Faqe: 1 [2] 3 4   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: HISTORIA MESJETARE SHQIPTARE  (E lexuar 5584 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #15 më: 18-02-2005, 08:28:33 »

Prona feudale dhe evoluimi i saj në Shqipëri (shek. XI-XIV)
Shekulli X ofron dëshmitë e para historike për format fillestare të pronës feudale në Shqipëri. Ato kanë të bëjnë kryesisht me pronat kishtare, dokumentacioni i të cilave mundi të ruhej më mirë nëpër arkivat e biblotekat e manastireve dhe institucioneve të tjera kishtare. Konkretisht, për vitet 1018 e 1020 ruhen dy akte dhurimi të perandorit bizantin Bazili II për disa nga peshkopatat shqiptare. Në aktet (diplomat) në fjalë bëhet fjalë për numra të ndryshëm klerikësh e parikësh, që përfaqësojnë kategori të ngjashme bujqish, të cilët bashkë me tokën e tyre lidheshin pas peshkopatave në fjalë me detyrimin që t'u dorëzonin atyre tatime të caktuara, të cilat më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin. Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i akordoheshin 30 klerikë e po aq parikë, njëlloj sa edhe peshkopit të Kosturit. Kurse peshkopi i Glavinicës do të kishte në viset nën juridiksion të tij, në Mallakastër e Kaninë, 40 klerikë e 40 parikë, po aq sa dhe peshkopi i Beratit. Peshkopë të eparhive më pak të rëndësishme, si të Cernikut (Cërrikut), e Dropullit (Adrianopolit) do të kishin nga 15 për secilën nga të dy kategoritë, kurse ai i Himarës 12 për çdo kategori. Në aktet e Bazilit II përcaktohet se peshkopatave në fjalë u jepej e drejta e nxjerrjes për vete (ekskusia) të të ardhurave që më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin.
Lidhja e një numri të caktuar fshatarësh, bashkë me ngastrat e tyre, pas personave fetarë ose laikë me qëllim shlyrjen në favor të këtyre të fundit të atyre detyrimeve, që fshatarët në fjalë deri atëherë ia kishin dorëzuar shtetit, përbën një shenjë paralajmëruese për marrëdhëniet e reja që po përvijoheshin në fshatin shqiptar. Megjithatë, një lidhje e tillë qe ende e brishtë, qoftë për faktin se numri i ekonomive fshatare që i atashoheshin një personi a një institucioni fetar të caktuar qe i ulët, qoftë për faktin se pjesa e rentës që këta të fundit merrnin nga këto ekonomi fshatare qe ende e vogël në krahasim me sasinë e rentës që shkonte në favor të shtetit. Nga ana tjetër, ky sistem linte krejtësisht në duart e shtetit atributet e pushtetit gjyqësor, duke i dhënë atij një pozitë mbisunduese si ndaj bujqve "të dhuruar", ashtu dhe ndaj beneficiarit që tash e tutje përfitonte një pjesë të rentës së tyre.
Gjithsesi, aktet e dhurimit të perandorit bizantin Bazili II të viteve 1018-1020 zbulojnë një fazë embrionale të sistemit të pronies (pronoia), i cili nga shek. XI u bë forma tipike e pronës feudale në Bizant. Institucioni i pronies pati një përhapje të gjerë edhe në trevat shqiptare, aq sa fjala "pronie" u trashëgua në fjalorin e shqipes, duke marrë në dallim nga kuptimi që kishte fillimisht, kuptimin e çdo forme zotërimi të pakushtëzuar (pronë).
Në fakt, pronia ishte një sasi e caktuar toke e përfaqësuar nga një numër ekonomish fshatare, që perandori bizantin me anë të një diplome të posaçme (krysobull) ua shpërndante personave laikë apo institucioneve fetare për t'i pasur në zotërim të kushtëzuar.
Pronia nuk ishte kurrsesi një zotërim me të drejta të plota. Duke marrë pronien, titullari i saj, proniari, fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare, që përbënin pronien e tij, një numër të caktuar detyrimesh që deri atëherë shkonin në dobi të arkës perandorake. Në këmbim ai ishte i detyruar t'i përgjigjej thirrjes së perandorit për shërbim ushtarak, duke u paraqitur me një numër kalorësish e këmbësorësh të armatosur me shpenzimet e veta. Kështu në fund të shek. XIV një proniar nga familja Dukagjini i përgjigjej thirrjes së kryezotit për luftë duke u paraqitur me 40 kalorës e 100 këmbësorë. Në pikpamje juridike, pronia ishte, pra, e ngjashme me stratiotika ktemata, d.m.th. me ngastrat e ushtarëve-bujq të periudhës paraardhëse. Si njëra dhe tjetra jepeshin për shfrytëzim me kusht dhe kushti kryesor ishte kryerja e shërbimit ushtarak. Por në pikëpamje shoqërore ndryshimi mes njërës dhe tjetrës qe i madh. Zotëruesit e ngastrave ushtarake i përkisnin klasës së fshatarësisë së lirë, që merreshin vetë me punimin dhe shfrytëzimin e tyre. Në të kundërtën, zotëruesit e pronies i përkisnin klasës së pronarëve të mëdhenj, që përdornin punën e të tjerëve, të bujqve parikë (paroikoi).
Pronia lidhej ngushtë me personin të cilit i jepej. Ajo nuk shitej, nuk ndahej, nuk dhurohej. Pas vdekjes së titullarit, proniarit, ajo i kthehej përsëri pushtetit qendror dhe me një krysobull të re perandori ia kalonte atë një proniari të ri, që sigurisht merrte përsipër detyrimin ushtarak. Pronia mund të trashëgohej nga i ati tek i biri në rast se ky merrte përsipër të kryente detyrimet ushtarake si i ati. Por dhe në këtë rast nevojitej miratimi i pushtetit qendror, përkatësisht i perandorit.
Instituti i pronies e përshpejtoi edhe në Shqipëri procesin e feudalizimit, sidomos nëpërmjet krijimit të një shtrese të re të pasurish, të fisnikërisë ushtarake. Në shek. XII vendi gëlonte nga fisnikë të tillë që mbanin tituj bizantinë, si sebastos, kaballarios etj. Për shumë nga këta, pajisja me pronia e me tituj nga pushteti qendror bizantin shënoi edhe fillimin e një procesi integrimi në shtetin dhe administratën bizantine.
Me kalimin e kohës pronia pësoi ndryshime thelbësore. Në shek. XIII-XIV proniarët fituan një numër të madh privilegjesh e atributesh, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë pushtetin qendror. Sasia e rentës që shkonte në dobi të proniarit u rrit së tepërmi në raport me atë që i shkonte arkës qendrore. Proniarët filluan të merrnin për vete edhe taksën e tokës, që ishte atribut i pandashëm i pushteti qendror. Proniarët ngritën një aparat të tyrin administrativ, që zëvendësoi atë shtetëror, me nëpunës, roje, ushtarë, ndonjëherë edhe me gjykatës të vetët.
Në fakt, pas shek. XIII, ndodhte shpesh që proniarët të përvetësonin edhe të drejtën e gjykimit fillimisht për çështjet e vogla, më vonë edhe për krimet e rënda, duke i hequr pushtetit qendror një nga prerogativat kryesorë të ushtrimit të sovranitetit.
Në shek. XIV, pronia i ishte afruar së tepërmi statusit të një zotërimi feudal të pavaruar. Ajo tanimë mund të trashëgohej, të ndahej, madje dhe të shitej. Gjithnjë e më rrallë proniari përmbushte detyrimin kryesor ndaj shtetit, atë ushtarak, madje kjo shpjegon përse në ndonjë rast del se zotërues dhe administratorë të proniave të ishin edhe gra.
Megjithatë, në fund të shek. XIV dhe gjatë gjithë shek. XV, në përputhje me intensifikimin e veprimtarive ushtarake si pasojë e sulmeve të turqve osmanë, vihet re një rigjallërim i institucionit të tokave ushtarake (stratiotika ktemata), qoftë në formën e mirëfilltë feudale (pronia), por sidomos në formën e vjetër të parcelave të vogla ushtarake të periudhës së perandorëve "maqedonë" (shek. IX-XI). Shumë nga shqiptarët e emigruar në Greqi, në shek. XIV-XV, u vendosën bashkë me familjet e tyre në zotërimet e feudalëve bizantinë, të cilët u dhanë atyre në përdorim toka, vreshta e kullota kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak në mbrojtje të zotërimeve në fjalë. Burimet e kohës i quajnë ata rëndom stratiotë (ushtarë). Institucioni i pronies njohu një përhapje të madhe në zonën e Shkodrës, ku në shek. XIV dëshmohet një numër i madh proniarësh, të cilët me miratim të Venedikut administronin fonde të caktuara tokash nën juridiksionin e Shkodrës kundrejt detyrimit për t'i shërbyer me luftëtarë qeveritarit venecian të atij qyteti. Nga ana tjetër, në zotërimet e saj të Peloponezit, të Eubesë e të Dalmacisë, Republika e Venedikut tërhoqi masa të tëra emigrantësh shqiptarë, të cilëve u premtonte ngastra toke, vreshta, kullota etj., kundrejt angazhimit të tyre në mbrojtje të kështjellave e zotërimeve veneciane nga sulmet e turqve osmanë. Për më se një shekull, këta pronarë-luftëtarë shqiptarë (stratiotë), qenë shtylla kurrizore e ushtrive të Venedikut sa në zotërimet e tij të Shqipërisë, ashtu dhe në ato të Greqisë e të Dalmacisë. Reparte stratiotësh shqiptarë u përdorën nga Venediku edhe në Itali, në luftërat me shtetet rivale të tij. Fama e stratiotëve shqiptarë, si Mërkur Bua, Manol Blesi etj., i kapërceu edhe kufijtë e Italisë e u përhap në Gjermani, Francë, Poloni, ku këta stratiotë ofruan shërbimet e tyre.
Ndonëse pronia u bë dukuri mbizotëruese në shek. XI-XIV, krahas saj vazhduan të ekzistojnë forma të tjera të pronës. Kjo vlen në radhë të parë për bashtinën apo pronën më të drejta të plota e të pakushtëzuara, që posedohej mbi bazën e titujve të pronës (titulus possessionis). Kishte bashtina që i përkisnin përfaqësuesve të aristokracisë dhe që si të tilla kishin shtrirje të madhe dhe punoheshin nga bujqit. Këto njiheshin në Bizant me emrin "paraspor". Por kishte edhe bashtina të vogla, prona të bujqve, që punoheshin nga vetë pronari. Kategorisë së bashtinës i përkisnin edhe pronat e qytetarëve të Durrësit, Shkodrës, Drishtit etj., në rrethinat e qyteteve në fjalë. Në Durrës qytetarët zotëronin në pronë të plotë edhe kullotat në malin e afërt të Temalit. Ndarja, trashëgimia apo shitblerja e bashtinave ishte një dukuri e zakonshme, që ndeshet herët në Durrës, Dibër, Devoll, Vageneti e gjetkë. Bashtina ishte e vetmja kategori e pronës që paraqitej lirisht në tregun e tokës. Shitblerja e saj pasqyrohej në ndryshime të shpejta e të thella të statusit shoqëror. Një shitje e shpejtuar e tokës apo edhe një përjashtim nga e drejta e trashëgimisë mund ta kthente sakaq një pronar në një bujk të varfër (paroikos), siç ndodhi më 1223 me Tanushin, birin e Gjinit, nga Dibra, i cili u detyrua të punonte si bujk (poroikos) në tokat e të tjerëve, pasi e ëma dhe vëllezërit nuk i dhanë pjesën e tokës që i përkiste si trashëgim nga i ati.
Afrimi i statusit të pronës së kushtëzuar (pronies) me atë të pronës së pakushtëzuar (bashtinës) pas shek. XIII, i dha vrull të papërmbajtur procesit të përqendrimit të tokave në pak duar, rrjedhimisht dhe rrënimit të pronarëve të vegjël. Ky proces u shoqërua me rritjen e të drejtave (imuniteteve) dhe të atributeve sovrane të pronarëve të veçantë dhe me fuqizimin e pozitës së tyre ekonomike, juridike e politike si ndaj masës së fshatarëve të vet, ashtu edhe ndaj pushtetit qendror. Kjo është koha kur mund të flitet për marrëdhënie feudale të zhvilluara në Shqipëri.
Zotërimi feudal në Shqipëri, si kudo në Bizant apo në Perëndim, përbëhej nga dy pjesë kryesore: toka e fshatarëve-parikë e ndarë në ngastra (stases) dhe toka e zotërisë që ishte në zotërim të drejtpërdrejtë të tij. Toka e fshatarit përfaqësohej nga shtëpia e tij (zjarri) me anekset dhe me arën, vreshtin, kopshtin etj. Zotërimi i fshatarit nuk ishte i përqendruar: ai ndahej në shumë ngastra të vogla, shpeshherë larg njëra-tjetrës. Pjesa tjetër e fondit të tokës në një zotërim feudal ishte pronë e drejtpërdrejtë e fisnikut dhe si e tillë administrohej prej tij (paraspori). Kjo pjesë e zotërimit feudal (ekonomia demaniale) erdhi vazhdimisht duke u shtuar, paralelisht me fuqizimin e aristokracisë. Karakteristike është që, në një fazë të parë, ishin ngastrat e fshatarëve ato që realizonin pjesën kryesore të prodhimit feudal. Por në shek. XI pjesa e tokave në administrim të drejtpërdrejtë të fisnikut i kaloi të parat si nga sasia, ashtu dhe nga prodhueshmëria. Shtrirja e madhe e tyre lejonte përdorimin e metodave e të teknikave të përparuara, siç qe qarkullimi bujqësor 3-vjeçar, si dhe shfrytëzimin intensiv i tokave nëpërmjet ujitjes, plehërimit etj.
Edhe më i shpejtë ishte procesi i përqendrimit të tokave në duart e institucioneve fetare, manastireve e peshkopatave. Ndryshe nga ç'kishte ndodhur deri në shek. XII, kur sipërfaqet në zotërim të tyre ishin rritur si rezultat i dhurimeve të bëra nga ana e pushtetit qendror, tani, pas shek. XII, dhuruesit e mëdhenj të manastireve e të peshkopatave janë fisnikët e mëdhenj apo të vegjël, pa përjashtuar dhe kategorinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit e të qytetit. Në fillim të shek. XIV manastiret e peshkopatat kishin arritur të grumbullonin sasi të pamasa fondesh tokësore. Një pjesë e konsiderueshme e viseve të Kosovës ishin atë kohë pronë e manastireve të mëdha, si ai i Hilandarit në malin Athos, ai i Deçanit (në rrethin e Pejës), i Vranjës (Shkodër), i Kryeëngjëllit (Prizren), i Shën Gjergjit (Shkup) etj. Vetëm manastiri i Deçanit zotëronte në shek. XIV rreth 20 000 ha tokë, që zinin një zonë pak a shumë kompakte në Rrafshin e Dukagjinit. Toka i dhurohej manastirit bashkë me bujqit, të cilët çliroheshin nga detyrimet ndaj feudalit. Këto i kalonin manastirit tërësisht, në formën e detyrimeve në natyrë, në të holla e në punë angari.
As feudali, pronar i dikurshëm, as njerëzit e tij nuk mund të shkelnin në atë tokë e të mblidhnin detyrimet. Në aktdhurimin e dy fshatrave të zonës së Dibrës për manastirin e Hilandarit, më 1426, Gjon Kastrioti deklaronte se fshatrat në fjalë do të ishin të lirë nga çdo lloj detyrimi që i kishin dhënë deri atëherë atij; këto të drejta ai ia kalonte të plota manastirit.
Të ardhurat e manastireve ishin kryesisht në produkte bujqësore. Por një pjesë, sigurisht më e vogël, vinin nga veprimtaria zejtare dhe nga aktivitete të tjera. Kështu, manastiri i Prizrenit merrte falas nga zona e Pultit një sasi fshikëzash mëndafshi, verë e kripë, kurse manastiri i Deçanit përpos këtyre merrte edhe një sasi hekuri (50 nade). Manastiri i Prizrenit merrte 1 mijë hyperperë në vit nga doganat e Prizrenit. Të ardhura të mëdha manastiret nxirrnin nga panairet të organizuara në territorin e tyre. Shpeshherë në panaire të tilla, si psh. në panairin e Shën Gjergjit në Shkup, ishte e ndaluar të tregtoheshin produkte të tjera, që s'ishin të manastirit në fjalë.
Një burim i qëndrueshëm të ardhurash për kishën mbetej, në fund, taksa për kishën (kanonikon), e paguar në natyrë e në të holla. Një pjesë e mirë e saj merrte rrugën për në Romë e Konstandinopojë. Dorëzimi i detyrimeve (prebenda) ishte një nga shkaqet e fërkimeve që lindnin herë pas here midis klerit vendas shqiptar, nga njëra anë, dhe Papatit të Romës e Patriarkatit të Konstandinopojës, nga ana tjetër.
Në përpjekje për të gjetur mjete financiare plotësuese, veçanërisht në kohë luftërash, pushteti qendror vendoste tatime të jashtëzakonshme mbi popullsinë. Kështu, në vitet e fundit të shek. XII, perandori bizantin vendosi mbi popullsinë e provincave perëndimore të perandorisë të ashtuquajturin alamanikon (taksa gjermane), për të përballuar nevojat e luftës me perandorin gjerman, Henrikun V të Sicilisë. Në shek. XV Venediku u impononte banorëve të zotërimeve të tij në Shqipëri mbledhjen e herpashershme të detyrimeve të jashtëzakonshme (recollecta), me të cilat siguronte paqen me komandantët osmanë të krahinave fqinje.
E gjithë piramida e shoqërisë feudale mbështetej në shfrytëzimin e punës së bujqve (parikëve). Kategori të tjera bujqish ishin edhe "të huajt" e "të lirët" (ksenoi, eleutheroi). Këta ishin të privuar nga toka e nga çdo lloj prone, pra të parregjistruar nga fisku dhe vendoseshin në feud në cilësinë e punëtorit me mëditje. Por me kohë edhe këta pajiseshin me një copë tokë për të cilën paguanin detyrimet përkatëse, duke u shkrirë, kështu, dhe ata në masën e parikëve.

Detyrimet feudale
Sistemi i detyrimeve feudale që rëndonin mbi fshatarin nuk ishte i njëjtë për të gjitha viset shqiptare. Ai ndryshonte sipas konfiguracionit të terrenit, por edhe sipas sferave politike në të cilat përfshihej kjo apo ajo zonë. Edhe raporti midis llojeve të ndryshme të rentës, në natyrë, në të holla e në angari, ndryshonte nga vendi në vend e nga koha në kohë. Fuqizimi i fisnikëve kundrejt pushtetit qendror bëri që nga shek. XIII, pjesa e rentës në angari e në të holla të rritej në krahasim me rentën në natyrë. Njëherësh ndryshoi edhe raporti midis rentës që shkonte në favor të shtetit dhe asaj në dobi të fisnikut, në fitim të këtij të fundit.
Detyrimet për shtetin përfshinin detyrimin mbi tokën (soku), që në trevën e Shkodrës përbëhej nga pagimi i një dukati dhe të një modi grurë (afër 250 kg) në vit nga çdo ekonomi fshatare. Krahas sokut paguhej dhe taksa "për tym" (zjarr, shtëpi) e barabartë me një dukat flori, e ashtuquajtura "e dhjeta e melit", taksa e obrokut, baras me 4 grosh argjendi në vit, që paguhej si kontribut për mbajtjen e ushtrisë dhe të nëpunësve qeveritarë gjatë qëndrimit në një vend të caktuar etj. Një vend të rëndësishëm zinte aerikoni, që në fillimet e tij kishte qenë thjesht një gjobë e parashikuar për një numër shkeljesh e krimesh (vrasje, përdhunim, gjetje thesari). Me kalimin e kohës aerikoni u kthye në një detyrim të përhershëm. Kontribute të tjera të bujkut për shtetin kishin të bënin me punë angari në ndërtime rrugësh, urash, kështjellash (kastroktisia) apo në transporte të ndryshme, me taksa të veçanta si e dhjeta e derrave, taksa e verës, e vajit etj.
Nga ana e tij, fisniku merrte si rregull 1/10 e prodhimeve, por kjo nuk përjashtonte që duke shfrytëzuar pushtetin, ai të kërkonte sasi më të madhe. Në rastet kur pronari jepte me qira ngastra nga paraspori i tij për bujq nevojtarë, ai kërkonte deri në 1/4 e 1/2 e prodhimit. Për raste festash fshatarët ofronin gjithashtu dhurata në natyrë (kaniske), të cilat ishin të detyruara dhe aspak me dëshirë, siç e thotë emri i tyre. E madhe ishte gama e punëve angari që bujqit kryenin gjatë vitit në pronat e fisnikut: nga lërimi i tokës, mbjelljet, korrjet, vjelje e vreshtave, e deri te transportimi i produkteve nëpër depo, prerja e transporti i druve të zjarrit, i kripës etj. Në shek. XIV angaritë zinin një peshë të madhe të detyrimit të fshatarit. Në disa zona të Shqipërisë ato zinin deri në 2 ditë pune në javë në pronat e fisnikut apo në shërbime të ndryshme.
Në shek. XII-XIV vertikalizimi feudal i shoqërisë shqiptare u thellua edhe më tepër. Lidhjet e varësisë ekonomike e juridike përfshinë sektorë gjithnjë e më të gjerë të popullsisë fshatare. Burimet flasin për kthim në pronë feudale jo vetëm të zonave fushore, por dhe të atyre kodrinore e madje malore. Në pronësi feudale po kalonin edhe bastionet e fundit të pronës së bashkësisë, pyjet, kullotat, korijet, peshkoret etj. Ky proces feudalizimi mori vrull sidomos në periudhën e dobësimit të Perandorisë Bizantine, që përkon me sundimin e dinastisë së Perandorisë Paleologe (shek. XIII-XV). Atë kohë edhe prona e përkohshme dhe e kushtëzuar (pronia) përmbylli evolucionin e saj të kthimit në një pronë të vërtetë feudale të përhershme, të trashëgueshme e të pakushtëzuar. Shitblerja e lirë e tokave e favorizoi së tepërmi përqendrimin e tokës në duar të një numri të kufizuar pronarësh.
Por masën dërrmuese njerëzore, mbi të cilën ngrihej pushteti i fisnikut, e përbënin pa dyshim bujqit, që banonin dhe punonin në zotërimet e tij. Tashmë lidhjet feudale të varësisë po ktheheshin në një karakteristikë themelore të marrëdhënieve të tyre me "të fuqishmit". Burimet historike i përmendin shpesh herë bujqit me termat servi, villani apo paroikoi, që dëftejnë bujkrobin e mirëfilltë. Të njëjtat burime japin të dhëna të mjaftueshme, që tregojnë se në zona të gjera të Shqipërisë popullsia e fshatit kishte rënë realisht në statusin e bujkrobërisë. Një udhëtar anonim tregon, në vitin 1308, se fshatarët në krahinat kryesisht malore të Këlcyrës, Tomorricës, Stefaniakës, Kunavisë, Pultit e Dibrës, punonin tokat dhe vreshtat e fisnikëve të veçantë, u dorëzonin atyre detyrime të caktuara dhe kryenin shërbime të tjera shtëpiake për ta. Historiani bizantin Kantakuzeni, nga ana e tij, dëshmon se fuqia e krerëve të këtyre krahinave mbështetej së tepërmi në bagëtitë e imta e të trasha që ata zotëronin në kope të panumërta.
Ky përqendrim i pasurisë në pak duar, kishte pa dyshim anën tjetër të shpronësimit e të varfërimit të masës së bujqve.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #16 më: 18-02-2005, 08:29:17 »

