (Hamza Kazazi e Dasho Shkreli), të çifligarëve (Hysen bej Bushati, Ali bej Bajrami dhe Jusuf Beu) dhe një përfaqësues i klerit të ulët islam (Haxhi Idrizi). Hamza Kazazi u ngarkua me drejtimin e veprimeve ushtarake. Këshilli i Përkohshëm njihet në literaturë edhe si qeveri provizore. Si në asnjë kryengritje tjetër, këtë herë u hartua një strategji e taktikë e qartë. Forcat kryengritëse u organizuan në bazë lagjesh dhe gjithmonë ishin në pozita sulmi. Me qytetarët shkodranë u bashkuan vullnetarë nga Postriba, Gjakova, Peja, nga Malësia e Mbishkodrës, Ulqini, Podgorica, nga krahinat e Mirditës, të Matit e të Dibrës. Qindra kryengritës nga Dibra e Mati iu përgjigjën planit operativ të kryengritjes së përgjithshme dhe zbritën në drejtim të Elbasanit. Kështu, kryengritja përfshiu gati gjithë Shqipërinë e Veriut. Gjenerali francez Kybjer, komandant i forcave të Mesdheut, e quante kryengritjen një revolucion, duke i dhënë kuptimin e një lëvizjeje me një shtrirje të gjerë dhe me synimin për të flakur zgjedhën osmane.

Në pamundësi për ta shtypur me forca ushtarake, Hafëz Pasha kërkoi të dinte kërkesat e kryengritësve, të cilat ia paraqiti një delegacion i dërguar prej tyre. Kryengritësit kërkuan largimin e Hafëz Pashës nga Shkodra, dorëzimin e kështjellës një shqiptari dhe anulimin e taksave të vendosura gjatë reformave centralizuese. Një nga emisarët francezë në Prevezë shkruante në ato ditë se kryengritësit pretendonin një pavarësi të plotë ose të formonin një shtet të ngjashëm me Serbinë.

Hafëz Pasha nuk mund të pranonte kërkesa të tilla, prandaj kërkoi ndihmën e Portës së Lartë. Kryengritësit thyen forcat osmane në përleshjet që u bënë më 23-24 maj, më 2 qershor, më 9 qershor, më 24 qershor dhe më 6 korrik 1835. Më 14 korrik kryengritësit thyen në Lezhë forcat e valiut të Rumelisë, me të cilin qenë bashkuar edhe disa pashallarë shqiptarë. Pas kësaj fitoreje kryengritja u shtri në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Porta e Lartë u detyrua të dërgojë një ushtri të rregullt prej 30 000 vetash, një nga më të mëdhatë e asaj kohe, që u vu nën komandën e sekretarit të sulltanit, Vasaf Efendiut.

Në pritje të këtyre forcave, valiu i Rumelisë hyri në bisedime me kryengritësit për të mënjanuar ndeshjet e armatosura. Ai u dorëzoi atyre një dokument (ferman) të rremë, me të cilin sulltani gjoja pranonte kërkesat e tyre.

Por lufta e gjatë kishte dëmtuar shumë zejtarët e tregtarët shkodranë, që qenë gati të largoheshin prej saj. Pjesa më e vendosur e udhëheqjes së kryengritësve, si Haxhi Idris Boksi, Dasho Shkreli etj., e kuptuan kurthin dhe e vijuan luftën. Por në ndeshjen me ushtrinë osmane më 1 shtator 1835, në afërsi të Lezhës, kryengritësit u thyen dhe u detyruan të tërhiqen drejt Shkodrës. Nga kjo gjendje e vështirë ata nuk mundën t'i nxirrnin as kryengritësit dibranë e matjanë që godisnin nga prapa krahëve ushtrinë osmane, as thirrja e Tafil Buzit drejtuar popullit shqiptar për të mos furnizuar me ushqime ushtrinë osmane. Më 18 shtator 1835 ushtria osmane, që ishte nisur nga Lezha e Ulqini, hyri në qytetin e Shkodrës. Pjesa më e vendosur e kryengritësve u largua drejt zonave malore.

Për të mos e acaruar më tej gjendjen, Porta e Lartë bëri disa lëshime, e largoi Hafëz Pashën nga Shkodra dhe e zëvendësoi shërbimin e rregullt ushtarak me një taksë në të holla, ndërsa sanxhaku i Shkodrës u përjashtua nga zbatimi i reformave centralizuese deri në vitet 50. Por këto ishin vetëm disa fitore të pjesshme të kryengritësve, të cilët synonin vendosjen e një qeverisjeje autonome të vendit.

Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 përfshinë një pjesë të mirë të trevave shqiptare, ato nuk arritën të shndërroheshin në një kryengritje të përgjithshme, me një udhëheqje të vetme dhe me veprime të bashkërenduara. Arsyet duhen kërkuar jo vetëm në epërsinë ushtarake osmane, por edhe në papjekurinë politike të kryengritësve dhe sidomos në lëkundjet e mjaft prej krerëve feudalë e të bajraktarëve, që braktisnin luftën sa herë që Porta bënte disa lëshime ose premtonte të kënaqte interesat e tyre partikulariste.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #24 më: 13-03-2005, 22:46:19 »


Kryengritjet shqiptare të viteve 1836-1839


Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë ishte e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin e volitshëm për të shkelur premtimet që u kishte bërë shqiptarëve. Por edhe shtresat e gjera të popullsisë shqiptare ishin të vendosura të mos i pranonin ato dhe barrën e rëndë që sillte zbatimi i këtyre reformave. Ndërkaq, përballë qëndresës së përgjithshne të shqiptarëve, Porta e Lartë u detyrua të ndërrojë taktikë, hoqi dorë nga zbatimi i menjëhershëm i reformave në të gjitha tokat shqiptare, duke i vënë në jetë pjesë-pjesë. Në të njëjtën kohë, para zbatimit të tyre, bëri për vete mjaft krerë feudalë të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet, edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin një shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar, por mbetën të kufizuara në caqet lokale ose krahinore, që i dha mundësi Stambollit t'i shtypte më lehtë.
Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja në krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një viti rifilloi në përmasa më të gjera në Myzeqe.

Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore të vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në krahinën e Dibrës. Në vjeshtën e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë. Në fillim të vitit 1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi qeveritarin e huaj dhe e detyroi valiun e Rumelisë të risjellë atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas kryengritjes së Shkodrës.

Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar nga Alush bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë. Në ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit u ndeshën me forcat osmane përpara qytetit të Beratit dhe i thyen ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha, me një ushtri prej 5 000 vetash, që mbërriti në fillim në Berat për të kaluar më pas në Myzeqe. Në një përleshje të pabarabartë në fshatin Frakull kryengritësit u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën dhe u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte reformën ushtarake.

Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu qëndresa e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve nizamë e kundër taksave që shoqëronin reformat. Kryengritësit gjakovarë shpartalluan forcat qeveritare, shtinë në dorë qytetin e Gjakovës dhe shpallën vetëqeverisjen e krahinave të tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritësve, por në një zonë relativisht të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen brenda një kohe të shkurtër.

Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën e Dibrës e në atë të Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1837 rreth 8 000 kryengritës nga Dibra e Sipërme dhe e Poshtme iu kundërvunë përpjekjeve të Portës së Lartë për kufizimin e vetëqeverisjes lokale të kësaj krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin e Dibrës së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit e valiut të Rumelisë zëvendësimin e një nëpunësi të huaj, të caktuar prej tij me një shqiptar si edhe garancinë për të mos dënuar asnjë kryengritës. Vendosmëria e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë të pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve vendas.

Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1839 kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që varej atëherë nga sanxhaku i Vlorës. Qindra qytetarë sulmuan selinë e qeveritarit të Beratit, i cili mundi të shpëtojë duke u mbyllur në kala. Kryengritja u shtri në tërë krahinat e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit e kryengritësve i paraqitën sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, në emër të të gjithë Shqipërisë së Jugut, kërkesën për vendosjen e një administrate civile e ushtarake shqiptare në të gjitha hallkat shtetërore. Si qeveritar i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do të ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe të tokave të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit shtinë në dorë kështjellën. Në këto rrethana Porta e Lartë u detyrua të pezullojë përkohësisht reformat centralizuese.

Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja kryengritëse u shtri në Prizren, banorët e të cilit rrëmbyen armët dhe e detyruan qeveritarin osman, Ismet Pashën, të largohej nga qyteti. Një delegacion i kryengritësve i kërkoi Portës së Lartë që të hiqte taksat e reja, t'u jepej fund grabitjeve, t'i njihej sanxhakut të Prizrenit një qeverisje autonome, duke e shkëputur njëkohësisht nga varësia e drejtpërdrejtë ushtarake nga qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky u orvat të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të cilët ishte forcuar tanimë vetëdija politike, nuk pranuan të luftonin kundër vëllezërve të tyre.

Porta e Lartë u detyrua që edhe në këtë sanxhak të ndërpriste zbatimin e reformave centralizuese.
Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve 30 reformat centralizuese nuk u çuan deri në fund, mbetën në gjysmën e rrugës. Porta nuk arriti të zëvendësonte, në gjithë administratën lokale, nëpunësit vendas me turq. Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat dhe mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në Shqipëri nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët nizamë e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore nuk arriti të zbatohej.



Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844).
Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut


Në vitet 1843-1844 Kosova dhe trevat lindore shqiptare u bënë vatër e njërës prej kryengritjeve më të fuqishme kundërosmane të gjysmës së parë të shek. XIX, e cila, sipas emrit të udhëheqësit të saj, është quajtur Kryengritja e Dervish Carës.

Në Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit u shpallën zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e tyre shkaktoi një valë të re kryengritjesh që morën shtrirje të gjerë ndërkrahinore. Qendra kryesore të tyre mbetën qytetet. Zëvendësimi i funksionarëve shqiptarë me nëpunës të huaj dhe urdhri për rekrutimin e ushtarëve nizamë ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta të shpërthimit të kryengritjeve në këtë zonë. Në verën e vitit 1843 ngritën krye banorët e Prizrenit, që dëbuan nëpunësit e rinj turq. Këtë ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi menjëherë dhe nuk e pati të vështirë t'i shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e ushtrisë u shoqëruan me terror e grabitje.

Kryengritja e Dervish Carës filloi në Shkup më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën. Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja, përveç Dervish Carës, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca etj.

Në shkurt 10 000 kryengritës të armatosur hynë në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një Këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin në duart e veta.

Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës, si në Vranjë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë të hidhej në luftë kundër pushtetit osman. Të tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje për të siguruar mbështetjen e popullsisë së tyre. Udhëheqësit e kryengritjes u bënë thirrje që të ngriheshin kundër sundimtarëve osmanë edhe banorëve të krahinave të tjera të Shqipërisë, duke theksuar me këtë rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët, sepse ishin vëllezërit e tyre.

Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone. Pas Kumanovës u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja, Gryka e Kaçanikut, Leskovci e viset e tjera veriore të Kosovës. Në muajt e parë të vitit 1844 kryengritja u përhap në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e deri në Shkodër, ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën pushtetin e tyre.

Garnizonet ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat e qyteteve.
Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë e në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe në popullsinë e krahinave të tjera të vendit. Qeveria osmane i trëmbej përhapjes së saj të mëtejshme dhe shndërrimit në një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Prandaj autoritetet osmane hynë në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte funksionarët osmanë të pushtetit lokal, që nuk dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë e Shqipërisë, në suazat e Perandorisë Osmane, ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830.

Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë, krahas përgatitjeve ushtarake për shtypjen e kryengritjes, shpalli edhe një amnisti për ata që do të dorëzonin armët dhe premtoi se nuk do të përdorej forca për rekrutimin e ushtarëve të rregullt. Me këto masa ajo synonte të ngjallte lëkundje në radhët e kryengritësve.
Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do të hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja, ndërsa, nga ana tjetër, filloi të sjellë forca të shumta që i përqendroi në Manastir. Për të shmangur kthimin e saj në një kryengritje të përgjithshme, me përmasa mbarëshqiptare, Porta e Lartë përqendroi në Manastir 32 000 ushtarë, të komanduar nga Omer Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës e Karadakut (Malit të Zi) të Shkupit.

Luftime të ashpra u zhvilluan në Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja më e përgjakshme ishte ajo që u bë më 18 maj në afërsi të Banjës së Katllanovës, në të cilën u vendos fati i kryengritjes në Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të fuqishme kryengritësit, të ndodhur përballë një ushtrie që kishte epërsi teknike, që përdori gjerësisht artilerinë, u detyruan të tërhiqeshin. Pas luftimesh të ashpra që vijuan edhe pas kësaj beteje, më 21 maj ushtria osmane, që kishte epërsi mbi kryengritësit, arriti të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta të pjesëmarrësve të kryengritjes, një pjesë e të cilëve u dërgua për t'u gjykuar në Stamboll.

Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës, pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin dhe Vranjën, ndërsa në mesin e korrikut morën të gjitha qendrat nga Kaçaniku deri në Prishtinë. Prej andej u hodhën për të shtypur qëndresën e kryengritësve në Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në Shkodër, ku bënë arrestime të shumta. Kryengritësit kudo u bënë ushtrive osmane një qëndresë të ashpër, e cila qe më e fuqishme në Kërçovë, në Tetovë e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit osman në këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve, trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë e Perandorisë Osmane.

Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844, u përqendrua në sanxhakun e Dibrës, popullsia e të cilit ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe anulimit të vetëqeverisjes lokale të krahinës. Por forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës. Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha.

Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh. Kuvendi i bëri thirrje për t'u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t'i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t'i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë. Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën.
Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t'u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t'i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane.

Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.

Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në viset e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit 1845 rreth 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit, të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të Sokol Aramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan në maj të atij viti qytetin e Gjakovës dhe e çliruan atë. Por valiu i Rumelisë hodhi kundër tyre ushtri të shumta dhe mjaft mercenarë, të rekrutuar nga viset malore të Shqipërisë së Veriut. Pas luftimesh të përgjakshme, që vazhduan mbi një muaj, kryengritja u shtyp. Mehmet Reshit pasha urdhëroi arrestimin e atyre që kishin marrë pjesë në kryengritje. Në të njëjtën kohë sulltani, për të qetësuar gjendjen, fali rreth 2 000 shqiptarë, të burgosur në Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të viteve të fundit.

Megjithëse ushtria osmane i shtypi kryengritjet shqiptare të këtyre viteve, Porta e Lartë, edhe pse e shpalli Tanzimatin, u detyrua ta ndërpriste edhe për disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë Veriore.
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #25 më: 13-03-2005, 22:48:24 »


Kryengritja e vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut

Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë) më 1845, në një ceremoni të organizuar në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë osmanë.
Në sanxhakun e Beratit, të formuar rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës, të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit, u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni, çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të rëndësishme ushtarake, një pjesë e të cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë "sikur të kishte rënë murtaja". Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re.

Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir për t'i bindur që të hiqnin dorë nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues të parisë së qyteteve e të institucioneve fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje pozitive, por në të vërtetë, siç doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte me të gjitha mjetet sistemin e ri.

Për organizimin më të mirë të qëndresës, krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në qershor 1847, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, myslimanë e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t'u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja.

Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, "Lidhja Kombëtare Shqiptare". Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi, i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve 30.

Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia. Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër Delvinës, qendër e administratës osmane, të cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap edhe në trevën e çamërisë, të Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit, të Tiranës, të Matit, të Dibrës, të Plavës e të Gucisë.

çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke, sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë. Kryengritësit, të cilëve u erdhën në ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës, i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën e Sinjës.

Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta, me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan. Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre. Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga zjarri i fortë i artilerisë.
Për të mbajtur kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan forca të reja të ardhura nga krahinat përreth, deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë, forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala.
E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila në fillim mendonte t'i bënte ballë kryengritjes me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir e në Janinë për të asgjësuar vatrat më të rrezikshme të kryengritjes në jug.
Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar ndihmën që mund t'u vinte kryengritësve nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për t'i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër, u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para me kryengritësit në jug të Gjirokastrës, forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra nga Zenel Gjoleka.
Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: "Heroi i ditës kudo është Gjoleka".

Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t'i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses.

Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund t'i vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën e Lartë të vepronte më me vendosmëri për ta nënshtruar sa më parë Toskërinë. Sulltani i shpalli "fermanllinj" Zenel Gjolekën e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit.

Zenel Gjoleka e Tahir çapari, në krye të 1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që ishte nisur nga Janina.
Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane.
Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit, garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit në qytet.
Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe vijuan luftën të ndarë në çeta më të vogla e me sulme të befasishme.
Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t'u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.

Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t'u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike.

Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamitin, Tahir çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg, ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera.
Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut.

Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët "sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete" dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton "as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri". Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.
Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj vendas. "Nizam e xhelepe s'ka / është vendi fukara", thuhet në një këngë. Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej për "fakir fukaranë".
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #26 më: 13-03-2005, 22:51:17 »

  3. IDEOLOGËT E PARË TË LËVIZJES KOMBËTARE



Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40, ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40
Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi i Korçës), që ishte një qytezë me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi arsimdashëse. Që në moshë të re, para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më 1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë, mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.

Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen. Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë, ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes së çlirimit kombëtar të atdheut të vet, Shqipërisë.

Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim të patundur te populli shqiptar, në aftësitë e tij për t'u ndriçuar e për t'u çliruar dhe në të ardhmen e tij më të mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën nga jugu në veri.

Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. "Ka ardhur koha, - shkruante ai më 1846, - që t'i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë... Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje".

Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin e numrit të shkollave të huaja që filluan të hapeshin në Shqipëri.

Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën e ngutshme për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose arabe, që ishin përdorur deri atëherë për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese ndikimesh politike të huaja. Naum Veqilharxhi mendonte se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin e tyre.

Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani "Evetarin" e tij, një abetare e vogël e poligrafuar, e cila është abetarja e parë e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat jugore të Shqipërisë, në Korçë, në Përmet, në Berat, në Gjirokastër etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për t'u përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve. Në një letër, që i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845, e njoftonin se abetaret i kishin marrë "... me gëzim të madh dhe me kënaqësi". Letra i bënte të ditur se paria e Korçës kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë dhe të hapte shkolla shqipe.
"Mjaft për kaq kohë nën zgjedhën e paditurisë, - shkruanin patriotët korçarë. - Të shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër arsimi do të shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në mbarë kombin tonë... Na dërgoni sa më shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare". Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që ndiente nevojën për t'u arsimuar në gjuhën amtare si kusht i rëndësishëm për të çarë errësirën mesjetare dhe për t'i hapur atdheut rrugën e përparimit.

Për t'iu përgjigjur kërkesës së patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi botoi një abetare të dytë me titull "Fare i ri evetar shqip", shumë më të plotë se e para dhe me një parathënie të gjerë. Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje serioze për ta vënë mësimin e shqipes mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një varg fjalësh e termash të kulturës e të shkencës.
Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe.
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në "Qarkoren", hartuar në gjuhën greke, që u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri, në letrën e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen shqiptare "himera" dhe në parathënien e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve atdhetarë shqiptarë.

Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji kalohet nga më e ulëta në më të lartën, nga e vjetra në të renë. "Asnjë komb nuk ka rënë nga qielli", "...shoqëria, bashkëpunimi e ka bërë njerinë". Fjalët e rënda që mund të thuheshin për shqiptarët, shkruante ai, "tregojnë një gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë. Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke përparuar".

Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen, të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte zotin e të fshehtave të gjithësisë.

Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum Veqilharxhi e quante "një borxh ndaj vendlermit" (vendlindjes).

Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte te "pushtimet e shpeshta", te "përmbysjet e gjithanshme", te "ndryshimet politike", te "dogmat fetare", te "padija" dhe sidomos te "lënia pas dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj...". Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare. "Ato kombe që mbetën në padije, - shkruante ai, - u shëmbëllejnë thjesht skllevërve...", këto kombe "...vetëm atëherë mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare...".

Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej vendi i tyre. "Le të hedhim farën e mirë, - shkruante ai, - dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t'i korrë padyshim brezi i ardhmë...".

Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.



Lëvizja e arbëreshëve të Italisë në përkrahje të çështjes kombëtare në vitet 30-40

Në kohën kur Naum Veqilharxhi zhvillonte veprimtarinë e vet në Rumani dhe krijonte lidhje me disa qendra të Shqipërisë së Jugut, në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë në Itali filluan të dukeshin shenjat e para të një lëvizjeje në përkrahje të çështjes kombëtare shqiptare. Ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë kohë në Shqipëri, kryengritjet e njëpasnjëshme, përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për arsimin dhe kulturën kombëtare tërhoqën vëmendjen e një vargu intelektualësh të dalë nga gjiri i kolonive arbëreshe. Arbëreshët nuk e kishin harruar vendin e të parëve dhe i ruanin të gjalla, veçanërisht në folklorin e tyre të pasur, traditat e mëdha të luftës për liri, si dhe gjuhën e doket që kishin marrë nga mëmëdheu.

Të nxitur nga dashuria për atdheun e të parëve dhe nën ndikimin e interesit që shfaqte në gjysmën e parë të shek. XIX shkenca gjuhësore evropiane për gjuhën shqipe, intelektualët arbëreshë filluan të merreshin me studimin e historisë, të folklorit dhe të gjuhës së këtyre kolonive, si dhe në përgjithësi me historinë e mëmëdheut të tyre të dikurshëm. Në kohën kur filluan të bëheshin hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi në vitet e para të shek. XIX dhe Josif Krispi e Gjon Skiroj në vitet 30 hodhën tezën e prejardhjes së popullit shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së tij nga pellazgjishtja, gjuhë që mendohej se ishte folur nga banorët më të lashtë të Ballkanit e të Mesdheut. Teza e prejardhjes pellazgjike, si shprehje e lashtësisë së popullit shqiptar, zuri vend e u përhap shumë në qarqet shkencore dhe në opinionin e gjerë.
Po në këtë kohë filloi veprimtarinë e tij Jeronim de Rada (1814-1903) nga fshati Makje i Kalabrisë, i cili u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë arbëreshe dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Qysh në veprën e tij të parë, poema "Këngët e Milosaos" (1836), shkruar në dialektin arbëresh, De Rada i dha letërsisë shqipe një nga veprat e saj më të bukura. Duke trajtuar edhe më tej tema historike, nga luftërat shqiptaro-turke të shek. XV, si p.sh., në poemën "Serafina Topia" (1843), poeti, i frymëzuar nga kryengritjet shqiptare, si dhe nga lëvizjet çlirimtare që zienin në Itali, në të cilat mori pjesë vetë, vinte në dukje traditat luftarake e liridashëse të popullit shqiptar.
Me këto vepra ai u bënte të njohur bashkatdhetarëve dhe nëpërmjet përkthimit italisht gjithë botës historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Me këtë intelektualët arbëreshë filluan të sendërtonin atë që e quajtën si detyrë të madhe ndaj mëmëdheut të tyre të lashtë: "të ringjallnin përpara opinionit publik ndjenjat e një kombi të lavdishëm, por të panjohur", siç shkruante më 1847 në parathënien e veprës së vet "Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime", studiuesi arbëresh Vinçenc Dorsa. Ai ia kushtonte veprën e vet "kombit të tij të përndarë e të përçarë, por një". Me këtë Vinçenc Dorsa donte të theksonte se kolonitë arbëreshe e ndienin veten si "pjesë të pandara të një të tëre, të kombit shqiptar".