6. QYTETET E SHQIPËRISË

Zhvillimi urbanistik dhe popullsia
Qytetet qenë ato që pësuan më shumë gjatë periudhës kalimtare të kapërcimit nga lashtësia në mesjetë. Si rezultat i shthurjes së plotë të sistemeve të vjetra të qeverisjes, të ekonomisë, të komunikimit qytetet shqiptare shënuan një dobësim e tkurrje në funksionet e tyre. Nga ana e tyre, sulmet "barbare" që u përsëritën rregullisht në shek. V-VII, i dhanë dhe ato një goditje të pandreqshme pjesës më të madhe të qyteteve të Ilirikut Perëndimor. Nishi, Doklea, Skampa, Amantia, Onkezmi, Euroia nuk i mbijetuan dot kësaj periudhe të trazuar. Qytete të tjera, si Apolonia, Butrinti, Adrianopoli, Bylisi (Glavinica) humbën shkëlqimin e dikurshëm dhe mbijetuan vetëm si qendra të thjeshta peshkopale e ushtarako-administrative. Në fakt, edhe burimet e kohës i emërtojnë pjesën më të madhe të qyteteve të hershme, jo më si qytete (polis), por si kështjella (kastellia, polismata), duke nënvizuar me këtë rënien e funksionit ekonomik e shoqëror të tyre. Shkodra, Lezha, Ulqini, Liknidi (Ohri) arritën të mbeten qendra të banuara, ndonëse dhe ato u goditën rëndë. Në mjaft raste, qytetet e dikurshme u shpërngulën në lartësitë e afërta, ku popullsia ndihej më e sigurt brenda mureve të rindërtuara ose të ndërtuara rishtas. I tillë qe rasti i Krujës, i Kaninës, i Petrelës. Edhe në Lezhë, qendra e gravitetit u zhvendos nga qyteti i poshtëm i zhvilluar rreth portit (Lissus), në pikën e afërt mbizotëruese, ku ndodhej kështjella e vjetër.
Një rast të përveçëm përbën qyteti i Durrësit, i cili edhe në shekujt e mesjetës së hershme vazhdoi të jetë "metropoli i Ilirikut" (Niqifor Brieni). Qyteti-port, pikënisje e rrugës Egnatia, ishte nyja kryesore që lidhte Perandorinë Bizantine me zotërimet e saj në Itali dhe, në përgjithësi, me Perëndimin. Në shek. V perandor Anastasi I, me origjinë nga ky qytet, e qarkoi atë me mure solide që u qëndruan të gjitha kohërave. Rëndësi e veçantë iu kushtua fortifikimit të Durrësit nga krahu i veriut (Kepi i Pallës), ku një istëm me gjerësi 7 km e bashkonte qytetin me pjesën tjetër të kontinentit. Në këtë krah, ku priteshin goditjet kryesore kundër qytetit, gjendej e ashtuquajtuara "Porta e Kalorësit", e përmendur më 1246 dhe që e mori emrin nga statuja e bronztë e kalorësit, e vendosur s'dihet kur mbi traun e portës. Po në këtë krah ngrihej një kullë e fuqishme, e restauruar më 1225 nga despoti Teodor Engjëlli i Artës. Rreth vitit 1280 anzhuinët ndërtuan në mbrojtje të portit një kullë të re në krahun jugor, buzë detit, që u lidh me kështjellën bizantine me anë të një muri. Në këtë anë të kështjellës ekzistonte qysh në shek. XI një lagje e banuar prej tregtarësh nga Venediku dhe Amalfi. Në pjesën më të lartë të qytetit ndodhej fortesa (castrum, praetorium), ku qëndronte garnizoni i qytetit.
Në shek. XIII edhe qendra të tjera shqiptare, si Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Lezha, Kruja, Berati, Kanina etj., bënë një hap të rëndësishëm drejt kthimit të tyre nga kështjella me fizionomi kryesisht ushtarake, në qendra urbane të zhvilluara. Në pamundësi për t'u zhvilluar brenda rrethit të mureve të trashëguara nga e kaluara, qytetet në fjalë u shtrinë jashtë tyre. U formuan kështu lagjet e jashtme (proastion, suburbium), të cilat shumë shpejt u kthyen në qendra të jetës ekonomike të qytetit. Këtu zhvilloheshin tregjet dhe ishin përqendruar dyqanet e punishtet. Në mjaft raste, si p.sh. në Berat, këto lagje u rrethuan edhe ato me mure për t'u mbrojtur në rast rreziku. Për të siguruar furnizimin me ujë të qytetit, përveç burimeve natyrore, shfrytëzoheshin ujërat e mbledhura në cisterna të posaçme të hapura në vendin më të sigurt të qytetit. Në raste të veçanta, si p.sh. gjatë rrethimit të gjatë të Beratit nga anzhuinët, më 1280-1281, shfrytëzohej edhe uji i lumit, me të cilin kështjella lidhej me sisteme të fshehta e të mbrojtura vendkalimesh.
Duke filluar nga shek. XIII, qendra të reja, me drejtim kryesisht tregtar e doganor, lindën në grykëderdhjet e disa prej lumenjve kryesorë të Shqipërisë. Të tilla qendra ishin: Shirgji (Bunë), Shufadaja (Mat), Bregu (Shkumbin), Pirgu (Seman), Spinarica (Vjosë) etj.
Zakonisht qytetet kishin nën jurisdiksionin e tyre edhe një territor pak a shumë të shtrirë, që përfshinte fshatra, toka buke, vreshta, ullishte, pyje, kullota si dhe kripore apo peshkore. Kështu, më 1274, në juridiksionin e Vlorës ishin dy distrikte (arkondi) me një numër fshatrash (casalia). Në vitin 1343 rreth 17 fshatra përreth Krujës, mes të cilëve Zalli, Shën Vlashi, Vilëza, çerkeza, Kallmeti, ishin pronë e banorëve të qytetit dhe figuronin si pjesë e territorit të tij. Situatë e ngjashme dëshmohet edhe në Shkodër e në Durrës. Për shfrytëzimin e pronave e të pasurive në territoret përreth, banorët e qyteteve punonin vetë ose pajtonin vendas me pagesë (villici, villani). Kufijtë e juridiksionit ishin të përcaktuara historikisht dhe çdo përpjekje për ndryshimin e tyre bëhej shkak për konflikte, shpeshherë edhe të armatosura, me qytetin fqinjë. Probleme të tilla juridiksioni pati qyteti i Ulqinit me atë të Shasit (Suatium), Shkodra me Sardën (Shurdhahun). Grindja për disa fshatra, që dikur kishin qenë nën juridiksionin e Drishtit, u bë shkak për marrëdhënie të acaruara midis tij e Shkodrës, që më 1399 degjeneruan në një përplasje të armatosur.
Në gjysmën e parë të shek. XIV, popullsia e qyteteve u rrit mjaft. Durrësi llogaritej të kishte atëherë rreth 25 mijë banorë. Qyteti u bë një qendër që thithte vazhdimisht banorë të rinj nga zonat fshatare. Durrësi dhe Shkodra në shek. XIV njohën një dyndje të madhe banorësh të rinj të ardhur nga fshatrat përreth. Në shek. XV, një pjesë e mirë e popullsisë së Pargës përbëhej nga të ardhur prej fshatrave fqinje Aja e Rapëzi. Në mjaft raste, autoritetet e mirëprisnin këtë imigracion të brendshëm. Përveçse sillnin gjak e fuqi të reja, të porsaardhurit paraqitnin edhe leverdi të tjera; në shumë raste, si në Durrës, bujqit e vendosur në qytet detyroheshin të derdhnin një shumë të caktuar parash ose ta shlyenin këtë shumë me punë angari në tokat e komunës. Por krahas masave fshatare, popullsisë së qyteteve i shtoheshin edhe fisnikë të rrethinave që për një arsye apo tjetrën vendosnin të shpërnguleshin përfundimisht ose ta kalonin aty një pjesë të mirë të kohës për të ndjekur interesat e tyre ekonomikë, ose për të shijuar kënaqësitë që jepte jeta qytetare (pro factis suis vel pro placere). Shumë prej tyre kishin prona, magazina dhe kishin blerë edhe shtëpi të tyre në qytet. Në shek. XIV urbanizimi i zotërve të tokës u bë një dukuri normale. Me kohë, këta përfaqësues të aristokracisë së tokës u integruan në jetën e qytetit, morën në dorë veprimtari të ndryshme ekonomike, fituan statusin e "qytetarit" (civis) dhe shpeshherë u përfshinë në organet drejtuese bashkiake.
Nëse rryma e banorëve të ardhur prej fshatit jepte ndihmesë në rritjen e popullsisë së qyteteve, faktorë të tjerë shkaktonin bjerrjen e saj. Këtu vijnë në vështrim të parë luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Rrethanat e shekujve të parë të mesjetës, kur mjaft qytete u rrënuan për të mos u rimëkëmbur më, u përsëritën herë pas here edhe në mesjetën e mesme dhe në atë të vonë, duke çuar drejt rrënimit dhe zhdukjes së plotë qytete të tëra. Kështu, nga sulmet e tartarëve, në vitin 1242, e pësoi keq qyteti i Shasit (Suatium), i cili paskëtaj mbulohet nga heshtja. Në vitin 1356, si rrjedhim i sulmeve të serbëve, qyteti i Drishtit dhe ai i Ballecit përshkruhen si "tërësisht të rrënuara" (totaliter dissipatum). Po atë vit një ushtri serbe sulmoi Beratin, duke djegur e shkatërruar me themel lagjet e jashtme të qytetit. Duke filluar nga çereku i fundit të shek. XIV, shumë nga qytetet shqiptare u bënë pre e inkursioneve osmane, me pasoja të rënda për to.
Përballë sulmeve të ushtrive të huaja, forcimi i sistemit të mbrojtjes përbënte një shqetësim kryesor të autoriteteve dhe të popullsisë së qyteteve. Meremetimi i mureve dhe i kullave mbrojtëse përbënte në këtë kuptim një veprimtari të rëndomtë. Ndërkohë, në momente të jashtëzakonshme rreziku, siç qe ai që u shfaq nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV me inkursionet osmane, u ndërmorën masa të pashembullta mbrojtëse. Kështu, për të penguar inkursionet osmane drejt Butrintit, pak kilometra në veri të tij, u ngrit një mur, i quajturi Heksamil, sipas shembullit të murit që, po për të njëjtën qëllim, ishte ngritur në istmin e Korintit. Për të shmangur goditjet e ushtrive osmane në vitet e para të shek. XV, në Durrës u konceptua një projekt madhështor, që parashikonte hapjen e një kanali në krahun lindor të qytetit dhe kthimin e tij në një ishull. Rrallimi i popullsisë së qyteteve për shkak të luftërave dhe epidemive të ndryshme i detyronte autoritetet e ndonjë qyteti të urdhëronin ripërkufizimin e zonës urbane, duke ngritur mure të reja rrethuese brenda perimetrit të mureve të dikurshme.
Përpos luftërave, dukuri të tjera të zakonshme për kohën, si zia e bukës, epidemitë dhe fatkeqësitë natyrore, ndikonin në uljen e numrit të banorëve të qyteteve. Epidemitë, si ajo e murtajës, bënin kërdinë posaçërisht në qytete, ku kishte një dendësi të madhe popullsie dhe kushte të papërshtatshme sanitare. Qyteti i Durrësit përjetoi epidemi vdekjeprurëse më 1362, 1401 e 1481. Murtaja e vitit 1481 goditi rëndë edhe Vlorën, e cila, siç thonë burimet, u braktis krejtësisht nga banorët që kërkuan shpëtim në fshatrat përreth. Murtaja e vitit 1348, e ashtuquajtura vdekja e zezë, që u përhap në të gjithë Evropën, shkaktoi viktima të shumta edhe në Shqipëri. Përveç murtajës, edhe epidemi të tjera, si kolera e malarja, mbillnin vdekjen në qytetet shqiptare.
Pasoja të rënda për qytetin kishin fatkeqësitë e ndyshme natyrore. Përmbytjet, zjarret dhe tërmetet goditnin herë pas here, duke shkaktuar pasoja të rënda e duke ndryshuar deri edhe fizionominë e tyre. Tërmeti i vitit 1269 e shkatërroi thuajse krejtësisht qytetin e Durrësit dhe, me atë rast, një pjesë e mirë e banorëve që mbijetuan gjetën strehë në qytete fqinjë, si në Berat, ose emigruan në Itali. Një tërmet shkatërrues goditi, më 1356, edhe qytetin e Beratit, kurse më 1452 ishin rrufetë ato që dogjën e shkretuan qytetin e Dejës.
Për të shmangur rrezikun e rënies së zjarreve e të epidemive, autoritetet bashkiake në qytete, si Durrësi, Shkodra, Tivari etj., nxirrnin urdhëresa që disiplinonin ndërtimin e shtëpive, hedhjen e plehrave në vende të caktuara dhe derdhjen e ujërave të zeza në kanale e gropa të posaçme. Problemet e higjienës qytetare gjenin pasqyrim edhe në Statutet e qyteteve, siç provojnë Statutet e qytetit të Shkodrës. Megjithatë kushtet e jetesës, veçanërisht në lagjet popullore mbeteshin shumë të rënda dhe shtëpitë e ulta me dërrasë e kashtë të ngjitura njëra pas tjetrës, rrugët e ngushta e të errëta, që ktheheshin në depozita plehrash e ujërash të zeza, bëheshin vatra zjarri e epidemish vdekjeprurëse.
Problemi i sigurisë ishte gjithashtu një shqetësim i vazhdueshëm dhe që nuk lidhej vetëm me situatat e jashtëzakonshme të konflikteve të jashtme. Rastet e sulmeve dhe të plaçkitjeve ndaj qytetarëve dhe pronës së tyre ishin të shpeshta, veçanërisht në orët e vona. Statutet e Shkodrës i detyronin qytetarët që lëviznin natën të mbanin pishtarë të ndezur, për t'u identifikuar nga rojet e qytetit. Nëse ndokush kapej duke lëvizur pa pishtar "pas rënies së kambanës së tretë", atij i viheshin në ngarkim vjedhjet që rastësisht ndodhnin atë natë në qytet.
Edhe më e rrezikshme ishte dalja jashtë qytetit. Punëtorët e kriporeve të Durrësit shkonin në punë të armatosur me shkopinj, çekiçë e shpata nga frika e plaçkitësve (1436).
Banorët e qyteteve, që kishin statusin e qytetarit (civis), ndaheshin në fisnikë (nobiles) e popullorë (popolares). Fisnikët përfshinin sipërmarrësit e mëdhenj, pronarët e anijeve, tregtarët, nëpunësit e lartë komunalë, si dhe pronarët e mëdhenj të tokave që jetonin në qytet. Zakonisht shtëpitë e tyre ndodheshin në pjesën më të lartë e më të mbrojtur të qytetit (castrum), që izolohej nga pjesa tjetër me mure dytësore. Në aktet mesjetare përfaqësuesit e fisnikërisë qytetare dallohen nga titulli "zot" (kyr, ser) që shoqëron emrin e tyre. Në shtresën e popullorëve përfshiheshin zejtarët e tregtarët e zakonshëm, çirakët, kallfët, marinarët, punëtorët e krahut në përgjithësi. Në qytete kishte edhe një masë të madhe banorësh, kryesisht të ardhurit rishtas nga fshatrat, që ende nuk e kishin fituar të drejtën e qytetarisë. Këta ishin të përjashtuar nga një sërë të drejtash dhe nga pjesëmarrja në jetën politike e shoqërore të qytetit.
Banorët e qyteteve kishin një sërë detyrimesh ndaj kryezotit ose komunës. Si dëshmi të njohjes së sovranitetit mbi tokën, ata u paguanin atyre një shumë të prerë për sokun e obrokun apo siç quhej ndryshe akrostiku. Detyrime të tjera paguheshin për masat e peshat, për tregun, për therrjen e bagëtisë, për peshkimin, për mirëmbajtjen e mureve të qytetit (maldenar). Në raste të veçanta, qytetarët detyroheshin të kryenin edhe shërbim roje në muret e qytetit ose të merrnin pjesë në punime mbrojtëse.
Dallimet ekonomike dhe pakënaqësitë shoqërore, marrëdhëniet shpeshherë problematike me rrethinën bujqësore dhe me aristokracinë e saj, ndërhyrjet e ndikimet e huaja, ishin disa nga faktorët që ushqenin konfliktualitetin në qytetet shqiptare në mesjetë. Shprehja më e lartë e tyre ishin revoltat popullore, si ato të kapërcimit të shek. XIV-XV në Shkodër e në Drisht, revolta që bashkuan masa të gjera të qytetit e të fshatit kundër "kryezotit" të huaj dhe fisnikëve vendas të lidhur me të. Por edhe kur shumë nga qytetet ranë nën sundimin e fisnikëve vendas, në gjysmën e dytë të shek. XIV, konfliktet me ta nuk munguan. Me të tilla u shoqërua hyrja e Balshajve në Shkodër, në Tivar apo në Vlorë, sundimi i Topiajve në Durrës apo i Dukagjinëve në Lezhë. Konfliktet në fjalë ishin shprehje e një dukurie të përgjithshme për Ballkanin e mbarë Evropën feudale. Qytetet detyroheshin t'u paguanin kryezotërve ose fisnikëve një shumë të caktuar (akrostik, census, dacium, tributum). Në vitin 1363, Durrësi u detyrua të rrisë doganat e portit, për të siguruar tributin për fisnikët fqinjë. Komuna e Tivarit duhej t'i paguante Balshës 2 000 dukate në vit.
Pavarësisht nga lidhjet e ngushta dhe nga fakti që marrëdhëniet qytet-fshat rregulloheshin nga tradita, doket e deri te normat statutore, nuk mungojnë rastet e konflikteve të ashpra deri të përgjakshme mes banorëve të qytetit dhe të fshatit. Domethënës për shkallën e armiqësisë që ndizej herë pas here është rasti i vitit 1438, kur qytetarët e egërsuar të Tivarit sulmuan një fshat në rrethin e Ulqinit, duke djegur shtëpi e duke vrarë e masakruar banorë.
Krahas qytetarëve me të drejta të plota (cives), që merrnin pjesë pa kufizim në jetën ekonomike, shoqërore e politike të qytetit, në qytetet tona përmenden shpesh edhe banorët me qëndrim e status të përkohshëm (habitantes, morantes), të cilët jo rrallë herë ishin artizanë, tregtarë e sipërmarrës të huaj. Në shek. XI në Durrës dëshmohen dy koloni me qytetarë nga Venediku e nga Amalfi, që kishin lagjet si dhe kishat e tyre, përkatësisht kishën e Shën Andresë dhe kishën e Shën Mërisë së amalfitanëve. Venecianët e Durrësit, sipas kronistit italian Malaterra, ishin "nga familje fisnike" (de nobili genere). Ashtu si venecianët në Durrës, edhe raguzanët kishin në Shkodër, në Tivar e në Vlorë kolonitë e tyre tregtare me lagje e kisha të veçanta. Në Durrës, në vitin 1401, dëshmohen edhe disa banorë hebrenj, të varfër e të paktë në numër. Ata merreshin kryesisht me tregtinë e vogël, dhe, siç del, ishin të detyruar të paguanin një taksë shtesë. Një prani e vogël hebrenjsh dëshmohet edhe në Vlorë, në fund të shek. XIV.
Të huajt nuk kishin të drejtë të zgjidhnin e të zgjidheshin në organet bashkiake, porse gëzonin mbrojtje të veçantë për jetën e pasurinë e tyre. Venediku e Raguza kishin konsujt e tyre në qytete, si Durrësi, Vlora, Spinarica, që mbronin interesat e qytetarëve të tyre. Ndonëse midis masës së qytetarëve dhe këtyre banorëve të huaj të qytetit lindnin herë pas here keqkuptime, këto nuk dëshmohet të jenë shndërruar ndonjëherë në pogrome e raprezalje kundër tyre. Marrëveshje të rregullta dypalëshe garantonin jetën e pasurinë e qytetarëve venecianë apo raguzanë në Durrës ose në Vlorë. Megjithatë, ndodhte që në kohën e krizave politike midis qyteteve shqiptare dhe shteteve të Venedikut, Raguzës, Napolit etj., tregtarët e sipërmarrësit e ndryshëm me origjinë nga këto shtete, të bëheshin objekt i armiqësisë dhe i sulmeve të popullsisë vendase. Në raste të tilla, Republika e Venedikut ose ajo e Raguzës, kanë hyrë në traktativa të gjata me perandorin bizantin apo me princërit e zotërit shqiptarë, për të siguruar dëmshpërblime për qytetarët e vet.
Në qytetet e zhvilluara të bregdetit, veçanërisht në Durrës, kishte një rreth tregtarësh e sipërmarrësish vendas të lidhur ngushtësisht me interesa ekonomikë me Raguzën e sidomos me Venedikun. Ata eksportonin dhe importonin prej andej mallra të ndryshme dhe shpeshherë kishin aty magazina, dyqane, madje dhe shtëpi të tyre. Sipas burimeve të kohës, për shkak të interesave ekonomikë, por edhe të një formimi kulturor kozmopolit, kjo kategori njerëzish në marrëdhëniet e përditshme shpeshherë "hiqej sikur të ishte me origjinë veneciane" (pro Venetis expediantur). Kjo shtresë kishte mbështetjen e Venedikut. Në fakt, në momentin e kalimit të Durrësit në duart e Venedikut, më 1392, u duk qartë roli vendimtar i këtij krahu "filo-venecian", ku bënte pjesë edhe kryepeshkopi durrsak Dhimitër Nesha, si dhe ndonjë feudal i fuqishëm i rrethinave.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #17 më: 18-02-2005, 08:31:12 »

Shqipëria gjatë sundimit të car Stefan Dushanit (1331-1355)
Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t'i mbajë serbët për mjaft kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe, në përfundim të së cilës pushtoi viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.
Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve shqiptarë. Për t'i dhënë më tepër gjerësi qëndresës së tyre, këta iu drejtuan për aleancë mbretit Robert Anzhu të Napolit, i cili ishte i interesuar së tepërmi për Durrësin e prapatokën e tij që anzhuinët vazhdonin t'i konsideronin feud të tyre. Në fakt, mbreti Robert dërgoi që atë vit në Shqipëri një ushtri të vogël nën komandën e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej të bashkëpunonte me forcën kryesore të kryengritësve shqiptarë. Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan në Durrës paktet e aleancës që hapeshin me premtimin anzhuin për t'u ofruar ndihmë ushtarake fisnikëve shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin edhe një sërë të drejtash e privilegjesh, të cilat anzhuinët ia njihnin posaçërisht despotit Andre Muzaka dhe familjes së tij. Të tilla të drejta e privilegje kishin të bënin me pronat e pasuritë e tundshme e të patundshme të Muzakajve, me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit e që do t'u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit anzhuinë etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka duhej të konfirmonte bindjen dhe besnikërinë e tij ndaj oborrit anzhuin e t'i garatonte ato duke dërguar peng në Napoli njërin nga djemtë e tij.
Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush Topia, të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave midis Matit e Shkumbinit bashkë me dhënien e një shpërblimi vjetor prej 1 000 grosh.
Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria e deriatëhershme e marrëdhënieve të oborrit anzhuin me krerët shqiptarë, tregojnë se pozita e tyre kundrejt njëri-tjetrit kishte ndryshuar në favor të të dytëve. Anzhuinët jo vetëm nuk ishin në gjendje të impononin me forcë sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën, ata përpiqeshin t'i joshnin me tituj e privilegje zotërit e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur sovranitetin e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën e tij.
Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi t'u bënte ballë për një kohë të gjatë sulmeve të përsëritura të serbëve. Brenda vitit 1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur të shtronin territoret e Arbrit të hershëm, me kryeqendër Krujën. Po atë vit qyteti i Beratit pësoi sulmin e parë nga një ushtri serbe që vinte nga ana e Ohrit. Në verën e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye të një fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës. Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani, i cili që prej vitit 1346 filloi të quhej "perandor i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë", aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe në detin Egje. Një numër popujsh të huaj, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë hynë në përbërje të Perandorisë Serbe.
Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë shqiptare. "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë..... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen", shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës.
Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa i përket përbërjes së elitës sunduese. Në krahinat apo në qytetet e pushtuara u vendos një administratë serbe, në krye të së cilës qenë njerëzit më të afërt të carit, të cilët mbanin sipas rastit titujt despot, cezar, qefali etj. Kështu, në krye të provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni, kunati i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në vitin 1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve të atyshëm.
Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet intensifikimit të shtypjes ekonomike e shoqërore të popullsisë shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit, dokumenti kryesor që sanksiononte marrëdhëniet ekonomike, politike e juridike të shtetasve të Perandorisë me pushtetin e carit e të klasës sunduese serbe, përfshinte në sistemin e marrëdhënieve feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale, duke i dhënë ato si pronë feudale për manastiret e për feudalët serbë. Një masë e tillë godiste rëndë fshatarësinë e lirë shqiptare, posaçërisht atë të zonave malore, që kishte mundur t'i shpëtonte deri atëherë shfrytëzimit feudal e të ruante një farë autonomie politike ndaj pushtetit qendror. Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në institucionet juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai në shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën e popujve të tjerë që u përfshinë në suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai shpallte ndalimin e institucioneve tradicionale vendase, siç qe ai i mbledhjeve (kuvendeve) të fshatit, ku vendosej e gjykohej për probleme të ndryshme, që tani kalonin në kompetencë të feudalëve të veçantë e të vetë carit serb.
Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku sundimi serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka bujqësore, me qendra të zhvilluara minerare, zejtare e tregtare, këto territore kishin qenë një joshje e vazhdueshme për mbretërit serbë. Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe.
Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.
Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë me theks të veçantë këtë aspekt të politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse në fjalë, "... ku populli arbër mund të nxirrte në luftë më se 15 000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë".
Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk qe karakteristikë vetëm për viset e veriut, por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir. Ajo doli akoma më në pah pas vdekjes së carit serb, Stefan Dushanit (1355). Kryengritjet e zonës së Beratit (1356) dhe të Himarës (1358), e reduktuan pushtetin e despotit sllav Ivan Komnen Asenit vetëm në qytetin e Vlorës e në rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë, sipas një shënimi të kohës në një nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u sollën aq mizorisht "saqë edhe të vdekurit i nxorën nga varri". Një vit më parë, më 1355, shqiptarët e Thesalisë ngritën krye kundër qeveritarit serb, Qezar Preljubit, dhe e vranë atë. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t'i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.
Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një shteti të përqendruar shqiptar.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #18 më: 18-02-2005, 08:31:45 »

2. FORMACIONET SHTETËRORE SHQIPTARE NË SHEK. XIV DHE NË FILLIM TË SHEK. XV

Despotati shqiptar i Artës
Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet familja fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më në zë të Shqipërisë.
Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare, edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355). Në atë çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë. Qeveritari serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të largohej në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar Preljubit, i vrarë gjatë një përpjekjeje me shqiptarët e atyshëm. Përfaqësues të tjerë të aristokracisë dhe të administratës së vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin e Janinës.
Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë në Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë së vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori II Engjëlli. Në verën e vitit 1358 ky u doli përpara forcave shqiptare në vendin e quajtur Akelou (Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë pjesërisht prej mercenarëve osmanë, u asgjësua në betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e ku vetë despoti bizantin humbi jetën.
Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit, të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari, me qendër në Artë, kishte në krye fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit, në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit. Megjithatë në pjesën lindore të Epirit mbeti një territor i ngushtë me qendër Janinën, i cili nuk u përfshi në kufijtë e këtyre dy formacioneve shqiptare fqinje. Këtu përfaqësuesit e fisnikërisë e të administratës së vjetër serbo-bizantine të Epirit u përpoqën të organizojnë qëndresën kundër hegjemonisë së krerëve shqiptarë. Të mbështetur edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm serb i Epirit, Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë si qeveritar të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç. Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai trashëgoi një armiqësi dhe urrejtje të pashuar kundër tyre.
Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit serb në Epir. Qenia e tij përbënte një rrezik real për formacionet fqinje shqiptare të Gjirokastrës e të Artës, pasi Thoma Preljuboviçi vështronte t'i zgjeronte kufijtë e despotatit të tij pikërisht në dëm të zotërimeve të Shpatajve e të Zenebishëve. Nga ana tjetër, despoti serb nuk ngurroi të thërriste për ndihmë kundër sundimtarëve shqiptarë reparte serbe, italiane e, ç'ishte më keq, osmane, duke e kthyer Epirin në një fushë beteje ku mercenarët e huaj mbillnin terror e shkatërrime të pafundme.
Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur ekonomike e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë të Epirit në një konflikt të gjatë të armatosur me despotin e Janinës. Për tre vjet rresht (1370-1373) kështjella e Janinës iu nënshtrua rrethimit e sulmeve të njëpasnjëshme të despotit të Artës, Pjetër Losha, e të aleatëve të tij, bashkësive shqiptare të mazarakëve e të malakasëve që banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua të kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk pushoi së përndjekuri e së tiranizuari popullsinë shqiptare të Janinës e të fshatrave përreth, nga e cila tërhiqte robër e pengje që i mbyllte në burgje të posaçme. Për këtë zell të tij kundër shqiptarëve, bashkëkohësit i ngjitën despotit serb nofkën "shqiptarovrasës" (alvanitoktonos).
Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374, në krye të despotatit të Artës u vu zoti i Angjelokastrës, Gjin Bua Shpata. Në kohën e sundimit të tij, konflikti me despotin serb, Thoma Preljuboviçin, u ashpërsua edhe më. Që në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të qëndrojë edhe kësaj radhe falë mureve të tij të papushtueshme. Gjithsesi, i interesuar për pushimin e armiqësive, Thomai i ofroi Shpatës dorën e së motrës, Helenës.
Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë shqiptare të malakasëve. Nën komandën e Gjin Fratit këta e sulmuan kështjellën më së pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin atë. Dy vjet më vonë, më 1379 malakasët arritën të zinin ishullin në liqen si dhe kullën e brendshme të kështjellës së Janinës. Kësaj radhe në anë të tyre qëndronin edhe pjesëtarë të parisë vendase, përfshi mitropolitin Mateo, përkrahës i Gjin Bua Shpatës. Por edhe kësaj radhe shqiptarët dështuan në qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme ua bëri atyre të pamundur që të shpërthenin muret e kështjellës, qoftë nga toka e qoftë nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej te Gjin Bua Shpata.
Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve të Artës u fut në këtë kohë në një konflikt të ashpër me anzhuinët e Napolit, të cilët qysh prej një shekulli vazhdonin të ngulnin këmbë në pretendimet e tyre mbi bregdetin epirot. Ky konflikt u shpreh më së pari në përleshjet e armatosura me forcat e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi ishujt e Qefalonisë e Leukadës si vasal i mbretëreshës Xhovana të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë se qysh në vitin 1360 "konti i Qefalonisë bënte luftë të madhe me Despotatin e arbërve". Në vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez edhe më keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit organizoi një fushatë të madhe për asgjësimin e Despotatit shqiptar të Artës. Bërthama e ushtrisë së grumbulluar prej saj përbëhej nga Urdhri i Joanitëve të Rodit, një formacion i famshëm për bëmat e tij luftarake, që ishte futur në shërbim të anzhuinëve të Napolit.
Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos), kështjella më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi bregun verior të gjirit të Korintit. Prej këndej ajo përparoi drejt veriut e brenda pak kohe qendra e Despotatit shqiptar, Arta, u ndodh nën rrethimin e ushtrisë napolitane. Gjatë betejës vendimtare që u zhvillua nën muret e Artës, despoti Gjin Bua Shpata korri një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti i ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.
Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata fitimtar mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi Janinën. Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti një aleat të fuqishëm kundër shqiptarëve te turqit osmanë, të cilët kishin filluar të vendoseshin në Thesalinë fqinje. Disa herë brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të thirrura nga Thomai, kryen inkursione shkatërruese në zotërimet e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon Zenebishit, duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën. Me ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani i Janinës ra pre e një komploti dhe, i urryer nga të gjithë, vdiq në dhjetor 1384. Në vend të tij paria e Janinës e mbreti serb i Thesalisë, Joazaf, thirri e vuri italianin Izau Buondelmonte Açajuolin, kunat i kontit Leonard Toko të Qefalonisë. Ky gëzonte njëherësh mbështetjen e perandorit të Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të Mbretërisë së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura edhe në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse aty nga viti 1394, ky mori për grua të bijën e Gjin Shpatës, Irenën, i nxitur edhe nga arkondët e qytetit. Inkursionet e reparteve osmane, të thirrura nga despoti i ri i Janinës, vazhduan edhe paskëtaj, madje për të siguruar mbështetjen më të madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall vasal i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të Artës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.
Në rrethana të tilla të vështira, më 29 tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata "burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë", siç e quan atë një kronikë e kohës. Me emrin e tij është e lidhur periudha më e lulëzuar e historisë së Despotatit shqiptar të Artës. Zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërme të tij, që shpeshherë ishin në armiqësi e mëri me njëri-tjetrin. Një mëri e tillë ekzistonte dhe midis Muriq Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës, që qeveriste zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla i Gjinit, këtij i takonte të ishte trashëgimtar i ligjshëm i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta mënjanojë kushëririn e tij plak dhe të marrë në dorë drejtimin e principatës.
Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës dhe osmanët e Thesalisë kishin qenë kujdesi kryesor i paraardhësit të tij të madh. Me komandantët osmanë të Thesalisë Muriqi nuk e pati të vështirë të gjente një modus vivendi, sidomos pas katastrofës që sulltan Bajaziti pësoi nga mongolët e Timurlengut në betejën e Ankarasë (1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet me despotin Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit dhe që për më tepër kërkoi dorën e vajzës së Muriqit për djalin e tij të lindur nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë e Gjergjit I Balsha.
Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq Shpatës u përqendrua nga rreziku që i vinte zotërimeve të tij nga konti i Qefalonisë Karl Tokoja. Për sa kohë në krye të principatës kishte qenë Gjin Bua Shpata, Tokoja kishte dalë gjithnjë i mundur nga ballafaqimi me shqiptarët. Këta, madje, ishin në gjendje të organizonin me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë dhe Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut.
Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës, raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të Tokos. Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit të ri të Artës shtynë mjaft feudalë shqiptarë dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia, Margëlliçi e Janina (përfshirë bashkësitë e mëdha të mazrekëve e malakasëve) të dorëzoheshin përpara dhuratave dhe premtimeve që u drejtoi atyre me bollëk konti Karl Toko. Në këtë mënyrë, me një ushtri, lulen e së cilës e përbënin luftëtarët shqiptarë, ku shquheshin vëllezërit Muriq e Dhimo Bua, si dhe me ndihmën e një flote të ofruar nga mbreti i Napolit, Karl Tokoja, filloi t'i rrëmbejë Muriq Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë, ai pretendonte të bëhej, ashtu siç qenë bërë ata një shekull më parë, despot i krejt Epirit.
Në këtë mënyrë, me luftë dhe më shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve një sërë kështjellash, fillimisht në jug të gjirit të Artës, si Katohinë, Varnakun, Kandilen, Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej ai filloi sulmet dhe plaçkitjet në territorin e Angjelokastrës e të Artës. Shumë shpejt Muriq Shpata u detyrua të lëshojë kështjellat e Riniasës e Ajtoit, që siguronin mbrojtjen e Artës. Gjatë një beteje me forcat e Tokos, u plagos rëndë e më tej vdiq edhe vëllai i legjendarit Gjin Bua Shpata, Sguroj, i cili të paktën në çastet e fundit gjeti ngushëllim kur pa se Muriq Shpata me forcat e tij po vraponte t'i vinte në ndihmë.
I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t'i ruante zotërimet që i la i ati në jug të gjirit të Artës, nxitoi t'ia ofrojë ato Venedikut. Më 1402 ai i propozoi këtij lëshimin e kështjellës së rëndësishme bregdetare të Lepantos si dhe vetë kryeqendrën e vet, Angjelokastrën. Ndërsa mori në dorëzim të parën (1407), kundrejt një shpërblimi, Republika e Venedikut u mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra, t'i kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet në jug të gjirit të Artës, në Etoli e në Akarnani.
Në kushtet e dobësimit e të përçarjes së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e pati të vështirë të zinte vendin e despotit Ezau të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas elementëve të parisë së qytetit, ku u shqua greku Simon Stratigopulos dhe dhëndri i tij, serbi Stefan Vojsllavi, dorëzimin e Janinës në duar të Karl Tokos e përkrahën edhe mjaft krerë e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë qytetit, të cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime. Tashmë i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të tij, Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë, afër Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia lënë barrën e drejtimit, të asaj që kishte mbetur nga Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës, vëllait të tij, Jakupit, që kishte kaluar në fenë islame.
Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm e trimëri që s'e kishin karakterizuar vëllanë e tij. Me të u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo bashkësitë shqiptare që ishin hedhur në anën e Karl Tokos, siç qe, p.sh., prijësi i shquar Muriq Bua.
Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri shqiptar në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti atij një pritë në kështjellën e Vombljanës, afër Artës. I ftuar nga kështjellari i saj, njeri i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga forcat e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve të saj. Jakupi vdiq me shpatë në dorë mes luftëtarëve të tij. Me vrasjen e tij u shënua dhe fati i Artës dhe i gjithë zotërimit të Shpatajve. Më 4 tetor 1416 Karl Tokoja hyri në Artë. Pinjollët e fundit të Shpatajve ose pranuan të hyjnë në shërbim të Karl Tokos, ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të Jonit.

Principata e Zenebishëve
Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike më të shquara të Shqipërisë së Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë pikërisht në këtë kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri për herë të parë osmanët në këto anë më 1380 kundër shqiptarëve. I mbështetur dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në vitin 1386.
Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli (1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues i interesave të huaja në atë qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit. Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit Jon (çamëri e sotme). Por në pranverën e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun e kështjellës së tij të Gjirokastrës. Të gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që i çonte për këtë çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi bënte të qartë se "paqja e tij me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin buka e tij".
Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para të shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte dorë si nga Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga dhe të kërkonte rregullimin e marrëdhënieve me Republikën e fuqishme të Venedikut.
Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri në plan të parë problemin e pushtetit në Janinë. E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e të famshmit Gjergjit I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve të një pjese të parisë së qytetit, që donte t'ia dorëzonte qytetin nipit të despotit Ezau, kontit të Qefalonisë, Karl Toko. E mbështetur kryesisht nga shtresat e ulta dhe të mesme të qytetit, "despina e Arbërisë" hyri në traktaktiva me Gjon Zenebishin, gjë që vuri në lëvizje përkrahësit e Karl Tokos. Pas një komploti të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua të braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht te Gjon Zenebishi në Gjirokastër.
Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl Tokos, që synonte të vinte nën sundimin e tij të gjitha territoret e Despotatit të dikurshëm të Epirit, e çuan atë drejt një ndeshjeje të pashmangshme me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës. Në verën e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën në Kranesë (Mesopotam) ushtrisë së Karl Tokos, që kishte depërtuar në thellësi të zotërimeve të tij dhe synonte të kapte Gjirokastrën. Në betejën e ashpër të zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t'i bënte ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur kryekëput tek aleanca që lidhi me osmanët dhe që u vulos edhe me martesën e vajzës së tij me Musa Beun, pretendentin e fronit.
Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën e Republikës së Venedikut. Në korrik të vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t'i vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të cilët të mund të mbronte këshjellat e tij dhe njëherësh të ndalte vërshimin e osmanëve në brigjet e Jonit. Në të njëjtën kohë, sundimtari shqiptar kërkonte nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.
Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz ishin vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000 vetash, e thirrur nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër i Tokos, rrethoi Gjirokastrën. Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t'i bënte ballë këtij sulmi të parë mbi kryeqendrën e tij, por, kur osmanët ndërmorën në vjeshtën e parë të atij viti, një fushatë të re akoma më të fuqishme, ai nuk jetonte më dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve dhe u strehuan në Korfuz. Nga Korfuzi trashëgimtarët e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk i reshtën përpjekjet për të çliruar zotërimet atërore, duke organizuar e duke u vënë në krye të kryengritjeve të fuqishme antiosmane.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #19 më: 18-02-2005, 08:31:52 »

Principata e Topiajve
Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes së shquar fisnike të Skurrajve në trevën e Arbrit u kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia. Emri i kësaj familjeje nuk përmendet para shek. XIII.
Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë për një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt ditën t'i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Topiajt ishin shpallur vasalë të mbretit të Napolit, Karli I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë varësia e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale. Si mbreti Karli I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli II e Roberti I Anzhu, ankoheshin vazhdimisht në aktet e tyre për "mosbindjen" madje edhe për "rebelimet" e vazhdueshme të Topiajve dhe të krerëve të tjerë shqiptarë kundër pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të ndërgjegjshëm se s'do të mund ta ruanin autoritetin e tyre mbi Durrësin dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin t'i mbanin afër Topiajt, qoftë duke u falur herë pas here "fajet", qoftë duke u dhënë edhe provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në oborrin e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.
Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit pësuan një ngrirje të fortë në kohën e sundimit të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse qe martuar me një vajzë jashtë martese të mbretit Robert, Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj tij, aq sa anzhuini vuri njerëz dhe e vrau.
Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi në fuqi në vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e vet, Karli shfrytëzoi mjeshtërisht për këtë qëllim lidhjet e hershme të familjes së tij me anzhuinët e Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje "lidhjet e gjakut" që kishte me këta të fundit nga e ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës familjare të Topiajve, që paraqiste një luan, edhe simbolin e anzhuinëve, zambakun.
Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte vendosur t'u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit. Më 1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe nga deti. Ndonëse nuk u mor dot, qyteti u detyrua t'i paguajë Topisë një tribur vjetor, i cili nxirrej nga rritja e taksave mbi tregtarët e huaj që vizitonin Durrësin.
Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim sa në bashkësinë e këtij qyteti, që i trembej pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana e Napolit, dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk mund të pajtohej me faktin që princi shqiptar zotëronte tashmë një flotë ushtarake, të ankoruar në Kepin e Rodonit në veri dhe në Kepin e Melit (caput Meliarum) në jug të Durrësit, me të cilën ai mund të kontrollonte ose të dëmtonte trafikun e anijeve veneciane nëpër Adriatik. Ndaj në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut e urdhëronte kapitenin e flotës së Adriatikut që të pengonte çdo aksion të flotës së Karl Topisë dhe, në rastin ekstrem, t'i kapte anijet shqiptare dhe t'i digjte ato, si dhe të shkatërronte bazën e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto duhet të bëheshin në mënyrë të fshehtë pa rënë në sy të princit shqiptar, me të cilin gjithsesi Republika ishte e interesuar të mbante marrëdhënie të mira. Në fakt Topia pati rastin të tregonte se nuk ishte një sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit theu të fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që të ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl Topinë qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo nuk e ndali këtë të fundit të forcojë flotën e tij dhe të intensifikojë sulmet mbi Durrësin. Më në fund, në muajt e parë të vitit 1368, qyteti ra në duart e Topisë. Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi titullit të tij si "princ i Arbrit" edhe titullin tjetër të "zotit të Durrësit".
Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë të Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370, aneksuan zotërimin e sebastokratorit Vlash Matrënga, që shtrihej midis derdhjes së Shkumbinit dhe Semanit. Gjithsesi aleanca e Muzakajve me Balshajt e veriut e keqësoi gjendjen e principatës së Karl Topisë, duke shtrënguar darën rreth saj. Ishte keqësuar ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare e saj. Sovranët e Napolit nuk ia falën "vasalit" Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet me Venedikun, pavarësisht që Republika e detrave e kishte shpallur Karl Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet ishin ftohur dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht me papën Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar prirjet "heretike" duke e akuzuar atë për patarin (ithtar i lëvizjes antipapale patarine). Edhe miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë nuk i sillte ndonjë avantazh të madh Karl Topisë në planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi tregtare, por ajo s'kishte ndonjë peshë në ngjarjet politike e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht armiqësia e kësaj të fundit me Venedikun, pra kishte karakter koniunktural pa ndonjë ndikim në planin praktik.
Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet me bashkësinë qytetare të Durrësit qenë acaruar, Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri për pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve të Napolit. Madje këta të fundit në fillim të vitit 1372 vendosën të organizonin një fushatë të madhe për të shtrirë pushtimet tej Durrësit dhe për të rikrijuar "Mbretërinë e Arbrit" të kohës së Karlit I Anzhu. Në planet e organizatorëve ishte edhe zënia rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës, për të cilët premtohej një çmin prej 1 000 dukatë ari. Por fushata që iu besua Gjergjit të Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm i "gjithë vendit të Arbrit". Madje, ai mundi t'u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme të Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të lumenjve Shkumbin e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë kapte gjithë hapësirën midis Drinit e Semanit. Vetë Durrësi, ndonëse formalisht mbeti në zotërimin e anzhuinëve të Napolit, në të vërtetë e ndiente gjithnjë e më shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky i fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur ta merrte qytetin në mënyrë "të ligjshme", duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt aty nga viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt një shume të madhe të hollash.
Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij ndodhi në një kohë kur ishte rindezur konflikti i hershëm me Balshajt, ndërkohë zotër edhe të Vlorës.
Me një sulm të befasishëm në vitin 1384 Balsha II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet zyrtare ai filloi t'i atribuojë vetes titullin "dukë i Durrësit". Por nuk e gëzoi gjatë. Më 18 shtator 1385 forcat osmane të Hajredin Pashës shpartalluan në Savër të Myzeqesë ushtrinë e Balshës II dhe të aleatëve të tij. Karl Topia hyri përsëri në Durrës, por tashmë edhe ai, si mjaft sundimtarë të tjerë shqiptarë, u detyrua t'i nënshtrohej hegjemonisë së osmanëve. Në përpjekje për t'i shpëtuar kësaj të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve 1386-1387 ai bëri disa përçapje pranë Republikës, duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi të drejtpërdrejtë në një zonë që tashmë ishte në vëmendjen e osmanëve, Venediku u mjaftua t'i premtonte Karl Topisë ndihma modeste ushtarake, sigurisht kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur nën trysninë e vazhdueshme të osmanëve, Karl Topia tentoi në maj të 1387 një ujdi të fundit me Republikën. Propozimi i tij i ri kishte të bënte me shitjen e Durrësit, me largimin e vetë Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën nga kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.
Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë për shkak të hezitimeve të Venedikut, që tashmë ishte i bindur se marrja e Durrësit do të thoshte luftë me osmanët, qoftë edhe se, shumë shpejt pas paraqitjes së këtij propozimi të ri, princi Karl Topia ndërroi jetë.
Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji, mundi të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës e në rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth saj i kaluan motrës së tij, Helenës, që ishte martuar me fisnikun venecian Mark Barbadigun. Konti Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit, sundonte ultësirën në jug të Durrësit. Feudalë të tjerë, që s'i përkisnin familjes fisnike Topia, sundonin tashmë të pavarur në viset e Tiranës, në luginën e Shkumbinit e gjetkë. Marrëdhëniet e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë armiqësore. Në këtë mënyrë juridiksioni i trashëgimtarit të Karl Topisë kufizohej në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e afërta të tij. Në fakt, edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet thjesht "zot i Durrësit", ndryshe nga paraardhësi i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej "zot i gjithë vendit të Arbrit".
Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me intensifikimin e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe, për rrjedhojë, edhe me politikën e re të Venedikut, për të shtënë në dorë qytetet bregdetare shqiptare. Herë me premtime dhe herë me presione Venediku arriti të bindte Gjergjin që fillimisht t'i lëshonte kullën e poshtme të qytetit, atë që ruante pjesën e portit.
Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll gjithë qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë e zotit të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një sërë fisnikësh shqiptarë nga familjet Muzaka, Skurra, Nesha e vetë Topia, të cilëve u shpërndante provizione vjetore. Me marrëveshjen e nënshkruar me Venedikun në gusht të vitit 1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes së tij, i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit në Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më vonë, kur sundimtari shqiptar vdiq.
Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe të Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti Niketë Topia mori kështjellën e Krujës nga duart e kushërirës së tij, Helenës. Në këtë mënyrë Niketa bashkoi nën sundimin e tij territoret pjellore rreth e rrotull Durrësit prej të cilave nxirrte fitime të mëdha. Venediku ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar, aq më tepër që ato formonin një perde midis Durrësit dhe posteve të përparuara osmane në Maqedoni. Nga ana tjetër, nga zotërimet e Niketës mbërrinin në Durrës produktet bujqësore e blegtorale të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një disfatë të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin me Teodor Muzakën e Beratit për zotërimin e fushave rreth Shkumbinit. Falë ndërhyrjes së Republikës së Raguzës, Niketa u lirua nga burgu i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të matej me sulmet e osmanëve, që pikërisht në atë kohë njohën një intensifikim të ri. Me vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën. Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant turk, Ballaban Beun, i cili quhej "subash i Krujës dhe i Arbrit".

 

 


E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #20 më: 18-02-2005, 08:32:10 »

Principata e Muzakajve
Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Lavdar të Oparit. Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek. XIII.
Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281), i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua si një ndër krerët kryesorë të qëndresës. I zënë rob gjatë një beteje, në tetor të vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën e Brindizit bashkë me tre bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin. Por, nën presionin e krerëve shqiptarë, mbreti Karli I Anzhu u detyrua ta lironte atë vitin tjetër, kundrejt premtimit se "nuk do të fliste e nuk do të vepronte më kundër tij".
Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe. Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre për t'iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me pronia të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para vitit 1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë, pinjollë të Muzakajve vazhduan të qëndronin në poste të rëndësishme në Konstandinopojë, si epistrati Muzaka në vitet 1320.
Krijuesi i një principate të vërtetë të kësaj familjeje ishte pikërisht despot Andrea II Muzaka (1335-1372). Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë në krye të lëvizjeve antibizantine të viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore. Me atë rast, despot Muzaka lidhi edhe një aleancë me anzhuinët e Napolit. Në paktet e nënshkruara në Durrës më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit, i cili nga ana e tij i konfirmoi fisnikut shqiptar pronat, titujt e gradat e dhuruara nga perandorët e Bizantit. Si peng të besnikërisë ndaj sovranit anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin prej djemve të tij.
Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më 1336 u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin e mjaft fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët u strehuan në Greqi, posaçërisht në Peloponez. Edhe në kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin frymëzuesit e qëndresës dhe ishin vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav të zonës së Beratit e të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin. Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht prej tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve u bë i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit, ku despot Andrea zotëronte pasuri të patundshme dhe ku marrëveshja e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte të qëndronte dhe të lëvizte lirisht në atë qytet.
Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë e zotërimeve të tij në drejtim të zonës së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej andej sundimtarët serbë të vendosur rishtazi. Nga fundi i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të Karavastasë, sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi kështjellën e rëndësishme të Bregut, doli mbi Shkumbin e mori tokat e Gosës e të Garunjës, duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti me princin e fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po në atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty pas vdekjes së despotit Ivan Komnen.
Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi në formë paje këto dy qytete vëllait të vogël të Balshajve, Balshës II, pas martesës së këtij me vajzën e tij, Komitën. Siç duket, në bazë të aleancës midis këtyre dy familjeve fisnike shqiptare qëndronte rivaliteti i tyre i përbashkët me Topiajt e veçanërisht me sundimtarin serb Vukashin, atë kohë zot i Kosovës e i gjithë Maqedonisë Perëndimore, deri në Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve, despot Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë rast i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit, duke i dhuruar fronin bashkë me shenjën përkatëse dalluese, shqiponjën me dy krerë e me yll në mes. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më dysh.
Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani V Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat mbi Kosturin.
Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve e të bujarëve të tjerë shqiptarë, despot Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë mënyrë, në fund të jetës së tij, despoti plak, Andrea II Muzaka, kishte përfshirë në principatën e tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën, Skraparin, Këlcyrën, Përmetin, Oparin, Devollin, Kolonjën e Kosturin. Megjithatë, në krahun perëndimor të zotërimeve të Muzakajve, ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm, të cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të madh në zonat përreth, deri në Berat, siç e dëshmon edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit "Epitaf i Glavinicës" i vitit 1372. Aty nga viti 1374, Muzakajt ishin detyruar të tërhiqeshin edhe nga tokat që kishin zënë para pak vjetësh përtej Shkumbinit, si dhe nga kështjella e nga tregu i Bregut, në derdhje të Shkumbinit. Këto vende i kaluan rivalit të tyre, princit Karl Topia.
Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur. Shumë shpejt, në vitin 1375, Stojë Muzakës iu desh të përballonte një sulm të Mark Krajleviçit, i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa sukses të rimerrte Kosturin. Deri në pushtimin përfundimtar nga osmanët, më 1385, qyteti mbeti në duar të Muzakajve, siç e vërteton edhe një mbishkrim ktitorial në kishën e Shën Thanasit, të ngritur më 1382 nga vëllezërit Stojë e Teodor Muzaka. Stoja vdiq në vitin 1384, kurse vëllai i dytë, Teodori, mbeti i vrarë në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, ku kishte shkuar me forca të shumta bashkë me fisnikë të tjerë shqiptarë. Vëllai i madh Gjini, pasi kishte kaluar mjaft vjet në burgun e Kaninës, ku e kishte mbyllur i kunati, Balsha II, vdiq edhe ai para vitit 1390 në një çast rrëmuje e shthurrjeje të principatës. Osmanët tashmë shfaqeshin rregullisht në zotërimet e tyre dhe në zonën e Korçës ata ishin bërë zotër realë të vendit. Zotërimet e Muzakajve u rrudhën kryesisht në viset malore. Mjaft pinjollë të tyre, si djali i madh i Gjinit, Andrea, ishin vendosur në Durrës ku ishin vënë në shërbim të Venedikut.
Periudha e shkurtër e rimëkëmbjes së zotërimit të Muzakajve pas disfatës së osmanëve në betejën e Ankarasë (1402) lidhet me emrin e Teodorit III Muzaka, djalit të Andresë. Ky për disa vjet arriti ta shtrijë përsëri zotërimin e Muzakajve në fushën e Myzeqesë, duke ringjallur për këtë konfliktin e vjetër me Topiajt, posaçërisht me kontin Niketë Topia, i cili gjatë një përpjekjeje më 1412 ra rob i Muzakës.
Me rifillimin e sulmeve osmane zotërimi i Muzakajve u prek rëndë. Më 1417, njëherësh me Vlorën, ra edhe Berati. Teodor Muzaka u kthye nga ajo kohë në vasal të sulltanit dhe pasardhësit e tij me përkrahjen e osmanëve apo të Venedikut, mbajtën një minimum të principatës së dikurshme derisa pas rënies së Shkodrës, më 1478, i fundi i Muzakajve të krishterë, Gjon Muzaka, autori i njohur i Gjenealogjisë së shtëpisë Muzaka (1510), e la vendin dhe u vendos në Mbretërinë e Napolit.