Me gjithë kushtet e vështira, ndërmjet vatrave të veçanta të lëvizjes politike e kulturore shqiptare filluan të krijoheshin që herët lidhjet e para. Në vitin 1845 Naum Veqilharxhi dhe shqiptarët e tjerë të Bukureshtit e përgëzonin Jeronim de Radën me një letër për punimin e tij "Mbi hyjnitë e pellazgëve", të botuar më 1843 në të cilën poeti përpiqej të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, sepse shpjegoheshin, sipas tij, me anë të shqipes së sotme dhe se pellazgët i kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Mendime të ngjashme në lidhje me prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe të popullit shqiptar shfaqën edhe një varg albanologësh të huaj.

Këto mendime të De Radës dhe të albanologëve në lidhje me teorinë pellazgjike u përqafuan nga Naum Veqilharxhi dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë. Ato luajtën një rol për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe u përdorën për të vërtetuar autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e veta dhe për të shtruar përpara opinionit ndërkombëtar njohjen e të drejtave të shqiptarëve si komb më vete.

Intelektualët arbëreshë ndiqnin me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në vitet 30-40 të shek. XIX në Shqipëri. Veprat e tyre jo vetëm u bënin jehonë këtyre ngjarjeve, por edhe, duke evokuar të kaluarën, ngrinin probleme të rëndësishme, si ato të luftës së armatosur për liri, të bashkimit të popullit shqiptar etj. Duke vënë në dukje rëndësinë e kryengritjeve që po ndodhnin në mëmëdheun e tyre të lashtë dhe duke i interpretuar ato si shenja të një kthese Vinçenc Dorsa i përshëndeste "këto kërcënime të vazhdueshme, inkursione, rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkimin e shpejtë nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e vëmendjes që i bëjnë Portës së Lartë". "
Në këto fakte, unë lexoj, - vazhdonte ai, - përgatitjen e furtunës së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët që do të vijë pas saj". Dhe më poshtë: "Shqipëria beson se kjo ditë (e rilindjes së saj - shën. i aut.) është e afërme dhe besimi i vë asaj në lëvizje shpirtin për ta arritur. Ajo nuk flet veçse për rilindje...".
E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #27 më: 14-03-2005, 15:04:59 »

4. KUNDËRSHTIMI I PLANEVE EKSPANSIONISTE TË SHTETEVE FQINJE. SHQIPËRIA DHE KRIZA LINDORE E VITEVE 1853-1856


"Megali Idea" greke dhe "Naçertania" serbe

Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive për bashkëpunimin ushtarak të popujve të shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.

Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën sundimin osman. Për këtë arsye, një nga drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas këtij synimi të drejtë, te qeveritë greke e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat u zhvilluan e u shndërruan në një vijë themelore të politikës së tyre.

Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist, i cili hyri në histori me emrin "Megali Idea" ("Megali Idhea" - "Ideja e Madhe"). Sipas këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit duhej të shndërrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit. "Megali Idea" përfshinte në kufijtë e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë projekt, në veri në fillim përfshihej në kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin, herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më të moderuar grekë e çonin atë deri te lumi Vjosë.

Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën, të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste të Athinës, dështuan.

"Megali Idea" greke gjeti një mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke, në një aleate e Greqisë. Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët e nxënësit që i frekuentonin ato.

Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe e që është i njohur në histori me emrin "Naçertanie" ("Projekt"). Edhe qarqet politike drejtuese të Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin e çlirimit të tokave të sllavëve të jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një shtet të madh, që do të përtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas "Naçertanies", do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb e pagëzoi me emrin "Serbi e Vjetër".

Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të shek. XIX në një politikë të përhershme zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt në Shqipëri.



Lufta kundër "turkomanizmit" dhe "grekomanizmit"

Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare bëri një luftë gjithnjë e më të ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit, të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit, të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin, sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa dallim.

Me qëllim që të përforconin pozitat e tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe për t'i lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë, qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një fushatë me parulla panislamike për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ata dërguan në Shqipëri për këtë qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike.

Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes shqiptare gjente mbështetje te disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, te "turkomanët". Këta përbëheshin, në radhë të parë, nga elementët fanatikë të klerit mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të. Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa elementë të borgjezisë së pasur qytetare, të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen arsimore e kulturore të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit si Kalif.

Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas, edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë greke, që propagandonin "panhelenizmin" si armë ideologjike për të përgatitur realizimin e planit ekspansionist të "Idesë së Madhe".

Një rol të veçantë në këtë lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga "grekomanët", siç u quajtën përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin në radhë të parë nga një pjesë e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut, të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë të kishës e të shkollave greke u bënë shkak që "grekomanët" të shihnin te borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar, të vetmen mbështetje për t'u çliruar nga zgjedha osmane.
Protagonistët e "Idesë së Madhe" në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis borgjezisë e fshatarësisë së krishtere shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të vendit, që në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte mundësi të plotësohej atëherë veçse në shkolla greqisht.

Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët rilindës përpunuan platformën e vet, që u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete dhe si i tillë kishte një rrugë të veçantë të formimit historik që e shpinte në mëvetësinë e tij kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve të "panislamistëve"dhe "panhelenistëve" për të bërë për vete politikisht, sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të popullit shqiptar.

Një luftë të posaçme bënë ata, ndër të tjera, kundër tezave politike të panhelenistëve, që, duke i mbështetur synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër, e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja kulturore, por edhe politikisht në gjirin e "helenizmit".
Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga një propagandë e tillë armiqësore ndaj kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët e tjerë të çështjes kombëtare të vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash të mëdha për qëllime mirëbërëse në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.

Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët akuzuan në radhë të parë Patrikanën e Stambollit, e cila, për të ruajtur "unitetin" e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte nxitur Portën për të marrë masa kundër tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet 1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor, pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë, Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të Greqisë gazetën greqisht-shqip "Pellasgos", kushtuar çështjes shqiptare.

Të njëjtit qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me titull "Gramë për shqiptarët" (1861), në të cilën përdorej alfabeti greqisht për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900), si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet 1860-1880).

Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve, i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje me rrugën e veçantë historike të popullit shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët e rretheve borgjeze "turkomane" e "grekomane", një pjesë e anëtarëve të të cilave u bashkua me të.

E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #28 më: 14-03-2005, 15:09:39 »


Kriza Lindore e viteve 1853-1856 dhe Shqipëria


Kryengritjet kundër Tanzimatit dhe sidomos kryengritja e madhe e vitit 1847 i kishin treguar Stambollit rrezikun që i kanosej Perandorisë nga një acarim i ri i gjendjes në Shqipëri në një kohë kur kishte filluar të rritej edhe lëvizja e përgjithshme për çlirimin kombëtar të popujve të Ballkanit dhe ishin acaruar kontradiktat e Fuqive të Mëdha lidhur me trashëgimin e "të sëmurit të Bosforit", siç quhej tashmë Perandoria Osmane. Shqetësimi i Portës ishte shtuar edhe nga interesimi që kishin filluar të tregonin për Shqipërinë shtetet e reja ballkanike dhe nga orvatjet e tyre për t'i shfrytëzuar lëvizjet kundërosmane të shqiptarëve.

Në këto rrethana, kur mund të shpërthente një konflikt ndërkombëtar, Stambolli, duke dashur të kishte në krahun e vet forcën ushtarake të shqiptarëve, që e çmonte shumë, krahas zgjerimit të propagandës panislamike mori edhe disa masa për të ulur tensionin në marrëdhëniet me shqiptarët. Autoritetet osmane në Shqipëri u urdhëruan të mos përdornin përkohësisht forcën për të zbatuar reformat. Sulltani fali një varg krerësh të burgosur ose të internuar të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më 1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte pjesë në luftë me një repart të vetin, të përbërë prej afër 10 mijë luftëtarësh. Si komandantë repartesh të çrregullta u njohën edhe feudalë të tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime e grada.

Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje, i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta.

Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia i shpalli luftë Malit të Zi duke marrë shkas nga disa ndryshime në formën e shtetit që kishte bërë princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit për të marrë pjesë në luftë iu përgjigjën një varg krerësh feudalë dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Por lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga lufta i padëmtuar. Repartet shqiptare nga ana e tyre patën humbje të ndjeshme në njerëz, midis të tjerëve u vra edhe Zenel Gjoleka.

Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez vijuan edhe pas luftës. Ato nxiteshin nga krerët e Malit të Zi për të përgatitur truallin për aneksimin e trojeve veriore të Shqipërisë. Por sulmet malazeze ndeshën në qëndresën e vendosur të popullsisë shqiptare të këtyre krahinave.

Në mesin e shek. XIX u acarua edhe më shumë rivaliteti ndërmjet Fuqive të Mëdha evropiane për ndikimin në vendet e Lindjes së Afërme. Në këtë kohë Anglia e Franca e kishin dëbuar pothuajse krejtësisht Rusinë e prapambetur nga tregjet e kësaj zone. Por Rusia nuk kishte hequr dorë nga synimi për të shtënë në dorë Ngushticat e Dardaneleve dhe vetë Stambollin, që të shtrinte kështu më tej praninë e saj në Lindjen e Afërme e në Ballkan. Ajo priste të krijohej një gjendje ndërkombëtare e përshtatshme për ta shembur Perandorinë e sulltanëve dhe për të arritur këto qëllime. Në projektet e saj për rregullimin e ardhshëm të Turqisë Evropiane, Rusia parashikonte krijimin e forcimin e shteteve të pavarura, sllave ose përgjithësisht të krishtere, të cilat do të ishin nën ndikimin e Rusisë. Por në këto projekte nuk figuronte Shqipëria. Qeveria cariste nuk parashikonte krijimin e një shteti shqiptar dhe prandaj qëllimisht i identifikonte shqiptarët myslimanë me turqit, ndërsa ata të krishterë ortodoksë me grekët.