Shteti i Arianitëve
Arianitët ishin një familje e vjetër fisnike. Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit e Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe në lindje arrinin së paku deri në afërsi të Manastirit.
Në burimet historike emri i familjes fisnike të Arianitëve haset për herë të parë në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018) perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini, përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit, Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që u njiheshin privilegjet e mëparshme, është shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.
Për këto figura me mbiemrin Arianiti nuk mund të krijohet një lidhje e sigurt dhe të pohohet se domosdo ata i përkisnin të njëjtit trung familjar. Sidoqoftë, nëpërmjet tyre del qartë së Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër e Shqipërisë Qendrore, nga më të njohurat dhe me ndikim të veçantë në jetën politike të vendit. Rol pozitiv në këtë drejtim kishte zotërimi e kontrolli prej Arianitëve i segmenteve të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) nëpër të cilën lëviznin karvane të shumta për tregtimin e drithit, të kripës e të mallrave të tjera. Për zotërimin e kësaj rruge tregtare shumë të rëndësishme, Arianitët duhet të kenë bashkëpunuar me Pavël Kurtikun, zotërimet e të cilit gjendeshin në krahinat përgjatë rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, si dhe me Andre Gropën, sundimtarin e qytetit të Ohrit. Pozicioni mbizotërues i kështjellës së Ohrit, mbi tërë rajonin e një liqeni shumë të pasur me peshk të cilësisë së lartë, kishte bërë që zotërimi i tij të ishte në qendër të aksioneve politike e ushtarake të zotërve të rajoneve pranë tij.
Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata, prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore dhe filluan të ndiqnin një politikë më aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive osmane.
Krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet në burimet historike edhe me emra të tjerë familjarë, si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e çermenika, si dhe me disa tituj fisnikërie. Titujt ishin të trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet krushqore që kishin krijuar Arianitët me familjet e tjera fisnike, duke përfshirë edhe atë perandorake të Bizantit, siç e tregon mbiemri Komneni. Si familje sundimtare Arianitët kishin edhe simbolet e veta. Shqiponja dykrenare ishte në stemën e tyre. Në një dokument të kohës tregohet se Gjergj Arianiti kishte porositur në Raguzë që të thurej flamuri i tij.
Pema gjenealogjike e Arianitëve nuk mund të ndërtohet saktësisht, që nga periudhat më të hershme, kur ata përmenden për herë të parë. Sipas autorëve të vjetër shqiptarë, Marin Barlecit e Gjon Muzakës, i ati i Gjergj Arianitit ka qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia, zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.
Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut, Mamicën.
Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare të Arianitëve emër e peshë të veçantë në jetën politike të Shqipërisë.
Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që, më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina (ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit. Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin dhe Arianitin) dhe një vajzë.
Zotërimet e Arianitëve, ashtu si dhe ato të fisnikëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhave të ndryshme kanë njohur zgjerime e ngushtime. Pavarësisht nga këto, duke zotëruar segmente të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe të degëzimeve të ndryshme të saj, Arianitët kanë gëzuar një pozitë të veçantë në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e lidhjet që mund të krijoheshin midis rajoneve të ndryshme të vendit dhe forcave politike të tyre. Dëshmi e kësaj janë edhe lidhjet e shumta martesore të Arianitëve me zotërit e tjerë të viseve shqiptare, që ishin kufitare me ato të Arianitëve, si Muzakajt e Kastriotët, apo edhe më të largëta si Dukagjinët e deri me despotin serb, Stefan Brankoviçin, kur ky, pas pushtimit të Despotatit të Rashës prej osmanëve, u vendos në vitin 1459 në Krujë, ku qëndroi për disa vjet pranë Skënderbeut dhe u martua me një vajzë të Gjergj Arianitit.
Për rëndësinë politike dhe ekonomike të shtetit të Gjergj Arianitit dëshmon më së miri martesa e dytë e tij me vajzën e guvernatorit të qytetit të Leçes në Italinë e Jugut, që ishte porti më jugor i krahinës së Puljes dhe, në rrugë detare, më i afërti me bregdetin shqiptar. Interesat ekonomikë në Shqipëri e kanë shtyrë guvernatorin e Leçes të martonte vajzën larg vendit të tij e përtej detit Adriatik, së pari në Korfuz, dhe, pasi mbeti e ve, me Gjergj Arianitin në Shqipëri, që ka qenë eksportuese e rëndësishme drithërash. Shtrirja lindore e shtetit të Gjergj Arianitit ka qenë e thellë. Ajo i ka përfshirë, ose së paku ka qenë kufitare me fushat e Manastirit e të Follorinës, që ishin rajone të prodhimit të bollshëm të drithërave, ku çmimi i shitjes së tij ka qenë më i ulëti se në rajonet e tjera të prodhimit të tij në Shqipëri dhe shumë më i ulët se çmimi i shitjes në Itali. Gjithashtu nën zotërimin e Arianitëve ka qenë, në mos tërësisht, pjesërisht, rajoni i liqenit të Ohrit, prej të cilit siguroheshin të ardhura shumë të mëdha nga peshkimi dhe nga eksportimi i gjerë i peshkut të thatë të cilësisë së lartë, artikull ushqimor ky që ishte shumë i parapëlqyer nga banorët e rajoneve të tjera.
Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Këto synime të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e "Arbërisë së Arianitit", emërtim i përdorur krahas "Arbërisë së Skënderbeut".

Balshajt dhe përpjekjet për një shtet të bashkuar shqiptar
Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza e Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe. Për këtë qëllim, ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt "rebelë" dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Kundër sundimtarëve shqiptarë të Gentës, ai u përpoq të nxiste sundimtarët sllavë si dhe Republikën e Venedikut, e cila i druhej fuqizimit të Balshajve dhe sidomos kthimit të principatës së tyre në një principatë detare. Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Buduës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës. Gjithë pushtetin e Balshajve në këto treva nxitoi ta shfrytëzonte në të mirë të tregtisë së vet Republika e Raguzës, e cila më 1361 u dha tre vëllezërve sundimtarë qytetarinë raguzane. Të njëjtin hap e kreu një vit më vonë edhe Republika e Venedikut, e cila Strazimirin, Gjergjin I dhe Balshën II i pranoi si qytetarë të vet. Megjithatë, Republika e Shën Markut vazhdoi të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte, fshehurazi, një grupim kundërshtar të Balshajve, me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Gjithashtu, Venediku nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarët sllavë, si Stefan Uroshin e Vojsav Vojnovin, që kishin arsye të shqetësoheshin nga fuqizimi dhe shtrirja e zotërimit të princërve shqiptarë.
Përpjekjet për t'i shtrirë kufijtë e principatës drejt jugut, i çuan Balshajt drejt përplasjes me fisnikë të tjerë shqiptarë, Dukagjinët, Zahariajt e sidomos Topiajt, zotër të Arbrit dhe, qysh nga viti 1364, zotër edhe të Durrësit. Përplasja në mes dy principatave më të fuqishme shqiptare u bë e pashmangshme për sa kohë që edhe vetë Topiajt luftonin për të vënë nën kontroll qendrat, që tradicionalisht bënin pjesë në sistemin administrativo-ushtarak të Durrësit, në radhë të parë Lezhën. Në një betejë të zhvilluar aty nga muaji shtator i vitit 1364 Balshajt u thyen nga zotërit e Durrësit dhe vetë Gjergji I Balsha u zu rob. Me ndërhyrjen e Republikës së Raguzës, mike e dy shtëpive fisnike shqiptare, Gjergj Balsha u la i lirë dhe armiqësisë iu dha fund me martesën e Karl Topisë me Katerinën, motrën e Balshajve.
Një qëndresë të fortë ndeshën edhe përpjekjet e Balshajve për t'u zgjeruar në veri të grykës së Kotorrit, dhe sidomos për të pushtuar këtë qytet të fundit. Republika e Venedikut, Mbretëria e Hungarisë, Papati, sundimtarët sllavë të Kanalit, Zaklumjes e të Bosnjës dhe vetë Republika e Raguzës u bashkuan për t'i detyruar Balshajt të hiqnin dorë nga një ndërmarrje e tillë. Në këtë mënyrë, pas vitit 1368 veprimet e vëllezërve Balsha u përqendruan në zgjerimin e zotërimeve të tyre drejt viseve të Kosovës dhe thellë në jug, në despotatin e Vlorës. Duke hequr dorë përkohësisht nga Kotorri, Balshajt arritën një zbutje të marrëdhënieve të tyre me të gjitha fuqitë e interesuara. Me Republikën e Venedikut Balshajt i forcuan lidhjet në fushën tregtare dhe ushtarake. Në vitin 1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre në ritin katolik për forcimin e lidhjeve me Papatin dhe me fuqitë katolike të Perëndimit, si dhe në vazhdën e lidhjeve që princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë) kishin me këta të fundit. Një vit më vonë papa Urbani V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës, u rekomandoi atyre peshkopët e porsaemëruar të Arbrit, Pultit, Sardës (Shurdhahut), Lezhës e të Vlorës. Nëpërmjet këtij fakti, kuptohet se Balshajt ishin bërë atë kohë zotër të Vlorës. Rrethanat e zbritjes së Balshajve në Vlorë mbeten ende të errëta. Por është e sigurt që në themel të kësaj ngjarjeje qëndronte aleanca e Balshajve me zotin e fuqishëm të Beratit, despot Andrea II Muzaka, i cili në atë kohë e zotëronte, ose të paktën e kishte nën kontrollin e tij, qytetin e Vlorës bashkë me kështjellën e Kaninës. Aleanca e Balshajve me Muzakajt e Beratit u vulos me martesën e Komnenë Muzakës, vajzës së despot Andresë, me më të voglin e sundimtarëve të Gentës, Balshën II.
Pavarësisht nga mbështetja që gjetën sidomos në gjirin e fisnikërisë feudale, Balshajt hasën në Vlorë edhe në armiqësinë dhe qëndresën e shtresave të caktuara zejtare-tregtare, të lidhura ekonomikisht e politikisht me interesat veneciane. Pas hyrjes së Balshajve në Vlorë, mjaft nga këta përfaqësues të fisnikërisë qytetare dhe bashkë me ta edhe tregtarë venecianë të Vlorës, e braktisën qytetin dhe u vendosën përkohësisht në Sazan e në zotërime të tjera të Venedikut. Kjo ngjarje shkaktoi një krizë të re në marrëdhëniet e Balshajve me Republikën e Venedikut.
Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja e një aleance të sundimtarëve shqiptarë të viseve të Vlorës, të Beratit, të Përmetit, të Ohrit e të Korçës në luftë me princërit e fundit sllavë, trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme të Dushanit, në radhë të parë me mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur. Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372).
Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më 1375, për ta rimarrë qytetin me ndihmën e osmanëve, dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt, por edhe familje të tjera fisnike të trevave të Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën sovranitetin e Balshajve. Këta të fundit arritën, po në fillim të viteve 70, të shtrijnë sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke shkaktuar përsëri pakënaqësinë e Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës). Në këtë mënyrë, përveç zotërimit të tyre të parë të Gentës, vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.
Republikat e fuqishme të Venedikut e të Raguzës përpiqeshin të mbanin marrëdhënie të mira me Balshajt. Ato u kishin dhënë atyre qytetarinë e vet. Raguza u paguante atyre haraçin e përvitshëm të Shën Dhimitrit, që dikur ua jepte mbretërve të Serbisë. Tribut të tillë u jepte Balshajve edhe qyteti i Kotorrit. Mbreti serb i Rashës apo ai i Bosnjës u ndodhën shpeshherë në vështirësi përballë fuqisë së princërve shqiptarë të Gentës dhe nuk munguan t'u kërkojnë atyre paqe me kushte shpeshherë të rënda.
Qeverisja e zotërimeve të Balshajve realizohej njëherësh nga tre vëllezërit: Strazimiri, Gjergji dhe Balsha II. Aktet zyrtare firmoseshin njëherësh prej tyre dhe vuloseshin me vulën e përbashkët. Në bisedimet e traktativat me fuqitë e huaja ishin si rregull të pranishëm të tre vëllezërit Balsha. Balshajt nuk kishin një rezidencë të ngulur. Ata lëviznin së bashku ose veç e veç nga Ulqini, në Tivar, në Shkodër e në Vlorë. Për muajt e verës ata shpërnguleshin në rezidencën e tyre verore, që ndodhej në malësinë e Tivarit.
Institucioni i bashkëqeverisjes, që ishte karakteristikë si për Balshajt, ashtu edhe për fisnikë të tjerë shqiptarë, ishte një institucion me rrënjë të thella në traditën e familjeve të mëdha partiakale shqiptare të mbështetur në vëllazëritë. Marrëdhëniet midis vëllezërve rregulloheshin në bazë të moshës. Strazimiri, si vëllai më i madh, kishte gjithmonë privilegjin e moshës në marrëdhënie me vëllezërit. Kur ai vdiq, më 1373, në këmbë të tij erdhi dhe u bashkua me Gjergjin I dhe Balshën II djali i tij, Gjergji II. Emri i tij, si më i riu, në aktet zyrtare përmendet pas xhaxhallarëve. Pas vdekjes së Gjergjit I Balsha, më 1378, Balsha II e mënjanoi nga pushteti nipin e tij dhe mori në duart e veta qeverisjen e gjithë zotërimit të Balshajve.
Balshajt kishin një administratë të tyre në bazë dhe në qendër, të përfaqësuar nga njerëz të besuar me tituj fisnikërie, si protovestiar, vojvodë, logotet etj. Ata kishin kancelaritë e tyre, me shkrues, noterë, sekretarë, kishin vulën dhe shenjat e tyre dalluese, që shprehnin pushtetin dhe sovranitetin e tyre.
Aleanca e përkohshme e Balshajve me Karl Topinë nuk mundi t'i largojë për shumë kohë projektet e tyre për t'u shtrirë në kufitjtë e Arbrit të vjetër dhe në Durrës. Tashmë Principata e Topisë krijonte një ndërprerje të zotërimeve të tyre veriore me ato jugore dhe i ndante Balshajt nga vasalët dhe aleatët e tyre të jugut. Në këtë mënyrë, në vitin 1383, Balsha II u përpoq dhe ia doli mbanë të shtinte në dorë qytetin dhe rrethinat e Durrësit, duke realizuar një ëndërr të vjetër, që qysh në shek. X-XI ishin përpjekur ta realizonin përpara Balshajve edhe princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë). Sundimtari i Durrësit dhe i Arbrit, princi Karl Topia, u detyrua të tërhiqej në kështjellën e Krujës. Balsha II këtej e tutje i shtoji emrit të tij edhe titullin e "dukës së Durrësit" (dux Dyrrachii), duke ringjallur kështu një institucion të vjetër bizantino-venecian. Në këtë mënyrë, zotërimet veriore të Balshajve dhe ato jugore u lidhën midis tyre me një vazhdimësi territoriale, duke krijuar formacionin më të madh mesjetar shqiptar që ishte deri në atë kohë.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #21 më: 18-02-2005, 08:32:27 »

Principata e Shkodrës në kohën e brezit të dytë të sunduesve Balshaj
Në çastin e fuqizimit dhe të shtrirjes së tij më të madhe, shtetit të Balshajve iu desh të ballafaqohej me mësymjen gjithnjë e më intensive të sulltanëve osmanë.
Në vjeshtë të vitit 1385, një ushtri osmane, nën komandën e Hajredin Pashës, depërtoi në zotërimet jugore të Balshajve dhe iu drejtua Vlorës. Në Savër forcat e mbledhura me ngut nga Balsha II u ndeshën me osmanët, duke pësuar një humbje katastrofale. Vetë Balsha II ra në fushën e betejës. Nën goditjet e vazhdueshme të osmanëve dhe si rezultat i shkëputjes së zotërimeve të vogla të vasalëve të dikurshëm shteti i Balshajve u rrudh së tepërmi. Nipi i Balshës II, Gjergji II Strazimir Balsha (1385-1403), mundi të shpëtojë pjesërisht zotërimet e Gentës. Ato të Kosovës, në pjesën më të madhe, ranë në dorë të princërve sllavë, vasalë të sulltanit. Në Vlorë dhe në territorin e saj vazhdoi të sundojë e veja e Balshës II, Komnenë Muzaka - Balsha, e cila nuk kishte lidhje varësie me Gjergjin II Balsha. Durrësin e shtiu përsëri në dorë princi Karl Topia, por edhe ky, tashmë nën presionin e vazhdueshëm osman, e kishte humbur pushtetin e dikurshëm. Përpjekjet e Gjergjit II, në fillimet e sundimit të tij, për të shtrënguar lidhjet me Republikën e Venedikut ndeshën në ftohtësinë e kësaj të fundit. Për rrjedhojë, princi shqiptar u afrua me Republikën fqinje të Raguzës, që i rikonfirmoi qytetarinë raguzane, dhe me princ Llazarin e Rashës. Vajza e këtij të fundit u bë gruaja e Gjergjit. Në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve të tjerë shqiptarë e ballkanas. Tre vjet më vonë, më 1392, në një përpjekje me forcat osmane Gjergji II Balsha ra rob i tyre dhe, kundrejt lirimit të tij, u lëshoi Shkodrën. Një vit më vonë, më 1393, Radik Gjurashi (Cërnojeviçi) i mori Balshës Buduën. Tashmë Gjergjit II i mbetën vetëm Ulqini dhe Tivari. Psikoza e pushtimit të afërm osman shtyu në atë kohë masa të tëra njerëzish të braktisnin qytetet e Shkodrës, Lezhës, Tivarit e të Ulqinit dhe t'i drejtoheshin bregdetit dalmat.
Gjithnjë e më shumë i izoluar nga fuqitë e huaja dhe nga njerëzit e tij Gjergji II i propozoi Venedikut dorëzimin e Shkodrës. Republika që nuk deshi të implikohej hapur me këtë ndërmarrje, e inkurajoi Balshën në këtë drejtim, duke e bërë edhe qytetar të saj (maj 1395). Në fillim të shtatorit 1395 Shkodra u hoq nga duart e komandantit osman, Shahin, dhe kaloi përsëri nën sundimin e Gjergjit II Balshës. Këtë qytet, bashkë me kështjellat e afërta të Drishtit, Dejës e Shasit (Suaçit), si dhe territorin e tyre, Gjergji II i dorëzoi në duart e Venedikut (prill 1396). Pinjolli i Balshajve mbajti për vete viset e Tejbunës, me Ulqinin e Tivarin. Për viset e lëshuara ai do të merrte një provizion (shpërblim në para) vjetor nga Republika e Venedikut.
Heqja dorë nga territore të rëndësishme në dobi të Republikës së Venedikut, në një moment të vështirë për të, u duk se të paktën i siguroi Gjergjit II Balsha më në fund miqësinë e Republikës së detrave. Gjergji u pranua në gjirin e fisnikërisë veneciane dhe të Këshillit të Madh të Republikës. Me këmbënguljen e tij, atij iu lejua që të ngrinte flamurin venecian në zotërimet e mbetura Tejbunës, gjë që do të thoshte se ato viheshin nën mbrojtjen veneciane. Venediku gjithashtu hoqi dorë nga përkrahja që u kishte dhënë deri atëherë rivalëve të Gjergjit II, në radhë të parë Radik Gjurashit (Cërnojeviçit). Në këtë mënyrë, Cërnojeviçi u ndodh i vetëm përballë hakmarrjes së Balshës, i cili që në fund të muajit prill 1396 e sulmoi në zotërimet e tij, duke e lënë edhe atë vetë të vrarë. Po ashtu, ai vuri nën trysni edhe kundërshtarët e tjerë të rrezikshëm të tij, si Dukagjinët, Jonimët e Zahariajt, si dhe princin serb Vuk Lazareviç, që synonte t'i rrëmbente zotërimet Balshës. Të gjithë këta zotër, kush më shumë e kush më pak, ishin kthyer në vasalë të sulltan Bajazitit I.
Afrimi i Venedikut nuk e ndaloi Gjergjin II të vazhdonte lidhjet tradicionale me kundërshtarët e Republikës detare, me Raguzën dhe Mbretërinë e Hungarisë. Si njëra dhe tjetra vazhduan ta mbështesin princin shqiptar (princeps Albaniae), siç e quante atë mbreti Sigizmund i Hungarisë.
Nga ana tjetër, Gjergji II u mundua deri në fund të ruante një farë distance nga osmanët. Ndryshe nga mjaft fisnikë shqiptarë dhe shumë të tjerë ballkanikë, ai nuk shkoi të ndihmojë sulltan Bajazitin I në betejën e Ankarasë kundër mongolëve të Timurlengut. Gjergji II Balsha vdiq aty nga fillimi i vitit 1403 në qytetin e tij të Ulqinit.
Më i shquari nga brezi i dytë i Balshajve ishte pa dyshim djali i Gjergjit II, Balsha III (1403-1421). Një nga aktet e para të këtij, pasi mori frenat e pushtetit, ishte pikërisht rifitimi i Shkodrës dhe i qendrave të tjera të principatës, tashmë në dorë të Venedikut.
Në tetorin e vitit 1404 Shkodra dhe Drishti u morën me sulm nga Balsha. Republika e Venedikut u detyrua të mobilizonte flotën e saj dhe ta dërgonte urgjentisht në Shkodër. Njëherësh ajo joshi dhe shkëputi nga Balsha III aleatë e vasalë të tij, si Dukagjinët, Zahariajt, Jonimët, Gjurashët e Gentës së Sipërme. Në këtë mënyrë, kundërmësymja e Venedikut përfundoi në korrik 1405 me ripushtimin e Shkodrës e të Drishtit, si dhe të Ulqinit, Tivarit e të Buduës. Megjithatë, të ndërgjegjshëm për mbështetjen që kishte në të gjithë atë trevë Balsha III, i cili në shkurt-mars 1407 rifilloi sulmet kundër tyre, venecianët u treguan të gatshëm t'i ofronin atij një paqë. Me ndërmjetësinë e Niketë Topisë, vjehrrit të Balshës, paqja u nënshkrua në qershor 1408 në kishën e Shën Laurentit, jashtë mureve të Durrësit. Garantë të paqes ishin ndër të tjerë Niketë Topia, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Kastrioti e Merksha i Vlorës. Venediku pranoi t'i lëshonte Balshës Buduën me rrethina, si dhe viset e Tejbunës. Venediku pranoi t'i jepte Balshës III një provizion vjetor prej 1 500 dukatësh. Të dyja palët u morën vesh të bënin një amnisti të përgjithshme dhe të shkëmbenin robërit e luftës.
Por Venediku nuk vonoi t'i shkelte kushtet e paqës. Në vitin 1410 ai nënshkroi një paqe të shumëkërkuar me osmanët. Provizionin që i paguante si Gjergjit II Balshës, edhe Balshës III për qytetin e Shkodrës Venediku ua kaloi osmanëve. I mbështetur nga popullsia e pakënaqur e viseve të Shkodrës, të Ulqinit e të Tivarit dhe nga mjaft krerë shqiptarë, që u bashkuan me të, Balsha III rifilloi sulmet mbi zotërimet e Venedikut. Një flotë e tij arriti, madje, të depërtonte në Bunë dhe të futej në liqenin e Shkodrës në mars 1410. Megjithëse të mbështetur nga komandanti osman i Shkupit, Bajaziti, venecianët nuk ishin në gjendje t'u bënin ballë sulmeve të Balshës, që mbështetej nga kryengritja që kishte përfshirë gjithë trevat veriperëndimore shqiptare. Me porosi të Senatit, kapiteni i flotës së Adriatikut, Pjetër Loredani, i ofroi Balshës kushtet e paqes të vitit 1408. Por ndërkohë pozitat e këtij të fundit ishin forcuar së tepërmi. Mjaft nga krerët shqiptarë të malësive të Buduës, të Tivarit e të Shkodrës qenë bashkuar me të. Njëherësh, sundimtari i fuqishëm i Bosnjës, Sandali, që ishte bërë njerku i tij pas martesës me nënën e Balshës, Helenën (dhjetor 1411), filloi të bënte presion mbi Venedikun që t'i kthente zotërimet atërore thjeshtrit të tij. Si rrjedhim, brenda vitit 1412 Balsha mundi të shtinte në dorë qytetet e Tivarit e të Shkodrës. Venedikut s'i mbetej tjetër veçse të ulej në tryezën e bisedimeve me sundimtarin shqiptar. Në paqen e arritur midis tyre në nëntor 1412 Balshës i njihej e drejta e zotërimit të Buduës, të Ulqinit e të Tivarit (por duhej të linte Shkodrën) kundrejt dhënies së provizionit vjetor prej 1 000 dukatesh. Balsha, nga ana e tij, zotohej të hiqte dorë nga çdo pretendim tjetër territorial, të pushonte sulmet mbi kështjellat dhe njerëzit e Venedikut dhe të mos hakmerrej ndaj shtetasve të tij që kishin bashkëpunuar me këtë të fundit. Në fakt, Balsha II nuk iu përmbajt kësaj klauzole të fundit. Ai zuri, vrau, gjymtoi dhe torturoi mjaft burra nga bashkësitë e Hotëve, Tuzëve, Bitidosëve, Matagushëve. Nga ana tjetër, ai ndihej aq i fuqishëm sa të vazhdonte të sulmonte anijet, karvanet e deri forcat e kështjellat e Venedikut. Në fillim të vitit 1419 Balsha III rrethoi Drishtin dhe qyteti, veç kështjellës së sipërme, u mor prej tij në qershor të po atij viti. Ndihma që osmanët i dërguan sakaq garnizonit venecian të Drishtit (rreth 8 mijë ushtarë) nuk luajti rol. Më 25 gusht 1419 garnizoni venecian i qytetit me podestan Korrer në krye iu dorëzua sundimtarit shqiptar, i cili e vazhdoi paskëtaj mësymjen në Shkodër, duke shtënë në dorë territorin jashtë qytetit. Oferta që ai i bëri Republikës për të nënshkruar një paqe kundrejt lëshimit të Shkodrës nuk u pranua nga kjo e fundit. Në fund të vitit 1420 Balsha III sulmoi Kotorrin, rival i përhershëm i Balshajve, që po atë vit kishte pranuar sundimin e Venedikut. Ndihma që Balsha priste t'i vinte nga veriu prej njerkut të tij, Sandalit të Bosnjës, nuk u duk dhe, në betejën e ashpër që u zhvillua në janarin e vitit 1421 jashtë mureve të qytetit, ushtria e Balshës u thye keqas. Disa muaj më vonë pinjolli i fundit i Balshëve vdiq (26 prill 1421) pa mundur të rikrijonte zotërimin e pavarur të paraardhësve të tij të mëdhenj.

Dukagjinët dhe shtrirja e tyre
Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë qenë një familje fisnike e rëndësishme, prandaj emrin familjar të tyre e trashëguan ndër shekuj rajone të gjera fushore e malore të Shqipërisë së Epërme, si edhe e drejta dokesore shqiptare e këtyre viseve. Për ta kanë qarkulluar edhe gojëdhëna mesjetare, të cilat, pavarësisht nga sfondi fantazist i tyre dhe kronologjia e gabuar që kanë, dëshmojnë se Dukagjinët kanë qenë një familje e vjetër fisnike, e cila ka ndikuar në jetën politike shqiptare, madje edhe më tej.
Në një kronikë raguzane është dhënë një gojëdhënë, sipas së cilës në shek. VII Dukagjinët kishin shkaktuar kryengritje në Bosnjë dhe dy herë kishin ndërhyrë në Raguzë. Një gojëdhënë e dytë gjendet në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Sipas saj Dukagjinët rridhnin nga një njeri me prejardhje trojane i vendosur në Francë, që quhej Dukagjin. Ky ishte nisur me kryqtarë të tjerë nga Franca për të çliruar Jeruzalemin, por, me të arritur në Shqipëri, Dukagjini pushtoi Zadrimën, krahinat rreth saj dhe u bë sundimtar i tyre. Gojëdhëna vijon me vrasjen e Dukagjinit prej vasalëve të vet dhe tregon se si djali i tij i mitur u fsheh për të rimarrë më pas zotërimet atërore.
Mbiemri Dukagjin përbëhet nga dy emra vetjakë: Dukë dhe Gjin. Këta emra gjatë mesjetës kanë qenë shumë të përhapur te shqiptarët si emra vetjakë e familjarë, gjithandej ku ata banonin. Ka studiues që mbiemrin Dukagjin e lidhin me titullin e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Sipas tyre mbiemri Dukagjin lidhet me një personazh historik, me "dukën arbër Gjin Tanushin" (dux Ginius Tanuschius Albanensis), i cili në një dokument të vitit 1281 përmendet si kundërshtar dhe i burgosur politik i pushtetit anzhuin në Shqipëri. Vetëm pas një shekulli shfaqet për herë të parë emri familjar Dukagjini. Këtë mbiemër (llagap) e kanë mbajtur gjatë shek. XV një varg njerëzish të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Dukagjinët kanë pasur edhe një mbiemër të dytë, Perlati, që është përdorur vetëm një herë, në një dokument të vitit 1402.
Nëpërmjet shqyrtimit të burimeve historike njihen dy degë fillestare të pemës gjenealogjike të Dukagjinëve, të cilave ende nuk u dihet prindi i përbashkët.
Emri familjar Dukagjini del për herë të parë në një dokument raguzan të vitit 1377 për një njeri me disa mbiemra "Nikollë Stefan Tuderoviç Dukagjini" (Nicolaus Stephani Tuderovich Ducaghin). Ky mund të jetë paraardhësi i njërës degë fillestare të Dukagjinëve. Përfaqësuesi i sigurt i njërës degë është Gjergji, që përmendet në vitin 1403 si proniar i dy fshatrave pranë Lezhës (Balldre dhe Kakarriq) dhe si komandant i një trupe prej 40 kalorësish dhe njëqind këmbësorësh. Gjergji ka vdekur para vitit 1409 dhe, sipas Gjon Muzakës, ka pasur tre djem (Gjergjin, Tanushin dhe Nikollën). Dokumentet e kohës japin vetëm njërin prej tyre, Nikollën. Emri i Nikollës del në vitin 1409. Ai në fillim të viteve 30 u ngrit në luftë kundër serbëve dhe osmanëve dhe i dëboi ata nga Deja. Më pas mori pjesë në kryengritjen çlirimtare të vitit 1443 dhe në Kuvendin e Lezhës, ku u bë personazh politik i rëndësishëm i vendit. Nikollë Dukagjini ka vdekur gjatë viteve 1452-1454. Djemtë e tij, Draga dhe Gjergji, nuk arritën të kishin veprimtari politike, sepse në vitin 1462 u vranë. Si pasardhës i vetëm i tyre mbeti djali i mitur i Gjergjit, Nikolla, i cili hyri në shërbim të Venedikut.
Emrat e paraardhësve të degës tjetër të Dukagjinëve janë shkruar në një dokument raguzan të vitit 1387. Në të është treguar se vëllezërit Lekë e Pal Dukagjini ishin zotër të Lezhës dhe se ata u siguronin raguzanëve kalimin nëpër trevat e tyre shqiptare.
Pal Dukagjini ka vdekur para vitit 1393 dhe la pesë djem: Tanushin e Vogël, Progonin, Palin, Andrean dhe Gjonin. Pali përmendet vetëm në një dokument të vitit 1402, ku dëshmohet se gjatë kthimit nga Venediku, ai është vrarë në Dalmaci. Kurse emrat e Progonit dhe të Tanushit të Vogël janë shënuar për herë të parë në të njëjtin dokument (1393). Progoni ka vdekur në vitin 1394, kurse Tanushi i Vogël para vitit 1433. Ky ka qenë së bashku me Gojçin Gjurashin dhe Kojë Zaharinë për të mbrojtur tokat shqiptare nga pushtimi serb i Despotatit të Rashës. Andrea del në vitin 1406, kur Venediku i riktheu një dajlan në Shkodër, që e kishte marrë me ankand. Po me koncesion të Venedikut ai kishte edhe prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Në fillim të vitit 1416 Andrea përmendet si i vdekur, kurse vëllai i tij, Gjoni, ishte prift dhe kishte prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Emri i Gjonit përmendet për herë të fundit më 1446. Koncesionet e Venedikut për pronat zakonisht trashëgoheshin. Prandaj Andrea duhet të ketë pasur djalë sipërmarrësin Budomir, i cili në vitet 20 të shek. XV ishte qiramarrës i dajlaneve të Shkodrës dhe, krahas tregtimit të peshkut, merrej edhe me tregtinë e metaleve që prodhoheshin në Kosovë dhe që përdoreshin gjerë në jetën e përditshme. Kështu, me argjendin e Kosovës, krahas monedhave dhe zbukurimeve, bëheshin edhe objekte të tryezës së ngrënies, si lugë, kupa, poçe, tasa etj. Një pasardhës i tyre, Budomiri, mori pjesë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës më 1478. Pas rënies së qytetit gruaja dhe tre fëmijët e tij u strehuan në Venedik.
Të dhënat burimore të drejtpërdrejta për degët gjenealogjike të Dukagjinëve, mund të plotësohen edhe me të dhëna të tërthorta. Gjatë viteve 30 të shek. XV shfaqet Vukë Dukagjini si figurë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës, të cilit iu bënë dhurata nga administrata shtetërore e Raguzës në vitin 1433. Veç këtij, dalin edhe banorë të tjerë të qytetit të Shkodrës me mbiemrin Dukagjini, që janë dërguar herë pas here në Venedik si përfaqësues e mbrojtës të interesave të bashkësisë shkodrane pranë autoriteteve shtetërore veneciane. Njëri përmendet në vitin 1431 vetëm me emrin familjar Dukagjini, një tjetër, Teodor Dukagjini, në vitin 1458 është dërguar në Venedik etj. Ngarkimi i Dukagjinëve me misione të tilla të rëndësishme nga bashkëqytetarët tregon se ata respektoheshin shumë prej tyre dhe se ishin të arsimuar dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja. Dy Dukagjinët e parë (që mund të jenë i njëjti njeri, Vuku), duhet të jenë djem të Budomirit. Për Teodorin nuk dihen lidhjet familjare; ai mund t`i përkiste edhe degës së mësipërme ose një dege tjetër, sepse mund të ishte nip i Tanushit të Madh. Teodori është vrarë në luftë për mbrojtjen e Shkodrës gjatë vitit 1478.
Dega gjenealogjike e Lekë Dukagjinit ka lënë shumë gjurmë në jetën politike të Shqipërisë gjatë shek. XV. Vetë Leka ka të njëjtin vend në burimet historike sa edhe vëllai i vogël i tij, Pali. Të dy këta përmenden bashkë si zotër të Lezhës (1387) dhe si të vdekur (1393). Leka la pas dy djem dhe një vajzë: Progonin, Tanushin e Madh dhe Boksën, e cila u martua me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë.
Progoni dhe Tanushi i Madh, në emër të tyre dhe të dy djemve të xhaxhait të vdekur, Palit (djem të të cilit ishin Tanushi i Vogël dhe Progoni), i dorëzuan Lezhën Venedikut në vitin 1393. Progoni u martua me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, dhe u vu në shërbim të Venedikut si kështjellar i Shasit, ku mbeti i vrarë para vitit 1402. Tanushi i Madh u vendos familjarisht në Shkodër, u emërua vojvodë i rrethinave të saj dhe më pas pati mosmarrëveshje me autoritetet veneciane të qytetit. Për këtë shkak dhe me akuza të trilluara për bashkëpunim me osmanët, edhe pse ishte një personalitet që gëzonte autoritet në Shqipëri, Tanushi i Madh u burgos, u torturua, u dërgua si i dënuar në Venedik dhe, për mungesë provash fajësie, iu rikthyen pasuritë e konfiskuara. Megjithatë, më 1438, ai u internua në Padovë dhe pas këtij viti nuk ka të dhëna për jetën e tij.
Tanushi i Madh ka pasur në vitin 1435 katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza: Palin, Lekën, Kalen dhe një vajzë të vogël 14-vjeçare, emrin e së cilës nuk e përmend. Dy djemtë e tij, edhe pse ishin fëmijë të ligjshëm, janë cilësuar nga Gjon Muzaka si Dukagjinë "jo të vërtetë" për shkak të kundërshtive që lindën në gjirin e Dukagjinëve. Më i vogli i djemve, Leka, nuk del si figurë politike e rëndësishme. Ai ka lindur në vitin 1420 dhe për herë të fundit përmendet në vitin 1451 si kundërshtar i Venedikut. Nuk dihet nëse ka lënë pasardhës. Vëllai i tij, Pali (1411-1458), për të cilin Gjon Muzaka rrëfen se është edukuar pranë Gjon Kastriotit, ka qenë aktiv në jetën politike. Ai ka marrë pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe që në fillim është bashkuar me Skënderbeun. Pali ka pasur katër djem: Lekën, Nikollën, Progonin dhe Gjergjin. Emri i Gjergjit del vetëm në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Progoni përmendet në vitin 1471 si i vdekur. Leka u bë personazh i rëndësishëm i jetës politike të Shqipërisë. Në vitin 1456 ai i dëboi qeveritarët venecianë nga Deja e nga Shasi, u bë bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe vijoi luftën kundër osmanëve edhe në vitet 70. Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët (1479), Leka dhe vëllai i tij, Nikolla, mërguan në Itali dhe u rikthyen në vitin 1481 për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Leka ka pasur ndikim të madh te banorët e Shqipërisë së Epërme. E drejta dokesore shqiptare lidhet me emrin e tij. Një pasardhës i vëllezërve Dukagjini, që jetonte në Itali, Progoni, në vitin 1501 është kthyer në atdhe për të udhëhequr kryengritjen antiosmane që shpërtheu në Shqipërinë e Epërme. Më pas ai bëri marrëveshje me osmanët dhe mori prej tyre titullin e pashait, si edhe qeverisjen e një pjese të zotërimeve të Dukagjinëve.
Krahas Dukagjinëve të mësipërm, të cilëve drejtpërdrejt ose tërthorazi u njihen degët gjenealogjike, në dokumentet e shek. XV dalin edhe njerëz të tjerë me mbiemrin Dukagjini. Në Durrës jetonte Rask Dukagjini, për të cilin dokumente të vitit 1408 dhe 1410 tregojnë se ishte rrogëtar i Venedikut dhe me një trupë kalorësish të vet ruante dhe mbronte Durrësin. Në Raguzë ka banuar Stipan Dukagjini, i cili në vitin 1408 ka lënë testamentin e vet. Stipani duhet të ketë qenë pronar kopshtiesh në Raguzë, sepse në vitin 1406 përmendet një pronar i tillë vetëm me mbiemrin Dukagjini, që mbante shërbyese në shtëpi. Në letra të papës përmenden gjatë vitit 1492 Luka dhe Stefan Dukagjini, kurse në vitin 1499 del një tjetër Dukagjin si pronar i një anijeje që transportonte drithë nga Pirgu në Kotorr.
Vetëm një herë fjala Dukagjin është gjetur si emër vetjak në një dokument të vitit 1446 për një banor të fshatit Mogulsi, Dukagjin Mogulsi. Gjatë shekujve që pasuan emri familjar Dukagjini vijoi të përdorej te shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare.
Disa anëtarë të familjes së madhe fisnike Dukagjini u islamizuan dhe në shek. XV ata arritën të zinin poste shumë të larta në administratën osmane. Gjatë shek. XVI në tërë Perandorinë Osmane shkëlqyen edhe dy poetë, Jahja Beu dhe Ali Beu, që i shkruan veprat e tyre osmanisht. Në këto vepra ata kanë shënuar edhe emrin familjar të tyre, Dukagjini, që dëshmon edhe përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare.
Dukagjinët kanë pasur si stemë të tyre një shqiponjë të bardhë njëkrenore. Ata kanë gëzuar vend parësor në radhët e fisnikërisë vendase dhe janë respektuar nga elita drejtuese shqiptare gjatë shekujve të mesjetës. Këtë e dëshmojnë lidhjet martesore, edhe pse njihen pak prej tyre.
Djali i Lekë Dukagjinit, Progoni, ishte martuar me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, ndërsa vajza e Lekës, Boksa, ishte martuar me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë. Në Përkujtesën e Gjon Muzakës përmenden disa lidhje martesore të Dukagjinëve me Muzakajt dhe me Arianitët. Gjon Muzaka ka shkruar se kishte për grua Marie Dukagjinin, por nuk ka treguar atësinë e saj. Motra e tij, që ishte martuar tek Arianitët, Suina, e ka martuar vajzën e saj, Jelën, me "Lekë Dukagjinin, të quajtur Kolë Dukagjini", pa treguar atësinë e këtij. Po sipas Gjon Muzakës, tri vajza të Gjergj Arianitit, Kiarina, Elena dhe Dhespina, ishin martuar përkatësisht me Nikollë Dukagjinin, Gjergj Dukagjinin dhe Tanush Dukagjinin. Një motër e tij ishte martuar me Pal Dukagjinin.
Trojet e Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Epërme. Ato kanë ndryshuar duke u zgjeruar ose duke u ngushtuar, në varësi të jetës së trazuar politike të shek. XIV-XV. Dukagjinët kanë qenë një familje e madhe fisnike. Në krye të tyre kanë qëndruar një ose dy persona, të cilët janë zëvendësuar nga pinjollë të tjerë më energjikë. Trojet e tyre Dukagjinët i kanë administruar herë si zotër të pavarur dhe herë si vasalë të sundimtarëve më të fuqishëm.
Për sa kohë që në shtetin e Balshajve janë përfshirë trojet e Dukagjinëve, këta nuk përmenden në dokumentet e kohës. Pas betejës së Savrës të vitit 1385, që çoi në rrudhjen e shtetit të Balshajve, Dukagjinët dalin si zotër të pavarur në Lezhë dhe zhduket anonimiteti i tyre. Në vitin 1387 ata kanë ftuar tregtarët raguzanë të kalonin nëpër trojet e tyre. Kjo dëshmon se nën pushtetin e Dukagjinëve ishin krahinat përgjatë rrugës së rëndësishme Lezhë-Prizren, si edhe të dy këto qytete. Praninë e pushtetit të tyre në Prizren e dëshmon, sipas rrëfimit të Marin Barlecit, përmendorja e ngritur në këtë qytet në përkujtim të Nikollë Dukagjinit. Në veri të trojeve të Dukagjinëve kanë qenë trojet e dhëndrit të tyre, Kojë Zaharisë. Kështu Dukagjinët kanë zotëruar për një periudhë kohe, ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte nga Deja, përpjetë rrjedhjes së Drinit për në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata duhet të kenë zotëruar edhe Pejën.
Vërshimi i ushtrive osmane në Shqipërinë e Epërme dhe pushtimi përkohësisht prej tyre në vitin 1393 i Krujës, i Ulqinit, i Shkodrës dhe i Dejës, ndonëse Dukagjinët arritën ta mbronin Lezhën dhe dolën kështu si forcë antiosmane, i dobësoi pozitat e tyre si zotër të pavarur. Prandaj Lezhën ata ia dorëzuan Venedikut në vitin 1393 dhe bashkë me të Dukagjinët humbën kontrollin e rrugës Lezhë - Prizren, por jo ndikimin e tyre në këtë rajon.
Rruga e mësipërme dhe krahinat përgjatë saj, me miratimin e pushtuesve osmanë, kaluan në duart e Dhimitër Jonimës, i cili i kishte ndihmuar ata për pushtimin e Shkodrës. Jonimët ishin një familje e vjetër fisnike. Një pinjoll i saj përmendet për herë të parë në fillim të shek. XIII si vasal i princit Dhimitër të Arbrit dhe një Jonimë i dytë shfaqet në fund të atij shekulli si sebast që, bashkë me disa fisnikë të tjerë shqiptarë, kishte nënshkruar një marrëveshje (1274) me mbretin e Sicilisë, Karlin I Anzhu. Pas një shekulli, në vitin 1394, burimet historike na japin fisnikun e fuqishëm me emrin Dhimitër Jonima. Ky kishte dy kështjella, emrat e të cilave nuk njihen, portin dhe qendrën doganore të Shufadasë në grykëderdhjen e Matit dhe një forcë ushtarake prej dyqind kalorësish e katërqind e më shumë këmbësorësh. Në veri zotërimet e Dhimitrit ishin në kufi me trojet e Kojë Zaharisë. Duke njohur ndikimin që kishin Dukagjinët në këtë rajon, Dhimitër Jonima krijoi marrëdhënie të mira me ta dhe u bë shprehës edhe i kërkesave të tyre pranë kancelarive të huaja, sidomos ndaj Venedikut. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie të mira edhe me fqinjin e tij të fuqishëm, Gjon Kastriotin. Për herë të fundit, Dh. Jonima përmendet si zot i Shufadasë më 1409, vit kur ai duhet të ketë vdekur. Paskëtaj Shufadaja dhe krahinat përgjatë rrugës Lezhë-Prizren janë përfshirë tërësisht në shtetin e Gjon Kastriotit. Ky e ruajti bashkëpunimin me ata anëtarë të familjes Jonima që mbetën në zonën e Lezhës, sepse shumica e tyre jetonin në rajonin e Shkodrës. Dhimitër Jonima është përmendur edhe pas vdekjes. Një pjesë e zotërimeve të tij janë regjistruar në kadastrat osmane të mëvonshme me emrin vilajeti i Dhimitër Jonimës.
Një vit pas vdekjes së Dhimitër Jonimës, më 1410, janë bërë përpjekje të pasuksesshme që Lezha të kalonte në duart e Tanush Dukagjinit. Pas kësaj veprimtaria politike dhe ekonomike e Dukagjinëve është përqendruar kryesisht në rajonin e Shkodrës, ku gjendeshin edhe familje të tjera fisnike, si Spanët, Jonimët, Zahariajt etj.
Në veprimtarinë politike të Zahariajve ka pasur një peshë të veçantë Boksa Dukagjini, gruaja e Kojë Zaharisë. Për herë të parë emri i familjes fisnike Zaharia del në vitet 1318-1320 te peshkopi i Shasit. Pas peshkopit, burimet historike na njohin në fund të shek. XIV me Kojë Zaharinë. Veprimtaria politike e Kojës është e ngjashme me atë të Dhimitër Jonimës dhe të dy këta kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Koja përmendet në vitin 1396 si zot i kështjellës së Shasit, dhe, më pas, si zot i Dejës e i ngushticave të rrugës përgjatë Drinit. Zotërimet e Kojë Zaharisë kufizoheshin në lindje me viset e pushtuara nga osmanët. Koja ka qenë vasal i tyre dhe kundërshtar i despotëve serbë të Rashës. Koja ka pasur një djalë, Lekën.
Në këto treva shqiptare janë ndërthurur interesat e Zahariajve me ato të Dukagjinëve, që kufizoheshin me njëri-tjetrin. Ndërmjet këtyre dy familjeve fisnike, që jo rastësisht kanë qenë në krushqi, përgjithësisht ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë. Pas vdekjes së Lekë Zaharisë në vitin 1444, meqenëse djali i tij, Koja, ishte i mitur, gjyshja e këtij, Boksa, doli në krye të familjes. Ajo kërkoi mbështetjen e Venedikut, duke i dorëzuar Republikës së Shën Markut Dejën, Shasin etj. Zotërimet që mbetën nga trashëgimia e Lekë Zaharisë kaluan në duart e Dukagjinëve. Këta morën në zotërim rrugën tregtare dhe krahinat përgjatë luginës së lumit Drin, si edhe një pjesë të konsiderueshme të Rrafshit të Dukagjinit. Përkohësisht këto krahina ishin pushtuar nga Despotati i Rashës dhe, pas shembjes së tij më 1439, u rimorën nga Zahariajt e Dukagjinët.
Në veri të Dukagjinëve dhe të Zahariajve shtriheshin trojet shqiptare të Spanëve, që kanë qenë familje fisnike shumë e madhe. Emri familjar i tyre shfaqet për herë të parë në vitin 1322 te një shkodran. Në radhët e Spanëve kishte pronarë tokash, tregtarë, klerikë etj. Mbiemrin e tyre e mbanin edhe një varg familjesh të thjeshta. Si veçori e përbashkët e familjeve Spani, krahas mbiemrit, ishte se thuajse që të gjitha ato banonin në krahinat pranë Rrugës së Gentës. Spanët kanë jetuar në qytetet dhe në krahinat e Shkodrës, Drishtit, Pultit, Pejës, Trepçës etj. Një trevë në veri të lumit Drin del në dokumentet e fundit të shek. XV me emrin e përfaqësuesit më në zë të kësaj familjeje, Pjetër Spanit (nahija e Pjetër Spanit), i cili ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës.
Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve, Zahariajve e Spanëve, në Shqipërinë e Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të tjera me peshë në jetën politike shqiptare, veçanërisht gjatë shek. XV. Këto familje kanë qenë Gjurashët (Cërnojeviçët), Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët etj.
Të gjitha këto familje shqiptare kanë dalë në skenën politike në një periudhë shumë të trazuar, të shkaktuar prej ndërhyrjeve e pushtimeve të shteteve të huaja. Gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, për jetën politike të Shqipërisë së Epërme kanë qenë si më rrënimtare dy shtete: Perandoria Osmane dhe Despotati i Rashës, që ishte shtet vasal i të parit, madje një nga gratë e sulltan Muratit II ka qenë edhe vajza e despotit serb. Pas vdekjes së Balshës III (1421), sundimtarët serbë, deri më 1439 kur u shkatërrua Despotati i Rashës, i zhvendosën kufijtë dhe dolën në bregdetin shqiptar, nga Kotorri deri në Tivar, si edhe në rrethinat e Shkodrës, ku pushtuan Drishtin. Përballë fuqisë ushtarake të papërballueshme osmane një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim të rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë (zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën), Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #22 më: 18-02-2005, 08:32:39 »