Politika ruse e copëtimit të Perandorisë Osmane ndeshi në kundërshtimin e vendosur të fuqive perëndimore e në radhë të parë të Anglisë e të Francës. Këto fuqi vijonin të garantonin e të përkrahnin status quo-në dhe paprekshmërinë e Turqisë, sepse po e kthenin atë në një gjysmëkoloni të tyre dhe sepse me ruajtjen e Turqisë pengohej dalja e Rusisë në Mesdhe. Kur në korrik 1853 qeveria cariste i shpalli luftë Perandorisë Osmane (Lufta e Krimesë, 1853-1856), ajo u gjend shumë shpejt përpara një konflikti të madh, në të cilin Anglia e Franca dhe më vonë edhe Mbretëria e Sardenjës morën anën e Turqisë. Pas një vargu fitoresh fillestare të Rusisë në frontin e Danubit e në det, operacionet e aleatëve të Turqisë u përqendruan në gadishullin e Krimesë dhe prandaj konflikti mori emrin Lufta e Krimesë.

Duke pasur ushtritë e saj në brigjet e Danubit, Rusia u bëri thirrje popujve ortodoksë të Ballkanit të rrëmbenin armët kundër shtypësit shekullor. Duke shpresuar se me fitoren e Rusisë ortodokse do të përmirësohej gjendja e tyre, kësaj thirrjeje iu përgjigjën vullnetarë nga vende të ndryshme ballkanike, si edhe shqiptarë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut.

Edhe Turqia nga ana e saj u përpoq të mobilizonte forcat shqiptare me parullën e mbrojtjes së fesë islame, por nuk arriti ndonjë sukses të madh. Ajo nuk mundi të nxirrte nga Shqipëria veçse pak nizamë. Nuk dhanë fryte të dukshme edhe përpjekjet e saj për të dërguar krerët shqiptarë me forcat e tyre në frontin rus. Shumica e tyre nuk pranoi të shkonte në një front kaq të largët, siç ishte fronti i Danubit dhe preferoi t'i mbante forcat gati në rastin e një sulmi të mundshëm nga Mali i Zi ose nga Greqia. Vetëm Bibë Doda me një numër mirditasish u nis për në front, por pas disa kohësh edhe ai u kthye në vendin e vet për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën midis tij dhe komandantit turk, Omer Pashës.

Lufta e Krimesë nxiti Malin e Zi dhe Greqinë të ndërmerrnin veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane. Mali i Zi ndërmori disa sulme në Hercegovinë e në tokat shqiptare dhe përgatiste një goditje kundër Tivarit. Por përballë qëndresës së vendosur të shqiptarëve dhe nën presionin e fortë të Austrisë e të Francës, princi Danilo u detyrua të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje.
Më larg shkuan veprimet e Greqisë. Megjithëse Anglia e Franca nuk e lanë të hynte në luftë kundër Portës, qeveria greke organizoi çeta të shumta të komanduara nga oficerë të ushtrisë, të cilët u futën fshehurazi në Thesali dhe në krahinat e vilajetit të Janinës për të organizuar një kryengritje kundërosmane. Ata hynë edhe në krahina të Shqipërisë, duke bërë kështu një hap të parë drejt sendërtimit me forcën e armëve të "Megali Idesë". Për këtë qëllim ajo u përpoq të shfrytëzonte urrejtjen e shqiptarëve ortodoksë kundër sundimtarëve osmanë dhe prandaj vuri në krye të lëvizjes figura të shquara të luftës për pavarësi me prejardhje arbëreshe ose nga Suli, si Theodhor Griva e Nikollë Zerva, të cilët do t'i jepnin kryengritjes në tokat shqiptare dukjen e një aleance greko-shqiptare.

Më 2 janar 1854, pasi shpallën "lirinë dhe pavarësinë" e gjithë provincave të "Greqisë së Vjetër", udhëheqësit e kryengritjes, me parullën "perandori greke ose vdekje", i ftuan banorët e këtyre krahinave të rrëmbenin armët. Kryengritësit arritën në fillim disa suksese në ato krahina ku nuk kishte ushtri të rregullt dhe ku vepronin disa feudalë shqiptarë me forcat e tyre lokale. Arta ra në duart e kryengritësve dhe një çetë e madhe andartësh?, e komanduar nga gjenerali Griva, arriti deri në Mecovë. Gjatë marshimit në viset e brendshme të vilajetit të Janinës, andartët grekë përdorën edhe forcën për t'i detyruar vendasit të bashkoheshin me ta, ndërsa në Filat persekutuan në prill të vitit 1854 disa familje shqiptare, midis të cilave edhe atë të Xhafer pashë Demit.

Por synimet aneksioniste të qeverisë greke bënë që shqiptarët t'i shmangeshin bashkëpunimit me ta dhe kryengritja të mos merrte karakter të përgjithshëm. Për më tepër, krerët shqiptarë të Jugut, ndër të cilët çelo Picari, Halit bej Frashëri, Ahmet çapari etj., duke njohur synimet pushtuese të Athinës, mobilizuan forcat e tyre dhe i thyen andartët grekë në krahinën e Artës dhe në Thesali. Nga ana tjetër, Anglia me Francën, pas protestave të Turqisë që e akuzoi Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, e detyruan qeverinë e Athinës të hiqte dorë nga këto veprime, që ishin në dobi të Rusisë; si masë shtrënguese kundër saj, ato pushtuan me flotën e tyre Pireun, limanin kryesor të Greqisë.

Krizën e shkaktuar nga lufta ruso-turke e shfrytëzoi edhe Vjena për t'i shkëputur Portës së Lartë një varg koncensionesh dhe për të përforcuar pozitat në Shqipërinë e Veriut ku, në bazë të traktateve ndërkombëtare, ajo kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike (i ashtuquaturi kultusprotektorat)??.

Me ndërhyrjen e Austrisë u kthye përsëri në Shkodër urdhri i jezuitëve, i dëbuar prej andej 11 vjet më parë. Me anë të një demonstrate detare përpara grykës së Bunës më 1853, Vjena e detyroi Portën të lejonte ngritjen e një seminari të jezuitëve. Disa vjet më vonë u themelua në Shkodër nën mbrojtjen e Austrisë edhe një kuvend françeskan. Nga ana tjetër, kapitali tregtar austriak po bëhej veçanërisht aktiv në Shqipëri dhe në trevat e tjera perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo u pasqyrua edhe në shtimin e numrit të anijeve austriake që vinin në limanet shqiptare. Me forcimin e pozitave ekonomike e politike Austria fitoi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor një pozitë të privilegjuar ndër Fuqitë e Mëdha.

Edhe Franca u përpoq të përforconte me këtë rast pozitat në Ballkan e të vinte nën ndikimin e saj princin Danilo të Malit të Zi dhe kapedanin e Mirditës Bibë Dodën.

Lufta e Krimesë mori fund në mars 1856 me nënshkrimin nga ndërluftuesit të Traktatit të Paqes në Paris. Në këtë Traktat u përfshinë edhe parimet themelore të Dekretit të ri perandorak (Hat-i Humajun), që sulltan Abdyl Mexhiti ishte detyruar të shpallte më 15 shkurt 1856 me shtytjen e drejtpërdrejtë të Anglisë e të Francës dhe që shënonte fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit. Ky dekret ritheksonte, përveç të tjerave, detyrimin e Portës së Lartë për t'u njohur popullsive të krishtere nën sundimin e saj disa të drejta administrative. Duke e përfshirë thelbin e Hat-i Humajunit në Traktatin e Paqes të Parisit (mars 1856), Anglia dhe Franca synonin t'i hiqnin Rusisë mundësinë që të ndërhynte në favor të këtyre popullsive dhe të vendosnin një kontroll të përbashkët mbi Perandorinë Osmane.


Shqipëria gjatë krizës ballkanike të viteve 60

çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar të popujve ballkanas nuk gjeti zgjidhje as me Hat-i Humajunin dhe as me Traktatin e Paqes të Parisit të vitit 1856. Përkundrazi, me këtë Traktat, Anglia, Franca dhe Austro-Hungaria u bënë garante të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së Perandorisë Osmane. Popujt e shtypur të Ballkanit nuk u pajtuan me këtë përmbajtje të Traktatit të Parisit, që përbënte një pengesë në luftën e tyre për çlirimin nga robëria osmane.

Një varg kryengritjesh çlirimtare shpërthyen gjatë viteve 60 në Hercegovinë, në Bullgari etj. Vetëm përpjekjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha perëndimore dhe prirjet shoviniste të shteteve ballkanike e shmangën mundësinë e një lufte të përbashkët të popujve të shtypur të Ballkanit kundër Perandorisë së sulltanëve.

Porta e Lartë nga ana e saj bënte çmos që ta nënshtronte principatën e vogël të Malit të Zi, e cila i kishte shkaktuar asaj kaq telashe, kurse princi Danilo organizonte vazhdimisht provokacione në kufirin turko-malazez kundër viseve shqiptare, të cilat synonte t'i aneksonte. Popullsia e Shkodrës dhe viset kufitare në veri u shqetësuan nga sulmet e çetave malazeze drejt tokave shqiptare. Edhe qarqet patriotike të vendit, me Pashko Vasën, Zef Jubanin, Oso Kukën etj. në krye, arritën në përfundimin se shqiptarët duhej të ndërmerrnin veprime mbrojtëse kundër sulmeve malazeze.

Drejt qëndresës kundër Malit të Zi i nxiste shqiptarët edhe Porta e Lartë, që ishte e interesuar të përdorte në luftë forcat e tyre. Në fillim të vitit 1862 këto provokacione çuan në shpërthimin e një konflikti kufitar, të një lufte ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Njësitë malazeze sulmuan kullat kufitare në drejtim të fshatit Vraninë, duke djegur dhjetëra shtëpi të shqiptarëve. Në këto rrethana, disa reparte vullnetarësh u nisën për në front. Në krye të tyre u vu Oso Kuka, që qe vendosur në Vraninë si komandant i forcave vullnetare, së bashku me M. Golemin, M. Begenë, I. Koplikun etj. Forcat vullnetare mbrojtën me vendosmëri një nga kullat kryesore kufitare në Vraninë.

Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjesh paraprake, u zhvilluan luftime të rrepta kundër çetave malazeze në Kërnicë. Megjithëse pësuan humbje të mëdha, forcat vullnetare, me Oso Kukën në krye, qëndruan deri në fund, vendosën të mbronin vendin qoftë edhe me flijimin e jetës së tyre. I rrethuar në një kullë të ishullit të Vraninës (buzë liqenit të Shkodrës), Osoja, për të mos rënë në duart e malazezëve, u vuri zjarr fuçive të barutit dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarë të tjerë shqiptarë, duke vrarë edhe kundërshtarët malazezë që sulmonin kullën. Akti i tij u bë një shembull vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Në vitet 60 qeveritë e Serbisë e të Greqisë u aktivizuan përsëri për ndarjen e trojeve të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik, ku përfshihej edhe Shqipëria. Qysh në vitin 1861 ato hynë në bisedime për një aleancë politiko-ushtarake kundër Turqisë. Në këto bisedime, të cilat nuk patën sukses, të dyja palët i jepnin rëndësi qëndrimit të shqiptarëve si për potencialin e tyre ushtarak që e çmonin shumë, ashtu edhe për faktin se territori i Shqipërisë do të formonte hallkën ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior serb. Sipas fjalëve të kryeministrit serb I. Garashanin, pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë ishte një kusht i domosdoshëm për fitoren mbi Turqinë.

Një mendim të tillë kishin edhe shumë diplomatë rusë. Njëri prej tyre, M. Hitrov, duke vlerësuar gjendjen në Shqipëri, ku vihej re një pakënaqësi e përgjithshme jo vetëm në malësitë dhe në radhët e borgjezisë së qyteteve, por edhe midis bejlerëve e pashallarëve të prekur nga administrata e re, deklaronte më 1862: "Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë shumë në përkrahjen e shqiptarëve, por, përkundrazi, në disa kushte të caktuara, pikërisht këtu përgatitet mbarimi i saj i shpejtë. çdo gjë varet nga kjo: A do të përgatitet Shqipëria me kohë për ngjarjet e ardhshme? A do t'i kushtohet asaj vëmendja e duhur?".

Në gjendjen e krijuar në Gadishullin Ballkanik ndikuan edhe ngjarjet që kishin ndodhur në Italinë e afërt. Në vitet 1859-1861, si pasojë e një lëvizjeje të gjerë popullore, ishte realizuar, ndonëse akoma jo plotësisht, çlirimi dhe bashkimi i Italisë në një shtet. Një rol të rëndësishëm në këto ngjarje kishte luajtur demokrati revolucionar Xhuzepe Garibaldi. Në luftë me diplomacitë e Fuqive të Mëdha, Xh. Garibaldi mendonte të zgjidhte çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar jo vetëm të Italisë, por të të gjitha kombeve të shtypura, veçanërisht të Evropës Juglindore e Lindore, me anë të një lëvizjeje të gjerë revolucionare të vetë popujve, të cilët, sipas tij, ishin aleatë dhe duhej të harronin urrejtjet, grindjet e paragjykimet kombëtare e fetare. "çështja e lirisë është një e vetme, cilido që të jetë populli që e mbron. Kur ta kenë kuptuar të gjithë popujt këtë të vërtetë ..., atëherë mbretëria e despotizmit do të marrë fund përgjithmonë ... Kur të jetë përmbysur më në fund krenaria e Habsburgëve dhe të jetë dëbuar osmani barbar në shkretëtirat e tij, Adriatiku do të banohet në të dy brigjet prej popujsh të lirë, të denjë të duhen e të kuptohen si vëllezër ...", deklaronte Garibaldi në një proklamatë të vitit 1862.
Vëmendja e revolucionarëve italianë u drejtua edhe nga Shqipëria. Arbëreshët e Sicilisë e të Kalabrisë, të cilët kishin luajtur një rol me rëndësi në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë dhe ishin të lidhur me Garibaldin, shërbyen në këtë rast si ndërmjetës për vendosjen e lidhjeve ndërmjet revolucionarëve italianë e shqiptarë.

Qendra kryesore për organizimin e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Ballkanit u krijua në Korfuz. Emisarët italianë filluan të përshkonin Shqipërinë dhe provincat e tjera ballkanike të Perandorisë Omane. Me kërkesën e shqiptarëve, Garibaldi filloi të dërgonte armë në Shqipëri. Ai parashikonte t'i zbarkonte forcat e veta diku në bregun e Shqipërisë dhe, duke u bashkuar me forcat vendase, të niste marshimin drejt veriut.

Kjo ekspeditë, sipas mendimit të revolucionarit të shquar italian, do ta ndihmonte popullin shqiptar, që ai e çmonte si popull trim, të fitonte lirinë dhe do ta vinte diplomacinë evropiane, që nuk ishte për një kryengritje, përpara një fakti të kryer.

Por diplomacia evropiane dhe vështirësitë e brendshme e penguan një zhvillim të tillë të ngjarjeve. Këtë lëvizje u përpoqën ta shfrytëzonin qarqet qeveritare italiane për shtrirjen e ndikimit të Romës në bregun lindor të Adriatikut, ndërsa qeveria greke me anën e saj shpresonte të realizonte "Idenë e Madhe". Greqia dërgoi emisarët e vet në Thesali dhe në vilajetin e Janinës për të drejtuar veprimet e bandave të andartëve grekë në këto krahina. Përpjekjet e saj për të gjetur mbështetje te shqiptarët, që tanimë i njihnin synimet aneksioniste të Athinës, nuk dhanë rezultat, ndërsa komitetet greko-shqiptare, që arriti të ngrejë ajo më 1862, siç ishin ai i Janinës dhe i Durrësit, nuk u vunë në shërbim të politikës së Athinës. Komiteti i Durrësit, më 15 korrik 1862, doli botërisht me anën e një promemorjeje, drejtuar opinionit publik evropian, kundër synimeve të Athinës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, shpalli se shqiptarët, edhe pse çështja e tyre nuk po përkrahej nga diplomacia evropiane, ishin të vendosur të luftonin, nën flamurin e Skënderbeut për të çliruar atdheun e tyre.

Porta e Lartë, e alarmuar nga mundësia e një zbarkimi të garibaldinëve, mori masa ushtarake duke bllokuar me flotën e saj bregdetin shqiptar dhe duke lidhur një marrëveshje me Austrinë për të luftuar së bashku çdo lëvizje revolucionare në Ballkan.

Pas disfatës që pësoi Austria në luftën kundër Prusisë më 1866 dhe duke marrë shkas nga kryengritja e popullsisë greke të Kretës që shpërtheu po atë vit kundër zgjedhës osmane, Rusia filloi të bënte përsëri një politikë aktive në Ballkan. Duke synuar të vendoste ndikimin e saj në këtë zonë, diplomacia ruse kërkoi nga Porta njohjen e autonomisë së popujve të krishterë të Perandorisë.
Me memorandumet e kancelarit Gorshakov të datës 12 mars dhe 18 prill 1866, qeveria ruse, duke u bërë një kritikë të ashpër reformave të deriatëhershme centraliste, paraqiste një projekt për krijimin e katër provincave të mëdha autonome në Turqinë Evropiane, që do të kishin të drejta mjaft të gjera vetëqeverisjeje. Por projekti rus e mbështeste parimin e autonomisë mbi fenë e popullsisë. Asnjëra nga provincat nuk do të kishte karakter homogjen nga pikëpamja etnike.
Shqipëria e Veriut dhe Kosova parashikohej të bashkoheshin me Bosnjën dhe Hercegovinën me popullsi sllave, kurse Shqipëria e Jugut me Thesalinë dhe me krahinat e vilajetit të Janinës.
Politika ruse përpiqej njëkohësisht të krijonte në Shqipëri edhe një vatër të dytë kryengritjesh pranë Kretës, për ta ashpërsuar edhe më tej krizën. Diplomatët rusë u vunë në lidhje me disa feudalë shqiptarë të pakënaqur; ndër ta ishte edhe Xhelal pashë Mati, i cili rronte në Stamboll nën vëzhgimin e Portës. Pashai shqiptar i premtoi Rusisë se do të mobilizonte forca të rëndësishme shqiptare për një kryengritje me kusht që të kishte përkrahjen financiare dhe politike të Rusisë. Qeveria ruse e vuri pashën e Matit në lidhje me qeverinë serbe, e cila e siguroi se do ta përkrahte në përpjekjet për t'u bërë sundimtar i pavarur i vendit të tij. Lidhje të tilla qeveria serbe krijoi edhe me disa krerë bajraktarë të Veriut e të Dibrës.

Meqë ndërhyrja energjike e Anglisë nuk e lejoi të merrte pjesë haptazi në konfliktin midis Portës dhe kretasve, qeveria greke filloi të hidhte andartë në Thesali dhe në vilajetin e Janinës. Qeveria e Athinës edhe kësaj radhe u përpoq të gjente mbështetje në viset e banuara nga shqiptarët. Por propaganda e saj, ashtu si edhe më parë, doli me parullën për formimin e një Greqie të Madhe, që kësaj here shtrihej "nga gjiri i Burgasit në Detin e Zi e deri në Shkodrën e Shqipërisë në detin Adriatik", gjë që jo vetëm e bëri të pamundur çdo afrim me shqiptarët, por shkaktoi edhe kundërshtimin e vendosur të tyre.

Pas dështimit të bisedimeve serbo-greke të vitit 1861 dhe të nismave të tjera që u morën më 1862 e më 1863 për një luftë të përbashkët kundër Turqisë, qeveritë e Athinës e të Beogradit i rifilluan ato në janar të vitit 1867 dhe i përfunduan më 26 korrik të atij viti me një traktat të nënshkruar në qytetin austriak Vëslau dhe me një konventë ushtarake që u nënshkrua në Athinë më 28 shkurt 1868.
Gjatë këtyre bisedimeve të dy palët hynë në pazarllëqe për ndarjen e territoreve dhe i trajtuan si plaçkë tregu sidomos tokat shqiptare. Qysh në fillim ato u morën vesh që Greqia nuk do ta kundërshtonte aneksimin nga Serbia të Bosnjës, të Hercegovinës dhe të Shqipërisë Veriore gjer në Durrës, kurse Serbia do të pranonte bashkimin e Thesalisë, të Epirit (ku përfshihej Shqipëria Jugore dhe e Mesme deri në Durrës), të Maqedonisë, të Thrakës dhe të ishujve të Egjeut me Greqinë. Këto ishin kërkesat e tyre maksimale që do të shërbenin si bazë për ndarjen territoriale pas fitores së luftës kundër Turqisë, kurse në traktat u përfshinë zyrtarisht kërkesa më të moderuara. Gjatë të gjitha bisedimeve, si edhe në dokumentet përfundimtare, shqiptarëve u kushtohej një vëmendje e veçantë. Të dy palët merrnin përsipër të punonin me të gjitha mjetet për t'i pasur ata me vete në rastin e konfliktit me Turqinë, d.m.th. për t'i hedhur shqiptarët në një luftë, fitorja e së cilës do të çonte në copëtimin e atdheut të tyre.

Megjithatë, këto projekte për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Greqisë nuk u realizuan në atë kohë. Ato do të ringjalleshin për t'u vënë në jetë gjatë Krizës Lindore të viteve 70 dhe luftës ruso-turke të 1877-1878-ës, që përfundoi me disfatën e plotë të Perandorisë Osmane.