Shteti i Gjon Kastriotit
Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese më e rëndësishme e jetës politike dhe ushtarake të Shqipërisë në shek. XV.
Për pemën gjenealogjike, vend-origjinën dhe veprimtarinë e Kastriotëve gjatë shek. XIV dihet fare pak. Prandaj, për këto çështje, mendimet e historianëve kanë qenë të ndryshme.
Për herë të parë përmendet një Kastriot në vitin 1368 si kështjellar i Kaninës. Ka studjues që shohin te ky kështjellar një paraardhës të Kastriotëve të mëvonshëm, që është dëbuar nga pronat e veta. Një mendim i tillë duhet pranuar si supozim, sepse nuk ka lidhje me të dhënat për Kastriotët që japin më pas burimet historike. Prej disa familjeve shqiptare, që emigruan në Itali, Kastriotët njihen edhe me një mbiemër të dytë: Mazreku.
Sipas dy historianëve më të hershëm shqiptarë, Marin Barlecit e Dhimitër Frëngut, Kastriotët ishin nga Mati që, sipas mendimit të kohës, shtrihej deri në bregdet. Në këtë përfundim ata janë nxitur nga pozicioni gjeografik kyç i trevës së Matit, si vend-kryqëzimi i rrugëve që lidhnin krahinat e ndryshme të shtetit të Kastriotëve si në kohën e Gjon Kastriotit, ashtu edhe në atë të Skënderbeut. Kurse periudhave më të hershme të veprimtarisë së familjes Kastrioti autorët e sipërpërmendur nuk i kanë kushtuar vëmendje, aq sa në veprat e Marin Barlecit e të Dhimitër Frëngut nuk përmendet as emri i gjyshit të Skënderbeut. Kurse një autor tjetër shqiptar, bashkëkohës me dy të parët, Gjon Muzaka, ka rrëfyer se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal dhe se, sipas tij, kishte qenë proniar i dy fshatrave të Dibrës së Poshtme, Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm, rrëfim ky që mund të merret me një farë rezerve. Tregimi i mësipërm i Gjon Muzakës ka shërbyer si argument kryesor për ndonjë historian të ditëve tona që Dibrën ta konsiderojë si vendorigjinën e Kastriotëve. Po ashtu, si Marin Barleci, edhe Gjon Muzaka ka shënuar se Gjon Kastrioti ka pasur në zotërim Matin. Dhimitër Frëngu ka shkruar se Kastriotët zotëronin edhe Ujmishin. Tre autorët e mësipërm i shkruan veprat e tyre në fillim të shek. XVI dhe larg Shqipërisë, kur jetonin si emigrantë në Itali. Më pas, në vitin 1553, një tjetër shqiptar, Andre Engjëlli, ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka qenë i biri i "Gjergj Kastriotit" dhe ky i "Kostandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku" që kishte vdekur në vitin 1390.
Vepra e Gjon Muzakës është më e saktë dhe më e besueshme se ajo e A. Engjëllit, prandaj thuajse të gjithë studiuesit e sotëm mendojnë se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal.
Përveç autorëve të mësipërm, është edhe një autor tjetër i mëvonshëm, por shumë i rëndësishëm, sepse ka jetuar në Shqipëri, kleriku i ndritur shqiptar, Frang Bardhi. Në vitin 1636 ai botoi një vepër polemizuese për të mbrojtur origjinën shqiptare të Skënderbeut, kundër përpjekjeve të J. Marnoviçit për ta nxjerrë atë me origjinë sllave. Në veprën e tij Frang Bardhi i ka kushtuar një vend të veçantë përcaktimit të vendorigjinës së Kastriotëve. Pas një parashtrimi polemik të çështjes ai arrin në përfundimin se Kastriotët ishin nga Hasi i Prizrenit, se kështu është në "pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë". Kjo frazë e veprës së F. Bardhit i jep mendimit të tij për Hasin si vendorigjinën e Kastriotëve vlerën e një burimi historik të dorës së parë. Për më tej ai shpjegon edhe origjinën e emrit familjar të Kastriotëve, duke e lidhur atë me emrin e fshatit Kastrat, që gjendej buzë lumit, dhe tregon se në kohën e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin e fshati Kastrat. Për vendorigjinën e Kastriotëve nga Hasi i Prizrenit dëshmojnë gjithashtu edhe kronisti raguzan Lukari (vepra e të cilit është botuar në vitin 1605), si dhe shënimet e fundit të shek. XV të një kleriku boshnjak, të botuara për herë të parë në vitin 1892. Po kështu mbiemri i dytë, Mazreku, i Kastriotëve si dhe pronat e tyre, Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend A. Engjëlli, gjenden në mikrotoponiminë e shek. XVII dhe të sotme të Hasit (Kastrat dhe Mazrek) dhe të Lumës (Ujmisht që përmendet edhe nga Dh. Frëngu). Në përforcim të këtyre vjen edhe një dëshmi e fillimit të shek. XIX se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi Mihal Kastrioti, që flet për praninë e ruajtjen ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën e Hasit nga e kishin origjinën Kastriotët. Edhe tiparet fizike të Kastriotëve, siç ishin ato të Skënderbeut dhe të nipit të tij Ferrandit, të cilëve u njihen deri diku mirë, mbështesin origjinën hasiane të tyre.
Pranimi i Hasit si vendorigjina e familjes Kastrioti nuk e bën të pashpjegueshme pse më pas përfaqësues të kësaj familjeje, si degë të pemës gjenealogjike të saj, do të shfaqen si proniarë e zotër në viset e tjera të Shqipërisë, si në Dibër, në Mat etj. Gjatë shek. XV e më pas, edhe në këto krahina kishte banorë me mbiemrin Kastrioti. çështja e origjinës së Kastriotëve ka të bëjë me një periudhë më të hershme nga ajo që nis me gjyshin e që vazhdon me të atin e Skënderbeut. Të shtrira gjatë një harku kohorë të tillë mendimet për vendorigjinën e Kastriotëve, që japin autorët e hershëm shqiptarë si M. Barleci, Dh. Frëngu, Gj. Muzaka, A. Engjëlli dhe F. Bardhi, si dhe burime të tjera historike, nuk kanë kundërshti ndërmjet tyre, por shfaqen si dëshmi në vijim që flasin për kohë të ndryshme dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. F. Bardhi flet për periudhën më të hershme, për trungun gjenealogjik të familjes kur ishte në Has, Gjon Muzaka përmend emrin e gjyshit të Skënderbeut, Pal Kastriotin, duke treguar dy fshatrat që kishte si pronia në Dibër, kurse M. Barleci dhe Dh. Frëngu flasin për pasardhësin e Palit, Gjon Kastriotin dhe zotërimet që kishte ky.
Pozita shoqërore e familjes Kastrioti u fuqizua si rrjedhojë e përpjekjeve të pinjollëve të ndryshëm të saj, disa prej të cilëve kjo rrugë i shtriu përtej vendorigjinës së tyre. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, sipas Gjon Muzakës, kishte dy fshatra si feud në Dibër. Kurse i biri i Pal Kastriotit, Gjoni, krijoi një nga shtetet më të rëndësishme në Shqipëri që, në hapësirat e tij, përfshiu edhe krahinat e përmendura nga M. Barleci, Gj. Muzaka, Dh. Frëngu etj.
Dëshmitë historike për fillimet e shtetit të Kastriotëve thuajse mungojnë, një realitet i përgjithshëm ky për historinë tonë mesjetare, sidomos për viset lindore shqiptare.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti. Në këtë periudhë zotërimet e tij duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës, sepse, sipas M. Barlecit dhe Gj. Muzakës, Gjon Kastrioti qe martuar në atë kohë me Vojsavën (Jellën, sipas një dokumenti raguzan të vitit 1439), vajzë e një dere fisnike të rëndësishme pranë Shkupit. Nga nëntë fëmijët që lindi Vojsava dhe që arritën moshën madhore, shtatë kishin lindur para vitit 1405.
Zgjerimi e fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit përkoi me rënien e dy shteteve kufitare me të, të Balshajve e të Topiajve, dhe sidomos pas dobësimit të fuqisë ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ushtria e saj pësoi një disfatë të rëndë prej trupave mongole në betejën e Ankarasë të vitit 1402. Gjatë këtij viti (1402), zotërimet e Gjon Kastriotit u shtrinë në drejtim të viseve bregdetare dhe u bënë kufitare me ato të Venedikut. Që nga viti 1406 Gjon Kastrioti shfaqet si një partner i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetet e huaja, ambasadorët e tij shkonin në Venedik, Raguzë e në vende të tjera dhe ai cilësohej prej tyre si zot "shumë i fuqishëm", "i madhërishëm" etj. Ndërkohë edhe ambasadorë të tyre dërgoheshin pranë Gjon Kastriotit. Pushteti dhe ndikimi i tij mbi zotërit e tjerë ishin të fuqishëm, prandaj më 1408 ai ishte i pranishëm si garant i paqes, që u nënshkrua në rrethinat e Durrësit, midis Venedikut dhe Balshajve.
Shtetin e Gjon Kastriotit e përshkonin rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Ndër to, në rrafshin perëndim-lindje më të rrahurat ishin dy. Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin, që duhet të ketë qenë qendra administrative e shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë qytet të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare shumë të rrahura dhe që shkonin në drejtim të Prishtinës, të Pejës, të Tetovës etj. Traseja e rrugës së dytë kalonte nga bregdeti nëpër krahinën e Matit, vijonte në drejtim të Dibrës dhe ndiqte rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar për të arritur në Shkup. Në dokumentet mesjetare këto dy rrugë janë shënuar me emra të ndryshëm të qyteteve nga ato kalonin: rruga e Lezhës, rruga e Prizrenit, rruga e Prishtinës dhe rruga e Shkupit. Interesat ekonomikë e tregtarë të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve të tij, në Fushë-Dardani, madje edhe përtej Shkupit, ku mund të bliheshin argjend, plumb e hekur si dhe drithë me çmime më të ulëta se në rajonet e tjera, prodhime bujqësore të viseve të ngrohta, si pambuk, oriz, susam etj. Kështu shpjegohen, p.sh., lidhjet e tij me manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, që gjendet në brigjet e detit Egje. Këtij manastiri, Gjon Kastrioti i dhuroi në vitin 1426 dy fshatra nga pronat e veta në rajonin e Gostivarit, i bleu pirgun e Shën Gjergjit (i njohur edhe me emrin Pirgu Shqiptar) dhe në këtë manastir një nga djemtë e tij, Reposhi, e kaloi jetën si murg derisa vdiq më 25 korrik 1431. Në epigrafin e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë.
Për jetën ekonomike e politike të shtetit të Gjon Kastriotit, ashtu si edhe të zotërimeve të fisnikëve të tjerë shqiptarë si dhe ato të Republikës së Venedikut, rëndësi parësore kishin raportet e tyre me kryekomandantin osman të Shkupit dhe, nëpërmjet tij, me sulltanin. Në marrëdhëniet me fqinjin e vet lindor e shumë të fuqishëm ushtarakisht, Gjon Kastrioti duhej të ndiqte një politikë shumë të kujdesshme. Edhe bejlerbeut të Rumelisë i interesonte që deri diku të kishte mirëkuptim me Gjon Kastriotin, sepse në shtetin e tij, nëpër një terren të vështirë e me prita të shumta, kalonin rrugët tregtare më të shkurtra për në brigjet e detit Adriatik, të cilat, në atë kohë, nuk mund të mirëmbaheshin e të ruheshin nga askush tjetër, veçse nga vendasit. Në rrethana të tilla, gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, Gjon Kastrioti arriti të fuste nën bindjen e tij disa familje fisnike të njohura të Shqipërisë së Epërme dhe u bë figura politike kryesore e botës shqiptare të këtyre rajoneve.
Zgjerimet e pushtimeve osmane në viset lindore shqiptare bënë që Gjon Kastrioti dhe familje të tjera fisnike shqiptare të mos ndiheshin të sigurta, prandaj filluan të përforconin veprimtarinë politike të tyre në viset perëndimore, si dhe të zgjeronin lidhjet me forcat antiosmane e shtetet e huaja. Qysh në fillim të shek. XV burimet historike tregojnë se në kufijtë e shtetit të Gjon Kastriotit ishin përfshirë qyteti i rëndësishëm i Prizrenit bashkë me rrethinat e tij, krahinat përgjatë rrugëve Prizren-Prishtinë dhe Prizren-Tetovë, ato të Matit e të Mirditës dhe se ai kishte siguruar dalje në detin Adriatik në afërsi të zotërimit venecian të Lezhës. Në grykëderdhjen e lumit Mat Gjon Kastrioti mori në zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë, kriporet e rëndësishme të Shën Kollit, që më parë kishin qenë në duart e Dhimitër Jonimës, si edhe të gjithë zotërimin e këtij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Gjon Kastrioti synonte të shtrihej në vijën bregdetare së paku deri në grykëderdhjen e lumit Bunë, rajon bregdetar që kontrollohej nga Venediku. Në vitin 1410 Gjoni arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për t'i dhënë fshatin Barbullush dhe Malin Medua (Shëngjinin), ku dëshironte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Zotërimet e tij u bënë kufitare në veri me Despotatin e Rashës dhe në verilindje me rajonin e Prishtinës, banorët e së cilës njihnin taksat doganore që paguheshin për kalimin nëpër shtetin e Gjonit. Në jug zotërimet e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët, përveç Shkupit, zotëronin në perëndim të tij kështjellën e Tetovës. Pjesa më e madhe e fushës përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar e në perëndim të Tetovës për një kohë mbeti nën zotërimin e Gjon Kastriotit, të cilën M. Barleci e ka emërtuar Dibra e Poshtme. Edhe rajonet më në jug ishin pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, kufijtë e të cilit në atë drejtim shtriheshin deri në afërsi të qytetit të Kërçovës, që kishte rënë nën pushtimin osman qysh në fund të shek. XIV.
Shtrirja e gjerë gjeografike e shtetit të Gjon Kastriotit është pasqyruar edhe në burimet historike osmane. Në një dokument të muajit maj të vitit 1438 përmendet regjistri kadastral "i tokave të Gjonit" (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti i Dhimitër Jonimës. Ky regjistër nuk është zbuluar deri tani, sepse, si shumë kadastra të tjera të asaj kohe, mund të jetë zhdukur. Regjistri kadastral "i tokave të Gjonit" duhet të jetë hartuar në pranverë të vitit 1430, gjatë fushatës ushtarake të Isak-bej Evrenozit, ose, më së shumti, njëkohësisht me regjistrin e Sanxhakut Shqiptar, në vitin 835 h. (1431-1432). Administrata osmane hartonte nga një regjistër kadastral të veçantë për çdo sanxhak, të cilët po ashtu si "tokat e Gjonit" kishin disa vilajete si njësi administrative më të vogla. Prandaj edhe shtrirja gjeografike e "tokave të Gjonit" ishte përafërsisht me atë të një sanxhaku.
Pasuritë e shumta që kishin viset e Dibrës së Poshtme e të Prizrenit dhe numri i madh i banorëve që jetonin në to e bënin këtë rajon, i cili formonte pjesën lindore të shtetit të Gjon Kastriotit, të kishte rol vendimtar në veprimtarinë ekonomike, politike dhe ushtarake të tij. Prandaj edhe fëmijët e tij përgjithësisht mbanin emrat karakteristikë të këtij rajoni. Pjesën lindore të shtetit të vet Gjon Kastrioti e zotëronte si funksionar i administratës osmane, sepse vetë ai deklaronte në vitin 1411 se kishte në gatishmëri të përhershme një ushtri të përbërë nga "dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq" dhe kohë pas kohe është shprehur se sulltani ishte kryezot i tij.
Për të gjallëruar sa më shumë lëvizjen e mallrave e të njerëzve në rrugët tregtare që kalonin nëpër zotërimet e Kastriotëve, Gjoni nënshkroi akte me qeveritarët e vendeve të ndryshme, duke u garantuar sigurinë e qarkullimit të mallrave e të tregtarëve të tyre nëpër shtetin e tij. Për të nxitur sa më shumë ardhjen e tyre, ai thjeshtësoi sistemin tatimor dhe vendosi vetëm një taksë doganore për mallrat që tregtarët e huaj do të transportonin nëpër zotërimet e Kastriotëve. Për të garantuar sigurinë e lëvizjes së njerëzve dhe të karvaneve të mallrave nëpër rrugët tregtare, Gjoni vendosi roje nëpër to si dhe nëpër kështjellat që shërbenin për mbrojtjen e tyre, si në ato të Prizrenit, të Gurit të Bardhë, të Stelushit etj. dhe rriti shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve.
Pozicioni gjeografik kyç i shtetit të Gjon Kastriotit e kishte bërë atë një urëlidhje në Shqipërinë Qendrore për të kaluar në rajonet e tjera të Shqipërisë së Epërme e të Poshtme si dhe në rajonet lindore të Shqipërisë, si në Fushë-Dardani dhe në Shkup nëpërmjet rrugës më të shkurtër. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që Gjon Kastrioti të kishte lidhje të shumta familjare e martesore me sundimtarë të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët). Lufta e përhershme e Stefan Gjurashit (Cërnojeviçit) dhe e paraardhësve të tij në rajonin e Gentës kundër despotit të Rashës, Gjergj Brankoviçit, pa dyshim ka qenë e mbështetur dhe e bashkërenduar me aksionet ushtarake të vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, që ky detyrimisht ka ndërmarrë edhe për interesat e veta në rajonet e Shkodrës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushë-Dardanisë kundër armikut të përbashkët, despotit Gjergj. Përballë një lufte me dy fronte të shqiptarëve, Gjergj Brankoviçi dhe paraardhësit e tij kanë qenë të detyruar të tërhiqen dhe të rrudhin kufijtë jugorë të Despotatit të Rashës. Gjon Kastrioti hyri në lidhje ekonomike e politike edhe me vende të huaja, si me Venedikun, Raguzën etj.
Gjon Kastrioti zotëronte një potencial të ndjeshëm ekonomik dhe ushtarak. Të ardhurat kryesore vinin nga sistemi tatimor feudal që nënshtetasit e tij tradicionalisht ishin të detyruar t`i jipnin kryezotit të tyre me prodhime në natyrë, me të holla dhe me punë angari. Ky sistem tatimor është shprehur në një akt-dhurimi të vitit 1426, që Gjon Kastrioti së bashku me djemtë e tij i bënë manastirit të Hilandarit për fshatrat Radostushë dhe Trebisht. Në të thuhet: "duke dhuruar në dobi të manastirit këto dy fshatra, unë i liroj ato nga çdo angari e madhe dhe e vogël, me të gjitha detyrimet për haraçin mbretëror dhe taksat e shtetit dhe të gjitha këto ia jap manastirit të shenjtë: të mos ketë as qefali, as zot, as psarë e të mos japin të dhjetë as për drithë, as për verë, as për mjaltë, as dhuratë në para, as para për kullotë, as për të dhjetë bagëtish, kështu që kisha t`i marrë të gjitha të drejtat mbi këto fshatra sipas ligjit".
Krahas sitemit tatimor të mësipërm, Gjon Kastrioti siguronte të ardhura të rëndësishme nga doganat, tregtia e drithit, e metaleve, e kripës etj.
Gjon Kastrioti ndoqi një politikë aktive për zgjerimin e fuqizimin e shtetit të tij, me gjithë kushtet e vështira që ishin krijuar prej sulmeve e pushtimeve osmane. Ai forcoi lidhjet me Republikën e Venedikut dhe qysh në vitin 1407 arriti të siguronte prej saj qytetarinë veneciane, e cila, bashkë me fëmijët e tij, iu rinjoh edhe në vitin 1413. Në fillim të vitit 1410 Venediku pranoi kërkesën e Gjon Kastriotit që të kishte banesë në Ulqin dhe, në rast se do të dëbohej nga zotërimet e tij prej osmanëve, ai bashkë me familjen të banonte në atë qytet. Këto lidhje me Venedikun Gjoni i shfrytëzoi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pati në vitin 1407 me peshkopin e Lezhës, i cili kishte gjetur mbështetjen e papës që peshkopatës së Arbrit t`i shkëpuste 12 kisha. Ndërhyrja e Venedikut pranë papës qe efikase për Gjonin. Në vitin 1411 Gjon Kastrioti, kundrejt një shpërblimi të përvitshëm prej një mijë dukatësh, i ofronte Venedikut ndihmë ushtarake me "dy mijë kalorës të tij dhe treqind kalorës turq", madje edhe më shumë në rast nevoje.
Si çështje parësore e aktivitetit politik të Gjon Kastriotit ishin marrëdhëniet e tij me fqinjët lindorë, pushtuesit osmanë, fuqia ushtarake e të cilëve ishte e papërballueshme prej tij. Siç del nga fraza e dokumentit të vitit 1411, të cituar pak më sipër, Gjon Kastrioti ishte afruar me komandantin osman të Shkupit, Bajazitin, aq sa mund të komandonte edhe 300 kalorës osmanë, e dhënë kjo që lejon të supozohet se ai mund të ketë qenë së paku në postin e subashit të Tetovës. Në kushte të tilla, për të mbajtur në këmbë shtetin e tij Gjon Kastrioti ishte i shtrënguar të pranonte vasalitetin ndaj sulltanit dhe t`i paguante, siç ka shkruar vetë në vitin 1426, "haraçin mbretit". Si garanci për pranimin e vasalitetit osman, të paktën qysh në vitin 1409, Gjon Kastrioti qe detyruar të dorëzonte peng një nga djemtë e tij, që, me sa kuptohet, ka qenë djali i madh, Stanisha.
Në betejën e Ankarasë, që u zhvillua gjatë vitit 1402 midis trupave mongole dhe ushtrive osmane, këta të fundit pësuan një disfatë të rëndë dhe jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të brendshme për trashëgimin e fronit osman, konflikte që vazhduan afër një dhjetëvjeçar. Gjatë këtyre viteve u dobësua përkohësisht presioni osman, për t`u riaktivizuar pas ardhjes në fron të sulltan Mehmetit I (1413-1421). Ndërkohë zotërimet e Gjon Kastriotit arritën një zgjerim e fuqizim të madh. Këtë e favorizoi edhe qëndrimi i komandantit osman të Shkupit, Bajazitit, i cili nuk ndoqi një politikë pushtimesh, por atë të marrëveshjes me fisnikët shqiptarë. Pas vdekjes së tij në vitin 1414, ai u zëvendësua nga i biri, për veprimtarinë e të cilit është vështirë të thuhet diçka. Gjatë viteve në vijim rol të veçantë në drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake të Pashasanxhakut të Shkupit do të kishin Isak bej Evrenozi dhe i biri i tij, Isa Beu. Evrenozët ishin një familje shumë e pasur. Vetëm në Shkup ata kishin mbi njëqind dyqane. Gjatë disa dhjetëvjeçarëve si ushtarakë të lartë osmanë, Evrenozët u përpoqën të kontrollonin rrugët tregtare të vendit që të fuqizoheshin ekonomikisht gjithnjë e më shumë.
Në fillim të vitit 1415 kaloi në duart e osmanëve Kruja, e cila kishte një pozicion shumë strategjik dhe kontrollonte segmente të rrugëve tregtare që lidhnin Shkupin me bregdetin shqiptar si dhe viset perëndimore të vendit. Prandaj pushtimi i Krujës dëmtoi rëndë interesat e fisnikëve të Shqipërisë Qendrore dhe të Epërme, sepse tani zotërimet e tyre nga çasti në çast mund të pushtoheshin prej osmanëve. Rëndë u goditën edhe zotërimet e Gjonit, sepse osmanët mund të zotëronin rrugën tregtare që kalonte nëpër Mat e Dibër për të arritur në Shkup, e kontrolluar deri në atë kohë prej Kastriotëve. Sidoqoftë, Gjoni u tregua mjaft i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me osmanët. Për të mbrojtur interesat e shtetit të tij dhe për të mënjanuar përplasjen me ta, kur Kruja ra në duart e osmanëve, Gjoni dërgoi djalin e tij të vogël, Gjergjin, si iç-ogllan (pazh) pranë oborrit osman. Në këtë mënyrë ai evitoi për disa vjet konfrontimet me osmanët. Kurse Republika e Venedikut vendosi që t`i jepte një tribut vjetor prej 200 dukatësh subashit turk të Krujës, që ky të mos sulmonte Durrësin dhe të mos prekte kriporet e shumta të këtij qyteti.
Me gjithë përpjekjet e Gjonit për të pasur marrëdhënie sa më të mira me sulltanin, ai nuk hoqi dorë nga masat mbrojtëse. Në nëntor të vitit 1417 Gjoni i kërkoi më kot Venedikut që të përballonin së bashku sulmet e mundshme osmane dhe i premtonte se ishte i gatshëm të vinte në dispozicion të një aksioni të përbashkët të gjithë luftëtarët dhe kështjellat e veta. Në këto rrethana Gjon Kastrioti i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëveprimit me fisnikët shqiptarë.
Kur në vitin 1418 Balsha III i shpalli luftë Republikës së Shën Markut për të rimarrë Shkodrën dhe Drishtin, Gjoni mbajti anën e tij dhe qenë të paefektshme përpjekjet e Venedikut gjatë viteve 1419-1420 për ta larguar atë nga Balsha. Konflikti midis Balshës III dhe Venedikut në rajonin e Shkodrës pengoi lëvizjen e tregtarëve shqiptarë, raguzanë etj. dhe qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës, ku nxirrej e përpunohej ari, argjendi e plumbi dhe ku çmimi i prodhimeve të shumta bujqësore ishte më i ulët në krahasim me çmimet që ato kishin në viset perëndimore. Këto rrethana i shfytëzoi Gjon Kastrioti për të intensifikuar qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës nëpër rrugën tregtare Shufada-Prizren-Prishtinë dhe në atë të Shkupit të kontrolluara prej tij. Në shkurt të vitit 1420 ai nënshkroi një akt-tregtar me Republikën e Raguzës, nëpërmjet së cilës u garantonte tregtarëve të saj lëvizje të sigurt nëpër rrugët e sipërpërmendura. Në mars të vitit 1422 Gjon Kastrioti siguroi edhe miratimin e Venedikut për të lejuar tregtarët raguzanë, që në vend të Shkodrës të vinin në Lezhë për të rrahur rrugët e zotërimeve të tij.
Pas vdekjes së Balshës III, Gjon Kastrioti ndërmori masa të menjëhershme për të mbrojtur interesat e veta politike dhe ekonomike. Në rajonin e Shkodrës, ku kishte zbritur ushtria e Stefan Lazareviçit dhe mbante të rrethuar qytetin, Gjoni dërgoi trupat e veta. Në një letër, që i shkroi Venedikut në nëntor të vitit 1422, ai ka rrëfyer se nuk e kishte lejuar despotin serb të Rashës të merrte Lezhën dhe shprehte me këtë rast gatishmërinë e tij për të ndihmuar venecianët që të dëbonin ushtrinë serbe nga rajoni i Shkodrës.
Ndërkohë, krahas Gjonit, edhe djemtë e tij kishin filluar të aktivizoheshin në veprimtarinë politike dhe ushtarake të familjes së tyre. Burimet historike tregojnë se gjatë vitit 1422 një nga djemtë e tij komandonte trupat e Kastriotëve në rrethinat e Shkodrës. Kurse në vitin 1428 përmendet një djalë i Gjon Kastriotit "i bërë turk e mysliman", që kishte trupa ushtarake pranë zotërimeve të Venedikut po në rajonin e Shkodrës.
Interesat ekonomikë dhe politikë të shtetit të Kastriotëve e nxitën Gjon Kastriotin që t`u kushtonte vëmendje edhe rajoneve të tjera shqiptare, të cilat nuk ishin kufitare me zotërimet e tij. Jo lidhjet familjare që Kastriotët kishin me Balshajt, po pikërisht interesat ekonomikë e shtynin Gjon Kastriotin t`i përkrahte vazhdimisht ata, madje duke dërguar edhe ushtrinë e tij në ndihmë të tyre. Edhe pas vdekjes më 1421 të Balshës III, që ishte kushëri i tij, Gjoni vazhdoi lidhjet me fisnikët e tjerë shqiptarë të zotërimeve të Balshës III, si me Gjurashët (Cërnojeviçët), që i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe që më pas i shtrinë edhe në Gentë, me të cilët lidhi krushqi. Gjurashët u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Ndërkohë edhe Gjon Kastrioti kundërshtoi synimet e despotëve serbë për marrjen e Lezhës dhe për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Fushë-Dardani.
Pesha dhe roli i shtetit të Gjon Kastriotit në jetën e vendit erdhi gjithnjë duke u rritur. Fuqizimin më të madh ai e arriti në kohën kur në krye të tij doli djali i vogël i Gjonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #23 më: 18-02-2005, 08:32:49 »