E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
BESIM
deri kur...
Themelues
*****

Karma: 10
offline offline

Postime: 1609



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #29 më: 11-04-2005, 19:20:23 »

5. ACARIMI I MARRËDHËNIEVE TË SHQIPTARËVE ME SUNDIMTARËT OSMANË DHE QËNDRESA NDAJ TYRE
(VITET 1850-1873)


Pasojat e Tanzimatit në Shqipëri


Qëndresa kundërosmane e popullsisë shqiptare, megjithëse nuk pati shtrirjen e kryengritjeve të dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, nuk reshti as në vitet 50-60 të shek. XIX. Reformat që sulltani shpalli me Dekretin perandorak (Hat-i Humajun) të 18 shkurtit 1856, që shënoi fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit, nuk e përmirësuan gjendjen e popullsisë shqiptare dhe si rrjedhim nuk zhdukën truallin për shpërthimin e kryengritjeve të reja. Dekreti i ri ishte vazhdim i reformave të Aktit të Gjylhanesë (viti 1839), të cilat nuk arritën të viheshin në jetë. Ai shpalli përsëri barazinë e të gjithë shtetasve osmanë, myslimanë e të krishterë, sigurimin për të gjithë, pa dallim feje, të paprekshmërisë së personit, të nderit e të pasurisë; vendosi të formonte gjyqe të hapura, të ndalonte konfiskimin e pasurisë së të paditurve; të krijonte gjykata të përziera, të fuste të krishterët në këshillat administrative, në shërbimin shtetëror e në shkolla ushtarake; shpalli barazinë e shtetasve në pagesat e taksave, krijimin e buxhetit shtetëror, të sistemit bankar etj.
Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në jetën politiko-shoqërore të Perandorisë Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale, nuk ishte në gjendje t'i vinte në jetë ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës. Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi të hartohej sipas shembullit të atij francez, si edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj, zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet 30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë dhe mbi vegjëlinë e qyteteve.
Rrjedhojat e reformave të reja u ndjenë edhe në Shqipëri. Prej mesit të viteve 50 dhe në vitet 60 u përforcua edhe më tej administrata e re dhe masat e saj shtypëse në trevat e ndryshme të vendit. Ndarja e re administrative e vitit 1864 në vilajete, si njësi më të vogla se ato të mëparshmet, e theksoi centralizimin e pushtetit osman. Në krye të nëndarjeve të vilajeteve, të sanxhakëve (prefekturave), të kazave (nënprefekturave) dhe të nahijeve (komunave) qëndronin tani nëpunës civilë të dërguar nga qendra, në shumicën e rasteve turq. Centralizimi burokratik i administratës nuk zbutej edhe pse, për të përmbushur premtimet e dekretit të ri perandorak të vitit 1856, Porta ishte e detyruar të krijonte pranë organeve lokale këshillat administrativë, të cilët mbetën krejtësisht formalë. Në një varg qytetesh qeveritarët osmanë nuk i pranonin fare të krishterët në mbledhjet e këshillave administrativë.
Porta e Lartë u përpoq të vinte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të administratës së re edhe krahinat malore të Veriut. Si hallkë të ndërmjetme, në fund të viteve 50, Porta krijoi pranë valiut të Shkodrës një komision të Xhibalit (Malësisë), në të cilin u emëruan si anëtarë me rrogë përfaqësues nga secili prej 26 bajrakëve të vilajetit të Shkodrës. Si anëtarë të komisionit Porta caktoi edhe 26 bylykbashë nga paria feudale turkomane e Shkodrës, të cilët do të shërbenin si komisarë qeveritarë për bajrakët. Me anë të këtij komisioni qeveria shpresonte të kufizonte autonominë e zonave malore. Edhe pse veprimtaria e komisionit të Xhibalit u përqendrua në qytetin e Shkodrës dhe çdo orvatje për ta zgjeruar atë hasi në qëndresë të armatosur, qeveritarët osmanë bënë presion të vazhdueshëm mbi Malësinë duke e ngushtuar pak nga pak autonominë e saj.
Synimi kryesor i administratës së re turke ishte të siguronte pagesën e taksave dhe mbledhjen e rekrutëve nga të gjitha krahinat. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja në këmbë e aparatit burokratik e ushtarak, për të vënë në vend të ardhurat fiskale të pakësuara me humbjet tokësore që kishte pësuar dhe, më në fund, për të paguar kamatat e huave ndërkombëtare, Stambollit nuk i mbetej tjetër rrugë veç asaj të shtrëngimit të darës së taksave. Kështu, shuma e taksave të nxjerra nga popullsia e Perandorisë, e cila më 1850 kishte qenë 2,5 milionë lira ari, më 1860 arriti në katër milionë dhe vijonte të rritej. Ministria e Financave, në caktimin e shumës së taksave që do të nxirreshin nga popullsia, nuk nisej nga gjendja e numri i kontribuesve, por nga nevojat e veta. Shtoheshin llojet e taksave, por rritej sidomos shuma e kërkuar. Veçanërisht e dëmshme ishte mënyra e nxjerrjes së taksave me anën e iltizamit. Me shitjen dhe rishitjen në ankand të së drejtës së mbledhjes së taksave myltezimëve më të vegjël, e dhjeta arrinte deri në një të pestën e prodhimit. Ajo vinte vazhdimisht duke u shtuar, për arsye se çdo vit për ofertat e blerjes merrej zakonisht si pikënisje maksimumi i arritur në vitet e kaluara.
Taksa e vergjisë, që paguhej për pasurinë e patundshme (shtëpi, kopshte, dyqane) dhe për disa kategori të caktuara të ardhurash, shtohej gjithashtu vazhdimisht. Më 1863, në sanxhakun e Ohrit, që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë Juglindore, vergjia u shtua në krahasim me vitin e mëparshëm nga 350 000 në 420 000 groshë, domethënë 20 për qind.
Taksa e veçantë që paguanin të krishterët meshkuj prej 12 deri 60 vjeç për zëvendësimin e shërbimit ushtarak (bedel-i askerie) në qytetin e Shkodrës u shtua nga 45 000 groshë që ishte në vitet 30, në 100 000 më 1856.
Për të rritur të ardhurat, Porta përqendroi në duart e veta në formë monopolesh shtetërore tregtinë e një vargu artikujsh të përdorimit të përditshëm, siç ishin kripa, plumbi, duhani, baruti dhe peshku, duke i ngarkuar ato me taksa të veçanta.
Përveç taksave shtetërore, popullsia e qyteteve paguante edhe një varg taksash komunale, si taksën e peshimit në treg, taksën policore etj. Më në fund rëndonte mbi gjithë meshkujt (prej 16 deri në 60 vjeç), taksa e rrugës, detyrimi për katër ditë pune angari në vit bashkë me kafshët e punës, detyrim që kryhej edhe në viset më të largëta.
Shtimi i tatimeve, ngarkimi i çdo veprimtarie ekonomike me taksa të reja etj., e ngritën në vitet 1850-1870 koston e jetesës në mënyrë shumë të ndjeshme. Në këtë ndikoi edhe zhvleftësimi i vazhdueshëm i monedhës turke, e cila ra deri në 40-50 për qind të vlerës së saj, meqenëse qeveria nxirrte bankënota (kamje) pa pasur mbulesën e duhur në ar.
Pjesa më e madhe e shumave që nxirreshin nga Shqipëria dhe nga provincat e tjera shkonin në Stamboll për të kënaqur lakmitë e tepruara për të holla të sulltan Abdyl Azizit (1861-1876) dhe të oborrtarëve të tij. Por edhe kërkesat për të holla të funksionarëve të lartë të Portës në provinca nuk ishin të pakta. Ata i kënaqnin lakmitë me abuzime të drejtpërdrejta ose duke marrë pjesë si ortakë në spekulime. Këto abuzime nxiteshin edhe nga praktika e Portës, e cila me qëllim i ndërronte shpesh funksionarët e saj në provinca, sepse caktimi në funksionet e larta bëhej me anë "peshqeshesh" në të holla për sulltanin. Qeveritarit të një province, zakonisht, nuk i mjaftonin as dy vjet për të nxjerrë shpenzimet e këtij "peshqeshi" dhe për të rregulluar financat e veta; nga ana tjetër, ai ishte i detyruar të nxirrte shuma sa më të mëdha taksash nga provinca e tij për të ruajtur favorin e sulltanit. Prandaj ardhja e çdo funksionari të ri shënonte një katastrofë për provincën. Nga ndërrimet e funksionarëve të lartë e pësoi në mënyrë të veçantë vilajeti i Shkodrës, ku brenda 40 vjetëve (1831-1871) u emëruan 52 valinj.
Vilajeti i Janinës, që përfshinte, ndër të tjera, gjithë Shqipërinë e Jugut (me përjashtim të rrethit të Korçës e të Pogradecit), në vitet 60 paguante rreth 22 milionë groshë, nga të cilët shkonin në Stamboll më shumë se gjysma. Në fillim të viteve 70, shuma që paguante kjo krahinë kishte arritur në afër 30 milionë, nga të cilët dy të tretat shkonin në Stamboll.
Dërgimin në Stamboll të shumave të mëdha, që nxirreshin nga provincat, autoritetet osmane e motivonin me nevojën për të mëkëmbur një aparat shtetëror modern, për ndërtim rrugësh, për sigurimin e "rendit dhe të qetësisë" etj. Në të vërtetë vendi ishte mbushur me banda kusarësh, krerët e të cilëve binin shpeshherë në marrëveshje me vetë qeveritarët osmanë dhe feudalët vendas. Plaçkitjet e vrasjet ishin diçka e zakonshme jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete e sidomos e pësonte popullsia e krishtere. Vetëm një pjesë e borgjezisë së pasur kishte mundësi t'u shpëtonte këtyre përdhunimeve, duke siguruar me pagesë "mbrojtjen" nga ana e konsullatës së ndonjë shteti evropian ose nga vetë kusarët. Edhe ajo pjesë e taksave që mbetej në vend nuk përdorej për qëllime prodhuese por, para së gjithash, për mbajtjen e aparatit parazitar burokratik.
Shfrytëzimi i egër feudal, shtypja dhe abuzimet e administratës së re, e keqësuan në kulm gjendjen ekonomike të popullsisë. Udhëtarë të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë viteve 1860-1875, kanë vënë në dukje se mjerimi i fshatarësisë në disa krahina ishte aq i madh, saqë, siç thoshte konsulli rus Trojanovski, "prindërit i çojnë fëmijët e tyre në pazar për t'i shitur. Edhe familje që kanë qenë dikur mirë, kanë rënë në gjendje lypësish". "S'është aspak për t'u çuditur, - shkruante Jonin, një tjetër diplomat rus, - përse fshatari i mjerë, duke jetuar në një gjendje të tillë, humbi çdo shije dhe dëshirë për punë...". Në këto kushte u rrit zemërimi e urrejtja kundër sundimtarëve osmanë dhe feudalëve turq, që thirreshin me emrin përbuzës "halldupë" (të trashë, të pangopur) ose "konjarë" (nga qyteti Konja i Anadollit, me kuptimin "njerëz të këqinj").
Fshatarë të veçuar rrëmbenin armët, dilnin maleve dhe përpiqeshin të hakmerreshin kundër shtypjes së rëndë nga ana e organeve shtetërore. Lëvizja e "kaçakëve", si shprehje e protestës shoqërore e kombëtare që njihej qysh shumë kohë përpara, mori përpjesëtime më të mëdha. Një shprehje të kësaj ndjenje të përgjithshme e jepte në vitin 1865 dervishi bektashi Ali me anë të një vjershe, e cila është një dëshmi e gjallë e patriotizmit popullor të kësaj kohe:
... Ky halldupi, ky konjari, bukën tonë po na ha, / Xhveshur, zbathur na ka lënë, lakuriq pa një para. / Gjithë halldupët pashallarë, të mëdhenj e si të zotë. / Shqipëtari s'ka të mbajë asnjë feste më kokë. / Gjynah, pra, nga perëndija të punojë shqipëtari / Dhe të hajë e të pijë e të bëjë rehat konjari ...