Shtrirja e zotërimeve veneciane në Shqipëri
Pas dështimit të përpjekjeve për të krijuar edhe në Shqipëri një zotërim të vetin në kohën e Kryqëzatës IV dhe shkrirjes së Dukatit venecian të Durrësit, më 1213, Republika e Shën Markut ishte mjaftuar të mbronte interesat e saj tregtarë, duke rënë për këtë në ujdi me sundimtarët e me bashkësitë e qyteteve. Tregtarë venecianë përshkonin me karvane rrugët që lidhnin portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., me viset e brendshme duke çuar e duke tërhequr mallra prej andej. Prania e konsujve venecianë në qendra të tilla, si në Durrës (1249), në Spinaricë (1276) apo në Vlorë (1359), nënvizonte praninë e shkëmbimeve tregtare midis porteve shqiptare dhe Venedikut. Ashtu si në shek. XI, edhe në shek. XIV në Durrës vazhdonte të kishte një koloni tregtare veneciane, të përqendruar në një lagje të veçantë, buzë detit, dhe të organizuar përreth kishës së hershme të Shën Mërisë së Amalfitanëve. Përfaqësuesit e kësaj kolonie, edhe pse nuk gëzonin statusin e qytetarit (civis), kishin statusin e rezidentit (habitator) që u siguronte lirinë e jetës, të pronës, të aktivitetit ekonomik, krahas detyrimeve përkatëse. Në shek. XIV përmenden edhe mjaft fisnikë venecianë nga familje të shquara, si Kontarenët, Maurot, Barbadigot etj., që kishin blerë toka e bagëti në rrethinat e Vlorës, Durrësit apo Butrintit, duke ngritur aty fermat (casale) të bazuara në shfrytëzimin intensiv të tokës e të bagëtisë.
Në përgjithësi, deri në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, angazhimi i Venedikut në Shqipëri mbeti kryekëput në lëmin ekonomik dhe synonte mbajtjen hapur të arterieve kryesore tregtare, tokësore e detare, dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve venecianë. Venediku s'mund të luante veçse një rol politik të kufizuar edhe për faktin se nga fundi i shek. XII, por veçanërisht në shek. XIV, në Dalmaci e në Shqipëri ushtronte një sovranitet formal mbretëria e Hungarisë, rivale e Venedikut. Interesat hungareze në krejt vijën bregdetare që shtrihej nga Kuarnaro (Istrie) e deri në Durrës u njohën më 1358 dhe u konfirmuan edhe në paqen e Torinos, më 1381. Por shfaqja e turqve osmanë dhe dalja e tyre eventuale në bregdet, rrezikonte të këpuste rrugët tregtare të Venedikut. Një gjë e tillë e bëri të pashmangshëm angazhimin e këtij të fundit në ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri. Për t'i mbajtur osmanët larg nga qytetet-porte të Adriatikut ose të Jonit, Republika e Venedikut u përpoq të forconte marrëdhëniet me krerët feudalë shqiptarë që kontrollonin rrugët dhe shtigjet që çonin drejt tyre, duke inkurajuar qëndresën e atyre krerëve kundër sulmeve osmane. Në gjysmën e dytë të shek. XIV, sundimtarët shqiptarë Balshajt, Dukagjinët, Zahariajt, Topiajt, Muzakajt, Shpatajt, Zenebishët kishin marrëdhënie të rregullta me Republikën e Shën Markut. Kjo e fundit i kishte shpallur shumë prej tyre qytetarë venecianë dhe u kishte njohur privilegjet që lidheshin me këtë status. Në mjaft raste venecianët i furnizonin zotërit shqiptarë edhe me armë dhe madje me anije luftarake, por kjo vetëm kur bëhej fjalë për mbrojtjen e viseve bregdetare nga sulmet e flotës osmane.
Deri në çerekun e fundit të shek. XIV, Republika e Venedikut ishte mjaftuar me sigurimin e interesave të saj ekonomiko-tregtarë, pa u angazhuar drejtpërsëdrejti në Shqipëri edhe kur për një gjë të tillë pati ftesa nga grupe e bashkësi shqiptare. Kështu, në vitin 1350, bashkësia qytetare e Durrësit, ku një rol të madh luanin tregtarë e sipërmarrës të lidhur ngushtë ekonomikisht me Venedikun, i kërkoi këtij të fundit ta merrte në dorëzim qytetin. E ndërgjegjshme se një hap i tillë ishte i parakohshëm, pasi do ta fuste atë në konflikte me fuqi të tjera të interesuara, si Mbretërinë e Napolit, mbretërinë serbe apo atë hungareze, Venediku nuk e pranoi në atë rast ofertën. Por situata e re e krijuar pas betejës së Fushë-Dardanisë (1389), kur ushtrive osmane iu hap rruga drejt viseve bregdetare, e bënte të domosdoshme për Venedikun shtënien në dorë të qendrave kryesore bregdetare për të shmangur daljen në det të osmanëve dhe për rrjedhojë, paralizimin e trafikut detar përgjatë brigjeve shqiptare. Kjo politikë e re e Venedikut në Shqipëri favorizohej tashmë edhe nga fakti se mjaft sundimtarë shqiptarë, të pafuqishëm ndaj sulmeve osmane, tregoheshin të gatshëm t'ia dorëzonin atij pjesërisht ose tërësisht zotërimet e tyre kundrejt kushtesh krejt të favorshme për këtë të fundit. Në vitin 1386, pasi mori Korfuzin, Venediku ishte tashmë i pranishëm në truallin shqiptar duke shtënë në dorë, në marrëveshje me Gjon Zenebishin, sistemin e fortifikuar të Butrintit e të Ksamilit, me rëndësi thelbësore për kontrollimin e Kanalit të Korfuzit.
S'ka dyshim që në qendër të planeve veneciane në Shqipëri qëndronte qyteti i Durrësit, avantazhet strategjike dhe ekonomike të të cilit venecianët i njihnin mirë. Që në maj të vitit 1387 princi Karl Topia, i ndodhur nën presionin e vazhdueshëm të sulmeve osmane, i propozoi Republikës lëshimin e Durrësit kundrejt një shpërblimi dhe një lejeje për t'u vendosur në kolonitë veneciane të Kretës ose të Negropontit (Eube). Në atë rast Venediku i qëndroi besnik politikës së tij të shmangies së hyrjes në konflikt drejtpërdrejt me osmanët, ndaj e refuzoi butësisht ofertën e Karlit, edhe pse i premtoi ndihmën e vet ushtarake. Por vetëm një vit më vonë situata e Durrësit ishte bërë aq e brishtë, saqë Senati i Venedikut mori vendim që qyteti të shtihej në dorë sapo të shihej se rrezikohej të binte në duar të osmanëve. Projekti parashikonte si dorëzimin vullnetarisht të qytetit nga ana e Gjergj Topisë (Karli ndërkohë kishte vdekur), ashtu dhe marrjen e qytetit jashtë vullnetit të tij, në bashkëpunim me qytetarë durrsakë, përkrahës të Republikës. Fillimisht, Gjergj Topia u bind që t'u lëshonte venecianëve kullën e poshtme të qytetit, atë pranë portit. Por në prill të vitit 1392, i ndodhur sa nën presionin e osmanëve, aq edhe të përfaqësuesve më të lartë të parisë durrsake, përfshirë dhe kryepeshkopin Dhimitër Nesha, të cilët kishin rënë në ujdi me Venedikun, Gjergj Topia nënshkroi aktin e dorëzimit të krejt qytetit Republikës së Shën Markut. Më 1393 vëllezërit Progon e Tanush Dukagjini i kaluan Venedikut kështjellën e tyre të Lezhës.
Në dhjetor 1395 një tjetër sundimtar shqiptar i ndrydhur nga osmanët, Gjergji II Strazimiri Balsha, i ofroi Venedikut qytetet bashkë me territoret e Shkodrës e të Drishtit. Marrëveshja u nënshkrua në pranverën e vitit 1396 e në bazë të saj Balsha i lëshonte Venedikut, kundrejt shpërblimit dhe kushteve të tjera, qytetet e Shkodrës, të Drishtit, të Shasit e të Dejës, bashkë me rrethina. Me këtë rast Gjergj II Balsha bashkë me trashëgimtarët e tij pranoheshin në Këshillin e Madh dhe në radhët e fisnikërisë veneciane. Më 1395 Venediku u mori Balshajve qytetet e Ulqinit, Tivarit e të Buduës.
Përsa i përket Vlorës, sundimtarja e saj Komnenë Balsha, e veja e Balshës II, i kishte propozuar që më 1386 Venedikut dhënien e qytetit, bashkë me kështjellat e Kaninës, Himarës dhe të Pirgut (në derdhje të Semanit). Besnik ndaj politikës së tij të mosangazhimit aty ku nuk e gjykonte të domosdoshme, Venediku nuk e pranoi ofertën as të Komnenës dhe as të pasardhësve të saj, Merkshës e Ruginës. Zotërimi i Durrësit dhe i Butrintit konsiderohej i mjaftueshëm për të kontrolluar krejt krahun jugor të bregdetit shqiptar.
Nga ana tjetër, duke ditur interesimin e jashtëzakonshëm të osmanëve për këtë qytet, venecianët e dinin se shtënia në dorë e tij do ta ndërlikonte Republikën në konflikte të pashmangshme me osmanët. Ndaj për Vlorën u zbatua një politikë tjetër: të pritej derisa qyteti të pushtohej nga osmanët e mandej t'u kërkohej këtyre blerja e tij qoftë edhe me një çmim më të lartë nga sa ofronin zotërit e ligjshëm të saj. Por llogaritë e Republikës në këtë pikë nuk dolën, pasi me të pushtuar Vlorën e Kaninën në qershor të vitit 1417, osmanët treguan se jo vetëm nuk kishin ndërmend t'ia shisnin atë Venedikut, por e kthyen në bazën e tyre kryesore detare nga ku kontrollonin lundrimin në Adriatik dhe nga ku filluan të përgatisnin invazionin e Italisë.
Disa vjet pas marrjes së Butrintit (1386), duke shfrytëzuar vështirësitë e zotërve Zenebishi e Shpata, Venediku shtiu në dorë në bregdetin e Vagenetisë (çamërisë), edhe skelat e Sajadhës, Pargës, Fanarit, si dhe portin e rëndësishëm të Naupaktit (Lepantos) në gjirin e Korintit.
Në këtë mënyrë, Venediku realizonte një synim që kishte qenë në themel të politikës së tij qysh nga koha e Kryqëzatës IV (1204): shtënien në dorë të porteve e të skelave kryesore përgjatë vijës bregdetare për të siguruar kontrollin e rrugëve detare drejt Lindjes. Megjithatë, realizimi i këtij synimi bëhej në kushtet kur osmanët po ushtronin trysni gjithnjë e më të madhe në këtë krah. Venediku nuk ishte në gjendje t'u bënte ballë sulmeve osmane kundër kështjellave të tij. Për këtë qëllim, ai u mundua të nxiste, pa rënë në sy, qëndresën e krerëve shqiptarë, që zotëronin territoret midis bazave osmane në Maqedoni dhe zotërimeve veneciane të bregdetit. Në fillim të shek. XV, ndër klientët e Venedikut numëroheshin Cërnojeviqët (Gjurashët), Hotët, Tuzët, Bitidosët, Jonimët e Zaharitë e Gentës, Dushmanët e Pultit, Gjon Kastrioti e Niketë Topia në Shqipërinë Qendrore, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës e Muriqi Shpata i Artës. Në këmbim të ruajtjes së shtigjeve, që lidhnin bazat osmane në Maqedoni me viset bregdetare, Venediku u ofroi krerëve të mësipërm provizione në të holla, tituj fisnikërie, prona dhe strehim në zotërimet e veta në rast të pamundësisë për të qëndruar më në tokat e veta. U premtoi gjithashtu përfshirjen e tyre në çdo traktat paqeje, që eventualisht do të nënshkruante me osmanët, premtim që nuk e mbajti kurrë. Në fakt, në vend të politikës së konfrontimit me osmanët, Republika e Venedikut filloi të zbatojë gjithnjë e më shumë politikën e ujdisë me ta, aq më shumë kur pas disfatës së Ankarasë, më 1402, osmanët në paqet veneto-osmane të viteve 1411, 1430 apo 1446, treguan gatishmëri për t'u njohur venecianëve zotërimet në Shqipëri. Pikërisht atëherë, Republika e Venedikut dhe qeveritarët e saj në Shqipëri jo vetëm u pajtuan me pushtimin e Krujës, Vlorës, Beratit e të Gjirokastrës nga osmanët në vitet 1415-1418, por filluan edhe ta shkurajojnë qëndresën e krerëve shqiptarë, duke i këshilluar ata të mos ndërmerrnin sulme kundër këtyre të fundit. Në korrik të vitit 1433 Republika i porosiste shkoqur qeveritarët venecianë në Shqipëri që të anullonin marrëveshjet me cilindo princ shqiptar, i cili ngrihej kundër osmanëve dhe despotit serb Stefan Llazareviç, me të cilët Venediku ishte tashmë në paqe. Ky qëndrim i ri i Venedikut çoi në acarimin e marrëdhënieve me krerët kryesorë shqiptarë, si Balshajt, Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët etj. Madje, puna arriti deri aty saqë qeveritarët venecianë të paguanin komandantët osmanë për të goditur "aleatët" shqiptarë, që shpeshherë gëzonin edhe të drejtën e qytetarisë veneciane. "Venecianët e kontrollojnë gjithë Arbërinë me anë të turqve" raportonin në tetor të vitit 1422 të dërguarit e Raguzës. Dhe duke iu referuar politikës pa moral e pa parime të Republikës së Shën Markut në Shqipëri, shtonin: "Gjithë bota e di se sa zgjatin miqësia dhe premtimet e venecianëve". Këta e treguan këtë qëndrim edhe në rastin e nënshkrimit të paqeve të sipërpërmendura me osmanët, ku në kundërshtim me sa kishin premtuar vazhdimisht, nuk i përfshinë aty krerët shqiptarë deri atëherë "klientë" të Venedikut. Në këtë mënyrë shqiptarët mbetën vetëm përballë hakmarrjes së osmanëve.

Qytetet shqiptare nën administratën e Venedikut
Ndikimi i madh që Venediku ushtronte prej shekujsh në jetën ekonomike e kulturore të qyteteve bregdetare shqiptare, e lehtësoi kalimin e këtyre të fundit nën sundimin e tij. Në Durrës, Lezhë, Shkodër, Ulqin e në Tivar kishte grupe të tëra shoqërore që ishin të lidhura ngushtë me Venedikun. Këta mund të ishin tregtarë, pronarë anijesh, detarë, artizanë. Por rrethi i marrëdhënieve me Venedikun përfshinte gjithashtu edhe sektorë të popullsisë joqytetare, fisnikë dhe bujq, sidomos të rrethinave, që eksportonin produktet e tyre në Venedik, ose që garantonin lëvizjen e tregtarëve venecianë në brendësi të vendit. Republika diti të tërhiqte në orbitën e vet edhe mjaft fisnikë të vegjël rrotull qyteteve, të cilëve u paguante provizion të përvitshëm në këmbim të sigurimit të qetësisë në rrethinat dhe në vetë qytetet. Në shek. XIV elementë të veçantë të parisë së qyteteve bregdetare, por edhe të aristokracisë së tokës, kishin fituar qytetarinë veneciane, madje ndonjëri kishte arritur edhe të pranohej në Këshillin e Madh të Republikës. Pas tyre kishte edhe shumë të tjerë, kryesisht tregtarë e artizanë, që gëzonin privilegje të veçanta dhe që, siç thuhej, "e mbanin veten për venecianë" (pro Veneto expediantur). Në mjedise të tilla Venediku gjeti mbështetjen e tij shoqërore para dhe gjatë sundimit të tij në Shqipëri.
Republika e Venedikut e realizonte qeverisjen në zotërimet e saj shqiptare me anën e nëpunësve të dërguar enkas nga Venediku (rektorët). Një flotë e posaçme bënte roje të përhershme pranë brigjeve shqiptare, e gatshme të ndërhynte sa herë që cenoheshin interesat e Venedikut. Bajl-kapedani i Durrësit dhe kont-kapedani i Shkodrës, ishin funksionarët e nivelit më të lartë në Shqipëri. Nën urdhrat e tyre ishin një numër zyrtarësh të tjerë, si komandanti i kështjellës (castellanus), komandanti i flotës lokale (admirali), komandanti i trupave të kalorisë (comestabilis), ruajtësi i thesarit (camerarius), gjykatësi (magister iuratus), sekretari (cancellarius). Në Drisht autoriteti më i lartë venecian ishte podesta, kurse në Lezhë kështjellari. Në rastet kur vendi i qeveritarit në një qytet të caktuar mbetej i zbrazët, Venediku dërgonte aty proveditorët, funksionarë me një mandat të kufizuar. Konsujt venecianë, që vepronin si përfaqësues tregtarë dhe shpesh si informatorë, vepronin prej kohësh në qytetet kryesore dhe që luajtën rol të rëndësishëm në përgatitjen e kushteve për kalimin e këtyre qyteteve nën flamurin e Venedikut, në mjaft raste morën poste të rëndësishme në administratën veneciane. Qendra i çmonte veçanërisht njohuritë dhe lidhjet e tyre me vendin dhe me njerëzit.
Në kushtet e zhvillimit të invazionit osman, Venediku ishte tejet i interesuar që në zotërimet e tij shqiptare të ruhej paqja shoqërore. Një gjë e tillë parakuptonte pjesëmarrjen e aristokracisë qytetare në qeverisje, si dhe njohjen e strukturave dhe të institucioneve tradicionale bashkiake, gjë që binte ndesh me interesat e Venedikut. Në fakt, institucionet bashkiake, siç qe, p.sh., ai i magister iuratus, i kancelarit apo i admiralit në Durrës, ose u uzurpuan nga shtetas venecianë, ose u dubluan apo u zhvleftësuan, duke iu nënshtruar vullnetit të qeveritarit. Megjithëse në çastin e marrjes në dorëzim të qyteteve shqiptare, Republika e Venedikut u kishte premtuar bashkësive vendase se do të respektonte ligjet dhe doket e vjetra të vendit, administrata veneciane nuk vonoi të krijojë pakënaqësi e të bjerë në konflikt me popullsinë vendase. Në Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin e në Tivar qeveritarët venecianë shpërfillnin statutet e vendit dhe udhëhiqeshin nga praktika koloniale. Qytetarët duhej të kryenin një sërë shërbimesh e punësh angari për shtetin venecian, të punonin për meremetimin e mureve të qytetit, shpeshherë duke e paguar me shpenzimet e veta lëndën e parë të ndërtimit dhe duke e transportuar po vetë në vendin e duhur. Me shërbime dhe angari të tilla ngarkohej edhe popullsia e fshatrave përreth, nën juridiksionin e kështjellave.
Qytetarët detyroheshin gjithashtu të kryenin shërbimin e patrullimit të qytetit dhe të rojes në portat e tij, me kohëzgjatje e kushte mjaft më të rënda nga ç'e përcaktonin këto shërbime statutet e qytetit. Këto të fundit përcaktonin gjithashtu që qytetarët të kryenin shërbime të caktuara ushtarake, por vetëm brenda qytetit, megjithatë qeveritarët venecianë nuk ngurronin të nxirrnin trupat vullnetare të qytetarëve edhe jashtë. Qeveritarët venecianë abuzonin me statutet deri në atë masë saqë në Drisht, p.sh., ua kërkonin kryerjen e shërbimit të rojës edhe klerikëve, gjë që ishte në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore të atij qyteti.
I vendosur në politikën e tij për t'i mbrojtur zotërimet e veta në Shqipëri me sa më pak shpenzime e forca, Venediku u mundua të përfshinte në sistemin e mbrojtjes së qytetit edhe krerët feudalë të rrethinave, duke i bërë këta për vete me të holla e privilegje. Ruajtja e Durrësit dhe e prapatokës së tij mbështetej së shumti edhe në aleancat me krerë nga familjet fisnike Topiaj, Skurraj, Muzakaj etj. "njerëz me pushtet e fuqi të madhe ushtarake", të cilëve Venediku u paguante provizion të përvitshëm, u akordonte liri e privilegje të veçanta dhe u lejonte hyrje-daljen e lirë në qytet, ndërkohë që përgjithësisht zotërit feudalë shiheshin si rrezik për qytetet në fjalë. Në zonën e Shkodrës, ku vazhdonte të mbijetonte një shtresë e fuqishme proniarësh, qeveritari venecian arriti të sigurojë një mbështetje të rëndësishme shoqërore, për sa kohë mundi t'i bëjë për vete ata. Por, edhe pse u pranua si një alternativë e pushtimit osman, në përgjithësi sundimi i Venedikut në qytetet shqiptare dhe rrethinat e tyre u shoqërua me pakënaqësi, konflikte e deri kryengritje të vendasve, siç qenë ato të viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419. Në sfond të tyre qëndronin arsye të ndryshme, por ato ekonomike zinin vendin qendror. Republika e Venedikut parashikonte që barra e shpenzimeve për mbrojtjen e bregdetit shqiptar nga rreziku osman të përballohej me burimet e vendit, ndaj që në fillim ajo nxitoi t'i shtjerë në dorë këto burime. Nën administrimin e drejtpërdrejtë të qeveritarëve venecianë kaluan të ardhurat nga taksat, doganat, tregjet, peshkoret, dajlanet, kriporet, që shpesh u jepeshin në sipërmarrje personave të veçantë, kryesisht shtetas venecianë, të cilët prireshin t'i rrisnin ato duke rënduar popullsinë vendase. Të ardhura të mëdha Venediku nxori nga vendosja e monopolit të vet mbi produkte të caktuara shqiptare, siç ishin drithërat dhe kripa. Lidhur me drithërat, tregtimi i tyre u orientua kryekëput drejt tregut venecian. Akoma më i rreptë ishte kontrolli që Venediku vendosi mbi kripën. Ai përfshinte edhe prodhimin e saj. Republika e ndaloi në mënyrë kategorike ndërtimin e kriporeve dhe prodhimin e kripës nga sipërmarrës privatë shqiptarë. Tregjet shqiptare, nga Tivari deri në Pargë e në Prevezë, duhej të furnizoheshin me kripën e prodhuar në kriporet e Sinjorisë në Korfuz e në Durrës, kuptohet me çmime të caktuara nga shteti venecian. Edhe ky monopol venecian mbi tregtinë e kripës u bë burim konfliktesh të ashpra me bashkësitë shqiptare dhe me mjaft krerë shqiptarë, të cilët e konsideronin kripën një burim të rëndësishëm të ardhurash: "kripa është buka ime", do t'i shkruante më 1401 Gjon Zenebishi senatit të Venedikut, duke shtuar se midis tij dhe Venedikut do të mund të kishte paqe e mirëkuptim vetëm në rast se ky i fundit hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë ose për të shkatërruar kriporet e tij të Sajadhës, në çamëri.
Gjithsesi, bashkësitë qytetare e fshatare shqiptare që hynë nën sundimin e Venedikut kishin shumë arsye për të qenë të pakënaqura nga qeverisja e tij. Kjo pakënaqësi pasqyrohet në ankesat e shumta që ato bashkësi i drejtuan pushtetit qendror venecian, ku demaskoheshin arroganca dhe praktikat shfrytëzuese të qeveritarëve venecianë në Shqipëri. Shpeshherë pakënaqësia ndaj qeverisjes shpërthente në formën e sulmeve e të raprezaljeve kundër zyrtarëve e shtetasve venecianë apo deri edhe në kryengritje të vërteta popullore. Këto fitonin më shumë mbështetje, kur drejtoheshin nga fisnikë po aq të pakënaqur vendas. Kështu ndodhi në kryengritjet e viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419 në trevat veriperëndimore të udhëhequra nga Balshajt, që e rrezikuan seriozisht sundimin venecian dhe që përfunduan edhe me humbjen e përkohshme të qyteteve të Shkodrës, Drishtit, Ulqinit e të Tivarit.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #24 më: 18-02-2005, 08:33:12 »

K R E U     IV

SHOQËRIA SHQIPTARE DHE KULTURA NË MESJETË

 

1. SHOQËRIA SHQIPTARE


Fisnikëria
Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë. Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet e veta drejt arritjes së një fizionomie të plotë nacionale të saj.
Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë shqiptarë ishin të integruar në administratat e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që ishin përfshirë në fisnikërinë e Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.
Karakteristikë e përbashkët është se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët, Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre mbështetej në lidhjet që këta krerë kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit" e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë e forcës së armatosur që këta krerë kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët, anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin këta krerë, që zotëronin një potencial luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë së Tiranës ishin bërë zotër të një pjese të madhe të ultësirës, që për hir të tyre u quajt "Skurrje". Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e u bënë qytetarë të tij. E njëjta gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit, të cilët po atë kohë shtinë në dorë një pjesë të mirë të ultësirës midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për hir të tyre filloi të quhet "Muzakje" (Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj., krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak, strategëve bizantinë apo mëkëmbësve e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë në epokën bizantine, qoftë edhe në atë anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda mureve të kështjellave në fjalë për një periudhë të caktuar bashkë me suitën e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës "për punë ose për t'u zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën e emancipimit të plotë të tyre, në shek. XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore në Shkodër, Zahariajt në Dejë, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë. Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte një sistem të fortifikuar të mëvetshëm brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej nga banesa për të dhe për familjen, si dhe kazerma për gardën e tij të armatosur. Në të përfshiheshin depot e drithit e të armëve, pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës, pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi. Zona rezidenciale e kështjellës përbënte në çdo rast pjesën më të mbrojtur të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës në rast sulmi.
Objekte të rëndësishme ushtarake, siç ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit, merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar të feudalit me trupat e tyre.
Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal e, në një kuptim më të gjerë, të formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i traditës ishte mjaft i fuqishëm.
Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor, në përgjithësi në Shqipëri vepronte e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset fushore, pranë qendrave të mëdha administrative. Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët e veçantë s'ishin veçse përdorues të tokës, të cilën vetë perandori ua kalonte me dekret të veçantë, për një kohë të kufizuar dhe me kushte të përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak në favor të perandorit përbënte kushtin kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që përbënte bazën e feudalizmit bizantin në shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë, ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të plota të tokës së tyre. Në rast se proniari ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak, ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak (krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht, sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet kufizimit e kushtëzimit të institucionit të trashëgimisë.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #25 më: 18-02-2005, 08:33:30 »

E drejta dhe jeta feudale në Shqipëri
Është e vërtetë se veprimi i së drejtës bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë për statusin e veçantë që kjo kishte në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe për faktin se këtu, për kushtet e terrenit, kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej më së shumti veprimit të së drejtës tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve feudale, aq më shumë që këto e kishin prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre shoqërore.
Një nga veçoritë thelbësore të së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare ishte ajo që kishte të bënte me institucionin e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit. Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës). Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit, Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e Pal qenë në krye të Dukagjinëve të Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit, Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në një mënyrë të njëanshme nga njëri prej vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare ishte e përbashkët.
Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë pjesë tradicionale të principatës elementin bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që të vëllezërit qeverisnin vendet më të buta e më të pasura të Myzeqesë e të fushës së Korçës e të Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të tyre, e bënte këtë krahinë qendrën shpirtërore të principatës.
Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në krye të tyre, për një arsye apo tjetrën, qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë të despotit Andrea II (1335-1371).
Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës të dërguar nga qendra dhe që vepronin në bazë të ligjeve të mishëruara në përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura, saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet e shtetit.
Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte një element të rëndësishëm të njohjes së autonomisë gjyqësore administrative të bashkësive e të njësive të caktuara lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit u kaloi feudalëve të veçantë, të cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin për të gjitha çështjet civile e penale që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit të kthimit të fisnikëve shqiptarë në zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte sidomos në çështjet që kishin të bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit shprehej më së pari në fushën e betejës. "Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju" për t'u dhënë atyre mundësinë që të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta, siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër, mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet kur një martesë në kohën e duhur kthente paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë që çmonte trimërinë e fisnikërinë, qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë. "Tradhtar" ishte sharja më e rëndë që mund t'i drejtohej dikujt. Më 1436 në Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e thirrur atë "tradhtar". Në statutet e Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë për fyerjen me fjalën "tradhtar". Kundravajtësit gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë, dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat statute mësohet se sharja "tradhtar" ishte mënyra më e mirë për të grishur dikë në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte përjashtim as për bashkëpunëtorët më të afërt, as për njerëzit e familjes madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt, Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar ". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.
Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare (kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria". Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti, pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë, sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi që të dy, ia dorëzoi përsëri të motrën burrit të parë.
Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë, vinte në luftë familje dhe bashkësi të tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak me bashkësinë e Hotëve. Në emër të "nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë krimesh për fyerje ose për çështje nderi.
Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej me madhësinë e cilësinë e zotërimeve të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje të përkohshme, edhe me lidhje familjare të qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët, Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat e shumta që pati me despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit, despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt, Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë të tij.
Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe me dhënien e feudeve në formë paje. Një gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të caktuar që në momente të përshtatshme të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore, aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve, të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj. Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin. Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.
Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe me familje fisnike e princore të huaja, gjë që sillte një rritje të veçantë prestigji dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi e kishte martuar një vajzë të tij me Petro Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja, Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast, siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit 1381, për të vënë në dukje këto marrëdhënie të veçanta "gjaku" (eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte në qendër figurën e luanit, edhe motivin e zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.
Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin në masë të fisnikëve shqiptarë në fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara shumë syresh bënë kapërcime nga besimi ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të mëdha mori veçanërisht në shek. XIV kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt, Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë hap kërkonin para së gjithash të siguronin aleancën e fuqive katolike të Evropës të kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj, Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën një rol të dorës së parë në fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët e deri te Topiajt shqiptarë.
Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit, me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë "civil" të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet" e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet më intime të shtetit dhe të familjes së fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe që për një fjalë apo një gjest të pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes" ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408 murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat, i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës së Skraparit.
Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për prelatë të tillë, të cilët ishin vënë në krye të dioqezave nën presionin e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të Napolit, Robertit I Anzhu.
Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII, bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror. Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari të tilla me interes të përgjithshëm, si ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh, ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha. Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj, si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve për sa i përket realizimit të kodikëve e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen e portreteve të tyre në pikturë (afreske e miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në faqet e dorëshkrimeve.
Aristokratët linin porosi të varroseshin në kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët. Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve, si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.
Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata me tregtarë vendas për import-eksport mallrash. Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin e aristokracisë qytetare.

Kleri dhe roli i tij në jetën shoqërore e politike
Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene.
Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese. Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet historike përmendin priftërinj shqiptarë të katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci, Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin e tyre në akte kriminale.
Klerikët e lartë, në të kundërtën, si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të kishës ortodokse të Durrësit e më tej të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.
Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose pranë manastireve të mëdha në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj. Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike më të domosdoshme për t'iu kushtuar profesionit të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në vende të tjera. Për klerikët ortodoksë ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të Malit Athos (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë, arritën të zënë poste të rëndësishme kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250, Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës. Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea, u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan; Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë e për Durrësin.
Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë katolikë që qenë sistemuar në vende të tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini, Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374 kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.
Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë një zonë tepër delikate të konfrontimit me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu, që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë të urdhrave dominikanë e françeskanë, që u bënë propagandistë të vijës së parë të çështjes katolike në Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit, françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252), dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).
Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit, kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast, për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej gjatë një ceremonie solemne, gjatë së cilës të dërguarit e Papës, në prani të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).
Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët e dioqezës përkatëse. Në çdo rast, konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.
Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si dhe midis këtyre e Papatit.
Në çështjen e emërimit të klerit përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut të Kostandinopojës, këta u dërgonin "letra rekomandimi" pushtetarëve lokalë, me të cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të lirë edhe në çështjet kishtare, përsa u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se në dioqezat katolike të Shqipërisë së Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, "ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë laikë". Po atë kohë patriarku i kishës ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi. Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi peshkopët e një sërë qendrave në zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet, pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë, si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.
Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga dukuri që përbënin një largim e shkelje nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje, si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve (konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit III. Megjithatë "reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve të klerit katolik shqiptar" mbeti një problem i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.
Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante të moralit kristian dhe të statusit të klerikut. Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur. Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik II Paleologu, por më vonë organizoi kundër tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë të tjerë të tij, me pozitë në administratën qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste popullin e Konstandinopojës në kryengritje.
Figura e klerikut-luftëtar është një figurë tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në ballë të organizimit të qëndresës së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit serb.
Përveç ushtrimit të armëve, që gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari të tjera jofetare, që me kohë u bënë atribut i njerëzve të fesë. Fjala është në radhë të parë për përfaqësimin diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia, besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek. XIV, të gjithë princërit e sundimtarët shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e këshilltarit ose të emisarit për çështjet shqiptare.
Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit (preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por edhe kronika të gjalla të historisë së popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë. Në një shënim të vitit 1356, në një kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit nga serbët, transportoi në krahë në një vend të sigurt bibliotekën e manastirit të Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më 1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut Teodor Muzaka.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #26 më: 18-02-2005, 08:33:46 »

Ndjenja fetare te shqiptarët
Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën, madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit, i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera, nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër së keqes, mbrojtës të njerëzve e të bagëtive, begatues të tokës, shërues të sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar perënditë pagane të lashtësisë. Në jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së një kafshe, sa herë që ndërtohej një shtëpi, një urë apo një kështjellë. Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve, por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe ndaj "zotave" të tjerë, demonëve, shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit mbrojtës të shtëpisë e të familjes), hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë), që trondisnin herë pas here kishën zyrtare. Një ndër këto herezi, që njohu përhapje të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi, si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me natyrën e pasurinë. Në këtë të dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me të cilën perandorët bizantinë u përpoqën ta mbytnin këtë lëvizje.
Në Shqipëri "herezia" bogomile pati një përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët) kishin krijuar në Itali një kishë të tyre, në opozitë me Romën, e cila në disa vende të Italisë së Veriut quhej "kisha shqiptare" (ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.
Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante të normave e të moralit të kishës jo vetëm nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq më shumë ato dëshmojnë për të kundërtën, për përshpirtshmërinë e devocionin fetar të tyre. Në këtë kuadër është një tregues vetë numri i madh i kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare u dalluan në ndërtime të këtij lloji. Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit (1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre. Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve, qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë, tregojnë se në shumë raste këta ua linin trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme, pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.
Braktisja e jetës mondane është një tjetër tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një manastir në malin Athos, ku u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si Nifoni, në manastiret e Athosit apo të Thesalisë kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në një manastir të malit Athos. Një shprehje kolektive e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë (Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit, afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës. Manastiri i Shën Mërisë së Krajës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë (vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej festa e Shën Gjon Vladimirit.
Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj. Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme për të vizituar vende të shenjta jashtë Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë, Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin Athos, Konstandinopojë apo në Palestinë, me shpresë se kjo do t'i ndihmonte të shlyenin mëkatet e tyre.
Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët për të gjitha besimet, besimin katolik, atë ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për shqiptarët se janë "më shumë luftëtarë sesa fetarë". Kjo është arsyeja që në festa e në ceremoni fetare, siç qenë ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin, merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë e ortodoksë), aq edhe myslimanët.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #27 më: 18-02-2005, 08:34:19 »

2. KULTURA MESJETARE NË SHQIPËRI

Mënyra e jetesës
Të dhënat për mënyrën e jetesës në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato vijnë kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare.
Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergj-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan) etj. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim "katund plak" a "katund i vjetër" etj. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjin, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë etj.
Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.
Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Konstandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.
Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale.
Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trandafila dhe lule të tjera.
Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dizinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike.
Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare.
Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë.
Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin: "rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian …" (në prozën e shkurtër "Kthimi i Skënderbeut në Krujë"). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend "një poltronë despotale", të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm të madh.
Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër etj.
Për t'u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë shtresat dhe jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka).
Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet e Mesdheut.
Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të të vdekurve.
Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrnave. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjelltarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte.
Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t'i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm.
Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht.
Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të mesjetës së hershme.
Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja e ndriçimi. Lënda djegëse në këta shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që në lashtësi, por në një masë shumë më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe për të lehtësuar djegien mbështeteshin te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej "kali i druve". Rreth këtij zjarri i kalonte familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve gjatë dimrit.
Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë vatrës.
Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e Bizantit.
Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar më mirë.
Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve, nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj. Në anën tjetër, këta janë shekujt e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive. Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake, por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës. Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike, siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin arritje që solli përmirësime të dukshme. Pjesë të veçanta të veshjeve popullore të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht. Në një dokument të vitit 1335, përmenden pjesët e veshjes së një detari, ndër të cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum etc.). Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjera për burrat që u quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shek. XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum.
Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë është mbajtur një lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e qark, që cilësohet në Francë si kapelë shqiptare ("chapeau albanois" ose thjesht "albanois", nga F. Rabelais).
Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë.
Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës. Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët, Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si paleologët, asienët, anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut.
Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet, ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh, kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të shumtë.
Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit, synonte të jetonte e të zbavitej si ata. "Për një kohë shumë të gjatë, - thotë Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit, kishin zakon të shkonin në Durrës shumë herë në vit, për punët e veta dhe për dëfrim ("pro suis factis, vel pro placere"). Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej liri anëtarëve të kësaj familjeje që të vinin në Durrës sa herë dëshironin dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre në Itali më 1476, në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane në gjithë mënyrën e jetesës, duket se vazhduan edhe në shek. XVI.
Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve, fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej, zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës. U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për t'u treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për këtë është Gjon Muzaka, i cili në vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet, duke na dhënë kështu një dokument shumë të vlefshëm për kohën.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #28 më: 18-02-2005, 08:34:25 »

Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë (arbërishten)
Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t'i shtonin e t'i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo dialektor, që janë karakteristike për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ > /-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë, danë ~ darë etj.). Që të dyja këto dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th. para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë ata gjetën aty një popullsi, që fliste një gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore.
Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto treva, i janë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit, duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë parashtruar një varg argumentesh, që në vija të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon për pushtimin shumë të hershëm romak të trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve. Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë Romake në Ballkan.
Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme në emërtimin e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on, arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas (sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk.
Të gjitha këto emërtime e kanë burimin tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a më saktë të Arban-ëve, që në dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të parë në shek. II të erës së re, kur Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia, libri III, 12, shkruan: "Në tokën e albanëve (Albanoi), Albanopolis". Popullsia ilire e albanëve a arbanëve banonte në një trevë në lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban a Alban në burime të shkruara del vetëm në shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në këtë vepër, (I, faqe III) pohohet: "Në burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit…". Kuptohet vetiu që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik duhet të jetë më e hershme se shek. XI.
Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj., duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë para shek. XI në viset në veri edhe në jug të trevës së banuar në lashtësi nga popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për këtë dëshmojnë, ndër të tjera: 1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë së sotme në kohë të mesme sllavët i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet fjalë për një ndodhi në një fshat afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon: "Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën albanesca." 2. Në dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë ~ verë etj. Dhe në përgjithësi është pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë shqiptarët, pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh, që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih këtu më sipër).
Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej arbënisht/arbërisht, dëshmon për një vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm. Siç pohon A. Buda, "Kjo ishte një dukuri që nuk kishte të bënte me pushtime, por me krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të përbërë nga trevat historike të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë të njëjtë si nga burimet mesjetare të hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet perëndimore të së njëjtës periudhë, si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin e tipareve të kësaj bashkësie etnike në etapën e saj më të lartë, si "kombësi", proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim të përbashkët".
Faktorët që do të kenë ndikuar në përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten të paqartë. Ndër këta faktorë mund të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë dhe në një numër të kufizuar fshatrash të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit. Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is, që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt /-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.

Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës
Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, "kralë" e "kapedanë" veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s'njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar "shekullin e epopesë legjendare", e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose "shtatë Omerat"). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi "tim për tim" (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston "e bukura e qiellit". Krahas me "të bukurën e dheut" (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i "shtojua zot vallet"), shtojzorreshtat ("shtojua zot rreshtat"), "ato të lumet", shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin "kur kem'pas'besë me krajli". Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një "kohë e parë". Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë "land". Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin "të vetët - të tjerët", që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre "të vetët" del aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë "i bukur", i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë "i lartë, fisnik", që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin "Kënga e Halil Garrisë". Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV.
Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.

E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
M A X
Admin


Karma: 36
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 11172



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #29 më: 18-02-2005, 08:34:52 »

Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat shqiptare
Rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve të kulturës, veçanërisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të propagandimit të doktrinës fetare, të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të cilave vepronin aktivisht edhe "kurjet" peshkopale. Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet, krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve e dominikanëve që kishin pasur në dorë arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan të përhapeshin urdhrat murgëtarë të "lypësve", minoritët françeskanë. Me predikimet e tyre për nevojën e "reformave" të kishës në frymën e "varfërisë", këta mundën të ndikonin më lehtë mbi shtresat popullore.
Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme.
Në sajë të pozitës mbizotëruese të kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të atij të feudalëve perëndimorë në tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për një kohë shumë të gjatë pozitën si gjuhë kulturore mbisunduese.
Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i veprave të shkruara që qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar. Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike, aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë e tyre ka mundur të ruhet në Berat.
Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët më i vjetri është "Kodiku i Purpurt i Beratit", janë një fond me rëndësi për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet prania e shqipes.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike dhe renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë. Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Është shkruar me shkronja të derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur këto shkronja është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm se shek. XVIII).
Për herë të parë për "Codex Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej në kështjellën e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit.
Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të mos rënë në duart e pushtuesve) "Kodiku i Purpurt i Beratit" ishte jo vetëm një libër (dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas ungjijve të këtij teksti.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve.
Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose Shën Niketa i Remesianës), u përhap në disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit 525
"Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të UNESCO-s.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) - për shkak të shkronjës prej ari që është përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut). Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe lule).
Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar "Kodiku i Vlorës", afërsisht shek. X; "Kodiku i Përmetit", i shek. XIV; "Kodiku i Shkodrës", i të njëjtit shekull.
Në kodikët që i takojnë periudhës prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.
Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare, duke çuar më përpara traditat në këtë fushë. Huazimet me prejardhje latine si: "shkruaj", "këndoj" etj., me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një kohë të lashtë.
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz të ditur si klerikë e murgj të manastireve, por profesionistë të specializuar. Këta formonin kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.
Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh., kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila trajton ngjarje të luftës së bizantinëve kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra të shkruara greqisht, është shkruar latinisht kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në territor të banuar prej shqiptarësh në Epir, janë hartuar në fund të shek. XIV e në fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të dhëna me interes për historinë e Principatës shqiptare të Artës. Shënime historike për shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet e Beratit.
Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.
Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore. E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja dhe latinishtja dhe në një masë më të vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja. Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore. Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia dhe Kastriotët i përdorën të tria këto gjuhë. Dëshmi për këtë janë mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më 1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën Gjonit pranë Elbasanit.
Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës. Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej në fillim në formë individuale vetëm me lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë jepej me forma më të organizuara duke përfshirë një rreth më të gjerë lëndësh. Në të tilla shkolla që i hasim edhe në qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë klerikë të ditur. Të tillë mësues shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare të qyteteve.
Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.
Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t'i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historinë e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek. XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky hap i rëndësishëm lidhet me ngritjen e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit dhe veçanërisht të qyteteve.
Me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe.

Fillimet e letërsisë shqiptare. Dokumentet e para të shqipes së shkruar
Libri i parë shqip që njihet deri më sot është "Meshari" i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë shqiptare duhet të jenë më të hershme se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341) si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën e banorëve të këtyre trojeve. Në një relacion me titull "Directorium ad passagium faciendum ad terram sanctam", dërguar mbretit të Francës, Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të tjera shkruan: "Sado që arbrit kanë gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në tërë librat e tyre shkronjën latine".
Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij "Rrethimi i Shkodrës" (De obsi-dione Scodrensi), botuar në Venedik më 1505, thotë se ka pasur në dorë kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht, as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e mërgimit të tyre të rëndë.
Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes së shkruar në shek. XV ose diçka më herët.
I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është "Formula e pagëzimit" dhe i takon vitit 1462. Është një formulë e shkurtër fetare e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Në qarkoren që u dërgon vartësve të tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin vetë duke përdorur këtë formulë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe është "Fjalorthi" i Arnold Von Harfit, i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet me emrin "Perikopeja e ungjillit të pashkëve", është gjetur në Bibliotekën Ambroziane të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabetin grek.
Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës bizantine-ortodokse.

Arkitektura në shek. VI-XV
Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t'u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta.
Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t'u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.
Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.
Fortifikimet më të rëndësishme të shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit që i takojnë periudhës së sundimit të perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash. çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo. Kati i parë përbëhej nga një hapësirë e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit përshkoheshin nga një numër i madh portash, prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj porte qëndronte një statujë prej bronzi, e cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej perandorit Adrian.
Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit, Belizari, të ndërtonte në Romë një tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara në kështjellën e Durrësit.
Gjatë periudhës së Justinianit vërehet një tendencë për ndërtimin e kështjellave mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve dhe nënndarje të tjera, që s'ishte gjë tjetër veçse kthimi në format e vjetra të periudhës helenistike apo të fortifikimeve më të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës, çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë fillojnë të bëhen gjithnjë e më të ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë mbrojtjen gjithnjë e më pasive.
Një vend të rëndësishëm midis monumenteve të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.
E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
Faqe: 1 [2] 3 4   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • . Cila palë kishte të drejtë dhe cila jo.
  • Dot Balli Kombëtar
  • 6 (40%)
  • -
  • Dot Partizanët
  • 3 (20%)
  • -
  • Dot Asnjëra
  • 3 (20%)
  • -
  • Dot Të dyjat
  • 3 (20%)
  • -
  • Numri total i votave: 15
  • Shiko temen

* Sponsor