Revolta e popullsisë së Shkodrës më 1854

Gjendja e keqe ekonomike dhe abuzimet e papërmbajtura të administratës së re osmane në Shkodër i dhanë shkas shpërthimit në këtë qytet të një revolte të fuqishme të popullsisë.
Gjatë viteve 1851-1852, valiu i ri Masar Pasha ua dyfishoi të krishterëve të qytetit taksën "nizamie", të përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, një pjesë të mirë të së cilës e merrte për vete. Protestat që popullsia bëri në Stamboll kundër këtij veprimi arbitrar nuk dhanë rezultat. Shpallja në Shkodër, në pranverën e vitit 1854, e një fermani të sulltanit për barazinë e të drejtave të nënshtetasve të krishterë me ata myslimanë, nuk e qetësoi gjendjen, sepse Masar Pasha dhe administrata e tij vijonin të grabisnin popullsinë. Përveç kësaj, një burim tjetër pasurimi për qeveritarët turq u bë spekulimi me tregtinë e drithit sidomos më 1854, kur zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856) dhe vijonin konfliktet me Malin e Zi. Duke bashkëpunuar ngushtë me ta, sipërmarrësit e tregtarët e grumbullonin drithin dhe e shisnin me leverdi jashtë vendit. Pasoja e menjëhershme e këtij veprimi ishte ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë e sidomos e çmimit të drithit, që edhe në kohën e lëmit u dyfishua në vend që të ulej. Përveç mungesës së drithit gjendjen në Shkodër e keqësoi edhe më shumë detyrimi i popullsisë për të mbajtur me ushqime 20 mijë ushtarë osmanë që ndodheshin në kufirin turko-malazez. Shkodrës po i kanosej zija e bukës. Pakënaqësia e shtresave të varfra shpërtheu haptazi, kur në qytet ndodhën vdekjet e para nga uria. Më 7 gusht 1854 vegjëlia qytetare e udhëhequr nga Hasan Alia, klerik i ri që do të njihet më vonë me emrin Sheh Shamia, organizoi një mbledhje të gjerë, ku kërkoi ndalimin e eksportit të drithit, uljen e çmimeve dhe dënimin e spekulatorëve. Por valiu nuk mori asnjë masë. Të nesërmen, më 8 gusht, një turmë e madhe prej disa mijëra zejtarësh e punëtorësh të varfër vërshoi në treg, i cili u mbyll, ndërsa qeveritarët u detyruan të tërhiqeshin në kala. Demonstruesit hapën hambarët dhe ua shpërndanë drithin banorëve të varfër. Sheh Shamia dha shembullin duke hapur i pari hambaret e babait të vet. Një ditë më vonë, vegjëlia e armatosur organizoi një demonstratë të madhe dhe kërkoi largimin e valiut nga qyteti. Atëherë ndërhyri konsulli i Francës, i cili bëri çmos që të shpërndante të revoltuarit, duke vënë në dukje rrezikun që mund t'i vinte Shkodrës nga revolta për shkak të gjendjes së luftës dhe qëndrimit kërcënues të Malit të Zi.
Pas mbarimit të veprimeve ushtarake në kufirin me Malin e Zi, Porta e zëvendësoi Masar Pashën, dërgoi në Shkodër valiun e ri, gjeneralin Mustafa Pasha, me 10 000 ushtarë nizamë, që ndërmori arrestime në masë. Sheh Shamia mundi të largohej fshehurazi nga Shqipëria, kurse drejtuesit e tjerë të revoltës u internuan.Valiu ndaloi eksportimin e drithit nga qyteti i Shkodrës. Megjithatë, edhe pse kishte forca të shumta ushtarake, valiu nuk guxoi të zbatonte reformat e Tanzimatit në Shkodër.



Kryengritja e Dibrës dhe revolta e Shkodrës kundër Tanzimatit (1860-1861)


 Në vitet 60 të shek. XIX marrëdhëniet ndërmjet sundimtarëve osmanë dhe popullsisë së Shqipërisë së Veriut u acaruan përsëri në një shkallë të tillë, sa shkaktuan shpërthimin e një vargu konfliktesh të reja të armatosura.
Pakënaqësia e popullsisë ndaj administratës së re dhe qëndresa kundër saj, që nuk ishin shuar dhe vijonin të shfaqeshin në forma të ndryshme, e kishte detyruar pushtetin osman që të vepronte në mënyrë të matur. Kur nga fundi i viteve 50 Porta e Lartë ndërmori veprime të reja për të shtrirë kudo, në Shqipërinë e Veriut, administratën e re dhe për të zbatuar me forcë reformat, ajo ndeshi përsëri në kundërshtimin e vendosur jo vetëm të malësorëve, por edhe të banorëve të qytetit të Dibrës, të Shkodrës e të qyteteve të Kosovës.
Në pranverën e vitit 1860 Porta filloi veprimet ushtarake në malësitë e Dibrës. Ajo gjeti atje kushte të favorshme për arritjen e qëllimeve të saj, sepse përfitoi nga konflikti që kishte shpërthyer ndërmjet dibranëve, i nxitur nga një pjesë e klerikëve fanatikë e konservatorë myslimanë të ritit synit. Këta i luftonin si heretikë të rrezikshëm bektashinjtë e Dibrës dhe udhëheqësin e tyre Sheh Fejzën nga Bulqiza, të cilët, ashtu si gjithë sekti i bektashinjve, ishin në konflikt me dogmat synite dhe me shtetin osman që i përkrahte ato. Në të vërtetë konflikti, që në pamjen e jashtme kishte karakter fetar, në thelb kishte të bënte me qëndrimin ndaj politikës së Portës së Lartë në Shqipëri. Kleri i lartë synit i Dibrës ishte vendosur përkrah qeverisë dhe reformave. Me qeverinë osmane ishin bashkuar edhe disa çifligarë e tregtarë të qytetit të Dibrës së Madhe, si dhe disa bajraktarë, ndërsa bektashinjtë mbanin anën e fshatarëve kryengritës. Në krye të tyre u vu Sheh Fejza, që punonte për të ngjallur në popull ndjenjën kombëtare, duke nxitur shkrimin e gjuhës shqipe dhe përpjekjet për një alfabet të veçantë të saj.
Në këto rrethana, ekspedita osmane, e komanduar nga Abdi Pasha, mundi të hynte pa pengesë në qytetin e Dibrës së Madhe. Vetëm krahina e Grykës së Madhe rroku armët. Në një ndeshje që u bë në fshatin Xixull, malësorët e kësaj zone, të udhëhequr nga Sheh Fejza, zhvilluan luftime të ashpra, por kryengritësit u thyen, ndërsa Sheh Fejza i plagosur ra rob. Shtypja e kryengritjes u shoqërua me nje terror të egër, u dogjën fshatrat që bënë qëndresë, si Xixulli e Bulqiza.
Qeveria osmane e shtriu me forcë zbatimin e reformave edhe në trevat deri atëherë të panënshtruara. Në qytetin e Dibrës së Madhe u vendosën funksionarë turq të ardhur nga Stambolli. Pas kësaj filloi rritja e taksave. Në vitin 1863 Porta merrte prej Dibrës 3 000 qese (1 qese = 500 groshë) në vend të një shume të përgjithshme vjetore prej 100 qesesh që kishte marrë që nga viti 1831.
Një problem shqetësues për Stambollin vijonte të ishte Shkodra me malësitë e saj të krishtere. Në fillim të viteve 60 reformat pothuajse nuk ishin zbatuar as në krahinën e Shkodrës, as edhe në qytet. Në vjeshtën e vitit 1860, administrata osmane, nën pretekstin e vendosjes së rendit publik, u orvat të bënte çarmatimin e popullsisë së qytetit e të zonës fushore dhe t'i hapte rrugë zbatimit të masave të tjera. Këto përpjekje ndeshën në kundërshtimin e vendosur të banorëve të Shkodrës, të cilët edhe pa këto veprime të reja ishin të pakënaqur nga politika fiskale e qeverisë dhe nga shpërdorimet financiare. Abuzime të mëdha bëri administrata lokale gjatë zbatimit të sistemit të ri tatimor. U morën nga tregtarët e zejtarët e Shkodrës pa pagesë mallra në vlerën prej 30 000 qesesh, ndërsa drejtori i financës së vilajetit të Shkodrës, Talat Beu, kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme 526 948 groshë. Popullsia e Shkodrës duhej të përgjigjej me mjete financiare për mbajtjen e ushtarëve në kufirin me Malin e Zi, sepse autoritetet lokale nuk ishin në gjendje të mbronin popullsinë civile nga cubat malazezë. Gjendja u rëndua edhe për shkak të prodhimeve bujqësore të këqija të vitit 1860. Në këto rrethana do të duhej vetëm një shkëndijë që pakënaqësia të kthehej në revoltë të hapur.
Në vjeshtën e vitit 1861 Porta filloi përsëri orvatjet për të zbatuar këtu reformat që kishin mbetur pezull. Gjithnjë me pretekstin se kërkonte vendosjen e rendit publik, Porta nisi të çarmatoste popullsinë e qytetit dhe të fushave, për t'i hapur rrugën zbatimit të masave të tjera, por ndeshi në kundërshtimin e shkodranëve, të cilët në çarmatosjen shihnin heqjen e çdo mundësie për t'u mbrojtur si nga grabitjet dhe zullumet e administratës, ashtu edhe nga sulmet e herëpashershme të Malit të Zi. Qytetarët e Shkodrës, duke qenë të armatosur, ngritën krye, mbyllën tregun, i detyruan forcat osmane të tërhiqeshin nga qyteti e të mbylleshin në kështjellë, prenë lidhjen telegrafike me Stambollin dhe e shpallën valiun, Abdi Pashën, të rrëzuar nga pushteti. Me qytetarët u bashkuan edhe malësorët. Ndonëse Abdi Pasha kishte pranë 12 batalione nizamësh, një regjiment kalorësie dhe disa mijëra ushtarë toskë, të rekrutuar për të mbrojtur kufirin me Malin e Zi, nuk guxoi të ndeshet me të revoltuarit, por kërkoi përforcime të reja, pesë batalione të tjera. Me ndërhyrjen e zëvendëskadiut turma, pasi iu premtua se Abdi Pasha do të jepte dorëheqjen, u shpërnda. Ndërkaq, qeveritari osman nuk pranoi të largohej. Ky qëndrim e acaroi edhe më shumë gjendjen në Shkodër.
Myslimanët e të krishterët e qytetit, të bashkuar, i dërguan sulltanit një memorandum ku shprehnin zemërimin e tyre kundër administratës së vendit, e cila, në emër "të rregullit e të rendit publik", e rëndonte popullin me ngarkesa të reja fiskale. Vendi, deklaronin shkodranët, s'kishte as rrugë, as gjyqe të paanshme, as siguri nga kusarët që ishin turrur mbi të. Administrata nuk ishte në gjendje të mbronte vendin, jetën dhe pasurinë e banorëve nga sulmet e çetave malazeze, që sa vinin e bëheshin më të shpeshta.
Në kushtet kur edhe marrëdhëniet me Malin e Zi ishin të acaruara, Porta e Lartë u përpoq ta mbyllte sa më parë këtë konflikt. Për këtë dërgoi si komisar me kompetenca të plota Xhevdet Pashën, me prejardhje nga Korça, historian i njohur, autor i "Historisë së Perandorisë Osmane" në 12 vëllime (1764-1825). Me të mbërritur në Shkodër, Xhevdet Pasha lexoi urdhrin e kryeministrit për largimin e Abdi Pashës dhe për emërimin e Reshit pashë Misirit në vend të tij. Në saje të qëndrimit të matur Xhevdet Pasha mundi të vendoste përkohësisht qetësinë në qytetin e Shkodrës.
Krahas kësaj, duke njohur nga afër gjendjen dhe potencialin e madh ushtarak të popullsisë së Shkodrës në rast të një konflikti osmano-malazez, ai i rekomandoi Portës së Lartë që ta trajtonte Shkodrën më me kujdes e me vëmendje, por ajo nuk i mori parasysh këshillat e tij.
Por edhe pse këto kryengritje u shtypën përsëri, popullsia nuk u pajtua asnjëherë me politikën e egër të qeverisë osmane. Kjo e detyroi të dërgonte herë pas here ekspedita ushtarake kundër malësive të Shkodrës, të Prizrenit, të Gjakovës dhe të Dibrës, të cilat mbetën edhe më tej vatra të ndezura të qëndresës popullore.



Lëvizja e vitit 1862 në Mirditë

 Qëndresa e vendosur që vijonte t'i bënte popullsia e Shkodrës dhe e malësive të saj politikës shtypëse të administratës së re osmane, frymëzoi një grup intelektualësh të rinj shkodranë, të cilët u vunë në lëvizje për t'i dhënë luftës çlirimtare kundërosmane një karakter më të organizuar. Ky grup përbëhej nga Zef Jubani, Pashko Vasa dhe nga disa klerikë katolikë atdhetarë, si abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj. Në nismën e këtij grupi ndikuan lëvizjet për çlirimin kombëtar që po zhvilloheshin në vendet fqinje e në Itali, si dhe kontaktet e revolucionarëve italianë me rrethet patriotike shqiptare. Ata ishin frymëzuar nga shembulli i bashkimit të territoreve italiane rreth krahinës së Piemontit, që çoi në formimin e shtetin të njësuar italian.
Sipas planit të hartuar nga grupi i intelektualëve shkodranë, kryengritja kombëtare shqiptare, që do të ishte njëherazi pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme kundërosmane në Ballkan, duhej të shpërthente në Mirditë në pranverën e vitit 1862 dhe prej këtej do të shtrihej edhe në malësitë e tjera. Për realizimin e këtij plani ata mbështeteshin në gatishmërinë për luftë që kishin prej kohësh popullsitë e armatosura të Malësisë, në rrethanat e krijuara nga gjendja e luftës me Malin e Zi, që i lidhte duart Perandorisë Osmane, si edhe në ndihmën që shpresonin të kishin nga Franca. Në të vërtetë, Napoleoni III prej disa kohësh kishte filluar t'i ndiqte me interes ngjarjet në Ballkan, me qëllim që ta rivendoste përsëri ndikimin e Perandorisë Franceze në Lindje. Në konfliktin malazezo-turk Franca përkrahu principatën e vogël, por nuk i kurseu as premtimet e ndihmat për Shqipërinë e veçanërisht për Mirditën, e cila, për numrin e bajrakëve, për potencialin luftarak më të madh dhe për ndikimin që kishte ndërmjet malësive të tjera, kishte tërhequr vëmendjen e perandorit francez.
Sipas mendimit të grupit shkodran, kapedani i Mirditës Bibë Doda duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë shqiptare autonome ose të pavarur, rreth së cilës më vonë mund të bashkoheshin edhe krahinat e tjera të vendit.
Pasi arriti t'i ndalonte malësorët të mos rekrutoheshin në repartet ndihmëse që kërkonte të ngrinte Porta, grupi i atdhetarëve shkodranë filloi të përgatiste truallin për kryengritjen. Por kapedani Bibë Doda, i cili si pasha merrte një rrogë të majme, u tremb nga zhvillimi i ngjarjeve dhe u tërhoq nga ndërmarrja. Kur ai, në pranverën e vitit 1862, duke plotësuar urdhrat e qeverisë, u mundua të rekrutonte disa reparte vullnetarësh, në Mirditë shpërtheu një konflikt i ashpër. Në këtë konflikt shumica e popullsisë u rreshtua kundër kapedanit, të cilin e akuzonte se donte të përfitonte në kurriz të saj, se edhe në fushatat e mëparshme kishte përvetësuar rrogat e vullnetarëve, se po i shpinte ata në një vdekje të sigurt etj. Në këto kushte ky u detyrua të largohej nga Mirdita dhe të kërkonte strehë e mbrojtje te valiu turk në Shkodër. Ndërkohë mirditasit sulmuan shtëpitë e pronat e kapedanit në Kallmet dhe u vunë zjarrin.
Njëkohësisht reparte të tjera ndërprenë rrugën Shkodër-Prizren. Gjendja u bë kërcënuese për Portën. Masa që mori ajo me arrestimin e abatit Gaspër Krasniqi, i cili ishte bërë udhëheqësi i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe më shumë gjendjen. Patriotët shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si "vrasës të popullit të tij" e qeverinë e sulltanit si "shtypëse të pamëshirshme të kombit shqiptar" dhe të vinin në dukje se Fuqitë e Mëdha, si Anglia e Austria, të cilat me politikën e tyre përkrahnin "një kufomë që quhet Turqi", ndihmonin për të mbajtur edhe më tej popullsitë e Ballkanit nën zgjedhën e Perandorisë Osmane.
Me gjithë fillimet e mbara, kryengritja në Mirditë nuk mori hov. Fitoret e rëndësishme që korri ushtria turke kundër malazezëve në qershor 1862, armëpushimi i arritur në gusht të atij viti dhe dështimi i projekteve për kryengritjen e përgjithshme në Ballkan i hoqën lëvizjes mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm. Për më tepër, kundër saj ndërhyri tani edhe diplomacia austriake, e cila e shihte me shqetësim gjithnjë më të madh zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërinë e Veriut. Hovi i kryengritjes ra. Pas disa kohësh Bibë Doda u kthye përsëri në Mirditë si kapedan-pashë.
Me përpjekjet e përfaqësuesve të kulturuar të borgjezisë për t'u lidhur me lëvizjen popullore kundërosmane dhe për ta organizuar e për ta drejtuar atë bëhej një hap i ri në lëvizjen kombëtare. Por lëvizja u projektua në një zonë të ngushtë, të banuar vetëm nga popullsi katolike, pa lidhje me krahinat e tjera dhe për më tepër u zhvillua vetëm në Mirditë, në një nga krahinat më të prapambetura të vendit.

Qëndresa kundërosmane e viteve 1867-1873
Orvatjet që bënte herë pas here Porta e Lartë për të zbatuar Tanzimatin në zonat e panënshtruara të vendit, ku ruheshin venomet tradicionale ose për të vendosur taksa të reja, që rëndonin në mënyrë të veçantë popullsinë, shoqëroheshin me konflikte të njëpasnjëshme. Në vitet 1867-1868 Porta ndërmori ekspedita të reja kundër krahinave të Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës. Por zaptiet (xhandarët) turq që vajtën për të nxjerrë taksa e rekrutë u pritën me pushkë dhe u dëbuan nga popullsia e udhëhequr nga krerët Binak Alia e Shaqir Curri. Një farë suksesi patën autoritetet turke në Mirditë pas vdekjes së Bibë Dodë pashës më 1868; ato larguan për në Stamboll trashëgimtarin e tij të mitur Prengën dhe vendosën një kajmekam nga gjiri i familjes së kapedanit të vdekur, si dhe dy batalione ushtarësh. Megjithatë, Porta nuk mundi ta thyente qëndresën e mirditasve, të cilët, duke kërkuar që kjo trashëgimi të respektohej sipas zakonit, e mbrojtën për një kohë të gjatë autonominë e tyre. Më 1873 atje shpërtheu kryengritja e disa muaj më vonë ajo u shtri edhe në Dukagjin. Ekspedita osmane shtypi egërsisht popullsinë, por duke mos mundur ta nënshtronte atë u detyrua të tërhiqej.
Në vitin 1869, shtypja e ushtruar nga organet e Portës shkaktoi revolta në qytetet Pejë, Gjakovë e Prizren. Lëvizja mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në Shkodër. Pakënaqësia e shkodranëve shpërtheu atëherë kur valiu vendosi tri taksa të reja, veçanërisht "karagjymrykun". Tani fshatarët detyroheshin të paguanin 8 për qind të vleftës për çdo mall që çonin në qytet. Kjo taksë sillte shtrenjtimin e ndjeshëm të jetesës dhe dëmtonte veçanërisht shtresat e vegjëlisë. Me këtë rast borgjezia shkodrane paraqiti ankesat e vjetra kundër korrupsionit të valiut dhe të gjyqeve, si dhe kundër abuzimeve që bëheshin me monopolet shtetërore të kripës e të duhanit. Shkodranët dhanë kushtrimin dhe kërkuan ndihmën e malësorëve. Por autoritetet turke, duke nxitur fanatizmin fetar, ia dolën ta përçanin popullsinë qytetare dhe të largonin një pjesë të saj nga lufta. Megjithatë, malësorët i sulmuan forcat kryesore ushtarake që ishin përqendruar pranë qytetit në fushën e Shtojit, por pas një përleshjeje të ashpër me një armik më të madh në numër e të armatosur mirë, malësorët e pushuan zjarrin, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë e të plagosur.
Po në vitin 1869 ndodhën turbullira në krahinën e Matit dhe në qytetin e Tiranës. Për shpërthimin e trazirave në Tiranë u bë shkak urdhri i qeverisë për të ndërtuar rrugën për në Durrës vetëm me shpenzimet e me punën e qytetarëve dhe të fshatarëve që ndodheshin buzë rrugës. Meqenëse paria feudale e qytetit e gjeti mënyrën për të shpëtuar nga çdo detyrim, e gjithë barra i mbeti vegjëlisë, e cila protestoi duke rrëmbyer armët, ndërsa zejtarët mbyllën dyqanet. Qëndresa nuk u ndërpre edhe pasi në përleshje me repartet ushtarake u vranë mjaft qytetarë dhe u internua një numër i madh udhëheqësish.
Më 1872 ushtria osmane që u dërgua në Dibër u thye me humbje mjaft të rënda. Të njëjtin fat patën orvatjet për të nënshtruar zonat malore të Kosovës në vitet 1872-1874. Në një letër të shkruar nga Prizreni në tetor 1873 thuhej se përballë ushtrisë së madhe turke, që po futej në Kosovë, shqiptarët nuk rrinin duarkryq. Ata, thuhej në letër, "dëshirojnë ta ndezin zjarrin dhe janë të vendosur të luftojnë e të qëndrojnë përballë ushtrisë turke pa marrë parasysh nëse do t'i ndihmojë ndokush ose jo. Ata kurrsesi nuk e pranojnë pushtetin turk dhe dëshirojnë të çlirohen nga ai". Edhe në malësitë e Kosovës, ashtu si në malësitë e tjera të Shqipërisë së Veriut, autoritetet turke ushtronin një pushtet formal, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm në qytetet dhe në afërsitë e tyre.
Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane, këto konflikte ishin rrëke që çonin ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

E identifikuar

LEXO..DURO..TOLERO. .FAL
Faqe: 1 [2]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • Cili ështëvlersimi juaj?
  • Dot Shumë
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Jo Shumë
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Duhet të punoj edhe më shumë
  • 2 (100%)
  • -
  • Numri total i votave: 2
  • Shiko temen

* Sponsor